Menu

Tendenca e muhaxhirëve që dhunshëm të kthehen në trojet e veta, ndikoi negativisht në marrëdhënjet shqiptaro-serbe

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Reshat AVDIU *  - Sipas konsullit rus në Prizren, Jastrebov, si pasojë e luftës serbo-turke, më 1877, vetëm në Vilajetin e Kosovës ishin vendosur 73.000 muhaxhirë të pastrehë dhe të rrezikuar nga shfarosja masive për shkak se nuk kishin asnjë kusht jetese. Kjo popullsi, thotë Jastrebovi, gjatë vitit 1879 kishte mbetur pa asgjë e mbi të gjitha ishte e rrezikuar nga sëmundjet ngjitëse[1]. I mungonte edhe ushqimi më elementar.

Që të shkonin deri te pronat e veta në Sanxhakun e Nishit, muhaxhirët organizohen në çeta dhe ndërmerrnin aksione. Të paktën në ish-pronat e tyre të merrnin bereqetin dhe orenditë shtëpiake që u kishin mbetur. Në pamundësi që të gjejnë gjurmë të shtëpive të tyre, çetat shqiptare muhaxhire hakmerreshin me sulme në brendi të kufirit që ishte përforcuar sidomos në trevën e Përpellacit-Merdarit-Vasilevës-Medvegjes-Vrajës etj.

Sulmi i parë shqiptarë do të ndërmerret në rrethinën e Kurshumlisë, më 1 shkurt 1878. Atje popullsia e 20 fshatrave shqiptare kishte shprehur qëndrimin e prerë që me çdo kusht të kthehen në trevat e veta. Duke e kuptuar këtë qëllim të shqiptarëve, repartet ushtarake serbe gjatë marsit do t’i rrënojnë  të  gjitha shtëpitë dhe objektet ndihmëse që kishin mbetur gjer atëherë. Shqiptarëve kështu nuk u mbetej asnjë mundësi për t’u vendosur në shtëpitë e veta.

Sulmi tjetër që do ta ndërmarrin shqiptarët ndodhi më 6 prill 1878 dhe ka për qëllim që ta çlirojë Kurshumlinë si qytezë shqiptare. Sulmin e kishin organizuar dhe drejtuar Ahmet Pasha, Bajram Qaushi, Murat Xhakja Mehmet Igrishta nga Përpellaci me bekimin e myftiut dhe kadiut të Prishtinës. Aksionin e shqiptarëve e kishin përkrahur edhe ulematë e nahisë së Llapit, Gallapit, Shalës, Drenicës, dhe një pjesë e Dukagjinit. Sulmi i shqiptarëve për ta çliruar Kurshumlinë ishte bërë me moton: muhaxhirët duhet të kthehen në shtëpitë e veta! Në bazë të dokumenteve turke, me këtë sulm të shqiptarëve kundër ushtrisë okupatore serbe ishte pajtuar edhe Ali Pasha, komandant i ushtrisë për Vilajetin e Kosovës. Sulmi vijues mbi forcat serbe, gjithnjë sipas dokumenteve turke, është ndërmarrë kundër pikës strategjike në Përpellac, më 28 maj 1879. Aty Serbia kishte grumbulluar forca të mëdha ushtarake dhe sidomos topa të kalibrit të rëndë. Sulmi kishte zgjatur tri ditë. Dokumentet theksojnë se armatimin shqiptarët e kish marrë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, konkretisht nga komiteti ushtarak i saj. Kjo do të thotë se Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm organizatë politike, por ishte njëherit edhe institucion i përgjegjës shtetëror i cili, me kodet e zakonet shqiptare, kishte dhënë urdhra nëpër kaza dhe nahi që asnjë familje serbe nuk guxon të dëmtohet. Institucionet e shtetit serb, përkundrazi, kishte lëshuar urdhra politike, diplomatike, ushtarake dhe religjioze që, deri më 28 qershor 1879, çdo gjë shqiptare në viset e okupuara duhet të shkatërrohet! Njëherit Serbia,e trimëruar nga vendimet e Kongresit të Berlinit,kishte marrë qëndrim nëse përsëriten sulmet shqiptare, ajo do ta vazhdonte luftën drejt Durrësit, Manastirit dhe Selanikut. Në përgjigjen diplomatike të Portës shënohet se shqiptarët edhe me vendimet e Kongresit të Berlinit kanë të drejtë të kthehen në trojet e veta. Shqiptarët, thuhej aty, janë shpërngulur prej andej sepse ushtria serbe ka ushtruar masakra të papara mbi civilët shqiptarë[2].

Në reagimin e përfaqësuesit francezë ndaj ankesës të serbëve drejtuar ambasadave të fuqive të mëdha në Stamboll, deponuar me shkrim në adresë të politikës serbe thuhet që pa asnjë përgjegjësi të ushtrojnë terror të mëtejmë nga shqiptarëve: “Ju serbët,- thotë ambasadori francezë në Stamboll, nuk e meritoni pavarësinë, meqë nuk po mundeni të mbroheni nga një grup shqiptarësh. E pra kur nuk mundeni ta ruani kufirin, vritni të gjithë shqiptarët ndiqni ata përtej kufirit dhe shfarosni kudo që t’i gjeni[3].

Dokumentet serbe, në anën tjetër, i zbulojnë faktet pse i kishin ndjekur të gjithë shqiptarët prej trojeve të veta nga Nishi e deri në Graçanicë afër Prishtinës. Ato fakte serbët i nxirrnin nga një politikë e kultivuar raciste me pasoja katastrofave për historinë e Ballkanit. Veprimet antishqiptare dokumentet serbe i konceptojnë në këto pika: që Serbia të krijohet si vend i pastër nacional dhe shtetëror; që të spastrohet vendi,siç ka theksuar Njegoshi, nga myslimanët; që të paralizohen hapat e Portës të cilët i ka bërë në Kongresin e Berlinit: që të kthehen të gjitha trojet ku kanë jetuar shqiptarët; që aksioni i Serbisë në të ardhmen të drejtohet për zgjerim kah Vilajeti i Kosovës, Manastirit dhe Selanikut, gjithnjë duke e bindur diplomacinë evropiane se kufiri i Serbisë do të forcohet dhe se kështu, një ditë osmanliu me fuqinë e armës sllave (serbe) do të dëbohet andej detit në Azi të Vogël[4].

Lidhur me faktet që u prezantuan si program imperialist serb, mes qeverisë serbe dhe komandës supreme serbe (kur ishte fjala për kthimin e shqiptarëve), do të zhvillohen diskutime publike në një formë shumë të ashpër, por shumë me interes për ta kuptuar fenomenin e spastrimit të Toplicës nga shqiptarët. Qarqet ushtarake duke i vërejtur mizoritë që ishin bërë mbi shqiptarët, por duke e vërejtur edhe rrezikun para të cilit po viheshin me urdhrin e politikës dhe qeverisë sepse e dinin se shqiptarët si edhe Porta e Lartë dhe disa fuqi nuk do të pajtoheshin me pozitën e muhaxhirëve shqiptarë, (sidomos Shtatmadhoria serbe) kishte reaguar se nuk duam të kemi edhe ne Kaukazin tonë”[5]. Është këtu fjala për tragjedinë më të madhe të njerëzimit që kishte ndodhur deri atëherë, pas Luftës së Krimesë, (të vitit 1853-1856-vër aut.), kur popujt të tërë ishin shfarosur dhe depërtuar në vise të tjera të Perandorisë Osmane si tatarët, çerkezët, armenët etj. Lidhur me pozitën e shqiptarëve, kryetari i qeverisë serbe e mbronte qëndrimin se spastrimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Pirotit dhe vendosja e tyre në viset tjera të Perandorisë Osmane bëhej me qëllim që rendi dhe qetësia në kufijtë e rinj të Serbisë të sigurohet për aksione të reja të tipit të tillë në jug, drejt daljes së Serbisë në Durrës dhe Selanik. Këtu duhet të theksojmë se jo vetëm në seancën e Kongresit të Berlinit, por edhe pas mbarimit të tij, mes diplomatit turk Mehmet Ali Pashës dhe Jovan Ristiqit ishin zhvilluar duele të ashpra mu në sy të diplomatëve tjerë, por në prapavijë ata kishin kooperuar shkëlqyeshëm, duke ua bërë gjithnjë regjinë diplomatët gjermanë dhe  rusë në  të  gjitha  nivelet. Kështu shqiptarët e Sanxhakut të Nishit dhe të Pirotit përgjithmonë ishin vënë para aktit të kryer[6].

Qeveria serbe dëshironte me çdo kusht të krijonte marrëdhënie armiqësore me shqiptarët, sepse kishte nxjerrë përfundimin se vetëm duke pasur frontin e luftës të hapur, politika iperiale e Beogradit për zgjerim territorial kah jugu do të kishte sukses. Dokumentet arkivore për këtë politikë ruhen në Arkivin e Serbisë (AS), në fondin e “Gjeneralshtabit”, prej ku vërehet se kishin dalë urdhëresat për likuidime masive të shqiptarëve më 1877. Prandaj, politika e shtirur se kinse qeveria është për moslejimin e shqiptarëve që të kthehen në trojet e veta në Toplicë, ndërsa Gjeneralshtabi për kthim, nuk është gjë tjetër veçse një kalkulim i ulët politik për përdorim të jashtëm. Në dokumente thuhet decidivisht: “Sa më pakë shqiptarë dhe turq që do të mbesin në viset e çliruara, aq më i madh është shpërblimi për ata oficerë që kanë kryer atë detyrë. Ai oficer që shpërngulë sa më shumë shqiptarë, aq më të mëdha i ka vlerat për kombin e vet. Kështu, në mesin e oficerëve serbë do të fillojë gara e dekadave që të dëshmohen në këtë detyrë të prirë nga shtabet më të larta ushtarake, politike dhe religjioze serbe[7].

Lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore thuhet edhe kjo: “Në shpërnguljen e shqiptarëve nga Toplica, disa vende në këto rajone tërësisht kanë mbetur të shkreta. Asnjë njeri i gjallë nuk ka shpëtuar. Ka pasur fshatra për të cilat, as emrat nuk ka pasur kush t’ua tregojë qarqeve qeveritare. As pushteti nuk mund t’i dinte sepse nuk kishte njeri të  gjallë  që dinte diç për to. Tashti është dashur që ato vise të shkreta t’i kolonizojnë dhe gjallërojnë. Në këtë drejtim janë bërë gabime, thotë dokumenti dhe vazhdon. ”...sepse ishte e mundshme që edhe serbët prej andej kufirit të vijnë në Serbi për t’i kolonizuar pronat e shqiptarëve”. Kështu është bërë një punë dyfish e gabuar, sepse Serbia ka mbetur pa popullsinë që do të paguante tatim, ndërsa në brendi të saj nuk kishte popullsi për ta vendosur gjithandej. Është dashur që atë trevë ta kolonizojmë, në proces, për disa dekada duke sjellë në mënyra të ndryshme sidomos malazezë dhe serbë nga Bosnja dhe Hercegovina[8]. Me këtë shpërngulje të dyanshme do të krijohet një atmosferë lufte midis shqiptarëve dhe serbëve, edhe pse serbët nga Kosova u shpërngulën në shkallë simbolike dhe pa u dëmtuar asgjë nga prona e tyre. Në anën tjetër, sipas Jastrebovit, nga viset që i pushtoi Serbia më 1877, u shpërngulën 73.000 shqiptarë. Jastrebovi nuk i përmend shqiptarët që u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e veta në valën e luftës, sepse të tillë, sipas dokumenteve turke, ishin 320.000 nga periferia veriore e Nishit e deri te Kumanova, Prishtina dhe Mitrovica. Ç’është e vërteta, një pjesë e shqiptarëve do të kthehet në trojet e veta. Një pjesë e shqiptarëve, sipas dokumenteve, ishin likuiduar ose kishin vdekur nga të ftohtit. Numri i të tillëve arrinte nga 18 deri në 22.000 persona. Jastrebovi, numri 73.000 e merr për banorët që kishin mbetur muhaxhirë në fillim të vitit 1879[9].

Në dokumentet serbe theksohet edhe dukuria e shpërnguljes së serbëve nga Kosova në sanxhakun e Nishit.

Dokumentet statistikore serbe japin të dhëna për shpërnguljen e 5.280 serbëve nga viset e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë. Ndërsa nga viset e tjera të Vilajetit të Kosovës, në asnjë kaza, numri i të shpërngulurve serb nuk arrinte më tepër se dy tri familje që ishin shpërngulur me kërkesën e qeverisë serbe dhe me dokumente zyrtare[10].

Porta e Lartë çështjen e muhaxhirëve do ta ngritë disa herë më 1879, në nivele të caktuara diplomatike. Kështu, Safet Pasha, ministër i punëve të jashtme të Perandorisë Osmane, do ta shtrojë pyetjen para ambasadorëve në Stamboll: “Kur do t’u lejohet shqiptarëve të kthehen në trojet e veta sepse Turqia ka krijuar një komision shtetëror që merret me çështje të muhaxhirëve dhe ai komision ka konstatuar se muhaxheria shqiptare është buzë katastrofës ekonomike dhe shëndetësore”. Lidhur me këtë, në qershor të vitit 1879, qarqet diplomatike turke do t’ua shtrojnë pyetjen fuqive që kishin marrë pjesë në Kongresin e Berlinit: “Çka është bërë me shqiptarët që janë dëbuar nga Serbia dhe të cilët luten që t’u lejohet kthimi në vatrat e tyre?”. Për këtë çështje, sipas Safet Pashës, interesimin kryesor e kishte shfaqur diplomacia angleze me gatishmërinë për t’u dalë në ndihmë shqiptarëve. Kundërshtimet ishin manifestuar nga pala ruse, austriake, gjermane dhe franceze[11].

Komisari për caktimin e kufijve të Serbisë. Anglezi John Ross, shkruante se pothuajse të gjithë banorët e pjesës perëndimore të Sanxhakut të Nishit të dorëzuara Serbisë, ishin shqiptarë të besimit mysliman..., prandaj kur ky sanxhak u pushtua nga ushtria serbe, popullsia nuk u bëri ballë pushtuesve dhe iku e tëra në Vilajetin e Kosovës.

Sipas këtij raporti llogaritej se në vitin 1878 kishte 60-70 mijë refugjatë shqiptar të shpërndarë nëpër Vilajetin e Kosovës. Atëbotë diplomati Ross shqiptarëve u kishte treguar të vërtetën e hidhur u kishte thënë se: “Kurrë nuk do të ktheheshin në trojet e mëparshme”.

Kjo e vërtetë mbytëse nga karvani i përgjakur i muhaxhirëve nxori edhe njerëz që vendosën t’ia vënë gjoksin vullkanit. U bënë kurban të një kauze të humbur (vetëm për momentin e caktuar nga rrethanat e krijuara politike atëbotë nga fuqitë e mëdha evropiane. Ata janë pishtarë të një plage që po pezmaton. Me dëshirën e etshme  për t’u hakmarrë muhaxhiri nga Toplica Mursel Dabinovci, ka marrë abdes në oborrin e xhamisë së Kërpimehut të Besjanës dhe ka nisur hapat e rëndë drejt Vukojvacit, ia kishte mësyer njërën prej pikave të kufirit të ri. Në mendje ai kishte vetëm se me një qëllim “të vriste sa më shumë shkije-për me marrë hak”. Pas dy ditë luftimesh, kufiri u përgjakë edhe njëherë. U hap edhe një varr. U skalit edhe një muranë, fanar për kërkuesit e mëvonshëm të rishikimet të padrejtësive historike[12].     

Për shkak të presionit të madh ndërkombëtarë, pas disa sulmeve që kishin ndërmarrë shqiptarët që edhe me fuqinë e armës të kthehen në trojet e veta, dokumentet konsullore shënojnë se, më 4 gusht 1879, çështja e kthimit të muhaxhirëve në Toplicë do të diskutohet në prani të diplomatëve të huaj: në njërën anë Zeqir Ahmeti-përfaqësuesi i shqiptarëve muhaxhirë dhe, në anën tjetër Dragutin Franasoviqi e Svetozar Stankoviqit-përfaqësues serbë. Në shënimet që janë mbajtur nga ky takim, janë ruajtur me kujdes sidomos fjalët e Zeqir Ahmetit drejtuar qeverisë serbe: “Mirë që po e theksoni fjalën se ju shqiptarët mund të ktheheni, por në praktikë jeni duke bërë gjëra që nuk përkojnë me asnjë normë njerëzore, sepse ju serbët nuk keni besë. As mbreti juaj nuk ka fe (mendon në fjalën e dhënë), sepse ai na e drejtoi proklamatën në kohën e luftës që ta presim ushtrinë e tij dhe na premtoi që të jemi të qetë dhe të ndershëm se kështu do të na lejohet të jetojmë në trojet tona. Shumica dërrmuese e shqiptarëve këto fjalë i dëgjoi, por u tradhtuan. Ushtria e krajlit serb e pritëm pa rezistencë në shumicën dërrmuese të fshatrave dhe qyteteve, pushtetit iu nënshtruam, por pa marrë parasysh këtë qëndrim të shqiptarëve, serbët na shpërngulën me të gjitha familjet, për tri ditë, sikur të ishim kriminelët më të egër dhe tash t’ju besojmë fjalëve tuaja me një mundësi se mund të kthehemi?! Kjo është një tradhti e dyfishtë që unë mund t’ia komunikojë muhaxherisë. Ju serbët dhe mbreti juaj çdo fjalë e keni me rrenë, me paramendim dhe me përfundim që mbaron me intrigë. Tash e dimë se po të mos i besonim fjalës së tij ai nuk do të hynte me ushtri në Shqipëri, madje me asnjë çmim”[13].

Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve do të mbetet plaga kryesore për një kohë të gjatë. Kjo çështje, jo vetëm te muhaxhirët, por edhe te tërë popullsia shqiptare, do të krijojë një urrejtje të paparë. Lidhur me këtë, më 4 maj 1879, ndër të tjera thuhet se komisioni i muhaxhirëve, i përbërë prej Hys Kabashit nga Gjakova dhe Rrustem Kabashit nga Prizreni, të drejtuar nga myftiu i Prishtinës janë duke punuar natë e ditë që 1700 familje muhaxhire shqiptare të vendosen nën përkujdesje në Gjilan dhe rrethinë. Në këtë drejtim ndihmë të madhe muhaxhirëve u kishte dhënë sidomos Isa Beu, tregtar nga Gjilani. Muhaxhirëve shqiptarë do t’u ndihmojnë edhe tregtarët e Shkupit, Manastirit, Elbasanit dhe Selanikut. Duhet përmendur se muhaxhirëve shqiptarë do t’u ndihmojnë edhe disa tregtarë hebrenj. Në këtë mënyrë do të krijohet një miqësi e paparë ndërmjet shqiptarëve të gjendur në tragjedi dhe hebrenjve të pasur në qytete e Perandorisë Osmane[14].

Foto nga libri i autorit: Sanxhaku i Nishit nëpër shekuj

Qershor, Preshevë  2015

*Autori është ish i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së  Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.


[1]AS. Fond “Jovana Ristića” 1877-1878 Elaborat o osvajanje novih teritoria na jugu Niša.

96 J. H. Vasileviq: v, cit. fq. 7-Spastrimi i lokaliteteve shqiptare dhe reagimet e tyre me armë; Gazmend Rizaj: Shqipëria dhe shqiptarët në planet sekrete të shteteve ballkanike dhe evropiane gjatë shek. XIX, (Koha ditore) 14 II-26 2006.

[3] Po aty fq. 8-9.

[4] V. Boban: Jastrebov u Prizrenu, Priština,1983, fq. 142.

[5]AS. MUD; Po aty-letra 1879. Për diplomaci afruese me Turqinë J. H. Vasiljević citirana dela str. 9.

[6] Po aty fq. 10.

[7] AS. Koleksioni “Milan Piroćanac” 1895; Inkognitus “Srpska narodna misao i gospodin M. Piroćanac” Beograd, 1895.

[8]AS. Pisma Jovana Ristića za vreme Berlinskog Kongresa 1878. (Letra ka të bëjë me zgjerimin e Serbisë në Vilajetin e Kosovë).

[9] Po aty.

[10] J. H. Vasiljević, cit. dela str.14.

[11] J. H. Vasiljević, cit. dela fq. 16.

[12] Bilall Shimşir:Rumeli den geçleri I dhe II (shifra e të shpërngulurve shqiptarë me dhunë; AS. Fond “Vrhovna komanda srpske vojske izbeglice”.

13 AS. Koleksioni “Statistika naših iselenika... Toplica u kolonizua me malazezë deri më 1899.

[14] Jovan Hadži Vasiljević: Albanska liga... st. 17.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm