Menu

Perandoria Bizantine, Shqiptarët dhe Perandorët që hynë në histori‏

User Rating:  / 2
PoorBest 

Krijimi i Perandoris Bizantine

Perandoria Bizantine e mori emërin nga një qytet i vjetër tregëtar Bizant në bregun e Bosforit. Në vitin 330, Kostandini i Madh –Perandori i Romës me kombësi ilire, e transferoi zyrtarisht rezidencën perandorake nga Roma në Bizant. Ai e kishte ndjerë dhe kuptuar, se vetëm krishterimi mund të siguronte unitetin e perandorisë. Zhvendosja e qëndrës politike në lindje dhe ngadhnjimi i krishterimit ishin dy ngjarjet me të cilat fillon jetën kjo perandori. Për nder të perandorit, Bizanti u quajt Konstandinopol, kurse shteti Perandoria Romake e Lindjes. Si datë e krijimit të Perandorisë Bizantine merret viti 395, kur perandori Teodosi i Madh, në shtratin e vdekjes, ua ndau Perandorinë e Romake dy djemve të vet: Arkadit që do të qeveriste në Lindje dhe Honorit që do të qeveriste në Perëndim. Pra, Perandoria Bizantine lindi si rezultat i ndarjes së Perandorisë Romake. Në këtë mënyrë, u hoq një vijë kufiri që, me kalimin e kohës, do të skaliste në mënyrë të prerë, si kufi midis botës kulturore Perëndimore romane dhe asaj Lindore bizantine. Shteti bizantin e nis jetën si një vazhdim i perandorisë së vjetër romake dhe me kalimin e kohës do të largohej gjithnjë e më shumë nga qytetërimi romak, deri sa në fund të jetës së vet nuk kishte asgjë të përbashkët me të. Termi bizantin është përdorur vonë. Banorët e kësaj perandorie quheshin Romej, kurse shteti njhej si Perandoria e Romejve (ortodoksë). Kostandinopoja quhej Roma e Re. Tre shekujt e parë janë vlerësuar si periudha e kalimit nga Perandoria Romake në Bizantin Mesjetar. Kjo perandori shtrihej në teritoret e ngushtuara pellazgjike dhe përfshinte:Gadishullin e Ballkanit përfshi gjysmën lindore të pellgut të Mesdheut, krahinat nga lumi Danub në Veri deri në ishujt e Detit Egje, krahinat në brigjet e Detit të Zi, krahinat në Azinë e Vogël, Sirinë, krahinat e kufizuara nga Deti i Kuq, Egjiptin deri në Sorten e Madhe.

Dy perandorët e parë

Dy perandorët e parë të Perandorisë së Lindjes, ishin Arkadi (395-408) dhe Teodos Kaligrafi (408-450, të cilët nuk shkëlqyen. Në kohën e tyre qeverisnin eunukët dhe gratë dhe si pasojë perandoria u përfshi nga një krizë e gjithanëshme politike e shoqërore.Në shek.V, kriza u kapërcye pjesërisht dhe një pjesë e rëndësishme e tokës filloi të punohej. Aty gjetën zbatim një varg mekanizmash në vaditjen, korrjen dhe shirjen e drithrave. Në fshatin bizantin gjithnjë e më shumë ndërtoheshin puse të rinj, çisterna, shtypës ullinjsh e rrushi. Zhvillim pati edhe blegtoria. Në shumë rajone, përpunimi i bukës, i rrushit dhe i frutave mori karakterin e ekonomisë së mallrave. Në marrëdhëniet agrare, pasqyroheshin kontradiktat karakteristike për epokën kalimtare nga skllavopronaria në feudalizëm, duke u mpleksuar edhe me elementë të trashëguar nga antikiteti.

Puna e skllavit

Tashmë, puna e skllavit nuk luante rol vendimtar në ekonominë fshatare, pasi bazën e popullsisë fshatare e përbënin kolonët. Skllavi mund ta blinte lirinë dhe të kthehej në Kolonë. Por pozita ekonomiko-shoqërore e Kolonëve ndryshonte nga një dhjetvjeçar në tjetrin. Kolonët duke humbur tokën private dhe lirinë, ktheheshin në mbajtës të tokës së Zotërisë, duke ju afruar gjithnjë e më shumë bujkrobërisë. Zotëritë po ktheheshin në pronarë të mëdhenj tokash dhe marrëdhëniet agrare në Bizant po pësonin ndryshime të mëdha, duke përcaktuar strukturën e re të ekonomisë. Në Strukturën e Re të Ekonomisë, vendin e parë e zinin "Pronat e Mëdha Tokësore" (Çifligjet), të fortifikuara në formën e ekonomive të mbyllura dhe të pavarura nga qytetet. Vendin e dytë e zinin "Ekonomitë e Vogla Private", të cilat zotëroheshin nga fshatarësia e lirë, që jetonte në bashkësi dhe administrohej nga kryeplaku. Në disa rajone malore ruheshin bashkësitë e fshatarëve të lirë ose bashkësitë mbi bazën e lidhjes së gjakut. Në rajonet me sipërfaqe të mëdha tokash, fshatarësia e lirë po ndjehej ç'do ditë e më shumë e pambrojtur karshi zyrtarëve perandorak. Për tu çliruar nga pesha e taksave, ajo pranonte të vihej në mbrojtje të kësaj shtrese shoqërore duke dorëzuar tokën dhe duke u kthyer nga fshatar të lirë në bujkrob. Marrëdhëniet e reja agrare, lindën klasën e re politike "Patronatin". Patronë u bënë edhe Kishat dhe Manastiret. Pronarët më të mëdhenj të tokave ishin Perandorët. Fshatarësia e lire filloi të pakësohej dhe të vihej nën pushtetin e Patronatit. Në rajonet perëndimore të Perandorisë (Thrakë, Danub etj.), patronazhi u zhvillua më me ngadalë.

Në Iliri

Në Iliri, mbizotëronin bashkësitë e fshatarëve të lirë, të cilat në zonat malore, organizoheshin mbi bazën e lidhjeve të gjakut. Ilirët nuk e pranuan "Patronazhin". Në shek. VI –VII, gjatë mbretërimit të Dioklecianit dhe Justinianit, në kuadrin e krijimit të Themave, u fuqizua fshatarësia e lirë pronare e vogël toke (Stratiotët).Kryerja e shërbimit ushtarak trashëgohej si rregull nga djali i madh (stratioti) që trashëgonte edhe parcelën e tokës, mbi të cilën rëndonte edhe detyrimi ushtarak. Pjesëtarët e tjerë, fshatarë të lirë (bujk), formonin tepricën e forcës së lirë bujqësore, që punonin tokat e lira të bollshme. Në këtë mënyrë edhe bujku inkuadrohej në sistemin e Stratiotëve. Fshatarët e Lirë dhe Stratiotët, i përkisnin një klase të vetme, e cila formonte shtyllën themelore të Perandorisë Bizantine. Prona e madhe e tokës, që ishte sunduese në periudhën e hershme deri në shek V, u bë pre e popujve barbarë. Situatat e reja gjeopolitike, krijuan: fshatarë të lirë që morën në dorëzim tokën dhe Stratiotët e Ushtrisë së re të Themave. Nga fundi i shek.VII, po lindte ekonomia natyrale, ku çdo gjë prodhohej në vend dhe plotësoheshin nevojat. Fshatari një pjesë të prodhimeve e çonte në qytet, që të shlyente detyrimet shtetërore. Ligji agrar i aplikuar nga shek.VIII deri në shek X, kishte karakter të dyfishtë: Nga njëra anë kemi parcelën e fshatarit, si pronë private dhe nga ana tjetër kemi ende pronën e përbashkët që nuk ishte zhdukur përfundimisht. Teknika e punimit të tokës nuk ndryshoi shumë nga koha e Homerit. Parmenda tërhiqej nga qetë ose edhe nga buaj. Blegtoria vazhdonte të luante rol të rëndësishëm në jetën e fshatit dhe praktikohej gjërësisht çuarja e bagëtive në kullotat malore. Bashkësia fshatare, po hynte gradualisht në rrugën e diferencimit ekonomiko-shoqëror. Në përgjithësi, bashkësia përbëhej nga familje të mëdha patriarkale me 20-30 veta dhe u ruajt në zonat e brëndshme e malore. Shteti me politikat e tij, çoi në shthurjen e bashkësisë dhe në varësinë feudale të fshatarësisë. Arësyet e robërimit, lidhen edhe me mungesën e krahëve të punës, me kushtet e këqija natyrore, me agroteknikën primitive dhe me luftërat e shpeshta. Formimi i pronës së madhe feudale, ishte në kushtet e reja, vetëm një çështje kohe. Duke filluar nga mesi i shek.IX, fshati hyri në një etapë të re zhvillimi: Ekzistonte Bashkësia Fshatare, Fshatarësia e Lirë dhe Çifligjet Feudale. Në vitet 70 të shek.IX u krijua Thema e Dalmacisë, e cila rivendosi sovranitetin e Bizantit në brigjet e Adriatikut. U krijuan kushtet për përhapjen e krishtërimit tek Serbët, Kroatët, Rusët dhe Bullgarët.

Krijimi i një alfabet sllav

Pikërisht në këtë kohë Kostandini nga Selaniku krijoi një alfabet sllav, duke mundësuar përkthimin e shkrimeve të shënjta në sllavisht. Çifligjet Feudale imponuan vendosjen e "Sistemit Senjorial" të përvetësimit të prodhimit suplementar dhe të kthimit të fshatarësisë në "popullsi e varur personalisht". Pamvarësisht pozitës së re shoqërore, Çifligjet Feudale për një kohë të gjatë mbetën nën kontrollin e Pushtetit Qëndror. Procesi i diferencimit social të fshatarësisë së lirë hyri në një etapë të re. Anëtarët e bashkësisë, për jetërsimin e ngastrës shrytëzuan gjërësisht të drejtat e trashëgimit të tokës, lënien me testament, lënien peng, dhurimin, shitblerjen dhe dhënien me qera për ta shfrytëzuar një tjetër. Në mjaft dokumente duket ky diferencim. Nga njëra anë dalin njerëz të pasur, pronarë të disa zotërimeve brënda bashkësisë dhe jashtë saj, me kulla ku banonin përveç familjes së tyre edhe punëmarës (bujk) të pajtuar të paguar. Këta njërëz të pasur që përdornin punën e tjetrit përbënin "Shtresën e Dinatëve", të fuqishmëve, të mëdhenjve. Nga ana tjetër, ndodheshin të varfërit, të mjerët, pa pasuri. Zotëruesit e ngastrave të shumta (Dinatët), forcuan pozitat e tyre në bashkësi. Shpërbërja e "Bashkësisë së Fshatarëve të Lirë" erdhi për dy arësye: Diferencimi i pasurisë, çoi në shpërbërjen e bashkësisë, në prishjen e lidhjeve, në humbjen e forcës së saj të mëparshme e të kohezionit të brendshëm. Në shek.X, ruheshin vetëm disa tradita karakteristike të bashkësisë fshatare: toka të përbashkëta, kullota, ujërat. Për nënshtrimin e bashkësisë së lirë, në vitet 940, një rol luajti edhe "Sistemi i Përgjegjësisë Kolektive" (alilengi) të të tatuarve. Sipas tij, të gjithë fqinjët që kishin mbetur gjallë ishin të detyruar të paguanin taksa për ata që kishin banuar afër, por që kishin vdekur prej murtaje ose varfërisë, ose që për shkak të varfërisë kishin braktisur vendbanimin. Alilengi çoi në shkatërimin dhe rritjen e detyrimeve të fshatarësisë. Edhe më të rëndë e bënin peshën tatimore dhuna dhe grabitja e nëpunësve. Ata në mënyrë të padrejtë, ngrinin normat, burgosnin ata që kundërshtonin të paguanin e nuk ndaleshin para përdorimit të ndëshkimeve trupore. Në preferencat për blerjen e ngastrës u vendos ky rregull: në fillim lidhja e gjakut, pastaj bashkëzotëruesi dhe pastaj fqinji. Me këto masa shteti synonte t'i hiqte mundësinë fshatarit që të dispononte në mënyrë të lirë tokën që i përkiste, ta varfëronte dhe ta kthente në "fshatar shtetëror" e më vonë "Parik i Shtetit".

Shërbimi ushtarak dhe gjëndja ekonomike

Parikët u çliruan nga të gjitha detyrimet shtetërore, me përjashtim të asaj të caktuar, si kryerjen e postës, ruajtjen e rrugëve etj. Fondi kryesor i tokës së bashkësisë fshatare ishte ndarë prej shtetit në toka ushtarake –stratiotika. Ata që banonin aty ishin të detryruar të kryenin brez pas brezi shërbimin ushtarak (stratiotë). Por shërbimi varej nga gjëndja ekonomike. Kalorësi duhej të zotëronte një pasuri më të madhe se këmbësori. Ata që kishin më pak pasuri mbushnin radhët e ushtrisë, kurse të pasurit zunë vëndet komanduese. Masa e stratiotëve po kthehej vazhdimisht në marrëdhëniet e varësisë personale të karakterit feudal. Oligarkia e lartë ushtarake, ashtu si Dinatët, u sulën mbi tokat e Stratiotëve dhe i kthyen në njërëz të varur, fshatar të varfër, fshatar të shtetit (parik). Dinatët bizantinë shtinë në dorë tokën fshatare me anë të nënshtrimeve, abuzimeve, të lënies në trashëgim e deri në marëveshjet juridike. Në fund të shek.X, ishin formuar disa prona të mëdha të trashëgueshme. Dinatët, shfrytëzonin ende punën e skllevërve, mistotëve (fshatarë të pavarur), bujkrobërve (fshatarë të varur), duke krijuar Çifligje të mëdha, që zmadhoheshin duke përthithur tokat e fshatrave të shpërbëra dhe të bashkësive të prishura. Forcimin e pronës feudale, e ndihmoi edhe dhënia e privilegjeve feudalëve të mëdhenj. Tani e tutje, disa të drejta që i kishte patur shteti, kaluan në dobi të feudalëve të veçantë. Pariku ia shlyente detyrimet një pjesë arkës shtetërore, një pjesë të zotit. Kjo çoi në forcimin akoma më shumë të varësisë së tyre nga Feudalët Laik dhe Feudalët Kishtar. Me pushtimin e Azisë së Vogël nga selxhukët, provinca e Maqedonisë bëhet qëndra kryesore e zotërimeve feudale. Aty kishin zotërimet Dukajt, Komnenët, Engjëllorët etj. Krahas bullgarëve, armenëve, shqiptarëve etj., në klasën drejtuese të perandorisë hynë persona të ardhur nga Hungaria, Moravia e Italia. Forcimi i marëdhënieve feudale, u shoqërua me zhvillimin e institucioneve feudale, si: hirarkia feudale e pushteti privat. Me kalimin e tokës nga shteti në duart e feudalëve laikë e kishtarë, të ardhurat e arkës së shtetit filluan të pakësohen, prandaj perandorët u detyruan t'i vënë rëndësi "domenit perandorak", që fillon të bëhet një mbështetje e fuqishme e pushtetit qendror. Në krye qëndronte Perandori, zot i gjithëpushtetshëm i të gjitha tokave dhe i të gjithë shtetasve të perandorisë. Pas tij vinin Vasalët. Marëdhëniet e vasalitetit midis perandorit dhe feudalëve të mëdhenj të huaj e bizantin në shek.XI-XII ishin bërë fenomene të zakonëshme. Sipas Anna Komnenës, me marëveshjen e 1108 që bëri me Aleks Komnenin, Boemundit i njihej e drejta e pushtetit mbi teritoret që iu dhanë nga perandori, por ishte i detyruar të njihte edhe vasalitetin ndaj perandorit. Marëdhëniet e vasalitetit lindën edhe midis feudalëve. Kështu Isak Komneni, një nga feudalët më të mëdhenj të mesit të shek.XII, merte tokë nga senjori i tij dhe për këtë duhej të shkonte në shërbim ushtarak. Feudalët e mëdhenj kishin ushtrinë e tyre. Ata zotëronin kështjella.Natyrisht midis feudalëve shpesh ndodhnin ndeshje. Në çerekun e dytë të shek X, Vasil Skliroi me forcat e veta hyri në luftë me fqinjin Gjergj Maniakun, i cili e mundi dhe e detyroi të largohet nga zotërimet e tij.

Gjatë këtyre shekujve, në perandorinë bizantine u perhap dhe Institucioni i Imunitetit.

Ai konsistonte në njohjen dhe dhënien e privilegjeve dhe të drejtave përherë e më të mëdha në favor të feudalëve të veçantë nga ana e shtetit. Një nga këto privilegje ishte Eksusia, e cila ishte dhurim i një shume të hollash, që ndihmoi në zhvillimin e mëtejshëm të feudalizmit. Pronarët e mëdhenj të tokave kishin të drejtën e gjyqit mbi popullsinë e varur prej tyre. Sipas Niketa Honiatit, pronarët e tokave gëzonin në pronat e tyre të drejta, si drejtuesit e provincave (guvernatorët dhe qefalitë). Shteti në Bizant nuk hoqi dorë asnjëherë nga e drejta sovrane mbi tokën dhe nga të drejtat që rridhnin prej saj. Kjo bënte që të gjitha kategoritë shoqërore të ishin të lidhura drejtpërdrejt me shtetin. Pushteti qëndror nuk lejoi që zotëruesit e veçantë të ktheheshin në zotër të gjithpushtetshëm në zotërimet e tyre. Në shek.XIII-XIV, ndikimet perëndimore në Bizant, u kristalizuan në mbizotërimin e dy tipeve të pronës mbi tokën. Tipi i parë ishte i lidhur me pronën e plotë private, ku përfshihej: prona e fshatarëve të lirë, si dhe pronat e mëdha feudale të palidhura me asnjë detyrim me shtetin. Tipi i dytë, ka të bëjë me pronën e kushtëzuar kryesisht Pronia. Baza ekonomike e saj, ishte puna e fshatarësisë së varur nëpërmjet rentës,si dhe në formën e mbledhjes së taksave shtetërore. Detyrimet kryesore ndaj shtetit ishin: Taksa e tokës, taksa e shtëpisë, e cila në dokumentat e tokave shqiptare njihet si taksa për tym ose për zjarr, e dhjeta e derrave, e bagëtive të imta, për kullotat, për pazarin, për panairet etj. Fshatari ishte i detyruar të mbante me ushqim nëpunësit apo ushtrinë perandorake kur kalonte në ato krahina, të jepte dhurata të ndryshme si bukë, mish verë. Këto tatime u shtuan aq shumë, sa sipas historianit Skilica "të vinte turp t'i numëroje". Përhapja e pronies, ndihmoi kështu në zhvillimin e idesë së pronësisë supreme të shtetit mbi tokën e nënshtetasve dhe tregoi forcimin e elementëve të strukturës hierarkike të pronësisë. Nëpunësit shtetërorë në Bizant hynin në zotërimet e pronarëve private të tokës e hartonin rregjistra të zotërimeve dhe të të ardhurave, ndërsa në perëndim ato bëheshin nga feudalë të veçantë. Nga njëra anë, politika shtetërore ndihmoi feudalizmin, me anë të dhurimeve të mëdha të tokave dhe privilegjet e imunitetit, nga ana tjetër, përzierja e pushtetit shtetëror në marëdhëniet e feudalëve të veçantë, ruajtja në duart e shtetit të një radhe të drejtash ekonomike e juridike, i jepte mundësi shtetit të merrte tokat e dhuruara e të konfiskonte zotërimet e feudalëve të veçantë. Këto pengonin procesin e zhvillimit të feudalizmit.

Prona ishte pronë e kushtëzuar

Ajo dallonte nga institucionet e lindjes si: nga Timari etj., ku dhurohej juridikisht e drejta e vjeljes së taksave dhe ku faktikisht zotëruesit e saj ktheheshin në pronarë. Megjithatë marëdhëniet agrare bizantine u zhvilluan në mënyrë të pandërprerë. Në shek.XV pësuan një hop të vërtetë. Prona e lirë fshatare ishte reduktuar në maksimum dhe ruhej vetëm në zonat malore. Ndërsa prona e madhe feudale ishte zgjeruar shumë në kurriz të së parës. Në këtë periudhë, prona tokësore nga kategori e kushtëzuar dhe në përdorim të përkohëshëm (institucioni Pronia) u kthye në (institucioni Timar), në prona tokësore të trashëgueshme dhe në zotërim vetëm me shërbimin ushtarak. Ky ishte një hap drejt kthimit të saj në një pronë private.

Zhvillimi i marëdhënieve feudale u vu re në disa drejtime. Sistemi administrativ filloi të humbas karakterin centralizues. Bojarë të veçantë filluan të krijojnë zotërime të pavarura, prandaj perandorët e kësaj periudhe filluan të caktojnë qeveritarë (guvernatorë e qefali) pjesëtarë të familjes perandorake, njerëz të besuar. Duke u dhënë privilegje feudalëve të veçantë, shteti boshatisi arkën shtetërore, sepse Pariku (fshatari shtetëror) detyrimin ia jepte Bojarëve "Zotërisë së Ri". Shteti nuk ishte në gjëndje të përballonte shpenzimet ushtarake e administrative.

Krijimi i ushtrisë me rrogë (mercenarë)

Në këtë periudhë shteti bizantin filloi ta humbas karakterin ushtarak. Nga rënia e gadishmërisë së pronarëve për luftë, shteti u detyrua të mbështetej në ushtarë me rrogë (mercenarë). Për këtë qëllim shteti kishte filluar me kohë ti kërkonte taksat, nga në natyrë, në të holla, për tu bërë ballë shpenzimeve për ushtrinë mercenare. Ushtria përbëhej prej kalorësisë, këmbësorisë dhe nga flota luftarake detare.Teritori i perandorisë ishte ndarë në 13 rrethe ushtarake me në krye një Dukë. Komanda e ushtrisë ishte në duart e 5 magistrave. Dy qëndronin në Kostandinopol, kurse të tjerët komandonin ushtritë periferike të Lindjes, të Ilirikut e të Thrakës. Krahas marëdhënieve agrare, në perandorinë bizantine Qyteti dëshmoi për një qëndrushmëri të madhe. Numëroheshin 1000 qytete (polis-civitas), ku dalloheshin Aleksandria me 300.000 banorë, Antiokia me 250.000 banorë, Konstandinopoli me 150.000 banorë, Selaniku, Jerusalemi, Bejruti, Damasku etj., me deri 100.000 banorë.

Qytetet ishin bërë qendra zejtarie, tregëtare e administrative, duke u ndërtuar me rrugica të ngushta dhe të erëta të krijuara nga ndërtimi i pallateve të drejtuesve të kancelarive, të nëpunësve dhe pronarëve të mëdhenj. Vëndin e tempujve e teatrove e kishin zënë kishat. Qytetet e reja ndërtoheshin në hapësira të vogla e të përforcuara mirë, që ishin qytet kështjella mesjetare. Prona private tokësore qytetare ishte shkurtuar shumë. Si rezultat qytetarët mereshin me zejtari, ku dallohej prodhimi i poçerisë, përpunimi i gurit e mermerit. Zejtaria qytetare plotësonte nevojat e qytetarëve, por edhe të popullsisë fshatare. Ndër grupet më të mëdha të zejtarëve, mund të përmendim: përpunuesit e gurit, të metalit, të baltës, qeramikës, qelqit, si dhe tekstilistët, ngjyrosësit, lëkurpunuesit, rrobaqepësit, bizhuterët, etj. Në qytet karakteristikë për këtë kohë, ishte punishtja e vogël. Aty punonte zejtari, ndonjë ndihmës prej anëtarëve të familjes, ndonjë skllav ose punëtor me mëditje. Mësimi i zanatit fillonte në moshën 10 vjeç dhe pas 4-5 viteve nxënësi mund të punonte si punëtor me mëditje ose si zejtar i pavarur. Përveç zejtarëve të veçantë, punishte kishte kisha dhe shteti. Popullsia zejtaro-tregëtare, në pjesën më të madhe ishte bashkuar në korporata sipas profesionit.

Gjatë sundimit të Justinianit u zhvillua industria e mëndafshit dhe tregëtia

Sipas dokumentave kohore, në vëndet e Ilirikut tregëtoheshin prodhime bujqësore e blegtorale për tregun e brëndshëm qytetar dhe tregjet e huaja. Struktura shoqërore e qytetit, ishte e larmishme. Ajo përbëhej nga disa shtresa. Një shtresë të madhe e përbënin skllevërit, plebejtë, banorët e lirë, proletarët, zejtarët e tregëtarët e vegjël. Më lart vinin fajdexhijtë, tregëtarët e mëdhenj, zotëruesit e anijeve, të tokës, aristrokracia municipale, nëpunësit dhe ushtarakët. Rënia ekonomike në shek.VII-IX, nga sulmet e barbarëve dhe arabëve, ishte me pasoja shkatërimtare për shumë qytete, të cilat u shkatëruan dhe u rrafshuan dhe popullsia u vendos në vende të tjera më të mbrojtura. Sllavët shkatëruan rrënjët mitike të banorëve autokton pellazgo- iliro-arbnoro-shqiptar, por u dashuruan me kulturën dhe emërat hyjnor të tyre. Shumë despotë serb, bullgar, rus, etj., janë shënuar në dokumentat e kohës me emëra shqiptar Aleksandër dhe Gjergj. Emëri hyjnor shqiptar Aleksandër, u përdor edhe nga popujt të tjerë deri në provincat perëndimore Romake. Ndërsa emëri shqiptar Gjergj, që ridhte nga emëri ilir Gent, Genci, Gjenci, dhe që vinte nga fjala shqipe gen (gjen,me gjet trungun, grupin e gjakut,etj.), ishte zhvilluar në trajtat e emërave tipik shqiptar: Gjon,Gjin,Gjok, Gjet, Gjelosh,etj.,deri në variantin Jorgji. Përdorimi i emërave hyjnor shqiptar Aleksandër dhe Gjergj (ky në variantin Zhorzh, Georgo etj.), nga popujt jo shqiptar dhe mbretërit e tyre, na mbush me krenari dhe njëkohësisht na jep të drejtën të besojmë në dy drejtime: I pari na çon të besojmë që, despotët e shpallur të Serbisë, Rusisë, Bullgarisë etj., duke u quajtur me këto emëra të kenë qënë shqiptar. E dyta, ka të bëjë në starategjinë e barbarëve për të dëshmuar që, vëndet e pushtuara prej tyre, sidomos hapësirat shqipfolëse të bizantit, kanë qenë që nga kohërat e hershme vëndet e tyre. Megjithatë Bizanti nuk u tha krejtësisht. Nevojat e ushtrisë dhe të pallatit stimulonin zhvillimin e zejtarisë. Nga qytetet më të mëdhenj provincial ishte Selaniku, qëndër e rëndësishme zejtaro-tregëtare, administrative, ushtarake, strategjike dhe kulturore. Athina dhe Korinthi ishin në rënie.

Në bregdetin e Adriatikut po forcohej Durrësi (Dyrrahu), pikënisja e rrugës Egnatia

Në bregdetin e Adriatikut po forcohej Durrësi (Dyrrahu), pikënisja e rrugës Egnatia që e lidhte me Selanikun, qëndër tregëtare me Italinë dhe pika mbrojtëse e sundimit Bizantin në Perëndim. Në vitin 992, me nënshkrimin e marëveshjeve tregëtare me Venedikun, Konstandinopoja kishte lidhje të gjalla me Durrësin. Popullsia e qyteteve bizantine, merej edhe me vreshtari, blegtori, me kultivimin e drithrave, në arat e livadhet përreth tyre. Qytetet ishin si kështjella. Ishin qëndra administrative, kishtare, zejtarie dhe tregëtie. Ndërtimet me gur zëvëndësuan ato me dru.Ritja e qyteteve provinciale,çoi në një tendencë të veçantë, në formimin e elementeve të pavarësisë qytetare.Në shek X, rrugët kryesore tregëtare kishin rënë nën kontrollin e bullgarëve, të cilët kishin hyrë deri në Thrakë e Maqedoni. Krizën e brëndëshme politike e shfrytëzuan popujt e shtypur. Më 1017 Bullgarët u mundën. Për qeverisjen e krahinës së Tiranës, Bizanti i dha pushtet familjes parthine nga Bërrari e quajtur: "Fisnikët e Sgurajve. Pranë selisë së tyre, në themelet e një tempulli të vjetër pellazg, ndodhej kalaja e Tujanit dhe kisha "Shën Maria", ndërtuar buzë lumit Rigllata. I pari i kësaj familje Mihal Sguro,mbante titullin bizantin Sevast. Nga viti 1018, Mihali ishte Kryetar i "Bashkësisë Krahinore të Trevës Tiranë", që gjëndej midis lumenjve Erzen e Tapizë. Në vitin 1035, Zeta (Diokle) ose Mali i Zi, i banuar me shumicë nga shqiptarët u bë vëndi i parë ballkanik që u shkëput nga Bizanti. Në vitin 1040, si rezultat i rritjes së taksave dhe veçanërisht nga kthimi i taksave në natyrë në taksa në të holla, shpërtheu një kryengritje në Maqedoni, ku morrën pjesë edhe shqiptarë. Nga historiografia sllave, kjo kryengritje është vlerësuar "kryengritje e sllavëve të jugut" edhe pse vet ata, kanë pranuar që zona Durrës-Shkup e përfshirë në kryengritje, banohet me shumicë nga shqiptarë. Fill pas saj shqiptarët morën pjesë në kryengritjen e Durrësit. Çlirimi i Duirrësit, ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes edhe në Themën e Nikopolit, ku gjëndeshin një pjesë e madhe e tokave shqiptare. Kryengritja u shtyp me vështirësi në vitin 1041, nga perandori Mihali IV, i cili formoi një armatë nga të gjitha provincat për të sulmuar Ilirikun. Në vitin 1043, shpërtheu konflikti armatosur midis aristokracisë ushtarake dhe asaj kryeqytetase, të cilën e udhëhoqi strategu bizantin i Italisë Gjergj Maniake. Në shkurt ai u nis nga Siçilia e zbarkoi me trupat e tij në Durrës. Përparimi shpejt i ushtrisë në krahinat shqiptare nëpërmjet rrugës Egnatia deri në Ohër e Manastir, janë një dëshmi tjetër e gadishmërisë së shqiptarëve për të luftuar kundër pushtetit bizantin. Kryengritja e Gjergj Maniakut hapi serinë e kryengritjeve të pandërprera të aristokracisë ushtarake.

Ndarja përfundimtare e kishave

Më 1055, në kohën e mbretërimit të Kostandinit IX, ndodhi ndarja përfundimtare e kishave, duke u formuar kisha katolike e Perëndimit dhe kisha ortodokse e Lindjes. Kisha Perëndimore mbështetej në trashëgiminë e të drejtës romake, kurse kisha Bizantine mbështetej në traditën neoplatoniane. Patriarku i Kostandinopojës urdhëroi mbylljen e kishave latine të kryeqytetit dhe bindi perandorin të bashkohej me të. Perandori u shpall përfaqësues i Zotit. Përdorimi i gjuhës romane-latine në liturgjitë fetare dhe në administratën bizantine, u zëvëndësua me gjuhën greke. Menjëherë kleri ortodoks, filloi luftën e hapur kundër gjuhës shqipe (pellazgo-ilire), e cila ishte gjuha mëmë e gjuhëve romano-latine. Teodori I, Laskari, mblodhi kopjues të greqishtes dhe krijoi biblotekën e vet. Filloi epoka e harimit të kulturës pellazgo-iliro-arbërore dhe e shkrimit të saj si histori dhe kulturë greko-sllave. Kopjuesit grek, i quajtën shqiptarët Romenj. Por shqiptarët edhe pse humbën shkrimin e gjuhës shqipe, ruajtën fort gjuhën e folur shqipe, gjuhën hyjnore të pellazgëve dhe veten e tyre e quajtën përherë Shqiptar. Turbullirat shtoheshin. Revoltat e strategëve ushtarak dhe shqiptarëve zbulonin ashpërsimin e kondradiktave midis tyre dhe pushtetit qendror. Në shkurt të vitit 1081 në Curila të Thrakës Aleks Komneni shpalli veten Perandor dhe u fut triumfalisht në pallatin mbretëror në Kostandinopojë. E bija e tij Ana Komnena shkruan: "Kur hipi në fron Aleks Komneni, Perandoria Bizantine ndodhej në një gjëndje kritike. Arka e shtetit ishte bosh. Të gjitha pjesët e perandorisë ishin mbërthyer nga përpëlitje vdekjeprurëse, turqit po shkatëronin Lindjen dhe shteti ishte katandisur në një gjëndje të mjerushme". Në vitin 1081, Normanët nisën sulmin drejt brigjeve shqiptare, duke pushtuar Vlorën, Kaninën, Orikumin, Butrintin, Korfuzin dhe Durrësin. Nga lufta me Normanët dolën të fituar venedikasit, të cilët sipas një traktati të vitit 1082, morën përsipër të ndihmojnë Bizantin me forca ushtarake. Më 1084 venecianët shpartalluan forcat normane dhe qytetet e pushtuara prej tyre, midis tyre edhe Durrësi, i kaluan përsëri Bizantit. Shqiptari nga provinca e maqedonisë, Aleks Komneni u tregua burrë shteti. Si përfaqësues i forcave më të reja të aristokracisë ushtarake, u diferencua si nga burokracia e kryeqytetit ashtu edhe nga familjet e mëdha të aristokracisë së provincës, që kishin qënë promotorë të luftës së ashpër për pushtet në dhjetëvjeçarin e fundit. Ai zbatoi edhe një varg reformash administrative, duke hequr nga qarkullimi një sërë titujsh që ishin zhvleftësuar. U zbatua një sistem i ri titujsh si: sebastokrat, protosebast, sebast, që u jepeshin anëtarëve të familjes perandorake dhe parisë së lartë. Reformat prekën dhe administratën qëndrore. Perandoria vazhdonte të ndahej në Thema. Në krye të tyre u vendosën komandantë ushtarakë me gradën e dukës, që ishin njerëz të besuar të perandorit. Trashëgimtarin e zgjidhte perandori. Ushtria dhe obortarët ishin përjashtuar nga një gjë e tillë. Meqënëse roli i stratiotëve po kufizohej, Aleks Komneni organizoi ushtrinë me mercenarë, ku hynë rusë, normanë, alanë, peçenegë, etj. Për të kontrolluar më mire këtë ushtri, perandorët mbajtën me fanatizëm frenat e kësaj ushtrie, duke caktuar komandantë njerëzit më të besuar nga rrethi i tyre. Megjithatë krahas rritjes së shpenzimeve, kjo ushtri përfshihej shpesh nga rebelimet dhe braktisja e fushës së luftës. Në vitin 1272 Karl I Anzhu, bëri një marëveshje me krerët kryesorë shqiptar për krijimin e Mbretërisë së Arbërit, ku Karli njihej Sovran i saj. Shumë shpejt ai i haroi premtimet dhe shqiptarët i kthyen kurrizin, duke i drejtuar armët kundër aleatit. Në krye të qëndresës dolën familjet Skura, Muzaka, Blinishti etj., të cilët u lidhën me Bizantin, pasi pushteti perandorak u premtoi plotësimin e kërkesave të tyre. Nën presionin e papës, Karl I Anzhu dhe Venediku, vendosën paqe me Kostandinopojën duke lidhur aleancë politike kundër turqve dhe bashkimin e kishave. Pikërisht në zhvillimin e këtyre ngjarjeve, në vitin 1274, në Krahinën e Tiranës në Petrelë u forcua familja parthine "Fisnikët e Thopiajve", e përfaqësuar nga një miles (kalorës) dhe që pretendonte origjinën nga familja mbretërore ilire e mbretit Glaukia me seli në Brysak (Bërzhit). Në vitin 1335 me dobësimin e pushtetit bizantin, Skurajt e kthejnë Trevën në një zotërim feudal. Kreu i saj Anton Skura, e simbolizoi pushtetin e vet, sipas zakonit tashmë të konsoliduar në Europë, me një stemë heraldike që paraqet një luan, i cili qëndron lart mbi dy këmbët e pasme. Gjatë sundimit të Skurajve, popullsia autoktone parthine e Tiranës, i forcoi mjaft pozitat e saj ekonomike e shoqërore dhe zotëronte prona bujqësore e objekte tregëtare. Besimi fetar ushtrohej në kishat e tyre dhe praktikat fetare kryheshin në dy rite. Pjesa e popullsisë që jetonte në zonat fushore,i kryente në ritin orthodoks bizantin, ndërsa pjesa tjetër që jetonte në lartësi i kryente në ritin katolik roman. Në vitin 1336, Tanush Thopia u njoh nga anzhuinët "Kont i Viseve Parthine" midis lumenjve Mat dhe Shkumbin. Shumë shpejt u bë sundimtar i fuqishëm. Konflikti me mbretin anzhuin Robert të Napolit,ishte arësye e vrasjes së tij. Në vitin 1347,me pushtimin e "Epirit Qëndror",nga ushtritë serbe të Car Dushanit, zotërimi i Thopiajve u shpërbë. Në vitin 1355, pas vdekjes së Carit, "Principata e Thopiajve" u rimëkëmb nga Karl Thopia, i cili e shpërnguli selinë familjare nga Petrela në Krujë. Në vitin 1364, Karli zboi anzhuinët, hyri në Durrës dhe e shpalli atë Kryeqytet të Principatës. Gjatë sundimit të familjeve fisnike Skura e Thopia, treva e Tiranës pati një farë stabiliteti. Miqësia me familjen princërore Muzaka,ndikoi në ardhjen e banorëve nga ajo krahinë. Në fushën pjellore, që deri në atë kohë ishte pak e populluar, filluan të zbrisnin banorët parthin të malësisë. Mbas vitit 1388, me vdekjen e Karl Thopisë, krahina u zhyt në anarki të plotë, e cila lehtësoi pushtimin turk në vitin 1415. Familjet Skura dhe Thopia për ti shpëtuar ndëshkimit e shfarosjes, u larguan nga Kruja dhe u vendosën pjesërisht në kalanë e Beratit.

Në qytetet e kësaj periudhe lindën institucionet e tyre: Këshilli,Mbledhja Qytetare e Repartet e Armatosura. Anëtarë të këshillit ishin Dinatët vendas(të fuqishmit,të mëdhenjtë),që në burimet historike përmenden me emërin Arhondë. Të dhëna mbi repartet e armatosura të qyteteve, ka edhe për Durrësin, i cili konsiderohej qytet port i privilegjuar. Qyteti filloi të bëhet qëndra e lëvizjeve për copëtimin feudal të vëndit, pika mbështetëse e aristokracisë feudale. Në shek.XII trupat Stratiotë ranë, por sistemi i forcave të armatosura qytetare nuk i zëvëndësoi ato. Kjo çoi në dobësimin e ushtrisë bizantine. Një shpërbërje pati edhe sistemi i Themave, të cilat si njësi të mëdha teritoriale, u ndanë në rajone të vogla rreth një kështjelle. Në krye të tyre qëndronin komandantët ushtarakë, të cilët mbanin titullin e vjetër Strateg. Ata nuk gëzonin më funksionet e drejtimit civil dhe u nënshtroheshin komandantëve më të lartë ushtarak: katepanëve dhe dukëve. Rolin kryesor në drejtimin civil të Themave të Reja, e luanin Pronarët e Mëdhenj të Tokave. Shteti ruante kontrollin mbi administratën e Themës. Qytetet e Shqipërisë së Jugut hynin në Despotatin e Epirit dhe i shpëtuan kontrollit të rreptë. Kjo ndihmoi në ngritjen ekonomike të tyre dhe në fitimin e pavarësisë organizative. Në shek.XIV, për arësye politike, perandorët u njohën disa qyteteve shqiptare, Krujës, Janinës, Beratit etj., elementë të autonomisë qytetare si: "Organet e Vetqeverisjes Qytetare". Organi kryesor i drejtimit në qytet ishte Senati, i cili përbëhej prej përfaqësuesve të aristokracisë (paria) dhe të qytetarëve të pasur. Në krye qëndronin dy Arhondë. Njëri caktohej nga Perandori, kurse tjetri zgjidhej prej qytetarëve. Në raste shumë të veçanta thirrej mbledhja popullore. Në Bizant, në përgjithësi, feudalët banonin nëpër qytete. Kështu ata kishin në dorë pushtetin politik, kurse përfaqësuesit e zejtarëve dhe tregëtarëve zinin vëndin e dytë. Elementët e vetqeverisjes qytetare mbetën në embrion, ndryshe nga Evropa, ku ishte arritur vetqeverisja e plotë. Në shek.XV, Kostandinopoja ishte tkurur në një qytet me 40-50000 banorë dhe pas saj vinte Selaniku, i cili ruante pozicionin e një porti dhe tregu për Maqedoninë, Shqipërinë, Thesalinë, Serbinë e Bullgarinë. Në këtë periudhë, në Perëndim pushteti perandorak, në aleancë me qytetarët, hyri në luftë kundër feudalëve, kurse në Bizant pushteti në qytetet ndodhej në duart e aristokracisë bujqësore provinciale, që orientohej më shumë tek tregëtarët e huaj.

Anarkia feudale, luftërat shkatërrimtare të çetave turke

Anarkia feudale, luftërat shkatërrimtare të çetave turke, shkatërruan Atikën dhe Peleponezin. Në një gjëndje më të mire ishin qytetet e Thrakës, Maqedonisë, Thesalisë dhe Shqipërisë. Në vitet 1321-1327, bizanti u përfshi nga luftërat civile, midis Andronikut II Paleolog dhe Andronikut III paleolog. Udhëheqësit shqiptar, u përfshinë në krah të Andronikut të Ri. Në vitin 1340, shqiptarët nën drejtimin e Andrea II Muzaka, u thyen nga ushtria e car Dushanit, i cili në aleancë me venecianët, kishte pushtuar tërë Shqipërinë, me përjashtim të Durrësit, që ndodhej nën anzhuinët. Qeveria bizantine ishte e pafuqishme të mbronte zotërimet ballkanike. Më 1361, osmanët pushtuan Adrianopolin që u bë kryeqyteti i tyre me emërin Edrene. Bizanti nuk mori pjesë në betejën e Kosovës në vitin 1389, ku shqiptarët luftuan si një forcë e organizuar. Venediku e Gjenova në shek.XV ndoqën ndaj Bizantit një politikë koloniale. Ato e kthyen atë në një vend, ku siguroheshin prodhimet bujqësore. Në këtë kohë në Perëndim, gjatë rrugëve të mëdha tokësore e detare tregëtare, me nxjerjen në tregun e jashtëm të mallrave, lindën manifaturat, kurse në Bizant prodhimi i mallrave u shkurtua.

Në vitin 1425 pushteti i perandorit nuk i kalonte kufijtë e kryeqytetit. Në krahinat e shqiptarëve ishin krijuar principata të fuqishme. Më e dalluara ishte ajo e Kastriotëve, e cila kishte lidhur pakte mossulmimi me sulltanin turk. Vojsava shtatëzënë, e shoqja e princit Gjon Kastrioti, pa në andër që lindi një dragua. Gjoni e quajti Gjergj, ndërsa sulltani turk e quajti me emërin hyjnor Iskandër, që në turqisht do të thotë Aleksandër. Për fat, Bizantit në vitin 1446, indirekt i erdhi në ndihmë shqiptari hyjnor Skenderbe dhe hungarezi Huniad, të cilët kishin planifikuar një koalicion të përbashkët, duke pritur ushtritë osmane në Kosovë. Sundimtari serb që sundonte Kosovën, pengoi Skënderbeun të bashkohej me Huniadin dhe ky i fundit pësoi disfatë. Hyjnori Skënderbe vazhdoi t'u qëndroi për vite të tëra sulmeve osmane. Më 29 maj 1453 sulltani urdhëroi sulmin vendimtar kundër Konstandinapolit. Populli tregoi akte trimërie dhe burrërie. Kryeqyteti perandorak u pushtua duke iu nënshtruar një grabitje të madhe. Me rënien e Konstandinopolit pushoi së ekzistuari Bizanti ose perandoria Romane e Lindjes.

Harallamb Kota - Studiues 

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm