Menu

Robërit grek të Provokacioneve të Gushtit 1949

User Rating:  / 0
PoorBest 

Në Pirea, Gusht 1956, robërit grek të ardhur nga Shqipëria

Greqia pas riatdhesimit i shpërbleu vetëm me nga një batanije dhe pagesën e 15 ditëve të punës.

Nga Arben LLALLA - Greqia pas mbarimit të Luftë së Dytë Botërore u përfshi nga një luftë qytetare në vitet 1946-1949, midis forcave të majta që udhëhiqeshin nga Partia Komuniste Greke (K.K.E) dhe ushtria Demokratike Greke (DSE) përballë forcave të djathta që mbështeteshin nga SHBA dhe Anglia. Kjo luftë e brendshme e Greqisë për pak sa nuk kaloj në një luftë të re Ballkanike midis dy kampeve, atij komunistë dhe perëndimor.

Gjatë Luftës Qytetare Greke (1946-1949), Shqipëria luajti një rol vendimtar për paqen në Ballkan duke mos u bërë palë luftuesve edhe pse u provokua disa herë që të ishte pjesë aktive në luftimet midis dy ushtrive greke.

Më 24.9.1947, Marko Vafiadhis vjen në Tiranë përmes Korçës si kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike, për të kërkuar ndihmë në qeverinë Komuniste të Tiranës. Markoja kërkon nga Enver Hoxha që të dërgojë çamë të dëbuar prej Greqisë në malin Gramoz, që të luftojnë përkrah kryengritësve komunistë grek. Vafiadhis vjen pa ndonjë lajmërim paraprak në Tiranë, ndaj, Enver Hoxha nuk e takon, por ngarkon një person nga Byroja Politike të diskutojë me të. Ai i parashtron qeverisë komuniste shqiptare disa kërkesa, ndër të tjera të dërgoheshin 3.000-4.000, burra çamë për Ushtrinë Demokratike Greke, që jetonin në Shqipëri, të dëbuar prej forcave të Napolon Zervës në vitin 1945.

Pala shqiptare shprehu mendimin se çamët tani për tani nuk mund të përbëjnë faktor ndihme. U theksua se çamët nuk do të duan të shkojnë në luftë, tash për tash, kjo nuk është e mundur. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Demokratike, Marko Vafiadhis theksoi në takim me përfaqësuesit e qeverisë së Tiranës se ndihma që do të jepte shteti shqiptar i asaj kohe ishte me rëndësi. Enver Hoxha për ardhjen e Marko Vafiadhit vuri në dijeni Titon me anë të një letre.

Robërit grek duke u shoqëruar në Shqipëri, 1949

Në verën e vitit 1949, në Malin Gramoz dhe Viçi u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave komuniste dhe atyre të djathta që ndihmoheshin nga ushtria amerikane e angleze. Ushtria mbretërore greke duke përfituar nga kjo përkrahje bëri tentativa për të hyrë në territorin e Shqipërisë me pretekstin se po ndiqte forcat komuniste. Qëllimi i vërtetë ishte realizimi i Megalo Idesë për aneksimin e jugut të Shqipërisë-Veriun e Epirit, por ata ndeshën në rezistencë të fortë të ushtrisë shqiptare.

Në fund të vitit 1949, forcat komuniste u shpartalluan nga forcat e djathta greke që mbështeteshin nga ushtria e SH.B.A-së, dhe Anglia. Strategjia e izolimit të forcave të Ushtrisë Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjesimin e forcave të qëndresës komuniste ishte vendimtare. Mijëra kryengritës komunistë grekë gjetën strehim të përjetshëm në Shqipëri, Jugosllavi, Poloni, Çeko-Sllovaki, në Bashkimin Sovjetik, Hungari, Bullgari, dhe në vendet e tjera të Bllokut Komunistë të asaj kohe.

Gjatë tërheqjes së forcave komuniste greke për në Shqipëri sollën me vete edhe robërit që kishin zënë të Ushtrisë Kombëtare të Mbretërisë Greke. Këta robër u bashkuan me robërit që ishin zënë nga ushtria e Republikës Popullore të Shqipërisë gjatë provokacioneve të Gushtit 1949. Asnjë vend i bllokut komunistë nuk pranojë robërit grek të luftës qytetare greke, as edhe grekët e ushtrisë komuniste të cilët ndiqeshin nga ushtria e mbretërisë greke nuk u pranuan për disa vite. Kështu, ata mbetën në Shqipëri për një periudhë të gjatë. Shqipëria tashmë ishte bërë streha e të gjithë grekëve, të forcave komuniste dhe të djathta.

Nikita Agapitidhi, sot mjek-kirurg i njohur në Athinë ka qenë në grupin e robërve dhe në librin e tij "Vitet e robërisë 1949-1956", të botuar më 1996, shkruan se ishin rreth 500 robër të ushtrisë kombëtare greke të cilët në fillim u dërguan në Korçë, më tej Valias, në fermën e Sukthit, Lushnje, Varibope, Zadrimë e Burrel. Ai jep emrat edhe të oficerëve të sigurimit shqiptar që i përkisnin minoritetit grek të cilët përktheni, Kosta Stathis e Manthos Mihilis. Në libër përmendet infermierin ushtarak, Haki Fasholari i cili ishte kujdesur dy muajt e fundit për të burgosurit.

Kirurgu Nikita Agapitidhi shkruan në librin e tij për njohjet me mjekët shqiptar në spitalin e Korçës, Sotiri Polena dhe Koço Gliozheni.

Bisedimet për lirimin e këtyre të burgosurve midis Shqipërisë dhe Greqisë ndeshën në vështirësi të mëdha sepse Tirana zyrtare i akuzonte për hyrje në territorin e Shqipërisë, ndërsa Greqia justifikohej se ata janë të burgosur që janë kapur në territorin grek nga ushtria komuniste greke. Pas disa muajve bisedimesh u ra dakort që robërit kishin hyrë gabimisht në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë prandaj duhet të riatdhesoheshin.

Robërit grek sapo mbërriten në Pirea, 24 Gusht, 1956

Më 19 Gusht 1956, grupi i parë i të burgosurve, 217 nga rreth 500 që ishin gjithsej prisnin në portin e Durrësit për të hipur në anija greken "ALIAKMON" e cila ishte vonuar disa ditë sipas programit. Në 22 Gusht, gjatë kohës që hipën në anijen ishte i pranishëm shefi i sigurimit shqiptar, Mihallaq Ziçishti. Anija me robërit mbërriti më 24 Gusht në portin e Pireas ku i prisnin të afërmit. Për disa kohë të gjithë këta të burgosur ishin nënvëzhgimin e sigurimit grek sepse dyshonin se në mesin e tyre mund të kishte agjendë të vendeve komuniste.

Këta robër do i ndiqte fati i keq edhe në Greqi pasi u riatdhesuan. Ata përfituan 300 dhrahmi nga Kryqi i Kuq Grek, nga një batanije dhuratë nga qeveria greke, 20 dhrahmi për ushtarët dhe 1.200 për oficerët. Të sëmurëve ju dha mundësia që të vizitoheshin falas në spital dhe një pension, ndërsa të tjerët për vitet e robërisë përfituar vetëm pagën e 15 ditëve të punës, asgjë më shumë.

Brenda një viti u riatdhesuan për në Greqi edhe dy grupe të tjera të robërve nëpërmjet kufirit tokësor greko-shqiptar të Kakavies. Periudha e gjatë e ndarë e tre grupeve për riatdhesim të robërve u bë nga ana e grekëve të cilët përgatisnin dosjet për çdo të burgosur. Greqia caktoj emrat se cilët robër duhet të riatdhesohet duke verifikuar qëndrimet politike për secilin gjatë periudhës që qëndruan në Shqipëri.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm