Menu

Kryengritja e Ilindenit me karakter bullgar

User Rating:  / 0
PoorBest 

Masa e gjerë e popullsisë shqiptare që jetonin në fshatrat e Kosturit dhe Follorinës nuk e mbështetën këtë kryengritje sepse ajo nuk kishte karakter për çlirim e popujve që jetonin në Maqedoninë Gjeografike, por qëllimi ishte kontrollimi i Maqedonisë nga forcat bullgare.

Nga Arben LLALLA - Kryengritja e Ilindenit filloj më 2 gusht 1903, të dielën në mbrëmje. Kjo datë lidhet me ditën e Shën Ilias (Elias) të kalendarit Grigorian që praktikohej në atë periudhë nga besimtarët ortodoks të kishës së Pavarur Bullgare Exartia. (Në të vërtetë data e fillimit të kryengritjes është 20 Korriku me kalendarin e vjetër, por kjo datë përshtatet me datën 2 gusht të kalendarit të ri).

Kryengritja filloj pasi bullgarët nuk bindën Fuqitë e Mëdha për zgjerimin e kufijve të shtetit të tyre si dhe organizatat e ndryshme bullgare nuk mundën të bindnin popullsinë sllave në Maqedoninë Gjeografike për kryengritje të madhe për tu bashkuar me Bullgarinë. Që nga viti 1880 e deri 1905 misionar të ndryshëm si grek, serb dhe bullgarë bridhnin nëpër fshatrat e Maqedonisë për të regjistruar banorët, përkatësitë e tyre fetare dhe kombësinë si dhe përshkrimin e rrugëve nga fshati në fshat dhe qytetet.

Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Evropiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar nga Rusia dhe vuri në heshtje kërkesat e saja për të pasur një port në detin Mesdhe. Vendimet në Kongresin e Berlinit për të lënë Maqedoninë brenda kufijve të Perandorisë Osmane u kthyen shpejt në zonën e kontestit mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Lufta e pamëshirshme, e qasjeve propagandistike nxitën më shumë dhunën dhe pamundësinë e fuqive të mëdha për të siguruar një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare për territorin e Maqedonisë, ndryshe nga shumica e territoreve të diskutueshme të cilat u zgjidhën përfundimisht.

Bullgarët, duke parë që nuk mund ta gllabëronin direkt Maqedoninë, i dhanë përparësi tendencës së shkëputjes dhe të autonomisë në mjedisin maqedonas dhe veçanërisht në fshatrat sllavofonë. Të njëjtën gjë bënë edhe serbët nga ana e tyre, me shpresë se duke u bërë autonome Maqedonia, dhe duke u caktuar si gjuhë zotëruese, idioma e saj, ai shtet autonom apo i pavarur që do të krijohej, shpejtë a vonë do të ishte nën ndikimin e madje nën zotërimin e tyre. Sipas tyre, e rëndësishme ishte të mos i bashkohej Greqisë, sepse në këtë rast nuk do kishte asnjë shpresë për ndonjë dalje në Egje dhe në Mesdhe

Tendencat e dy qeverive, bullgare dhe serbe, u përplasën mbi terrenin perëndim-verilindje të asaj që ata e quanin Maqedoni, domethënë në krahinat lindore dhe verilindore të Shqipërisë. Pra, fronti i një lufte gjithnjë e më të ashpër sapo kishte filluar të shoqëruar me propagandë, literaturë dhe etnografinë e Maqedonisë.

Kështu, grupet e organizatave bullgare për të rritur ndërgjegjen e Fuqive të Mëdha për tju bashkangjitur Maqedoninë Bullgarisë themeluan milicinë dhe forcat paramilitare të cilat nisën kryengritje që do të quhet Ilinden.

Kryengritja e Ilindenit më shumë u përhap në Maqedoninë Perëndimore dhe kryengritësi keqtrajtuan popullsinë myslimane dhe ortodokse që besonte në kishën e Fanarit të Stambollit-Patriarkana. Me kryengritësit bullgarë u bashkuan edhe individë shqiptarët të cilët ndoshta kishin probleme me pushtetin osman, por edhe kundrejt ndonjë pagese në të holla. Masa e gjerë e popullsisë shqiptare që jetonin në fshatrat e Kosturit dhe Follorinës nuk e mbështetën këtë kryengritje sepse ajo nuk kishte karakter për çlirim e popujve që jetonin në Maqedoninë Gjeografike, por qëllimi ishte kontrollimi i Maqedonisë nga forcat bullgare. Forcat osmane që ishin kundër kryengritësve patën përkrahjen e forcave vullnetare greke, të kishës greke si dhe të individëve shqiptar të cilët në shumicën e rasteve ishin ushtar me pagesë në ushtrinë osmane. Gjatë kryengritje pati një gjakderdhje të pamëshirshme deri në kanibalizëm nga të gjitha palët që u përfshinë në konfliktin e Ilindenit.

Çeta bullgare - 1903

Greqia për të luftuar kundër komitëve të Ilindenit dërgoj dy oficerë të shquar arvanitas Pavlo Melas alias Miqis Zaza dhe Aleksandër Kondulin alias Shkurti të cilët u angazhuan direkt për të shtypur kryengritjen bullgare të Ilindenit. Ata gjetën mbështetje tek fshatrat shqiptar për tu rezistuar çetave komite bullgare si në Bellkamen-Dhrosopogi, Negovan-Flamburo dhe Lehovo që gjenden në prefekturën e Follorinës. Në ato vite zhvilloheshin bisedime për themelimin e një mbretëria të përbashkët greko-shqiptare dhe ky projekt ndikojë dukshëm që shqiptarët të mbështetshin grekët për shtypjen e kryengritjes së Ilindenit. Në kujtimet e tij Pavlo Melas do të shkruante për shqiptarët kapedan Nikolao Kola dhe Zisi Dhumulo nga Lehova të cilët luftonin përkrah tyre kundra komitëve bullgarë. Një nga organizatorët e forcave greke, turke dhe shqiptare ishte Mitropoliti i Kosturit Germanos Karavangjeli i cili u bë frymëzuesi kryesor për aleancën greke-turke-shqiptare kundër komitëve të Ilindenit.

Gjatë kryengritjes së Ilindenit dy armiq historik kundra njeri-tjetrit grekët dhe turqit tani po bashkëpunonin me zell për shtypjen e pamëshirshme të kësaj kryengritje. Kryengritja e Ilindenit u bë shkak që Greqia të mobilizohej për marrjen e pjesës së Maqedonisë që ishte në Perandorinë Osmane të atyre viteve. Pas përfundimit të kryengritjes më të fituar doli pala greke e cila në shumë fshatra që banoheshin nga bullgarët dhe i përkisnin kishës së pavarur bullgare hapën kishat greke të Patriarkanës dhe filloj përpjekjet për çlirim e Maqedonisë me emrin (Agona tis Maqedonias 1904-1908). Pas pak vitesh Greqia do të merrte edhe ato fshatra që banoheshin nga popullsi bullgare, pra eksodi i braktisjeve të fshatrave bullgarë në Maqedoninë e Egjeut filloj dal ngadalë fill pas shtypjes së kryengritje së Ilindenit. Qindra fshatra nga Maqedonia Perëndimore dhe Kirk-Klisse afër Andrianopojë u shkatërruan, mijëra bullgarë braktisën shtëpitë e tyre për të mos i kthyer më kurrë..

Turqia e dobësuar nga kryengritjet e ndryshme në Maqedoni u largua në fund të vitit 1912 duke e lënë atë të copëtuar dhe me pikëpyetje të mëdha se kujt i takon ekskluziviteti i historisë dhe i heronjve të Maqedonisë antike.

Tashmë kryengritja e Ilindenit ka mbetur vetëm në kujtesën e historisë dhe shumica e protagonistëve të saj vijnë përpara syve tanë nëpërmjet propagandës së politikanëve të sotëm të cilët po i çojnë të vdekurit prej varri që ti shfrytëzojnë për nevojat e tyre duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë asnjëherë ashtu siç po na i paraqesin.

Pitu Guli në mes

PITU GULI NUK ISHTE SHQIPTAR POR VLLEH

Disa historian shqiptar dhe sllavo-maqedonas shkruajnë dhe deklarojnë se Pitu Guli, një kryengritës i Ilindenit të 1903 ishte shqiptar. Por nuk ka asnjë dokument historik që vërteton se ky kryengritës i Ilindenit të ishte shqiptar, miti se Pitu Guli ishte me origjinë shqiptare nga babai dhe në kryengritjen e Ilindenit ka pasur forca kryengritëse shqiptare e kanë krijuar këtë ideologji sistemi i pushtetit 45 vjeçar komunistë për të arritur qëllimet e veta. Për shumë vite në Maqedoni për qëllimet e bashkim-vëllazërimit midis shqiptarëve dhe sllavëve pushteti komunist i ish-Jugosllavisë krijoj ngjarje historike të paqena dhe të pa vërteta. Një ndër mitet ideologjike të krijuara është pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjen e Ilindenit dhe prejardhja shqiptare një nga figurave kryesore Pitu Guli i cili ishte vlleh. (Vllehët e marrin përcaktimin kombëtar në bazë të shteteve ku jetojnë si p.sh vllehët e Greqisë janë grek, vllehët e Shqipërisë janë shqiptar, vllehët e Bullgarisë janë bullgarë etj., dhe është e natyrshme që vllehët të kontribuojnë për shtetet ju janë shtetas dhe të nderohen në këto shtete).

Ndoshta ka pasur ndonjë individ shqiptar i cili ka qenë i ndjekur nga pushteti osman, kundrejt ndonjë pagese në të holla, por këto hyjnë në raste të interesave personale dhe jo kombëtare.

Në mungesë të informacione të plota me dokumente të shkruara për të vërtetuar origjinën e figurës së Pitu Gulit na e tregojnë fotografitë e tij. (Kot nuk thonë se një foto flet shpeshherë sa njëmijë fjalë) Veshja e tij ishte kombëtare bullgare, por edhe aktiviteti dhe të gjitha ngjarjet e familjes së tij lidhen me Bullgarinë dhe jo shqiptarët dhe Shqipërinë. Nëse do vërejmë me kujdes ai mban një kapele të tipit sllavë me një mbishkrim dhe me kafkën e njeriut. Guli ishte anëtar i IMRO, dhe historikisht nuk është vërtetuar që ndonjë shqiptar të ketë qenë anëtar i kësaj organizate bullgare. Në çdo fotografi që ka dalë Pitu Guli nuk është vërejtur asnjë shok pranë tij me veshje kombëtare shqiptare, siç dihet shqiptarët asnjëherë nuk kanë vepruar vetëm pa ndonjë bashkëkombës. Duhet të shtoj se historikisht shqiptarët të cilët kanë marrë pjesë në ushtritë e huaj ndër shekuj janë dalluar nga veshja e tyre kombëtare, qoftë në ushtrinë osmane, greke e deri në atë gjermane në trupat SS.

Sa për atë shpjegim që emri Pitu dikush përshtat në Pjetër dua të sqaroj se emri Pjetër i përket sektit fetar katolik dhe jo ortodoks. Emri Pitu mund të jetë në përshtatje me emrat fetar ortodoks Petro, Piter, Petrov. Siç dihet Pitu Guli ishte ortodoks dhe jo katolik.

Si historian nuk bashkohem me mendimet e shprehura të Vllado Popovski dhe të disa historianë shqiptar që deklarojnë pa vërtetësi dhe pa ndërgjegje profesionale se shqiptarët kanë dhënë kontribut të madh në kryengritjen e Ilindenit më 2 gusht të vitit 1903. Ato zëra që thonë se shqiptarët kanë kontribuar me armatim duhet të dinë se shqiptarët kanë bërë biznes, duke ua shitur armatimin dhe jo dhuruar. Është njëlloj si në luftën e 1999 dhe 2001, ku mundet që ndonjë sllavë për përfitime ekonomike tu ketë shitur armatim UÇK. Më vjen keq që po sjell një shembull kaq banal, por duhet tu japim përgjigje pseudo historianëve të cilët e shkruajnë historinë në bazë të interesave politike dhe ekonomike. Kryengritja e Ilindenit të 1903 ishte me karakter bullgar dhe fetar të sektit ortodoks të kishës së pavarur bullgare. Historiani i vërtetë nuk bënë asnjë marrëveshje në dëm të historisë reale, prandaj publikisht i ftoj në debat të hapur të gjithë ata historian dhe akademik sllavë apo shqiptar që të sqarojmë njëherë e përgjithmonë çështjen e shqiptarëve në kryengritjen e Ilindenit të 1903 dhe origjinën shqiptare të Pitu Gulit. Shqiptarët dhe Shqipëria kanë shumë figura të ndritura kombëtare dhe nuk e shikoj të arsyeshme të privatizojmë figurat lokale të kombeve të tjera.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm