Menu

Tek zoti pash vendin tim

User Rating:  / 1
PoorBest 

TEK ZOTI PASH VËNDIN TIM

Dhimitër Kamarda

Besimi dhe Atdheu, ka qënë zanafilla e lëvizjes më të fuqishme ideore dhe kulturore e elitës shqipetare të shekullit 17-19, që në historinë botërore njihet me emrin e përgjithshëm RILINDJE. Ajo që e bashkonte lëvizjen shqipetare me atë europiane ishte fakti se:

 -Frymëzuesit dhe veprimtarët e saj, kanë qenë nga rradha e figurave të shquara intelektuale.

 - Synimi për të zbuluar dhe mbledhur pasurinë e traditës (folklorike-besimtare) dhe historike të Kombit shqipetar, e cila do të dëshmonte karakterin e ndryshëm etnik me popujt e tjerë dhe origjinën e lashtë.

- Përkushtimi ndaj çështjes kombëtare.

Por, kjo lëvizje kulturore në fillim, dhe çlirimtare më vonë (shk19-20), tek shqiptaro-arbërit kishte shumë dallime nga lëvizja europiane, si për shkaqet e lindjes, ashtu edhe rrugën e ndjekur dhe autorët kryesor të saj. Një prej këtyre dallimeve ka qenë fakti, se zuri fill në shk17 në « shtëpinë e Zotit » në gjirin e eruditëve kishtar, jashtë truallit të saj natyror, e pafinancuar dmth vullnetare dhe shkaku, ishte i natyrës fetare. Siç dihet mbas vdekjes së Skëndërbeut (1467) dhe pushtimit Osman, së bashku me familjet shqipetare, u larguan drejt Gadishullit italik edhe përfaqsuesit e besimit të krishter lindor(bizantin) të shqipetarëve. Përveç vështirsive që gjetën në tokën e Papatit katolik për pranimin dhe ushtrimin e riteve të besimit të tyre ortodoks bizantin, një problem i madh shpirtëror ishte  trajtimi i tyre, si etni dhe besimtar të Kishës Greke. U pa e domosdoshme të dëshmohej në « atdheun e dytë » karakteristikat etnike dhe Historia e vërtetë e Kombit shqipetar. At Nikoll Keta ju mësonte nxënësve të tij se: « Studimi i historisë së paraardhësve, buronte nga një kureshtje e ligjshme vetjake, si kërkesë e vetë natyrës njerëzore, meqënëse ky veprim ishte shprehje  e vullnetit dhe dashurisë Hyjnore ».(1)

Siç pohon studiuesi Matteo Mandala, At Gjergj Guxeta dhe veçanrisht bashkëpuntori i tij, At Pal M. Parrino e kuptuan se për të treguar dallimin midis besimeve të etnisë greke dhe asaj arbërore (shqipetare), do të ishte më e frytshme të rindërtohej identiteti historik, kulturor dhe besimtar i shqipetarëve, se sa ajo e debateve shterpe teologjike. Të dëshmohej origjina dmth se shqipetarët formojnë një etni autoktone që zë një trevë të caktuar ballkanike, duke zhvilluar nje qytetrim dhe kulturë të vetën, si besimtare dhe shoqërore, që flisnin një gjuhë të ndryshme nga ajo e popujve fqinj, me të cilët nuk i bashkonte asnjë tipar i përbashkët (…) Për këtë qëllim, përveç filozofisë dhe teollogjisë duhej të përfshihesh edhe historia (…) Vetëm në këtë mënyrë bëhej e mundur të hidheshin poshtë shpifjet « dhe të  korrigjohej gabimi i madh popullor që i njësonte Shqipetarët me Grekët» (2) Kjo ishte edhe arësyja, shkruante At V. Dorsa, që më detyroi t’i rikthehem të famshmes Lashtësi, (…) për ta ndarë historinë e grekëve, nga historia e popujve (….) që nga autorët e lashtë përcaktohen Pellazgë, Epirotë, Maqedonë e nganjëherë Ilirë dhe nga autorët modernë, Kombi Shqipetar. (3)

Do të përqëndrohem tek përfaqsuesit e ritit ortodoks bizantin, (pa mohuar kontributin edhe të etërve të besimeve të tjera) për faktin se puna e tyre shkencore formoi SHKOLLEN E PARË të studimeve Albanologjike, pothuaj në të njejtën kohë me ato europiane. Përpjekjet e Gj.Guxetës, P.M.Parrinit, V.Dorsës dhe Xh.Krispit, në krahasimin e gjuhës shqipe me greqishten, latinishten dhe gjuhët e tjera të lashta, ishin disa dhjetvjeçar më të hershme së ato të gjermanit Franz Bopp (1791-1867) (« Das Albanesische in seinen Verwandschaftlichen Beziechungen »,1855) themeluesit të gjuhësisë krahasuese nga lindi edhe shkenca e gjuhësisë. Duhet theksuar se studiuesit e huaj për t’u njohur me gjuhën shqipe, rruga e parë që shkelën ishte ajo drejt « burimit » arbëresh në Itali, ku u njohën me shkrimet mbi folklorin dhe traditat zakonore, të mbledhura nga etërit fetar dhe intelektualët. Kështu psh monografia e parë për gjuhën shqipe e Conrad Malte-Brun (1775 – 1826)tek Gjeografia Universale (L.119) ka te përfshirë studimin e priftit Angelo Masci, « Mbi origjinën dhe zakonet e Shqipetarëve » shtypur në Napoli më 1807. (4) Gjithashtu, shumtë studiues janë mbështetur tek veprat e De Radës si: Hyjni pellazge (1840), Identiteti i pellazgëve me shqiptarët (1846), Lashtësia e kombit shqiptar dhe afri e tij me helenët dhe latinët (1864), Pellazgët dhe helenët (1885), Konferenca mbi lashtësinë e gjuhës shqipe (1893), Pellazgo-shqiptarët (1897), Tiparet e gjuhës shqipe dhe përmendoret e saj në periudhën parahistorike (1899), të panjohura edhe sot nga lexuesit shqip-folës .

Studiuesit e huaj si Niebhur, Gioberti gjuhëtarët e njohur Max-Müller, Schleicher, Curtins, Benlow dhe Graziadio Isaia Ascoli (1829-1907) pohon At Dhimitër Kamarda qe kishin shkruar për origjinën e popullit dhe gjuhes së shqipetarëve « por, asnjeri prej tyre nuk e trajtoi me shëmbuj konkret, punë që në të vërtetë ishte bërë më përpara, sidomos për sa i përket emrave nga Z.Krispi dhe V.Dorsa. (5) Të huajt që merreshin me temën shqipëtare, e kuptonin rëndësin e madhe të njohurive që studiuesit arbëresh kishin mbi gjuhën, historinë dhe traditat e tyre. Kjo i shtynte t’iu bënin thirrje “që në ndihmë të shkencës, ata duhet të afroheshin për të zhvilluar një bashkbisedim të hapur mbi natyrën e gjuhës së tyre”. (Pr Domenico Comparetti « Notizie ed osservazioni in proposito degli Studii Critici del Pr. Ascoli (estratto dalla Revista Italiana n. 126, 134,140, 1863) Pisa1865). (6)

Gjuhtarët arbëresh me veprat e tyre të shkruara në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht, dhanë ndihmesën e tyre gjuhtarëve të huaj në përcaktimin e gjuhës shqipe si pjesë e familjes indo-europianë. Pra “Shkolla Albanologjike” e arbëreshve, jo si një Institucion arsimor, por si një veprimtari e bashkuar e një elite autodidakte, kishte kohë që e kishte nisur rrugëtimin e saj. Në rradhët e kësaj shkolle rënditen shumë eruditë priftërinj të ritit bizantin arbër të shekullit 17-19, si Nilo Katalano (1637-1694),  Josif Nikollë Brankati (1675 – 1741), Gjergj Guxeta (Giorgio Guzzetta 1682– 1756), Pal M. Parrino (Paolo Maria Parrino 1710 – 1765), Jul Variboba (1727 – 1788). Nikolla Keta (1741 – 1803), Ëngjëll Mashi (1758 – 1821), Mikel Skutari (1762 – 1830), Zef Krispi (1781-1859), Vinçenco Dorsa (1823-1885), Zef Skiroi (1865 – 1927)etj.

Në këtë shkrim, do të trajtoj disa teza të rëndësishme, gjuhësore dhe historikë, të dy veprave të priftit arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), « Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese », (Livorno 1864); «Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese», (Livorno, 1866) duke ju bashkangjitur edhe mendimet e pararendësve, bashkohësve të tij dhe studiuesve të më vonshëm, të cilat (tezat) janë vënë në dyshim apo nuk janë shtruar fare nga Albanologjia e shk21. Gjuhëtari gjerman Gustav Meyer (1850-1900) shkruante (« Etymologische Wòrterbuch der albanesischen Sprache » Strassburg, 1891) se, emri i Dh.Kamardës, meriton të kujtohet dhe të vlersohet në historinë e shkencës (gjuhësisë historike) sepse « për herë të parë » në veprën e tij (Saggio di Grammatologia …) është bërë « një trajtim i plotë krahasues i gjuhës shqipe ».(7)  

I shpreh mirnjohjen time Bibliotekës së ShBA, e cila e ruante librin e gjuhëtarit të famshëm arbëresh, « Saggio di Grammatologia comparata sulla lingua Albanese » (ribotim i vitit 1923) në koleksionin e veprave të rëndësishme të kulturës botërore dhe me ndërmjetsinë e librarisë Amazon në Itali, u bë e mundur ta kisha në dorë. Vepra tjetër  « Apendice… »(1866), që në fakt është një shtesë e së parës, është shfrytëzuar nga Interneti.

Teza e parë : Sa është mosha e gjuhës shqipe?

Siç na dëshmon Herodoti, mbreti Psametiku (Egjipt) për të njohur se cili popull është më i vjetër, vendosi të mësojë se cilën fjalë të parë do ta shqiptonin dy fëmijët e ritur nga dy gra të cilave ju ishte prerë gjuha. Cilit popull do t’i përkiste fjala, ay do të pranohej si më i lashti. Ky tregim duhet të ketë qenë një provë e vërtetë historike, sepse na ka ardhur deri në kohët tona fjala e parë që shqiptuan fëmijët « bek », të cilën e kishin dëgjur nga udhëtarët e një karvani të ndalur pranë banesës së tyre. Nga kërkimet e njerzve të mbretit midis gjuhëve të asaj kohe, doli se në gjuhën frigjiane kjo fjalë përcaktonte bukën. (8) Pamvarsisht vendimit të shpallur nga mbreti, na intereson fakti se këtë fjalë e ruan edhe sot, vetëm gjuha shqipe: «buk». Pra shumë kohë para Herodotit, lashtësia e popujve shikohej në vartësi të lashtësisë së gjuhës që flisnin. Deri sa gjuha shqipe do të merrte denjësisht, në shekullin e 19, kurorën e GJUHËS SË PARË, « Shkollës albanologjike arbëreshe » ju desh një rrugë e gjatë kërkimesh, sa gjuhësore aq edhe historike, folklorike dhe fetare.

Pothuaj një shekull para se Kamarda t’i futej kësaj pune, ishin rrahur mendime të ndryshme për zbulimin e lashtësisë dhe origjinës së gjuhës shqipe. Nisur nga pohimi i autorit të parë të Historisë së Skëndërbeut, Marin Barletit (….) se gjuha shqipe rridhte nga latinishtja, Gjergj Guxeta mendonte se ajo duhet të ishte një përzjerje e latinishtes dhe gjuhës së vjetër maqedonase. Ndërkohë bashkëpuntori i tij P. Parrino, mbronte idenë se gjuha shqipe, sidomos ajo e arbëreshve të Italisë, ishte e njejtë me gjuhën maqedone (të lashtë-shën im). (9) Por që të gjithë mohonin ndonjë afërsi apo lidhje me gjuhen greke.

Në vijim të bindjes së albanologëve nismëtarë G.Guxetës, P.M.Parrinos, edhe V.Dorsa pohon se Shqipetarët çfaqen qartësisht me një origjinë, përkatësi dhe lidhje shpirtërore të përbashkët duke formuar kështu një familje, ku gjuha  e zakonet, i dallojnë qartësisht nga grekët.(10) Pra rruga e vetme për të dëshmuar lashtësinë e gjuhës shqipe dhe rrjedhimisht e Kombit që e fliste atë, mbetej të vërtetohej lidhja apo trashëgimia e saj nga gjuha e maqedonëve të lashtë. Por siç dihet, nga kjo gjuhë nuk ka mbetur ndonjë dokument i shkruar me maqedonishten e Aleksandrit të Madh. Lindi kështu nevoja të krahasohej gjuha shqipe me një gjuhë tjetër të lashtë, nga e cila kishin mbritur vepra të shkruara. Me qënëse në rrethet filologjike europiane të shk 18-19, greqishtja mbahej më e lashtë se latinishtja, priftërinjt eruditë arbëresh, si zotërues të saj dhe profësorë të kësaj gjuhe në shkollat fetare dhe Univërsitetet e kohës, ju futën punës për krahasimin leksikor dhe gramatikor të shqipes me të. Sipas Dh.Kamardës, gjatë krahasimit  u vërejt se « shqipja përmban shumë elemente nga më të lashtat e të folurës greke, të cilave ne as nuk ua dimë shqiptimin e vërtetë (…) dhe kjo më shtyn të pranoj, lidhjen e shqipes me sanskritishten, te pohuar nga Franz Bopp». (11)

Pothuaj 30 vjet para Kamardës, Z.Krispi i habitur, kish pohuar se « duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të shohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, tek gjuha shqipe » duke hedhur i pari idenë se ajo «mbase është më e lashtë se greqishtja dhe në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit » (Malte-Brun libr.199, f243)( 12) Kjo tezë do të trajtohet në fund të shk19 nga Sami Frashëri: “Ka shumë fjalë që vërtetojnë se format e tyre shqipe janë bazë, ndërsa format në gjuhët e vjetra greke e latine janë derivate të tyre. Kjo tregon se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja ose latinishtja e moçme dhe se populli shqiptar është shumë i vjetër. (13) At Dh. Kamarda pohon se « shumë fjalë shqipe, përputhen me ato të gjuhës së lashtë të grekëve » duke shtuar se ato « janë unaza, (te ndërmjetme lidhëse-shën im)midis gjuhës së lashtë aziatike (sanskritishtes) me gjuhën e re hellene, asaj gjuhe të humbur, nga buroi gjuha e klasikëve grekë e mbritur tek ne, përmes librave të tyre të pavdekshëm». (14)

Duket sikur këto përfundime hedhin poshtë studimet e gjuhëtarëve nismëtar, që u shprehën për dallimin rrënjësor midis këtyrë dy popujve kufitarë ballkanikë të shekullit 19. Por duhet të kemi parasysh, se si lëndë studimi, nga gjuhëtarët u mor fjalori i greqishtes së lashtë e shkruesve të parë dhe, siç shprehej francezi Robert DeAngely, “Po të mos kishin qënë shkronjat e njejta (të « greqishtes së lashtë » dhe asaj të shk19-shën. im), pashmangërisht do të ishte deklaruar se gjëndemi para dy gjuhëve të ndryshme” (15) Mjafton të shkruajmë një listë të vogël fjalësh shqipe, greke dhe hellene të lashta dhe nga krahasimi i tyre i drejtpërdrejt,  vërtetohet se shqipja është krejtësisht e njejtë me greqishten homerike, gjë që nuk ndodh me greqishten e re, do të shkruante më vonë studiuesi i miteve pellazge, arvanitasi Aristidh Kola (16)

Merita e Kamardës në studimin e gjuhës shqipe ishte edhe fakti se shfrytëzoi arritjet e shkencës së porsa-lindur në Europë, Fonologjisë (Studimi i tingujve të gjuhës). Duke përdorur metodën krahasuese me gjuhët  europiane, ai pohon se gjuha shqipe është shumë e pasur në tinguj dhe « përmban  jo vetëm të gjithë tingujt e greqishtes dhe latinishtes, siç shqiptohen sot në Greqi dhe Itali, por do të shtojmë edhe të frëngjishtes e gjermanishtes ». (17)

Në shekullin e 18 etërit arbëresh si P.Parrino e sidomos Nikoll Keta (“Tesoro di notizie su de’ Macedoni”1777), duke shfrytëzuar të dhënat historike mbi fiset e lashta shqipetare dhe maqedonase të shumë autorëve, të lashtë dhe modern, hebrej, egjiptian, grekë, latinë, italianë, francezë, metodë qe Eqerem Çabej do ta quante “moderne dhe globale, e cila edhe sot është thellësisht e drejtë”, aritën në përfundimin se gjuha maqedone e lashtë dhe ajo shqipe, i  përkisnin trungut gjuhësor “feniko-pellazg”.(18) Duke ndjekur gjurmët e At V.Dorsës i cili pohonte se gjuha shqipe ishte “e thjeshtë , shprehëse, imituese dhe poetike, cilësi që nevoiten për të vërtetuar origjinën e saj të lashtë”(19) dhe të At Z.Krispit: ”Se tingujt, në gjuhën shqipe, duke qënë të shumtë dhe të papërcaktuar, na qartësojnë natyrën origjinale të saj, siç është pa dyshim, vetë gjuha që Zoti i dha njëriut të parë”.(20) Dh.Kamarda i kushtoi nje rëndesi të veçantë vetë formimi të fjalëve të saj.

Gjuha shqipe, vëren autori, është e varfër me fjalë të përbëra (nga bashkimi i dy fjalë me kuptim të plotë si dhe më parashtesa e mbrapashtesa -shën im) me të cilat është e pasur greqishtja dhe gjermanishtja. Në gjuhën shqipe, si emrat edhe foljet ndodhen me shumicë në gjëndjen e rrënjëve të pastra. Këto fjalë/rrënja (të përbëra vetëm nga dy/tre gërma si: ha, pi, ri, shi, re, vë, di, pa/me pa, mal, gur, lis, etj-shën im) janë trashëguar nga gjuha-mëmë. (f21)  Kamarda e pëcaktonte si një formë zanafilore e krijimit të fjalëve si tek çdo gjuhë tjetër, por e mbetur deri më sot tek  shqip-folësit nga «mungesa e kulturës», ku nenkuptonte mungesen e arsimimit dhe shkrimit te librave. Studiuesi arbëresh do të mbetej i habitur, sikur të shikonte se edhe pas tre shekujve, në kohën e internetit,  ne fjalorin e shqipetareve fjalët/rrënja para-historike janë në përdorim të pa ndryshuara, dhe padyshim ky fakt ka shpjegimin e vet.  Intuita prej shkencëtari, e shtynte të parashikonte se në formën një rrokëshe të fjaleve « fshihet » kyçi i lashtësisë  se gjuhës shqipe dhe « studimi i tyre kërkon një vëmëndje të veçantë ». Koha tregoi se kishte të drejtë.

Njohësi i veprës së Dh.Kamardës, francezi Eduard Shnaider (Pellazget dhe pasardhesit e tyre) mbasi bëri një përllogaritje të fjalëve-rrënja, pohon se « gjuha shqipe ka 785 të tilla, që e tejkalon tepër shumën e fjalëve rrënja të të gjithë gjuhëve të tjera, të vdekura dhe të gjalla. Dhe ky numër nuk është përfundimtar (…) Me 75 tinguj zanore, dhe 31 bashtingllore të forta dhe 785 fjalë-rrënja, një gjuhë mund të arrijë në një shkallë përsosmërije të paparë ». (22) Përfaqsuesi i madh i “Shkollës Albanologjike arbëreshe” Jeronim De Rada (1814 – 1903), do të shprehej: “Gjuha Shqipe, në analizë të fundit është ajo Gjuhë e Parë (Lingua Primeva) ose Mëmë (Muttersprache) ose së paku e afërmja e saj e ngushtë e më përfaqësuese, nga copëzimi i së cilës, si Ai (Zoti-shën im) në Sakrificën e Madhe Kozmogonike të një Qënie Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera erdhën e u ndërtuan mënjanë” (23)

Kamarda na sjell edhe mendimet e figuravë të shquara europiane, që janë shprehur mbi lashtësinë e gjuhës sonë si Theodor Stier i cili pohon se kohën e origjinës së gjuhës shqipe, duhët ta vendosim, në periudhën kur nuk flitej as greqishtja, qoftë moderne apo antike, as latinishtja, as ndonjë nga të folurat që njohim sot apo që janë zhdukur.  Ndërsa figura më e rëndësishme e Rilindjes italiane Vincenzo Gioberti (18011852) në librin e tij  « Primato » Bruselles1844, T.II p.133, këmbëngul se gjuha shqipe, përmban gjurmë të gjuhëve që kanë qarkulluar në Greqi para pushtimeve deukaliane dmth para se të formohej popullsia e emërtuar Ellenike (24)

Sot, studimet mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe e kanë tejkaluar shumë nivelin e studimeve europiane. Studiuesi Petro Zhei, duke shfrytëzuar ligjet e fizikës moderne, shkrimet fetare, fondin dialektor e historik të fjalëve shqipe, duke i krahasuar ato me fjalorin e sanskritishtes, hebraishtes dhe të gjuhëve moderne, vërteton se fjalët shqipe kanë natyrë simbolike dhe mitike, tipare të gjuhës se krijuar nga njeriu i parë. Ai sjell shembuj të shumtë se si rrënjët e gjuhës shqipe zbërthejnë kuptimin e rrënjëve të sanskritishtes, gje që nuk e ben dot ajo vetë për fjalët e saj dhe të gjuhës shqipe. Kjo dëshmon se shqipja e lashtë ka qene gjuha MËMË e gjuhëve te «vdekura» dhe me kalimin e kohës, prej burimit të saj rrodhen gjuhet e tjera. Kjo, vëren P.Zhei, shpjegon edhe faktin se: « Në gjuhën shqipë ndeshen gllosa të të gjitha gjuhëve të botës, gjë që, krahas cilësish të tjëra të spikatura, e bën shqipen një gjuhë SIMBOLIKE » (25)

Për sa më sipër, gjuha shqipe/arbërishte është i vetmi monument “i gjallë” para-historik europian (i pa vlersuar akoma nga UNESCO për faj të institucioneve Albanologjike) që dëshmon se si njeriu i parë, duke ndjekur tingujt e botës qe e rrethonte dhe duke besuar në forcat e mbinatyrshme, nisi të shprehej. Gjurmët e kësaj gjuhe të njeriut primitiv, që i ra kryq e tërthorë një hapëire jashtzakonisht të gjerë të Europës, Afrikës dhe Azisë, gjuha shqipe i ruan edhe sot, të shprehura në të gjithë treguesit e saj: në pasurinë e fondit themelor të fjalëve, strukturën e tyre dhe sistemin gramatikor. 

Teza e dytë: A janë Ilirët paraardhësit e të gjithë Kombit shqipetar?

Në rrugën që duhej ndjekur për të përcaktuar origjinën e Shqipetarëve, sipasV.Dorsës, një mjet i domosdoshëm, krahas historisë shërben edhe gjuha. (26) Edhe ne, për t’i dhënë përgjigje tezës së dytë, fillimisht do të ndjekim rrugën gjuhësore. Në shtesën që i bën Librit të parë (Saggio...), Dh.Kamarda, thekson se, për një studim të thelluar mbi natyrën e gjuhës së Shqipetarëve, i cili nuk ishte bërë deri në atë kohë, duhej të përfshihej e gjithë e folura popullore dmth jo e një, por e dialekteve kryesore (27) dhe këtu kishte parasysh, jo vetëm të folurën e shqipetarëve në trevat e tyre natyrale (Shqiperi, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Sërbi, Greqi), por edhe të arbëreshëve të Italisë dhe të ishujve Jonian.

Në botimin e Akademisë së Shkencave “Historia e Popullit Shqipetar”, (vëll.I, Toena, 2002), duke folur për gjuhën e Kombit tonë është përdorur emërtimi “gjuha shqipe” për  periudhën e historisë moderne, “gjuha arbëreshe” për të folurën e arbëreshëve  të Italisë dhe Greqisë dhe “gjuha ilire”për gjuhën e lashtë të shqipetarëve. Natyrshëm lind pyetja: A mund të thuhet psh se në Jugun e lashtë dhe mesjetar, gjuha që përdorej emërtohej “ilire” dhe populli që e fliste e quante veten “ilirë”?  

Sipas studimeve Albanologjike, gjuha shqipe përbëhet nga dy dialektet kryesore, Geg dhe Tosk, pranuar nga të gjithë gjuhëtarët, shqipetarë dhe të huaj. Kamarda duke folur për këto dialekte sqaron edhe shtrirjen e tyre gjeografike. Sipas tij e folura e Gegëve fillon nga lumi Shkumbin, i cili rrjedh në mes të Epirit të ri (Iliri) dhe të vjetër dhe e ka burimin nga malet e Kandavisë në këmbë të liqenit të Ohrit dhe e folur deri në Mal të Zi, në kufi të Bosnjë-Hercegovinës dhe Sërbisë (së shk19). E folura Toske ,mbisundon nga Shkumbini deri në Etoli, duke u përhapur në shumë zona të Greqisë dhe ishujve të saj. Pak më poshtë shton se, edhe gjuha e shqipetarëve të Italisë, sikurse ajo në Greqi, i përket dialektit tosk. (28) Kjo ndarje gjuhësore ka përcaktuar edhe dy ndarjet gjeografike të dy bashkësive më të mëdha fisnore të shqipetarëve të vjetër: Iliro-Maqedonëvet dhe Iperiotëve (Epiriotëve), të dokumentuara në librat e historianëve të parë si dhe hartat e mbritura deri në shk16-17. (foto poshte)

Do të mjaftonte ky fakt, për të dëshmuar gabimin në përdorimin vetëm të emërtimit “Ilirë”për origjinën e shqipetarëve. Për të dhënë një panoramë të qartë të paraardhësve të Kombit tonë, Kamarda i kushton një vëmëndje të veçantë edhe fakteve historike. Duke mbështetur përfundimet e Johan G. Han (1811-1869), i cili  kishte bërë studim të thelluar për origjinën e shqipetarëve, Kamarda pohon se ata janë pasardhës të Iliro-Maqedonëve dhe Iperiotëve(Epirotëve) të lashtë. (29) Këta popuj, në kohë më të vjetra, sipas shkrimkruesve të parë (Erodoto L.I.56,58.II.52-Tucidide L.I 3.-Strabone L.V.VII.- Dionigi Alicarnass. Ant.Rom.I.17.- Esiodo, etj.) së bashku me Hellenët, i përkisnin familjes Pellazgjike dhe Lelege. (30) Duke mos vënë në dyshim përfundimin e Hahnit që shqiptarët i emërtonte “Pellazgët e Rinj” dhe sidomos të thënieve të historianëve të sipërpërmëndur, dalim në përfundimin se “origjina ilirë” e shqipetarëve është një tezë historike e mangët, pra jo e saktë. Që fiset Ilire janë shqipetarët e lashtë, qëndron si fakt historik, por jo i plotë. Si i tillë, ay nuk mund të jetë  një e VËRTETË HISTORIKE.  Studiuesi arbëresh, për të qënë sa më besnik kësaj të vërtete, duke u mbështetur në shkrimet e Herodotit dhe të autorëve të tjerë, na sjell një list të gjatë me emrat e fiseve të lasha “që në atë kohë përbënin dy bashkësitë kryesorë, shumë pak të dallueshme me njera-tjetrën, që emërtoheshin Ilir dhe Epiriotë, dhe sot Gegë e Toskë.” (31)  

Dh.Kamarda kur emerton Ilirët gjithmonë ju bashkangjit edhe fiset Maqedone. Që në shk 17, At Parrino dhe nxënësi i tij Nikolla Keta, të nisur gjithmonë nga shkrimet e historianëve të parë, por të pasuruara edhe me shëmbuj nga tradita kulturore dhe ajo besimtare e këtyre fiseve, pohonin se emrat “Ilir”(që nënkuptonte edhe fiset Albani të Shqiperisë së mesme), “maqedon” dhe “iperiot” ishin thjesht emra, me të cilat historikisht emërtohej i njëjti popull para-hellenik  që banontë prej shekujsh në hapsirën ballkanike, me tipare etnike, gjuhësore, veshje dhe zakone të përbashkëta. (32)

Për sa më sipër, na lind e drejta të shpallim se, fatkeqsisht në botimet e sotme, teza e “origjinës ilirë” ka fshirë gjysmën e historisë së lashtë të Kombit tonë. Faktet historike, gjuhësore, arkeologjike, mitet, kultura e traditës dhe sidomos BESIMI dhe RITET, dëshmojnë se shqiptaro-arbërit e kohëve moderne e kanë origjinën nga fiset ILIRO-IPERIOTE, (iliro-epiriote) që Kamarda shpesh e përdor në formën “Illirio-Epiroti o Schipetari” (33), historia e të cilëve lidhet me Pellazgët Hyjnorë. Shfrytëzimi vetëm i të dhënave të një shkence (gjuhësisë apo historisë) në metodën e përdorur për zbulimin e origjinës së popujve dhe gjuhës së tyre, ka sjellë pengesa të mëdha për studiuesit dhe shpesh me përfundime të gabuara. Shëmbull janë mëdyshjet, gjatë dy shekujve, të gjuhëtareve të huaj për origjinën e gjuhës dhe të vetë shqipetarëve: Është ilire apo trake? Kështu ilirologu i njohur Radoslav Katičići pohon me bindje se “Asgjë në natyrën e provës nuk është paraqitur deri tash për prejardhjen trakase të gjuhës shqipe... E vetmja gjë që mund të bëjmë tash është të jemi mendjehapur duke mbajtur mend në këtë kontraverzë se barra e provës u bie atyre që mohojnë prejadhjen ilire të shqipes.” (Katičić 1976: 187-8). (34)

Po përse duhet kërkuar origjina, “ilire apo trake?”, kur shqipetaro-arbërit e sotëm janë pasardhësit e bashkësive fisnore, edhe të Ilireve edhe të Iperiotëve, Maqedonëve dhe të Thrakëve të lashtë. A nuk është dëshmuar se këto fise i përkisnin një etnije, u janë drejtuar të njejtëve orakuj dhe Perëndive, kanë folur një gjuhë, por në dialekte të ndryshme dhe kanë lënë toponime në të gjithë Ballkanin që kanë kuptim vetëm në shqip?

Kamarda pohon se “Që nga koha kur janë përmëndur prej shkruesve (Straboni, Tolemeu) Maqedonet dhe Trakasit e lashte u zhdukën gradualisht si bashkësi, si rrjedhojë e konflikteve të vazhdueshme dhe pushtimeve barbare. Fiset lindore të tyre, u asimiluan prej Sllavëve dhe Bullgarëve, një pjesë u bënë Rumunë ndërsa pjesa perëndimore e tyre,  ju bashkangjit fiseve të së njejtës etni, të Ilirisë dhe Epirit, që nuk u asimiluan kurrë plotësisht, as nga Romakët, e aq më pak nga Sllavët, Bullgarët apo Turqit”. (35)  Dhe në rast se duhet të flasim për pasaktësira historike, problemi nuk qëndron vetëm për fiset Trake, por veçanrisht për Helenët e lashtë.

Tëza e tretë: Hellenët sipas Kamardës

Siç e pamë në fillim të materialit , nismëtarët arbëresh të “Shkollës albanologjike” kishin si qëllim të dëshmonin dallimin midis etnisë së shqipetaro-arbërve me grekët, të emërtuar në shekullin e 19, por dhe sot e kësaj dite nga historianët europianë si “Hellenë”. Në fakt, ky dallim u përkiste “grekëve të rinj” të pas revolucionit të 1821, për të cilët Nermin Vlora Falaski pohonte se: “Në Mesjete nuk ka patur grekë-hellenë. Grekët e sotëm janë, në të vërtetë, përzjerje e etnosit shqipetar, vlleh dhe turk”. (36) Kamarda duke e kuptuar rëndësinë e madhe të këtij problemi në studimet historike, e ndjen të nevojshme, pas dy vitesh t’i bëj një shtesë botimit të librit të parë. Për të sqaruar përkatsinë etnike të hellenëve të lashtë, ay sjell jo vetëm fakte nga shkruesit e parë dhe mitet, por krahason traditën zakonore, ritet  dhe shpjegon ligjet fonetike të gjuhës shqipe, që sollën gjatë mijëravjeçarëve largimin e gjuhës së hellenëve nga burimi i saj pellazg.

Mund të themi, me aq sa kemi mundur të lexojmë deri më sot, se teza “Hellenë” asnjëherë nuk është trajtuar kaq gjërësisht në këtë këndvështrim. Është fakt se edhe në kohën tonë, për origjinën e emrit “grek” dhe atij të lashtë “hellen” dhe arësyes se, përse emri “hellen” barazohet me emrin “grek”, studiuesit nuk na kanë dhënë dëshmi historike, gjuhësore apo besimtare. Kjo mangësi ka sjellë, që në Historiografinë europiane dhe botërore, bashkësitë fisnore iliro-iperiote  dhe maqedone, të trajtohen  etnikisht të ndryshme nga ato të hellenëve të lashtë dhe në përgjithësi me të gjithë fiset e jugut ballkanik. Kamarda dëshmon (siç do ta shikojmë më poshtë) se GJUHA, në çdo kohë ka shprehur afërsinë e ngushtë të tribuve Iliro-Maqedone-Iperiote me ato Hellene dmth të Eolo-Doro-Jonëvet. (37) Ky trajtim i gabuar i Historisë së lashtë është rrjedhojë edhe nga moskuptimi i emërtimit “barbar” (që përbën një tezë më vete), në kohën kur Herodoti e ka përdorur për gjuhën e këtyre fiseve dhe renien e studiuesve në “kurthin”politik  të fjalimeve të Demostenit kundër mbretërve maqedonas.

Kamarda na jep një LASHTËSI TJETËR nga ajo që paraqitet sot, gjë që i bën veprat e tij « Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese » dhe «Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese», materiale shume të rëndësishme për një debat të hapur shkencor. Historia e Lashtë e Greqisë, siç e emërtohet sot, ka dy kulme të lavdishme që kanë mrekulluar të gjithë brezat pasardhës të shoqërisë njerëzore: Luftën e Trojës dhe luftrat afro-aziatike të Alaksandrit të Madh. Që të dyja trajtohen si shëmbuj të triumfit të gjenisë luftarake “hellene” dhe të pushtimit ndërkombëtar të qytetrimit dhe gjuhës së tyre, me emrin përgjithësues “HELLENIZËM”.

Ernst Cassirer, në librin e tij “Gjuha dhe Miti” (Sprache und Mythos,1925) shprehet se në çdo emërtim gjuhësor (bëhet fjalë për gjuhët natyrale-shën im), karakteri mitik është parësor (...) gjithshka në origjinë (edhe tek emrat -shën im) është e lidhur me mendimin mitik-besimtar. (38) Emri Hellen dhe për pasojë edhe Hellenizëm e kanë originën nga Selleni dhe Sellenizëm, ku nga dy gërmat e shuara fishkëllyese  (s / h), e dyta ka zëvëndësuar të parën dhe shpesh nuk shqiptohet (selleni-helleni,-elleni), që Kamarda e cilson si një ligj fonetik të gjuhës së lashtë shqipe. Ky ligj i lashtësisë dhe perfundimi i E.Cassirerit vërteton se, emrat Hellen dhe Hellenizëm, e kanë origjinën nga besimi dhe mitet e Pellazgëve. Në ato kohë para-historike sundonte vetëm një besim: ay HËNOR. Sellena ishte emri i Perëndeshës  hënore që kishte mbretëruar e para në fronin e tempullit të Dodonës. Këtë lidhje me mitet nuk e gjejmë për emrin “grek”. Deri në shekullin e 19 (në kohën e luftës çlirimtare të 1821), besimi i lashtë i shqipetaro-arbërve emërtohej “S/hellenizëm” dhe luftohej nga Kisha ortodokse. E lemë këtu trajtimin besimtar të emrit “Hellen” dhe le t’iu kthehemi fakteve historike të rënditura nga Kamarda dhe që kanë lidhje me këtë tezë.  

Sipas Aristotelit (Meteor.I,14) Epiri ishte Hellada e parë, shkruan Kamarda, dhe sipas Homerit (II,XVI,223) “grekët” e parë apo Ellinët apo Sellinët ishin dodonas, fise të Kaonisë (Stefan. Eustat, Hahn I,231,255) që sot i njohim më emrin Molossë (ne shqip dmth malësorë). Tek Straboni, shkruhet se Gadishulli ishte i  banuar nga popullsitë Trake, Maqedone, Ilire, Iperiote dhe Hellene (39) dhe janë të shumtë autorët e lashtë (Erodoto, Tucidite, IIcc,: Dion. d’Alic. (I, 17) që pohojnë se në Epir, sikurse edhe në pjesën tjetër të Greqisë, ndërmjet Shqipetarëve dhe Hellenëve, nuk ka asgjë që i dallon, përveç faktit se të parët kanë një energji më të madhe. (40)

Duke ndjekur faktet e sjella nga shkruesit e lashtë (Strab. Erodot ,Stef.Biz , Scimeo etj.) se Hellenët e kishin origjinën nga Epiri dhe Hellada e parë shtrihej përreth Dodonës dhe se Pellazgët dodonas ishin Iperiotët, atëhere arijmë në përfundimin se Hellenët e lashtë, nuk ishin ndonjë fis tjetër veçse vetë Iperiotët, mbi të cilët mbretëroi Deukalioni që ngriti tempullin e Dodonës. Kjo llogjikë e fakteve tregon se emri Hellenë (Sellenë), të cilit edhe sot nuk i shpjegohet kuptimi nga historianet, e ka origjinën nga besimi hënor dodonas, siç u theksua edhe më lart. Studiuesi arbëresh Dh.Kamarda pohon së: “Qytetrimi i vërtetë i Greqisë (...) fillon kur Thesalët dhe Iperiotët(epiriotet), nën emrin e Dorëve, shtrinë pushtetin e tyre në Peloponez dhe mbi të gjithe Helladën (...) Pushtimi i Azisë, një ide e trashëguar prej kohrave pellazgjike të Luftës së Trojës, ishte në të vërtetë luftë e pellazgëve (bashkësive fisnore të ilirëve-maqedonëve-iperiotëve), siç vëren edhe Hahni. Në rast se do të kishin qëndruar të lidhur me njëri-tjetrin dhe do të udhëhiqeshin nga një politikë e mënçur, nuk do të ishin mundur nga Romakët dhe aq më pak nga Turqit”. (41) Këtë tezë të “Shkollës arbëreshe të Albanologjisë” e trajtoi gjërësisht më vonë Aristidh Kola në librin e tij « Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve » ku sjell edhe një dëshmi të rëndësishme historike.  Në Peticionin e « Lidhjes Arvanitase » më 1897, shqipetarët i kujtojnë mbretit gjerman- Otton, origjinën e banorëve të shtetit të tij Hellen: «Greku para se të bëhej grek, ishte shqiptar, dmth pellazg». (42)

Duke mbritur në këtë pikë, mbi origjinën e përbashkët të fiseve ballkanike të lashtësisë, na lind pyetja se përse sot gjuha greke dhe shqipe kanë dallime kaq të mëdha? Kamarda e trajton gjërësisht këtë dukuri.

Teza e katërt: Kulla e Babelit dhe Ligji i Grimit

Rrugëtimi që ka ndjekur mendimi besimtar (feja) mund të paqyrohet ,sipas Usenerit, vetëm nga historia e gjuhës. (Usener, p316) (43) Kjo shprehje është shumë e thellë si nga përmbajtja e saj fillozofike, aq edhe historike dhe gjuhësore, siç e dëshmon në veprën e tij Petro Zhei (Shqipja dhe Sanskritishtja). Ne do të mjaftohemi ta lexojmë së prapthi: Tek mendimi besimtar gjëndet historia më e lashtë e gjuhës. Këtë na e tregon Bibla (Gen. 11, 1-9) në mitin e ndërtimit të Kullës së Babelit.

Miti fillon me pohimin se më përpara, në Tokë flitej NJË GJUHE. Njerëzit e mbledhur në vendin e emërtuar në Bibël, Sennaar (Babilonia e lashtë) vendosën të ndërtojnë një qytet rreth një kulle, maja e së cilës do të takonte Qiellin. Kur të arinin deri në lartësinë hyjnore, do të përmëndinin një EMËR dhe do të mbëteshin gjithëmonë të bashkuar. Zoti, që e kishtë kuptuar aftësinë e njeriut dhe për t’i penguar të shkelnin vëndin Hyjnor, vendosi t’i jap sejcilit fis një gjuhë të ndryshme. Kështu të pushtuar nga mosmarrvëshjet, fiset nuk e ndërtuan dot kullën dhe u përhapën, pa mundur t’i afrohen Krijuesit dhe mbretërisë së tij qiellore. (44) 

Ngatërimi i Gjuhëve, vepër e Gustav Doré

Si çdo mit edhe ky, fsheh në vetvete ide dhe histori të vërteta të shoqërisë njerëzore. Një prej të cilave është edhe sot në qëndër të kundërthënieve gjuhësore e historike: A është folur në zanafill vetëm një gjuhë (teoria e monogjenezës) nga e cila më vonë kanë lindur gjuhët e tjera?

Studiuesit arbëreshë të “Shkollës Albanologjike”ishin mbështetës të tezës së NJË GJUHE MËMË, të cilën e shihnin tek gjuha e Pellazgëve hyjnorë. Arësyen e qënies së shumë gjuhëve në kohët e reja Kamarda, e shikon tek dukuria e rëndësishme e gjuhëve e zbuluar për herë të parë në vitin 1806 nga Friedrich von Schlegel: Ndryshimin tek fjalët, i vëndeve të tingujve, zëvëndësimin me tinguj të tjerë apo edhe rënien e tyre, i shkaktuar nga shqiptimi i ndryshëm në të folurin e njerëzve. Në vitin 1822, kjo tezë u përpunua nga Jacob Grimm (Deutsche Grammatik) dhe sot njhet me emrin “ligji i Grimmit” që u bë baza kryesore në metodën e shkencës së Gjuhësisë krahasuese. Në “Shkollën e Albanologjisë”, siç pohon vetë studiuesi arbëresh, ay ishte i pari që shkeli mbi tapetin e kësaj shkence. Sipas Kamardës, gjuha shqipe duke qënë gjuha e njeriut primitiv të lindur në gjirin e natyrës, që në zanafill ka shprehur paqëndrushmërinë e tingujve.  Veçanrisht, lehtësinë e zanoreve të kapërcenin apo të ndryshonin vëndin me zanorët e tjera dhe bashtinglloret,  në fillim, në fund dhe sidomos brënda fjalëve, një tipar që duhet të merret parasysh kur flitet për gjuhën shqipe. (45)

Tek kjo dukuri e shqipes, por edhe tek gjuhët e tjera, që buron nga shqiptimi jo i saktë i tingujve nga ana e njeriut, Kamarda shikon origjinën e formimit të dialekteve. Me kalimin e shekujve duke u larguar për herë e më shumë nga gjuha mëmë, kanë lindur gjuhët e reja. Kështu ka ndodhur edhe në Helladë (Greqi), ku tek dialekti i Atikës, që gradualisht u bë mbisundues mbi dialektet e tjera, ndryshimi i tingujve tek fjalët u bë shkas i krijimit të grëqishtes atike dhe me kalimin e shekujve, të gjuhës së rë Hellene. (46)

Kamarda i cili “ka bërë studimin më të plotë  të shqipes“, siç u shpreh Gustav Meyer, thekson se nga krahasimi i gjuhës shqipe dhe gjuhës romaike apo greqishtes së re, vihen re ngjashmëri, jo vetëm në strukturën gramatikore, por edhe në rrënjët dhe fjalët e përbashkëta.(47) Për të mos u zgjatur, nuk po zgjerohem më tej me dukuritë e tjera shoqëruese të këtij ligji fonetik , që studiuesi arbëresh i shtjellon në veprat e tij.

Studiuesi arvanitas i emrave tek mitet pellazge, që sot padrejtësisht emërtohen “greke”, Niko Stillo pohon se: “Gjuha pellazge kishtë 5 dialekte. Ato dialekte në Comente Vatikana të gramatikës së lashtë greke (të Dionisit Trakasit) janë: jonike, eolike, dorike, atike, dhe e përbashkët. Tre prej tyre dmth jonike, dorike dhe e përbashkëta, janë gjuhë të popullit (…)ndërsa dialekti atik dhe eolik janë gjuhë e priftërinjve, të cilat Herodoti i quajti fetarë. Dialekti i dorëve është dialekti popullor e në ditët e sotme quhet tosk, një nga dialektet e gjuhës shqipe, ndërsa dialekti fetar atik sot quhet gjuha greke. Dialekti jonik është gegërishtja e sotme e shqipës (…) Këto dialekte kishin edhe alfabete të ndryshme”. (48)

Para Kamardës, Z.Krispi megjithëse nuk e njihte akoma “ligjin e Grimmit”, por nisur nga krahasimi i rrënjëve të lashta të shqipes dhe gjuhës homerike, pohonte se: “Gjuha shqipe ka qënë një nga trungjet e parë, prej nga buroi më pas ajo gjuhë hyjnore e helenëve”. (49) Johan G. von Hahn na sjell edhe mendimin e vetë popullsisë së Helladës (Greqisë): “Edhe sot e kësaj dite, grekët e rinj dhe shqipetarët e quajnë veten të një prejardhje “(50) Studiuës të tjerë të huaj si Hans Krahe, i cili ka bërë studime mbi të folurën e fisit të DORËVE, vërejtën se « një numër fort i madh fjalësh të dialektit dorik, nuk mund të shpjegohen me greqishten, por shpjegohen me anë të ligjeve gjuhësore të ilirishtes » (51) Për rrjedhojë, siç thekson A.Kola, gjuha shqipe “ndihmon të shikojmë zhvillimin e gjuhës greke, që nga vitet e lashta pellazge deri në periudhën aleksandrine dhe më vonë”.(52) Duhet të shtojmë këtu se këtë rol, të cilin Petro Zhei e emërton “motivues” të gjuhës shqipe dmth që sqaron kuptimin e rrënjëve në gjuhët e tjera, ajo e luan edhe për gjuhët “e vdekura” si sanskritishtja.

përfundim – Tezat e shtruara shumë shkurtimisht në këtë shkrim, bazuar në veprën e At Dhimitër Kamardës, drejtesinë e të cilave i ripohuan studiuesit e tjerë shqipetaro-arber dhe të huaj, bashkohës të tij dhe të ditëve të sotme, dëshmojnë se në shkencën e sotme shqipetare dhe atë europiane të Lashtësisë dhe Gjuhësisë historike që trajton Gadishullin Ballkanik, ka pasaktësi të mëdha. Sot, padrejtsisht emërtimi“grek” i panjohur në kohën e Homerit, ka shtrëmbëruar të vërtetën historike, në rradhë të parë të vetë Hellenëve Pellazg, e thënë më sakt, të etërve të tyre Iliro-Maqedon dhe Trako-Iperiotë.

Do të kujtoja me këtë rast një shprehje të Noam Chomsky, që i përshtatet shumë gjëndjes në të cilën ndodhet sot problemi i LASHTËSISË: “Si është e mundur që ne kemi kaq shumë fakte, por dimë kaq pak?”

Fatbardha Demi  (This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.)
14.11.2015

* * * * *

1-    Matteo Mandala http://www.unibesa.it/images/MatteoMandalNicolChettaNelbicentenario18032003.pdf  f58

2-    M.Mandala  po aty,f61

3-    f1 Vincenzo Dorsa “Su gli Albanesi, Ricerche e pensieri”

4-    Dhimiter Kamarda « Saggio di Grammatologia comparata sulla lingua Albanese » (ribotim i vitit 1923)f22

5-    Dh. Kamarda po aty ,f24

6-    Dh. Kamarda po aty f5

7-    Antonino Guzzetta  « Demetrio Camarda e la linguistica albanese » Atti dei Congresso Internazionale di Studi Albanesi Centro Internazionale di Studi Albanesi « Rosolino Petrotta » Facoltà di Lettere e Filosofia - Università di Palermo Palermo, 20-22 Aprile 1983) https://docs.google.com/viewerng/viewer?url=www.dimarcomezzojuso.it/pubs/638/libro.pdf

8-    Eduard Shnaider « Pellazget dhe pasardhesit e tyre », Tirane 2009 f31,32

9-    M.Mandala  po ay, f73

10-  Vincenzo Dorsa “Su gli Albanesi , Ricerche e pensieri”,f6

11-  Dh.Kamarda po aty, f16,17

12-  Xhuzepe Krispi « Shqipja Nena e Gjuheve» (Palermo,1831) Plejad, f11

13-  Sami Frasheri “Fjalor i Pergjithshem i Historise dhe i Gjeografise” (Kamus ul  Alam) Shtypur nga shoqeria “Drita” 1889/ Vell II, Tirane, 1988, f239

14-  Dh.Kamarda « Saggio… » f16,17

15-  Robert d’Angely “Enigma” 1998 f.24

16-  Aristidh Kola «Gjuha e Perendive»Plejad, 2003, f.170 

17-  Dh.Kamarda « Saggio… » f34

18-  M.Mandala po aty, f72

19-  V.Dorsa , po aty, f31

20-  Xh.Krispi po aty, f20

21-  Dh.Kamarda « Saggio… » ,f126-127

22-  Eduard Shnaider , po aty, f208,209 

23-  Petro Zhei ,Shqipja dhe Sanskritishtja,  pj.I,  Tirane,2005, f14 

24-  Dh.Kamarda « Saggio… » f4,5

25-  P.Zhei, po aty, f167

26-  V.Dorsa ,po aty f7

27-  Dh.Kamarda “Discorso Preliminare “ https://archive.org/stream/appendicealsagg00camagoog#page/n17/mode/1up

28-  Dh.Kamarda « Saggio… », f8,10

29-  Dh. Kamarda « Saggio… », f4

30-  Dh.Kamarda, « Saggio… », f25,26

31-  Dh.Kamarda « Discorso ... » f XXIX,XXX

32-  Matteo Mandala ,po aty, f69

33-  Dh.Kamarda , « Discorso ... », fXXXVII

34-  Rexhep Ismaili “Diskutime pë prejardhjen e Gjuhës Shqipe” Seminarit XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare Prishtinë, 19-30.08.2013http://filologjia.uni-pr.edu/getattachment/Seminari/Seminari-32-(V--1)---Botim.pdf.aspx )

35-  Dh.Kamarda , « Discorso ... », fXXXVII

36-  Nermin Vlora Falaski « Pellazget-Iliret-Etrusket-Shqiptaret » Prishtine,2002 f.22

37-  Dh.Kamarda , « Discorso ... », fLIV

38-  Ernst Cassirer “Lingua e Mito”, Testi e Dokumenti, Milano,2006 f61,62,101,102

39-  Dh.Kamarda , « Discorso ... », fXXXIII

40-  Dh.Kamarda , « Discorso ... », fLIII

41-  Dh.Kamarda , « Discorso ... », fLIV

42-  Aristidh Kola « Arvanitasit dhe prejardhja e grekeve »,Shtepia botuese 55,2002,f 29

43-  Ernst Cassirer, po aty f31,32

44-  https://it.wikipedia.org/wiki/Torre_di_Babele

45-  Dh.Kamarda « Saggio… », f18,19

46-  Dh.Kamarda « Saggio… », f102,103

47-  Dh.Kamarda « Saggio… », f15,16 ,19

48-  Niko Stillo « ILIRIADA »  Athine – tetor 2005 f.19

49-  Z.Krispi ,po aty, f12

50-  Dr. Jur. Johan George von Hahn « Studime Shqipetare » Tirane,  f351

51-  Nermin Vlora Falaski« Pellazget-Iliret-Etrusket-Shqiptaret » Prishtine,2002  f.280

52-  Aristidh Kola po aty, f184

FUND



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm