Menu

”Përjetësia e dyfishtë” Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme - Bedri Islami

User Rating:  / 0
PoorBest 
 
Xheva dhe Fehmi Lladrovci
Parathënie e librit ”Përjetësia e dyfishtë” Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme, e shkrimtarit dhe publicistit
  
Bedri Islami
 
GJITHÇKA E FURTUNSHME
 
 
 
Shkruan: Adem Gashi
Hyrja
Kur mora dorëshkrimin e librit “Përjetësia e dyfishtë”, bashkë me kërkesën që t’i hidhja në letër mbresat për të në një tekst që do ta shoqëronte botimin, u ndjeva në siklet.
- E para, sepse i kisha njohur personazhet e librit;
- E dyta, sepse e njihja autorin dhe,
- E treta, sepse duhej që çdo gjë ta bëja ngutshëm, furtunshëm: të lexoja një vëllim që kapërcente tutje 500 faqeve, t’i sistemoja gjykimet dhe t’i nisja në adresën e duhur, duke u përballur edhe me një fakt të neveritshëm, me mungesën dhe ndërprerjen e pareshtur të korrentit, që m’i ngrinte nervat.

Duke e njohur kryepersonazhin, Fehmiun, duke e njohur autorin, Bedriun, duke u njohur, më në fund, edhe me produktin letrar, dorëshkrimin, doemos u ndjeva edhe vetë pjesë e këtij trinomi që kërkonte një barazim, një barazim jo në kuptimin e logjikës matematikore, por në kuptimin metafizik. Brenda kësaj lakoreje lëvrinte e gjëllinte një botë shpirtërore e ndërgjegjeje që s’ishte e lehtë të përthekohej. Këtej e andej dy botëve përvijohej bota e njerëzve, e njerëzve të dashur që kishin përshkuar e vazhdojnë ta përshkojnë jetën furtunshëm.
Pleksja në këtë ndërlikje fatesh po m’i ngjan një labirinti. Nuk arrij dot ta ruaj largesën e nevojshme me të ndodhurën. Jam një pjesë e vockël, e njënjëshme e
një tërësie që e bën shenjën e vet, që e ruan atë dhe e le si gjurmë në një përmasë historie.

Autori
Sikundër kryepersonazhin, edhe autorin e librit e kisha njohur shumë më përpara se ta takoja. Veç veprës së tij të shkruar, mënjanë aktivitetit të tij politik si veprimtar e kryesues i një organizate politike kishte edhe diçka intriguese në biografinë e tij. Ishte i biri i Zenel Islamit, “Lulit të vocërr” të Migjenit, personazhit aq të njohur e aq të dashur, të cilin nuk besoj të ketë shqiptar që s’e ka dëgjuar. Shumë nga librat e tij i kisha lexuar dhe mbi bazën e lëndës së shkruar kisha formuluar përfytyrimin për profilin e tij krijues. Ky profil më bëhet më i qartë sidomos pas leximit të librit “Enigma e një vrasjeje të trefishtë”, Focus, Prishtinë 2007 (s’e di pse editorët e përcaktojnë në zhanrin e publicistikës) dhe “Vrasja e Lulit të Vocërr”, Epoka e Re, Prishtinë 2003 (përsëri s’e di përse editorët e vlerësojnë me përcaktorin roman).

Dilema ime për këto përcaktime nuk ka të bëjë me mungesën e dijeve letrare dhe as me mosnjohjen e çështjeve teorike. Ajo mbështetet nga bindja ime se materia letrare, sipas premisave të postmodernizmit, njihet e përimtohet mbi bazën konceptuale të lexuesit. Asgjëmangut, mbi këtë bazë unë e lexoj si roman edhe “Enigmën e një vrasjeje të trefishtë” sikundër gjej diskursin eseistik e publicistik edhe tek “Vrasja e Lulit të Vocërr”. Kështu më ka ndodhur qëkur, derisa kisha në dorë veprën e G. G. Markezit “Lajmi mbi një rrëmbim” ose “Rrëfimi i një anijehumburi”, të cilat, duke trajtuar tema me bazë ngjarjesh gazetareske nuk mbeten aspak nën hijen e romaneve më të mira të tij.

Duke përuruar veprën “Enigma një vrasjeje të trefishtë” në Prishtinë e Tetovë, unë pata rastin ta takoja autorin. Për çudi, asgjë ndryshe nga përfytyrimi që kisha për profilin e tij krijues. Madje, mund të them se më i saktë më bëhej përfytyrimi sesa dukje konkrete. Në procesin e parë unë kisha parë së brendshmi dramën e tij që i ishte bërë pjesë e jetës dhe peshën e tragjedisë e të heroizmit kombëtar nën jehonën dhe trysninë e të cilit vazhdonte të jetonte. Në procesin e dytë, në takimin e drejtpërdrejtë, unë shihja portretin e tij dhe hullitë e para të rrudhave që rrëfenin se ai i kishte qëndruar me durim peshës së trishtimit që i kishte rënë me tepri nga qielli i diktaturës.

Pavarësisht nga të dy rrethanat, në procesin e shkrimit, në procesin e ndërtimit të godinës letrare, ai çuditërisht është mbrojtur i paprekur nga ndikesat përftuese. Ndoshta është koracata e krijuesit, ajo mburoja e padepërtueshme që e ruan shpirtin fisnik të shkrimtarit! Në këtë vazhdë unë shoh edhe depërtimet e autorit në pjesët e padukshme të shtjellës së ngjarjeve dhe në strukturën e brendshme shpirtërore e mendimore të vetjeve e të personazheve të tij. Ç’them dhe unë, të personazheve të tij!? Po ata janë shokët, miqtë, vëllezërit, prindërit, bashkëveprimtarët, me një fjalë gjindja e tij. Duke shkruar për ta, ma thotë mendja, ai ndërton harkurën e gjëllimit të tij, e cila prish kufirin ndërmjet atij dhe këtij, ndërmjet autorit që rrëfen dhe narratorit që vetërrëfehet.

Personazhi
Mbase do të ishte më e drejtë që këtë pjesë ta formuloja me një titull në shumës, personazhet. Parapëlqeva, por, njëjësin si një emër përmbledhës brenda të cilit shoh çift – figurën Fehmi dhe Xhevë. Sigurisht që i kam njohur të dy. Fehmiun, ngjashëm me autorin e librit, e kam takuar shumë rrallë dhe sinqerisht nuk di ta shpjegoj fenomenin e afrisë sonë. Korelatat e ndërsjella, mesazhet e gjykimet për çështjet, pavarësisht rrethanave, vinin aq të koordinuara sa vështirë ta merrje me mend së përfundimet e ngjashme vinin nganjëherë nga skaje dhe largesa aq të mëdha. Po të vinte puna ta formuloje profilin e tij thjesht, shkurt dhe saktë, kujtoj se ai mund të portretohet me togfjalëshin profil i luftëtarit. Brenda këtij profili shoh të shkrirë madhështinë e jashtme: dukën, pahen dhe thellësinë e brendshme: urtinë, guximin. Me Fehmi Lladrovcin ke mundur të mos pajtohesh, të fjalosesh e kundërshtohesh, po kurrë s’ke mundur ta kesh armik.
 
Sepse s’të linte ai. Ai shpirt fisnik nuk dinte të urrente dhe s’ia njihte as tjetrit urrejtjen. Le mënjanë armikun e vërtetë ndaj të cilit ai ishte egërshan përfundimisht e përvdekshëm. Ai erdhi në këtë botë pikërisht më 25 maj të vitit 1956. Të qarat e fëmijës së porsalindur shoqëroheshin me klithmat e burrave, gjëma e të cilëve vinte nga torturat e udbashëve, që e sajuan Aksionin e mbledhjes së armëve. Mu në këtë “aksion” unë shoh fillin e gjenocidit serb: s’kishte burrë që nuk goditej në organet e ripërtëritjes.

S’ma thotë mendja se vjedh gjë nga Frojdi a Jungu, në qoftë se konstatoj se fëmijëria e Fehmiut mbruhej me frymën e moslirisë, me ndrydhjen e represionin e pushtetit që ndihej natë e ditë në kocin, në mishin e në palcën e njerëzve të shtëpisë. Është vetë natyra e gjërave që i krijon së brendshmi strukturat mbrojtëse të mbijetesës. Këto struktura vijnë e përmbarohen nga të zgjedhurit, nga ata që me hir a me pahir stolisen me epitetin e heroit.

Ka rreth një dekadë që kur kisha shkruar një ese për buzëqeshjen e Fehmiut: “ Ka më shumë se dy dekada që më vërtitet në kujtesë një distik i poetit Din Mehmeti nga Epitafi i Dëshmorit. Natyrisht, dëshmori nuk është në mesin e të gjallëve, por është mendimi krijues, është poeti që i jep zë deklaratës poetike dhe, ndërmjet saj, i jep zë edhe veprës së tij. Sipas kujtesës sime, deklarata poetike shfaqet kështu: Nuk kam dashur të jetoj/ Pa vdekur për këtë dhe. S’do mend se këto vargje ftillohen për dëshmorin e një lufte tjetër, por elementi përgjithësues i artit i bën të gjithëkohshme dhe të lexueshme për çdo luftë çlirimtare dhe për çdo dëshmor.

Vetë etimologjia e fjalës dëshmor (dëshmi, provë, akt vërtetësie) i jep kuptim bëmës, veprës, idealit të aktantit, i cili aktin e vetëmohimit e të vetëflijimit e sheh dhe e pranon si një detyrim të ndërgjegjshëm dhe të vullnetshëm ndaj tokës që e ka lindur. Dëshmori heq dorë nga jeta e tij, nga pjesa e jetës së tij që t’i japë jetë tokës (lexo: Nënës, Atdheut) dhe ky idealizëm sipëran atij i jep përjetësi në një përmasë të katërt. Deklarata poetike e këtij tipi në themelet e veta ka elementin e biofilisë. Dëshmori i vargjeve të cituara nuk thotë do të vras e do të pres, por thotë: “...do të vdes”, do të paguaj çmimin më të lartë për dheun tim, pa kërkuar asnjë kompensim.

Po kaq lapidare është deklarata poetike e komandantit të lavdishëm, Fehmi Lladrovci. Ai tha thjesht:
- “Po shkoj te komandanti im, Adem Jashari”.
- Ku?
- Në dasmë?
- Në kremte?
- Në aheng?
- Jo.
- Në vdekje.
- “Jeni i gatshëm të vdisni për Kosovën?” - e pyetën gazetarët e huaj.
- Ai buzëqeshi: “Ku ta kem atë fat!”.

Jo që unë nuk kam dëgjuar gjë më madhështore, por vetëm për buzëqeshjen e tij që përshkënditi atë çast në ekranet televizive botërore, në rrethana të tjera mund të bëhen studime e analiza. Ajo buzëqeshje, as tani pas dhjetë vjetëve, nuk më duket e kësobotshme. Që në çastin e parë të shfaqjes në ekran kam menduar se më nuk do ta takoj Fehmiun. Buzëqeshja e tij, krejtësisht eternale, ishte krijuar në një zonë hyjnorësie, e paprekshme për njerëzit e rëndomtë, një zonë ku ngjizet legjenda, ku kapërcehet pragu i të pamundurës, pragu i jetëvdekjes. Zaten në jetën e tij ka mjaftë shenja që ne vetëm tani mund t’i zbërthejmë pjesërisht: Rrezja e diellit mbi ballin e tij në gjykatore, numri i burgut 7942, shokët e qelisë që e prisnin, mosha e rënies 42-vjeçar, dasma... Ah, dasma!
 
Po sa dasma pati Fehmiu? Një, dy, tri... Erdhi nusja në shtëpinë e burrit... Po burri? Jo, ajo erdhi në shtëpinë e heroit epik e legjendar. Mungon Ago Ymeri, Ymri, Emri, një dimension i jetës. Mungon Fehmiu, por ndihet prania e heroit të legjendës. Dasma e dytë: Kthimi nga burgu, dasma e kësobotshme. Dasma e tretë: Dasma e përjetësisë, rënia e përbashkët. Prirem drejt bindjes se jeta e njeriut si dhuratë hyjnore na vjen me sasinë e zefirit dhe të ambrozisë së caktuar për secilin. Heronjtë, ndërkaq, duke e dendur atë masë energjie të perëndishme, duke i jetuar rrasshëm e tkurrin intervalin e përmasës së kohës së tyre të rrojtjes. Prandaj heronjtë kryesisht vdesin të rinj.

Vepra
Duke e lexuar dorëshkrimin “Përjetësia e dyfishtë” gjeta pikërisht kreaturën e heroit, të Bedri Islamit që jo vetëm i shëmbëllen modelit jetësor, Fehmiut, por është një interpretim së brendshmi. Shkrimtari ka kapur profilin e luftëtarit mu si fotografi pasionant që me një aparat të thjeshtë kishte kapur çastin e shkrepjes së plumbit, atë që quhet laudhë, rrugë e përshkuar nga plumbi pas daljes nga gryka. Unë nuk e di nëse ishte ai Xhon Milli a ndonjë tjetër, autori i fotografisë që zura ngoje pra, unë nuk e di nëse Bedri Islami parapëlqen të quhet poet, dokumentarist a romansier, por di të them se kjo vepër, pavarësisht zhanrit teorik e stilistik të prozës së eseistikës dokumentare, mund të quhet vepër letrare
në plotëninë e saj, me dramën, tragjedinë, epikën, lirizmin e intrigën tok me ironinë brenda. Struktura e saj thyen konventën kronologjike dhe didaskalitë e tjera teoriko-letrare.

Sa përshkruhen detajet e jashtme, papritmas ndërhyn fragmenti i letrës që mund të lexohet si dialog e monolog njëkohësisht; sa shfaqen vlerësimet dhe kujtimet e shokëve të heroit, kur befas, përmes prezentit historik shfaqet heroi në burg, në betejë a në ekzil. Ndërtimi i profilit të heroit, të personazhit, të luftëtarit pa praninë e tij të drejtpërdrejtë, ndërtimi i pranisë së papranishme është një shkathësi dhe mjeshtri e rrallë rrëfimore dhe tepër për lakmi e autorit. Nganjëherë kam mbresën se po e lexoj tekstin e një pastruesi të palimpsesteve, i cili shkruan e rishkruan sa dramën e personazhit, po aq edhe të vetvetes e të bashkëkohësve e bashkëkombësve. Gjithsesi një vepër e denjë që sa lartëson autorin në lagjen e krijuesve letrar, për aq i bën nder veprës së lavdishme të Fehmi Lladrovcit.

Dalja
Këto gjëra në njëfarë dore do të mund t’ia thosha autorit në disa radhë teksti me postën elektronike, por do të pandehej një kortezi sa për të thënë, madje edhe po ta fryja me përgëzime e lavdërime do të mund të lexoheshin si broçkulla që përtypen përditë dhe pambarimisht. Duke qenë rebel i pandreqshëm në këtë plan bëra mendjen top dhe, sikundër thashë më herët, duke hyrë në një zonë të furtunshme brenda trinomit autori – heroi – vepra, desha që si Migjeni “pash me pash t’i bie ferrit”. Ferrit tim shpirtëror. Këtu e kam fjalën. Duke i stampuar në libër këto gjykime të miat, mund të pranoj çfarëdo “mallkimesh” e kritikash, po assesi hipokrizinë.
_______________
Prishtinë, gusht 2008
………………..
• Këtë libër e boton - Shtëpia Botuese “Toena” në Tiranë. Përkujdesja grafike dhe kopertina e librit është punuar nga Adnan Asllani, ndërsa korrektimi letrar nga Elvana Tufa.
 
* * *
 
„Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme
_____________________________
 
Shkruan: Bedri Islami
________________________________

* * *
 
"Veç vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci". Adem Jashari, Drenicë, prill 1997
"Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor". Fehmi Lladrovci, prill 1998, Drenicë
"Zëri i popullit të Kosovës që kërkon liri, është më i fortë se krisma e gjithë topave të Serbisë të zbrasur së bashku". Xhevë Krasniqi-Lladrovci, nëntor 1989, Drenicë

...Pastaj mbi gjithë luginën kishte rënë heshtja. Ajri ishte i mbushur dhe i rënduar nga tymnaja e barotit. Nuk dukej asgjë, veç shtëpive që kishin filluar të ridigjeshin diku më larg dhe të dukej sikur befas lugina ishte shndërruar në një kazan të zjarrtë. Nga tymrat që silleshin sipër tij, pylli dukej sikur kishte filluar të lëvizte.
Ata kishin mbetur aty, bri njëri-tjetrit, dhe kjo kishte qenë zgjidhja e tyre. Nuk kishin dashur fat tjetër dhe nuk kishin kërkuar asnjëherë një fat tjetër. Fijet e barit lëviznin së bashku me erën dhe të dukej sikur kjo ishte lamtumira e fundit. Asaj i kishte mbetur njëra dorë pranë zemrës së tjetrit, sikur të kishte dashur t'ia dëgjonte rrahjet deri në fund.

Po binte mbrëmja. Do të vinte nata e parë pa ta, pastaj dita e parë. Megjithatë, gjithçka që kishte ndodhur asaj dite do të mbahej mend për një kohë të gjatë, ndoshta përgjithnjë. Kujtesa e kombit ishte hapur. Kishte qenë çdo gjë e natyrshme dhe, siç ndodh përherë në këto raste, gjërat e natyrshme janë edhe të përjetshme. Era vazhdonte të frynte mbi "Kodrën e Qëndresës". Poshtë ishte fshati, që në mëngjes ishte zgjuar me emrin Gllanasellë dhe në mbrëmje do të njihej me emrin Shkabë. Mes këtij shndërrimi mitik ishin ata të dy, pranë njëri-tjetrit, dhe pak më tej, dy të rinj që u kishin besuar deri në fund dhe që kishin qëndruar deri në fund. Zakonisht kështu nisin epikat e mëdha...
 
* * *
 
Fillesa e një dite epike
 
"Nuk kam pasë dëshirë ta mendoj Drenicën pa Fehmi Lladrovcin" - Adem Demaçi
"Fehmiu kishte lindë për me vdekë për Kosovën" - Ramadan Avdiu
Ishte mëngjesi i 19 shtatorit 1998, kur krejt zakonshëm dhe thjesht, si të fliste për diçka të kuptueshme, ai u kishte thënë shokëve të tij se, sipas informacionit që i kishte ardhur nga miqtë e tij në Prishtinë, në tri ose katër ditët e ardhshme, ushtria serbe do të sulmojë në shkallë të gjerë njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I kishte thënë këto fjalë ndërsa po ndizte cigaren e tij dhe ishte ndjerë i qetë. Kishte thënë po ashtu se ishte i bindur se sulmi më i furishëm do të ishte pikërisht në zonën operative të Drenicës. Pastaj kishte shtuar se, nëse dikush kishte patur dëshirë për të luftuar kundër ushtrisë serbe, ajo ditë kishte ardhur. Kishin qenë në dhomën e tij Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Sylejman Selimi, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra, Fadil Kodra dhe luftëtarë të tjerë. E kishin parë me vëmendje bacën Fehë dhe e kishin besuar plotësisht. Qetësia e tij, krejt e zakonshme, njëlloj si në të gjitha ditët e tjera, kishte hyrë tek ata dhe çdo gjë kishte qenë si zakonisht. Më pas, njëri nga miqtë e tij, Sami Lushtaku, në një natë maji, disa vite më vonë, në shtëpinë e ringritur nga hiri i luftës, do të më thoshte: "Kurrë më i qetë nuk kishte qenë baca Fehë."

Në mbrëmje kishte pasur disa mysafirë nga larg. Njërin prej tyre, gazetarin britanik Paul Wood, kishte disa muaj që e njihte dhe ishin bërë miq. Edhe të tjerët nuk ishin të panjohur. U kishte bërë vend në dhomën ku rrinin.
Kishin ardhur me Shaban Shalën, njërin ndër më të afëmit e tij. Kishte qenë përsëri një mbrëmje si gjithë të tjerat, pa asnjë lloj ankthi apo tendosjeje, gjithçka që ndjehej ishte nata e zakonshme e mesit të dytë të shtatorit. Të dukej sikur vinte erë mollë.

Shaban Shala tregon:
"Tri ditë para se të vinte 22 shtatori, kemi qenë në odë të bacës Tush, në shtëpinë e tyre të vjetër. Ishim me disa gazetarë anglezë, po bënin një film dokumentar, i kishte dërguar Bedri Islami. Oda ishte plot, si gjithmonë. Njerëzit flisnin e qeshnin, dikush pyeste për punët e luftës. "Shiko Fehmi, i thashë, largoju këtij vendi ku i keni pozicionet, ti je shumë i madh dhe mustaqet i ke shumë të mëdha. Çoji më të vegjëlit aty, çoje për shembull Asllanin. Për besë, je shumë i madh". E ka kuptuar humorin dhe e ka dashtë".

Mysafirët nga larg do të bënin edhe fotografitë e fundit, të cilat, shumë muaj më pas, do t’ua dhuronin familjes Lladrovci. Askush nuk do e dinte se pas këtyre nuk do të kishte foto të tjera. Paul Wood i kishte kërkuar të bënin një fotografi së bashku dhe kishin mbetur të fiksuar ashtu, të dy të hijshëm, Fehmiu pak më i gjatë se ai, mjekra i është derdhur deri afër gjoksit dhe, si të duan të thonë se gjithçka ishte normale, sytë janë të qeshur.

Tri ditët kishin shkuar. Ashtu rrëmbimthi, mbushur me shqetësimin e luftës, ecjet e shpejta nga njëri vend në tjetrin, pagjumësinë dhe përsëri rrugëtimin nëpër pozicione të ndryshme, fjalët e shkëmbyera shkurt me ushtarët, ndoshta ushtarët më të rinj të ushtrisë më të re në botë. Dhe me hallin e përhershëm të armatimit që mungonte. Njërit prej ushtarëve i ishte kujtuar se, në ditët e para, komandanti Fehmi Lladrovci u kishte thënë po ashtu qetësisht se "shumë prej nesh ndoshta nuk do ta presin lirinë e Kosovës. Ne jemi këtu jo vetëm të gatshëm të luftojmë, por edhe të gatshëm për të dhënë jetën për Kosovën. Mendohuni për këtë që ju thashë, dhe nëse jeni të bindur se jeni të gatshëm të jepni jetën, atëherë rrini. Përndryshe, do të thyheni".

Në tri ditë, Fehmiu kishte parë edhe një herë istikamet, ndërlidhjet, pozicionet, pikat, kishte rregulluar diçka dhe kishte bërë skicimet e fundit. Diçka që e kishte bërë vazhdimisht. Nuk kishte pasur asgjë të jashtëzakonshme në ato tri ditë. Vetëm herë pas here, komandanti i Brigadës së 114 të UÇK-së rrinte pak më gjatë në majën që ishte e njohur si "Kodra e Qëndresës" dhe, si duket, mendonte se ku mund të ishte më i përshtatshëm pozicioni i tij. "Ishte si përherë", do të më thoshte më pas baba Tush, kur do të mundoheshim të risillnim tri ditët e parasulmit. Shtëpia mbushej me njerëz, ai ishte përherë në lëvizje.

Kishte disa muaj në Kosovë dhe nuk kishte qenë veç pak ditë në shtëpi. Në tri ditët e fundit këtu ka fjetë. Këtu ka qenë edhe Fatime Hetemi. Ishte një luftëtare e re. Sapo i kishte kaluar të njëzet vitet, mbështetej shpeshherë tek supet e Xhevës dhe kishte gjetur mirëdashjen e saj".
"Kur i kam takuar për herë të fundit", ngulte këmbë në bisedë Osman Zhitia, babai i nderuar i martirit të madh Afrim Zhitia, "më kanë njohur edhe me Fatimen". E kemi vajzën tonë, më tha Fehmiu, e kemi bërë tonën". Nuk kishin patur fëmijë. Ndoshta njëra nga ëndrrat e mbetura në mes, por gjithë jetën i kishin dashur fëmijët si rrallëkush.

Ishin tri ditë të zakonshme. Në mesin e këtyre tri ditëve, ata kishin pasur njërën më të veçantë, 20 shtatorin, përvjetorin e fejesës së tyre. Mirëpo nuk kishin patur edhe aq shumë kohë të mendoheshin për të. Vetëm se në mëngjes herët, kur ishin ngritur, ajo i kishte thënë ngadalë, si gjithë ato vite që ishin bashkë se "sot është dita jonë”. Çdo gjë dukej e zakonshme, vetëm se në rajonin ku pritej të bëhej sulmi, kishte shumë më tepër punë, njerëzit nguteshin për t'i dhënë "dorën e fundit" përgatitjes së luftës. Ishte një lëvizje përherë e më e tensionuar, por ajo nuk ndjehej tek baca Fehë. Nuk ndjehej as tek Xheva. Nganjëherë diçka lëvizte në tiparet e tij, por ajo nuk kishte të bënte me luftën që pritej.

Ishte më shumë halli i njerëzve që do ta përballonin atë. Për disa do të ishte hera e parë. Ai i shikonte ata djem e vasha që i kishte zgjedhur vetë, mes qindra të tjerëve që do të kishin dashur të ishin aty dhe që kishte mundur t'ua jepte nga një armë. Disa javë më parë, kur u nisën për të sulmuar pikat e pozicionuara të ushtrisë serbe, kishin vetëm nga 15 fishekë. Ai u tha se 14 janë për armikun dhe i fundit, nëse nuk kishte rrugë tjetër, për veten.
Për të dy kjo nuk do të ishte lufta e parë. Megjithatë, kishte një veçanti: lufta tash kishte ardhur në truallin ku kishin lindur, ku u ishin gëzuar dasmave dhe lindjeve, prej nga ishin nisur në aksionet e para, ku krejt shkurt kishin patur pasmartesën e tyre; në ato vise gjithsesi të dashura, të cilat i kishin parë me sytë e mendjes edhe kur kishin qenë larg. As njëri dhe as tjetri nuk mund ta dinte se koha që u kishte mbetur, ishte mijëra herë më e shkurtër se ajo që kishte shkuar.

Fehmi Lladrovci donte të mbyllte gjithçka në vështrimin e tij, tepër i pazakontë dhe mrekullisht ngulmues. Krejtësisht pa dashjen e tij, ai do të ndodhej në ato tri ditë në të gjithë cepat ku kishte shkuar fëmijërinë e hershme dhe, vite më pas, kur njerëzit ishin përpjekur të rindërtonin tri ditët e fundit të para 22 shtatorit, thuajse të gjithë do të dëshmonin se e kishin takuar në ato 72 orë, do të kujtonin se mes gjithë asaj ndjesie që po ngrihej, ndërsa pritej ardhja e makinerisë së stërmadhe ushtarake serbe, ata kishin ndjerë qetësinë se e kishin pasur atë diku. Jo rastësisht, kur gjithçka filloi të ringrihej, njëri nga luftëtarët e tij, ndërsa rrinte dhe ndjente se i mungonte diçka, u kujtua, si për një mik të madh, i cili të ka lënë një zbrazëti të madhe, dhe më tha se "atë e kishim si bjeshkë para nesh". Ndjehej i ngushtuar, pasi i dukej se i mungonin bjeshkët. I dukej po ashtu se gjithçka ishte larguar.

Për Fehmi Lladrovcin, çdo trevëzim i kombit ishte njëlloj i shtrenjtë, ai ndjente dhimbje për gjithçka që fliste në gjuhën shqipe; e megjithatë, ai reliev para shtëpisë së tij, që zgjatej më tej, vargëzimi i çuditshëm i kodrave, njëra pas tjetrës, pylli që ishte në skajin e shtëpisë, zgjatimi i bjeshkëve përballë, mëngjeset plot dritë dhe mbrëmjet që binin të papërsëritshme, kishin diçka të veçantë edhe për të. Prej këtu ishte nisur të bënte detyrën e tij për Kosovën.

Nëse do të kishte patur kohë të bënte llogarinë e jetës së tij, duhej të ndjehej i qetë. Kishte bërë gjithçka që kishte mundur, deri në dhimbje; kishte duruar çdo gjë, edhe atë që mund të quhej e padurueshme, dhe tashti, kur po vinte ora e ndeshjes me ushtrinë serbe, në vendet ku kishte lindur, duhej të ndjehej i qetë.
Meraku i tij i madh ishte tek njerëzit që prisnin shumë prej tij. Ishte miti i kthyer në vendlindje. Që përpara se të rikthehej ai, ishte rikthyer miti i tij. Kishte patur disa herë mesazhe për ardhjen e tij, njerëzit e kishin patur të nevojshme këtë riardhje, si një mënyrë më shumë për t'u mbështetur diku, ku mund të mbaheshin edhe në çastet më të vështira. Ai kishte ardhur.

Njerëzit ishin ndjerë të qetë. Jo vetëm ata që thjesht kishin dëgjuar për të, por edhe miqtë e afërt. Njëri prej tyre, Hafir Shala quhej, ilegal i hershëm, do të thoshte se "tash po më pushon zemra qetë, se e paskemi prej mend. Deri tash e kam pasë frikën, sepse kemi pasë raste që me rënien e shokëve është shuar. Tash që Fehmiu u kthye, do të thotë se e kemi seriozisht".

Pastaj kishte ardhur 22 shtatori. Ishte diçka mes orës katër e gjysmë - pesë e mëngjesit kur e lajmëruan se forcat serbe dhe makineria e rëndë e luftës ishte vënë në lëvizje. Bishat e hekurta, në gjithëfarë formash, autoblinda, tanke, gryka artilerie, ishin nisur drejt Drenicës. Duhej thyer Kosova dhe për të thyer atë, duhej thyer Drenica. Për të thyer Drenicën duhej thyer Fehmi Lladrovci. Ishte një lidhje e njohur.

Në atë zonë nuk kishte pasur kurrë vetëm një kullë, një fis, një lagje apo një fshat për t'u thyer. Kishte pasur gjithnjë më shumë se kaq. Ishin Jasharët, lisa të mëdhenj, ata e kishin nëpërkëmbur furinë serbe dhe u kishin vënë pritën. Kur kishin rënë, kishin ndezur gjithë vendin. Më pas, njëri nga miqtë e mi, do të më thoshte se "kur kishte krisur pushka e parë e Jasharëve, në 30 dhjetorin e vitit 1991, ishte zgjuar Drenica; se kur kishte ndodhur rrethimi i dytë i tyre, në janarin e vitit 1998, ishte ngritur Kosova; dhe se më 5 mars, në fillimin e përjetësisë së tyre, ishte flakëruar krejt Shqipëria". Kishte qenë vërtet ashtu.

Mirëpo këto familje të mëdha të luftës, të vendosura brinjë më brinjë, shpeshherë shpatull më shpatull, si në vitet e hershme të Arbërit, nuk mund të ishin vetëm. Ishte krijuar një përmasë e jashtëzakonshme, ku secili, Jasharët, Lladrovcët, Lushtakët, Kodralinjtë, Selimët, Kiçinat, Krasniqët, Demakët, Dërgutët, Nurajt, kishin të veçantën e tyre. Të gjithë e kishin pritur se do të vinte një ditë lufte, baca Fehë kishte thënë se goditja e dytë, pas asaj të Llapushnikut, do të vinte shumë shpejt dhe si dukej, ajo kishte ardhur.

Dukej një mëngjes i zakonshëm, krejt normal, po të mos kishte qenë ajo lëvizje përbindëshi. Megjithëse ende nuk kishte filluar lindja e diellit, skajet e qiellit ishin përflakur. Ai priti pak deri sa të bëheshin gati Xheva dhe Fatimja, pa me kujdes nëse i kishte të gjitha me vete se çfarë i duhej për një luftë të gjatë, pastaj dora i shkoi instinktivisht në xhepin ku mbante paketën e cigareve. Edhe ajo ishte aty. I pihej një kafe, por nuk kishte kohë.

Baca Fehë kishte marrë në dorë snajperkën e tij, pastaj kishte folur me shokët. Kishte qenë një bisedë e shkurtër, ndoshta më e shkurtra nga të gjitha ata që kishte bërë ai. Tepër shkurt. "Lufta e re erdhi. Për hajr na qoftë. A ka ditë më të mirë se sot për me vdekë për Kosovën. Këndej nga jam unë, nuk kalojnë vetëm mbi trupin tim. Sa të jem gjallë unë, nuk do të kalojnë. E nëse kalojnë, ta dini se nuk jam më".

Xheva e kishte dëgjuar bisedën dhe kishte shtuar krejtësisht lehtë, si duke dashur t’ia thoshte vetëm vetes, kullës, në të cilën e kishte pritur kur ai kishte qenë shumë vite i burgosur; themeleve, që nuk do të mund të shqiteshin kurrë nga toka e të parëve: "Nëse kalojnë, kjo do të thotë se nuk jemi më".
Kishte folur në shumës, kishte folur në heshtje dhe askush nuk e kishte dëgjuar. Sami Lushtaku do të më thoshte më pas se e kishin besuar menjëherë, sepse e gjithë jeta e tij kishte qenë e tillë: e besueshme. Dhe ishte nisur.

Fehmiu, Xheva dhe Adem Demaçi
Ata ishin më shumë se të ndershëm, ata ishin virtyti.
Nganjëherë, një rast fatkob mund të ketë edhe disa nuanca të një rastësie fatlume. Nuk e kishte menduar se, pas një udhëtimi aq të gjatë, lidhur me pranga, përmbytur nga të nxehtët, krejtësisht të rraskapitur dhe gjithnjë me idenë se ku do të ishte qelia e ardhshme, në fund do të kishte një fillesë drite në fundin e tunelit. Nuk kishte as se si ta mendonte. Gjithçka lidhej me një njeri, i cili, edhe më herët ishte i njohur për të, megiithëse asnjëherë më parë nuk ishin takuar.
Jo rrallë ndodh që fatet e njerëzve të ndërlidhen me njëri-tjetrin nga rrethana të çuditshme, të pamenduara, krejtësisht jashtë logjikës normale të rrjedhës së zakonshme.

Burgu i Stara Gradishkës; i vjetër, thuajse me gjithçka të lënë pas dore, me birucat e errëta dhe qelitë e mëdha, me rregullat e ngurta dhe me rrethimin serbomadh nga të gjitha anët, me vetminë torturuese dhe ankthin e pritjes, kishte vetëm një të mirë, e cila bëhej edhe më e çmuar në gjithë atë që kishte ndodhur.

Në Stara Gradishkë gjetën një njeri që ishte prej kohe mit në mendimin e tyre politik, në thyerjen e dëshpërimit, në krijimin e vizioneve të vyera dhe thyerjen e iluzioneve të paperceptueshme. Një njeri, i cili, tashmë po bënte thuajse pjesën më të madhe të jetës së tij të ndërgjegjshme pas hekurave dhe megjithatë askush nuk kishte mundur ta thyente. Adem Demaçi, njeriu që ndjehej i lirë edhe pas hekurave, kur të tjerët ishin të robëruar, megjithëse mendonin se ishin të lirë.

Prej aty zuri fill miqësia mes këtyre dy burrave dhe, pas pak, në miqësinë e tyre, me brishtësinë dhe ndjenjën e motrës njëkohësisht, do të futej edhe një njeri i tretë, i po të njëjtave përmasa, Xheva. Është një trinom i shkëlqyer, të cilët plotësojnë tek njëri-tjetri gjithçka që mund të mendohej se duhet plotësuar; përmes të cilit rrjedhin ngjarje të njohura dhe përgatiten shumë nga ngjarjet që do të vijnë; rreth të cilit do të mblidhen shumë të tjerë, si pas diçkaje të domosdoshme; të cilin vitet që do të shkojnë nuk do e zbehin.

Jam i bindur se herët a vonë rrugët e tyre do të kryqëzoheshin një ditë. Do të ishte e pamundur për këta njerëz të mos ishin miq dhe vëllezër me njëri-tjetrin, të mos e ndjenin të domosdoshme praninë e shoshoqit, sepse, në fund të fundit, ishin nga i njëjti brum.
Demaçi sigurisht që nuk kishte dëgjuar më parë për Fehmi Lladrovcin. E shumta, ai mund ta kishte parë fotografinë dhe emrin e tij në gazetën "Rilindja”, gjatë procesit gjyqësor, por nuk besoj se i ka shkuar mendja, as atë ditë kur janë takuar për herë të parë në korridoret e burgut, se do të niste kështu një miqësi e jashtëzakonshme. Themeli i saj qe besimi. Ata besonin thuajse verbërisht tek njëri-tjetri. Demaçi ishte mësuesi, Fehmiu dhe Xheva do të ishin nxënësit. Ai ishte prindi, ata ishin pasuesit e tij. Demaçi ishte siguria, ata ishin vazhdimi. Baca ishte fjala, ata ishin sakrifica sublime. Demaçi ishte ëndrra e ndërprerë, ata ishin flijimi për hir të ëndrrës.

Demaçi ishte parafjala e qëndresës që do të vinte, ata ishin epilogu i përkryer i një qëndrese. Demaçi ishte hyjnizimi, ata ishin dishepujt e tij. Demaçi ishte njëri nga fillesat e mëdha, ata ishin një ndër aktet e mëdha drejt realizimit. Demaçi ishte deti i ndjenjave, ata ishin bregu ku përplaseshin këto ndjenja. Ai ishte urtësia, Fehmiu ishte stralli, zjarri ku përndritej urtësia. Demaçi ishte vuajtja, Xheva ishte motra që i heq dertet e vuajtjes. Demaçi ishte legjenda, ata nuk lejuan kurrë që të bëhej murimi i legjendës. Gjithçka ishte e frikshme rreth tyre, por asnjëri nuk kishte frikë. Ata ishin pjesë e ripërtëritjes së madhe njerëzore në mënyrë të papërkulshme. Por ishin me logjikë, me ndjenjë dhe me mendim. Kur janë së bashku logjika, ndjenja dhe mendimi, atëherë nuk ka zemërbutësi dhe thyerje për të arritur atë që do. Të tre donin arsyen, të drejtën, të ardhmen dhe të të treja këto, arsyeja, e drejta dhe e ardhmja i çonte pashmangshëm drejt lirisë së Kosovës dhe sakrificës për të.

Asnjëherë një mësues nuk mund të ketë gjetur dishepuj më të përkushtuar. Asnjëherë dishepujt nuk e kanë nderuar më shumë hyjninë e tyre. Nganjëherë ajo merrte edhe trajta të pabesueshme. Demaçi thoshte dhe besonte se "nëse këtë punë është "zharava” Fehmiu, atëherë është punë e paqtë”. Nuk pyeste se cila punë, nuk pyeste se cili është caku, ai e dinte se është një punë e mbarë dhe caku ishte Kosova. Këtë cak ata, në kohë të ndryshme, por në të njëjtën rrugë, e kishin përcaktuar së bashku. Nganjëherë ai shkonte edhe më tej, duke saktësuar se "tek askush tjetër nuk kam më shumë besim se tek Fehmiu" dhe si duket, e kishte provuar një gjë të tillë. Ishte e rrallë që një Mësues si Ai të jetë ndalur kaq gjatë dhe kaq mrekullisht në vlerën e një dishepulli.

Ata të tre besonin në pjellorinë e mendjes së tyre të çeliktë, besonin se çdo gjë është e drejtë, e ndershme dhe e ligjshme kur është në shërbim të së vërtetës. Kjo i bënte ata të mos ishin kurrë ekstremë, në të kundërtën i bënte shumë njerëzorë. Ata ishin më shumë se të ndershëm, ata ishin virtyti. Është një miqësi, e cila, duke u nisur nga një burg i sigurisë së lartë, u bë pjesë e mëtejshme e qëndresës së përbashkët. Ka një fillesë, por nuk ka fund. Vazhdon edhe sot...
Shfaqja e parë e saj është respekti. Të respektosh të afërmit është e natyrshme, të respektosh vizionin është hyjnore. Ata respektonin vizionin, idenë, mendimin, sakrificën, fjalën. Pra i respektonin të gjitha. Dhe ishte kaq e natyrshme, saqë zinte vend edhe në letrat e tyre.

Me 27 dhjetor 1987, në letrën urim për Vitin e Ri, jo vetëm për Fehmiun, por për të gjithë të burgosurit, Xheva shkruante edhe këto vargje:

Bacës,

idol – bir besnik i dheut të shqipes,
flakadan i pashuar i dijes e dritës,
në çdo vatër frymëzon në atdhe
Bacë - gjithmonë në zemër të popullit je.

Më 18 shkurt 1990, duke i uruar ditëlindjen, Xheva shkruan:

Urime bacë ditëlindjen

Rrofsh sa malet, rrofsh sa malet,
i nderuar ndrit në çdo vatër,
me ty rruga kurrë s'do ndalet
liria është më afër.

Bacë- shëndet të plotë e dita t'u bëftë njëmijë
Ardhmëria e një populli fshihet në gjoksin e shkrimtarëve të tij,
Cila është gjëja më e shtrenjtë e njeriut në jetë?
Është liria, atdheu – gjak i freskët në zemër të vet.

Dielli lind më shpejt nga mendja juaj flakadan,
Ideali na thërret në zemrën tuaj vullkan
Të merrni ditë nga jeta jonë dhe vjet
Ëndrrën e kahmotshme do bëjmë realitet:
Lulegjaku po shkruajnë emrin tënd të ndritur,
I shtrenjti ynë, baca Adem, n'zemër të popullit duke u rritur,
Nëpër rrugë e nëpër sheshe ku po rrjedh gjaku gurrë,
Ditëlindjen të urojnë me zemër mijëra lulëkuqe,
Jetë të gjatë-hero i gjallë-yll në flamur
E tërë toka e dheu rrjedh çelik për gisht e plugje
Një tufë lule nga Kosova- rrofsh o bacë sa bjeshkët tona.

Dhe më 21 shkurt, tepër e lumtur, ajo i shkruan Fehmiut:

"Sapo e mbarova një kartolinë urimi për t'ia dërguar bacës për ditëlindje, kur dëgjuam lajmin - u lirua nga burgu. Një gëzim i madh përshkoi zemrat tona. E paramendonim si një yll që vjen të ndritë çdo skaj të Atdheut, të zhdukë errësirën shumëshekullore që ka kapluar popullin tonë.
Lajmi për Bacën u prit me gëzim të madh. Atë natë, anë e kënd në trojet tona u dëgjuan të shtëna - jehonë në shenjë fitore, u ndezën zjarre, flaka e të cilëve shndriti deri në kupë të qiellit. Nëpër fshatra e qytete, nëpër shkolla e fakultete sot, kudo u tubuan masa e gjerë e popullit duke ngritur dy gishtat lart, zëri i popullit tonë kudo po jeton me emrin e Bacës Adem. Dielli sot lindi më herët nga gëzimi për Bacën dhe qielli na u duk më i kthjellët; dhe nënat e dëshmorëve uruan duke brohoritur; dhe gjaku i lulëkuqeve që ranë theror shkroi emrin e ndritur.

Kjo atmosferë gëzimi zgjati vetëm pak kohë. Re të zeza e të tmerrshme e mbuluan përsëri qiellin që na u duk i kaltër, e tani po derdhen në shi gjaku e breshër të llahtarshëm. Por në zemër të popullit je o Bacë e tërë Kosovën në këmbë e ke”. Çfarë mund të thuash për nderimin kur edhe dielli të duket se lind më herët, edhe qielli është më i pastër? Ndoshta ripërsëritja e thirrjes se "tërë Kosovën në këmbë e ke...”.
A ka pasur çaste të mërzisë? Natyrisht që ka pasur. Jeta është e tillë. Fehmiu nuk ishte i një mendjeje me disa çaste entuziaste të Bacës, pas daljes nga burgu se, "e lashë dimër dhe e gjeta verë” apo me Ballkaninë, por kjo ishte brenda tyre, ishte si një klithmë në vetvete, asgjë më shumë, sepse e dinte shpirtin qelibar të hyjnisë së tij. Ai nuk i rrëzonte kurrë hyjnitë nga piedestalet. Sepse ngrinte piedestale të fuqishme.

Një ngjarje e pasgjykimit
Do të përpiqem ta sjell atë, fjalë për fjalë, ashtu si më është treguar një natë në shtëpinë e familjes Lladrovci, nga baca Tush. Është koha kur ka ndodhur aktgjykimi, janë dhënë dënimet, gjithçka është bërë marramendshëm dhunshëm, të burgosurit janë rikthyer në qelitë e tyre. Është fillimi i kalvarit të jetës së të burgosurve, i cili, gjithsesi, është më i lehtë se ajo që ka shkuar.
Ndërsa jeta po fillon të futet në rrjedhinën e një boshti tjetër, që do të kishte veçantitë e saj, Fehmi Lladrovci mendon se kishte edhe një detyrë për të bërë. Ndodh gjithçka si në baladat e lashta.

Baca Tush:
"... pesëmbëdhjetë muaj pat vazhdue gjyqi, jo për herë të dytë, jo në
gjykatë qarku, jo në supreme, jo për herë të tretë. Jo për gja, për t'u pendue, por prap mbetën qysh janë kanë herën e parë, e pas një kohe, me thanë mot mot, ka qenë Fehmia në burg në Lepopllavë.
Pak kohë ka ndejë Feha në Prishtinë, prej Prishtine e patën çue në Gjilan dhe prej Gjilani në Lepopllavë. Në Lepopllavë më pat thanë "babë qysh mundesh me ma prue Xhevën në burg". Erdhi dita e vizitës dhe e kam marrë Xhevën. Pesëmbëdhjetë minuta nuk e kanë lanë Xhevën me hye, kërkoshin gjithfarë dokumentash, jo çfarë e ka, jo pse ka ardhë, e pas pesëmbëdhjetë minutash, kur Feha nuk deshi as mue me më pranue me hye, më tha se "nëse nuk lejohet kjo, as baba nuk ka çka lyp", atëbotë e pranuen.

Po i thotë Feha Xhevës:
"Xhevë unë jam dënue, burgu është i gjatë, i thonë dhjetë vite. Ndoshta shkon edhe ma gjatë. Mati hesapet, shikoji punët. Je për mue e lirë, për me shkue dhe me i gjetë vedit fat diku tjetër, ne prap mbetim shokë, edhe shokë të idesë, edhe të bashkëpunimit".
Atëherë kam vërejt se ka ardhë Xheva dhe është nxi dhe i ka thënë mrrolshëm: "Kurrë nuk e kisha pritë prej teje, o Fehmi Lladrovci. Kurrë, kurrë. Shiko Fehmi, jo dhjetë vjet, por edhe njëqind vjet të dënohesh, unë jam për ty e nuk të lëshoj kurrë".
E masandej Fehmiu po i thotë:
"Nëse është kështu, atëherë mirë".
"A është ashtu?"
"Po, ashtu është".
Atëherë Fehmia i ka thanë prapë:
"Vetëm me pëlqimin e babës dhe të vëllezërve, me pëlqimin e babës dhe të familjes tënde, prej sodit me shkue e me jetue tek familja ime, tek baba e tek nana ime".

Xheva i ka thanë mirë dhe jemi nda me këtë fjalë me njëri-tjetrin.
Jemi kthye dhe kemi shkue me të drejt në Drenoc. Jena shkue drejt me të tek Abdyl Krasniqi dhe i kemi tregue se qysh është puna. I kemi tregue si unë, dhe si Xheva. "Na ka thanë Feha se kjo punë kryhet vetëm me pëlqimin e familjes".

Atëherë Abdyli më ka thanë "rri sonte. Flas me familjen". Kemi ndejë dhe kemi bisedue. Në orën katër na ka shtrue një mëngjes dhe na ka thanë se sot Xhevën po e përcjellim nuse për në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit. Ka shtue se dhëndërr më të mirë kurrë nuk e kisha dashtë.
Familja ime nuk dinte asgja. E falenderoj Abdylin shumë. I falenderoj djemtë. Pak burra munden me e ba atë. Krasniqët e banë, kanë burrëri e kanë fjalë bese.
Atëherë kemi marrë rrugën me Xhevën. Kam ardhë në shtëpi dhe po u kallzoj vllezërve. Po u them se prej sodit Xheva është nuse tek na. Ishte e vështirë, me pritë një ditë e edhe një ditë, por ma e vështirë me pritë dhjetë vite.

Vllezërit u pajtuan me mue, u pajtue edhe familja ime. E donin Xhevën fort, fort e donin. Sa herë që kemi shkue për vizitë, në burg tek Fehmia, kemi shkue me Xhevën, kurrë nuk ja kam kalue vizitën deri në pesë javë, një muaj. Për mua si prind, as nuk e kam ditë mërzinë, me ardhjen e Xhevës si nuse dhe me burrin në burg... Kemi heqë nëpër udhëtime, jo se na kanë maltrajtue, por të lirë nuk kemi shkue. Mirëpo të gjitha ato i qofshin hallall, shokëve dhe djalit tim".

Vazhdimi i kësaj historie:
Kjo ishte, si të thuash paramartesa e Fehmi Lladrovcit, por ishte një gjë krejt e veçantë, e cila rrallë kishte ndodhur, nëse kishte ndodhur ndonjëherë. "Lidhjet organizative ne atëherë i kishim me Ramizin", tregon Ramadan Avdiu. "Ramizi dhe Shemsija (Istogu-Lladrovci) atëherë ishin ilegalë. Ndiqeshin, sidomos për organizimin e demonstratave të mëdha që kishin ndodhur në Gllogovc (Drenas). Kur shkuam t'i takojmë, mësova një fakt që rrallë e kisha dëgjuar. Xheva ishte si e fejuar dhe jetonte në familjen e Fehës".

Fehmiu dhe Xheva janë fejuar me 20 shtator 1985. Kjo është dita e fejesës së tyre, çka do të thotë se është një moment saktësisht 45 ditë para arrestimit të Fehmiut. Ai ndodhej në burg atëherë, megjithatë atdhetari Abdyl Krasniqi dhe bijtë e tij vendosën se dasma duhej bërë, nusja duhej të shkonte, sepse dhëndrri nuk ndodhej pas hekurave për marri e punë të këqija, por ndodhej për vendin e tij dhe kjo mund të pritej. Ndoshta edhe e kishin përllogaritur.

Edhe Abdyl Krasniqi e kishte dashur një dasmë të madhe, sepse Xhevën e kishte disi veçmas të tjerëve, sepse ishin jo thjesht babë e bijë, por ajo ishte edhe bashkëluftëtarja e tij. Dhe kështu nisi fillimin prologu i një dasme, me dhëndrrin qindra kilometra larg, për më tepër pas hekurave, një dasmë në të cilën krushqit ishin në burg ose ishin ilegalë, me një nuse që nuk do të shkonte asaj dite me fustanin e bardhë të nusërisë.
Xheva veshi kostumin karakteristik kuq e zi, në shenjë të nderit të gjakut të derdhur dhe për flamurin. Do të kishte një krushk me vete, i cili ishte njëkohësisht edhe vjehrri i saj.
Mori me vete, si një kujtesë të çmuar, edhe një amanet të të atit, Abdyl Krasniqit, disa vargje të cilat ia jep së bijës, Xhevës, kur e përcjell nuse pa dhëndërr:

"Me vete një krushk
një krushk, një njeri, një baba.
Xhevë është i yti prind
Në zemër mban një zjarr, një prush
Baba me emrin e nderit
E quajnë Tush.
Nga sot është edhe prindi yt
Pra ta duash fort,
Ta ruash si sytë".

E megjithatë, atje larg, krushqit e vërtetë nuk ishin ngrirë dhe nuk i kishin thënë shokut të tyre "me hajr nusja, hajt, mos u mërzit".
Ata kishin bërë diçka tjetër dhe këtë e tregon Fehmiu në letrën e tij të 16 gushtit 1986.

Ja se çfarë shkruan, mes të tjerave, ai:
"E shtrenjta ime Xhevë, dua të them se dasmën tonë e festova edhe unë me shokët. Isha shumë i gëzuar dhe i lumtur. Porsa mora lajmin nga ti, menjëherë e kuptuan shokët dhe më uruan me gjithë zemër, filloi dasma menjëherë, kush drutë e kush tenxheren, kush hallvën e kush sheqerin, kush gazin e kush hyzmetin, me një fjalë, dasmë e vërtetë që nuk harrohet për jetë.

Të ma përqafosh shumë Nënën time për mua, i bëj të fala nga unë dhe nga të gjithë shokët, baca (Adem Demaçi - shënim i autorit), e përshëndet duke i thënë të qëndrojë e fortë dhe krenare, sikur të gjitha nënat që i kanë bijtë dhe bijat në burgje për ideale".

Në përgjigjen e saj Xheva, tashmë nuse e panusëruar, më tepër bijë se gjithçka tjetër, i shkruante:
"...Isha duke lexuar në dhomë, kur hyri brenda Ramizi. Kishte shkuar posaçërisht për të marrë ndonjë letër në postë. "Nuk kish gjë", më tha porsa hyri. Se si më erdhi, por nisa përsëri të lexoj. Pas pak një zarf u gjend në librin që lexoja. Që në pjesën e parë të tij kishte diçka që ndryshonte nga ato të mëparshmet. Zemra më rrihte fort. E hapa shumë shpejt e nisa ta lexoj. Mbaja në zemër një mall të madh. Sikur letrën ta lexoja e vetme në dhomë, por kisha Nënën pranë. Ajo do të mërzitej më shumë, po qe se unë do të largohesha në dhomën tjetër. Filluam ta lexonim bashkë.

Kur isha duke lexuar letrën, të parafytyroja në festën e dasmës sonë, ashtu si e kishit festuar. Dramën e dasmës krenare, ashtu si e kemi përjetuar. Të shoh krenar e plot gëzim, të qeshur, gjithnjë më të dashur e plot besim për ardhmërinë e lumturinë tonë. Më vjen keq që në ato momente nuk u gjendëm pranë njëri-tjetrit.
Krenaria ime, Fehmi! U informova edhe për vendimin e gjykatës së shkallës së dytë. Gjithëherë kam qenë e sigurtë në vendosmërinë e krenarinë tuaj prej njeriu atdhetar. Tani edhe më shumë të dua. Edhe pse kam jetuar fare pak çaste të bukura jete, e dua jetën, e jeta ime është jeta jote. Pra, jeta jonë do të jetë pasqyrë besnike e ndershmërisë njerëzore.

Tani, në këtë moment, kur po përfundoj letrën, është ora një e natës. Jam ende zgjuar e rri vetëm me nënën. "A ke t'i thuash ndonjë gjë atij trimi", i thashë nënës. "I bëj të fala, tha, sikur ta kisha afër, do ta rrihja mirë bile". Qeshëm të dyja".
A nuk është një dasmë, apo një prolog dasme, krejt i pazakontë, krejt i veçantë, kur dhëndrri ndodhet disa qindra kilometra larg, nusja ndodhet në shtëpinë e tij, kur njëra pjesë e dasmës është në burg dhe pjesa tjetër në fshatin e lindjes së dhëndrrit? Ishte një ceremonial që zgjati gjashtë vite, mes tyre është pritja, por nuk janë ofshamat, është nusërimi, por më shumë është bijëzimi, dhe pas gjashtë viteve, të gjithë ata që ishin në dhomën e burgut e të tjerët rreth tyre, ishin krushq përsëri.

Një rrëfim për udhëtimin në Stara Gradishkë
Më shumë se 30 të burgosur politikë shqiptarë në Stara Gradishkë do të thotë më shumë se 30 familje shqiptare të Kosovës, nga të gjitha viset e saj, që duhej të merrnin rrugën e gjatë, të lodhshme drejt bijve të tyre.
Unë pyeta Bacën Tush se si shkonit në Stara Gradishkë.
"Në Stara Gradishkë gjithëherë kemi shkue me tren. U bashim bashkë disa familje e shkonim. Për herë të fundit kam qenë dhjetë ditë para se me u lëshue Feha prej burgut. Nuk më ka kallzue kurrgja, ndoshta nuk e ka ditë se po i lëshon Tugjmani. Veç më ka thanë se a kam pare me vedi dhe po i them se kam diçka. Kam mendue se i ka ndodhë ndonjë gja, po e pyes se çfarë i ka ndodhë, por veç po më thotë se, në paç në shtëpi ose në bankë, m'i dërgo me postë. Dhjetë ditë pa u lëshue ka qenë kjo.

Treni i parë ka qenë në orën 3 e 15 minuta prej Fushë Kosove. Udhëtonim gjashtë ose shtatë orë deri në Beograd. Kur udhëtonim me trenin tjetër, në orën 11 të natës, mbërrinim në Beograd në gjashtë të mëngjesit. Ky tren shkonte deri në Zagreb. Kur udhëtonim në orën tre e ndërronim trenin, kur udhëtonim në mbrëmje, ndërrohej vetëm lokomotiva e treni ishte po ai.

Kur shkonim në burg, shkonim me shokët, ishte dhoma e pritjes. Si shkonim aty, ata të burgut kërkonin kartelën, me numrat si ishin, ashtu e kishim pasë edhe vizitën. Me Fehën, krejt, krejt, veç dy vizita i kam pasë të lira. Veç në dy vizita nuk ka pasë polic e as përkthyes. Një polic që ka qenë prej Terstena, rrinte aty, e falenderoj, ai për mua ka qenë njeri i mirë, kur më jepte shenjë Feha për me folë, më thoshte fol lirisht, mos u druaj prej tij. Polici qeshte, polici kishte vetë vërejtje prej naçallnikut. Kemi heqë në udhëtime, jo se na kanë maltrajtue, por nuk kemi qenë të lirë. Mirëpo të gjitha këto u qofshin hallall shokëve dhe djalit tim.

Prindërit e të burgosurve qëndroshin mirë. Shkonim në vizita në burgje, krejt mundeshe me i dallue se kush ishte prej tonëve. I kam pa edhe kur janë takue me djemtë në burg, edhe kah dalim, nuk kam pa kënd tuj i dalë lotë, por vetëm tuj folë a tuj qeshë. E të tjera kombe i kam vërejtë, edhe kur hinin, ma së pari tuj qa, edhe prap kur dilnin, tuj qa e tuj bërtitë. Me shqiptarët nuk ka ndodhë kjo, kurrë, kurrë. Veç tuj qeshë.

Me tanë të burgosurit jemi përshëndetë. Na përshëndetshim me grusht, ashtu ishte atë botë. Aty ishte edhe Demaçi, e kam pa shumë herë. Ishte një korridor ku hynim dhe dilnim për me shkue në vizita dhe gjithnjë e kemi pa edhe bacën Adem, edhe shqiptarët. Shqiptarët ishin të gjithë me numër, si të burgosur politikë. Edhe kurrë nuk ka ndodhë që kur kemi hy në vizitë, të shkojmë më parë tek djali jonë. Për shembull, ishin vizitat e lira, kurrë nuk kemi shkue për shembull me u përshëndetë unë me Fehmiun, por secili, jemi përshëndetë më së pari me të tjerët, e masandej me djalin apo me vëllain. Kështu ka shkue. Kur kemi ecë në korridor nuk kemi mujtë me i takue të tjerët, por i kemi përshëndetë. Kurrë nuk e kam heqë kapuçin e bardhë kur kam shkue për vizitë. U gëzonte Feha dhe më thoshte se shumë po më gëzon se po vjen me kapuç të bardhë. Edhe shokët gëzohen, më thoshte. U shqetësonte se mos kisha ndonjë problem kah të kthehem, prej kapuçit të bardhë, por nuk kam pas.

Ka qenë një rast, ndoshta nuk është me e tregue. Në Varazhdin, ishim tuj pritë, kishim zbritë prej trenit dhe duhej me pritë për me shkue në Stara Gradishkë me tren tjetër. Duhej me pritë tri orë. Po vjen një djalë dhe po më thotë, ka thënë baba ejani pak se po ju kërkon. Isha me Ajetin, babën e Idriz Hysenit e shokë të tjerë. Nuk i dishim sendet, kohën e trenit dhe po i them se jemi mirë. Shkoi djali dhe erdhi edhe një herë. Po u them shokëve, eja të shkojmë.
Baba i vocrrakut kishte qenë tek dera e një dyqani. Kishte pasë aty plot njerëz. Na pyet se për çka jeni me pi. Na qiti. Po na thotë se për çka jeni me hangër. Po i themi se nuk kemi kohë. Na thotë se e di shumë mirë kohën kur ju vjen treni dhe shumë e mirë e di se ku po shkoni. Na shtroi bukë. U ngushtuam dhe si shqiptarë, deshëm të paguajmë. Na thotë, ky është qejfi im. Po më thotë Ajeti, baba i Idriz Hysenit: ja pamë hajrin kapuçit tënd".

Ktheheshin të ripërtëritur prindërit dhe të afërmit e Fehmiut, sepse kishin me vete fjalët që ua kishte thënë ai, ato fjalë që shumë natyrshëm do t’ua shkruante në një kartolinë, më datën 18 nëntor 1988. Është një kartolinë e zakonshme, një vazo me lule të kuqe gjak, në një sfond të errët. Në shpinë të saj duket vula e rrumbullakët "Stara Gradiska. 55435. 18.1.88". Në të Fehmiu ka shkruar: "Unë në burgjet serbe kaloj ditët më të ndritura të jetës, duke u nisur nga ajo se, "Edhe më i merituari i ka borxh atdheut, më shumë se sa ai atij". Këtë vazo me lule të kuqe ta dërgoj për Nëntorin tonë të Pavarësisë, për fitoret tona të reja, e ta përkujtojmë përherë me respekt e nder... Ardhmëria nuk matet me pasuri, por me vizione".

Në burgun e Stara Gradishkës, Fehmiu e ka quajtur veten një njeri me fat. Aty ishin shumë nga shokët e tij të dikurshëm, por mbi të gjitha aty ishte baca Adem Demaçi. Dhe kjo për të nuk mund të ishte burgim. Ishin vërtet ditë të vështira. Në një letër të tij, Fehmiu e ka përshkruar një ditë të zakonshme burgu:
"Zgjimi në orën pesë e gjysmë të mëngjesit. Një copë bukë dhe pastaj në punë. Punës ia fillojmë nga ora 7 dhe deri në 14.30 minuta. Kthim i lodhshëm, një drekë e vonshme e zakonshme, pas orës 15 e 30 minuta, më shumë me gjërat që kishin mundur të sjellin njerëzit e shtëpisë. Pas drekimit, dal në shëtitje, aq sa është e lejueme, pastaj leximi i gazetave, i librave, bisedat për situatat dhe për të ardhmen, ëndërrimi për t'u marrë me shkencë, ndërprerë dhunshëm nga burgimet dhe vetë çasti i ëndërrimit i ndërprerë nga thirrja për të të pyetur për diçka, pastaj izolimi i ashpër. Më ka marrë malli të lexoj një roman siç duhet. Në të vërtetë, kemi pak kohë dhe atë kohë që kemi, duhet patjetër të lexojmë shtypin.

Xhevë, tani duhet të shkruaj ca fjalë edhe për shokët. Baca është shumë mirë me shëndet, të falenderon për të falat dhe të përshëndet ngrohtësisht, edhe shokët e tjerë janë mirë, të përshëndesin. Kushëriri të bën të fala posaçërisht, me një respekt të lartë, të lavdëron shumë; e unë e nguc e ai vetëm skuqet e qesh. Atë ditë, kur mora letrën tënde të fundit, ishte ora 14 e 40 minuta, datë 19.05.89, porsa u kthyem nga puna. Ishim së bashku me
të gjithë shokët dhe më ftuan të marr letrën tënde. E pashë adresën, e dallova që ishte shkruar nga dora yte. E vërejtën edhe shokët, e filluan të ngacmojnë kushëririn, duke i thënë, shiko kushërirën tënde, sa kohë ka harxhuar vetëm me emrin. Si zakonisht, ai prapë u skuq dhe tha duke qeshur, se "boll inat po më vjen". Shokët qeshin e ai vetëm skuqet. Unë i thërras "mik" dhe të gjithë shokët më ngacmojnë, sidomos baca që më thotë, "sa bukur e thërret".
Çfarë mund të thuash tjetër pas kësaj letre? A mund të kishte kush dyshimin se mes këtyre njerëzve kishte filluar thyerja.
 
* * *
Fragmente nga dy letra ose respekti për shokët e tij
Të gjithë ata që në momente të veçanta të jetës së tyre, kanë qenë në të njëjtin burg me Fehmiun, sjellin në kujtesë, si relike që i kanë ruajtur me kujdes, dëshmi, fakte e ngjarje, përmes të cilave, edhe një herë krejt qartësisht vjen respekti për mikun, shokun, bashkëluftëtarin e drejtuesin e tyre.
Kjo është njëra anë. Tjetra ishte mendimi i Fehmiut për shokët e tij.
Si i ka përshkruar Fehmiu dy momente të natës së kalimit të Vitit të Ri ose, më saktë, respekti i tij për shokët e burgut...

4 Janar 1988:

"...po të shkruaj disa fjalë edhe për "Vitin e Ri", si e kaluam.
Edhe në këto kushte kishim ca momente gëzimi, duke u ulur në një tavolinë me shokë, të cilët edhe jetën në ferr ta bëjnë të lumtur e të gëzuar, shokë që nuk dinë për lodhje, dëshpërim e pesimizëm, por kokën plot, të fortë e të çeliktë gjithmonë. Edhe tavolinën e kishim "të begatshme", me ushqim që na e dërguan familjet, kishim edhe ca lëngje për t'i cakruar gotat, por vlen të ceku se më të begatshme ishin bisedat e rrëfimet tona, ku çdonjëri nga shokët rrëfente momente interesante nga jeta. Ishte një natë e gjatë, e begatshme dhe e gëzuar për ne...".

3 janar 1989:

"...ishte kjo natë kur ndahen vitet. Ishim ulur në një tavolinë me shokët më të dashur, me të cilët ndajmë çdo gjë, gëzimet e hidhërimet, të mirën dhe të keqen, por kurdoherë të dashur, të afërt e krenarë, pa u luhatur nga asnjë furtunë e acar. Tavolinën e kishim plot me gjëra ushqimore që na i dërguat ju të dashur, e bisedat sikur nuk kishin kufi, nga të gjitha fushat e jetës, nga kultura, tradita, historia e gjithë të arriturat e popujve liridashës, për të mirën e njerëzimit. Është kënaqësi të kalosh kohën me shokë të tillë, të cilët e kanë syrin pishë e zemrën barot. Bisedë pas bisede, arritëm tek tema e dashurisë, kuptohet është një temë shumë me rëndësi dhe e cila gjithëherë na preokupon, e shtjellojmë dhe e trajtojmë, ashtu si e meriton, e në mes të të tjerave, ka edhe ngacmime..."

Duke lexuar për herë të parë këta rreshta, jam krejtësisht i bindur se të gjithë shokët që kanë qenë në të njëjtin burg me Fehmi Lladrovcin, duhet të jenë të lumtur për përcaktimin, ngrohtësinë dhe mirëdashjen me të cilën i ka përshkruar ai. Duhet të ndjehen të lumtur, edhe një herë, që kanë pasur një shok si Ai, i cili, edhe në një letër të zakonshme, gjen rastin të bëjë përshkrimin e tyre, i cili, aq sa është njerëzor, është edhe i jashtëzakonshëm.

"Dasmën do ta bëjmë me flamur dhe flamurin nuk e japim". Fehmi Lladrovci, 2 shtator 1990, Shkabaj

Kishte ndodhë në ato ditë që disa dasma ishin prishë. Rrugës për në Pejë, dasmorëve u kishte dalë përpara policia serbe, u kishte marrë flamurin dhe i kishin futë ta shkelnin atë. Disa e kishin bërë, të tjerët, që nuk kishin pranuar, ishin rrahur. Çfarë do të bëhej në këtë dasmë? Nuk kishte asnjë dilemë.
Tregimin e dasmës me flamur e kam dëgjuar të njëjtë deri në imtësi, nga shumë shokë të Fehmiut. E kam dëgjuar nga Nuhi Ahmeti, Ramadan Avdiu, Abdulla Dërguti, Idriz Hyseni, Fatmir Istogu, nga baca Tush, nga shumë prej atyre që kanë qenë në këtë dasmë. Unë do të sjell vetëm njërin prej tyre:

Rrëfimi i njërit prej pjesëtarëve të shtëpisë Lladrovci:
"Vendosëm me shkue në dasëm me flamur kombëtar, flamurin e shtetit
amë, sepse Azemi Vllasi e kishte ndërruar flamurin në vitin 1987, i kishte vënë yllin e Serbisë. U vendos familjarisht. Feha foli me dasmorët: "Ne do të shkojmë në dasëm me Flamur Kombëtar. Askush të mos e ketë ndryshe në mendje. Nuk do të shkojmë me flamur të ndryshuar, do të shkojmë me flamur kombëtar dhe flamurin do e mbrojmë. Nuk do e japim për të gjallë. Do të shkojmë të armatosur, kush është i gatshëm le të vijë, kush është me dy mendje të mos vijë. Sepse sot do të japim edhe jetën e flamurin nuk e japim.

Shumica ishin të një mendjeje. Meqenëse kishte të paarmatosur, nga disa u tha se nuk kemi armë, por Feha i qetësoi se e rregullojmë atë punë. Adem Jashari, si shok i Ramizit dhe i organizuar, ka qenë i ftuar në dasmë, mirëpo kishte pasë një dasmë në lagjen e tij dhe nuk kishte ardhë. Biseduam me Fehmiun dhe ramë dakord që të shkohej dhe të bisedohej me Adem Jasharin. Pse pikërisht tek Ademi? Sepse ishte shok i vendosur, kishte armë, ishte i besueshëm, e donte flamurin dhe nuk kishte burrë t’ia hiqte.

Ramizi, së bashku me Fatmir Istogun, shkuan tek Ademi dhe biseduan me të. Ademi tha se "Jam i gatshëm, edhe pse kam dasmë në familje, do t’i lë të gjitha e do të vij me ju. Veç prisni pesë minuta, sa t'i marr armët dhe municionin". Ishte e diel paradite.
Ademi mori armët. Kishte një automatik, revole pesëmbëdhjetëshe, bomba dhe municion. Bashkë me të ka ardhë dhe Jakup Nura. Më përpara, Ramizi dhe Fatmiri ishin ndalë tek Jakup Nura në Prellovc. Jakupi ishte po ashtu dakord, ka marrë automatikun dhe revolen. Jakupi ishte i organizuar në LPK. Kur Ramizi kishte njohur Adem Jasharin, në vitin 1987, Jakupi ishte i organizuar.

Adem Jashari, Jakup Nura dhe shokët e tjerë erdhën në shtëpi. Jemi nisur për dasmë, morëm armët tona dhe të lagjes dhe disa që i kishte sjellë Shaban Zymberi, mik i yni dhe shok i organizuar në LPK, njeri shumë besnik dhe i devotshëm, dhe filluam me i shpërnda në fushë, haptas për çdo makinë. Makinat ishin rreshtue dhe bëhej ndarja e armëve. Nuk thoshte kush se nuk e dua, se ai që nuk e kishte dashur, nuk futej në makinë; dikujt revole, dikujt pushkë, dikujt bomba. Dhëndrri rrinte në shtëpi, sepse nuk e morëm, ishte mendimi se po krisi, mund të sulmohej shtëpia, Ramizit i lamë një pushkë snajperkë. Prej familjes shkoi Feha,
Meti, baba, Ymeri, Sabiti, të gjithë të armatosur.

Kur janë nisë prej shtëpisë, si zakon, kanë qitë me armë. Kur kanë shkuar tek miqtë në Polluzhë, rrugës, nën një lis, ka qenë një pizgauer dhe një autoblindë. Nuk kanë tentuar me i ndalë, është pa flamuri, ka qenë edhe një polic shqiptar me ta, njëfarë Arsimi i Prekazit. Duke u treguar flamurin, u ka thënë diçka policëve serbë. Dasmorët kanë pritë fillimin e zjarrit. Kanë menduar se do t’i ndalojnë për t’ua hequr flamurin. Nuk ka ndodhë. Ka mundësi që të kenë pasë informacione se njerëzit janë të armatosur.

Pas postbllokut të rojeve, as 500 metra, ishte shtëpia e miqve. Aty kanë qitë pushkë, kanë bisedue me miqtë dhe u ka thënë Feha, se ne kemi vendosë me e mbrojtë flamurin, dhe në rast se na del dikush prej policisë, kemi vendosur të luftojmë. Miqtë kanë thënë se gjaku dhe flamuri është i përbashkët dhe se do të luftojmë bashkë me ju.

Miqtë kanë marrë armët e veta dhe janë nisë me një makinë. U kanë prirë dasmorëve, për të qenë edhe ata gati për luftë. Kur është bërë "për hajr", para se me u nisë, kanë qëllue ndoshta të gjithë. Si duket nga krismat e armëve aq të shumta, postblloku kishte ikë dhe nuk dukej.
Miqtë janë Rrahman Istogu; vëllai i tij, Ismet Istogu ka qenë i organizuar në LPK.

Miqtë i kanë përcjellë deri në hyrje të fshatit.
Kur kanë ardhë krushqët në shtëpi, meqë ishim të njohur, Adem Jashari i ka thënë "mixha Tush, a ban nja dy a tri herë me ja krisë". Baci Tush i ka thënë po, atëherë i ka shprazë dy karikatorë deri në fund, nuk i ka mjaftuar vetëm një. E ka vazhdue Jakup Nura. Pastaj edhe të tjerët, gjithë vendi është mbushë me krisma. Luftë thue, jo se po martohet një djalë. Është ngritë katundi në këmbë, kanë menduar se policia u ra Lladrovcëve dhe kanë ardhur burrat me luftue. I kanë pa njerëzit të qeshur dhe të qetë... dasma kishte filluar.

Nuhi Ahmeti:
"Në makinën time ka qenë një moment më i veçantë. Është futur aty Adem
Jashari, Abdulla Dërguti dhe Jakup Nura. Jakupi ishte para, Adem Jashari dhe Abdullahu ishin prapa. Kur hinë, e dinim se do të ishin të armatosur. Kishte dy automatikë, një çantë plot me fishekë, kur i kemi vue prapa, është ulë pak makina. Makina jonë ka qenë e fundit, si në përcjellje të dasmorëve. Është vendosë të mos dorëzohet flamuri. Thuajse të gjithë kemi qenë të armatosur. Krisën automatikët në dasmë, miqtë u përgjegjën pushkë për pushkë.

Kur u kthyem, kanë marrë armët, municionin, duke e heqë i kanë rënë disa fishekë. Nuk i pashë. Kryem dasmën. Një pjesë e municionit mbeti tek unë. Kur u kthyem me Dulin (Abdulla Dërguti), nuk e dinim se çfarë kishim. Kur mbërritëm, më mori Fehmiu në telefon dhe më pyeti si shkuat. Mirë, i them. A kishit problem, pyeti përsëri. Jo, i thashë. A keni pa prapa se çfarë ka mbetë? Shkova dhe i gjeta. Nuk e kam ditë, deri sa është vrarë Adem Jashari, se e kam pasur në makinë. Kur shkuam ta shihnim, pasi u kthye Fehmiu, në Abri, me Idriz Hysenin, Shaban Shalën, Hafir Shalën dhe Hilmi Reçicën, tue bisedue ra fjala tek familja e Ademit. Më tha se ti e ke njohur, se ka qenë në makinën tënde tek dasma e Ramizit. Atëherë më janë kujtuar fishekët...".

"Askush nuk më ndalon dot të flas për UÇK-në". Fehmi Lladrovci, 3 mars 1998, Mynih

Le të sjell një shembull nga vitet e mëvonshme. Në fillimin e marsit të vitit 1998, ka qenë dita e tretë e muajit, Lëvizja Popullore e Kosovës në qytetin e Mynihut, ku asaj kohe dalloheshin shumë aktivistë si Selim Krasniqi, Afrim Emini, Sadete Zhitia (Emini), Menderez Zogu, Qemal Idrizi, Besnik Mehaj, i cili ishte i vëllai i Naser Idrizit, por kishte gjithashtu edhe një traditë të hershme familjare atdhetare, Remzi Shala, Vesel Qerkini, Abdyl Hima, Gani Lipe, kishin organizuar një tubim me bashkëatdhetarët dhe ishim ftuar, së bashku me Fehmiun, për të marrë pjesë. Nga Kosova kishin ardhur lajmet e para të disa vrasjeve dhe nuk ishte gjendje e qetë.

Sapo hyra në sallë, disa minuta më herët, Afrim Emini më tha se aty ishin edhe dy përfaqësues të shtetit gjerman, të organeve të specializuara të tij, të cilët kërkonin që para se të fillonte tubimi, të bisedonin me ata që do të flisnin. Shkova. Fehmiu nuk kishte ardhur akoma. Në një tavolinë, në qoshe, rrinin dy nëpunësit dhe përkthyesit e tyre. Biseda ishte e shkurtër. Sipas informatave që kishin marrë, kishin drojen se pas tubimit ne do të dilnim nëpër rrugët e qytetit, dhe ashtu si kurdët, do të fillonim thyerjen e dyqaneve, djegiet, ndoshta edhe të makinave e të tjerë. Iu përgjigja shkurt se kjo as që ishte menduar dhe se nuk kishte ndodhur ndonjëherë, ndaj informatat ishin të gabuara dhe qëllimkëqija.
 
Duam të besojmë, tha njëri prej tyre, por kërkojmë që në këtë tubim të mos flitet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një ditë më parë, një zyrtar i lartë amerikan kishte bërë një përcaktim të shpejtuar dhe thellësisht të gabuar për UÇK-në dhe si duket, jehona e këtij përcaktimi, kishte shkuar edhe tek organet gjermane. I thashë edhe një herë se ishin informuar gabim dhe se për kërkesën e tyre do të bënim kujdes, por ishte e pamundur të mos flitej për diçka që ekziston. Sidoqoftë, shtova, UÇK-ja nuk është cilësuar as ekstremiste dhe as terroriste, prandan nuk mendoj se biseda për të do të nxisë njerëzit.
 
Sidoqoftë, thënë të drejtën, isha disi i drojtur, në mos për tjetër, por tubimi mund të ndërpritej dhe jehona e kësaj ndërprerjeje do të merrej nga bashkëatdhetarët si shenjë e dëbimit nga shteti gjerman, ndërsa nga udbashët shqipfolës do të ishte një ditë feste. Nuk kam dashur kurrë t'i jap "kënaqësi" të tilla, por e mblodha mendjen të isha i kujdesshëm. Salla ishte e mbushur si asnjëherë. Pak minuta më vonë erdhi Fehmiu dhe i thashë për njerëzit e shërbimeve të posaçme gjermane që janë në sallë dhe për kërkesën e tyre.

Fehmi Lladrovci ishte i pari njeri që më ka thirrur "bacë" dhe ende nuk e di përse. Sidoqoftë më ka pëlqyer kur më ka thirrur kështu. Më ndërpreu butësisht:
"Bacë, ky është problemi më i vogël. Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të flasim sa të mundemi. Flakë do ta bëjmë. Mos u mërzit".
Pastaj shkoi tek dy njerëzit e ardhur nga informacione të rreme dhe diçka foli me ta. E pashë se ishte shumë më shkurt se biseda ime dhe se të dy të ardhurit u tendosën. Unë fola fillimisht në tubim dhe duhet të them se isha i kujdesshëm. Thënë të drejtën, ende kisha droje, sepse ndërprerja e tubimit nga autoritetet gjermane, nëse do të ndodhte kështu, ishte shenjë jo e mirë dhe dikush mund të revoltohej, megjithëse Fehmiu më kishte qetësuar me fjalët e tij. Pas meje foli Fehmiu dhe e bëri flakë mbledhjen. Nga fjala e parë deri tek e fundit ishte në mbështetje dhe në përkrahje të UÇK-së. "Kush është burrë dhe që e don Kosovën, sot ka ardhë koha me i diftue të dyja; edhe burrërinë, edhe sa bën ai për Kosovën".

Por nuk bëri asnjë thirrje për rebelim, asnjë thirrje për dalje në rrugë apo përmbysje, ishte një fjalë e mençur, pasi shumë kujdesshëm dhe ndoshta qëllimisht, falenderoi shtetin gjerman dhe parashikoi se një ditë ky shtet që kishte vuajtur nga fashizmi dhe nazizmi, më shumë se sa shtetet që kishte pushtuar në Luftën e Dytë Botërore, do të jetë i pari që do të na ndihmojë, se prania e dy përfaqësuesve të shtetit gjerman është shenjë besimi e mbështetjeje e jo shenjë dhune, se duhet t'i falenderojmë që ky shtet po mban në tokën e tij ndoshta gjysmë milioni shqiptarë, por tashti është koha t'i themi "ju faleminderit" dhe të kthehemi të luftojmë për vendin tonë, sepse Kosova ka tashmë zot, ka ushtrinë e vet, se kur burrat e Kosovës luftojnë, nuk na shkon ta çojmë jetën nëpër heimet (strehimoret) gjermane, duke pritur si lëmoshë ndihmën sociale. Pastaj tha se shqiptar i mirë është ai që dëshmohet i tillë edhe në jetën e përditshme, që e njeh ligjin e shtetit ku jeton dhe nuk ia nxin, por ia zbardh faqen vendit të tij. Dy përkthyesit i ndiqja tek bënin punën e tyre, por ndiqja gjithashtu se si po hapeshin fytyrat e vërejtura të nëpunësve të ardhur. Kur ai përfundoi, siç ishte e zakonshme atëherë e do të vazhdonte edhe më tej, njerëzit kërkuan të bëheshin pyetje.

Fehmiu ishte i prerë:
- Tash ka ikur koha e pyetjeve dhe e përgjigjeve. Tash ka ardhur koha e burrave. Kush është burrë dhe i thotë vetes se ka gjak shqiptari, edhe pyetjen, edhe përgjigjen, e bën në Kosovë.
Të pasnesermen është nisur për në Kosovë. Atë ditë nuk qëndrova gjatë me Fehmiun. Duhej të nisesha për në Shtutgart dhe udhëtova me Selim Krasniqin. Kur po ndaheshim, Fehmiu kishte qëndruar në një tavolinë në fund të sallës me disa bashkatdhetarë dhe po flisnin gjallërisht. I rashë në sup dhe i thashë se po shkoj. "Ndoshta takohemi shpejt", i thashë. Pak ditë më parë kishim qenë në një takim të përbashkët me Paskal Milon, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, pikërisht aty në Mynih, dhe meqënëse kishin filluar tubimet e pothuajse çdo fundjave me bashkatdhetarët, mendova se do të takohemi përsëri. Fehmiu u ngrit, diçka u tha shokëve që qëndronin me të dhe erdhi me mua deri tek porta e jashtme. Doli pak, më dha dorën, tjetrën e vendosi në supin tim dhe si asnjëherë tjetër, më tha:

"Atëherë, mirupafshim bacë. Nesër ose pasnesër unë ndoshta nuk jam më këtu. Mos më thuaj gjë dhe mos më pyet për asgjë. Ti e di se ku mund të
shkoj, do të vijë edhe Xheva. Tani nuk ka mbetë gjë tjetër veç kthimit. Dëgjohemi". Ishte takimi i fundit me të dhe shpeshherë më duket se e ndjej në sup dorën e tij dhe atë fjalën e fundit "dëgjohemi"...
Pastaj më tha diçka mes asaj që ishte lamtumirë ose mirupafshim, e dija se tash nuk kishte më kthim për të. Tek dera, disa metra më tej, prisnin dy nëpunësit e shtetit gjerman. "Nuk e kemi ditur kështu", - tha njëri prej tyre. "Kemi pasur informacion krejt tjetër dhe këtë e kemi pasur nga shqiptarët, nga bashkëvendasit tuaj". Më tregoi një letër, ku mbi ftesën tonë për tubim ishin shkruar edhe fjalë të tjera. "Po ta dinim kështu, nuk do të kishim ardhur. Fjalët që tha vendasi juaj, ai i gjati (megjithëse ia dinin mirë emrin, nuk ia thanë) do të kishim dashur t'i dëgjonin të gjithë bashkatdhetarët tuaj".

Disa muaj më pas kur, mjerisht, do të organizohej Tubimi i parë Përkujtimor për rënien e Fehmiut dhe të Xhevës, i cili pa dyshim ka qenë njëri ndër më të jashtëzakonshmit, me cilësinë e atëhershme të drejtuesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, mbajta fjalën e rastit. Kur po dilja nga salla, pikërisht ky nëpunës gjerman, i pranishëm, më ndaloi dhe më tha në gjuhën e tij: "Më vjen keq, vërtet më vjen keq. Ishte i jashtëzakonshëm".
Por Fehmiu u bë në radhë të parë i jashtëzakonshëm për bashkadhetarët e tij. Edhe ata që nuk i donin idetë e tij, dashje pa dashje, e kishin respektin ndaj tij. Ai të imponohej natyrshëm, edhe pse nuk e doje nganjëherë një imponim të tillë.

Fehmiu, Xheva dhe familja Jashari
Përgjithësisht, ata ishin dy njerëz të cilët emocionet e forta thuajse nuk i shfaqnin kurrë dhe nuk krijonin mite. Miqtë i kishin të shtrenjtë, e kishin dëshmuar këtë gjatë gjithë jetës së tyre dhe, mbi këtë dëshmi, mund të mbështeteshe pa asnjë lloj droje. Mirëpo nuk krijonin mite, ose më saktë, nuk krijonin mite të tepërta, të cilët, më pas, ndoshta do të duhej shumë mund për t’i shkulur.

Njëri nga dy mitet e tyre ishte familja Jashari. Saktësisht, ishte miti i parë i tyre, tjetri lidhej me Adem Demaçin. Askush nuk do të mund të kishte menduar, as edhe më i guximshmi, se në ato tri kulla në Prekazin e Poshtëm, bri rrugës së vjetër, do të ngrihej një legjendë. Kishin besuar në shumëçka, pasi e gjithë ajo që ishte shkruar në treqind vite, qëkur ishin hedhur për herë të parë themelet e vatrës së parë e deri kur historia filloi të shkruhej ndryshe, ishte një shtëpi që ishte shquar për dinjitetin e veçantë. Kishte qenë gjithmonë diçka që e kishte mbajtur këtë shtëpi në sinoret e ngushta të një trashëgimtari.
 
Një djalë do të linte pas vetes gjithnjë një djalë tjetër e më pas një nip. Brez pas brezi kështu, saqë ishte e vështirë të mos i mbaje mend brezat që kishin shkuar. Tashti kishte ardhë radha për të trefishuar vetveten, dhe kjo do të ishte e pazakonta e parë e Fisit të Jasharëve. Kur kishte qenë vetëm një djalë nga njëri brez në tjetrin, kishin ruajtur dinjitetin e Fisit, përkatësinë e fshatit, kishin gdhendur emrin në kujtesën e njerëzve, ndërsa tash, të tre bashkë, ishin bërë gati të gdhendnin gjithçka në kujtesën e kombit. Ishte hera e parë që jeta u kishte dhuruar këtë mirësi të pazakontë për ta e të natyrshme për të tjerët; trefishimin e emrit dhe kjo nuk do të ishte thjeshtë një rastësi. Si duket, koha kishte ardhur dhe ata e kishin thirrur kohën e tyre.

Adem Jashari ishte njeriu që do të bënte shndërrimin e historisë së një kombi. Nëse do të kishte qenë edhe ai fillikat, trashëgimtar i vetëm, do ta kishte pasur më vështirë, por tashmë ishin shumuar ata që mund të mbanin armët dhe ishte përndritur ideja që kishin pasur.
Ata ishin nisur në këtë rrugë me mendimin e qartë, logjikën e qetë, vizionin e saktë dhe me shpresën se janë në gjendje të ndryshojnë kahun e lëvizjes së një populli. Fehmiu e adhuronte këtë gjë, e kishte pjesë të jetës së tij; i dukej sikur ishte shkulur diçka nga vetja për të zënë vend pranë tyre. Adem Jashari ishte caku ku duhej mbërritur, ai deshi të bëhej një mjet për këtë cak; Jasharët ishin logjika e rendjes së gjërave, ai deshi të ishte pjesë e kësaj rendjeje; Adem Jashari ishte saktësia e shpirtit të popullit, ai deshi të ishte një copëz e tij; mes të dyve qëndronin shumë të përbashkëta dhe nuk kishte asnjë të ndarë.
 
Janë në njerëzit që nuk rrinë gjatë me njëri-tjetrin, por e thërrasin në kujtesë, kur është më e domosdoshme, vizionin e tjetrit; askush nuk mund të bënte më shumë se Jasharët për kombin e tyre, ai përulej para tyre si përpara askujt tjetër. Jasharët besonin tek virtyti, ai ishte pjesë e këtij virtyti dhe njëkohësisht, pjesë e besimit të tyre. Askund nuk ngjizi më shumë ideja për të ecur drejt, pa dredha, ndershmërisht dhe deri në fund.

Fehmiu dhe Xheva nuk e kishin fatin të ishin pranë njeriut që e kishin mit. E kishin mitizuar natyrshëm, sepse ishte i vetmi që i faleshin. Për ata dy njerëz që nuk e njihnin as përkuljen, ishte normale të faleshe ndaj mitit të tyre. Dy njerëz që kishin qëndruar gjithë jetën me pamjen e njerëzve që nuk e njihnin drojen, kishin një shembull që duhej ndjekur. Ai e dinte; nëse ai vetë do të ishte bjeshkë, Jasharët do të ishin vargmalet e përjetshme të kombit. Gjithnjë një bjeshkë, sado e lartë, është pjesë e një mali. Në këtë rast, ishte pjesë e një vargmali.

Megjithatë, ata patën një fat tjetër; nga varmali i atyre që jetonin në Kosovë ishte shkëputur një pjesë dhe kishte zënë vend përkohësisht pranë vendit ku jetonin. Në të gjithë mërgimin e lodhshëm, kjo ishte një nga fatbardhësitë e tij.
Lidhje shumë të afërta Fehmiu krijoi me familjen Jashari, e cila banonte po ashtu në Mynih. Ai e dinte se cilët ishin ata që po luftonin në Kosovë, e njihte prej së largu pushkën e Adem Jasharit dhe gjithë jetën e tij e kishte patur dëshirën të luftonte krah tij. Fehmiu dhe Adem Jashari lidhjet e tyre i kishin vendosur përmes Ramizit, por edhe i kishin forcuar me njëri-tjetrin. Duke e respektuar në gjithë përmasat e duhura familjen Jashari, ai konsideronte gjithnjë se themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte fillesën e saj pikërisht në qëndresën e kësaj familjeje, në dhjetorin e vitit 1991 dhe se e ardhmja e Kosovës do të lidhej me vazhdimësinë dhe shtrirjen e luftës. Respektonte, si një vëlla të madh Rifat Jasharin dhe ai ishte njeriu që e përcolli dy herë për në luftë.

- "Fehmiu fliste drejt, nuk kishte dredha", - më tregonte Rifat Jashari. "Fjalët i kishte të pakta, mirëpo fjalë burrash. Erdhi tek unë dhe filluam. Unë atëherë thoja se do të lirohet Kosova edhe me rrugë paqësore, Fehmiu thoshte se vetëm me luftë dhe nuk kishte rrugë tjetër. Dhe luante gishtin, sikur prekte pushkën. Haj, haj, fol unë e fol ai, shkoi bukur gjatë, por ai nuk hiqte dorë nga e tija. "Pushka i qan hallet, qarja i shton hallet", më thoshte. Unë, në fillim doja të besoja në lëvizjen paqësore, Fehmiu besonte tek pushka. Ai kishte pasur të drejtë. Ai u bë si vëllai ynë i katërt. Dua të them diçka. Ndoshta e di e ndoshta, jo. Kur ndodhi lufta në Prekaz (ai nuk e përmend rënien e njerëzve, sepse e mban brenda vetes) nuk kam derdhur lotë. Ndërsa kur u vra Fehmiu, atëherë po. Nuk e di as vetë se si ndodhi kështu, por kështu ishte".

(Ndërsa ai fliste, më është kujtuar Ilaz Sokoli, i ati i një martiri tjetër, i Bedri Sokolit, që ishte në ballin e demonstruesve të lëvizjeve të mëdha të nëntorit të vitit 1989. Më është kujtuar sepse edhe ai ka thënë të njëjtën
gjë: - Më është dhimbur djali, por jo aq sa Fehmi Lladrovci. Më shumë më është dridhur shpirti për Fehmiun dhe Xhevën.)
Duke pasur të shenjtë këtë Familje të madhe, mes tyre ai do të kishte idhujt e tij. Ademin dhe Hamzën. Njeri i drejtpërdrejtë, siç ishte gjithëherë, ai nuk mund të heshtte kur edhe gurzit më të vegjël mund të rrokulliseshin mbi ta, lëre pastaj kur mund të ishte fjala për gurët e mëdhenj.

"Një herë, më tregon Bekim Jashari, kur ishte pa ndodh ngjarja e marsit, kishte ardhë tek na një kushëri i largët bashkë me një shok të tij. Nuk e di pse kishte ardhë, i kishte ra rruga andejpari apo kishte ndonjë hall. Ishin ba aksionet e UÇK-së dhe njerëzit flisnin për to. Mirëpo dikush edhe i kishte sha djemtë. Njeriu që kishte ardhur me kushëririn e largët, si duket kishte dëgjue vetëm me njerin vesh dhe po thotë se "hajt mor se ka gja prej këtyre punëve. E kush po mundet sot me ia kthye pushkën serbit, lojë e tyne është kjo".

Ne ishim në shtëpinë tonë dhe nuk mund t'ia kthenim. Ishte edhe baca Fehë me Xhevën. Fehmiu duroi pak dhe iu kthye:
"A e din mor mik se në shtëpinë e kujt je? A e di se me kë po flet? Njeriu me të cilin po flet i ka dy vëllezër në UÇK. I ka dy vëllezër dhe gjithë shtëpinë e farefisin. Mati fjalët mik, se nuk e ke mirë dhe tash të dalin hesapet gabim".

Dëshira e jetës së Fehmiut ishte të qëndronte krah Adem Jasharit. Të ishte pushkë pranë pushkës së tij, dhe ky njeri që kurrë nuk kishte vënë asgjë mbi veten veç Kosovës, tani do të vendosë edhe njeriun, që kishte vendosë t'i dalë zot asaj. Më ka takuar një herë, në shtëpinë e tij, kur ai sapo ishte kthyer nga Shqipëria, të shoh disa nga fotografitë e para të Grupit të Drenicës. Më vonë, ato fotografi u bënë të njohura. Nuk njihja askënd, me përjashtim të Ilaz Kodrës, isha përhumbur duke i parë ata burra të armatosur dhe dëgjova zërin e Fehmiut që më thoshte:
"Qe bacë, kush janë burra, këta janë ata që i dalin zot Kosovës, e sa për të tjerët, tash e shohim, koha i vërteton të gjitha".

Edhe Jasharët kanë pasur nderimin e veçantë për të.
E kam vënë re shpeshherë Lulëzimin, birin e Ademit, se si i ndriste fytyra
kur vinte tek ata baca Fehë apo kur fliste për të dhe për Xhevën. Ishte ndjenja e respektit për vlerat e këtyre njerëzve, të cilët kurrë nuk kishin ditur të ndalen.
Një herë, kur Fehmiu dhe Xheva nuk ishin më mes nesh, ndërsa po flisnim me Lulin për vitet që kishin jetuar në një qytet me Fehmiun, ai më pat thënë krejt thjesht: "Bali Adem e ka dashtë shumë bacën Fehë. Nuk ka kurrë burrë më trim e besnik thoshte". Baca Fehë ka folë të njëjtat fjalë, si ka hyrë në vitin 1976, ato fjalë i ka folë edhe kur ka ra në burg, ato fjalë i ka folë edhe kur është kthye në Kosovë, ato fjalë i ka folë edhe kur ka vdekë. Ai ka pasë principet e preme, të sakta, nuk ka pa se mos i preket kush, por i ka shprehë principet e veta saktësisht".

Murat Jashari:
"Baca Adem ka pasë besim shumë të madh prej tij, deri në vdekje, thoshte, nuk ndahem prej tij. Lufta në Kosovë ka pasë shumë gjëra pozitive, por edhe negative. Në atë rast, kur kanë ardhë njerëzit tek bali Adem dhe i kanë thanë mos e prano Fehmiun, kanë qenë negative. Nganjëherë ne i lartësojmë njerëzit vetëm kur vdesin, baca Fehë është njohtë për i tillë, qysh kur ka qenë gjallë. Për familjen tonë ai ka qenë si Hamza, si Rifati, si Ademi, ka qenë një vëlla i tyre, një mixhë i joni. Im atë, Rifati, nuk ka qa kur i është vrarë familja, por e kam parë tek qante kur është vrarë Fehmiu dhe Xheva.

Luftëtarë ka pasë Shqipëria, ka qenë normale, edhe diplomatë, politikanë; por që t’i ketë këto të dyja një njeri, edhe luftëtar, edhe politikan e diplomat, ato, në këtë luftë, i ka pasë veç Fehmi Lladrovci. Fatin e kishte edhe tek bashkëshortja e tij, Xheva, që ishte edhe bashkëluftëtare e tij.
Baca Fehë ka qenë pjesëtar i familjes sonë. Pa qenë vëlla, nuk mund të thuhet se vetëm vdekja më ndan prej tij..."
Gjithë jetën e tyre, Fehmiu dhe Xheva kishin menduar dhe ëndërruar që familjet e luftës, familjet atdhetare, të ishin të lidhura fort me njëra-tjetrën. Kishte qenë një ndër synimet e jetës së tij. Kishte qenë gjithnjë i bindur se Lisi i Familjes JASHARI ishte i tillë që nuk mund të shkulej.

Fjala e parë publike në mbrojtje të luftës së UÇK-së
Asnjëherë nuk e kam ditur se në cilën përmasë të tij, Fehmiu kishte të mbrujtur idenë e qëndresës. E kam ditur fare mirë se kishte diçka të tillë, edhe se njëkohësisht ajo të imponohej, ndoshta edhe pa dashje. Mirëpo, të shumtë kanë qenë ata që e kanë ditur se ideja e qëndresës kishte qenë në thelb ideja e jetës së tij dhe se kësaj ideje ai i ishte përkushtuar i gjithi. Mirëpo, kjo nuk e ka errësuar njeriun, përkundrazi, i ka dhënë një plotshmëri të pazakontë.

Kur njeriu lexon letrat që Fehmiu ka shkruar nga burgu, më të shumtat për Xhevën, por edhe për prindërit e të afërmit, gjithëherë mund të gjesh drithërimën e shpirtit të tij, tepër i prekshëm, shumë njerëzor, saqë mund të të duket e pamundur se pas kësaj ndjenje mund të kishte qenë një njeri i përmasave, siç jemi mësuar ta shohim ose ta përkujtojmë atë. E njëjta gjë ndodh edhe kur ndesh në letrat e Xhevës, më të shumtat drejtuar Fehmiut kur ai ishte në burg, dhe të duket thuajse e pamundur se pas këtij shpirti lirik, tepër të ndjeshëm, ndoshta të ndjeshëm deri në tingëllim, ka qëndruar një njeri si Xheva Krasniqi-Lladrovci, njëra prej grave më të shquara të tërë kombit tonë.

Më ka takuar të jem si mik i zakonshëm tek ata, në atë dhomë që rrallë gjendej pa miq, por dhe ku shihja përkujdesjen e tyre për njerëzit, vëmendjen që gjithëkush të ndjehet si në shtëpinë e vet, i çlirët, kur ende sot mendoj gjendjen e veçantë që të krijonin, fjalët e mira, më duket e vështirë të bëj bashkë në një, njeriun e zakonshëm dhe përmasat e heroit. Mirëpo kështu ka qenë: ata të dy ishin tepër të butë, shumë të ndjeshëm në marrëdhëniet me njerëzit dhe me njëri-tjetrin, të vëmendshëm deri në hollësi për të bërë detyrën e mikpritësit, gjithnjë të kujdesshëm për të mos lënduar askënd, edhe kur pikëpamjet e tyre ishin krejt të ndryshme.

Pas shpirtit lirik, qetësisë dhe përkujdesjes, qëndronte shpirti i madh i qëndresës dhe kjo nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Shumë vite më vonë, kur në Familjen e Adem Jasharit kam parë disa nga regjistrimet familjare, duke vënë re se si Ademi luante me fëmijët e tij, priste dru ose hidhte vallen me hapin e kujdesshëm dhe njëkohësisht të rëndë, kam vërejtur të përbashkëtën mes këtyre dy figurave, padyshim nga më emblematiket në historinë e qëndresës së kombit shqiptar.

Ne gabohemi shpesh me portretizimin e heronjve. Duam të themi se ata nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse kanë luftuar dhe kanë menduar për luftën;
harrojmë se ata, duke qenë njerëzorë dhe të kuptueshëm, kanë bartë më mirë aspiratat e popullit që i takonin, duam të harrojmë se në jetën e tyre, ashtu si ka zënë vend fjala me peshë, ka zënë vend edhe e qeshura, edhe e kujdesura për shokët dhe miqtë, për prindërit, për të afërmit, ka zënë vend përkujdesja për shokët, për vendin dhe se e kanë pasur një përmasë të tillë dashurie e perceptimi, ata kanë ditur të luftojnë dhe të qëndrojnë. Fehmiu dhe Xheva ishin nga njerëzit që kurrë nuk e shfaqnin bujshëm përmasën e tyre të qëndresës, ata asnjëherë nuk janë mburrur se e kanë këtë përmasë, ajo u ishte bërë veti e natyrshme, dhe shfaqjen e tyre e kishin si diçka të natyrshme, të zakonshme dhe të kuptueshme.

Nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dega jashtë vendit, për herë të parë, në fillimin e vitit 1997, menjëherë pas rënies së Zahirit, Edmondit dhe Hakifit, u vendos që para se të zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm, të bëhej një demonstratë në rrugët kryeqytetit gjerman, Bon, dhe njëkohësisht, në përfundim të demonstrimit, të organizohej një miting në përkrahje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri atëherë nuk ishte bërë asnjë tubim dhe asnjë demonstratë e tillë. Në Kosovë kishin ndodhur lëvizje për të mbarë, ishin rritur ndjeshëm forcat çlirimtare dhe ishte kaluar në krijimin e tre zonave të para operative të luftës. E gjithë kjo kërkonte një mbështetje dhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës, por, për vetë kushtet, haptas dhe publike, kjo mund të bëhej vetëm nga dega jashtë vendit. Në Kosovë ishin burgosur prej vitesh disa nga drejtuesit e organizatës, kishin ndodhur arrestime të reja. Vendimi për një demonstratë dhe miting të tillë, nuk ka qenë edhe aq i lehtë, por zhvillimi i tyre kërkonte një impenjim më të madh nga të gjithë aktivistët.

Ishte e rëndësishme që kjo demonstratë të bëhej në mesin e Evropës, për të dëshmuar se nuk mbrohen ide të cilat nuk janë të denja për t'u mbrojtur; por edhe për t'iu thënë të gjithëve se shqiptarët në Perëndim janë me mendjen e tyre në Kosovë.
Një ndër organizatorët themelorë të demonstratës ishte Fehmi Lladrovci dhe kjo për shumë arsye. Demonstrata do të zhvillohej në një pjesë ku zhvillonte aktivitet nëndega e LPK-së për Gjermaninë e Jugut, ku ai ishte drejtuesi kryesor, duheshin marrë masa për zhvillimin e saj, si sigurimi i lejes, përcaktimi i itinerarit që do të ndiqej, përgatitja, miratimi dhe punimi i parullave dhe i pllakateve që do të shoqëronin demonstrimin, sigurimi i vendit ku do të bëhej mitingu, i mjeteve të fonisë, i dekorit të vendit ku do të ishin folësit, përgatitja e materialit kryesor.
 
Në pamjen e parë, të gjitha këto mund të dukeshin të vogla, por gjithësecila prej tyre kërkonte kalimin e shumë burokracive dhe sidomos përballimin e pyetjeve, ndoshta të kuptueshme, të autoriteteve gjermane, përse bëhej kjo demonstratë, në emër të kujt, cilët mbështesnin, deri ku shkonte mbështetja e tyre, kush ishin organizatorët, a do të ishte demonstratë paqësore apo do të kishte edhe eksese, dhe shumë të tjera. Nga kryesia e atëhershme e LPK-së, që ishte me shumicë në Zvicër, nuk mund të pritej organizimi i një gjëje të tillë dhe nuk ishte as detyra e saj.

Për herë të parë disa qindra vetë ishin mbledhur për të brohoritur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për të manifestuar udhëve të një qyteti në mbështetje të saj. Ne u grumbulluam në sheshin kryesor të qytetit, disa qindra veta, jo më shumë, por për atë fillim nuk na dukeshin pak, dhe demonstruam nëpër rrugët e qytetit. Kishte parulla të ndryshme, jo edhe aq shumë entuziazëm, siç dukej edhe nga prania e shtuar e organeve të rendit, që e kishin tashmë për detyrë të kujdeseshin për sigurinë, dhe pas një kohe të marshimit, u grumbulluam përsëri në një nga qendrat kryesore të qytetit, ku ishte vendosur një podium i vogël, më duket mbi karrocerinë e një makine.

Përsëri ishim vetëm disa qindra vetë dhe askush nuk është ndjerë i habitur kur fjalën e rastit e ka mbajtur Fehmi Lladrovci. Kjo ishte fjala e parë publike, e hapur, në Perëndim, në mbrojtje të vlerave dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse nuk ishte menduar kurrë se do të bëhej një luftë anonime, por një luftë e denjë, që kërkonte njerëz të denjë për ta marrë përsipër.

"Në momentin kur Fehmiu doli në foltoren e improvizuar, kujton bashkëluftëtari i tij, Adnan Asllani, ashtu i gjatë, trupmadh, me mustaqet e njohura, një pjesëmarrës në miting tha "Për besë, Mic Sokoli". Unë shikova edhe një herë, dhe për një çast, ashtu krejt padashur, edhe unë kam menduar se aty është ngjitur Mic Sokoli. Vetë rrethanat, atmosfera, bënë që më të krijohet ky vizion".
Fjala e tij ishte një fjalë zemre, rrallëherë e kam parë Fehmiun kaq të emocionuar, me sytë që i shkrepnin dhe njëkohësisht aq sublim. Njerëzit dëgjonin për herë të parë, krejtësisht hapur dhe burrërisht, t'u dilej në mbrojtje atyre që kishin vendosur të luftonin dhe këtë e dëgjonin nga një njeri që i kishin besuar gjithmonë dhe, që edhe më pas, do t’i besonin.

Tani, kaq vite pas kësaj ngjarjeje, dikujt mund t'i duket diçka krejt e natyrshme. Mirëpo nuk ka qenë kështu. Ka qenë për shumë vetë e panatyrshme. Ka pasur edhe "veprimtarë" që kishin frikë nga pjesëmarrja në demonstratë, që ngurronin të dilnin haptas aty ku jetonin, që mendonin se pas kësaj dikush do t’i quante ekstremistë apo mbështetës të terrorizmit. Ai nuk e kishte njohur kurrë frikën, ishte njeriu më i përshtatshëm për një fjalë të tillë dhe ajo kishte një jehonë shumë të ndjeshme.

Më pas erdhën edhe dhjetëra e ndoshta qindra tubime, pati mijëra e mijëra njerëz, për të shkuar deri tek manifestimi i jashtëzakonshëm i shqiptarëve në Rambuje, por fillesa është në atë miting të parë, zhvilluar në njërin nga sheshet kryesore të kryeqytetit të atëhershëm gjerman, Bon, dhe ku njeriu i parë që foli ishte Fehmi Lladrovci. Nuk kishte patur më parë mitingje të tilla, ata erdhën më vonë, ishin më të vrullshëm, u zhvilluan në të gjitha qendrat kryesore të kryeqyteteve europiane e përtej oqeaneve, kishte më pas kamera televizive dhe gazetarë të shumtë, folësit ishin të ndryshëm, shumica prej të cilëve kishin qenë miq ose bashkëluftëtarë të Fehmi Lladrovcit.

Është dashur jo pak burrëri të flisje atëherë në një shesh të hapur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, aq më tepër në sheshin kryesor të kryeqytetit gjerman. Për më tepër është dashur burrëri të flisje ashtu siç foli asaj dite Fehmi Lladrovci. I gjatë, tepër serioz, me pamjen e tij tipike prej shqiptari të moçëm, që i tërhiqte aq shumë të huajt, pa e pasur mendjen se kush ishte aty nga shërbimet e shtetit ku zhvillohej demonstrata, si kurdoherë i drejtpërdrejtë, ai pat folur gjatë, njerëzit e ndoqën vëmendshëm, dikush edhe i habitur nga guximi i fjalëve që dëgjoheshin, por mua më kishte mbetur në mend një fjalë e tij: "Nuk kemi asnjë shans tjetër për të qenë të lirë, veç Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse t'i bashkohemi asaj. Nëqoftëse e humbim këtë shans, brezat që vijnë do të na mallkojnë".

Fehmiu foli edhe për faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e të gjithëve, ajo ishte mbi idetë e cunguara të partive dhe duhej bërë edhe më tej, strukturë e të gjithëve. Fjalët e mësipërme i pata cituar në shkrimin e bërë në "Zërin e Kosovës".
Fjalët e thëna në atë miting, kanë marrë një kuptim shumë më të gjerë në vitet që erdhën më pas, sepse ato kishin pasur në vete edhe pjesë të shpirtit të tij intim; atë dëshirën e pashoqe për t’u rikthyer në Kosovë, tashmë ilegal, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmi nga një takim i veçantë

"Nëqoftëse qeveria e shtetit shqiptar nuk do të mbështesë UÇK-në, ajo do të bëjë tradhti kombëtare". Fehmi Lladrovci, Mynih, 28 shkurt 1998, në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Kushdo që mund të mendonte se çështja shqiptare në Kosovë do të mund të zgjidhej duke lënë mënjanë shtetin shqiptar dhe strukturat e tij, do të gabonte. Aq më tepër ai do të ishte i gabuar në një situatë lufte, kur porta e vetme kalonte nga Shqipëria londineze. Ndryshe nga luftërat e tjera në ish-Jugosllavi, ku mes palëve në luftë kundër forcave serbe nuk qëndronte ndonjë shtet amë, me Kosovën ishte ndryshe. Më shumë se gjysma e bashkëkombasve të tyre shqiptarë ishin në anën tjetër të kufirit. Me dashje ose pa dashjen e tij, shteti shqiptar u përfshi në rrjedhat e kohës dhe kjo ishte një gjë që dihej se do të ndodhte.
Themelore ishte se si do të përfshiheshin në këto rrjedha. Në drejtimin e tyre apo në të kundërtën e tyre.

Në fillimin e vitit 1998, kur socialistët kishin vetëm disa muaj që kishin ardhur në pushtet, ishin ende të kujdesshëm të merrnin përsipër drejtimin e rrjedhës së tyre. Në radhë të parë, të marramendshëm me hallet dhe problemet që kishte lënë pas viti i mbrapshtë 1997, ata ende nuk e kishin të qartë vizionin e Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë, dhe si duket, ende nuk i ishte dhënë drita e gjelbër nga diplomacia ndërkombëtare. Ishin të afërt, por ishin edhe të kujdesshëm.

Të dyja palët, edhe strukturat e luftës, edhe të shtetit shqiptar, kërkonin rrugë njohjeje dhe afrimi, por duke mos dashur të bëhej publikisht asgjë. Në këto rrethana, u takuan për herë të parë në Perëndim, disa përfaqësues të strukturave të Lëvizjes Ilegale Atdhetare dhe të UÇK-së, me përfaqësues të shtetit shqiptar.
Takimi u organizua në qytetin e Mynhenit nga Ramiz Lladrovci, në fundin e muajit shkurt 1998, në mbrëmje vonë, në një nga hollet e një hoteli, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zotin Paskal Milo. Në takim shkuam Rexhë Ibërdemaj, në atë kohë anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe i ngarkuar me problemet e shtypit, të informacionit dhe të lidhjeve me UÇK-në, Fehmi Lladrovci, unë-Bedri Islami, dhe Ramizi.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, ishte i interesuar për të pasur konktakte, qoftë edhe të pjesshme me strukturat e luftës në Perëndim. Ai erdhi në takim i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të tij dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Bon, Bashkim Zeneli.
Duke u nisur nga njohjet e mëhershme, i pari në këtë takim fola unë. Bëra përpjekje për t'i dhënë një pasqyrë sa më të mirë të gjendjes, përse dëshironim krijimin e lidhjeve të qëndrueshme me shtetin shqiptar, përse nuk kishte rrugë tjetër tashmë veç luftës së armatosur. I fola për vizionin tonë për luftën, mendimet që kishim dhe për besimin se shteti shqiptar do të bëjë detyrën e tij. Meqenëse në atë kohë në Shqipëri qeverisnin mjaft prej atyre me të cilët isha i njohur prej kohësh, shfaqa besimin se edhe njohjet që kemi do të jenë një shkas më shumë për të besuar se do të bëjmë më tej në të ardhmen.

Deri në atë kohë pak prej njerëzve në Shqipëri e dinin se unë isha bërë pjesë drejtuese, e më pas, edhe drejtuesi kryesor i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Zoti Milo më dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here pyeste për diçka. Pas meje foli Ibërdemaj, i cili i njihte më në detaje çështjet e organizimit të luftës. Përgjithësisht flitej për parime, për domosdoshmërinë e mbështetjes së shtetit shqiptar në luftën që mund të vinte, shumë më shpejt se sa mund të merrej me mend.
Impresioni i parë ishte se në qeverisjen e shtetit shqiptar ose kishte njohje shumë të pakta, ose njohja do të ishte e përqendruar në dy-tre veta dhe zoti Milo nuk ishte njëri prej tyre. Ai mbështeste mendimin, i cili dukej se ishte zyrtar, se qeveria ku ai bënte pjesë, mbështeste zotin Rugova, rrugën e tij, se nuk kishte angazhim konkret për strukturat e luftës. Ai ishte mirëdashës, ishte edhe i trazuar, dëshironte të dinte më shumë, por, edhe me taktin e diplomatit, ngulmonte se duhej mbështetur deri në fund, aq sa ishte e mundur, mundësia e zgjidhjes së problemit shqiptar në Kosovë pa luftë dhe dhunë.

U shtruan për disa orë me rradhë trajtime të ndryshme. Zoti Milo na bëri propozimin, i cili më çuditi më shumë se gjithçka tjetër, të pjesëmarrjes së Organizatës sonë dhe strukturave të luftës në zgjedhjet e 22 marsit 1998, duke na thënë se, nëse fitojmë zgjedhjet, atëherë edhe mbështetja e shtetit shqiptar do të jetë për ne; në të kundërtën, mbështetja do të ishte për fituesin e zgjedhjeve. U përpoqa t'i tregoja se vetëm fakti se je anëtar i Organizatës do të thotë disa vite në burgjet serbe, se një organizatë ilegale nuk ka të bëjë me farsën e zgjedhjeve që po përgatitej.

E theksoj, ishte dashamir, por hapësira që i ishte dhënë, ishte e ngushtë; ose nuk ishte krijuar ende hapësira e duhur. I vetmi njeri që nuk kishte folur, edhe pas pesë orë bisedimesh, ishte Fehmiu, që vazhdimisht shkruante në një bllok që kishte përpara.
Kur kishte kaluar ora një e natës, takimi kishte filluar në mbrëmjen e 27 shkurtit dhe kishte hyrë 28-a, Fehmiu kërkoi të merrte fjalën. Ishte i vrenjtur. "Ne e kemi vendosur të luftojmë, tha ai. Nuk ka rrugë tjetër".

Njëri ndër bashkëshoqëruesit e zotit Milo e ndërpreu, duke i thënë pak ashpërsisht: "Nëse keni vendosur të luftoni, atëherë përse po bisedojmë"?
Fehmiu e pa me cep të syrit, një herë nuk deshi t'i përgjigjej, por pastaj i tha shkurt: "Nuk po të drejtohem ty. Ti mbaj vendin tënd. Kam ardhur të flas me zotin ministër, për të cilin kam respekt. Pra, do të luftojmë, kjo është e vendosur. Nuk ka rrugë tjetër, vazhdoi ai, duke iu drejtuar zotit Milo. Problemi është se çfarë do të bëjë qeveria e shtetit shqiptar. Se çfarë do të bëjë populli shqiptar, atë e dimë. Pra, ju çfarë do të bëni: do të ndihmoni apo nuk do të ndihmoni"?
Zoti Milo filloi të argumentonte edhe një herë se shumë probleme mund të zgjidheshin pa shkuar deri tek lufta. Ishte mirëkuptues, dëshironte të mirëkuptohej.

Fehmiu vazhdoi:
"Lufta është më afër se sa mund të mendoni ju. Është krejt afër. Ne presim që qeveria e shtetit shqiptar të bëjë detyrën e saj. Ne e duam Shqipërinë dhe nuk duam asnjë e keqe t'i vijë asaj, por kjo është në të mirën e krejt kombit. Nëse ju nuk e bëni detyrën tuaj dhe e pengoni luftën çlirimtare të
vëllezërve tuaj në Kosovë, atëherë ju do të bëni tradhti kombëtare. Ne do ta fitojmë luftën edhe pa ju, por nëse shkon puna deri këtu sa të kryejmë punët me Serbinë, do t’u kthehemi atyre që tradhtuan. Rrugë tjetër nuk ka".

Pas këtyre fjalëve, ishte e vështirë të vazhdoje më tej.
Ministri Milo tha se punët nuk do të shkojnë deri këtu dhe më pas ai u dëshmua se e kishte për zemër mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shumë rrugë diplomatike janë hapur përmes tij ose janë organizuar përmes tij dhe Agim Fagut, ambasadorit shqiptar në Londër. Kam patur gjithnjë mendimin se ai ka qenë një ndër njerëzit më sinqerisht të interesuar në klasën politike drejtuese në Shqipëri për përkrahjen politike, diplomatike dhe në struktura të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai e përsëriti edhe një herë se punët nuk do të shkojnë deri këtu, se për të gjitha do të informojë shefin e qeverisë dhe shokët e tij të kabinetit dhe se do të gjenden rrugët e nevojshme për të mbështetur njëri-tjetrin. Ishte i emocionuar, ndoshta edhe nga fakti se ne folëm shumë sinqerisht me të, iu hapëm për shumë probleme dhe e donim ndihmesën e tij.
Kur po ndaheshim, ne qëndruam fare pak me njëri-tjetrin dhe ai më pyeti se cili ishte njeriu që kishte folur aq hapur. I tregova. Më tha sinqerisht se këta njerëz e meritojnë lirinë. Më tha se do të bëjë gjithçka është e mundur për të hapur rrugët e duhura. Pastaj më tha se edhe mesazhin e fundit, ashtu siç e kishte marrë, do ta çonte tek shefi i qeverisë.

Tre muaj më pas, kur kryesoja përfaqësuesit e LPK-së në takimet me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, njëri prej tyre më tha se mesazhin e takimit të Mynihut e kishte marrë dhe e kishte vënë në mendime, natyrisht për të mirë, shtoi pas pak. Ky ishte Fehmi Lladrovci, njeriu që fliste hapur e burrërisht, edhe kur fjalët dukeshin se ishin të rënda.
 
Kur fillojnë e thyhen netët e marsit
Pragnisje:
Në mëngjesin e 5 marsit ai ende nuk kishte vënë gjumë në sy. Ishte ende natë, njëra nga netët e errëta të fillimit të pranverës, në një cep të
Gjermanisë së poshtme. Kishte pritur gjithë kohën njerëzit që kishin vendosur të niseshin me të. I pari, nga Duisburgu, një qytet i largët, kishte ardhur Xhemë Gashi. Kishte blerë një veturë të vjetër, "Benz", ngjyrë të bardhë dhe kishte thënë thjesht: "Shkojmë deri në Shqipëri me të dhe pastaj ua lëmë shokëve që merren me furnizimin. E di se kanë nevojë për të".

Pastaj kishin ardhur të tjerët, njëri pas tjetrit dhe kishin ardhur krejt si zakonisht. Ai ishte përpjekur të dallonte diçka të veçantë tek ata, por nuk e kishte gjetur. Ishte ndjerë i qetë dhe kishte thënë me vete se nuk kishte gabuar në zgjedhjen e tyre. Kishte qenë i bindur për këtë, çdo gjë që kishte rrjedhur deri atëherë ia kishte dhënë këtë besim, megjithatë, ka një moment, një çast, kur ndoshta edhe për pak kohë, mund të luhatesh. Disa prej tyre po linin në shtëpi familjet, kishin fëmijë të vegjël, ja, Xhema për shembull, mendoi ai me vete, kishte një djalë 5 vjeçar, Samiu po ashtu. Nuk ishte e lehtë t'i lije vetëm e të niseseshe për në luftë, për më tepër në një luftë që ishte vetëm në fillimet e saj.

Prej ku po niseshin e deri në kalimin e kufirit, në dy anët e të cilit flitej shqip dhe kjo i dhimbte atij më shumë se çdo gjë tjetër, ishin më shumë se 1500 kilometra rrugë, do të kalohej përmes tre shteteve, pastaj deti Adriatik. Nuk ishte një udhëtim i zakonshëm.
Nata e mbrëmshme kishte qenë e gjatë, tepër e gjatë, njëra prej netëve të cilës nuk i dihej as fillimi e as fundi. Ishte më shumë një ditënatë. Pas dy a tre orëve do të fillonte të zbardhte, por atëherë ai do të ishte në fillimin e vargmalave të Tirolit Jugor.

Të gjithë të tjerët po flinin. Burrat në një dhomë, në dhomën tjetër ishin Xheva, Shema dhe fëmijët. Kur mendonte për ta, fëmijët, ndjente gjithmonë një shtrëngim malli. Diçka i bulonte vrullshëm në veten e tij. Nuk ishte mungesa e fëmijve. Kudo që shkonte, ai merrte pranë fëmijët e vegjël dhe luante e fliste me ta, sikur të ishin të njohur prej vitesh. Kur e shikoje ashtu, të madh, burrëror, pasi më parë kishe dëgjuar bisedën e tij, e kishe të vështirë të besoje se ishte i njëjti njeri. Edhe një natë përpara kështu kishte ndodhur. Fëmijët e të vëllait, Ramizit, i kishin ardhur të katërt pranë, ai më shumë donte vajzën, ndoshta edhe nga emri, Kosovare. Pastaj djemtë, sikur ta ndjenin se do të kishte një largim, nuk donin të iknin. Vajza kishte shkuar tek dada Xhevë. Ndjeu përsëri afërsinë e tyre
dhe e dinte se atje larg, vetëm mallin e tyre do të kishte.

Shokët filluan të zgjoheshin. Poshtë prisnin tre makina. Natën që po shkonte ai i kishte thënë Xhemë Gashit se ai dhe Xheva do të udhëtonin me të. Aty do të sistemonin edhe uniformat ushtarake dhe pajisjet e tjera.
"Nëse ndodh gjë në kalimin e kufirit apo gjatë rrugës, do të themi se janë vetëm tonat. Të tuat dhe të miat. Të tjerët le të vazhdojnë rrugën".
"Mirë”, tha Xhema, krejt qetësisht, si të ishte fjala për të bartur diçka të zakonshme.
Kur u nisën, qyteti ishte ende në gjumë. Fashat e dritave të makinave çanin errësirën. Në çdo orë që kalonte, ata i afroheshin vendlindjes. Nuk ndjenin asnjë lloj mërzie që po iknin.E vetmja keqardhje e tyre ishte se Kosova kishte qëlluar aq larg.

Tashmë ajo ishte larg me kilometrat që kishin përpara. Dhe me padurimin për të mbërritur, gjithnjë në përpjesëtim të zhdrejtë me dëshirën.
Ishin nisur. Edhe një herë bashkë. Xheva rrinte dhe shikonte peisazhin përreth. Nuk do t’i shihnin më këto zgjatime malesh që rendnin nëpër terr. Gjithçka do të mbeste pas, vite të shkuara, dhimbje e kaluar. I vinte keq që me disa nga miqtë e tij nuk kishte arritur të ndahej, por kjo nuk ishte edhe aq e rëndësishme. Kishin mjaft kohë përpara.
"Çikë, po shkojmë”, i tha ai ngadalë Xhevës. Kishte gjithçka në ato krejt pak fjalë.
"Po shkojmë”, tha edhe ajo dhe ai e ndjeu se kjo kishte qenë gjithnjë dëshira e saj. Nuk i vinte keq që po iknin. I kishte ardhur keq vetëm kur kishin ardhur...

Fragmente nga një bisedë me Hashim Thaçin
"Për Fehmiun kisha dëgjuar shumë herët, qysh kur isha në vitet e para të studimeve, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, për angazhimin e tij, si i burgosur politik, për qëndrimin e pathyeshëm në burgjet jugosllave, për rezistencën që kishte zhvilluar në Kroaci kundër ushtrisë serbe. Të gjitha këto i kisha dëgjuar nga shokët e tij: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Shaban Muja, etj. Mirëpo, personalisht Fehmiun kam takuar në verë të vitit 1994 në Gjermani, tek i cili qëndrova disa ditë. Aty për herë të parë e kam takuar edhe Xhevën, bashkëshorten dhe bashkëluftëtaren e tij të pandashme. Kishte vite që ne njiheshim indirekt, nga të tjerët.

Familja Lladrovci vazhdimisht ka qenë e përkushtuar ndaj çështjes atdhetare. Fehmiu u burgos në mes të viteve të tetëdhjeta, kurse vëllau i tij, Ramizi që herët ishte i inkuadruar në lëvizjen klandestine të kohës. Unë, në fillim të viteve 1991 dhe 1992, kam qëndruar shpesh në familjen Lladrovci, ku së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë kemi biseduar për organizimin e rezistencës së armatosur. Gjithsesi, duhet ta theksoj kontributin e babait të Fehmiut, bacës Tush, i cili për ne e kishte të hapur gjithmonë derën e shtëpisë dhe na ka strehuar dhe ushqyer në çdo kohë.

Unë: Si ndodhi kalimi i kufirit në marsin e vitit 1998?

"Kadri Veseli dhe unë kishim përvojë të kalimit të kufirit. Kalimi i kufirit me Fehmiun, Xhevën dhe me atë grup, ishte përjetim i veçantë. Kur arrita në bazën më të afërt pranë kufirit, sepse ndërkohë isha i angazhuar në një punë tjetër, mbeta i mahnitur kur Fehmiun dhe Xhevën i pashë të veshur në uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte trupgjatë, njeri shumë serioz dhe me përkushtim të veçantë. Kalimi i kufirit ishte mjaft i vështirë, sepse nga fshati Vllahën i Hasit kaluam nëpër Bjeshkët e Pashtrikut, gjatë tërë natës, në acarin e fillim marsit 1998, për të arritur në Demjan të Hasit. Në Demjan, gjatë ditës, u strehuam në një pyll të vogël dhe qëndruam gjatë tërë kohës. Kjo duhej bërë për të mos rënë në sytë e njerëzve lëvizjet tona.
Pas hyrjes në Kosovë, Fehmiu luajti një rol të rëndësishëm në forcimin dhe organizimin e UÇK-së, në sajë të përvojës së arritur në luftërat e Kroacisë dhe të përgatitjes ushtarake që kishte përfituar atje.

Ndërkohë, Fehmiu zhvilloi një intervistë me gazetarin e BBC-së, një paraqitje tashmë e mirënjohur për publikun e gjerë, në të cilën shfaqi konceptin e tij, vizionin dhe vendosmërinë e luftës së UÇK-së. Edhe më parë Fehmiu kishte paraqitje mediale, por në intervistën e BBC-së ishte më i plotë, sepse ishte brenda strukturave të UÇK-së. Aty shihet qartë se sa i besonte drejtësisë së luftës Fehmiu. Ajo intervistë u shndërrua nga mesazh medial në simbol të vendosmërisë dhe forcës së karakterit të Fehmi Lladrovcit dhe UÇK-së”.
 
E vërteta për intervistën e famshme të Fehmiut ose përfaqësimi i parë medial i UÇK-së në botën e jashtme
 
Në mes të 10 marsit dhe 22 shtatorit 1998, ka mjaft prej atyre ngjarjeve të cilat e bënë edhe më të përkushtuar jetën e Fehmi Lladrovcit, njëkohësisht edhe më të njohur emrin e tij. Njëra prej tyre, ndoshta nga më të njohurat, është edhe intervista, në cilësinë e komandantit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhënë gazetarit të njohur britanik Devid Lloid, dhe transmetuar në kanalin televiziv BBC World, në maj të vitit 1998. Në të vërtetë intervista është përgatitur në fundin e muajit prill.

Është fillimi i pranverës së vitit 1998 dhe ende nuk ishin bërë të njohura strukturat e UÇK-së, ende nuk ishte ngritur Drejtoria Politike e saj, dhe nuk kishte të emëruar zëdhënësin e saj politik. Duke mos patur lidhje të tilla, pra një adresë se ku mund "të trokitej", gazetari britanik, ashtu si shumë të tjerë, ende nuk e kishin gjetur rrugën drejt frontit të luftës. Nga ana tjetër, ata që ishin në luftë, shpeshherë nuk e dinin se me cilët kishin të bënin, se sa të besueshëm janë ata që po shkojnë, sa mund t'u besohet dhe sa të saktë do të ishin më tej. Në fund të fundit, gjithçka ishte në fillimin e një shtrirjeje masive të radhëve të UÇK-së, saqë koha e mbetur për të kontrolluar sa nga vijnë dhe ku shkojnë gazetarët e huaj, ishte shumë e paktë. Pikërisht këtu qëndron edhe shkaku i disa keqkuptimeve që ndodhnin me gazetarë të huaj, por ndoshta kjo ishte edhe më mirë, sepse jo rrallë ishin bërë përpjekje që edhe përmes "shtypit" të penetronin në zonat e luftës njerëz të lidhur me qarqet e luftës së Serbisë. Kjo nuk kishte ndodhur vetëm me dy "gazetarë" francezë, por edhe me një njeri tjetër që ishte paraqitur si gazetar i lirë hollandez, e në të vërtetë ishte krejt i huaj për shtypin.

Lajmi se një gazetar britanik në Drenicë kishte ardhur përmes lidhjeve me Jashar Salihut, kryetar i Fondit "Vendlindja thërret" dhe nënkryetar i LPK-së, do të ishte disi i papritur në zonën e parë operative. Ende ishte gjithçka në ringritje. Nga ana tjetër, kjo do të ishte intervista e parë nga zonat e luftës, duhej të ishte domosdo një paraqitje sa më dinjitoze të ishte e mundur. Askush tjetër nuk mund ta bënte këtë më mirë se sa Fehmi Lladrovci.

Dikush i propozoi që në intervistë të jetë i maskuar, të vendosë një maskë në fytyrë. Nuk e pranon, e refuzon preras dhe thotë se nuk është kthyer në Kosovë që të jetë anonim dhe nuk ka pse të fshihet. Ai është këtu në vendin e tij dhe për vendin e tij. Ka njëfarë hezitimi nga ai që propozon. As që e kishte menduar ndonjëherë se mund të fliste me maskë për luftën e popullit të tij. Ende është droja se mos ky njeri, edhe kështu kaq i mitizuar, do të bëhet edhe më "i madh", dhe nuk do të dihej nëse do t’i pëlqente gjithkujt një afishim i tillë. Në fund të fundit nuk ka rrugë tjetër. Ai është nga të paktët që mund të bëjë këtë. Bien në një mendje, edhe sepse në thelb, edhe ai do të dëshironte të ishte ashtu siç e kishte menduar Fehmiu. Një baticë-zbaticë e fjalëve të dikurshme do të jetë gjithnjë e pranishme.

Ai është serioz, si gjithnjë. Për herë të parë në jetë, ndoshta edhe për të hequr një pjesë të mallit për mikun e tij të dikurshëm, Adem Jasharin, ka lënë mjekër. Nuk e ka më atë shikimin e menduar që kishte patur dikur, sepse nuk kishte asnjë brengë më, ishte më i qetë në gjithçka që kishte mbartë me vete dhe çdo gjë e tij shpreh një siguri të jashtëzakonshme. Ishte më i shëndoshë se kur kishte ikur nga Perëndimi, sepse halli i madh i moskthimit i ka rënë nga supet.

Në të vërtetë, është pak i emocionuar, e di përgjegjësinë e madhe që ka marrë mbi vete dhe që njëkohësisht i kanë besuar shokët e tij. Ai e di po ashtu se BBC është një nga mediat radiotelevizive më prestigjioze në të gjithë botën. Në të njëjtën kohë ky është edhe përfaqësimi i parë politik i UÇK-së në botën e jashtme. Para saj, askund, nuk është bërë një intervistë nga zonat e luftës, e edhe më pas, ato do të jenë të pakta, dhe asnjëra prej tyre nuk do të ketë jehonën e saj.
Nga ana emocionale, kjo intervistë ka një ndër momentet më madhore të Fehmiut, ose më saktë të afishimit të idealit të tij.
 
Gjatë gjithë intervistës ai ka qenë tepër serioz, disi i vrenjtur, ushtarak i lindur, i bindur në atë që thotë, por edhe duke e ditur se kjo do të ishte një luftë e rëndë, e ashpër dhe e përgjakshme. Ka këtu një moment i cili, si të thuash, e dritëzon krejt intervistën në anën emocionale dhe ideore të saj, dhe ky shfaqet pas pyetjes së gazetarit britanik: "Keni kaluar një kohë të gjatë në burg politik. A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?"

Ky është i vetmi moment që Fehmiu shkëputet nga serioziteti i tij dhe flet gjithçka që kishte në shpirt; buzëqesh me një dritë të veçantë dhe përgjigjet: "Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta. Të gjithë ushtarët e UÇK-së janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë në duar që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe asnjë nuk do ta kursejë jetën. Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më imadh jetësor".
 
* * *
 
Fragmente nga intervista e Komandantit të lartë të UÇK-së Fehmi Lladrovci, transmetuar në kanalin televiziv BBC World
 
"Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor"

Pas një kohe kaq të gjatë të pritjes dhe të rezistencës paqësore të udhëhequr nga I. Rugova dhe partia e tij (LDK), përse e patë të domosdoshme t'i merrni armët në dorë?

"Shqiptarët kanë pritur shumë kohë për të kuptuar se nismat dhe veprimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, rezultuan kundër popullit shqiptar në Kosovë. Sot, ky popull aspiron çlirimin përfundimtar nga fashistët dhe çetnikët serbë. Periudha e viteve të rënda 1981-1990 është mjaft e njohur edhe për opinionin evropian dhe për atë amerikan. Megjithatë, tragjedia e mijëra bijve dhe bijave të Kosovës, burgosjet dhe torturimet e tyre nga regjimi jugosllav kaluan në heshtje. Gjaku i derdhur në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve nuk u muar fare parasysh. Politika "paqësore" kosovare, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, i cili tash e tetë vjet sillet nëpër zyrat e Evropës dhe të Amerikës, nuk solli gjë konkrete. Nuk ka gjë prej kësaj politike... Nuk i kemi marrë armët në dorë nga dëshira, por kjo është një domosdoshmëri. Pa një organizim të tillë askush nuk do të na dëgjojë, as Evropa, as SHBA-të.

A mendoni se Evropa dhe SHBA mund të angazhohen ushtarakisht në Kosovë?

"...Nëse ndodh diç e tillë, atëherë do të jetë si zakonisht tepër vonë, kur gjaku do të derdhet deri në fyt..."

Për serbët, ju jeni "terrorist"...

"...Mirë, le ta argumentojnë serbët vetëm një akt të "terrorizmit" të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. ...E ne mund t'i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe, mbi popullin e pambrojtur shqiptar. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm, i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i morëm në duar për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit çetnik dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë.

Për çfarë luftoni?

"Për çlirimin përfundimtar të Kosovës".

Por sot shqiptarët janë në përgatitje të ekipit negociator. Ka të ngjarë që ky ekip mund të pranojë edhe një trajtë të autonomisë në kuadër të "RFSJ"-së. Sa do të ishit të gatshëm të pranonit një gjë të tillë?

"Assesi, natyrisht. UÇK-ja nuk pajtohet me asnjë zgjidhje, përveç pavarësisë së plotë të Kosovës”.

A synoni të merrni pjesë në bisedime?

"Po, jemi të gatshëm të bisedojmë me Serbinë. Por, vetëm për kufijtë. Për asgjë tjetër”.

Përderisa ju luftoni nëpër male, nuk duket të ketë ndonjë krah politik në Prishtinë?

"UÇK-ja në radhët e veta ka drejtues politikë, mirëpo në Prishtinë nuk e kemi krahun politik”.

Keni kaluar një kohë të gjatë në burg politik. A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?

"Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta. Të gjithë ushtarët e UÇK-së janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë në duar që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe asnjë nuk do ta kursejë jetën. Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor”.

Meqë shumë rrallë mund të dëgjohet ndonjë fjalë nga ju, çfarë do t'i porositnit botës me këtë rast?

"Mendoj se është turp për Evropën demokratike, që sot të ekzistojë një pakicë serbe, e cila synon t'i nënshtrojë 90 për qind të popullit tjetër në Kosovë; që këtë ta ushtrojë përmes terrorit të paparë. Problemi i Kosovës nuk është problem i komplikuar, çfarë tentojnë ta paraqesin faktorët ndërkombëtarë. Është problem që mund të zgjidhet fare lehtë: çdo popull i botës, përmes konventave ndërkombëtare, ka të drejtë për vetëvendosje dhe për pavarësi. Këtë të drejtë e ka edhe populli shqiptar, i cili në Kosovë ka mbi dy milionë banorë. Nuk kërkojmë as më shumë, as më pak se popujt e tjerë të botës. Do të shtoja edhe një gjë, meqë edhe Amerika edhe Evropa i adresohen së tepërmi parimit të mosndryshimit të kufijve. Jugosllavisë tashmë i janë prishur kufijtë. Është themeluar shteti slloven, shteti kroat, shteti boshnjak dhe ai maqedon.
Si u bë e mundur që Maqedonia të dalë aq lehtë nga shteti jugosllav, duke pasur brenda vetes mbi 40 për qind shqiptarë? Këto i marrim padrejtësi të bashkësisë ndërkombëtare, andaj jemi të vendosur të luftojmë deri në fund për çlirimin e Kosovës. Nuk ka forcë që të na mposhtë...”

Po aftësinë e armatimit. A nënkupton arsenali juaj edhe armët anti-tank dhe ato kundërajrore?

"I kemi të gjitha armët e nevojshme për vetëmbrojtje. Kemi edhe armatim kundër tankeve dhe sistemeve kundërajrore. Jemi të bindur se do t'i rrëmbejmë të gjitha armët që gjenden në duart e çetnikëve, meqë arma më e fortë për çlirimin e një populli është morali. Këtë moral Serbia nuk mund ta vrasë me asnjë armë. Ajo nuk mund ta shuajë vullnetin për liri...”

A po rritet numri i pjesëtarëve të UÇK-së, meqë më herët keni pohuar se morali çdo ditë është më i madh?

"Çdo terror shtetëror ka reaksionin e vet në popull. Populli është i gatshëm që njëzëri t'i përgjigjet thirrjes së atdheut për shpëtim kombëtar. Vullnetarët tanë arrijnë çdo ditë dhe numri i tyre është maksimal. Vullneti i popullit për liri është më i madh se kurdoherë, pikërisht për shkak të
shtypjes dhe terrorit serb. Pas masakrës së Prekazit, i gjithë populli i Kosovës u bë i gatshëm të luftojë për atdhe..."

Marsi i luftës: Kosova apo pragu i shtëpisë?
Njeriu që po hynte në Kosovë në mëngjesin e dhjetë marsit të vitit 1998, së bashku me pesëdhjetë shokë të tjerë, kishte në vete një dhimbje të madhe, që kishte rënduar mbi të më shumë se pesha e dëborës apo hija e rëndë e Bjeshkëve të Namuna. Në këtë rrugë, pikërisht duke u nisur nga i njëjti fshat, Vlanë, ai kishte filluar rikthimin një vit më parë. Kishte qenë një ndeshje e dhimbshme, sepse ishte vrarë njëri nga djemtë më të mirë të Kosovës, Luan Haradinaj, "buka dhe pushka e UÇK-së"; por ai kishte tashmë edhe dhimbjen e rënies së një njeriu jashtëzakonisht të vyer, Adem Jasharit.
 
Në vete kishte thënë se, kur ai e kishte këtë dhimbje që i rëndonte mbi shpatulla, në kraharor e kudo, ai, që ishte mësuar me dhimbjen dhe e kishte përballur atë; si do të kishte ndodhur me njerëzit e zakonshëm, ata, studentët apo bujqërit e mirë, njerëzit që ishin mësuar të shihnin idhullin e tyre mitik dhe të cilin nuk e kishin më? Mos vallë kishte filluar, së bashku me rënien e Jasharëve, edhe rënia e qëndresës së tij? Kishte qenë njëri nga qëllimet më të egra të pushtuesit serb: thyerja e shpresës. Nëse e ke vrarë shpresën, atëherë ke vrarë gjithçka. A nuk do të ishte e mundur që me rënien e një njeriu si Ademi apo Hamza të kishte filluar edhe humbja e shpresës...?

Mund të kishte ndodhur edhe ashtu. Nuk do të ishte hera e parë dhe njëkohësisht nuk do të kishte qenë as e fundit. Ai e dinte këtë, njëzet e dy vite jetë ilegale e kishin mësuar se pas humbjes së prijësit duhej një kohë, nganjëherë e gjatë, për t'u ringritur. Kjo kishte ndodhur disa herë në lëvizjet atdhetare ilegale, mund të ndodhte edhe tashti. Do të ishte një cikël i dhimbshëm, por gjithsesi mund të ishte edhe i kuptueshëm. Ai do të bënte gjithçka që do të mundte për të mos e lejuar thyerjen e shpresës, për të mos patur bjerrje, ai do të dilte, ashtu si kishte qenë përherë, njeriu i shpresës së madhe. Kishte në krahun e tij Xhevën, është pak të thuash se kishte bashkëluftëtaren e hershme të tij, ata ishin vazhdimi i njëri-tjetrit dhe plotësimi i secilit njëkohësisht; atë që mund ta linte deri në pragun e përfundimit fjala e vrullshme e Fehmiut, do ta përmbushte butësia e fjalës së Xhevës.
 
Gjithnjë kishin qenë kështu, që nga 13 gushti i vitit 1985, dy njerëz që e kishin pritur njëri-tjetrin, për ta gjetur dhe për të mos u ndarë më. Tani në luftë, kjo mosndarje e pazakontë ishte dyfish e vlefshme; jo vetëm se po rikthehej një grua luftëtare, e cila është bërë tashmë tepër e njohur dhe të cilën Drenica e kishte bërë bijë të vetën, por mbi të gjitha ishte shembulli i madh i vazhdimit të vetëflijimit të përbashkët familjar. Sepse ata po vinin për të vënë jetën e tyre në themelin e lirisë së Kosovës. Ky rikthim do të ishte i lidhur me shpresën.

Shtëpia e Fehmiut ishte Kosova. Secili prag i saj ishte edhe pragu i shtëpisë së tij. Pikërisht në ato ditë, kur ridimensionoheshin përmasat e reja të luftës, kur ajo kishte filluar të shtrihej më vrullshëm se ishte menduar, kur ishin një mijë punë për t'u bërë dhe të vinte keq që dita i kishte vetëm njëzet e katër orë, legalistët "institucionalistë", për të thërrmuar luftën në një mijë e një thërrmiza lëshuan moton "Të mbrojmë pragun e shtëpisë". Dukej sikur ishte një thirrje humane, por në të vërtetë ishte fundi i luftës çlirimtare dhe fillimi i përgjakimit të ri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës asnjëherë, e theksoj, asnjëherë, nuk ka patur një nocion të tillë të luftës çlirimtare. Nuk e ka përfytyruar kurrë luftën kështu, prag më prag, por si një luftë të të gjithëve kundër armikut të njëjtë. Nuk ishte e rëndësishme se ku do të luftoje; ishte e vlefshme të luftoje ose të ndihmoje luftën. Në mesin e marsit 1998 dhe më pas, në javët që erdhën, zënia rrënjë e nocionit "Të mbrojmë pragun e shtëpisë", ishte njëkohësisht edhe përmbysja e pragut të Kosovës.

Se cili ishte përfytyrimi dhe ngrehina e atyre që donin "të mbronin pragun e shtëpisë”, ndoshta më shumë se gjithçka tjetër, dëshmon rasti i mëposhtëm. Njëri ndër ushtarakët e lartë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shok lufte i Fehmi Lladrovcit, njëkohësisht edhe i martirëve të tjerë si Bekim Berisha, Xhemajl Fetahu etj., në vitet e luftës epror i lartë në zonën operative të Shalës, Mensur Kasumi, tregon më vonë:
"Kishte filluar ofensiva e madhe serbe dhe lajmet vinin për sulme të mëdha në zonën operative të Dukagjinit. Kishim të dhëna se ishte sulur për atje një forcë e madhe ushtarake serbe. I mblodha ushtarët dhe u thashë se duhet të bëhemi gati dhe të shkojmë e të ndihmojmë zonën e Dukagjinit, se kanë nevojë për ndihmën tonë dhe nuk kemi çajre pa shkue. Ushtarët u grumbulluan, kur shoh nja dhjetë vetë që po rrinin mënjanë.

- "Po ne, që jemi të LDK-së, si do t’ia bëjmë?"
- Kush ju ka thënë se jeni të LDK-së? - i pyeta.
- "Kështu na kanë thënë. Na kanë thënë se ne jemi me mbrojtë veç pragun e shtëpisë dhe mos me shkue në zona të tjera".
- Gabim e keni. Kush është me luftue për partitë, për LDK e kushdo tjetër, le të heqë rrobat e ushtrisë, të dorëzojë armët e të shkojë. Nuk luftojmë për pragun e shtëpisë, por për krejt Kosovën.

Disa i hoqën unformat, lanë armët e shkuan, të tjerët erdhën pas nesh. Ma qitën namin se nuk po i due të LDK-së. E kishin gabim, unë doja Kosovën.
Fehmi Lladrovci, atë ditë të dhjetë marsit 1998, kur rihyri në Kosovë, kishte shtatë vite që nuk kishte qenë në shtëpinë e tij. E kishte mbytur malli për gjithçka në vendlindje, për shtëpinë ku kishte lindur dhe për rruginat e kopshtit, për luginën që zinte e ngushtohej në fundin e fshatit dhe për pyllin e lisave përballë malit; mbi të gjitha, e kishte mbytur malli për prindërit e tij. Ai mall e kishte mbuluar të gjithin, edhe kur kishte qenë në burgjet jugosllave, mirëpo mes tyre kishin qenë hekurat, prangat, gjakimet. Në të gjitha letrat e tij nga burgu ndjehet ky mall, tepër përvëlues, ndjehet përkushtimi i tij ndaj prindërve dhe, siç e kam thënë, sidomos malli ndaj nënës. Një mall që pikte përditë e më shumë, që ndjehej tek tingëllimi i zërit të tij, tek ajo rrudhje e veçantë e syve kur i pëlqente të tregonte, megjithëse shkurt, për letrën e parë që kishte shkruar në jetën e saj nëna e tij dhe atë letër ia kishte shkruar të birit të burgosur; nuk i vinte turp të thoshte se i kishte puthur ato shkronja; ndjehej se kishte nevojë të bisedonte me të atin, për gjithçka që kishin dashur të flisnin; të njëjtin mall e kishte edhe Xheva për atë shtëpi, në të cilën kishte shkuar nuse kur i shoqi sapo ishte burgosur dhe dënuar me dhjetë vite, kishte mall për dhomën ku kishte jetuar disa vite, si në legjendat e hershme, por jo thjeshtë duke pritur, por duke luftuar për idealin e përbashkët; në ato dhoma ajo kishte shkruar fjalët buçimtare që ishin lexuar anë e kënd Kosovës se "as tanket dhe as topat nuk e trembin rininë e Kosovës", dhe tash çasti i çmalljes kishte ardhur; ata ishin në Kosovë, po rrugëtonin drejt Drenicës, aty ishte Gllanasella, aty ishte shtëpia e vjetër, ishin prindërit, njëri nga vëllezërit, Emriu, aty ishin motrat e nipërit e mbesat. Mund të ecje ndoshta edhe një orë më shumë dhe do ta ndjenin erën e veçantë të zjarrit në mesin e marsit, që përzihet me erën e pranverës.

Fehmiu dhe Xheva nuk e bënë këtë. Ata nuk kishin ardhur për të qëndruar në shtëpinë e tyre ose për të mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre. Kjo nuk ishte as filozofia politike e as mendimi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njeriu që kishte kërkuar formimin e Ushtrisë së Kosovës që në fillimin e vitit 1983 dhe kishte tentuar ta bëjë këtë, megjithëse në një vend të huaj, e dinte fare mirë se kishte para tij një mall më të madh se malli i familjes, se malli i shtëpisë së tij; këtë ai e kishte të vetëdijshme, e kishte në natyrën e tij, e kishte si diçka të kuptueshme lehtësisht dhe që nuk mund të bëhej ndryshe.

Fehmiu dhe Xheva u ndalën në Abri. "Fillimisht u vendos në pikën "Guri”, ku bëri një punë të jashtëzakonshme për forcimin dhe profesionalizimin e pikave, ndërsa AB-ja (Bekim Berisha) erdhi tek unë në Açarevë”, kujton Sylejman Selimi.
Aty ishte detyra e tyre. Aty qëndruan. Nëse do t’i thoshin të shkonin diku tjetër, në Mitrovicë për shembull, ai do të shkonte, dhe nëse do të ishte i vonuar, pa e ditur se kur do të kthehej, ndoshta nuk do të kalonte fare nga pragu i shtëpisë së tij. E pra ai i ka dashur prindërit si rrallëkush, është përgjëruar për ta, gjithë letrat e tij e kanë këtë ndjenjë malli; por ato kanë edhe një ndjenjë më të fuqishme, tepër më të fuqishme se malli për fisin, shtëpinë e familjen e tij: malli i Kosovës.

Baca Tush:
"Kisha dëgjuar diçka se ka ardhë Feha. Erdh një shok, ishim tuj ndejë në aksham, ishim bashkë me vllezër, u tubuam ashtu, kur ai shoku më tha se Fehmiu ka ardhë. Kishte ardhë Reshiti, kishte vëllain e plagosur, Sabit Lladrovcin, dhe po më thotë se Feha kishte kërkue me shkue me e takue. I thashë "për hajr qoftë”. U endte treni atëherë. Kam zbritë prej trenit e kam shkue për kodrinë. Kam takue Musë Jasharin, Sahitin, i kam njoftë mirë, se kam shkue tek ata vazhdimisht. Po më thotë Musë Jashari se ka ardhë Feha, Xheva me Saminë dhe me shokë të tjerë. Kemi shkue në pikë, në Likoc. Ishte Sami Lushtaku aty, nuk e kisha pa qysh kur kishte dalë jashtë Kosovës. Shkuam në pikë, ishte një shok tjetër aty. Më së pari u takova me Xhevën, kur erdhi Feha përshëndetjen me të e bana pak më të ulët se me Xhevën. Po më shikojnë shokët e po bajnë llaf, qysh po ndodh kjo. Kah zemra e kah shpirti im ishte Xheva njëlloj me Fehmiun, nuk kam mujtë me e dallue se nuk është e zemrës sime, si Xheva, si Feha.

Biseduam pse ka ardhë, e dija pse mund të vinte, më tregoi, bëmë llaf me të. Po më pyet se si po shkon, si po sillen njerëzit, a janë për luftë. Atë ditë po më thotë me pasë kujdes, kanë dëgjue se kam ardhë, nuk kam ardhë fshehtas, me pasë kujdes. As në Gllogovc mos me dalë. Pas një kohe, dhjetë ditë a dy javë në Likoc, ka ardhë në Abri dhe në Abri ka ndejë shumë, bukur një kohë të gjatë. Nuk vinte hiç në shtëpi, as me na pa. Këmba e tij nuk ka shkelë në shtëpi, derikur ka ardhë prej Abrije këtu. Dhe ka ardhë këtu me Xhevën, me Sami Lushtakun, me shokë të tjerë. Ishte aksham, pa ardhë mirë ata, kanë fillue me ardhë njerëzit.
Unë e falenderoj popullin, e sidomos fshatin Gllanasellë, se iu kanë bashkëngjitë Fehës në luftë, të gjithë. E ka dashtë populli Fehmiun dhe fort e ka dëgjue...”
Ishte e fundmja gjë që bënë: të shkojnë në shtëpinë e tyre. Ndodh kjo sepse nuk kishin ardhur veç për atë shtëpi; ajo ishte njëra nga mijëra e mijëra të tilla që kishte Kosova. Përfytyrimi dhe koncepti i tij ishte shumë më i gjerë se kaq. Ai nuk kalonte nga shtëpia e tij për të shkuar tek Kosova. Në këtë rast, ai kalonte nga Kosova për të shkuar edhe në pragun e shtëpisë së tij.

Partia ime është Kosova
Është e vërtetë se për më shumë se 15 vite, pra që nga krijimi i saj, Fehmiu do të jetë anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Njëri ndër më të devotshmit dhe nga më autoritarët. Ndërsa pjesën e parë, devotshmërinë, e ka bërë me vetëdije, tjetra, autoriteti ishte pa dashjen e tij. Sidoqoftë, ai ishte në strukturat drejtuese të të gjithë Organizatës që nga prill i vitit 1985 dhe deri në marsin e vitit 1998, kur u largua nga Gjermania.
Pas saj, fillon për të dhe për Xhevën një jetë tjetër politike. Ose më saktë, ata veprojnë politikisht, të papërfshirë në jetën politike të ndonjë Organizate. Mbajti lidhje deri në momentin e fundit me shokët e Organizatës, por pa qenë pjesë drejtuese e saj dhe këtë e bën me vetëdije.

Në Mbledhjen e VI të Përgjithshme të LPK-së, dega jashtë vendit, në fillimin e majit të vitit 1998, ai propozohet për të qenë përsëri anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Mirëpo ai kishte sjellë një mesazh për të gjithë. Duke e quajtur veten pjesë e jetës politike, ai nuk mund t'i lejonte vetes që njëkohësisht të ishte në strukturat drejtuese të një Organizate, megjithëse kjo ishte ajo ku ai kishte milituar. Për një arsye të thjeshtë: tash e tutje, deri në çlirimin e vendit, partia e tij do të jetë Kosova. Bën kështu shkëputjen nga ajo që ishte pjesë e tij, për të sendërtuar atë që kishte synuar gjithnjë kjo Organizatë. Bëhet pjesë e vazhdimit të vizionit të saj, pa qenë brenda radhëve. Bëhet misionar i ideve që kishte mbartur ajo, por kësaj radhe si luftëtar.

Këtë e kërkonte dhe nga të tjerët. Ai nuk kishte dy kute: njërin për vete dhe tjetrin për të tjerët. Nëse mendonte se kuti që kishte zgjedhur vetëdijshëm ishte më i sakti dhe më i kohës për Kosovën, atëherë ai përcaktohej kështu edhe për të tjerët.
Në Kosovë kishte disa linja që nuk mendonin kështu. Lëvizjet legale politike ishin mësuar të shihnin politikën si pjesë e jetës së përditshme, të zakonshme, edhe kur tashmë ajo nuk ishte e zakonshme, por e jashtëzakonshme. Në kahun tjetër ishte edhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila kishte krijuar, sidomos në Llap, disa njësi të armatosura, dhe dëshironte të ruante, edhe në radhët e luftës, strukturën e saj politike. Më 1 shkurt 1998, LKÇK, i drejtohet Shtabit Qendror të UÇK-së, me thirrje për bashkëbisedim, me anë të të cilit duhej të vendosej forma e bashkëpunimit mes dy palëve. Duke ruajtur strukturën e saj politike.

Në dukjen e parë është një kërkesë e arsyeshme. Mirëpo nuk është logjike. Një njeri i autorizuar nga LKÇK-ja drejton një kopje të kësaj thirrjeje edhe tek Lladrovcët, me qëllim që ta përcjellin më tej. Disa ditë më pas, në drejtimin e shokëve që veprojnë në Drenicë, niset ky faks:
“Të dashur shokë, për këtë letër (është fjala për "Thirrjen për bashkëbisedim”) e kam njoftuar edhe "Kapuçin”. Dhe i kam dhënë mendimin tim lidhur me kërkesat e tyre për bashkëveprim, pa u shkrirë në UÇK. Mendoj se është punë jo e pastër nga individë të caktuar të hierarkisë së LKÇK-së dhe propozoj të kihet rezervë ndaj këtij "propozimi”. Ne na duhet Bashkimi e jo "Bashkëveprimi e bashkëbisedimi”. Ju përshëndes përzemërsisht, "Veshi”.

Në maj të vitit 1998 u zhvilluan takime mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe të LKÇK-së. Nga njëra anë ishte Fehmi Lladrovci, në anën tjetër shoku i tij i burgut, i dënuar në të njëjtin proces gjyqësor politik, Sabit Gashi. Të dy njihen prej kohësh, kanë qenë në të njëjtën organizatë, tani janë ballas.
Çfarë do të bëhet: do të ketë në luftë dy struktura, njëra madhore e tjetra minore; do të ketë partizim dhe ndarje; do të ketë një vijë në mes, e cila mund të ndajë edhe shokët e dikurshëm?

Është e vështirë të thuhet tashmë se cili tjetër do të kishte mundur të merrte përsipër barrën e bashkimit mes dy strukturave, të cilat, aq sa mund të kishin ngjashmëri, aq ishin edhe të ndryshme, e herë pas here edhe të kundërta. Figura që është ballas me drejtuesit e LKÇK-së është një njeri i njohur, tepër i besuar, me fjalë të sigurtë, me ndjenjën e sakrificës dhe që i duhet besuar. Ky është njëri ndër shkaqet madhore të këtij bashkimi në luftë. Sepse është ecur përmes besimit, përmes shembullit e jo nëpër fjalët pa fund. Sepse ai do të mund të sillte shembullin e madh të tij: nuk do të ketë parti politike në radhët e luftës. Do të ketë drejtim politik, Drejtori Politike, por jo partizim të luftës. Ai ishte shembulli, mjaftonte vetëm të ndiqte këtë shembull. Në Drenoc, ai qëndroi dy ditë dhe dy netë duke biseduar me drejtuesit e strukturave të LKÇK-së, dhe ishte një nga bisedat vendimtare që rreshtuan përfundimisht këtë organizëm politik, pa asnjë parakusht, nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm.

Kjo ishte mes shokësh të hershëm, mes njerëzve që e kishin njohur njëri-tjetrin në momente të vështira. Çfarë do të ndodhte me ata që kishin pasur ose nuk kishin pasur vetëm pak të përbashkëta?
Fehmiut, luftës, i duheshin të gjithë, jo një pjesë, edhe nëse ajo ishte struktura më themelore e luftës.

Tregon Sami Lushtaku:
"Ka qenë një takim i fshatit me partitë politike. Ishte baca Fehë, kam qenë unë, Nuredin Lushtaku e shokë të tjerë. U ulëm sipas zakonit, rreth e rrotull dhomës dhe fjalën e mori kryetari i LDK-së, Idriz Rreci më duket ka qenë. Na përshendeti. Ai po flet për organizimin e partive politike, kontributin, rolin e tyre.
Kur ai ka krye, baca Fehë i ka thënë:
"Idriz Rreci, kam respekt për ty, por kurrë nuk e kam besue se do të thyhesh, se do të përkulesh. Ju në vend me i ndihmue ushtarët e UÇK-së, me na afrue bukë, municion, me hapë kanale e pozicione bashkë me ne, ju bani mbledhje, bani metingje, bëni punë të partisë. A e dini se sot është luftë dhe se njerëzit duhet të bëjnë të gjitha për luftën?”

Njerëzit ishin të gjithë në mbështetje të UÇK-së.
Baca Fehë nuk është çue në këmbë, ishte ulur afër Xhevës, ishte i veshur ushtarak. Ka heshtë pak dhe ka shtue:
"Me gjithë respektin, edhe pse të kam pasë mësues, prej sodit, nëse vazhdon kështu me partitë politike, nuk do të kem respekt. Leri marritë dhe kush do me e kapë pushkën, le të vijë me ne. Nuk ka parti politike tash. Tash kemi të gjithë një parti: Kosovën". Njerëzit filluan me e përkrahë idenë e bacës Fehë. Ai i thoshte faktet dhe nuk i linte hapësirë askujt. Fjalët i kishte të sakta”.
 
Njeriu që u tërhoq i fundit nga “Shkaba 1” ose rrëfimi i momentit të përjetësisë së një dite epike
 
Shefqet Morina është burrë i gjatë, zakonisht flet ngadalë dhe gjithçka tek ai tregon se ka pasur në jetë dhimbje të mëdha. I janë vrarë në luftë katër pjesëtarë të familjes së tij dhe çdo gjë ka qenë tragjike. Ka pasur fatin e hidhur të varrosë të afërmit e tij, por edhe të vërejë se, disa ditë pas, forcat serbe i zhvarrosën dhe trupat e tyre ende nuk dihej se ku ishin. Kishte lënë shumë gjëra në mes për të kërkuar ku i kishte të afërmit e tij të vrarë, megjithatë kurrë nuk kishte përjetuar një dhimbje si ajo e 22 shtatorit. Unë e takova një natë të vonët, biseduam për atë çka ishte më thelbësore dhe pjesë nga ai rrëfim po sjell më poshtë, duke qenë i bindur se kjo ishte e vërteta e saktë e rënies së Fehmiut, Xhevës, Fatimes dhe Shefqet Zekës. Njeriu tjetër që mund të më tregonte, ishte Asllan Faslia, por ai nuk është më. U vra në luftë. Shefqet Morina është i vetmi nga ata që mbetën në fund. Është dëshmia e vetme dhe plotësisht besnike.
Është një tregim i thënë mes dhimbjes dhe nëse ndonjëherë ka shkëputje, kjo është e kuptueshme.

Ja pjesë nga rrëfimi i Shefqet Morinës:
“Fehmi Lladrovcin vonë e kam njohë, por zërin ia kisha dëgjuar. Mundem me folë për të prej 22 marsit, kur jam pranue në UÇK. Fehmiun e kam takue për herë në parë në Abri. Prej asaj date e deri më 22 shtator mund të flas për të. Nuk e di saktësisht se cila datë ka qenë, por aty e kam pa Fehmiun, aty e kam pa edhe Xhevën. Pas asaj, u formua pika “Shkaba”, këtu në Shkabë, jam angazhue në radhët e ushtrisë dhe atëherë kemi pasë biseda, mësime, ushtrime se si luftohet, janë bërë strategjitë për luftë, stërvitje ushtarake të llojllojshme; jemi nisë për në Shqipëri me marrë armë, 2 mijë vetë kemi qenë nga Drenica, më shumë se 200 vetë nga brigada jonë, por kemi rënë në pritë në kufi, në Junik, një kilometër pa hyrë në zonë.

Një natë përpara, më 21 shtator, deri në 12 të natës kam qenë në pikë, si roje dhe në orën gjashtë të mëngjesit ka ardhë lajmi se serbët po mësyjnë. Ashtu si kam qenë, me teshat qe kam qenë kam shkue në pikë, sa me shpejt që kam mundur. Sa kam arritë aty, një pjesë e shokëve kishte dalë në pikat e caktuara. Serbët kishin fillue me dalë edhe ata. Unë kam pasë mitraloz të rëndë, vendin e kam ditë se ku e kisha, nuk kisha se çfarë pritsha. Kam shkue në vendin tim. Aty jam takue me Fehmi Lladrovcin, me Xhevë Lladrovcin, me shokët e tjerë, aty prapë kemi bisedue, komandanti na ka tregue se çfarë strategjie do të përdorim, si do të lëviznim, na thotë se duhet të ndërrohen pozicionet pas gjuajtjeve, të mos gjuajmë gjithnjë prej një vendi, që të mos na diktojë armiku ku ishim dhe të gjuan në atë vend. Kemi pritë, shkitë atëherë filluan me dalë prej objektit, tek miniera ku ishin, filuan me lëvizë drejt pikave tona. Ne ishim duke u përgatitë për luftë, duke mbledhë armatimin. Baca Fehë u merrte vesh me radiolidhje me pikat e tjera. U lajmëroshin shokët në pika, thonin se jemi në gjendje të mirë, se vetëm po i presim kur të dalin dhe të na afrohen.

I kemi pritë forcat serbe se po na dalin vetëm nga një pikë, ishim dy vetë dhe e vëzhgonim atë pikë, kur papritmas dolën prej prapa. Dolën nga njëra anë, por edhe nga tjetra. Atëherë Fehmiu i ka pa me dylbitë e vendosura në snajperkën e tij. Fehmiu na tha që të presim derisa të afrohen. Kemi pritë në heshtje. Kanë ardhë në vijë ajrore 100 deri 150 metra. Ishim në një stom, disa ishin me armët e lehta, unë që kisha mitralozin. Atyre komandant Fehmiu u tërhoqi vërejtjen që të mos qëllojnë pa e degjuar pushkën e tij dhe pa i dëgjuar armët e rënda. U tha që të shohim nëse kemi sukses, atëherë të qëllojmë të gjithë. Ishim dhjetë ushtarë në atë vend, të tjerët ishin në pjesë të tjera.

Para se me fillue lufta i ka thënë Sabit Lladrovcit “Edhe faret në delshi,
kurrë mos i dorëzoni armët”. Kurse ne të tjerëve na tha: “Burra, ja vdekje, ja liri, ditë më të lumtur se sot kurrë nuk kemi pasur”.
Kur ka krisë snajperka e tij, ishte pushka e parë e asaj dite, e kemi parë ushtarin serb tuj u rrëzue, kishte qenë mbi tank, deri 10 metra larg prej tankut e ka qitë jashtë. Atëherë kemi fillue të gjithë. Ka krisë prej tana anëve. Ishte grup i madh i ushtarëve serbë dhe kur të gjuaje, nuk të shkonte plumbi huq. Ka filluar nga shtatë, shtatë e 15 minuta dhe nuk e kemi ndalë deri pas orës 10 paradite. Rreth tri orë vetëm është gjuajtur. Këmbë serbi nuk ka mundë me lëvizë tri orë rresht. Vetëm rrinin snajperët e tyre dhe ata me mortaja.

E para në pikën tonë, është qëllue Fatime Hetemi. Kishte automatik. Ishte në pozicion. Edhe ajo ka luftue shumë. Për tre orë nuk e ka ndalë luftën. Fatimja ka qenë në pozicion, ka qëndruar aty dhe nuk ka luajtë. Gjuante gjithnjë. Mirëpo edhe serbët sulmonin, na hetuan se ku jemi, gjuanin snajperistët dhe minahedhësit. Ata hetonin. Na gjuanin sa lëviznim. Fatimja nuk lëvizte. Ia kemi hequr vërejtjen. Gjuante gjithnjë nga një vend. Serbët e kishin hetuar se ku ishte. Kishte bombardime të jashtëzakonshme. Edhe sot shihet se çfarë bombardimesh ka pasë.
Fatimja u çonte të qëllonte gjithnjë nga i njëjti vend. Fehmiu ia hoqi vërejtjen i pari. I tha të bënte kujdes. Edhe Xheva ia hoqi vërejtjen, edhe unë. U bënë tre e më shumë orë luftë. Ishte një pjesë, në të djathtën tonë, që duhej përcjellë. Baca Fehë më tha të dal në një pozicion tjetër dhe t’u them shokëve se çfarë duhet mbrojtur.

Kur jam kthye, Fatimen e kishte kapë plumbi. E kishte kapë në ballë, por ishte ende gjallë. Jemi mërzitë shumë. Fehmiu na thoshte të mos e lëshojmë veten, se është luftë dhe nuk dihet kush vritet, nuk duhet të lëshojmë luftën. Ai dhe Xheva e kishin Fatimen si bijën e tyre.
Kemi provue me e nxjerrë prej pozicionit, me i dhanë ndihmë. Ishte e pamundur, kemi tentuar tre herë me e heqë diku pas, nuk na lejonte armiku, ishin vetëm snajperët serbë, se ushtarët e zakonshëm ishin në tanke dhe autoblinda. Plumbi, si thashë, e kishte marrë në ballë, kishte granatime të vazhdueshme, të hatashme, gjithçka ishte ba zi. Kurrgja nuk na bënin bombardimet, se na bënte tymi, pluhuri që ngrihej mbi ne, me tu duk se nuk kishte diell.

Zhurma ishte e tmerrshme, duhej me folë për afër, se nuk u dëgjoshim. Ka ardhë Asllan Faslia, kishte ardhë prej pjesës tjetër, e kishte parë Fatimen se ishte vra dhe ka ardhë tek ne. Beteja ka qenë e ashpër, kanë fillue me u thye radhët, disa njerëz e kanë lëshuar vendin. Na tregoi Asllani se ishte vra Shefqet Zeka, na tregoi se nuk kishin mundur të përballojnë luftimet dhe ishte lënë pika.
Kemi pirë vetëm nga një cigare duhan dhe prapë kemi fillue. Eshtë bërë vetëm ndërrimi i ushtarëve në pikë. Kishim mbetë disa shokë. U hap fronti shumë për ne. Ku ishin ushtarët në anë të djathtë, që u larguan, aty na dolën shkitë.

Në pjesën ku ishim ne, na dolën shkitë. Në pjesën në Gradime, na dolën shkitë tek pika tjetër. Thirri Fehmiu në radiolidhje në pikën tjetër, a jeni të gatshëm, nëse jeni gjuani dhe mos prisni. Janë përgjigjë vetëm një herë, pastaj nuk janë përgjigjë më. Ku nuk kishte luftime aty na dolën shkitë, krejt para i kemi pasë dhe gjithandej. I kishim përballë dhe në tre anë ishim të rrethuar. Aq sa ishim. Në fund mbetëm katër vetë që luftonim, Fehmiu, Xheva, Asllan Faslia e unë, dhe Fatimja e plagosur. Na erdhën shkitë deri në 10 metër, ishim të shpërndarë, në katër pozicione, bomba na ra në mes, por për fat nuk plasi. Kur na erdhi bomba tek këmbët, e ditëm se shkitë ishin shumë afër dhe kemi kemi fillue edhe ne me bomba dore. Serbët u tërhoqën dhe shkuan prapë në pozicionet e tyre. Me i përballue mundnim, por me i thye nuk mundnim. Kishte shkue ora me 11 e më shumë, bombat i kishim afër, gjuanim prapë dhe disa herë i kemi tërheqë vetëm me bomba. Dolën ku kishin qenë në fillim, nëpër livadhe. Mirëpo ishin shumë dhe bombardonin gjithë kohën.

Unë kam qenë në pjesën e dhjetë, Feha, Xheva dhe Asllani ishin në pjesën e Gradimes. Asllani shkonte herë pas here edhe në ato pozicione ku kishin qenë shokët që u larguan.
Serbët ishin më poshtë. Ishin bërë thuaj katër orë që baca Fehë qëllonte me snajperkë dhe nuk e çonte kush kryet. Dëgjuam se baca Fehë kërkonte një ndërrim të shkurtër në pozicionin e tij sa për të pirë një cigare. Ishte i lodhur. Lëvizën Asllani, shkon në vendin e tij dhe merr snajperkën, derisa ata të hynin në pozicion. Fehmiu u mat të futet dhe duke hyrë aty, prej autoblindës ku ishte një snajper serb, është qëlluar mbi të dhe njëkohësisht mbi Xhevën. Kur e kam pa bacën Fehë, ai ishte ulë në tokë dhe Xheva kishte filluar të ulej pranë tij. Ishin plagosur të dy, Asllani është ruajtë, i kam pa që janë plague. Kur e ka kapë plumbi i parë nga pas bacën Fehë, e kam pa se i ka lëvizur xhupi para. Eshtë çue prej plumbit.

U dukshin plumbat kur binin, se ishin plumba të mëdhenj. Teshat i lëvizën kur e rroku plumbi i parë. Asllani ishte pas një guri, i kam pa që janë goditur. Nuk e di kur e ka rrokë plumbi i dytë. E kemi tërheqë bacën Fehë dhe kemi marrë prapë pozicionin. Xheva mbeti e shtrime, e kam ndihmue të tërhiqet dhe është afruar me Fehmiun. Nuk kam pasë kurrë dhimbje më të madhe. Nuk më është dhimbë vetja. Ishte një gjendje që nuk e kisha menduar kurrë. Xheva e plagosur, Fehmiu i plagosur, ai nuk lëvizte, Fatimja e plagosur, thuajse në momentet e fundit. Xheva, ashtu e plagosur, vazhdoi të gjuajë. Mori snajperkën e Fehmiut, por arma ishte e rëndë, ajo nuk kishte edhe aq forcë, atëherë mori kallashin. Serbët u afruan shumë, nuk ishin as dhjetë metra, tërhiqeshim e gjuanim. Fehmiu nuk i kishte mbyllur sytë, Fatimja e plagosur, Xheva e plagosur. U munduam me i mbyllë plagën Xhevës, me pjesë të rrobave tona; nuk kishim mundësi të shkonim ku e kishim lënë ndihmën e parë. Nuk kishim as se si të bënim tërheqjen e tyre.

Nga ora 12 e gjysmë baca Fehë ka mbyllë sytë, Fatimja po ashtu. Xheva ishte e plagosur. Vazhdonte të qëllonte. Me Asllan Faslinë ishim aty. Deshëm me e tërheqë Xhevën, as shans nuk kemi pasë, i thamë disa herë, nuk dëgjonte, derisa na është drejtue me armë. Xheva na ka thënë, edhe duke na drejtuar armën, tërhiquni, unë jam këtu në vend të Fehës, shkoni. Fehmiu, pak pa i mbyllë sytë na ka thanë edhe ai, tërhiquni.

I jemi lutur shumë Xhevës të vinte me ne, Asllani dhe unë, i thamë se nuk shkojmë pa të. E uli pushkën Xheva në një moment dhe na tha se dilni ju poshtë, t’ju shoh të gjallë, kur t’ju shoh se keni dalë, po ua jap fjalën se do të vij edhe unë. Shkoni ju njëherë.
Asllani doli i pari. Xheva tha se unë po e mbroj nga e djathta, ti mbroje nga e majta, dhe po e mbrojmë derisa të dalë poshtë. Nuk ishte as pesë metra, lëshoheshe dhe dilje. Kur iku ai, Xheva më tha: “Dil Shefqet edhe ti, shko, më tha, se trupi im dhe jeta ime, veç trupit dhe jetës së Fehmi Lladrovcit nuk njeh gjë tjetër. Ia kam dhanë fjalën, ia kam dhanë besën se vdekje e jetë i kemi bashkë". Atëherë nuk kishte mbetë gjë tjetër. Fillova me iu afrue. Asllani më thirri: “Dilni se u zutë, se jeni shumë afër”. Mora kallashin dhe u përpoqa me dalë. Plasi një bombë sipër nesh dhe forca e saj më hodhi jashtë.

Pasi ka dalë Asllan Faslia, i kemi pasë edhe dy-tre minuta luftë bashkë me Xhevën, me e mbrojtë derisa të dalë. Në anën e djathtë ka dalë Asllani, ka vazhdue lufta edhe dy-tre minuta, derisa i kemi tërheqë. Kanë qenë mbi ne, pak me ra dhe binin mbi ne. Kur i dëgjova fjalët e Xhevës, e pashë bindjen e saj se çfarë ishte. Në realitet filloi, i nxori armët e veta, revolen e vet dhe u përqaf me Fehmiun, e vuri krahun e vet nën kryet e Fehmiut, më tha edhe një herë se veç vdekja, pas Fehmiut nuk ka asgjë tjetër. I kam dhanë me dalë, pasi kam dalë në strom, shkitë dolën në livadhe, ka ra granata, pastaj një rafallë e gjatë, fuqia e shpërthimit më ka nxjerrë jashtë dhe kam ra në kaçube. Kallashin e kisha të lidhur, kam mbetë aty, derisa ka ardhë Asllan Faslia, më ka pre rrypin e kallashit dhe më ka ndihmue derisa kemi ra poshtë. Pas kësaj luftime të tjera nuk ka pasë, as nuk ka gjuajtë kush dhe asgjë tjetër.

Unë: A keni menduar gjatë luftimeve se duhet të tërhiqeni, se e keni bërë deytrën duke luftuar katër orë me radhë?

Shefqet Morina:
Baca Fehë nuk ka pasë mendimin se duhet me u tërheqë, as nuk e ka diskutuar se do të tërhiqemi. Nëse do të ishte lënë lufta herët, njerëzit ende nuk ishin larguar, do të kishte pasë humbje të mëdha në popull. Ai vetëm pyeste: “A kemi municion”? Ishte municioni në krah të djathtë, pyeste vetëm “a kemi”. Pas plagosjes së Fatimes, shokët që ishin në pikë me ne, shkuan në një vend tjetër. Pas pesë minutash, kur i kemi thirrë me na dalë në ndihmë, nuk ishin. Kur jam kthye, më ka pyetë baca Fehë “a është dikush aty, prej ushtarëve?” I thashë se nuk ishte askush. Nuk kishte kush të na afronte municion. Por, me u tërheqë, as mendja nuk i ka shkue.

Kur u çue në këmbë, me pushue pak e me ndezë cigaren, atëherë e rroku plumbi. Sapo e ndezi.
Ne na u sos duhani që kishim, e la në gur duhanin që kishte me vete dhe na tha pini duhan sa të doni. Cigaren e kemi mbajtë në gojë, pinim duhan e gjuanim. Gjoksoren mbrojtëse dhe automatin e Xhevës, kallashin e Fatimes, i kam edhe sot e kësaj dite. I gjetëm pas luftës. Gjoksorja e saj ka shenjat e granatës që i ka rënë.

Kemi pasë luftime, edhe më vonë kemi pasë luftime, gjithëfarë rastesh kemi parë, por dhimbje më të madhe nuk kemi pasë. Nuk ka hall më të madh kur e sheh shokun të vdesë, kur e sheh komandantin tënd të plagosur dhe nuk i jep dot asnjë lloj ndihme.
I ka mbuluar shembja e dheut. Prej bombardimeve, dheu ka rënë mbi ta. “Zola” që kemi pasë nuk ka punue. E provoi Fehmiu, por nuk ka ndezë. Pas luftës, në vendin ku janë mbuluar, është gjetë radiolidhja, cigaret, shkrepësja, granatat. Pushkën dhe automatikun Xheva i ka afrue pranë vetes”.
Nuk kishte pasur kohë të çlodhej. Kishte në duar një snajper 12.5 mm dhe qëllonte sa herë që dikush tentonte të afrohej më shumë se sa e kishte lejuar. Ishte i qetë dhe ndjehej po ashtu i lehtësuar. Ishin bërë më shumë se pesë orë luftë dhe tashti banorët e asaj zone duhej të ishin larguar, duke u ruajtur nga mizoria serbe.

Ai e uli për një moment grykën e snajperit dhe i drejtohet Asllan Faslisë: “Eja këtu ku jam unë. Mos i lër të çojnë kokë. Unë po pushoj pak... vetëm pak, sa të pi një cigare”. Arma ishte e rëndë, koha ishte e gjatë.
Dhe u ngrit të mbështeste shpatullat pas “Kodrës së Qëndresës”. Ishte i lodhur dhe ndoshta i pihej pak ujë. Ngjyrat e dheut ishin në rrobat e tij dhe në fijet e mjekrës i kishte mbetur po ashtu një fije bari. Ai gjithë jetën kishte qëndruar i mbështetur pas dheut të tij, i lidhur tej për tej me të, dhe kështu si duket, do të ishte edhe çasti i fundit i tij. Bëri të largohet, ishin vetëm dy a tre metra deri aty ku ai mendonte se mund të pushonte krejt pak, qoftë edhe dy-tre minuta. Kishte bërë shumë rrugë deri atëherë. Ndoshta më shumë se sa ishte menduar.

Ishte një kohë e gjatë që mjetet e blinduara nuk lëviznin as para e as pas. Ushtarët serbë, të strukur pas hekurave, kishin nxjerrë pushkët snajperë, minahedhësit dhe prisnin.
Në ecjen e tij u godit. Ishte një goditje, siç do të thoshin, vertikale, dhe një rënie po e tillë. Nuk ra, u ul ngadalë dhe i tha lehtë Xhevës: “Shotë, më
duket se më vranë”. Ajo vetë ishte e plagosur, por nuk i tha asgjë.

Ai mbylli sytë duke ndjerë njërën dorë të saj nën kokën e tij dhe tjetrën tek zemra. Nuk dëgjoi krisma të tjera... Askush nuk e di se cili ishte plumbi i fundit që mori Xhevën dhe nga erdhi ai. Jo më kot ajo kishte nxjerrë revolen e saj, automatikun dhe i kishte vënë pranë saj. Jo më kot... Askush nuk e di, megjithatë të gjithë janë të bindur se kështu do të ndodhte.
“Edhe sikur tridhjetë kilometra larg të vritej Fehmiu ose Xheva, tjetri do të vinte nga larg të jepte jetën me të”, më tha një natë të vonët Ramiz Lladrovci dhe unë e dija mirëfilli se kishte qenë pikërisht kështu.

Jehona e pasrënies
Edhe pasrënia e tyre ishte po ashtu diçka mes reales dhe irreales, mes të përjetshmes dhe të përditshmes. Ishte diçka që qëndronte pezull dhe sado fjalë që mund të gjeje, përsëri ishte e vetëdijshme se nuk mund të gjeje asgjë. Lajmi ende nuk kishte ardhur, kishte mbetur si peng i fjalës së pathënë, kumt që nuk do të donte të shpërndahej. Kishte mbetur pezull, si një varësi e tejskajshme, rreth së cilës nuk mund të duket e as të zhduket asgjë.

Në mëngjesin e herët të 23 shtatorit 1998 më thirri në telefon Ali Ahmeti, i cili ndodhej në Tiranë. "Si je bacalok, më tha”. Abazi (Ali Ahmeti) më ka thirrur gjithmonë "bacalok”, ashtu si edhe tani dhe nuk e di pse ka mbetur kështu, por gjithnjë më ka pëlqyer që kur flisja me të, të më thirrte bacalok, pasi kjo i shkon natyrës së tij të qetë dhe të kujdesshme.

Iu përgjigja se isha mirë dhe e pyeta se si po shkonin punët. Ai përgatiste atëherë ngjarjet që erdhën më vonë në trojet shqiptare në Maqedoni, por njëkohësisht ishte i caktuar edhe për ndihmë konkrete ndaj Zonës Operative të Dukagjinit dhe kjo me një kërkesë të veçantë të komandantit të zonës, Ramush Haradinajt. Në fillimin e qershorit 1998, Ramushi më dërgoi një letër, ku kërkonte nga unë, si drejtues i Organizatës, që të emëroheshin Aliu dhe një grup shokësh pranë shërbimit logjistik të zonës që komandonte.

Kur desha ta pyes edhe për diçka tjetër, Aliu më ndërpreu butërisht dhe më tha:
"Ka ndodhur diçka e rëndë bacalok, por duhet të mbahemi”.
“Ç’ka ndodhur?”, e pyeta dhe heshta, sepse Aliu është zakonisht njeri i përmbajtur.
"Fehmiu është vra. Është vra dje, në Drenicë është vra”, fliste duke u përmbajtur dhe unë e dija se Ali Ahmeti kishte qenë miku më i afërt i tij prej më shumë se 14 viteve.

"Nuk është e vërtetë, i thashë, nuk është e mundur”, dhe diçka e rëndë u mblodh tek unë. Thashë se nuk është e vërtetë, se kurrë nuk e kam menduar se Fehmiu mund të vritej. Kur po bëhesha gati të pyesja për Xhevën, ai vazhdoi:
"Është edhe më keq bacalok", fliste i përmbajtur Ali Ahmeti, por zëri po e tradhtonte. Nuk kishte nevojë të fliste më tepër, gjithçka ishte e qartë. “Është vra edhe Xheva. Bashkë janë vra, në të njëjtin vend”.

"Nuk është e mundur, përsërisja, nuk është e vërtetë. Lidhuni edhe një herë me Drenicën. Bisedo me Ilaz Kodrën. Takoje Ramizin dhe verifikoje”.
Nuk doja të pranoja vdekjen e tyre. Askush nuk donte ta pranonte.
"Ramizi është këtu bacalok", shtoi Aliu. "Por ngushëllime për shokët dhe duhet të mbahemi. Dikush do të vritet e në luftë më të mirët vriten".
Në telefon doli Ramizi. "A është vërtetë Ramiz?”, e pyeta, pa i thënë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është e vërtetë, se përsëri nuk mund ta besoja.
"Po bacë, është e vërtetë. Janë vra dje, janë vra në një pikë afër fshatit, të dy janë vra”.

Zëri i Ramizit ishte më i përmbajtur, por dhimbja e tij ishte e jashtëzakonshme. Ata kishin qenë miq dhe shokë, por edhe bashkëluftëtarë.
"A ke biseduar me Drenicën?”, pyeta edhe një herë, se nuk doja që nuk
doja ta besoja.
"Po bacë, fola me prindërit, i lajmërova, janë vra së bashku me dy të tjerë. Një çikë, që quhet Fatime Hetemi, është nga Shala e Bajgorës dhe një djalë, student nga Prishtina, më thanë se quhet Shefqet Zeka. Lufta i ka këto, kemi qenë të përgatitur bacë, por puna nuk ndalet, vazhdon”.
"Si janë prindërit?”, e pyeta edhe një herë. Ramizi më tregoi se ata po mbahen dhe se nana e Fehmiut kishte thënë se "po nuk u ligshtuat ju, nuk ligshtohem as unë; e po u ligshtuat ju, atëherë ligshtohem edhe unë”.

Pas tre ditëve unë fola vetë në telefon me bacën Tush dhe e gjithë ajo që dëgjova më bindi edhe një herë, se Fehmi Lladrovci kishte lindur dhe ishte rritur në një truall trimash dhe e gjithë ajo që ndodhi nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Si e përjetuan ngjarjen në Drenicë, prindërit e Fehmiut
Isha matur disa herë ta pyes bacën Tush për atë moment të vështirë, ndoshta më të vështirin në jetën e tyre. Nuk kisha mundur. Si mund ta pyesësh tjetrin se ku ishe, çfarë ndjeve ku mësove lajmin, kush e tha këtë lajm. Asnjë prind nuk mund të pyetet kaq lehtë.
Një mbrëmje, kur rrinim në shtëpinë e tyre në Shkabë, bisedonim për jetën e Fehmiut, ai vetë, krejt natyrshëm, më tregoi se si kishte ndodhur. Për fat që bisedën e shënova ashtu si u tha asaj nate, e po ashtu po e sjell:

Baca Tush:
" ...Kah ora një e gjysëm dy, kanë fillue disa ushtarë të rinj me ardhë. Janë tërheqë prej lufte, megjithëse lufta hala vazhdonte. Isha aty, u dëgjoshin disa fjalë se është vra Fatimja. Pyesja se ku po shkoni, çfarë ka ndodhë, por më thonin se nuk e dinin. Kah e vona, shumë kah e vona, serbët kanë dalë në maja. Shkoi ora nëntë e mbrëmjes dhe po baheshim gati me shkue, se serbët mund të vinin edhe në katund. Pyeta disa ushtarë, a dini gja për Fehën. Disa më thanë se nuk e dinë, disa se kanë kanë prej Dobrashefcit. Nuk isha kërrkund. Kam shkue kah ora dy-tre e natës në një vend, kemi pushue pak dhe kam pa disa ushtarë. I dëgjoja se thonin diçka, por nuk e dija. E kam ditë se është e pamundur se Feha me e lëshue pozicionin, veçse në është vra.

Para se me dalë drita, filloi ofensiva serbe me hi nëpër fshat, nëpër lugun e Beranit. Ne ishim në mal. Atë ditë kemi ndjejë gjithë ditën aty, në mbrëmje, më datë 23, i them hallës: Hallë, Feha është vra. (Në shtëpi, nënën e Fehmiut e quajnë të gjithë "hallë” – shënim i autorit.)
Halla më tha se ku po e din ti, ku e more vesh ti. Më bërtiti. I thashë se nuk këtu gja. Njerëzit e dinin se Feha është vra, por nuk më tregoshin. Më datë 24 kam dalë prej asaj ane dhe thërras Ramizin në telefon. I tham, Ramiz a ka ndonjë send, bre? Më thotë, po babë. Çka ka? po e pyes. Më thotë se Feha dhe Xheva janë vra. Më thotë se bani gajret. Pak jam mërzitë. Më thotë Ramizi, qëndroni. Ju qëndroni, i thashë, se ne do të qëndrojmë. Hallën e përcolla tek një vend tjetër. I thashë se baba e ka ditë. Ramizi atëherë ka lajmërue edhe tek halla, i ka thënë se Feha dhe Xheva janë vra, mos u mërzitni. Halla i ka thënë, mos u mërzitni ju. E ka ditë nana. Më ka pas thënë në Abri, nanë, kam ardhë me vdekë për vend tem.

Feha ka qenë i qetë. Edhe me vdekë, thoshte, po vdes për vend tem, mos u ligshtoni. Atëherë çikat, kur e kanë mësue, kanë fillue me qa. Halla u ka bërtitë: pushoni e mos ua ndiej zanin. Kërrkush nuk ka me qa. Atëherë i ka thënë Ramizit, "qëndroni ju, do të qëndrojmë edhe ne”.
Më datën 25 kam dalë prapë në Gradicë dhe kam folë prapë me Ramizin. "Babë, më thotë, me e gjetë se ku është Sami Lushtaku. Thuaj se gjallë a vdekë, duhet me i prue trupat e Fehës, Xhevës dhe Fatimes tek shtëpia. Kishin shkue katër ditë. Jan vra ditën e martë, më datën 22 shtator, kishte shkue 23-ta, pastaj 24-ta, kishte ardhë data 25 shtator. Tash po vinte dita e pestë.

Ndërkohë ka ardhë Sami Lushtaku përnjëherë aty ku isha. Erdhi në Gradec. Ka ardhë me Ilaz Kodrën, me Nuredin Lushtakun e shumë shokë të tjerë. Edhe biseduam. Ka qenë pasdite, ora gjashtë. I them se Ramizi më ka thënë, se ja i gjallë, ja i vdekur, merr kë të duash dhe duhet me i sjellë trupat në shtëpi. "Hajr qoftë”, më ka thënë Sami Lushtaku. Sonte e kryejmë këtë punë. Ose i ke në shtëpi sonte, ose nuk jemi as na". I kam thënë se po vij edhe unë, por nuk kanë pranue. Shkijet ishin tërheqë nja dy orë pa shkue këta, por nuk e dinim. Ka qenë edhe djali i vëllait, Meti. Janë shkue dhe i kanë tërheqë trupat. Xheva ka qenë e dëmtuar shumë. Fatimja ka pasë vetëm një plumb, në ballë, Shefqet Zeka ishte po ashtu.

Ka qenë vështirë me i varrosë. Nuk ka pasë njerëz. Njerëzit i kishin lëshue shtëpitë krejt. Mërzia ime më e madhe ka qenë tek trupat, se mos i djegin, i çartin, se po m’i humbin, po i kallin. Se mërzi se u vranë për Kosovën nuk kam pasë. Varret i ka hapë një komshi i yni, e falenderoj shumë se ka qenë kohë e vështirë. Veç kam shkue tek ai, Abdush i kam thënë, se me cilët e ban e qysh e ban, nuk më duhet gjë. I kam treguar vendin dhe i kam thënë se këtu duhet të hapen pesë varre. Kur i kam varrue, atëherë nuk kam pasë më mërzi.
Të nesermen që është vra Feha, është djegë edhe shtëpia jonë. Disa shtëpi janë djegë në fillim, por më 23 shtator, e gjithë lagjja jonë ka qenë e djegun. Nuk ka pasë se çfarë me djegë ma.

Fatimja ka ndejë tre muaj në shtëpinë tonë. Ajo ka ardhë një javë a dy pas ardhjes së Fehës dhe të Xhevës. Ka ardhë prej Likocit. Tanë kohën ka ndjejë në shtëpi tek na, derisa janë vra. Kam dalë për punë, kanë ardhë në gjysmë të natës e kanë shkue para sabahut, si e kanë pasë punën, por këtu e kanë pasë vendin. Fatimja ishte gjithë kohën me Xhevën. Më shumë se të gjithë vinte Ilazi, Sami Lushtaku, gjithëherë kanë ardhë. Ilaz Kodrën e kam njohë qysh herët, e kam njohë si shok të Ramizit, edhe Ilazin, edhe Sami Lushtakun, edhe Nuron. Edhe Hashim Thaçin e kam njohë kështu. Adem Jashari vinte gjithëkohë. Kur kanë qenë djemtë jashtë, nuk e kam pritë se do të vinte aq shpesh. Nuk e kam pritë bile se do të vinte, ishte ilegal. Ka pasë ardhë edhe kur ishte Ramizi këtu, por më shpesh kur ikën djemtë.

Gjatë kohës së lëvizjes dhe të ilegalitetit krah të djathtë Feha ka pasë Ali Ahmetin, por në kohë të luftës, krah të djathtë ka pasë Bekim Berishën, AB-në. Jo se flas unë, por kjo dihet prej të gjithëve, e kanë pa njerëzit, janë dëshmitarë, e kanë pa se kush është AB-ja, kush është Feha, e kam dashtë shumë AB-në. Sa herë e ka thye kufirin, sa armët i ka sjellë, çfarë punësh të mira ka bërë me Bedri Shalën. Veç kush nuk e ka njohë ose nuk e ka dashtë, nuk e ka ditë se sa burrë i fortë është AB-ja. E kena pasë djalë shtëpie AB-në. Isha krenar me gjithë ata njerëz, shokë të djemve, edhe të ilegales, edhe të luftës, si Iliri, Zahiri, Rasim Kiçina, se për Jasharët nuk kam se çka të them. Jasharët janë maja, unë e ndjej veten ndaj Jasharëve si kërrkushi. Djem si Jasharët nuk i vijnë kësaj toke.
Sa ishte gjallë Feha më thoshte se në vritem, nuk dua grumbull njerëzish, nuk dua njerëz shumë, sepse kur ka shumë njerëz, vjen armiku dhe nuk dihet se çka bahet. As të pame e as send mos ban. Në mund të më varrosësh, më ka thënë, mirë. Kur e varrosa, më zuni shpirti qetë.

Sami Lushtaku:
"Fillimisht dëgjuam se është plagosë, por nuk e besonim se është vra. Edhe plagosja na dukej shumë. Folëm me Ramizin në telefon, na tha se "duhet t'i merrni trupat, me i sjellë trupat në shtëpi, njëlloj si me i pa të gjallë”. Morëm vendim me shkue dhe me i sjellë. Kishin kalue tri ditë luftë. Kam kërkue që të mos vijë Nura me Fadil Kodrën, sepse nuk e dinim se ku po shkojmë, a ishin aty forcat serbe a jo. Kemi shkue tek vendi i ngjarjes, tek istikami, gjetëm trupat, kishim droje se mos ishte vendi i minuar. Fehmiu dukej si i gjallë. Kishte dy plumba në shpatull. Plumbi i parë e kishte plagosur rëndë, plumbi i dytë e ka keqësuar gjendjen. E ka marrë në të njëjtën kohë me Xhevën.

Ka qenë moment shumë prekës kur i kemi nxjerrë shokët që nuk ishin më, me të cilët ke punuar sa vite, që i ke dashur dhe u ke besuar. Kemi qenë të mërzitur, por edhe e kishim kryer amanetin e shokut tonë, i kishim sjellë trupat. Kemi menduar se mund të vriteshim, ishim të gjithë gati me vdekë.
Fehmiu thoshte pak kohë para 22 shtatorit se nuk është problem lufta në Kosovë. Krejt lufta do të bëhet rreth Mitrovicës. Ne kemi me qenë të lirë, por në Mitrovicë ka me qenë luftë tjetër. Atëherë nuk e kemi besuar shumë, por ai e kishte ditur saktësisht. I tillë burrë ka qenë”.

Kjo ndodhi në ditën e pestë të pasrënies. Kohë lufte, kohë vrasjesh dhe masakrash. Ata shkuan të prehen në kodrinën buzë luginës, krejt afër vendit ku kishin hedhur shtat. Më pas, në atë luginë, familja e Fehmiut, ngriti varrezat e gjithë të rënëve, në një vend të vetëm, për të mos e ndarë përjetësisht Fehmi Lladrovcin nga ushtarët e tij, nga ata që e ndoqën besnikërisht deri në fund dhe u flijuan së bashku me të.

Disa ditë më pas doli komunikata për vrasjen e tyre. Çuditërisht nuk jepej asgjë më shumë, se u vranë edhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, në mesin e një liste të gjatë, me të rënët e asaj periudhe. Kishin kaluar tetë ditë, në fakt ishte komandanti i parë i një brigade që u vra në ballin e luftës e kjo ishte
humbja më e rëndë e UÇK-së, pas rënies së Jasharëve. Megjithatë, në atë komunikatë nuk mund të mësoje asgjë më shumë, se sa një kornizim i thjeshtë, sikur të ishte vrarë një luftëtar i zakonshëm, i cili nuk kishte veçse pak ditë që ishte i rreshtuar në luftën çlirimtare.

Jam ndjerë i befasuar asaj dite, si unë, edhe shumë të tjerë. Nuk e di përse ka ndodhur një gjë e tillë. Do të doja të justifikoja çdo gjë me ofensivën e jashtëzakonshme serbe të atyre ditëve, kur vendoset emri i komandantit në mesin e ushtarëve dhe nuk do të kisha dashur të mendoj se atavizmi primitiv kishte ngelur edhe pas rënies së tij.
Në fund të fundit, edhe ata që do të kishin menduar, qoftë edhe për një çast, se ai ishte kthyer në Kosovë për t'u bërë një "shef” lufte, mund të ishin të qetë. Ai e kishte bërë fakt të kryer atë që i kishte thënë nënës së tij, "kam ardhur të vdes për Kosovën”.
 
* * *
 
Të gjithë e mbajnë mend se ku ishin ose se çfarë po bënin kur mësuan për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës. Tek të gjithë është ngulitur ai moment dhe, në një luftë si ajo që ishte në Kosovë, nuk është e zakonshme.

Do të doja të sillja disa nga këto përjetime:

Hashim Thaçi:
"Ato ditë kam qenë vazhdimisht në mesin e ushtarëve të brigadës 113 të Drenicës. Me ditë të tëra kemi qëndruar në territorin që sulmohej nga makineria e rëndë serbe. Në këto rrethana e kemi marrë lajmin për rënien e tij vërtet heroike. Lajmin për rënien e Fehmiut e kemi marrë të gjithë me dhimbje të madhe dhe pikëllim, por edhe me krenari të rrallë. Rënia e Fehmi Lladrovcit kishte domethënie të madhe për luftën, për ne, bashkëluftëtarët e tij. Ai ra në ballë të frontit, duke qëndruar si burrat dhe luftëtarët e devotshëm për lirinë e Kosovës. Emri i Fehmi Lladrovcit hyn në radhën e emrave më të shquar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të historisë sonë të re. Fehmi Lladrovci hyn në radhën e komandantëve që i bën nder luftës sonë të drejtë, duke e përjetësuar emrin e tij në mesin e njerëzve më të shquar të kombit...”

Sulejman Selimi:
Lajmin për vrasjen e komandant Fehmi Lladrovcit e kemi marrë vesh të nesërmen, më 23 shtator, përmes "Gurit”, që arriti të lidhej me "Shkabën" tjetër, që e mbante Sabit Lladrovci, i cili njoftonte se "Shkaba" (Fehmi Lladrovci) ka rënë heroikisht bashkë me të afërmen e vet të pandashme”. Rënien e Fehmi Lladrovcit e përjetuam tepër rëndë. Në jetën time si ushtar i UÇK-së nuk jam ndjerë asnjëherë më keq se atë ditë kur nuk kishim mundësi t'i shkojmë në ndihmë Brigadës 114, gjegjësisht komandant Fehmi Lladrovcit. Të kesh fatin të kesh një komandant si e pati Brigada 114, do të thotë fat për luftën çlirimtare, sepse ai nga brumi i ushtarëve arriti të krijojë një frymë të pathyeshme...

Idriz Hysenaj:
Kur kam dëgjuar për rënien e tij ka qenë momenti më i rëndë. Isha në malet e Berishës dhe nga biseda e shokëve, duke folur me shifra, po e kuptoja se kush është vra. Atëherë edhe mund të fshihej se nuk është vra, por vetë rënia e pozicioneve në duar të armikut jepte të kuptonte se është vrarë. Sepse i gjallë Fehmiu nuk i jepte pozicionet. 30 vjet ka pritë Kosova me i ardhë një djalë si Fehmi Lladrovci. Ka ra biseda në Shtabin e Përgjithshëm se kush mund ta zëvendësojë. U kam thënë se nuk mund ta zëvendësojë askush. Unë e njoh mirë, tash 15 vite, ai ka pasë autoritetin që e ka krijue me dekada të tëra, i ka njerëzit që e duan dhe e respektojnë, të këqinjtë i frikësohen dhe pa e pasë një figurë të tillë, askush nuk mund ta bëjë. Pas vrasjes së tij e zëvendësoi Ilaz Kodra, por figura e Fehmiut mbeti gjithnjë...”

Rrahim Bytyqi:
"Isha në veriun e Gjermanisë kur mësova për rënien e tij. Është nga përjetimet më të rënda humbja e tij. Kur e kemi marrë lajmin, na është sjellë toka, humbja ka qenë e jashtëzakonshme...”

Xhelal Canziba:
"Isha në burg kur Fehmiu u kthye në luftë në Kosovë. Familja më sillte përshëndetjet e tij. Ishim më shumë se 240 të burgosur dhe kthimi i tij na ka rritë moralin shumë. Prej Dubrave na dërguan në Nish. Kur është vrarë
Fehmiu dhe Xheva, më kanë thirrë prapë në hetuesi dhe më kanë thënë se Fehmiun e vramë, Xhevën e vramë, Hazirin e morëm, çka po don tash? Donin të na thyenin edhe me vrasjen e tij. Thonin se "e vramë ujkun e luftës, na ka luftue në Kroaci, na ka luftue gjithkund”. Mirëpo ndodhi ndryshe: u rrit urrejta dhe u forcuan edhe të dobtit për t'i marrë hakun një ditë...”.

Nuhi Ahmeti:
"Fatkeqësisht lajmi i hidhur vjen shumë shpejt. Atë ditë, 22 shtator, lajmin e kam marrë vesh nga ora 16 e 30 minuta. Kam dëgjuar njëherë se është vrarë Feha dhe se Xheva është e plagosur rëndë, por dyshohet se edhe Xheva ka rënë. Në Grand Hotel po atë ditë është mbajtur konferencë shtypi, ku pranojnë se kanë vrarë njërin nga udhëheqësit e luftës. E pranojnë edhe se doktor Hafir Shalën e kanë arrestuar. Për rënien e Fehmiut kanë shkruar shumë gjatë edhe gazetat serbe, si "Politika” apo "Veçernije”... Lajmet zyrtare serbe në internet kanë shkruar për betejën e Llapushnikut se "terroristët shqiptarë janë të udhëhequr nga Fehmi Lladrovci, i cili është terrorist i njohur, që udhëheq terroristët shqiptarë në Llapushnik”. Të gjitha gazetat serbe kanë shkruar gjerësisht dhe me shumë të dhëna për vrasjen e Fehmiut dhe jetën e tij, ku ka luftuar, ku ka qenë në Gospiq, cili ka prirë, etj...”

Mensur Kasumi:
"Lajmi ishte shumë i rëndë. Fehmiu kishte lindë për me vdekë për Kosovën. Zoti e kishte krijue për me vdekë për Kosovën. Ndodhi diçka që nuk ndodh në ushtritë e tjera. Rënia e komandantit Fehmi Lladrovci rriti energjitë e të tjerëve. Ishte shembull i madh,vështirë se lindin burra si Fehmi Lladrovci...”.

Rexhep Selimi:
"Lajmin për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës e kam marrë vesh atë ditë që janë vra. Ka qenë 22 shtatori, e martë, ditë e dielltë. Kam qenë në Abri të Epërme, kemi qenë të rrethuar, sulmet serbe kanë qenë nga të gjitha anët. Luftimet më të ashpra kanë qenë në brigadën 114. E kemi përcjellë luftën, kishim një pikë strategjike, “Guri 3”, nga ku kemi pyetur. Në një moment kam marrë një shenjë se kemi humbje. Kam pyetur me forcë se çfarë të rejash kemi. Më është thënë se kemi humbje të mëdha.
 
Pyeta për numrin, por më thanë se nuk është punë numrash. Më thanë se “Shkaba”, si e kemi quajtur bacën Fehë dhe bashkëluftëtari i tij më i ngushtë, që nënkuptonte Xhevën, kanë rënë heroikisht. Kam pasur afër vetes vëllain e Xhevës, Kushtrimin, kemi mbetë të gjithë pa folë. E pabesueshme ka qenë, lufta i merr më të mirët, e dinim, por ishte e rëndë. Pastaj është interesuar Mujë Krasniqi se si po shkojnë luftimet. I them se duhet të takohemi dhe ta them nga afër se si është gjendja. Kam shkuar ashtu luginës, përmes luftës, jam takuar me të dhe i kam thënë se Feha është vrarë bashkë me Xhevën. Muja nuk e ka pranue vdekjen e tyre. Nuk ka folë, ka pasë veç dhimbje, veç ka thirrë një herë, ka lëshuar një britmë, ka mobilizuar njësitë e veta dhe prej defensivës ka kaluar në ofensivë. Ka kaluar në sulm. Qëllimi i tij ishte të hakmerret për bacën Fehë.

(Mujë Krasniqi ishte njëri nga djemtë gjithë virtyte dhe vlera të Kosovës. Dikur nxënës i Xhevës, më pas bashkëluftëtar, ai spikaste në afërsinë me Fehmiun, në mirëdashjen dhe respektin e tij. Qe njëri nga të shumtët, por nga më të veçantët. Më vonë, duke folur për këtë ngjarje, Mehmet Lladrovci, Meti, më tregoi se "asaj dite Muja ishte i plagosur. I ka mobilizuar ushtarët dhe i ka sulmuar dy herë forcat serbe. Më është dukur se me çdo kusht po dëshiron edhe ai me u vra, duke u munduar t’ia nxjerrë hakun, sa më shumë, bacës Fehë dhe Xhevës – shënim i autorit.)
Për ditë e kemi ndjerë mungesën e bacës Fehë. Kemi pasë luftime më të mëdha, rënie të tjera, secili nga shokët që binin kishin peshën e dhimbjen e vet, por njerëz si Feha dhe Xheva kishin peshën më të rëndë...”.

Sabri Kiçmari :
"Do të udhëtoja nga Gjeneva (Zvicër) për në Vjenë (Austri), shkoja për të marrë pjesë në një tubim të bashkatdhetarëve në Austri. Deri sa prisja në rend për të nxjerrë biletën, në stacionin e trenit të Gjenevës,më thirri në telefon Agush Buja : " Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!" - ma dha mndatën. Shtanga në vend. Mbeta me telefon në dorë dhe si pa frymë. Nuk jam i sigurtë sa gjatë qëndrova ashtu i shtangur.E di vetëm se rradha a qytetarëve, që priste pas meje, në stacionin e trenit të Gjenevës, atë ditë shtatori të vitit 1998, më shikonte dhe priste, me qetësinë që i karakterizon zvicerianët, deri sa të zgjohesha nga mankthi i mandatës : " Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë"! Dhe unë nuk dëshiroja të zgjohesha nga ankthi i
mandatës. Kishte rënë për liri".

Për disa ditë me radhë qielli i Kosovës ishte i rënduar nga tymrat e flakëve, ndërsa toka e Kosovës ishte e përgjakur. Mes tymrave të luftës dhe përgjakjes kishte ndodhur një ndër epopetë e ndritura të qëndresës.
Asgjë nuk ishte e humbur. Ata i shërbyen Kosovës, edhe me jetën, edhe me rënien e tyre. Ishte një shërbesë e pafund, rrjedhë logjike e gjithçkaje që kishte ndodhur deri atëherë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: ata nuk ishin dy njerëz që ende nuk e kishin bërë emrin e tyre. Ishin dy nga korifejtë e lirisë së një kombi, dhe duke qenë të tillë, ata morën ato përmasa që kombi ua jep bijve të vet të zgjedhur.

Ishte një rënie e harruar? Askush, për asnjë çast, nuk e ka menduar. Në të kundërtën, ishte një nga ato rënie që ka në vete farën e ngritjes së ardhshme. Është e vërtetë se pas kësaj ofensive të jashtëzakonshme dhe tragjikisht të përgjakshme, pas rënies së Fehmi dhe Xheva Lladrovcit, filluan rishtas fjalët se u thyen djemtë e luftës, dikujt edhe i vinte keq, dikush tjetër priste rastin të "bëhej më i fortë nga ofensiva serbe”.

Drenica, djemtë e luftës në Drenicë, nuk e ndjenë kështu. Ata vendosën të marrin hakun e tij dhe të dëshmorëve të tjerë, të të martirizuarëve. Në shenjë hakmarrjeje u bënë katër aksione. Të gjithë drejtuesit morën pjesë, u sulmuan pozicionet serbe në katër drejtime dhe filloi kështu preludi i mësymjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte një prelud i lavdishëm, që solli një përfundim historik.

Në brigadën 114 nisi për herë të parë dhënia e betimit. Ishte hera e parë që Brigada, e cila mori emrin e prijësit të saj të parë “Fehmi Lladrovci”, tashmë e drejtuar nga një figurë e denjë historike, Ilaz Kodra, rreshtohej. U gjend dita e duhur: 28 Nëntori, dita e Flamurit dhe e Pavarësisë. U vendos që në këtë ditë, denjësisht, të bëhej betimi i ushtarit dhe ceremonia. Ideja e shtabit të Zonës Operative të Drenicës ishte që të fillojë ceremonia e betimit pikërisht në këtë brigadë, në nderimin e Njeriut që ishte betuar një herë për lirinë e Kosovës dhe kurrë nuk ishte thyer dhe as nuk kishte hequr dorë. U vendos të bëhej e gjithë kjo ceremoni pikërisht aty ku ishin prehur Fehmiu, Xheva dhe shokët e tjerë të rënë në luftë. Si një nderim për gjakun që ishte derdhur, për jetët që ishin ndërprerë, si vazhdë e mëtejshme e amanetit. Dhe amanetin nuk e tret toka.

Ishin të gjitha këto që bënë ringritjen e moralit. Ishte ajo që kishte dashur më shumë baca Fehë, morali i njerëzve. Shumë shpejt, pas ofensivës së shtatorit, në Zonën Operative të Drenicës pati më shumë se 5 mijë luftëtarë, por mund të kishte edhe më shumë se aq, edhe dyfishi i tyre, nëse do të kishte armë. Një mungesë e përhershme në Drenicë. Ndërkohë, përtej Drenicës, njerëzit filluan të jetojnë si duke qenë në Drenicë.
 
Akti i nderimit të Fehmiut, Xhevës, Fatimes dhe Shefqetit u shndërrua në moment përjetësimi
 
Në ditët e fundit të muajit shtator, Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, vendosi të bëjë Tubimin përkujtimor në nderim të Betejës së 22 shtatorit. Ramiz Lladrovci erdhi në Gjermani dhe në nderim të amanetit të vëllait të tij, u vendos që të mos ketë të pame, sepse kështu kishte dashur vetë ai. Por edhe koha nuk ishte dhe duke e kthyer dhimbjen në ndjenjë force, siç kishte bërë familja Jashari, të bëhej thirrje për të vazhduar luftën.

Por gjithçka ishte ende mes reales dhe irreales. Ishin ditët e para të paslajmit dhe askush nuk mund ta besonte. Së bashku me Arban Hoxhën, një nga miqtë e mi të mirë, ish i burgosur politik dhe mik i Fehmiut dhe i Xhevës, udhëtuam drejt Mynihut ku jetonte Ramizi dhe familja e tij.
Ishte një natë e ankthtë. Fjalët e kishin humbur kuptimin e tyre. Dhimbja qëndronte pezull mbi të gjithë. Ata që po e përballonin më mirë dhe që njëkohësisht kishin më shumë dhimbje, ishin të afërmit e tij. Në atë dhomë ndeje ishin mbledhur shumë njerëz, secili kishte kujtimin e tij, mbresën e tij dhe dëshirën për të mos qenë e vërtetë çka kishte ndodhur. Aty njoha për herë të parë Ramadan Shalën, që kishte udhëtuar nga Suedia, njoha të atin e dëshmorit Bedri Sokoli, të cilët kishin në vete një mal dhimbjeje.

Po dëgjonim lajmet që jepnin stacionet e huaja televizive. Serbët kishin deklaruar se ishin zënë gjallë, ishin robër lufte, komandanti i njohur Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xheva. Ramizi e dëgjonte dhe thoshte krejt i bindur:
"Të poshtër janë, bacë. Askënd nuk kanë kapë gjallë. Dhjetë herë vritej Feha dhe nuk kapej i gjallë”.
E besonim të gjithë se ishte ashtu. Ishte një brengë, se mos e gjithë kjo stuhi dezinformacioni do të luhaste diçka. Por kishim qenë të gabuar. Të gjithë e dinin se kush ishte Fehmi Lladrovci, të gjithë e njihnin Xheva Krasniqin-Lladrovcin, askush nuk mund të besonte se ata nuk ishin më, e jo më të ishin robër të çetnikëve serbë.

"Ministri i Drejtësisë” i qeverisë hije të Bukoshit, një kallp burrë, deklaronte në tubimet e bashkëatdhetarëve se "po luftojnë vetëm fshatarët, inatçorët" dhe se ato, "forcat kombëtare”, do të futen më pas në luftë. Thoshte, i ashtuquajturi ministër, në një tubim në Vjenë, se "luftojnë të pashkollët”. Atë ditë të 22 shtatorit u vranë katër luftëtarë. Por edhe katër intelektualë: Fehmiu, ish-student i fakultetit të inxhinierisë dhe i diplomuar në Universitetin e Zagrebit; Xhevë Krasniqi, e diplomuar në degën e gjuhë letërsisë shqipe dhe në shkencat juridike; Fatime Hetemi, me ëndrrën për të qenë mësuese dhe Shefqet Zeka student i Universitetit të Prishtinës.

Tubimi i nderimit të Fehmiut dhe të Xhevës ka diçka të veçantë, do të thoja të jashtëzakonshme. Asnjëri nga ata që ishte në sallë ose jashtë saj nuk mundet kurrë ta shlyejë nga kujtesa. Ai u bë në një sallë të madhe të qytetit të Mynihut, ku ishin më shumë se 3500 vetë. Dy herë më shumë se kaq ishin jashtë. Njerëzit rrinin në shi, kërkonin të futeshin brenda domosdo, por salla tashmë ishte nën kujdesin e organeve kompetente gjermane, të cilët lejonin të futeshin vetëm nëse mund të arrinte të dilte ndonjëri. Njerëzit jashtë kërkonin, të paktën të largoheshin perdet e rënda të sallës, për të parë pjesë nga filmi-intervistë e Fehmiut.
 
Në momentin kur Ai po fliste, i gjallë, më i hijshëm se kurrë, i dinjitetshëm në atë shkallë sa mund të ishte vetëm Ai, salla u ngrit e tëra, brohoriste si kurrë ndonjëherë, nuk donte të ulej, e afronin të gjithë pranë vetes figurën e tij, u dukej se ai ishte ende aty, në atë podium, nga ku u fliste të gjithëve dhe u linte amanetin e tij: Kosovën dhe lirinë e saj. Ishte një gjendje e përgjithshme emocionale, një nga ato momente që mund të vendosë për jetën e shumëkujt; kur heroi yt, njeriu që ke ëndërruar t’i shkosh nga pas në rrugën e tij, është tashmë aty, me fjalët e tij proverbiale, të përjetshme.
Rifat Jashari, si një ndër miqtë e tij, dhe si e cilësoi Ai, kam ardhur të nderoj njërin nga vëllezërit tonë, pra si një vëllla i tij, ishte si një vazhdim i asaj që po ndodhte në Drenicë, por edhe më tej se kaq.

Duke qenë i zgjedhur si kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, në emër të Organizatës, më takoi të mbaja fjalën kryesore. Në këtë cilësi, jo private, por si përkushtim i Organizatës së cilës i takonin Fehmiu dhe Xheva, do të sjell vetëm disa pasazhe të kësaj fjale, e cila është botuar, në fillimin e tetorit 1998, në "Zërin e Kosovës".

"Pesë ditë më parë, ndoshta pikërisht në këtë orë, kur ne jemi tubuar për të nderuar heroizmin e tyre, komandantin Fehmi Lladrovci dhe luftëtaren trime Xheva Krasniqi-Lladrovci, po i ulnin në gjirin e tokës nënë, në gjirin e Drenicës së përgjakur dhe martire, nën breshërinë e armëve të shokëve të luftës. Ky është një ndër çastet e pazakonta, kur hesht një pjesë e jetës dhe fillon pavdekësia, është një nga ato çaste madhore, kur jeta e jashtëzakonshme i lë vendin përjetësisë. Nuk e ka kushdo një fat të tillë, nuk e ka kushdo fatin të shndërrohet në legjendë të popullit dhe të kombit të tij, nuk mundet kushdo të bëhet dritëzim i popullit të tij në rrugën e gjatë për liri. Nuk ishte e rastësishme gjithçka ndodhi në këtë çast, ishte vazhdim logjik i tërë jetës dhe qëndresës së tyre, ishte një nga momentet madhore, kur atdheut i shërben edhe me jetën, por edhe me rënien tënde.

Nuk e kishim menduar kurrë, asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar, se do të vinte ky çast i rëndë dhe do të ndaleshim në heshtje, në nderimin e shokut tonë, të komandantit të lavdishëm të njësive të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe të luftëtarëve trima Xheva Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, njëzet e një vjeçarë. Nuk e kishim menduar, sepse të gjithë ne që i kemi njohur, të gjithë ata që kanë pasur rastin t'i takojnë ose të marrin pjesë në takime të ndryshme me ta, nuk mundën të shlyejnë nga kujtesa shikimin e qartë, të thellë dhe këmbëngulës të Fehmiut, zërin e sinqertë dhe fjalën e ngrohtë të tij, saktësinë e mendimit dhe ndershmërinë e paskajshme të tij; ashtu si nuk mundën të shlyejnë nga kujtesa zemërgjerësinë e Xhevës, trimërinë e saj të pafjalë, qëndrimin mikpritës, ku secili prej nesh e ka ndjerë veten si tek motra e tij. Por ata u nisën drejt një rruge të gjatë, sepse e kishin bindjen, siç do t’i shkruante Fehmiu më 24 tetor 1990, se "edhe më i merituari i ka borxh atdheut-Kosovës, më shumë se sa atdheu atij”. Ata u nisën, sepse ishin të bindur, siç do të shkruante Xheva më 5 shkurt 1990 "Edhe nëpër furtuna të tmerrshme, lulëkuqe të reja lindin për këtë dhe”.

Fehmiu dhe Xheva ishin nga ato përmasa të mëdha të epokës sonë dhe të qëndresës shqiptare në Kosovë, të cilët edhe pa ikur prej nesh, edhe pa rënë në fushën e betejës, janë ditur se janë të tillë. Është ditur trimëria e Fehmi Lladrovcit dhe guximi i tij, është ditur përkushtimi i tij dhe i Xhevës ndaj idealit kombëtar; janë ditur qëndresa dhe pesha e fjalës së tyre. Ky është një nga ato rastet e veçanta të jetës: kur edhe pa e ditur rënien e tyre heroike, e di, e ndjen dhe je i bindur, se ke të bësh me njerëz që janë të gatshëm për të qenë të tillë, duke e parë të gjithë këtë si një gjë të zakonshme, tepër jetësore. ...Ata ishin dhe mbeten të përbashkët, vazhdim e plotësim i njëri-tjetrit, në jetën e zakonshme dhe në përjetësinë e tyre.

Fehmi Lladrovci, ky drenicak i madh, ky vigan i Qëndresës, është vazhdim logjik i trimërisë së Drenicës dhe një nga majat e trimërisë së saj.
Atë ditë, së bashku dhe përkrah, u vranë edhe dy luftëtarë 21 vjeçarë. U vra trimëresha Fatime Zeqir Hetemi, bijë e Bistricës së Shalës së Bajgorës, motër e shkuar motre me Xhevën, bijë e shkuar bijës në familjen Lladrovci. Një vajzë e re, e lindur në vitin 1977, njëra nga luftëtaret e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pak më tej u vra Shefqet Zeka, prishtinasi i lindur në Kodrën e Trimave, student, i cili edhe më shumë e rriti traditën atdhetare të familjes së tij.

Ata bënë gjithçka që mundën për lirinë e vendit të tyre. Në themelet e pavarësisë ata vendosën rininë e tyre që sapo kishte nisur të bulonte. Ishin të vetëdijshëm se mund të vriteshin, por ishin gjithashtu të vetëdijshëm se jetën mund ta jepnin për një ideal të ndritur, siç është liria dhe bashkimi i kombit. Nuk mundën të bëjnë më shumë se kaq, sepse askush nuk mund të bëjë më shumë...”.
Me dhjetëra e qindra vetë, djem e vasha të reja, braktisën Perëndimin, shumë më shpejt nga sa kishin ardhur dhe u bashkuan me UÇK-në. Jam i bindur se shumë prej tyre kishin idolin e tyre, Fehmiun ose Xhevën.
Rreth 10 mijë vullnetarë nga e gjithë Evropa deri larg në Amerikë, u radhitën në njësitë e mëdha të luftës. Kishte ndodhur ajo që kishte thënë gjithmonë baca Fehë "vjen dita e kthehemi, vjen dita e askush nuk na ndalon të japim jetën për Kosovën”.
 
Të tjerët për Fehmi Lladrovcin
 
Adem Demaçi:
"Nuk kam pasë dëshirë ta mendoj Drenicën pa Fehmi Lladrovcin. Mirëpo lufta i ka ligjet e veta. Fehmi Lladrovci ishte një njeri që të gjitha sendet në jetën e tij i kuptonte shumë seriozisht. Fehmi Lladrovci ishte një nga ata që nuk u largua nga lufta kurrë, edhe në luftën ilegale, edhe në luftën e armatosur ishte në vijën e parë të frontit. Meritat e Fehmi Lladrovcit janë të mëdha për shtetin e pavarur të Kosovës. Vetëm kur të krijohet Kosova e pavarur, vetëm atëherë do të jetë Përmendorja që e meriton Fehmi Lladrovci, vetëm atëherë mund të themi se e kemi kryer detyrën tonë. Drenica heroike do të dijë të ruajë përmendoren e Fehmi Lladrovcit”.

Murat Jashari:
"Baca Adem ka pasë besim shumë të madh tek Fehmi Lladrovci. Deri në vdekje, thoshte, nuk ndahem prej tij. Për familjen tonë Feha ka qenë si Ademi, si Hamza, si Rifati, ka qenë një vëlla i tyre, një mixh i joni. Luftëtarë ka pasë Shqipëria, ka qenë normale, edhe diplomatë, politikanë, por që t’i ketë një njeri të dyja, edhe luftëtar, edhe politikan, ato i ka pasë në këtë luftë veç Fehmi Lladrovci”.

Lulëzim Jashari:
"Baca Fehë ka folë të njëjtat fjalë, si atëherë kur ka hyrë në lëvizjen ilegale në vitin 1976, ato fjalë i ka folë edhe para gjyqit në vitin 1986, ato fjalë i ka folë edhe në vitin 1998, dhe me ato fjalë ka vdekë. Ai ka pasë principet e preme, të sakta, nuk ka pa se mos preket kush, por i ka shprehë principet e veta saktësisht".

Agim Çeku:
"Jam i lumtur që i takoj të njëjtit komb që i takonte edhe Fehmi Lladrovci. Fehmi Lladrovci të gjitha provimet në jetën e tij, dhe ato provime janë jo vetëm të shkollës, por provimi i atdhedashurisë, provimi i trimërisë, i guximit, i heroizmit, provimi i organizimit, i komandimit dhe i drejtimit, provimi i artit të luftës: të gjitha këto provime Fehmi Lladrovci i dha me notën shkëlqyeshëm..."

Ali Ahmeti:
"Fehmiu ishte i lindur për aksione të mëdha dhe për beteja të lavdishme. Ai dinte të mbahej fort si shkëmbi, edhe atëherë kur të tjerët jo vetëm nuk qëndronin, por edhe kur mbetej vetëm. Ishte i vendosur, të tillë e kishte edhe shoqen e tij të jetës, të madhërishmen Xhevë. Fehmiu ishte dhe mbetet simbol i luftës për liri dhe unitet kombëtar”.

Ramush Haradinaj:
"Fehmiu ishte një nga njerëzit me vizion më të qartë për Kosovën. Ishte një burrë trim i pazakontë dhe si i tillë ka mbetë në historinë e kombit tonë. Unë kam pasur fatin të jem në të njëjtën vijë me të, të jem shok dhe bashkëluftëtar i tij dhe këtë nder nuk e ka pasur kushdo. Kishte shpirt të pastër, sulmet i ka përballue me buzëqeshje, unë kam qenë gjithnjë në lidhje me punët e tij...”.

Servet Pëllumbi:
"Një popull që nxjerr bij të tillë, që thonë se më e shtrenjtë është liria se jeta, ai popull është i pavdekshëm. Fehmiu është e vërtetë se e ka dashur shumë Shqipërinë, por edhe Shqipëria e ka dashur, e do dhe do ta dojë, jo vetëm Fehmiun dhe Xhevën, por të gjithë ata që luftojnë për liri, të gjithë ata që nuk harrojnë shqipen dykrenare, nuk harrojnë gjuhën shqipe...”.

Profesor doktor Agim Vinca :
 
VDEKJA E LUFTËTARIT
 
Thonë se ndërsa po vdiste
nga plagët e marra në fushëbetejë
diku rrëzë Çiçavicës,
komandanti Fehmi Lladrovci
paskësh thënë vetëm një fjalë:

Po shkoj tek Adem Jashari!
Dhe paskësh mbyll sytë i qetë,
siç i ka hije një luftëtari.

Lamtumirë Fehmi!
Lamtumirë Adem!
Lamtumirë kapedanë!
Me ju Kosova u bind se kishte bij,
Me ju e ndje veten nanë!
Nëntor 1998

Mensur Kasumi:
"Me dashtë zoti veç pesë Fehmi Lladrovci të kishte në Kosovë, Kosova shpejt kishte me qenë e lirë”.

Fadil Bajrami:
"Fehmi Lladrovci ka qenë një njeri që ka jetue për luftën. Nuk kishte ide tjetër më të madhe tek ai”.

Shaban Shala:
"Natyra e Fehmiut, fjalët e tij, sjellja e tij e ka bërë për vete dhomën, mikun dhe vendin ku ka qenë për herë të parë. Ka qenë përfaqësues i dyanshëm, edhe i Kosovës, në rrethin e gjerë të studentëve; por edhe përfaqësues në instancat e atëhershme të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, anëtar i shtabit të luftës. Ai për mua ka qenë luftëtar, epror, komandant, ai ka qenë gjithkund dhe për gjithçka”.

Ramush Tahiri:
"Njohja e parë është kjo: më ka lënë përshtypje sinqeriteti i jashtëzakonshëm, besnikëria e jashtëzakonshme dhe ndjenja se kur të rrish me të, rri më mirë se me vetveten”.

Izet Ibrahimi:
"Më tha doktor Hafir Shala se Feha, si dëshironte ai ta quante Fehmi Lladrovcin, bashkë me Xhevën dhe shokë të tjerë kanë ardhur në Kosovë. Në bazë të gjithë asaj që kisha krijuar për ta, më erdhi një lehtësim, vetja më është dukur më i sigurtë, optimizmin e vëreje tek të gjithë shokët që
ishin në Kosovë.Të gjithë besonim se Fehmiu do të jetë i palëkundur nga pozicioni i tij luftarak. Por asnjë nuk mundëm të paramendonim se rënia e tyre do të jetë aq heroike. Nga kjo u binda se imagjinata që kisha krijuar për ta, ishte më e varfër se sa ishin Ata në të vërtetë”.

Nuredin Lushtaku:
"Për herë të parë bacin Fehë e kam njohë prej fjalëve të Adem Jasharit. Ademi na ka treguar se po vjen Feha e do të jemi më të fortë. Të tjerë kanë thënë se është nisë një grup i papërgjegjshëm dhe se nuk duhet të bashkëpunohet me ta. Ademi i ka thënë se ata janë shokë të mi, Feha është shoku im, vëllai im, dhe nuk më ndan kush prej tyre, veç vdekja”.

Zenun Kodra:
"Njohja jonë me Fehmi Lladrovcin ka qenë prej Adem Jasharit. Por për herë të parë e kam takuar në vitin 1998. Ardhja e tij dhe e shokëve të tjerë, njerëz të përgatitur, si ata kishim krejt pak në Kosovë, për të mos thënë se nuk kishim, na ngriti moralin...”

Fadil Kodra:
"Emri i bacit Fehë i ka afruar njerëzit. Përvojën e parë të gjerë luftarake, fillimet e strategjisë luftarake, i kemi mësuar prej tij. Na thoshte se "shpeshherë është më mirë me derdhë djersë sot, se sa gjak kur të fillojnë ofensivat serbe”.

Naser Idrizi:
"Fehmi dhe Xheva Lladrovci janë ndër emrat më të mëdhenj të luftës sonë. Ata futen në radhën e atyre njerëzve që shkruajnë historinë e një kombi. Dhe këtë nuk e kanë bërë dosido, por me punën e tyre, me sakrificat e tyre, me jetën e tyre”.

Shefqet Morina:
"Besomë, katër antarë të familjes i kam të vrarë. Jam në gjendje të bëj be në çfarë të duash, se nuk më dhimbsen katër antarët e familjes sime sa më dhimben trupat e bacës Fehë, Xhevës e Fatimes. Se i kam parë me sytë e mi se si janë vrarë, ia kam dëgjuar fjalët e fundit, e di se si i kanë lëshuar britmat e luftës. Sot më kujtohet veç zëri i komandant Fehmiut. Katër antarët e familjes sime nuk i kam parë se si janë vrarë, dhe kam shkue e i kam varrosë herën e parë. Shkitë i nxorën nga varret dhe nuk i di se ku i kanë trupat. Katër i kam të vrarë, edhe katër i kisha dhënë, veç Fehmiu e Xheva të ishin mes nesh".

Përjetësi e dyfishtë
Askush nuk mund ta besonte se ata nuk ishin më. Ishte diçka jashtë reales të besoje diçka të tillë, dhe kur kaluan ditët e para dhe nuk dihej ende asgjë se ku kishin rënë, pra ku e kishin mbështetur kokën për herë të fundit, atëherë gjithçka u bë edhe më e besueshme, se ata mund të ishin diku.
E vetmja gjë që i trondiste njerëzit dhe i bënte të besonin se diçka kishte ndodhur me ta, ishte në rënien e pozicioneve në duar të shkive. Ata e mendonin vetëm këtë si një mundësi që kishte ndodhur diçka e rëndë, mjerisht edhe tepër e dhimbshme, por përsëri e hiqnin mendjen nga vdekja.

Ishin të huaja për njëri-tjetrin Fehmiu dhe vdekja, Xheva dhe vdekja, të dy bashkë dhe vdekja. E përjashtonin njëri-tjetrin, deri në kufijtë e skajmë, deri aty ku fillon e shkrihet në një e vërteta dhe legjenda.
Nuk e besonin dhe nuk donin as ta besonin. Me mosbesimin sikur donin të shtynin sa më shumë që të mundnin idenë e largimit të tyre, mosqenies dhe këtë e bënin të gjithë, krejt natyrshëm, sepse nuk mund ta kishin në vete idenë e vdekjes.

Nuk ishin më, kjo ishte e rëndë. Pastaj dikush tha se ata u vranë dhe kjo nuk mund të jetë vdekje. Filluan ta besojnë pak nga pak, por gjithnjë me mendimin se ata do të shfaqen përsëri, aty ku do të ishte më e vështirë dhe më e domosdoshme. Për 22 vite me radhë kishte ndodhur diçka e tillë: rishfaqja e tyre dhe nuk kishte pse të mos ndodhte rishtas kështu. Njerëzit prisnin dhe duke pritur, vazhdonin të luftonin. Edhe fakti se drejtues i brigadës kishte ardhur njëri ndër miqtë më të vjetër të Fehmiut, djali i imët, trim dhe gjithë virtyte, Ilaz Kodra, përsëri nuk e bënin të besueshme idenë e largimit të tyre.

Kështu shkuan ditët e para, mes mosbesimit dhe pritjes. Mes vendeve ku gjendeshin, gjithnjë mes luftës, ata e kishin idenë e pritjes së rikthimit të tyre, ashtu siç kishin idenë e rilindjes së përditshme të diellit, të mëngjesit, të erërave që frynin buzë Çiçavicës. I dukej sikur njëra dorë e tij ishte mbështetur tek Drini i Bardhë dhe dora tjetër tek Drini i Zi, sikur kokën e kishte mbështetur në bjeshkët përbri dhe në malet e Sharrit. Prisnin dhe nuk besonin.

Por jo vetëm ata që ishin aty, pranë tij dhe që e kishin ndjerë dorën e tij. Edhe të tjerë, ndoshta me mijëra kilometra larg nuk e besonin. Ishte një mosbesim i tejskajshëm dhe i dhimbshëm, sepse njerëzit prisnin rishfaqjen e tij. Prisnin rishfaqjen e të dyve, si një gjë që lehtësisht merret me mend. Kështu dalëngadalë, pa e kuptuar, filloi të endej legjenda e rikthimit të tyre. Ishte një legjendë e dyfishtë, e cila, ashtu siç lëviz llava vullkanike, e zjarrtë dhe e ngrohtë, filloi të lëvizë drejt njerëzve. Ata që kishin menduar se pas 22 shtatorit do të flitej si për dy njerëz që ishin dikur, do të ndjeheshin edhe një herë të gabuar. Gjithnjë e më tepër njerëzit filluan të besojnë se gjithçka ishte e përkohshme, ndërsa rikthimi, përjetësia e tyre, do të ishte e përjetshme.

Ndërkohë ata ishin ende pranë njëri-tjetrit, në atë vend ku kishin qëndruar deri në fund dhe nuk donin të shkëputeshin. Dherat e shkëputur nga bjeshka kishin rënë mbi trupat e tyre, që ende ishin së bashku. Ishte përzier dheu i kadifejtë me gjakun e pastër. Kaloi dita e parë, pastaj e dyta, e treta. Ata rrinin aty, mes erërave që frynin mbi Kodrën e Qëndresës, dëgjohej zhurma e luftës që herë afrohej e herë ishte e largët, shtëpitë vazhdonin të digjeshin dhe tymrat për një çast u dukën si një fillesë nate, pastaj rishtas filloi të bjerë vesa e netëve të freskëta të shtatorit dhe ishte një qiell krejt i pastër, mbushur me yje.

Gjaku i tyre kishte rrjedhur butësisht drejt dheut të ngrohtë. Ishte bërë njësh me të dhe pastaj ishte ndalur aty ku fillonin rrënjëzimet e lisave. Tundja e gjetheve u sillte më afër vatrën ku kishin lindur. Qëndronin dhe prisnin. Ndërkohë legjenda e mosbesimit të vdekjes po rritej gjithnjë e më tepër, derisa u bë shpresë e përhershme jete.
Pastaj, krejt befas, në një stacion televiziv u dha intervista e tij. Njerëzit e dëgjuan dhe përsëri e kishin në mendimin e tyre rikthimin e shpejtë. Përderisa duhet, ai do të kthehet, kishin thënë të gjithë.

Ishte një nga mbrëmjet e fundshtatorit kur i kishin sjellë në fshatin ku kishin lindur, buzë luginës, e cila kishte qenë aq e dashur për ta. I kishin sjellë shokët e tyre, mbartur mbi shpatulla dhe kjo kishte qenë hera e parë që ishte një barrë aq e rëndë. Tepër e rëndë. Megjithatë, edhe kur ata kishin ardhur, të përgjakur dhe bri njëri-tjetrit, përsëri njerëzit nuk e kishin besuar. I kishin shtyrë kufijtë e vdekjes, të paktën derisa të ishte lufta. Njeriu që kishte lindur për luftë, nuk mund të ikte derisa ajo të përfundonte.
Mbrëmjet e fundit të shtatorit kishin ikur tepër shpejt, në rrokullimën e tyre të ashpër. Kishin lënë pas vetes disa të vrarë, më shumë të plagosur, dhjetëra e dhjetëra shtëpi të djegura, njerëz që kishin shpejtuar për të mos qenë pre e dhunës dhe gjithashtu edhe një legjendë: legjendën e një Përjetësie të dyfishtë, të Fehmiut dhe të Xhevës.
Kishin pasur një jetë të jashtëzakonshme, do të kishin po ashtu edhe një përjetësi të jashtëzakonshme, përderisa ishte një përjetësi e dyfishtë.
Bedri Islami dhe Sheradin Berisha 


Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm