Menu

Myderriz Ymer Prizreni ora, zemra dhe shpirti i lidhjes Shqiptare 1877 - 1887 - Muhamet Pirraku

User Rating:  / 1
PoorBest 
 
Ymer Prizreni eksluziv në KosovariMedia
 
Me rastin e 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
 
MYDERRIZ YMER PRIZRENI ORA, ZEMRA DHE SHPIRTI I
LIDHJES SHQIPTARE 1877-1887
 
Muhamet Pirraku
 
Shkruan: Prof. dr. Muhamet PIRRAKU
Prishtinë, Qershor 2008
-------------------------
 Ballina e librit te Prof. Pirrakut
(Teksti shqip i i rezimesë anglisht të veprës : Myderris Ymer Prizreni - Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2005, fq. 522)
Emri Myderris Haxhí Ymer Efendi Prizreni është sinonim për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, çfarë nuk e njohim ende të plotë. Me analizë kritike të burimeve arkivore dhe të shtypit të proviniencës ballkanike, evropiane, ruse e osmane vërtetohet se Ymer Prizreni është njëri ndër personalitetet qendrore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare - Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1877-1887.

Pse Ora, pse Zemra, pse Shpirti dhe pse vitet 1877-1887?
Ishte Ora e Lidhjes në kuptimin e mirëfilltë, sepse ishte forca morale dhe shpëtimtare e Lidhjes. Sukseset e Lidhjes korrespondonin me Orën, në kuptimin mitologjik, të Myderriz Ymer Prizrenit. Sa herë që Lidhja rrezikohej, nga brenda dhe nga jashtë, Myderriz Ymer Prizreni e shpëtonte, e nxirrte edhe më të fortë.

Ishte Zemra e Lidhjes, sepse Myderriz Ymer Prizreni i përfaqësonte ose i drejtonte, legalisht ose nga pozitat disidente, të gjitha mekanizmat drejtuese më kryesore të Lidhjes dhe i vinte në lëvizje ato sipas kërkesës së momentit historik. Ishte Zemra e Lidhjes ngase aty ku ndihej veprimtaria politike, diplomatike e luftarake e Lidhjes në dobi të mbrojtjes së tërësisë së Shqipërisë dhe të autonomisë politike e shtetërore të saj, ishte porosia dhe urdhri i Myderriz Ymer Prizrenit.
 
Ishte Shpirti i Lidhjes për faktin se në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte mësimi dhe aktiviteti politik dhe organizues i Myderriz Ymer Prizrenit për një dekadë të tërë. Dhe, sa herë që Lidhjes i ngushtohej gabzherri i frymëmarrjes nga dhuna politike e ushtarake osmane e ndërkombëtare, autoriteti madhor dhe aktiviteti politik prej urtakut guximtar të Myderriz Ymer Prizrenit i vinte si akt i riaktivizimit të frymëmarrjes për riaktivizimin dhe riorganizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, roje kujdestare për mbajtjen gjallë të frymës së saj.
 
Ndërkaq, vitet 1877-1887 shënojnë një dekadë të qenies së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nën udhëheqjen shpirtërore, politike e ushtarake të Myderriz Ymer Prizrenit. Në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të institucionalizuar si Lidhje Gjithëshqiptare, më 10 qershor 1878, në fakt është mbi një vit i aktivitetit politik, organizues dhe luftarak i Besëlidhjes së Kosovës themeluar nga fillimi i vitit 1877, nën udhëheqjen e Myderriz Ymer Prizrenit, me seli në Medresenë e Mehmet Pashës (Medreseja e Bajrakli Xhamisë). Ndërkaq, viti 1887 është pikërisht data e martirizimit të Myderriz Ymer Prizrenit, më 12 qershor, dhe shënon fundin e ekzistimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

U lind rreth vitit 1820, në gjirin e një familjeje fisnike me tradita intelektuale myderrizlerë (universitarë) në disa breza, pronarë të shumë çifliqeve në Zgatar, në Prizren dhe në rrethinë. Ishte i biri i myderriz Sylejman Ali Nuhit të Zgatarit të Opojës. Gjyshi i Ymerit, myderriz Ali Nuhi, kishte bërë emër në Opojë si themelues dhe imam i parë i Xhamisë së Zgatarit, themeluar me berat të Sulltanit, më 29 Xhemazul ahir 1229 (më 10 maj 1814). Për të birin e Aliut, Sylejmanin, nuk dihet kur erdhi në Prizren. Sylejmani ishte imam në Bajrakli Xhami, pronar i shumë tokave, i dyqaneve dhe i mullinjve në Prizren e në rrethinë: Ponoshec, Grazhdanik etj. dhe bëri emër si myderriz pikërisht në Medresenë e Bajrakli Xhamisë.

Myderriz Sylejman Efendia, i quajtur edhe Zgatari, u dha shkolla të larta djemve: Aliut, Ymerit dhe Osmanit. Do të ketë fat të trashëgohet vetëm Aliu, kurse në historinë kombëtare do të hyjë dhe do të zërë vend të përjetshëm vetëm Ymeri, i cili, sa dimë sot, shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Prizren, kurse studimet në fushat e shkencave juridike, filozofike dhe teologjike i mbaroi në Stamboll. Fillet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Efendi Zgatarin, e gjetën në pozitën e përfaqësuesit të Kosovës në Parlamentin osman dhe të myderrizit në Medresenë e Mehmet Pashës – “Bajrakli Xhamisë”.

Ymer Sylejman Zgatari pas mbarimit të shkollimit shërbeu myfti në Prizren dhe fillimisht nderohej me titullin Efendi (zotëri), kurse pas haxhíllëkut do të nderohet me titullin Haxhí. Meqë ishte udhëheqës shpirtëror i rreshtimit mistik nakshibendi, quhej edhe sheh, kurse nga zgjedhja përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Parlamentin Osman, nga fillimi i vitit 1877, do të quhet me mbiemrin Prizreni. Së këndejmi, në burimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në kujtesën historike haset të quhet: Efendi, Hoxha i Madh, Myderriz, Muderrisi i Madh, Sheh, Myfti dhe Haxhí, i cili tërë jetën i qëndroi besnik parimit të nakshibendive: “Njohuritë e jashtme janë për botën, kurse njohuritë e brendshme janë për Zotin”.

Njëqindedhjetë vjeçari shëndetmirë, Mulla Sefer Bajrovci nga Restelica e Gorës, më 23 maj 1978, ka konstatuar: “Myderrizi Ymer Efendiu (…) ishte trupmesatar, i fuqishëm, shpatullgjerë. Me ballin e gjerë, me sytë zhbirues në gropë nën vetullat krahnez dhe me një mjekër të thinjur e të gjerë, që të kujtonte njeriun e shenjtë, të përshpirtshëm e me mendje me thellësi oqeanike...! Ishte mistik, ndaj në vend të qallmes së hoxhës mbante një shall të gjelbër...”.

Të dhënat e dala nga ekspertiza për rikonstruktimin antropologjik të trupit të Ymer Efendi Prizrenit, të kryera nga antropologu hungarez - Janosh Nemeshker, më 11-16 prill 1978, vërtetojnë se Haxhí Ymer Prizreni ishte i gjatë rreth 171.70 cm, me karakteristikat raciale dinarike europoid - brachyran-e, me kraharor të zhvilluar të hedhur para, truptrashë, me ballin e lartë të hedhur dhe me hundë sqepshqiponje. Citojmë: "Gjatësia e trupit është e madhe, trupi është mesatarisht i gjatë, ekstremitetet e epërme dhe të poshtme janë proporcionale dhe më shumë të shprehura në drejtim të ekstremiteteve. Gjatësia e krahëve hyn në grupin e krahëve "shumë të gjerë". Kafazi i krahërorit është i gjatë, i qitur, i gjerë, e të njëjtat vlera i përmban edhe kombliko, që është i matur në varr. Në bazë të lugjeve dhe të të prerave në eshtrat e skeletit, konstatohet se ka pasur muskulaturë të fortë. Duke marrë parasysh karakteristikat sekondare seksuale, masculinitet-in shprehimor, personi mund të konsiderohet për nga shtati atleto-musculasis".

Myderriz Haxhí Ymer Prizreni kishte kulturë e njohuri të gjera islame, letrare, filozofike, politike, ushtarake, astronomike, gjeografike dhe historiografike. Si pedagog u shqua me edukimin patriotik, fetar e multidisiplinor ditunor të nxënësve dhe të studentëve të Medresesë dhe në riedukimin kombëtar, fetar e politik të të moshuarve në xhami e oda. Fliste rrjedhshëm disa gjuhë: shqip, gorançe (koine bullgare mesjetare), turqisht, serbisht, arabisht, persisht, frëngjisht dhe kuptonte gjuhën gjermane. Të dhënat nga ekspertiza antropologjike vërtetojnë se deri në ditët e fundit të jetës qëndroi me laps në dorë pranë tavolinës së punës.

Sipas kujtesës historike, Myderriz Ymeri fliste qetë, qartë e bindshëm dhe kishte aftësi të jashtëzakonshme për t’i përvetësuar njerëzit, masat. Gjatë tërë jetës së tij pedagogjike, politike e ushtarake u shqua me veprimtari të gjithanshme. Ishte personalitet liridashës, trim i paepur dhe mbi të gjitha shquhej për drejtësi. Thuhet se në zemrën dhe në shpirtin e tij kishte diçka mbinjerëzore, diçka shenjtërore.

Të dhënat burimore të proveniencës osmane vërtetojnë se Myderriz Sheh Haxhí Ymer Prizreni bënte pjesë në elitën e veprimtarëve demokratë të “Bashkimit të Ri Osman”, ithtarë këta të revolucionit shoqëror demokratik borgjez dhe hartues së Kushtetutës së shpallur nga Sulltan Abdylhamidi, më 23 dhjetor 1876. Me urgjencën që shtronte koha u ftua Parlamenti i Perandorisë Osmane, në të cilin viset e njësisë etnokulturore e gjeopolitike Shqipëri, prej rreth 114 728 km2, u përfaqësuan me 35 deputetë, prej të cilëve 25 shqiptarë. Parlamenti, përkatësisht: “Asamblea e Madhe”, u tubua më 18 janar, kurse Seanca e Parë e rregullt e punës filloi më 19 mars 1877. Me hapjen e Parlamentit realisht filloi reformimi, modernizimi, demokratizimi dhe decentralizimi i Perandorisë Osmane. Ndaj, për ta ndërprerë këtë proces, Rusia, më 24 prill 1877, me bekim të Evropës së krishterë, i shpalli luftë Perandorisë Osmane, gjithnjë duke pasur pas shpine, me armë në duar, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë me plane të gatshme për të aneksuar pjesët më vitale të Shqipërisë.

Ymer Prizreni

Rreziku i drejtpërdrejtë i copëtimit të Shqipërisë ishte evident. Ndaj, kjo vuri në lëvizje të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Grupi parlamentar shqiptar tuboi rreth vetes personalitetet intelektuale dhe udhtarake me autoritet në nivelet regjionale, kombëtare dhe ndërkombëtare me detyrë të qartë: T’i dilet zot Shqipërisë. Midis aktivistëve në këtë drejtim shquhej Sheh Ymer Prizreni, i cili, me urgjencën që shtronte momenti historik, themeloi të parën organizatë politiko-ushtarake “Ittifak” (Lidhja) me seli në Prizren, e cila për një kohë të shkurtër u rrit në “Besëlidhje” nën drejtimin e parlamentarit Ymer Prizreni, me detyrë të mbarështronte organizimin e mbrojtjes vullnetare të Vilajetit të Kosovës nga sulmet eventuale të Serbisë dhe të Malit të Zi.

Pas shpërndarjes së Parlamentit Osman nga Sulltani, më 13 shkurt 1878, pjesa më e madhe e deputetëve shqiptarë, në mënyrë të organizuar, u shpërndanë nëpër krahina të ndryshme të Shqipërisë, për të organizuar mbrojtjen e vendit. Së këndejmi, edhe konstatimi i drejtë i gazetës zagrebase Obzor, të 14 shtatorit 1878, se “Vendimi për Themelimin e Lidhjes (së Prizrenit) u mor në Stamboll nga intelektualë shqiptarë që mbanin pozita të rëndësishme në administratë, në kulturë, në ushtri dhe në xhandarmëri: nga pashallarë dhe deputetë shqiptarë me influnecë në jetën e Portës”.

Lufta ruso-turke do të mbyllet me Traktatin e Shën-Stefanit të 3 marsit 1878, të nënshkruar nga Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania dhe Italia. Perandoria Osmane në Ballkan dhe në Azi do të humbte rreth 350 000 km2, kurse vetëm në Ballkan 280 000 km2. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi fitonin pavarësinë dhe zgjeroheshin territorialisht: Serbia nga 37.7 mijë rritej në 52.7 mijë km2, Mali i Zi nga 4.7 mijë në 15.7 mijë km2 dhe do të formohej autonomia tributare e Bullgarisë me 172.5 mijë km2. Tokat e tjera iu ndanë Rusisë dhe Rumanisë. Turqisë do t’i mbeteshin vetëm rreth 20% të tokave në Ballkan, një rrip toke nga Bosfori deri në Adriatik.

Në këtë mënyrë po plotësohej një pjesë e madhe e kërkesave të pansllavizmit rus, të shprehur qartë me penën e shkrimtarit Fjodor Dostojevski, më 1877, se “Një gjigand si Rusia duhet më në fund të dalë nga ajo dhoma e ngushtë ku koka ia godet tavanin, për të lëshuar shtatin në botën e gjerë dhe për të thithur ajrin e lirë të deteve dhe të oqeaneve”.

Këso kohe, në vise të Plavë - Gucisë dhe të Prishtinës, vepronin njësitë vullnetare të Besëlidhjes. Nga marsi i vitit l878, Ymer Efendi Prizreni Besëlidhjen e shtriu në pjesën më të madhe të Gegërisë, në kontakte veprimi të përhershëm me Jusuf Efendi Podgoricën, deputet i Shkodrës, me Zija Prishtinën, deputet i Prishtinës, me Abdyl be Frashërin, deputet i Janinës, me Ali pashë Gucinë, me Ali be Dragën e Mitrovicës, me Ilijaz pashë Dibrën, me Abdullah pashë Drenin e Gjakovës, me Mulla Zejnelabedin Biberin (Haxhí Mulla Zekën) e Pejës, me Jashar be Shkupin, me myderriz Sali Efendi Hyljen e Ulqinit etj.

Sipas dr. Jovan Haxhí - Vasileviqit, veprimet shqiptare për themelimin e Lidhjes Gjithëshqiptare, e njohur me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit dolën në shesh në Vilajetin e Kosovës dhe në Vilajetin e Manastirit përnjëherë pas lidhjes së marrëveshjes serbo-turke të datës 23 janar 1878. Aso kohe u shtruan kërkesat që "Lidhja shqiptare të formohet sa më shpejt", Të dhënat burimore flasin bindshëm se Haxhí Ymer Prizreni ishte udhëheqësi ideor dhe koordinatori e drejtuesi kryesor për farkëtimin e për shtrirjen e besëlidhjeve krahinore në një organizatë të vetme politiko-ushtarake shqiptare me detyrën e Komitetit të Shpëtimit Publik. Prej këndej edhe konstatimi i Ahmet Muhtar Pashës, më 1 prill 1880, se Traktati i Shën-Stefanit nxiti krijimin e Lidhjes Shqiptare, përkatësisht konstatimi i Dërvish Pashës, më 27 dhjetor 1880, se “Në vise të Gegërisë ka lindur ideja e bashkimit”, kurse Myderriz Ymer Prizreni nëMemorandumin e 15 prillit 1881, për Sulltanin dhe përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Stamboll, konstatonte: “… qe katër vjet jemi bashkuar dhe e kemi formuar Lidhjen tonë…”

Parlamentari Muderris Ymer Efendi Prizreni e nënshkroi, më 30 mars 1878, Memorandumin drejtuar Konferencës së Shën-Stefanit, në emër të Vilajetit të Kosovës.
Kjo është edhe një dëshmi për rolin dhe rëndësinë udhëheqëse të tij në krye të bllokut të deputetëve të Kosovës. Në këtë dokument qartë nxorën kokë idetë separatiste autonomiste dhe të pavarësisë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Së këndejmi, përfaqësuesi i Londrës në Stamboll, H. H. Layard, i shkroi Anglisë, më 1 prill 1978, se shqiptarët e shikojnë “autonominë' si një ilaç, i cili mund të përdorej kundër të gjitha padrejtësive". ndaj“rënia e pushtetit turk nuk do të jetë përfundimi, por fillimi i Çështjes Lindore”.

Realisht, edhe konsulli frëng në Shkodër, qysh më 4 maj 1878, informonte për nismën e formimit të Lidhjes Shqiptare, kur arritën në Prizren 30 delegatët e parë kundër Vendimeve të Shën-Stefanit. Për këtë qëllim kishin filluar negociatat edhe midis përfaqësuesit të Mirditës, Prenk Bib Dodës, dhe Valiut të Shkodrës. Ndërkaq, konsulli vjenez në Shkodër, Lippich, më 27 maj 1878, informonte Vjenën se thirrjen dhe përkujdesjen për Kuvendin Gjithëshqiptar në Prizren ka marrë mbi vete një "Komision i Ngushtë" i patriotëve nga Prizreni dhe Gjakova në krye me Myderriz Ymer Prizrenin. Fjala është për veprimtarët dhe drejtuesit e organizatës “Lidhja”_ “Besëlidhja” të prillit të vitit 1877. Ky "Komision", sipas Ahmet Koronicës, më 31.VIII.1878, vepronte sipas udhëzimeve të Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare - Komitetit të Stambollit, kurse studiuesi Kristo Frashëri e quan "Komision organizator të Kuvendit" të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Për rolin themeltar të Myderriz Haxhí Ymerit në fushë të ngritjes së Lidhjes Shqiptare flet një skicë (fotografi) e vitit 1881, shoqëruar me një tekst serbisht për mbledhjen e krerëve themelues të Lidhjes, më 4 qershor 1878, në Bajrakli Xhami. Në dokument thuhej: "Aty janë tubuar pasardhësit trima të Gjergj Kastriotit, ndërsa serioziteti, me të cilin dëgjojnë hoxhën fjalëmbajtës, na bënë të bindemi se ata i kanë shtyrë të tubohen rrethanat e rëndësishme. S’ka dyshim se ky tubim paralajmëron ngjarje të rëndësishme të cilat shpejt do të marrin dhenë e do të përhapen në botë gjerësisht si simptome të fuqisë jetësore të popullit shqiptar, rreth të cilit Evropa nuk tregoi kurrfarë kujdesi që nga rënia e Krujës e gjer në ditët e sotme".

Ndërkaq, bullgaro-serbi Haxhí Jovan Vasileviq, më 1909, do të theksojë: “Shqiptarët kuvendimin e vet të parë e kanë mbajtur më 23 maj”, që do të thotë më 4 qershor 1878, “në Bajrakli Xhaminë e njohur, për faktin se myderrizi i asaj xhamie ishte edhe kryetari i përkohshëm i Lidhjes së Prizrenit. Mbledhjet e Kongresit kanë qenë të fshehta dhe askujt, përveç delegatëve dhe të ftuarve të posaçëm nga Prizreni dhe rrethina, nuk i është lejuar hyrja. Mbledhjet kanë zgjatur dy javë të plota dhe janë mbajtur për çdo ditë”, që do të thotë: nga 4-18 qershor 1878.

Vasiljeviq në krye të listës së anëtarëve të “Këshillit Kryesor të Lidhjes” e vuri Haxhí Ymer Efendinë. Edhe sipas studiuesit Kliment Xhambazovski kuvendimet përthemelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajtën nga mesi i majit 1878, por ngritja është realizuar definitivisht në Seancën e Kuvendit Shqiptar të 5 qershorit 1878. Kristo Frashëri këtë mbledhje kuvendore e quan “takim në shkallë sanxhaku të Prizrenit. Organizatori i mbledhjes ishte Haxhi Ymer Prizreni (…), kryetari i “Komisionit të Ngushtë”, i cili e përgatiti Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të 10 qershorit 1878, në prag të Kongresit të Berlinit.

Traktati i Shën Stefanit vërtetoi supremacionin e politikës pansllaviste ruse mbi Fuqitë e Mëdha evropiane katoliko-protestane. Ndaj, për t'i harmonizuar interesat midis ortodoksisë dhe katolicizmit, më 13 qershor deri më 13 korrik 1878 u mblodh Kongresi i Berlinit. Sipas të dhënave të sistematizuara nga Kristo Frashëri, Mali i Zi do të rritet për 4 400 km2, kurse sipas T. Yilmaz Öztuna, për 4 827 km2. Sipas hulumtimeve të mia, Mali i Zi u rrit për rreth 4 683 km2. Serbia, sipas K. Frashërit, u rrit për 10 600 km2, sipas T.Y. Öztuna për 7 727 km2 dhe sipas hulumtimeve të mia për rreth 10 500 km2. Fjala është për pushtimin dhe aneksimin e pjesës absolute të Sanxhakut të Nishit të Vilajetit të Kosovës, i cili kishte 10 972 km2. Greqia, sipas K. Frashërit, duhej të rritej për 20 304 km2 (nga Epiri 7 200 km2 dhe nga Thesalia 13 104 km2), mirëpo, sipas T.Y. Öztuna, Greqia u zgjerua me 13 488 km2, kurse sipas hulumtimeve të mia Greqia u zgjerua me rreth 9 275 km2 tokë me shumicë shqiptare. Del se me Traktatin e Kongresit të Berlinitnga njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë po shkëputeshin rreth 24 458 kilometra katrore.

Kuvendi i LSHP - 10 qershor 1878
 
Për ta penguar këtë copëtim, do të përpiqet Lidhja Shqiptare e Prizrenit me Myderriz Ymer Prizrenin, Orë, Zemër dhe Shpirt i Lidhjes. Këtu duhet të ritheksohet se fillimisht organizuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit organizatën e tyre politiko-ushtarake do ta quajnë simbolikisht: Bashkimi (Ittihad, Cem’iyyet), mandej Lidhja (Ittifak), Besa e tj. (Hey’et, Itthâd) - e cila "kishte për të vetëm qillim kundërqëndrimin në pretendimet e fqinjëvet të vegjël, për të ndaluar copëtimin e tokës shqiptare".

Kështu, ndërgjegjësimi i lëvizjes politike e luftarake shqiptare do ta detyrojë përfaqësuesin francez në Shkodër ta informojë Parisin, më 17 qershor l878, se “Lidhja, që formohej nga banorët myslimanë të Shqipërsisë së Sipërme kundër çdo lëshimi ndaj Malit të Zi, është sot një fakt i kryer. Delegatët nga të gjitha rrethet janë mbledhur në Prizren dhe po krijojnë Komitetin Qendror”.

Konsulli vjenez, Lippih, në Shkodër, më 18 qershor 1878, i shkruante Vjenës se "shqiptarët e Kosovës gjetën rrugën e drejtë kur iu përveshën formimit të Lidhjes Popullore. Ata deklaruan se në rastin ekstrem do të udhëhiqeshin nga parimi i mbështetjes në forcat e tyre. Ky parim i dha një nxitje të mëtejshme idesë që është bërë shumë popullore në Shqipëri".
Në seancën e 18 qershorit 1878 Kuvendi i Lidhjes aprovoi dy dokumentet juridike themeltare: Rregulla organike (Suret-i Kararname) me 16 nene dhe Udhëzimet ushtarake (Talimat) me 14 pika. Vendet e përfaqësuara dhe të nënshkruara në dy dokumentet themeltare paraqitnin arealin faktik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjeografinë e Lidhjes së Prizrenit.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes mbante mbledhje pandërprerë dhe shqyrtonte situatën politike e luftarake të prezantuar nga Këshilli Drejtues në krye me Myderriz Ymer Prizrenin. Më 3 gusht l878, Këshilli i Qendror i Lidhjes kishte autorizuar Sheh Mustafë Tetovën - "nji njeri me influencë të madhe në Kosovë," siç shkruante Belegu, të shkonte në Stamboll dhe personalisht të mirrte mendimin e kryeministrit se çka do të ndërmerrte Porta e Lartë për të parandaluar copëtimin e Shqipërisë sipas Traktatit të Berlinit dhe, më 5 gusht l878, Këshilli Qendror i Lidhjes "qiti kushtrimin për me u-mbledhë ushtarë në të gjithë Shqipnin".

Këshilli Drejtues (Komiteti i Shpëtimit Kombëtar) në krye me Myderriz Ymer Prizrenin ishte i paluhatshëm. Më l7 gusht l878, do të arrijë në Prizren valiu i Kosovës, Hafiz Pasha, për të ndikuar në Këshillin Drejtues të Lidhjes - të hiqte dorë nga rezistenca. Lidhja, ndërkaq, e cila sa vinte e më fuqimisht vepronte sipas tiktakeve të Orës së saj, Myderisit të Madh, dha kushtrimin: "Të gjithë burrat e Shqipnisë prej l5 gjer më 70 vjeç të rrokin armët për mbrojtjen e atdheut!" Këtë hap të rëndësishëm historikKëshilli Qendror i Lidhjes Shqiptare e morifalë ndikimit të vazhdueshëm të Myderriz Ymer Prizreni. Korrespondenti i Pester Lloyd-it nga Prizreni do të konstatojë: ’Këtu po bëhet mobilizimi nga ana e Lëvizjes Popullore kundër Greqisë”.

Dhe, sa vinte dhe Ymer Prizreni do të çojë dorë kundër pushtetit perandorak qendror dhe kundër vetë Sulltanit sovran. Për këtë qëllim e ftoi Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes për datën 26 gusht 1878. Këtë fakt sublimonte edhe përmbajtja e Fetfasë së Ymer Efendisë për legjitimitetin e luftës shqiptare për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë në të cilën theksohej: "Çdo shqiptar asht i detyrueshëm me luftue kundër ushtrisë turke, mbasi Turkija don me ja lëshue tokën shqiptare shkjaut."

Gazeta austro-hugareze Pester Lloyd, e 2 shtatorit 1878, e përcolli nga afër, dhe me një dozë indinjate antiislame dhe antishqiptare, aktivitetin organizativ e udhëheqës të Ymer Efendi Prizrenit në Kuvendin e Gushtit. “Me datën 26 gusht - informonte korrespondenti i sajnga Prizreni - ndodhi këtu një ngjarje me rëndësi. Xhonturku i quajtur Omer Efendi, i cili me gjak i takon fisit shqiptar, i tuboi rreth vetes krerët e Lidhjes dhe i bëri me dije se në Stamboll “frankët” (evropianët - M.P.) me të holla po qeverisin, kurse Sulltani është vetëm vegël e ministrave të vet të korroptuar nga Evropa. Me Astro-Hungarinë, me atë shtet gllabëronjës, në vend se të luftojë, është duke bërë marrëveshje, kurse Greqisë do t’ia lëshojë vendet më të bukura të Shqipërisë (...)”.

Në vazhdim, korrespondenti i Pester Lloyd-it, e quajti Ymer Prizrenin - “deputet fanatik nga Stambolli”, i cili para delegatëve kishte konstatuar: ”Nuk ka më qeveri turke-muhamediane” dhe “i kishte nxitur bashkatdhetarët e vet që frenjtë e fatit të popullit t’i marrin në duart e veta. Në atë moment e merr fjalën Abdullah Nesimi (Dreni), fisnik nga Gjakova, e renditi fakte të cilat aludonin për shkëputjen e Shqipërisë nga Porta...”.

Mirëpo, Haxhí Ymer Prizreni në këtë seancë nuk e gjeti përkrahjen e shumicës së delegatëve të marrë Vendimin për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë. Megjithatë, Kuvendi i Lidhjes aprovoi një Rezolutë që u linte shteg negociatave shqiptare me Portën e Lartë, për autonominë e Shqipërisë. Sipas Pester Loyd-it, Shqipëria do të shkëputej nga pushteti qendror i Turqisë në momentin kur Porta e Lartë do të deklarohej kundër programit politik e luftarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe përfundonte: ”Kush i njeh shqiptarët mirë, ashtu sikur korrespondenti Juaj - kjo do të thotë shkëputje e atij populli nga qeveria e dobët dhe e korruptuar e Stambollit. Kryengritja shqiptare do të shpërthejë në momentin e parë, porsa të cënohen interesat shqiptare”.

Korrespondenca e Pester Loyd-it e 2 shtatorit 1878 konstatonte qartë: “Lidhja tashti është sundimtarja e Shqipërisë prej Janinës deri në kufijtë e Malit të Zi”, dhe se në krye të saj qëndrojnë “hoxhallarët fanatikë, të cilët plotësisht i kanë përvetësuar të rinjtë” dhe, “mjerisht, duhet të pranojmë se në Shqipëri më nuk sundon Qeveria e Stambollit, por Lidhja...!”
Realisht, thirrja e Kuvendit të 26 gushtit ishte përgjigje e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ardhjes nga Stambolli në Kosovë të Mehmet Ali pashë Maxharrit, alias Charles De Troaes, me prejardhje frënge, përfaqësues i Perandorisë Osmane në Kongresin e Berlinit. Sulltani dhe Porta dërguan Maxharrin në Kosovë "si mik i shqiptarëve", ngase ishte dhëndër i Begollajve të Pejës. Ai arriti në Prizren më 25 gusht 1878.

Se Shqipëria do të çojë dorë kundër pushtetit robërues e kapitullues të Portës së Lartë tregoi qartë tragjedia e vrasjes së telegrafistit të Mehmed Ali pashë Maxharrit nga veprimtarët e "Partisë së Aksionit" të myderriz Haxhí Ymer Prizrenit, siç shkroi konsulli vjenez, Jelinek. Më 27 gusht 1878, Mehmet Ali Pasha shkoi në Selinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Bajrakli Medrese. Kërkoi nga Ymer Prizreni dhe bashkëpunëtorët e tij në Komitetin Drejtues (Komiteti i Shpëtimit Kombëtar) të Lidhjes, të heqnin dorë nga pengesat shqiptare për dorëzimin e viseve të Plavës dhe të Gucisë Malit të Zi. Komiteti Qendror i Lidhjes, siç informonte përfaqësuesi frëng në Shkodër, më 16 shtator 1878, refuzoi këshillat, sugjerimet dhe direktivat e Portës të shprehura përmes Charles de Troaes.

Konsulli i Anglisë në Prizren, më 12 qershor 1880, do të informojë Londrën se: “Iniciator dhe organizator i rezistencës në Prizren kundër Mehmed Ali Pashës dhe njëri ndër nxitësit e vrasjes së tij në Gjakovë ishte Kryetari i Degës së Lidhjes së Prizrenit, Haxhí Ymer Prizreni”. Ndërkaq, përfaqësuesi i Parisit në Stamboll, më 11 shtator 1878, pas analizës që i bëri vrasjes së Mehmet Ali Pashës në Gjakovë, vërtetoi se ”Në Shqipëri lëvizja u bë kombëtare. Të gjithë janë nën armë, që nga i riu e deri te plaku pa dallim feje...!”

Goditja që mori Porta dhe Fuqitë e Mëdha evropiane me vrasjen e Mehmet Ali Pashës bëri që përfaqësuesi i Rusisë në Stamboll, më 13 shtator 1878, t’ia pranonte përfaqësuesit të Francës, se: ”Kongresi i Berlinit nuk e parashikoi këtë kombësi (shqiptare) të re, sepse ai e copëtoi Shqipërinë me lehtësi të madhe, duke i dhënë secilit që kërkonte ose të deshironte nga një copë...”. Ndërkaq, konsulli frëng në Shkodër e dinte se kombin shqiptar e kishte vu në lëvizje Myderriz Ymer Efendiu. Më 16 shtator 1878, ai do t’i shkruajë Parisit se: “Lidhja Shhqiptare frymon në Prizren, ku lindi fryma revolucionare”.

Porta e Lartë, për ta thyer nga brenda Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për ta bërë instrument politik e ushtarak proosman, për t’ia marrë nga duart adutin udhëheqës çlirimtar myderrizit Haxhí Ymer Prizreni, me anë të Sheh Mustafë Tetovës e provokoi thirrjen e një Kuvendi të Lidhjes Shqiptare në Prizren për datën 27 nëntor 1878. Mirëpo, gjatë punimeve, falë vendosmërisë së Myderriz Ymer Prizrenit, Kuvendi u kthye në një kuvend politik kombëtar shqiptar themelvënës të autonomisë së Shqipërisë, i cili, sipas Kristo Dakos, aprovoi Programin e ri të Lidhjes prej pesë pikash.
Ky Program, gjithsesi, pjellë përfundimtare e mendjes politike të ndritur të Myderriz Ymer Prizrenit, do të bëhet platformë politike për paraqitjet e çdo individi, të çdo degeje e të çdo përfaqësuesi të Lidhjes në opinionin kombëtar e ndërkombëtar.

Këtu po sjellim vetëm 5 pikat:
1) Të gjitha krahinat e Shqipnis që përmendëm ma sipër duhet të përmblidhen në nji vilajet dhe qendra të bahet në nji qytet, i cili të jetë në mes të Shqipnisë.
2) Nëpunësit që do të shërbejnë në kët vilajet duhet të dijnë gjuhën shqipe.
3) Arsimi të përhapet në të gjitha anët. Nëpër shkollat të mësohet edhe gjuha shqipe.
4) Të zbatohen ligje të dobishme për Perandorinë e për kombin, ligje kto që do të përpilohen prej Mbledhjes së përgjithshme që do të mblidhet katër muej në vit në qendrën e Vilajetit.
5) Nji pjesë e mjaftueshme e t'ardhunave të Vilajetit do të përdoren për punra botore.”

Tashti mund të konstatojmë: krahu autonomist i myderriz Haxhí Ymer Prizrenit, këso kohe, ishte bërë forcë dominante në Komitetin Qendror e në komitetet e degëve të Lidhjes, ndaj më nuk mund të thehej. Në fillim të dhjetorit 1878, Haxhí Ymeri ndikoi të emërohej kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Ilijaz pashë Dibra, që kishte gradën ushtarake mirmiran (kolonel), në vend të Sheh Mustafë Tetovës, të planifikuar nga qarqet osmane. Gazeta Zastava e 6 dhjetorit 1878 citonte konkluzionet e Kuvendit të Lidhjes, ku thuhej qartë: ”Ne Shqiptarët e Shqipërisë së Epërme po e shohim se është nevoja e domosdoshme të formohet Shqipëria e Lirë (...). Ky është mendim i shqiptarëve”.

Më 2 shkurt 1879, Myderriz Ymer Prizreni, mbajti Kuvendin e Krerëve dhe të Degëve të Lidhjes, në të cilin morën pjesë “42 shqiptarë të shkëlqyeshëm” - informonte Zastava, në numrin 21 të vitit 1879. Kuvendi u mblodh nën pretekstin kinse për të protestuar kundër arrestimit të Said Beut tëTherandës,“Prijësit të Partisë Liridashëse”, por, në fakt, nga Porta u kërkua të urdhëronte konvokimin e Kuvendit Shqiptar për hartimin e Kushtetutës për autonominë e Shqipërisë.

Vërtet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke parë Shqipërinë para një rreziku të madh, të jashtëm e të brendshëm, më 21 mars 1879, informonte Portën e Lartë se: ”Lidhja ka ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e bijve të Atdheut të saj, fëmijët, nipat dhe pasardhësit e tyre dhe për këtë qëllim do ta derdhë edhe pikën e fundit të gjakut”. Këtë dokument e firmosën: Ruhiu (Sheh Mustafë Tetova) - Kryetar i Lidhjes së Prizrenit, Ymeri (Prizreni) - përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit, dhe përfaqësuesit e sanxhaqeve të Shkupit, të Dibrës, të Gjakovës, të Prishtinës, të Mitrovicës, të Pejës etj.

Në rrethana politike e ushtarake të këtilla, tepër të ndera për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kur shtrohej kërkesa për luftë mbrojtëse kundër kërcënimeve të Malit të Zi, të Greqisë dhe të Serbisë, por edhe kërkesa për luftë çlirimtare të trojeve shqiptare etnike të pushtuara nga Serbia e Mali i Zi, për ta rritur aftësinë mbrojtëse e çlirimtare të Lidhjes, Myderriz Ymer Prizreni e ftoi Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes për datën 24 maj 1879. Kuvendi do të aprovojë vendimin për mbledhjen e kontributit në para, në lartësinë 10 grosh për kokë të banorit, për mobilizimin e 15 mijë ushtarëve.

Përfaqësuesi i Gjermanisë në Stamboll informonte Berlinin, më 10 qershor1879, se "Turqia do të shuajë me armë Lëvizjen shqiptare". Madje, gazeta Narodni glasnik, e datës 20 qershor 1879, kërkesat e dokumentit të mësipërm i lidhi fuqimisht me synimet e luftimeve të para të ushtrisë osmane në Sanxhakun e Tregut të Ri, kundër forcave austro-hungareze, në lidhje e në përkrahje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. "Lëvizja shqiptare e lëkundi pushtetin turk dhe i drejtohet forcës së vet ushtarake kundër austriakëve".

Mirëpo, tashti forcat ushtarake të Lidhjes Shqiptare e kishin marrë në duar fatin e mbrojtjes së Shqipërisë. Gazeta Obzor, më 16 qershor 1879, duke shkruar për sukseset e Lidhjes Shqiptare, do të konstatojë: “Shqiptarët më në fund po ngriten nga të vdekurit dhe po e kujtojnë kreshnikun Skënderbe - Gjergj Kastriotin, duke nxjerrë para Evropës çështjen e tyre. Ata mendojnë për autonominë e atdheut të tyre shkëmbor”.

Dhe, këtu sikur e kërkon vendi të sillet konstatimi: Së paku nga gushti i vitit 1879, forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mbrojtje të tërësisë së Shqipërisë nga ana veriore, dhe pikërisht në mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë, përdori Flamurin Kombëtar – “një flamur të veçantë karakteristik”, siç do të theksojë Sulltani, më vonë, më 12 shkurt 1881. Ishte ky pikërisht Flamuri i Skëndërbeut në pamje identike me shqiponjën e “stampuar” në mure të Kalasë së Krujës.

Lapidaret e Abdyl Frasherit dhe Ymer Prizrenit

Lapidarët e Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit në oborrin e kompleksit memorial të LSHP-s

Këshilli Drejtues i Lidhjes me myderrizin vigjilent, Ymer Prizrenin, në krye – mbarështronte aktivitetin politik, diplomatik, publicistik e luftarak të Lidhjes së Prizrenit sipas rrethanave e nevojës jetike për ekzistencën e Shqipërisë. Së fundi, një kthesë të madhe në politikën e brendshme Lidhja Shqiptare do ta bëjë me Kuvendin e Përgjithshëm, në Prizren, më 3 tetor 1879, ku u shtrua nevoja që kërkesat e deritashme për formimin e "Vilajetit Shqiptar" të ngriteshin në kërkesë për ngritjen e Principatës Shqiptare nën sovranitetin e Sulltanit e me kryeqytetin në Manastir. Kuvendi u mbajt në Bajrakli Xhami të Prizrenit, të cilin konsulli rus, Jastrebov, më 7 tetor 1879, e quajti "Kuvend Popullor Shqiptar", në të cilin morën pjesë 48 delegatë. Kuvendi i 3 tetorit 1879, duke ndjekur vendosmërinë e masave shqiptare për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë Etnike, shkarkoi nga posti i kryetarit të Lidhjes Sheh Mustafë Tetovën, veprimtar i krahut të "moderuar", dhe për kryetar të Lidhjes Shqiptare emëroi kryetarin e Këshillit Drejtues, Myderriz Haxhí Ymer Prizrenin, i rrymës "revoucionare" dhe "shok idesh (...) patriotike i Abdyl Frashërit".

Më 9 dhjetor 1879, Komiteti Qendror i Lidhejs Shqiptare dhe, pikërisht drejtuesi i saj, Haxhí Ymer Efendi Prizreni dërgoi në Plavë Jusuf Agën të informonte Muhtar Pashën se: “Lidhja më nuk i aprovon urdhrat e Portës”. Nga fillimi i vitit 1880 Lidhja Shqiptare e Prizrenit kërkesat politike i ngriti fuqimisht drejt kërkesës për krijimin e Njësisë Autonome të Shqipërisë së bashkuar. Në bazë të burimeve arkivore e publicistike, ideator e kreator i të gjitha këtyre kërkesave, edhe më tutje, ishte Hoxha i Madh, Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni, i cili, për t’i dhënë frymë revolucionare kombëtare demokratike më të shëndoshë dhe shtrirje më të madhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, planifikoi të mbante Kuvendin e Përgjithshëm të degëve të Lidhjes në selitë e vilajeteve, të sanxhaqeve e të kazave shqiptare. Së këndejmi, edhe konstatimi i korrespondentit të Narodni list të Zarës, më 3 janar 1880, se "Selia e Lidhjes së Prizrenit qëndron aty ku dëgjohet zëri shqiptar".

Nga fundi i dhjetëditëshit të parë të janarit 1880, nën kryesinë e Haxhí Mulla Zekës, mik, bashkëpunëtor i ngushtë dhe vazhdues i denjë i ideve të Myderriz Haxhí Ymer Prizrenit, deri në frymën e fundit, u mbajt Kuvendi i Degës së Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe aprovoi Programin e ri të Lidhjes Shqiptare, të cilin botës ia bëri të njohur gazeta I foni tis Alvanias e Anastas Kulluriotit, më 16 shkurt 1880.

Ky Program, drejtuar Qeverisë Osmane në formë kërkesash, iu dorëzua valiut të Kosovës në Prishtinë, më l0 janar l880, nga një delegacion i dërguar nga Peja. Dokumenti saktësonte: "Interesat më jetike të shqiptarëve duan zhvillimin politik dhe kombëtar të vendit të tyre; por, siç tregon përvoja shumëshekullore, ky zhvillim është i pamundshëm në gjendjen e sotme, nga e cila del një dobësi aq e rrezikshme, saqë armiqtë e shqiptarëve e mbajnë atë pothuaj si një nxitje. Rrjedhimi i kësaj së keqeje është humbja e vendeve në të mirë të Serbisë dhe të Malit të Zi. Shqiptarët janë të mendimit se vetë interesi i Portës e detyron atë të marrë parasysh dëshirat e tyre të ligjshme. Pra, kombi kërkon: 1) bashkimin e të gjitha vilajeteve të Shqipërisë së Sipërme dhe të Poshtme në një vilajet të vetëm nën administrimin e një veziri; 2) formimin e një asambleje kombëtare, e cila të ketë edhe disa të drejta legjislative; 3) formimi i një këshilli të zgjedhur pranë vezirit; 4) caktim të njëhershëm të taksave; 5) ushtria shqiptare të qëndrojë në vatrat e saj dhe në kohë paqeje të ketë për detyrë ruajtjen e rendit, siç bëhet në Rumelinë Lindore."

Fitoret e njëpasnjëshme në fushën ushtarake dhe politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Myderriz Ymer Prizrenin, strateg, që nuk mposhtej, dhe veçanërisht mbrojtja aq me sukses e viseve të Shqipërisë të ndara Malit të Zi, i dhanë mbështetje Anastas Kulluriotit të afirmonte, më 16 shkurt 1880, kërkesat e Lidhjes për autonomi si hap natyror për pavarësinë e Shqipërisë: "Fitorja e forcave të armatosura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit dhe Grudës dhe tërheqja me disfatë e forcave agresore shoviniste malazeze ka rëndësi të madhe politike: Së pari, ajo forcoi më shumë besimin e madh te masat e popullit shqiptar dhe të vetë udhëheqësit më të vendosur të Lidhjes, në vitalitetin e forcave vullnetare të armatosura shqiptare të porsakrijuara dhe, së dyti, u kristalizua edhe më shumë kërkesa për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë."

Propozimin e Fuqive të Mëdha, të pranuar nga Porta e Lartë për kompensimin e Plavë-Gucisë me vise të Hotit, Grudës, Kastratit e të Kazasë së Ulqinit, Obzor, e 5 marsit 1880, e përcolli me komentimin: “Shih ngatërresat, edhe ato janë toka me shqiptarë”, kurse nga Lidhja Shqiptare njoftonin se ajo me Traktatin e Berlinit "nuk ka marrë mbi vete asgjë dhe nuk pranon kurrfarë tërheqje nga vendet e veta”.
Me qëllim që të organizohej më mirë dhe më efektivisht mbrojtja e Plavë-Gucisë, e Hotit, e Grudës, e Kelmendit dhe e Kastratit, myderrizi Haxhí Ymer Prizreni ftoi Kuvendin e Lidhjes në Guci. Në këtë Kuvend u mor vendimi të derdhet gjak për çdo pëllëmbë të tokës shqiptare - informonte Narodni list e Zarës, më 17 mars 1880.

Këtu duhet të konstatohet se tashmë Porta dhe ushtarakët më të lartë të Turqisë nuk mund ta mbanin të fshehtë faktin se aty ku dëgjohej Zëri i Shqipërisë realisht dëgjohej Zëri i Myderrizit të Madh të Prizrenit. Kjo më së miri u dëshmua me thirrjen e Kuvendit të Lidhjes në fshatin Rakoc të Gjakovës nga krahu "radikal": Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Haxhí Jonuzi etj., aty nga mesi i marsit 1880. Ky krah revolucionar kërcënonte mareshalin Ahmet Muhtar Pasha sedo të marshonin në Prizren me 8 000 veta, nëse ky nuk do t’i hapte udhë administratës shqiptare në Prizren e gjetkë. Me këtë krah patriotik të vendosur për ndryshime cilësore në administrimin shqiptar të Shqipërisë do të bashkohej legalisht, në Rakoc, më 21 mars 1880, edhe personaliteti i parë i Lidhjes, Myderrizi Ymer Prizreni. Muhtar Pasha u frikësua dhe pranoi depërtimin e Komitetit Qendror të Lidhjes me 600 luftëtarë në Prizren, me qëllim "të merrnin" pushtetin "në bazë të planit që kishte hartuar Ymer Prizreni".

Kështu, në relacionin e Ahmed Muhtar Pashës për Kryeministrinë në Stamboll, më 1 prill 1880, thuhet qartë: ”Kryetari i Lidhjes, Haxhí Efendiu, për të cilin kam folur në telegramet e mia të mëparshme, duke qenë tepër i zemëruar, disa herë kishte shprehur poshtë e lart kundër qeverisë fjalë të papërshtatshme, siç janë këto: ‘Këto apo ato toka ia dhanë armikut, së shpejti do t’ia japin edhe vendin tonë; mirëpo ne nuk do të lëmë që t’ia japin këtë aq lehtë’. Këto kuptohen nga fjalët që ishin dëgjuar nga gojë e tij. Nga veprimet e tanishme dhe nga disa veprime të tjera, del se njerëz të tillë kokëfortë, si i
sipërshënuari dhe shokët e tij, që ndodhen aty-këtu, nuk kanë hequr dorë aspak nga mendimet e tyre të gabueshme…”

Ushtaraku osman konstatonte se me urdhër të Haxhí Ymerit janë vendosur nëpunës të rinj në vend të të larguarve me dhunë. Nëpunësit e vendosur nga Lidhja me vullnet hoqën dorë nga të ardhurat mujore. Sipas Ahmet Muhtar Pashës, këta nëpunës merrnin vetëm dy të dhjetat e pagës dhe tetë pjesë nga tërësia ia lënin Lidhjes - që “të përdoreshin për të mirën e vendit të tyre”. Kjo fliste se Lidhjen po e financonin edhe nëpunësit e Lidhjes, bëmirës të Atdheut.

Ushtaraku Ahmet Muhtar Pasha, Vali i Manastirit dhe komandant i Armatës së Tretë të Perandorisë, pasqyroi edhe përpjekjet e Haxhí Ymer Prizrenit për t’i demaskuar dhe për t’i spastruar anëtarët proosmanë në Komitetin Qendror dhe në degët e Lidhjes Shqiptare. “Midis tyre ishte edhe vëllai i tij i madh, të cilin ai donte gjithashtu ta largonte. Ky njihej përkrahës i qeverisë ...” Dhe, edhe kjo ishte dëshmi për cilësitë kombformuese e shtetformuese të myderrizit Ymer Prizreni - për liri, çdo gjë!

Për ta penguar veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare, duke minuar aktivitetin e Ymer Efendi Prizrenit nga brenda, pashai osman propozonte masa dinake e drastike: Qeveria duhej t’i merrte në mbrojtje “Shtatë personat që tanimë kundërshtohen si njerëz që urrehen nga populli”; të veprohet në thellimin e hendekut midis gjakovarëve e prizrenasve, duke pasur adut gjakderdhjen me rastin e vrasjes së Mehmed Ali pashë Maxharrit; të veprohet në masën e popullsisë së Prizrenit për ta ftohur nga veprimet e Haxhí Ymerit, dhe, kur të arrihet kjo ftohje e popullit ndaj tij, të arrestohej së bashku me “nja gjashtë, ose tetëmbëdhjetë vetë që janë shokët e tij më të afërm, të kapen në befasi dhe të internohen (…). Prandaj, është e domosdoshme që nga njëra anë të presim këto (suksesin propagandas osmane përqarëse), kurse nga ana tjetër, të dërgohen këtu sa më shpejt e sa më shumë batalione të ushtrisë së rregullt dhe që i sipërshënuari të largohet patjetër dhe sa më shpejt që këtej!”.

Në vazhdim, Ahmet Muhtar Pasha, madje, ia tërhiqte vërejtjen Kryeministrisë: “Së treti”, për ta bërë Ymer Efendi Prizrenin të parëndësishëm, për ta larguar “me të mirë që këtej, duhet pasur parasysh se ai është një njeri i pasjellshëm dhe kokëfortë; prandaj ka mundësi që të mos largohet me këtë mënyrë” dhe theksonte se kërkesat që ai të largohej nga Kosova, me të mire, po e nxiste “atë të shkojë më tej...!”

Ndërkaq, gazeta El-ahram, e 13 majit 1880, duke informuar me paanësi për kërkesat shqiptare që i mbronte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nën udhëheqjen e Ymer Prizrenit do të konstatojë se: “Traktati i Berlinit ishte fillimi i problemit të Lindjes, e jo mbarimi i tij” dhe se “një popull i cili kërkon pavarësinë dhe është në gjendje të sakrifikojë çdo gjë është e pamundshme të lihet anash para se të ngopet toka me gjak; shqiptarët nuk janë më ata të djeshmit, ata janë zgjuar dhe janë më të pjekur" - përfundonte ajo.

Përafërsisht ngjashëm, do të informojë edhe Obzor e 14 majit 1880, në të cilën, duke shkruar për Lëvizjen Shqiptare nën udhëheqjen e Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, konstatonte se: “Shqipëria është duke ecur në rrugën e shkëputjes nga trupi turk për t’u shndërruar në shtet të pavarur”. Sipas Vasileviçit, një përmbysje të plotë të pushtetit osman Lidhja e bëri më 2 (14) maj 1880, në Prizren, duke ndjekur mytesarrifin, Ahmet Hilmi Pashën, dhe duke vendosur për prefekt Shuaip agë Fejzullah – Spahiun (Perollin) të Prizrenit, duke ia ndarë edhe "titullin Pashë”. Theksonte: “Me mytesarifin u ndoqën të gjithë nëpunësit turq dhe në vend të tyre u caktuan shqiptarë".

Ky ishte hap i madh drejt autonomisë së Shqipërisë, e papranueshme për Evropën e krishterë:Obzor do të konstatojë qartë e drejt se"Austria, për interesa të saj, ashtu si Anglia dhe Rusia, nuk ka dëshirë ta çojë Turqinë në likuidim”, ndaj Vjena po “ngutet ta qëllojë për vdekje Autonominë e Shqipërisë”.

Tashti, edhe një herë, sikur e kërkon vendi të ripohojmë se: Të gjitha burimet e proveniencës osmane dhe evropiane në myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenin shihnin forcën motorike – Orën, Zemrën dhe Shpirtin e Lidhjes Shqiptare. Konsulli vjenez në Prizren, Valdhart, më 9 qershor 1880, në Haxhí Ymer Prizrenin shihte luftëtarin e pathyeshëm për ripërtëritjen e Lidhjes Shqiptare të thyer përbrenda nga veprimtaria rrënuese e mareshalit Ahmet Muhtar Pasha. Ymeri punonte për autonominë e Shqipërisë me të gjitha mjetet.

Mirëpo, propaganda e krishterë evropiane antishqiptare, për ta përdhosur Programin politik e ushtarak kombëtar shqiptar të Lidhjes, do ta tregojë Myderrizin e Madh për “një ish-piun të Portës në Lidhjen Shqiptare”!?! Kjo më së miri shihet nga informata e konsullit anglez në Prizren, C.St. John, të datës 12 qershor 1880, për kontin Granville, në të cilën thuhej:
“Im Lord, Tani pata rastin t’i raportojë Shkelqësisë Suaj se personi i quajtur Haxhí Ymer Efendiu është duke ushtruar influencë të madhe në Prizren. Ky njeri tani është bërë një ‘diktator’, duke marrë pjesë aktive në punët publike, politike dhe gjyqësore. Mutesarrifi, i cili sa për sy e faqe e përfaqëson Qeverinë, është mënjanuar krejtësisht.

Qysh në fillim të vitit ai më kishte lënë një përshtypje si një shpifës i madh e tradhtar dhe nxitës i vrasjes së Mehmet Aliut, të cilin donte ta arratiste herët a vonë.
Është për t’u çuditur se ai jo vetëm që mbeti i patrazuar, por i mor të gjitha punët e administratës në duart e veta dhe është në marrëveshje direkte me administratën lokale.
Policia udhëzimet i merr nga ai, dhe, për shkak të dëshirës e kënaqësisë së tij, funksionarët e mëdhenj u shkarkuan nga shërbimi publik pa ndonjë arsye të caktuar, ose pa paralajmërim.

Ndonëse nuk mbante asnjë pozitë zyrtare, përveç asaj të mësuesit, ai korrespondonte me shifër kahdo që donte.
U përpoqa ta kuptojë natyrën e lidhjes së tij me Qeverinë, si edhe detyrat që duhet t’i kryente.
Ata të cilët nuk janë në partinë e tij dhe që përfaqësojnë pjesën më të madhe të banorëve e përshkruajnë pozitën e tij si të jashtëzakonshme dhe të pajustifikueshme, kurse idhtarët e tij, të krijuar me karakter shumë të ulët, e bëjnë atë si prijatar ekzekutiv për mirëmbajtjen e qetësisë dhe për administrimin e drejtësisë (...). Prandaj, është e qartë se Qeveria është duke e angazhuar atë për t’i vazhduar intrigat në mënyrë që t’i prishë vendimet e Evropës (...)”.

Më tutje, diplomati anglez, konstatonte me tendencë të qartë antishqiptare se, nëse Turqia e justifikon kundërshtimin e shqiptarëve me patriotizmin e tyre, kjo “nuk duhet të pranohet”!? - sepse cilësi të tilla nuk ka në këtë pjesë të Shqipërisë, përpos “në mendimet e një grupi fanatikësh, të udhëhequr nga Haxhí Ymer Efendiu, të cilët e kanë formuar të ashtuquajturën “Lidhja Shqiptare,” e cila, në realitet, nuk posedon asnjë vitalitet, përveç asaj çka rrjedh nga Qeveria, nga e cila, kohë pas kohe, shihet veprimi i mekanizmit të saj si dhe dëshira për një besnikëri të mirë”.

Përmbajtja e dokumentit të mësipërm pasqyron qëndrimin antishqiptar të tërbuar të Anglisë. Se Komiteti Qendror i Lidhjes dhe ideologu, kryetar i saj, myderrizi Haxhí Ymer Prizreni, ishin forcë politike shqiptare antiosmane për lirinë e Shqipërisë, ka dëshmi të shumta të pakontestueshme. Nga telegrami i valiut të Manastirit, Ahmet Muhtar Pasha, të datës 2 qershor 1880, shihet se Lidhja Shqiptare kishte depërtuar në të gjitha mekanizmat shtetërore osmane në tokat shqiptare: administratë, gjyqe, ushtri, polici dhe se Komiteti Qendror i Lidhjes ishte pushtet ekzekutiv e faktik në Shqipëri.

Ky vali osman antishqiptar, më 12 qershor 1880, e njoftonte Portën e Lartë se Komiteti Qendror i Lidhjes në Prizren, "nëpërmjet Degës së tij (...), është duke bërë presion në mënyrë demagogjike në popullsinë e vendit” dhe pretendon “që të gjitha viset e Shqipërisë të vihen nën një qeverisje unike dhe gradualisht të marrin formën e një shteti autonom. Bile, për t’i realizuar këto qëllime, kanë filluar parapërgatitjet duke ndërmarrë masa që prej tashit të organizojnë ushtrinë dhe format e tjera...”. Për ta ndalur këtë aktivitet, valiu i Manastirit propozonte: “Të zihen kryetarët e Komitetit të lartpërmendur si dhe të degës së tij, siç janë: Haxhí Ymer Efendiu, Shuaip Aga, prej anëtarëve Dervish Beu, Halim Qerqizi, Jonuz Efendiu, Rexhep Aga dhe Daut Spahiu - Gjakovari dhe të gjithë të internohen në vende të largëta dhe të ndryshme!”

Mutesarrifi i Prizrenit, më 15 qershor 1880, hedhjen në pranga të personaliteteve të përmendura e shihte të realizueshme, por, për t’i hyrë asaj pune, kërkonte të sillej në Prizren ushtri - kavaleri dhe këmbësori, forca të reja. Kjo kërkesë nuk mbeti pa efekte. Më 23 qershor 1880, Këshilli i Ministrave të Perandorisë Osmane aprovoi vendimin për internimin e Haxhí Ymer Prizrenit dhe të Shuaip agë Spahisë, “së bashku me pesë anëtarë të tjerë që përcaktohen me emra” dhe vendimin për kahet e veprimet që duheshin kryer për krijimin e “Vilajetit të bashkuar të Rumelisë”.

Në të vërtetë, nga fundi i qershorit dhe pjesa e parë e korrikut 1880, Haxhí Ymer Efendi Prizreni kishte ndërmarrë hapa vendimtarë për një përtëritje të kuadrit udhëheqës e komandues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të parandaluar copëtimin e Ulqinit nga Shqipëria. Për këtë qëllim e kishte thirr "Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes për një datë të shpejtë, dhe delegatët u emëruan nga shumica e kazave, dhe janë në rrugë për në atë vend të takimit” - informonte zyrtari anglez në Shkodër, më 15 korrik 1880.

Sipas konsullit austro-hungarez, Valdhart, më 21 korrik 1880, në Prizren arritën rreth 100 përfaqësues të degëve të Lidhjes. Midis kundërshtarëve të projekteve austro-hungareze, për ta shtrirë pushtimin deri në Mitrovicë, do të shquhet Myderriz Haxhí Ymer Prizreni. Kuvendi i Lidhjes u mbajt më 22 korrik 1880 dhe atij i bëri jehonë të madhe korrespondenca e Politische correspondenz të Vjenës, më 23 korrik 1880, të botuar greqisht në gazetën Ora të datës 3 gusht l880 dhe serbisht në Narodni list të 14 gushtit 1880.

Në këtë informatë personaliteti i myderrizit Haxhí Ymer Efendi Prizrenit pati një trajtim shumë të rëndësishëm për historinë kombëtare shqiptare. Gazeta Ora nxirrte konstatimin se në Prizren, në Kosovë e në Shqipëri, "Situata e përgjithshme nga dita në ditë është më e rëndë; rendi juridik në një të ardhme të afërt po kërcënohet dhe se frika për rreziqet ekstreme nga çasti në çast po vërehet e arsyetohet" dhe citonte pjesë nga raporti i 24 korrikut 1880 për "Pol. Correspondenz": "I quajturi Kuvendi i Madh i Prizrenit nxori në shesh figurën e Haxhi Ymer Efendisë për udhëheqës..."

Këtë raport, siç u tha më lart, e solli të plotë Narodni list, e cila, në fillim,theksonte: “Pol. corr. më datën 23 korrik nga Prizreni bie këtë shënim: 'Lidhja e Prizrenit për Kryetar ka emëruar Haxhí Ymer Efendiun. Famën e tij e tejkalon vetëm vrazhdësia e tij. Ai nuk respekton pushtetin e qeverisë turke, nuk duron pranë vetes asnjë që është baras me të, nuk duron të dëgjojë kundërshtimet, urdhëron pakufizueshëm, çdo rezistencë e dënon ashpër dhe sundon vërtet me frikë’.

Ky diktator i tipit - sipas dëshirës së vet, para pak kohësh bëri dy akte të cilat janë të çuditshme edhe për veten e tij. Para gjashtë ditësh (më 17 korrik 1880), i shkroi Valiut të Kosovës një letër shumë interesante për marrëdhëniet me ato vise, vërtet shumë të rëndësishme, me të cilën nuk kërkonte as më pak e as më shumë sesa tërë pajisjen ushtarake e cila gjendet në Prishtinë, në Mitrovicë dhe në Shkup t’ia dorëzojë ‘Lidhjes së Madhe’. Kjo kërkesë është bërë aq më vendosmëri, saqë Ymer Efendiu nuk ka ngurruar të shtojë edhe atë: ‘Nëse qeveritari në fjalë për tetëmbëdhjetë ditë nuk e plotëson atë kërkesë, Ushtria e Lidhjes do të vijë vetë për armë dhe municion, të cilat asaj i duhen”.

Korrespondenti vjenez, më tutje, theksoi: “Diktatori (Ymer Efendiu) nuk priti rezultate nga ajo letër, por përgatiti 4 000 mijë veta të cilët pa presedan e dëgjojnë dhe pas skadimit të afatit do të sulmojë me forcë.
Puna e tij e dytë diplomatike ishte ajo që e thirri të ashtuquajturin Komitet Popullor në Prizren. Në Shkodër, në Guci, në Lumë, në Pejë, në Gjakovë dhe në Tregun e Ri dërgoi këtë letër qarkore:
“Këshillit të vendit në...

Me këtë u urdhëroj që të besueshmit e Juaj nga Kazaja e Juaj t’i dërgoni këtu (në Prizren). Këta më duhet t’i marr në procedurë për disa gjëra. Mund të dërgoni një ose më shumë veta, por ata duhet të jenë të bindur ndaj Atdheut (...). Me datën 20 korrik të gjithë delegatët duhet të jenë këtu!”.

Kuptohet, urdhri është zbatuar. Nga Shkodra nxitoi zeshkani i rrëmbyeshëm, Et’hem Aga, nga Gucia kryengritësi ekstrem, Ali Pasha, Jusuf Aga dhe Ibrahim Alia nga Peja, mandej (...) Mahmut Mustafa nga Gjakova. Nga të gjitha anët erdhën njerëzit më të ashpër të Lidhjes. Dibranët, të cilët nuk dinin për farë Lidhje, gjithmonë të papushtueshëm, premtuan se do t’i dërgojnë delegatët e vet!

Kuvendin prej 104 anëtarësh Ymeri, më date 22, e njohtoi se ka vendosur të rekrutojë 18 mijë veta nën Flamurin e Lirisë. Delegatët janë të detyruar që në afatin më të shkurtër t’i caktojnë aq veta sa kërkohen nga secili rreth. Për armë është kujdesur vet, aq sa duhet. Pastaj vuri në spikamë se valiu i Prishtinës armët dhe municionin e përgatitur tani shpejt do t’ia dorëzojë “Lidhjes së Madhe”.

As për të holla nuk do të shfaqet nevoja (...). Në fund, deputetëve u solli ta nënshkruajnë njëfarë “Deklarate”, me të cilën sikur u shpallë luftë armiqve evropianë të Shqipërisë”.
Këtu duhet të konstatohet se korrespondenti vjenez gënjente kur thoshte se Ymer Efendiu është kundërshar “i rreptë i konfesioneve të tjera”, ndërkaq pati të drejtë kur tha se Ymer Prizreni ka ego të pathyeshme. Dhe se ai është udhëheqës i pakundërshtueshëm.Përfundonte: ”Para pak kohësh e ka ndjekur kajmekamin e Mitrovicës dhe askush nuk ka marrë guxim të nxjerrë fjalën jashtë”.

Kuvendi i Përgjithshëm, më 22 korrik 1880, iu drejtua Sulltanit, në emër të popullit shqiptar, me kërkesë të lejonte bashkimin e Shqipërisë dhe të caktonte një person për të qeverisur me Shqipërinë e bashkuar në emër të Sulltanit, duke vërë në pah se: “Sot në të gjitha anët ndër ne është bërë i njohur paralajmërimi i sulmit të padrejtë, të cilin armiqtë e jashtëm janë duke përgatitur kundër nesh. Për këtë arsye, të gjithë ne kemi vendosur të rrezikojmë me dëshirë e pa dëshirë trupin dhe krejt pasurinë për t’u mbrojtur nga armiqtë e jashtëm.

Sipas mendimit tonë të përgjithshëm, duke parë si obligim nevojën e mbrojtjes së atdheut, kemi vendosur njëzëri që qeverisja dhe administrimi i Shqipërisë duhet t’i ngarkohet patjetër një valiu të besueshëm, të aftë dhe të sigurt. Me zemër të pikëlluar në përgjithësi kemi vendosur të përqendrohemi kundër kësaj padrejtësie.

Qysh nga 400-500 vjet e këndej kemi jetuar nën sovranitetin e Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit, dhe qysh prej stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë në mënyrë trashëgimtare kemi gëzuar të drejtën e ekzistimit, të lirisë, të nderit dhe të fesë, kurse tani është e qartë se Lartmadhëria e Tij, Sulltani, nuk do ta lejojë shkatërrimin tonë brenda sekondës.

Lidhur me qëllimet dhe kërkesat tona ju kemi bërë qysh herët me dije dhe Ju kemi parashtruar peticione, kërkesa dhe telegrame, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive.
E njoftojmë Lartmadhërinë e Tij, Sulltanin, me qëllim të vetëmbrojtjes, duke dhënë jetën për tokë të atdheut tonë, për të cilin do të derdhim pikën e fundit të gjakut, do ta vazhdojmë kontinuitetin e qëndrueshmërisë dhe ekzistencën tonë trashëguese - historike.
Sot, në Prizren, janë mbledhur paria nga të gjitha viset tona. Çdo njëri ka ardhur sipas zakoneve të vjetra ku janë përmbushur fushat me njerëz të cilët kanë lidhur besën e bashkimit, duke u zotuar se do t’i zbatojnë dëshirat e përgjithshme të popullit për t’i mbrojtur viset e Shqipërisë.

Prandaj, kërkojmë prej Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit, të emërohet një person të qeverisë në të gjitha (viset tona). Turbullirat dhe trazirat e ndryshme deri tani janë frenuar me premtime, por prej tashti nuk do të jemi në gjendje t’i qetësojmë.
Lutemi edhe njëherë që përgjigjen definitive të na dërgoni po ose jo, të cilën e presim me padurim. Si gjithmonë, edhe në këtë pikëpamje urdhri i takon Lartmadhërisë së Tij, Sulltanit.
Të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë, më 22 korrik 1880. Dokumenti është vërtetuar me vulën: “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit”.

Këshilli i Ministrave të Turqisë e shqyrtoi, më 24 korrik 1880, kërkesën e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 22 korrikut 1880 dhe në fillim të procesverbalit konstatoi: “Kërkesa nga ana e Komitetit të Lidhjes së Prizrenit, që viset shqiptare të bashkohen në një shtet të veçantë autonom, të organizohet, të mobilizohet ushtria nga vetë ata dhe të grumbullohen ndihma të tjera, kjo është hyrje në tradhtitë e saj.
Për këta hapa është mirë që menjëherë të diskutohet dhe të kërkohet nga pushteti qendror që sa më parë të ndërmerren masat e duhura.

Udhëheqësit e kësaj Organizate dhe të Degës së saj, siç janë: Haxhí Ymer Efendiu dhe Shuaip Aga me pesë anëtarët e tjerë, që janë shënuar zyrtarisht në shkresë, duhet të internohen larg në vise të ndryshme”.
Tashti, pa hezituar, Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, në krye me urtakun e vendosur, Myderrizin e Madh, i renditi punët për t’i realizuar aspiratat politike autonomiste të Shqipërisë. Pikërisht më 26 korrik 1880 u dha urdhër degëve në krahina që të informonin personalitetet zyrtare osmane për anulimin e gjyqeve civile nga Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: ”Dega e Lidhjes për Prishtinën, që është qendra e vilajetit, na dorëzoi sot (më 3 gusht) një letër me njëzet vula, në të cilën thuhet e vihet në dukje se me vendimin e datës 26 korrik 1880, që i ka ardhur nga Komiteti i Lidhjes të Prizrenit, janë shkarkuar nga detyrat nëpunësit e rinj të gjykatave që ndodhen brenda Vilajetit (të Kosovës)” - i shkruanin nga qendra e Vilajetit, - Prishtina, Kryeministrisë.

Qendra e administrimit osman të Vilajetit të Kosovës, vis ky ku qëndronte truri, zemra dhe gjaku i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Haxhí Ymer Prizrenin, i sugjeronte Kryeministrisë së Turqisë, më 9 gusht 1880, se “nëse një orë e më parë nuk veprohet”
për parandalimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “atëherë e gjithë Shqipëria do të na dilte nga dora”.

Gazeta Srpski list e Zarës, më 8 dhjetor 1880, duke i bërë jehonë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në përmbushjen e Rezolutës së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes, të 22 korrikut 1880, dhe Kërkesës që ai Kuvend ia kishte drejtuar Sulltanit, shkroi: "Nuk është plotësisht e mundshme të vihet në spikamë lajmi serioz, të cilin në telegram po jua dërgoj edhe sipas të cilit Kryesia e shqiptarëve në Prizren ka vendosur të flakë nga populli i vet edhe vulën e fundit të sundimit të Sulltanit." Këshilli Ushtarak i Lidhjes, sipas Narodni list të 14 gushtit 1880, dhe pikërisht myderrizi Haxhí Ymer Prizreni kumtoi se nuk e njeh më Qeverinë e Stambollit dhe se “Lidhja u shpall luftë armiqve të Shqipërisë”.

Ndërkaq, Mutesarrifi (prefekti) i Prizrenit informonte valiun e Manastirit, më 20 gusht 1880, se ishte bërë një riorganizim në Lidhjen Shqiptare, duke përfshirë edhe riorganizimin e Komitetit Drejtues të Lidhjes, në krye të të cilit qëndronte myderrizi Haxhí Ymer Prizreni, kurse posti i Nënkryetarit të Lidhjes i ishte besuar Shuaip agë Spahisë, i cili e kishte edhe postin e Kryetarit të Komitetit të Degës së Lidhjes Shqiptare në Prizren. Dhe, i zhgënjyer nga fakti se Komiteti Qendror i Lidhjes, në krye me Ymer Prizrenin, sa vinte e bëhej më monolit, valiu i Manastirit i shkruante, më 21 gusht 1880, me indinjatë, Ministrisë në Stamboll se “ndonjë përçarje tjetër që dëshirohet të ndodhë në Prizren në dëm të Komitetit të Lidhjes nuk besojmë se do të mund të ketë. Prandaj tani ka ardhur koha të thellohet kjo përçarje dhe të sigurohen mjetet për ta mposhtur Lidhjen”.

Ndërkaq, valiu i Kosovës, më 11 nëntor 1880, informonte Ministrinë e Luftës në Stamboll se “Jemi informuar se para se të merret leja nga Qendra e Organizatës së Lidhjes së Prizrenit nuk mund të zbatohen kurrfarë masash, lidhur me çështjen e mobilizimit dhe të grumbullimit të rezervave”. Së këndejmi, përfundonte ai, “nuk jemi optimistë se mund të arrihet zhdukja e të gjitha këtyre veprimeve, lëvizjeve para se të shkatërrohet qendra e Organizatës së Lidhjes së Prizrenit. Kjo mund të arrihet vetëm me përdorimin e një force të madhe shtypëse!”

Pas shkëputjes së Ulqinit nga tërësia e trungut të Shqipërisë Etnike, më 26 nëntor 1880, me dhunë ushtarake e politike evropiane e `perandorake osmane për interesa të Malit të Zi, Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në krye me Myderrizin e Madh - Haxhí Ymer Efendi Prizrenin, tashmë me një famë të shtuar në përmasa kombëtare e ndërkombëtare, mobilizoi degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për t’i vu në jetë vendimet mbi kërkesat organizative më parësore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të aprovuara në Kuvendin e Lidhjes në Dibër, më 20-23 tetor 1880: Të ripërtërihet aktiviteti i degëve të pushuara; të merret pushteti gjyqësor e administrativ në nahi, në kaza dhe në nivel të Vilajetit, për ta bashkuar administrimin shtetëror të Shqipërisë nga Komiteti Qendror i Lidhjes; për përvetësimin për nevoja të Lidhjes Shqiptare të të gjitha të ardhurave të obliguara për Perandorinë dhe për mosdhënien ushtarë për ushtrinë perandorake të rregullt dhe atë rezervë.

Realisht, sipas prof. Zef Vizzolit, nga Kriza e Ulqinit në të gjitha kabinetet evropiane do të flitet për Çështjen shqiptare. Më tutje, valiu i Kosovës theksonte qartë se “Turbullirat dhe konfliktet të cilat e kanë përfshirë popullsinë e këtij Vilajeti i ka shkaktuar krejtësisht Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit” dhe se “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit me degët e tij, që janë formuar brenda Vilajetit të Kosovës, në këtë kohë e ka treguar veten në formë të pushtetit, pasi i ka zbatuar të gjitha aksionet që ka dëshiruar”.

Këtu duhet të kihet parasysh se sintagma Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit ishte sinonim për rolin pushtetar të myderrizit Haxhí Ymer Prizreni në Lidhjen Shqiptare. Realisht, pushteti faktik i Lidhjes Shqiptare në Vilajetin e Kosovës, sipas Valiut të Kosovës, pasqyrohej më fuqimisht në pengesat që atij, pra pushtetit osman, i bënte Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare në fushë të mbledhjes së ushtrisë - rekrutë e rezervë, ndaj “për t’i dhënë fund kësaj situate, njëherë e përgjithmonë, së pari kërkohet: të shpërndahet Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit me të gjitha degët e tij, të zbatohet mobilizimi i rekrutëve dhe marrja e rezervës”. Dhe, ritheksonin: “Për t’i realizuar këto masa, nevojitet që forcave ekzistuese të divizionit t’u shtohen 10-15 taborë nga ushtria mbretërore, me kusht që brenda muajit të rikthehen dhe të lejohet përdorimi i forcës ushtarake” dhe, “sipas nevojës së gjendjes së tanishme është çështje me rëndësi që Sanxhaku i Prizrenit (ku dominonte plotësisht fjala e Myderriz Haxhí Ymer Prizrenit) të rikthehet në kuadrin e këtij Vilajeti” - përfundonte Osman Pasha, zyrtari osman i Kosovës.

Organi kroat Obzor, i cili me kujdes të shtuar e përcolli veprimtarinë politike e luftarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të konstatojë, më 18 dhjetor 1880, se Prizreni është qendër administrative dhe ushtarake e Shqipërisë nën udhëheqjen dhe komandën supreme të myderriz Haxhí Ymer Prizrenit: “Luftërat e Gjergj Kastriotit e kanë larguar fuqinë e Turqisë nga Shqipëria, kurse Lëvizja e sotme (...) synon të dëbojë Greqinë etj (...). Qendër e kësaj Lëvizjeje nuk është Shkodra, as Janina, por është Prizreni”. Së këndejmi, “Prizreni - Krujë e viteve të Skënderbeut” - kisha konstatuar qysh më 1978.

Në janar të vitit 1881 u bë riorganizimi i Lidhjes. U formua Komiteti i Ri Qendror i Prizrenit, i cili e shpalli “Qeverinë e Përkohshme” të Shqipërisë, të cilën Sami Frashri e quajti “Kuvernë e Përdorme”, në krye të së cilës, sipas studiuesit osman, Sylejman Kylçe, u vu “aktivisti i shquar i Lidhjes, Sheh Ymer Prizreni”, i cili i mori në duart e veta Qeverinë dhe Lidhjen.Nga shkurti i vitit 1881 Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit, përkatësisht “Kuverna e Përdorme” e formoi një njësi ushtarake elite prej “tetë mijë vetësh t’armatosun, e përbame prej burrash mâ trima të Shqipnis”.

 Ishin këta kryesisht malësorë nga viset e Gjakovës, të Lumës e të Fandës, nën komandën e kreut të Gashit, Ali Ibrahimit - Ibrës, Haxhí Jonuzit, kryetar i Gjykatës tregtare të Prizrenit dhe Sylejman agë Vokshit, tashti më i dëshmuar si komandant energjik i forcave më elite të Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Këta u-betunë në nji mbledhje: 1) Me dhanë jetën për Shqipni, 2) me i prishë gjithë ata që do t’a thyjshin Besën shqiptare, 3) me e shtrëngue qeverinë e Stambollit që në Prizren, Gjakovë e Lumë t’i heki gjyqtarët e këqij e t’i zavendsojë ata me të ndershëm”.
Në mbledhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes në Prizren, ku u morën këto vendime, mori pjesë edhe Abdyl be Frashëri, i cili gjatë shkurtit 1881 do të vizitojë edhe Gjakovën, Pejën, Prishtinën e Dibrën. Dhe, duke u nisur nga një realitet i ri politik dhe shtetëror në Shqipëri, Narodni list e Zarës, më 19 shkurt 1881, shkruante qartë: "Shqipëria dëshiron pozitë autonome!"

Sidoqoftë, nga fundi i marsit 1881 të gjithë mekanizmat e organizmit shtetëror perandorak osman i kishin drejtuar mjetet drejt Kosovës së rebeluar. Mirëpo, burimet parësore vërtetojnë se, së paku nga fundi i marsit të vitit 1881, Myderriz Ymer Prizreni në krye të Komiteti Qendror të Lidhjes luajti në kartën e fundit për jetë a vdekje; për shkëputjen e autonomisë së Shqipërisë nga Porta e Lartë.

Sipas të dhënave të gazetës Narodni list të 2 prillit 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka ngritur në Prizren Qeverinë e vet të plotë, në krye me mutesarrifin Shaip Agë – Spahiun – Perollin. Të gjithë nëpunësit i ka vendosur Lidhja dhe të gjitha tatimet mblidhen për Lidhjen, e cila do të ftojë Sulltanin të emëronte kryetarin, i cili këtu do të sundojë në emër të tij. "Nëse Turqia nuk e plotëson këtë kërkesë, Lidhja është e gatshme të shpallë pavarësinë e Shqipërisë”. Ndërkaq, gazeta serbe Istok e 3 prillit 1881, duke pasqyruar revoltën shqiptare pas arrestimit të anëtarëve të Degës së Lidhjes në Shkup, shkroi: “Shqipëria u ngrit në këmbë përsëri.”

Realisht, Dervish Pasha, më 7 prill 1881, ishte në dijeni të plotë për hapat që kishte marrë Këshilli i Madh, përkatësisht Këshilli Drejtues (Kryesor, Qendror) i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i drejtuar nga Myderrizi i Madh, Haxhí Ymer Efendi Prizreni, i mbështetur fuqimisht në Shuaip agë Spahiun dhe Sylejman agë Vokshin. Këto tri personalitete paraqitnin triumviratin drejtues të fazës më vendimtare të Revolucionit Kombëtar Shqiptar që udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Për ta përballuar ofensivën e një armateje të rregullt prej më se 20 mijë ushtarësh e ushtarakësh osmanë kundër forcave të Këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shuaip agë Spahiu, me kompetencën e Kryetarit të “Qeverisë së Pavarur” të Shqipërisë, dha “kushtrimin që meshkujt prej 17 vjeç të rrokshin armët e të shkoshin në Shtime për me luftue, me mbrojtë atdheun!”

Pas prerjes së linjës telefonike në Prizren, më 28 mars 1881, që ishte bërë sipas urdhrit të Haxhí Ymer Prizrenit, me propozimin e Sylejman agë Vokshit, Këshilli i Madh (Këshilli Drejtues) i urdhëroi Këshillit të Degës së Prizenit të dërgonte dy telegrafistë me një makinë telegrafike në pozitat e forcave të Lidhjes Shqiptare në Shtime, për të qëndruar në lidhje të përhershme me Këshillin Drejtues - realisht me myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenin. Po kështu, nga post-telegrafi i Prizrenit të përcilleshin vetëm ato informata e telegrame që do t’i censuronte e t’i lejonte Kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhí Ymer Prizreni, tashti edhe Kryekomandant faktik i ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në ditët dramatike për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në prill të vitit 1881, përkrah myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, në Komitetin Drejtues (Qendror) të Lidhjes në Prizren ishin të pranishëm dhe vepronin: Halim Efendiu, Zekeria Aga, Sylejman Vokshi, Haqim Efendiu, Mustafë Aga, Halil Efendiu, Xheladin Efendiu, Xhemshit Beu, Hasan Beu etj. si dhe: Haxhí Sylejmani dhe myderriz Ali Efendiu nga Gjakova, Zejnel Efendiu nga Peja, Rauf Efendiu, Haxhí Jonuzi, Jakup Efendiu dhe Abdyl Efendiu të Prizrenit, të cilët e mbanin nën vështrim veprimtarinë e post-telegrafit në Prizren, së paku prej 28 marsit 1881.

Duhet të theksohet se këtu nga 5 prilli 1881, kur Sylejman agë Vokshi dhe dy myderrizët famëlartë gjakovarë: Hasan Efendi Shllaku dhe Ali Efendiu e lanë Prizrenin dhe shkuan në Gjakovë, për t’u vu në krye të malësorëve për Frontin e Ferizajt, koordinimi i të gjitha veprimeve në Komitetin Qendror (Këshillin Drejtues) të Prizrenit shkonte përmes dy personaliteteve kyçe: myderrizit Haxhí Ymer Prizeni dhe Shuaip agë Spahisë - Perollit, i cili, pasi dha kushtrimin për mobilizimin e vullnetarëve prej moshës 17-70 vjeç, urdhëroi mbylljen e pazarit të Prizrenit dhe i ftoi dy batalionet dhe dy bateritë e ushtrisë osmane, që ishin mbyllur në Kala, t’i dorëzonin armët, të siguruar se do “të liheshin të lirë”. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes, Haxhí Ymer Prizreni, u dërgoi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll një telegram me të cilin kërkonte të ndikonin në Portën e Lartë të heqë dorë nga dërgimi i ushtarëve dhe nga përdorimi i dhunës kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë.

Me operacionin ushtarak perandorak osman kundër Kosovës në ballë me Lidhjen Shqiptare të myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, fenomen i ushtarakut dhe i burrështetit shqiptar dinjitoz, komandonin Haxhí Osman Mustafë Pasha, strateg ushtarak i njohur, Ibrahim Pasha, dinak më shumë se dhelpra dhe Muhtar Ahmet Pasha, njohës i mirë i terrenit shqiptar. Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit në krye me Myderrizin e Madh, Haxhí Ymer Efendi Prizrenin e pathyeshëm në idealet për t’i dalë zot Shqipërisë, si biri më i mirë i saj, më 15 prill 1881, i dërgoi Sulltanit një Memorandum shumë përmbajtjesor dhe të rëndësishëm për historinë e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Në atë dokument u pasqyruan shkaqet kryesore të rebelimit të popullit shqiptar dhe qëllimet që ka për t’i arritur populli shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pa marrë parasysh çmimin e sakrificave. Në fjalinë e parë të dokumentit, për trazirat dhe kryengritjen gjithëpopullore në Shqipëri, fajësohet qeveria osmane, e cila, qysh nga shtypja e Revolucionit Borgjez Osman të vitit 1876, me administrim joadekuat prodhoi një “gjendje kaotike” në të gjitha viset e Turqisë Evropiane - Rumelisë.

Kjo bëri që “shumë krahina të banuara me popullsi myslimane”, pra edhe krahina të tëra shqiptare, të kalojnë “në duar të Bullgarisë, të Austrisë, të Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Pjesa e mbetur e Rumelisë me popullsi shqiptare, e cila është e njohur për trimërinë dhe për qëndrueshmërinë e saj, është gati që edhe ajo të kalojë në duar të armiqve dhe në këtë drejtim janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për pushtimin e saj” - theksohej në Memorandum.

Portës së Lartë edhe njëherë i tërhiqej vërejtja nga Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, përkatësisht nga Haxhí Ymer Prizreni, të shkundej nga antishqiptarizma për të parë rrezikun që Ballkani dhe Evropa po ia përgatisnin ardhmënisë së popullit shqiptar e Shqipërisë. Në dokument theksohej: “Nëpër të gjitha viset shqiptare qarkullojnë spiunët dhe diversantët të cilët janë dërguar nga shtetet e lartpërmendura me qëllim të na përçajnë në mes vetes, duke i bërë përgatitjet për okupimin e viseve tona.
Mirëpo, armiqtë tanë janë bindur për besnikërinë dhe patriotizmin tanë ndaj atdheut dhe kanë konstatuar se jemi shumë të qëndrueshëm. Mu për këtë arsye atyre nuk u mbetet tjetër gjë përveç dëshira e tyre për të na shkatërruar. Këtë çështje e ka kuptuar çdo njeri i yni, i vogël dhe i madh”.

Më tutje, me një oportunitet politik të domosdoshëm për momentin historik, si përpjekje për të ndikuar në ndërprerjen e operacioneve të Dervish Pashës kundër Lidhjes Shqiptare në Kosovë, konstatohej: “Duke marrë parasysh rrethanat se kemi jetuar në pesë shekujt e fundit nën sundimin e Perandorisë Osmane, përsëri e kemi gëzuar lirinë e plotë të ekzistencës sonë në atdheun tonë, prandaj jemi të gatshëm t’i mbrojmë viset tona të cilave u kërcënohet rreziku nga copëtimi”.

Në vazhdim, duke iu drejtuar Sulltan Abdylhamidit II, i cili deri në fund të vitit 1880 e përkrahu fuqimisht Lidhjen Shqiptare dhe programin e saj për autonominë e Shqipërisë, duke mbajtur korrespondencë për këto çështje me myderriz Haxhí Ymer Prizrenin dhe me personalitete të tjera shqiptare, në Memorandum u përmblodhën pikat kryesore të Programit politik e luftarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit:

“Na gjithashtu e njoftojmë Lartëmadhërinë e Tij, Sulltanin, se qe katër vjet jemi bashkuar dhe kemi formuar Lidhjen tonë dhe e ndjejmë veten se jemi shumë të sigurt.
Qëllimi i Lidhjes sonë është sa vijon:
1. Të mbrohen të gjitha të drejtat tona ligjore;
2. Të mbrohet e drejta jonë kombëtare;
3. Të mbrohemi nga ata që gjenden përbrenda viseve tona dhe tentojnë të na prishin qetësinë;
4. Të mbrohemi nga sulmet e armiqve dhe nga ndikimet e huaja që vijnë nga jashtë;
5. Të jetojmë nën sezerenitetin dhe nënshtetësinë e Perandorisë Osmane”.

Në Memorandumin e Ymer Prizrenit, të 15 prillt 1881, pasqyrohej vendosmëria shqiptare për idealet e shenjta të kombësisë dhe të lirisë së Atdheut: Thuhej qartë: “Duke u bazuar në vendimet dhe idetë e përgjithshme të Lidhjes, kemi ardhur në përfundim që pa e formuar një qeveri të njësuar nuk ka tjetër zgjidhje. Kjo është konstatuar dhe vërtetuar unanimisht”. Së këndejmi, konstatohej në dokument: “derisa të ekzistojë dhe të veprojë Lidhja në Shqipëri të gjitha sulmet do të përballohen me lehtësi. Këshillat e Lidhjes kanë çliruar Plavën dhe Gucinë dhe (shqiptarët) kanë ndryshuar plotësisht. Lidhja e tyre nuk është më e frymëzuar dhe e entuziazmuar të luftojë në emër të idealit fetar, në emër të profetit, as në emër të bartësit të kurorës së Mbretërisë Osmane - Sulltanit”.

Ky dokument relevant i historisë pasqyron bindjen politike kombëtare dhe vendosmërinë e hartuesit - Haxhí Ymer Prizrenit, kryetarit të Komitetit Qendror të Lidhjes. Në vazhdim të citatit të mësipërm, i tërhiqej vërejtja Sulltanit dhe Portës së Lartë se “duke marrë parasysh kohën dhe situatën kritike, duhet të shqyrtohen kërkesat e shqiptarëve dhe të aprovohen. Në të kundërtën, edhe ata persona që deri në fund kanë qenë besnikë ndaj Sulltanit, tani, nëse shpërthen ndonjë kryengritje e përgjithshme, do të rrinë anash”. Dhe, Haxhí Ymer Prizreni, para se t’i përmblidhte kërkesat në një pikë të vetme, Portën dhe Sulltanin i bënte me dije se “neve jemi të detyruar që këtë çështje tonën t’ua parashtrojmë dhe t’ua bëjmë me dije të gjithë ambasadorëve (të Fuqive të Mëdha) që gjenden në Stamboll”.

Dokumenti përmbyllej me lutjen që kundërmonte erë kërcënimi gjithëshqiptar për një të drejtë legjitime të mohuar nga Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha evropiane, të vendosjes dhe të ruajtjes së status quos në Turqinë e mbetur, për ta copëtuar në një të ardhme, në rrethana politike e ushtarake edhe më të përshtatshme; për ta shlyrë popullin shqiptar dhe Shqipërinë nga historia për shekujt që do të vinin:
“Me dashamirësi lutet Lartmadhëria e Tij, Sulltani, që kësaj radhe ta shqyrtojë definitivisht mirë çështjen tonë. Nëse ajo vendoset në mënyrë të drejtë dhe reale, atëherë ne do të na keni në besnikërinë Tuaj më të sinqertë dhe të jashtëzakonshme. Në çdo pikëpamje dhënia e urdhrit i takon atij i cili e ka pushtetin”. Dokumenti vërtetohej me vulën: “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit”.

Memorandumi i Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i datës 15 prill 1881, do të mbetet njëri ndër dokumentet më të rëndësishme të mendimit politik shqiptar të orëve të fundit të Lidhjes Shqiptare të viteve 1877-1887, me një porosi - Dhiatë për nipër e stërnipër të shqiptarëve të tubuar rreth e përqark idesë së Myderrizit të Madh - Haxhí Ymer Efendi Prizrenit: Përpjekje, sakrifica, martirizim pa çmim për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike!

Sulltani dhe Porta e Lartë, tashti vegla në duar të Rusisë pansllaviste, nuk lëvizën dhe “Dervish Pasha nuk zgjodhi mjete për t’i qëruar hesapet me forcat e Lidhjes së Prizrenit”. Forcat pararoje të Komitetit Qendror të Lidhjes u thyen me kanonadat artilerike në Shtime e Grykë të Carralevës. Para forcave osmane nga Carraleva për në Malësi të Gjakovës do të tërhiqen edhe komandantet legjendarë të Lidhjes Shqiptare, bashkëluftëtarët më tëvendosur të Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, Sylejman agë Vokshi me Ali Ibrahimin - Ibrën e Shipshanit dhe personalitete e luftëtarë të vendosur për të vazhduar rezistencën shqiptare së fundi si Orë zgjimi e shqiptarësisë së Kosovës dhe më gjerë.

Po kështu, edhe Myderrizi i Madh - Haxhí Ymer Efendi Prizreni, Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sapo Dervish Pasha doli në Qafë të Dulës, më 21 prill 1881, dhe me artileri mund të shkatërronte Prizrenin, Ymeri mori vendim të tërhiqej së bashku me njësinë që siguronte Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë prej rreth 500 luftëtarësh. Iu bashkua forcave të Sylejman agë Vokshit – Ali Ibrës në Malësi të Gjakovës.Më 30 prill 1881,i shoqëruar prej njerëzve besnikë, Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni u nis në drejtim të Durrësit. Fillimisht kaloi në fshatin Bytyç të Kazasë së Pukës, në vartësi të Vilajetit të Shkodrës, dhe u vendos ilegalisht në shtëpinë e imamit Mahmud Efendiut, i cili do të organizojë lidhjen për përcjelljen e sigurt të Haxhí Ymerit deri në Shkodër.

Nga burimet relevante do të shihet se Haxhí Ymer Prizreni dhe Abdyl Halit be Frashëri kishin marrë për detyrë të kalonin jashtë vendit, jashtë Perandorisë Osmane, për ta mbajtur gjallë aktivitetin politik të Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse Sylejman agë Vokshi e Ali Ibra të mbanin gjallë frymën luftarake liridashëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke kthyer Malësinë e Gjakovës dhe malësitë e tjera të Kosovës në kështjella të papushtueshme të Shqipërisë autonome të dalë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Dhe, derisa Abdyl be Frashëri, në rrugë për “në Evropë” do të kapet më 1 maj 1881, në vise midis Dibrës -Tiranës dhe Elbasanit, myderrizi Haxhí Ymer Prizreni, më 18 maj 1881, pas shumë peripecish do të kalojë në Ulqinin e okupuar nga Mali i Zi, për ta mbajtur gjallë kërkesën për autonominë e Shqipërisë në Portën e Lartë, në Oborrin e Sulltanit dhe në kujtesën historike shqiptare deri me martirizimin e tij, më 12 qershor 1887.

Sipas gazetës zagrebase, Obzor, Haxhí Ymeri sapo mori informata për kapjen, burgosjen dhe keqtrajtimin e Abdyl be Frashërit, i shkroi dhe iu kërcënua Dervish Pashës, të ruante jetën e Abdylit: “Kryetari i Lidhjes i ka dërguar Dervish Pashës letër me të cilën i kërcënohej se do të vrasë të gjithë turqit në rrethinë dhe do t’ua kallë shtëpitë, nëse i ndodh një e keqe vëllamit të tij, Abdyl Beut”. Nga Puka deri në Shkodër Haxhí Ymer Prizreni udhëtoi para datës 12 maj 1881, kurse në Shkodër, në konak të bashkëveprimtarit politik dhe mik i tij i ngushtë, Jusuf Efendi Golemit, qëndroi gjashtë net” dhe pastaj “kaloi në Ulqin”.

Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e cila dënoi shoqëruesit e Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit nga Bytyçi deri në Shkodër, si çdo gjyq i një fuqie shtetërore okupuese, në Hoxhën e Madh - Haxhí Ymer Prizrenin, portretoi një personalitet aventurist, të lig e tradhtar të pushtetit. Kjo do të thoshte: Kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte i çelnikët në kërkesat për ruajtjen e tërësisë së Shqipërisë Etnike, për lirinë dhe për pavarësinë e saj. Në procesverbal thuhej: “Kur doli urdhri për kapjen e tij dhe kur pa se godina e kryengritjes që kishte themeluar dhe kishte përgatitur ai u shemb dhe u shkatërrua, u arratis si tradhtar e frikacak”!?!

Të dhënat burimore të proveniencave të ndryshme vërtetojnë se Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni kurrë nuk doli para gjyqit të okupatorit osman - turk dhe i “thyer para forcës shumë herë më të fuqishme - osmane dhe ndërkombëtare, u tërhoq në emigrim vetëm e vetëm të mos e nënshkruante - si kryetar i saj - kapitullimin e Lidhjes”. Me fjalë të tjera, siç shkruaja më 1978: “Lufta e tij prej burri të shtetit ishte e goditur me forcë nga brenda - prej Portës dhe ushtrisë turke më elite dhe nga jashtë prej Ligës së faktorëve evropianë antishqiptarë. I vendosur në veprën e filluar, i pajisur me njohuri teorike dhe praktike revolucionare, i thyer nga armiku shumë herë më i fuqishëm, u tërhoq në emigrim, pa e nënshkruar kapitullimin e tij dhe të Lidhjes. Vendosmëria, energjia, dinakëria prej njeriut me kulturë të lartë islame dhe strategjia politike e bënë këtë burrë qeveritar shqiptar të periudhës së Lidhjes Shqiptare të rëndësishëm - cilësi që ia nënvizoi edhe shtypi kroat i kohës”.

Nga të dhënat e proveniencës policore malaziase shihet se Myderrizi i Madh - Haxhí Ymer Efendi Prizreni, kaloi në Ulqinin e okupuar nga Mali i Zi më datën 6/18 maj 1881, rreth orës 17.15, dhe u vendos në familjen e mikut të tij dhe të bashkëmendimtarit politik, Myderriz Salih Efendi Hylja. Administratori i Malit të Zi në Ulqin, vojvoda Sima Popoviq, po atë ditë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, vojvodën Masho Verbica në Cetinjë, sa vijon: “Hoxha i Madh i Prizrenit, Haxhí Ymer Efendiu, ka ardhur në Ulqin dhe është vendosur te Hoxha ynë i Madh, Salih Efendiu, i cili sot ka qenë së bashku me të tek unë që të ma paraqet. Haxhí Ymer Efendiu ka ikur nga Prizreni, kur ka ardhur atje Dervish Pasha. Ai më ka deklaruar se kërkon strehim në Mal të Zi, kurse Salih Efendiu është për të (mbështetje - strehues) i mirë”.

Më tutje, administratori malazias i Ulqinit vinte në spikamë se: “Ndonëse mund të mendohet se ai (Haxhí Ymer Efendiu) mund të ketë edhe qëllime të tjera, ai me siguri këtu nuk do të mund të bënte asgjë, e të mos e dija menjëherë. Ai më tha se edhe disa udhëheqës kryesor të Lidhjes së Prizrenit janë arratisur dhe se më kryesori Abdullah Beu (Abdyl Frashëri) ndoshta do të vijë edhe vetë në Ulqin. Është kënaqësi të dëgjohet edhe kjo se Lidhja, e cila e mbajti Ulqinin, tashti kërkon strehim në të “ - përfundonte V.S. Popoviq.

Vojvoda Masho Verbica nga Cetinja, më 7/19 maj 1881, informonte Vojvodën Sima Popoviq në Ulqin se “Ka ardhur këtu nga Prizreni popi Jovan Popoviq, prift prizrenas i ndjekur prej Dervish Pashës. Ai është ndjekur për shkak se e ka ndihmuar (për arratisje) Ymer Efendinë. Ai e njeh Ymer Efendinë dhe e lavdëron se është njeri i mirë dhe i mençur, dhe se me të vërtetë nuk qëndron në kurrfarë marrëdhëniesh të fshehta me Dervish Pashën. Sipas thënies të të përmendurit Popoviq, familja e Ymer Efendisë është internuar nga Prizreni në Manastir, e ndoshta në Selanik.”

Nga përmbajtja e dy dokumenteve të sjella më sipër shihet qartë se Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni prej datës 22 prill deri më 18 maj 1881 nuk kishte njohuri se ç’kishte ndodhur me familjen e tij në Prizren. "Ymer Efendiu shkoi n’Ylqin, n’atë qytet të cilin para disa mujve si kryetar i Qendrës pat dhënë urdhën me e mbrojtë me çdo sakrificë. Pranoi nga zemërimi të rrojë nën sllavët se sa nën Turqit të cilët nuk e mbajtën fjalën e i dulën të pabesë” - do të konstatojë Xhafer Belegu, më 1939, sepse Sulltani dhe Porta ia mohuan premtimet për autonominë e Shqipërisë.

Sipas burimeve të proveniencës vjeneze, diplomacia austriake, njëra ndër diplomacitë evropiane, që kishte mbështetje më të fuqishme në Shqipërinë Veriore dhe pikërisht në radhët e priftërinjve katolikë, për arratisjen e Myderriz Haxhí Ymerit në “Mal të Zi” do të informohet nga Prizreni vetëm nga mesi i qershorit 1881. Realisht, nënkonsulli austro-hungarez në Shkup i shkroi Vjenës, më 14 qershor 1881, një informatë me shumë të dhëna për Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenin, për rolin e tij gjatë periudhës së veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për sakrificat që ai i përballoi pas marshimit të ushtrisë perandorake osmane në Piemontin e Shqipërisë - në Kosovë: “Përkundër thirrjeve të njëpasnjëshme të (Dervish) Pashës që të kthehet në Prizren, ai arriti të qëndrojë i fshehur në këto male” të Malësisë së Gjakovës dhe “më vonë filluan reprezaljet për ta shtrënguar të paraqitet te Mareshali”, Dervish Pasha, e së fundi duke ia “arrestuar familjen për t’ia dërguar në Stamboll”.

Diplomati vjenez, më tutje, do të konstatojë se “Kryetari i Lidhjes Shqiptare i përballoi të gjitha këto reprezalje dhe nuk u kthye në Prizren”, e “kur Dervish Pasha kërkoi t’ia sillnin kokën e Haxhí Ymerit (por preferonte ta kapnin gjallë), atëherë nisi të qarkullojë lajmi se Haxhí Ymeri në të ikur kishte marrë me vete dokumente tepër të rëndësishme për qeverinë turke, prandaj Dervish Pasha dron se me vrasjen e Ymerit këto dokumente do të binin në duart indirekte të ndonjë dorasi që t’i keqpërdorte”.

Në vazhdim ky diplomat informonte Vjenën se “Sipas lajmeve që më erdhen sot (d.m.th. më 14 qershor 1881) nga Prizreni, ai (Haxhí Ymeri) paska arritur të ikë në Mal të Zi” dhe vinte në pah opinionin se “Haxhí Ymeri duhet të ketë ruajtur letrën e shkruar me dorën e Sulltanit që tani gjendet në fron. Në këtë letër Sulltani e autorizonte Haxhí Ymerin ta formojë Lidhjen e Prizrenit, duke i dhënë pëlqimin dhe instruksione për veprimtarinë e Lidhjes. Kur pas disa kohësh Dervish Pasha ngulte këmbë që Haxhí Ymeri të kthehej në Prizren, duke i premtuar se do të mbetej i pandëshkuar nëse paraqitej vetë, ai përgjigjet se nuk beson në dokrra të tilla, meqë sapo të kthehej, do t’ia merrnin duarsh adutin më të shtrenjtë, letrën e shkruar me dorën e Sulltanit, mjetin e tij më të fortë të vetëmbrojtjes, duke e shpallur menjëherë tradhtar, siç kanë bërë me shumë njerëz të tjerë”.

Këtu e do vendi të konstatojmë e nga fundi i prillit ose në fillim të majit të vitit 1881 Dervish Pasha e internoi familjen e Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit “në Manicë” (në Anadoll), kurse Shuaip agë Spahiun e internoi “me tërë familjen e tij në Vilajetin e Adanës, në qytetin Nibs në Anadoll”. Atje vdiq në rrethana të pasqaruara. Dhe, këtu duhet të theksohet fakti se: Fuqitë e Mëdha evropiane nuk ndërmorën asgjë kundër barbarizmit të Dervish Pashës në Kosovë e gjetkë në Shqipëri në prill - maj 1881, dhe as nuk do të hapin gojën kundër arrestimeve, burgosjeve e internimeve mizore të veprimtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – vinte në spikamë El-Vakaié e datës 21 korrik 1881.

Të sjellim edhe faktin se, më 19 gusht 1881, Gjykata Ushtarake e Shkodrës, mbi bazë të kërkesës së Dervish Pashës, të 8 korrikut 1881, dënoi me internim “jashtë vendit të tyre” - në Merash të Aleksandrisë, dy përcjellësit e Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit nga Bytyçi i Pukës deri në Shkodër, në rrugë për arratisje në Ulqin.

Për jetën e Myderriz Ymer Prizrenit në Ulqin njohim pak të dhëna të shkruara, por kujtesa historike është e pasur. Duke u mbështetur në përmbajtjen dhe në kuptimin e nocioneve: “pribjeshta” dhe “pribjelishtva” të telegramit të vojvodës Sima Popoviq, të 6/18 majit 1881, Myderrizi i Madh, Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i mundur në fushë të luftës nga ushtria perandorake osmane, me ndjenjën e personalitetit të madh të tradhtuar nga Sulltan Abdylhamidi, nga Mali i Zi kërkoi ndorje për t’u strehuar në gjirin vëllazëror të familjes së Hoxhës t’Madh të Ulqinit, myderrizit Salih Efendi Hylja, me virtyte e tipare shqiptare shumë të ngjashme me të myderriz Ymer Efendi Prizrenit.

Nga të dhënat e vjela nga kujtesa historike mund të konstatohet se myderrizi Haxhí Ymer Efendi Prizreni në Ulqin fillimisht jetoi në gjirin e familjes së myderrizit Sali Efendisë, i cili me presion të drejtpërdrejtë të Knjaz Nikollës do të emigrojë në Shkodër. Pastaj Myderriz Ymer Prizreni do të banojë kryesisht në lokalet e Meqemes, zyra e Vakëfit të Ulqinit, përballë Xhamisë së Namezjahit, por do ta gëzojë edhe mbështetjen e fuqishme të Molla Beqirit, bashkëkohës i Ymer Prizrenit, së paku katër breza hoxhallarësh. Shtëpia kryesore e Molla Beqirit, ku e kishte dhomën e fjetjes Hoxha i Madh, ishte në rrugën e “Mehallës së re”, sot: ruga “Ymer Prizreni”.

Dihet, sigurt, se që nga fillimi i jetës në Ulqin Myderriz Haxhí Ymeri u fal në Xhaminë e Namezjahit, në Qendrën e Ulqinit, pranë pazarit. Në atë Xhami ai u trajtua për imam nderi dhe për çdo të premte e mbajti vaisin - Këshillën e së premtes. Në kujtesën historike është balsamosur një kërkesë politike të cilën Myderriz Haxhí Ymeri e spikati në “Hydben e pare”: “Ai i cili është shqiptar mysliman i vërtetë sot duhet të ngelë këtu, të vdesë në Vatan, e këtu t’i lërë fëmijët e fëmijëve deri në Ditën e Gjykimit, e ai që është turk nuk e ka për detyrë, le të shkojë në Turqi...!”

Ishte ky kushtrimi më i qartë i myderriz Haxhí Ymer Prizrenit për ruajtjen e shpirtit shqiptar të Ulqinit, e që ishin vetë shqiptarët, por edhe dëshmi tjetër se Haxhí Ymeri e zgjodhi Ulqinin për ta përmbyllur jetën në mënyrën martirizuese, për të dëshmuar me jetën e me përpjekjet e veta deri në Grykë të varrit, se: Shqiptaria dhe Islami janë një dhe të pandashme për shqiptarët nën robërinë malazeze e serbe, sepse ato e ruajnë njëra-tjetrën, e ruajnë shqiptarësinë e Ulqinit dhe të viseve të tjera shqiptare të aneksuara Malit të Zi, Serbisë etj.

Këtu nuk është tepër, madje kërkohet të konstatohet se përmbajtja e citatit nga “Hydbja e parë” e myderriz Ymer Efendi Prizrenit në Ulqin, si edhe Fetfaja për të drejtën legjitime të çdo shqiptari të luftojë kundër Turqisë - për bashkimin, për lirinë dhe për autonominë e Shqipërisë, të shpallur në fille të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, korrespondon mirë me mesazhin e këngës popullore për Haxhí Ymer Prizrenin, me titull: “Kush ja jep Mbretit ni plum”, ku poeti popullor spikatë me përloteni mendimin politik dhe programin luftarak çlirimtar të Myderriz Ymer Prizrenit. Në këngë, midis të tjerash, thuhej: “Efendi, na çka me ba, /A ban turkut pushkë m’i ra?/ Myderrizi kish pas thanë:/ - Kur asht fjala për Vatan,/ Jo veç turkut e ati tjetrit,/ Po ni plumb kush ja jep Mbretit,/ Ka me shkue në lula të xhenetit!/ Fjalt e hoxhës kur i nguen,/ Të tanë burrat n’kamë u çuen,/ Lidhën besën e pajtuen gjaqe, - Me vent tonë s’ka pazarllaqe! S’njohim pashë, kral as mbret,/ Venin tonë e sunojmë vet!”

Tradita thotë: Nuk mbeti asnjë vëllazëri ulqinake të mos e ketë pasur anëtar nderi të familjes Hoxhën e Madh, Urtakun e shenjtë, apostullin e kombit shqiptar dhe "nuk mbahet në mend në Ulqin të ketë pasur raste gëzimi familjare, apo edhe hidhërimi, e në mesin e të ftuarve të mos ishte edhe Haxhí Ymer Prizreni."

Si mësues i vërtetë, në çdo familje ulqinake, mbolli dituri fetare dhe edukatë kombëtare shqiptare, veçanërisht dashurinë për gjuhën shqipe. “Mbi gjuhën, dhe vetëm mbi gjuhën, është e ardhmja e kombit tonë...!” - e përsëriste në xhami e në ndeja. Në vitin 1884, Turqia dërgoi një përfaqësues të saj në Mal të Zi të bindë Ymer Prizrenin të kthehej në Prizren, duke i premtuar rrogë dhe jetë të qetë, por të gjitha këto ai i refuzoi kategorikisht. Ndërkaq, sipas studiuesit të mirënjohur të Lidhjes, Xhafer Belegut: Sulltani i dërgoi në Ulqin një “njeri të posaçëm”. Ai u përpoq ta binte Ymer se “Sulltani të do fort e dëshiron të shkosh në Stamboll se ka me ju emnue Sheh-Islam.” Haxhi Ymeri do t’i përgjegjet vendosmërisht: “Shko nga erdhe se sikur edhe në fron të vet të më vijë Sulltani nuk due të di mâ për Turqin!”

Myderriz Ymer Prizreni nuk do të pushojë së vepruari për ta mbajtur gjallë frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndaj pa hezitim mund të thuhet se për likuidimin fizik të Tij, përpos Sulltanit dhe Portës së Lartë, këso kohe, ishin të interesuara jetësisht: Rusia, Malin e Zi dhe Serbia. Kujtesa historike në Ulqin fletqartë se: Hoxha i Madh - Procesin gjyqësor të Prizrenit kundër Sylejman Vokshit, bashkëluftëtarëve dhe mbështetësve të tij, më 29 shtator - 30 dhjetor 1885, e përjetoi grusht vendimtar të Sulltanit dhe të Portës së Lartë mbi frymëmarrjen e fundit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përmes grykëve të pushkëve të ish-bashkëluftëtarëve të tij.

Realisht, me rastin e gjykimit të Sylejman Vokshit, dëshmitari Abdyl Shollo nga Prizreni në deponimin e 3 tetorit 1885, midis të tjerash, për Ymer Prizrenin, do të konstatojë: “Po ky, Sylejman Vokshi, ka qenë vegla më aktive e veprimtarisë antiqeveritare e të mallkuar të Myderriz Haxhí Ymer Efendiut, që njihet njëri nga eksponentët më të mëdhenj të ish-Lidhjes, që sot ndodhet i arratisur në Mal të Zi.

Shkurt, Sylejman Vokshi pat marrë mësim nga i arratisuri Haxhí Ymer Efendiu, që të mos i bindet qeverisë perandorake dhe t’ia prishë vazhdimisht qetësinë e rendin (publik); qysh nga ajo kohë ai, pa pushuar as edhe një çast, ka kryer lloj-lloj nxitjesh dhe intrigash antishtetërore si edhe veprime (të tjera) kryengritëse në çdo anë të mbarë Gegërisë dhe ka qenë prej kohësh kryetar i krerëve të rebelëve”.

Së këndejmi, procesverbalet, urdhëresat dhe vendimet e Gjykatës Ushtarake të Prizrenit, të Komandës së Jashtëzakonshme Ushtarake të Prizrenit, të Këshillit Administrativ të Gjakovës dhe të Gjykatës Ushtarake të Stambollit për Procesin gjyqësor të Sylejman Vokshit flasin qartë se ai ishte GJYQ për veprimtarinë politike e luftarake të Myderriz Ymer Efendi Prizrenit, ishte reminishencë gjyqësore për dënimin me vdekje, në mungesë, të Ymer Prizrenit, shuguruar në Procesin gjyqësor kundër Komitetit të Degës së Lidhjes së Prizrenit e të Abdyl Frashërit në Gjykatën Ushtarake të Prizrenit, dhe kundër anëtarëve të Komitetit të Degës së Lidhjes së Shkodrës, nga Gjyqi Ushtarak në Shkodër. Këtu e tutje, Hoxha i Madh i Prizrenit fliste hapur për dëmet që Shqipërisë dhe kombit shqiptar i solli politika dritëshkurtër e Portës së Lartë, kurse në Sulltan Abdylhamidin shihte mjetin në duar të Rusisë, për perspektivat e politikës pansllaviste në Shqipëri e më gjerë, në Perandorinë Osmane.

Thuhet se priste e përcillte personalitete osmane, ithtarë të themeluesit të rendit kushtetutar të vitit 1876, Mit'had Pashës, përkatësisht kundërshtarë të pushtetit autokrat të Sulltan Abdylhamidit, të cilët jetonin në ekzil, në Paris e gjetkë në Evropë, midis të të cilëve kishte edhe shqiptarë, ndjekës të mendimit politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe, tashti, posaçërisht i forcoi lidhjet me Tiranën, Shkodrën dhe Pejën. Dihet, sigurt, se takimet politike ilegale me personalitetet e rëndësishme i mbante në Odën e Tahir Mulla Beqirit dhe në Odën e Kadisë së Mujalëve.

Aktiviteti politik i Myderriz Ymer Prizrenit drejt ringritjes së Lidhjes Shqiptare ra në sy edhe të diplomacive evropiane. Kjo mund të vigjilohet nga informata e konsullit të përgjitshem austro-hungarez në tokat shqiptare historike dhe etnike, me seli në Shkodër, Lippick, të 1 qershorit 1886. Ai informonte Kontin Kalnoky në Vjenë se që nga tetori 1885 po zhvilloheshin veprimtari organizuese “në lidhje me projektin e kryengritjes së Shqipërisë së Mesme” kundër Perandorisë Osmane.

Këto organizime i mori mbi vete i ashtuquajturi “Komiteti Shqiptar i Korfuzit”, mekanizëm organizativ ky i Athinës zyrtare. Në krye të përpjekjeve Athina vuri të riun ambicioz, Gani be Toptanin, nga Tirana, kurse konsulli grek, Mitzakis, lidhi për planet e Athinës edhe personalitete nga Shkodra e më gjerë. Lippick, midis të tjerash, informonte: “Përsa i përket Z. Mitzakis, Mustafa Asim Pashaj më siguroi se ai nuk sjell të holla vetëm prej Malit të Zi në Shkodër por edhe prej këndej atje, se në Shkodër, u kishte bërë dhurata në të holla shumë personave të ndryshëm që nuk janë zbuluar ende dhe se kishte vënë kontakt me një hoxhë prej Ulqini me emrin Salih Efendi (Hylja), që njihej i dyshimtë, për të bindur me dijen e Cetinjës, ish - kryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shehun Omer Efendi, që qe arratisur n’Ulqin, për të marrë pjesë në lëvizjen që pritej dhe për të influencuar bashkatdhetarët e tij të ngushtë në Dibër, Tetovë, Lumë etj.” Konsulli Lippick e përmbylli informatën me konstatimin se: “Adjutanti i Sulltanit, Ferik Sulejman Pashaj, i cili tash së fundi është pritur të vijë prej Cetinje këtu (në Shkodër), duhet të ketë urdhër në lidhje me komplotin e dështuar, me ankesat kundrejt Mustafa Pashajt, me grindjen e tij me Jusuf Zija pashën etj.”

Mund të konstatojmë se vetëm faktet që u sollën për interesimet e Athinës dhe të Cetinjës, për ta lidhur Myderriz Ymer Prizrenin për vete, do të mjaftonin si pretekst për ta privuar nga jeta myderriz Sheh Ymer Prizrenin. Ndaj, çështja se cila makineri antishqiptare turke apo sllavo-greke e likuidoi Myderriz Ymer Prizrenin mbetët për t'u ndriçuar.

Këtu, megjithatë, duhet të saktësohet se kujtesa historike në Ulqin thotë: "Është folur se, pas një takimi me një njeri të Haxhí Zekës nga Peja, pak kohë para vdekjes, të jetë dëgjuar shpesh duke u betuar se ka për ta ringritur Lidhjen Shqiptare edhe më të fortë se atë të Prizrenit, por tashti, duke u mbështetur në armiqtë e Turqisë, në Evropë..."

Sipas kujtesës më të përgjithësuar në Ulqin, Myderriz Ymer Prizreni u godit për vdekje para derës së dhomës ku banonte, pikërisht sapo kthehej nga namazi i jacisë, pra në terrin e parë. Atentatori, sipas të gjithë gjasash, e mori arkivin komplet të Myderriz Ymer Prizrenit, dhe me këtë akt në njëfarëdore e realizoi dëshirën ose e materializoi frikën e Dervish Pashës, më 1881, se “dokumente tepër të rëndësishme për qeverinë turke” që i kishte me vete, “me vrasjen e Ymerit (…) do të binin në duart indirekte të ndonjë dorasi që t’i keqpërdorte”.

Varri dhe eshrat e ymer prizrenit
Ekzaminimi shkencor i skeletit të trupit të Ymer Prizrenit nga Janosh Nemeshker, ka dhënë diagnoza të ndryshimeve patologjike në trupin e Myderriz Ymer Prizrenit, si pasojë e veprimtarisë së tij të përhershme, moshës midis 63-68 vjeç dhe të një ataku mekanik: Spondylarthrozis (Shkalla e peshës: ++), Arthrosis gen.(Shkalla e peshës: +++), Periostitis man.(Shkalla e peshës: ++) dhe Status post fracturom vert. Lumb.(Shkalla e peshës: ++++). Shpjegimi për diagnozën e fundit është: "Në unazën lumbale 4 dhe 5, sipas foramen vertebrales, është konstatuar fraktura në sipërfaqe, kurse reaksioni nuk mund të konstatohet dhe supozohet se kjo është bërë mu në prag të vdekjes".

Për shkakun e vdekjes së Myderriz Ymer Prizrenit dha mendimin edhe eksperti mjeko-ligjor, dr. Fadil Batalli. Atij iu prezantua materiali “nga momenti i çfarosjes së Ymer Prizrenit në formë të foto-dokumentacionit” dhe, pasi e studioi lëndën, konstatoi: Pajtohem me konstatimete J. Nemeshker: Thyerja e unazës së katërt dhe të pestë lumbale dhe dëmtimi i dhëmbëve në nofullën e epërme në anën e majtë janë shkaktuar para vdekjes - “me veprime mekanike me mjet të fortë, të rëndë (topitur)” dhe konkludoi: “D.m.th. Ekziston lidhje engushtë kauzale në mes të dëmtimeve të lartpërmendura si dhe shkakut të vdekjes”.

Martiri Myderriz Ymer Prizreni, me kërkesë të tij, u soll i sëmurë nga plagët e rënda në gjirin e familjes së Mullabeqirëve dhe meqë parandjeu qartë vdekjen e paevitueshme, “e la me gojë: të varroset në Varret e Mollabeqirëve”. Për organizimin meritor të ceremonisë së varrimit të Hoxhës së Madh, sipas kujtesës historike, u angazhua tërë Ulqini, por barrën organizative e barti Tahir Mollabeqiri. Nga të gjitha minaret e xhamive të Ulqinit u thirr salla e vdekjes (temxhit) për Burrin e Dheut, për Kryetarin e Parë e të vetëm të Shqipërisë Etnike, e cila, në kohën kur u likuidua Kryetari i saj i papushtueshëm, kishte 90 100 km2, dhe pikërisht: Vilajeti i Kosovës me 32 900 km2, i Shkodrës me 28 500 km2, i Manastirit me 10 800 km2dhe i Janinës me 17 900 km2. Toka shqiptare kishte edhe në Vilajetin e Selanikut.

Qytetarët e Ulqinit e varrosën Ymer Efendinë me nderime të larta, asnjëherë më të përsëritura. Me këtë çmohej lart vepra e madhe fetare e kombëtare dhe madhështore e këtij luftëtari të paepur fetar e kombëtar. Dhe, tradita ruan kujtimin e hidhur, por krenar: “Kur po e dërgonin në Varrezë trupin e Hoxhës t’Madh, u mbyllën të gjitha dyqanet dhe i madh e i vogël iu bashkua xhematit të Haxhí Ymerit. Edhe gratë e Ulqinit dolën nëpër deriçka, me rroba të rangëve, për t’ia bërë nderimin e fundit Hoxhës t’Madh...!”

Trupi i Myderriz Ymer Prizrenit u mboll në dheun e Ulqinit, përjetësisht,kurse adhuruesit i ngritën arkën e varrit dhe monumentin mbivarrezor – nishanin në pllakë mermeri: 34 x74 cm, në të cilën skalitën mbishkrimin osmanisht:

“Huvel el halaku el baki
El merhum el magfur
Prizrenli El-Haxhí Ymer
Efendi bin Sylejman
Ruhiçyn Elfatiha
Sene 1304”.

Në kuptimin shqip, do të thotë:
“ Zoti është krijues i të gjithave
I ndjeri i mëshiruar
Prizrenasi Haxhi Ymer
Efendiu, biri i Sylejmanit
Lutuni për shpirtin e tij
Viti 1304 h”.

Nga përmbajtja e nishanit nuk mund të mësojmë për datën dhe muajin, madje nuk mund të caktojmë saktësisht as vitin e martirizimit të Myderriz Ymer Prizrenit. Kjo do të bëhet më e qartë sapo ta kuptojmë se viti hixhri 1304 fillon më 31 shtator 1886 dhe përfundon më 21 gusht 1887. Dhe, së fundi, fati e deshi që vetëm më 24 maj 2002 të zbulojmë qartë ditën, datën, muajin dhe vitin e vdekjes së të madhit Haxhí Ymer Efendi Prizreni. Dokumentin osmanisht, që ruajti këtë datë, e siguroi mr. Enver Baftiu. Ai i përket gruas së Ymer Prizrenit, opojares Fatime Murat Aga dhe mban datën 13 ramazan 1307, që do të thotë: 3 maj 1890. Fatimja, midis të tjerash,vinte në pah se është e veja e Myderriz Ymer Prizrenit, i arratisur në qytetin Ulqin dhe për vdekjen e tij, saktësoi: “yç yüz dert senesi ramadani ºerifen yegermi ģyni ve fati iden Haci Ümer Efendi ibni Sülejman Efendi”, që do të thotë: Haxhí Ymer Efendia, i biri i Sylejman Efendisë, ndërroi jetë në ditën e njëzet të ramazanit të madhërueshëm të vitit treqind e katër. Muaji ramazan është muaji i nëntë islam – hixhri, kurse viti 304 është viti 1304. Ndaj, barazuar me kalendarin gregorian, del: 20 ramazan 1304 është baras me ditën e diele, 12 qershor 1887.

Ta përmbyllim. Hoxha i Madh i Prizrenit, Myderrizi i famshëm i Medresesë së Mehmet Pashës, themeluesi dhe strategu ideor, politik e ushtarak – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqitpare të Prizrenit 1877-1887, Kryetari i Parë dhe i vetëm i Shqipërisë Etnike të fillimvitit 1881 - e zgjodhi Ulqinin për prehje në vjetët e fundit të jetës dhe rezistoi e përballoi aty dhunën, që Varri t'i mbetet roje kujdestare e shqiptarisë dhe e shqiptarësisë së përjetshme të Ulqinit me viset përreth, të cilat, Evropa Shtrigë e Patër Gjergj Fishtës, ia dhuroi Malit të Zi mollë të qëruarnë pjatë.

Varri i tij, të cilin ulqinakët, brez pas brezi, e quajnë me admirim: "Vorri i Hoxhës t'Madh", është dhe do të mbetet tapi shqiptare e Ulqinit, të shkëputur me dhunë nga ushtria perandorake-osmane (turke), dorë e zgjatur antishqiptare e Evropës imperialiste. Kjo Evropë u ridëshmua si e tillë, antishqiptare, edhe më 1913, më 1919 dhe më 1945, dhe sot, 125 vjet pas Krimit në Berlin, dhe 116 vjet nga martirizimi i Ymer Prizrenit për Shqipërinë një dhe të pavarur, është vërë në sprovë të re përpara kërkesave legjitime të kombit shqiptar, të ndarë e të copëtuar, copa në pesë shtete, por i hedhur fuqimisht në vallën hijerëndë të Epokës së Myderriz Ymer Prizrenit për zgjidhjen e Çështjes shqiptare drejtësisht dhe përfundimisht.
 


Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm