Menu

Rruga e Lirisë - Zafir Berisha ( Intervistë ) - Gëzim Ajgeraj

User Rating:  / 11
PoorBest 

Rruga e Lirisë

GËZIM AJGERAJ

Balli i Librit - Rruga e Liris

ZAFIR BERISHA

(INTERVISTË)

 Prizren, 2002

Asociacioni i Veteranëve të ish UÇK-së Prizren

Bibloteka: PUBLICISTIKË

Redaktor: Prof. Mr. Agim Zogaj

Recensues: Prof. Dr. Qamil Gexha, Prof. Jakup Krasniqi

Lektura, realizimi artistik: Prof. Nexhat Çoçaj

Realizimi kompjuterik: Brikena Hasipi

______________________________________________

Dëshmorëve të Kombit

 MENDIMI I RECENSUESVE:

 

 

DOKUMENT HISTORIK PËR LUFTËN E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

"Rruga e lirisë" është më shumë se libër, është edhe një dokument historik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të zë vend të merituar në bibliotekat shqipe. Përmes këtij libri autori dhe protagonisti shpalojnë dhe ndriçojnë detaje të rëndësishme, të panjohura deri më tani për luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut, përkatësisht të Vërrinit. Brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm do të kenë në duar një botim të rëndësishëm nga fusha e publicistikës politike, libër me të cilin do të mësojnë se me sa shumë sakrificë, guxim dhe vendosmëri u arrit çlirimi i Kosovës nga sundimi serb. Protagonisti Zafir Berisha, komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familja e tij, janë vetëm një nga shumë shembujt e ndritur të popullit tonë, sesi duhet punuar për atdheun.                                             

Gjakovë, prill 2002      Prof. Dr. Qamil GEXHA

 

PASQYRË REALE PËR LUFTËN ÇLIRIMTARE DHE SAKRIFICAT E TREVËS SË VËRRINIT DHE LAGJES TUSUZ TË PRIZRENIT

Libri "Rruga e lirisë" i Gëzim Ajgeraj i realizuar përmes intervistës me Zafir Berishën , është libri më i mirë i këtij lloji për luftën çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Ky libër me protagonistin, Zafir Berishën, ka vlera të shumanshme, veç tjerash ai do të jetë burim i dorës së parë për çdo historian, që në të ardhmen do të shkruajnë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trevën e Vërrinit.

Në librin "Rruga e lirisë", Zafir Berisha pretendon dhe ia arrin në mënyrë të sinqertë e të suksesshme të përshkruaj luftën çlirimtare të UÇK-së në të gjitha dimensionet e saja. Këtu vend të merituar dhe vend nderi ka edhe Gëzim Ajgeraj, i cili diti që protagonistit të librit më mjeshtri të hollë t’ia vjelë nga mendja e kujtesa tërë thesarin dhe bukurinë përshkruese të periudhës më të lavdishme të historisë sonë më të re.

Lexuesi i vëmendshëm edhe me një lexim të librit "Rruga e lirisë" do t’ia arrijë ta formojë një pasqyrë reale për luftën Çlirimtare dhe sakrificat e trevës së Vërrinit dhe lagjes Tusuz të Prizrenit. 

Prishtinë, prill 2002      Prof. Jakup KRASNIQI 

 

LIBËR QË FLET PËR RRUGËTIMIN, I CILI KËRKON VIZION, SAKRIFICË, URTI POLITIKE, DERI NË LIRINË E PLOTË

Rruga e Lirisë së popullit shqiptar nga sundimi serb ishte e gjatë, e rëndë, me shumë sakrifica, dhe vuajtje, por edhe me krenari kombëtare. Për këtë na dëshmon edhe rrëfimi i protagonistit të librit "Rruga e lirisë", Zafir Berisha, i njohur në radhë të parë si një nga pjesëtarët dhe komandantët e spikatur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zafir Berisha, sipas përjetimeve të kallëzuara në këtë libër, personifikon vetëm njërin nga shumë atdhetarë të Kosovës dhe shqiptarisë përgjithësisht, të cilët të frymëzuar me idealin e çlirimit të atdheut nga sundimi serb, duke kaluar nëpër ilegalen politike kombëtare e deri në luftën e lavdishme çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ngritën në heronjtë e ditëve tona. Por, dëshmia e tij për rrugën e çlirimit të Kosovës, deri në pavarësi dhe më larg, nuk përmbyllet me këtë libër. Rrugëtimi deri në lirinë e plotë ende kërkon vizion, sakrificë, urti politike, vetëmohim, unitet kombëtar dhe para së gjithash atdhedashuri. Libri "Rruga e lirisë", le të shënojë edhe një faqe në shkrimin e historisë për luftën e lirinë të popullit tonë të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 

Prizren, prill 2002       Prof. mr. Agim ZOGAJ 

 

PROLOG

 S`ishte rastësi apo kërkesë ideja për të shkruar për Zafir Berishën, këtë luftëtar të dëshmuar kur e deshti dhe do atëdheu. Ka qenë dëshirë e kahmotshme , që në kohën e ilegalitetit dhe gjatë luftës, por edhe pas saj, etapa në të cilat u dëshmua karakteri i lartë i atdhedashurisë së këtij luftëtari të paepur për lirinë atëdheut. Pra, edhe si familje, por edhe si i ri, herët e kishin dalluar të bardhën nga e zeza, lirinë nga robëria, prandaj rruga e tre vëllezërve të tij Shaniut, Sheradinit dhe Mujës, ishin frymëzim edhe për djaloshin e ri për t’u rreshtuar në rreshtat e vizionarëve të rrugës së lirisë, të cilën e kishin trashiguar edhe nga të parët e tyre. 

Jo vetëm kaq, do të kthehemi në vitet e 1912-ta, pasi që Kosova ishte ripushtuar nga një pushtues i ri që quhej Serbi, vetëm pasi kishte ikur Turqia me sundimin e saj pesëshekullor në tokat shqiptare. Pa u ndalur shumë në ato vite, nga fshati Kushtrim (dikur Billushë) u vranë dhe u masakruan nga ushtria serbe, mbi 60 banorë civilë të këtij fshati dhe u dogjën rreth 120 shtëpi, masakër e njejtë , ndodhi edhe në fshatin Dobrusht.

Ishte vjeshta e vitit 1912. Kishin shpëtuar vetëm ata që ishin gjetur të strehuar, jashtë fshatit, në ara e vreshta dhe nëpër male dhe trimat që luftonin përkrah luftëtarit të shquar të asaj kohe Selman Lika. Në çetat e këtij trimi me armë në dorë luftuan edhe shumë burra nga lagjja e Berishëve, por berishët nuk u shuan, sepse nga gjaku i atyre që u vranë, lindën e u rritën trimat që do t’i dalin zot atdheut sa herë që e kërkonte nevoja.

Ngjarjet dhe luftërat që u zhvilluan nëpër trojet shqiptare, pa dyshim edhe Vërrinin nuk e lanë anash, por ne po ndalemi te Lufta e Dytë Botërore dhe pikërisht në këto vite për t’i dalë zot atdheut nga lagjja e Berishëve në fshatin Kushtrim (Billushë), përsëri doli tribuni i popullit Destan Berisha, udhëheqës i Ballit Kombëtarë në zonat e Vërrinit, që siç dihet në këto anë ai pati shumë luftëtarë, që luftonin për çlirimin e trojeve etnike shqiptare, kundër të gjithë armiqëve dhe pushtuesve, të cilët synonin tokat e atdheut tonë. Ishte tribuni Destan Berisha- Billusha, i cili e pengoi edhe planin e “qubrilloviqëve” për kolonizimin e tokave shqiptare në Vërri, pikërisht mes fshatrave Hoqë e Qytetit dhe Gurrë (Poslishtë) më 1937-1941, kur kolonët serbë nga regjioni i Zhupës-Sreckë ishin vendosur nëpër pronat shqiptare me ndihmën e xhandarëve të mbretit të Serbisë, gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Largëpamësia e këtij tribuni, burrat trima të Vërrinit i rreshtoi drejt shërbimit të atëdheut dhe të çështjes kombëtare.

Por, pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së komunizmit në Kosovë, kjo zonë për rreth pesëdhjet vite u injorua dhe u diskriminua nga pushteti dhe pushtetarët. Vërrinasit nuk qëndruan duarkryq, as nuk i u nënshtruan pushtetit, por, gjetën forma e metoda dhe mbijetuan duke ecur krahas të gjitha zhvillimeve në Kosovë për të mos qenë asnjëherë larg çështjes së atdheut dhe në shërbim të saj. Ky është fati dhe rruga e njërës nga familjet, që në Vërri ka shumë të tilla. Pushteti duke e ditur mirë këtë, asnjëherë nuk e la të qetë popullsinë e kësaj ane.

Pas shpërthimit të demostratave në Prishtinë, ndiqen edhe shumë të rinjë vërrinas, të cilët i përjetuan kazamatet serbo-jugosllave si: në Nish, Pozharevc, Krushevc, Beograd, Gospiq, Goli Otok, e ku jo tjetër.

Ndër këta djem ishin edhe vëllezërit e Zafir Berishës, që ishin frymëzuesit e Zafirit të ri, i cili përveç vëlla, me ta do të jetë edhe bashkëluftëtar i tyre në shërbim të çështjes kombëtare. Burgosja e vëllezërve(Shaniut, Sheradini dhe Mujadinit), ishte frymëzimi se si duhet urryer armiku, si të duhet atdheu, sa e shtrejtë është liria, etj. Tani më ideali i tij protestues dhe shpërthyes nuk ndrydhej dot vetëm në shpirtin e tij të pastër si gurrat e Vërrinit, por atë ideal Zafiri me këmbëngultësi kërkon ta shpërndajë si rrezen e diellit të mëngjesit tek shokët e tij dhe në masat e gjëra popullore. Edhe pse shumë i ri, me guximin e pashoq ai gjithmonë ishte shpërthyes kundër robërisë së popullit shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë.

Në çdo takim, në çdo ndeje me shokë e në çdo aheng, apo edhe në aktivitet ilegal. Shpirtin liridashës e kishte të pathyeshëm edhe për kundër sfidave të kohës, ndjekjeve, kërcënimeve dhe pabesive të armikut. Si djalosh i një familjeje me traditë atdhetare, pushtuesi dhe armiqtë e dinin mirë nga u vinte rreziku, andaj e kishin halë në sy, por guximi drejt qëllimit fisnik, në rrugën e lirisë, ishte më i fortë.

Tabani kombëtar i Zafir Berishës i kalitur dhe i trashëguar ndër breza me fanatizëm në shërbim të atdheut, është rruga e idealizmës së tij, për çështjen kombëtare shqiptare siç është kjo e jona e pazgjidhur, prandaj, atdheu i ruan me fanatizëm në gjirin e vet dhe i mbanë në piedestalin më të lartë këta flamurtarë të atdheut, sepse djem me një sakrificë dhe vendosmëri të tillë e meritojnë, me ta jo vetëm që çahen errësirat, shkëputen zingjirët e robërisë, por thyejnë dhe shporrin armiqë, në këtë rast serbët, janë vigjilentë në mjegullnajat e erërave, që e mbuluan atdheun kohërave të liga.

Rrëfimi i tij i rrjedhshëm për aktivitetin në ilegalitet, gjatë luftës, por edhe pas saj, është jeta e tij, që lidhet ngushtë me fatin e kombit e të atdheut, ndërsa për ardhmërinë dhe pjesën tjetër të jetës, do të parafrazoja një fjalë të Zafirit: “Lufta s`ka përfunduar, sepse ende nuk është zgjidhur çështja e Kosovës.”

Për shokët e rënë nëpër vijat e frontit të luftës, siç ishin: Remziu, Xhevati, Salajdini, Bekimi, Agimi, Besimi, Fatmiri, Hyseni , Bashkimi dhe të gjithë dëshmorët e tjerë, flet me admirim dhe sa herë e fillon rrëfimin për ta, ofshama e tij më bëhet si një gjëmë e jehonës së krismave nëpër bjeshkët e Vërrinit. Pra, i tillë është Zafiri edhe sot, i qiltër, me shpirt të pastër atdhetari, besnik i idealit të shokëve, protestues kundër padrejtësive dhe sfidave në udhëtimin drejtë çështjes ende të pazgjidhur kombëtare, vizionar i ardhmërisë, i vendosur në luftë me padrejtësitë e kohës, njeri që dhembjen e ndrydhë në shpirt për t’ua falur buzëqeshjen dhe lumturinë të tjerëve, i kujdesshëm dhe i paharruar për shokët e rënë dëshmorë, për familjet e tyre, për invalidët, shokët e luftës, i dashur dhe i respektuar ndër shokë, njeri i shtresave të vuajtura të Kosovës.

Respekti dhe sinqeriteti i tij, reflektohet më së miri edhe gjatë bisedës, sepse ai më me dëshirë flet për shokët dëshmorë, për luftën dhe heroizmat e tyre nëpër vijat e frontit, për ata që edhe sot i qëndrojnë pranë idealeve dhe vlerave të luftës. Pikërisht djemtë si Zafir Berisha, që bartën mbi supet e veta barrën e luftës dhe duke qenë të pathyeshëm karshi sfidave të kohës, i duhen edhe më tej Kosovës, në rrugën deri në pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Autori 

 

I

FRYMËZIMI ME PARULLËN "KOSOVA REPUBLIKË"

Kush është Zafir Berisha?

BERISHA: Jam i lindur më 16.I.1968, në fshatin Kushtrim (Billushë) nga babai Halimi, nëna Raimja, kam tre vëllezër dhe një motër. Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, të mesmen në Prizren, kurse shkollimin e lartë ne Gjakovë e kam ndërprerë qysh në vitin 1992 dhe e përfundova  pas luftës. Aktualisht jetoj në Prizren.

Rrjedh nga familja Berisha e fshatit Kushtrim (Billushë), rajoni i Vërrinit – Prizren. Babai është marrë me kurbet, nëna amvise e lindur në fshatin Gjeqë (Jeshkovë) në fisin Krasniq. Si fëmijë kam mësuar shumë për luftërat që janë zhvilluar në rrethinën e Prizrenit dhe rajonin e Vërrinit, në të cilat luftëra kishte marrë pjesë edhe gjyshi Berzati dhe moshatarët e tij, të cilët shpesh i kam dëgjuar duke biseduar në mes veti sesi kishin luftuar kundër armikut. Fjalën „shkije“ (serbë) e kam dëgjuar për të keq që në fëmijëri të hershme, kur pleqtë tregonin sesi në vitin 1912 serbët kishin masakruar 63 banorë të fshatit, ndërsa fshatin e kishin djegur të tërin.

Nga gjyshi kam dëgjuar se serbët janë të ardhur në vendin tonë dhe tregonte sesi ata kanë dashur të vendosen edhe afër fshatit tonë, por falë guximit të gjeneratës së tyre, ata nuk kanë mundur të lëshojnë rrënjë. Për mësimet e para në shkollë e kujtoj mësuesin Hajredin Shala ( me të cilin në luftën e fundit, për një kohë do të jemi edhe bashkëluftëtarë).

Për të forcuar ndjenjat kundër Serbisë dhe se ky armik duhet luftuar, kanë ndikuar në formimin tim, që në fëmijëri vëllezërit Shaniu dhe Sheradini.

Emrin e ri të fshatit e lindi lufta, sepse aty u zhvillua edhe beteja e parë kundër armikut, në rrethin e Prizrenit, që ishte edhe kushtrim për mobilizim kundër Serbisë.

Në vitin 1981 ju ishit 13 vjeç, si fëmijë u vutë në shënjestër të pushtetit të atëhershëm. Çka mund të na thoni për atë kohë?

BERISHA: Lëvizjet studentore të ‘81-së, ishin një kapitull i veçantë për të ardhmen e popullit tonë. Unë isha fëmijë, mirëpo vëllezërit që ishin më të mëdhenj se unë e sidomos Shaniu (që në atë kohë ishte student në Prishtinë), na informonte se çka po ndodhte atje. Unë atëherë për herë të parë fillova ta dëgjoj fjalën “Kosova Republikë”.

Atëbotë nuk isha në gjendje ta kuptoja thelbin dhe rëndësinë e kësaj fjale. Mirëpo, kur i dëgjoja vëllezërit kur flisnin, fillova të kuptoj se për diçka të mirë është fjala. Aktivistët e “LKJ-së” filluan nëpër fshatra të mbanin mbledhje, unë si fëmijë pak sa edhe problematik, arrita të hyj në një mbledhje ku villej vrer për “nacionalizmin dhe irredentizmin” shqiptar. Aty pata dëgjuar se " nacionalistët dhe separatistët shqiptarë" nuk ja duan të mirën Jugosllavisë dhe Vëllaznim-Bashkimit. Për t’i frikësuar fshatarët, thuhej se ata djegin shtëpi, presin fëmijë, e çka jo tjetër nuk villej në atë mbledhje.

Unë, që në shtëpi dëgjoja krejt të kundërtën e fjalimeve të mbledhjes e pata të lehtë ta kuptoja të vërtetën. Dhe në fillim të gushtit të ‘81-së me Gani Berishën, një mbrëmje shkruam disa parulla në fshat, pa e ditur se çfarë rreziku do të na shoqërojë në të ardhmen. U akorduam që ngjyrën do ta siguroja unë. Pasi ra terri, u takuam me Ganiun te xhamia e fshatit. Tri parulla i shkrova, unë ndërsa dy Ganiu. U ndamë me fjalët që të mos i tregonim askujt. Ngjyrën e mbetur e fsheha në një kënd të oborrit, mirëpo ngjyra më kishte pikuar edhe në rroba dhe këpucë.

E para që i kishte vërejtur ishte nëna. Në fshat, të nesërmen nisën të qarkullojnë komentet nga më të ndryshmet. Njëri thoshte se “i kam parë se kishin qenë të armatosur” , tjetri “ishin grup i madh”, dikush më guximtari thoshte “i kisha dalë përpara” , një tjetër pa e përfunduar tjetri fjalën dhe shtonte se : “të kishin vra”, e gjithçka tjetër dëgjohej. Për ta kuptuar se diçka të rrezikshme për pushtetin kishim bërë e kuptuam të nesërmen në mëngjes, kur pamë se shumë policë e kishin rrethuar fshatin dhe shumë inspektorë fotografonin muret, ku ne kishim shkruar.

Unë me djalin e mixhës Samidinin dhe shumë të rinj tjerë shikonim nga largësia se çfarë po bënin policia, ndërsa ndonjë „butak“ i LKJ-së u afrohej të bisedonte me ta. Çanaklëpirësit e LKJ-së na vështronin neve të rinjve me bisht të syrit, se mos kemi ndonjë pikë ngjyre të ngjashme me atë të parullave. Unë, ndërkaq, kisha dalë me tesha tjera se nëna ma tërhoqi vërejtjen, para se të dalja nga shtëpia.

Nuk kaluan dy - tri javë, kur në një mëngjes , derisa unë isha duke fjetur, më zgjoi nëna dhe më thotë:“ Po të kërkon policia, bir“. Vëllai Sheradini filloi t’i fsheh disa libra dhe gazeta, për të cilat unë nuk dija gjë, përpos asaj se e dija që ato të shtypura në Shqipëri. Kur dola te dera, inspektori Astrit Koshi dhe dy policë, më thanë: „Kemi diçka të bisedojmë“ dhe më futën në makinë. Duke kaluar, me makinë të policisë, afër dyerve të shtëpisë së Ganiut, pashë se edhe atë e kishin arrestuar. Atë mëngjes policia, kishin arrestuar edhe disa shokë të tjerë, të cilët nuk kishin marrë pjesë në aksionin tonë të fshehtë.

Shkaku i arrestimit të Shemsedin Gashit, Ymri Kryeziut dhe Ismet Berishës, të cilët ishin shokët tanë, me të cilët gjithë kohën rrinim së bashku, por ata nuk kishin marrë pjesë në shkrimin e parullave, ne pranuam se ishim autor të parullave. Momenti i parë, në polici, nuk ishte edhe i lehtë, sepse ne na trajtonin si të ishim burra ani pse ishim të moshës 13 vjeçare. Policia, ndaj nesh sillej si ndaj ndonjë terroristi të madh, për këtë më së miri tregonin masat e rrepta të sigurisë, të cilët i ruanin „burrat“ 13 vjeçar.

Në polici, filluan pyetjet e shumta. Ne në fakt s`kishim sesi të mos pranonim, meqë ata i kishin hartimet tona të shkollës, ku shkrimi ynë ishte i njëjtë me shkrimin e parullave.

Atyre u interesonte se kush qëndron pas nesh. Por, ne nuk kishim çfarë të tregonim, lidhur me këtë çështje , sepse kjo më të vërtet ishte ide e jona dhe se askush nuk na kishte udhëzuar, pë një veprim të tillë. Policia, pastaj na pyesnin edhe për shumë burra të fshatit, për ne të dytë edhe për vëllezërit e mi, për të cilët menjëherë fillova të dyshoja se ata ishin nën përcjellje të policisë. Ne na morën disa herë në pyetje dhe për t‘i dhënë fund kësaj pune, arrestuan dhe e burgosën me dy muaj Islam Gashin, gjoja se ai qëndronte pas nesh, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Por, nuk përfundoi me kaq, në fillim të vitit vijues shkollor me një urdhër të prerë “Zafir Berisha dhe Gani Berisha, përjashtohen nga shkolla si elemente të rrezikshme...” dhe kështu mbetëm në rrugë, larg bankave të shkollës. ishin momente të vështira dhe ajo skenë më parafytyrohej shpesh, kur përgjegjësi i shkollës e lexoi urdhrin e drejtorit, para të gjithë nxënësve të shkollës. Të gjithë nxënësit na shikonin me habi, kur ne lëshuam rreshtat e klasës dhe u larguam nga oborri i shkollës.

Nuk shkoi shumë kohë dhe më 14.X.1981, i gjithë fshati u rrethua me qindra policë dhe arrestohen dy vëllezërit e mi Shaniu e Sheradini. Atë ditë arrestohet edhe mësuesi Ilaz Shala e dy kushërinjtë Shefidini dhe Faredini.

Ishin momente të vështir, sepse u kontrollua çdo pëllëmbë e shtëpisë sonë dhe çdo gjë u bë rrëmujë. Atë ditë nga policia u morën shumë libra e materiale tjera, mirëpo diçka që ishte me rëndësi nuk i gjetën në saje të gjeturinë së çikës së mixhës, Amides, e cila ishte më e re se unë, por arriti t’i fsheh. Ky ishte sulmi i dytë mbi familjen tonë, por shumë më i rreptë se i pari. Shtëpia, lagjja e i gjithë fshati i rrethuar me forca të mëdha policore. Fillimisht më zgjuan mua, sepse nëna mendonte se fjala prapë ishte për mua, por jo. Vëllezërit e kuptuan menjëherë se për kë është fjala. Na tubuan të gjithëve me një dhomë, ku ishte gjyshja e paralizuar në shtrat. Në oborr ishin mixhallarët dhe vëllezërit, që ishin nën shënjestër të tytave. Nuk lanë gjë pa kontrolluar dhe pa pritur dhe më në fund morën me vete të dy vëllezërit dhe katër armët e familjes.

 

NË BALLË TË DEMONSTRATAVE ME NGJYRË KUQ E ZI

Si rrodhën gjërat më pastaj? 

BERISHA:Jeta filloi të rrjedhë nën presionin e vazhdueshëm të pushtuesit. Në shënjestër u vu edhe babai, i cili punonte në Gjermani. Atij ju mor pasaporta dhe disa herë u mor në pyetje. Por, ai asnjëherë nuk i’u nënshtrua presioneve dhe shantazheve të armikut dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Në janar të ‘82-së, në një proces gjygjësor të dy vëllezërit dënohen me nga tri vjet burg, për t’i vuajtur dënimet më pastaj në burgjet më famëkeqe të Jugosllavisë. Me insistimin e babait dhe axhës së Ganiut, por edhe me ndihmën e drejtorit të atëhershëm të “BVI-së për arsim” z. Mikel Lumezit, kthehem përsëri në shkollë. Përsëri nuk mund të rrija i qetë, fillova klasën time ta organizoj në përvjetorët e demonstratave. Të gjithë visheshim kuq e zi, veshje që dikujt edhe i pengonte. Çika e mixhës Lumja, që ishte në klasë me mua i organizonte vajzat, ndërsa unë djemtë. Më kujtohet një moment, kur një shokë i klasës nuk gjente rroba kuq e zi dhe u detyrua t’i gjente në komshi, ndërsa një tjetër nuk erdhi fare në shkollë, meqë s’kishte arritur t’i gjente rrobat “ kuq e zi” dhe ishte frikësuar se do t’i thonim spiun, pse nuk ishte veshur sipas vendimit të klasës.

Vazhdimisht me shkumës kam shkruar nëpër shkollë “K.R.” për të cilat shkronja shpesh Këshilli i Arsimtarëve mbante mbledhje për t’i dënuar këto “akte armiqësore” sipas LKJ-së. Pas burgosjes së vëllezërve unë i lashë lodrat e fëmijëve dhe fillova të shoqërohesha me gjenerata më të vjetra, sepse besoja se nuk isha më fëmijë.

Ishte shumë interesant sesi disa njerëz frikësoheshin ta vizitonin familjen tonë nga rreziku se po viheshin në shënjestër të policisë. Mirëpo, këtë frikë nuk e kishin disa të rinj, të cilët përkundrazi filluan edhe më shumë të shoqërohen me ne dhe në këtë mënyrë shtëpia jonë u bë si bazë ku përcillej radiotelevizioni i Shqipërisë, i cili atëherë ishte ushqim shpirtëror për ne. Komunistët e fshatit ushqeheshin me shpresa, mbanin mbledhje dhe diskutonin për rrezikun që mund t’u vinte nga “djemtë e Halimit“ që na vlerësonin si „irredentiste“ dhe „nacionalistë“. 

Familja juaj vazhdoi të mbetet nën përcjellje të    policisë. U burgos edhe vëllai i tretë, si ndodhi kjo?

BERISHA:Më 11 nëntor 1983, “LKJ-ja” e bashkësisë lokale organizoi në fshat një koncert, me rastin e 10 vjetorit të SHKA-së “Besa”, në Kushtrim, me këtë rast ishin të ftuar shumë funksionarë të asaj kohe. Për këtë festë kishin “stolisur” edhe fshatin me flamuj, në mesin e të cilëve edhe flamurin e Jugosllavisë. Vëllai im Mujadini, i revoltuar me këtë gjest “burrëror” të komunistëve, duke pasur parasysh edhe atë se në burg ishin dy vëllezërit tjerë dhe disa të rinj të fshatit, ai në mes të fshatit ia vë flakën flamurit Jugosllav. Policia dhe komunistët shqiptaro-jugosllav u tërbuan dhe kështu të nesërmen e arrestojnë vëllapn dhe shokun e tij Gafurrin. Vëllai një natë më parë kishte shkruar edhe disa parulla në fshat, por aktivistët e “LKJ-së” , të cilët ishin kujdestarë të policisë, i kishin fshirë herët në mëngjes. Për arsye se festa po ju prishet, prandaj përgjigja e vëllait me shokun e vet ishte djegia e flamurit jugosllav ditën. Sulmin e tretë në familje dhe arrestimin e vëllait e përjetova më së rëndi ku si rezultat edhe jam sëmur dhe kjo ndikoi shumë edhe në mësim, ku isha në vitin e parë.

Burgosjen e vëllait të tretë e përjetova më rënd, sepse unë mbeta mashkulli i vetëm në familje, 15 vjeç, ndërsa babanë e kisha në Gjermani dhe në një farë forme unë mbeta zot i shtëpisë. Vëllai u burgos në prag të dimrit, ishte kohë e ftohtë, dru nuk kishim, babai në Gjermani dhe kontaktet me të ishin të rralla. Për shkak të borës së madhe unë udhëtoja 12 km në këmbë për në shkollë, kur kthehesha i lodhur haja bukë dhe shpejt e shpejt shkoja në pyll për të sjellë një dru sa për të kaluar natën, ku shpesh më ndihmonin Ysmeti, Ymriu e shokë të gjeneratës. 

TAKIMI ME MOTRËN E ADEM DEMAÇIT DHE ME VËLLËZËRIT E BURGOSUR 

Sa u denua vëllau i tretë dhe a vazhduat ju veprimtarinë ilegale?

BERISHA: Më 8 janar 1984, në një proces gjygjësor të kryesuar nga Jusuf Gorani, vëllai dënohet me 5 muaj burg. Atë ditë u lirua në mbrojtje në liri, për të vuajtur përsëri edhe 3 muaj më vonë. Ndërsa unë natyrisht që vazhdova të veproj me Ymet Krasniqin, Samedin Berishën dhe Nesim Isakaj, ku kryesisht merreshim me shkruarjen e parullave dhe shpërndarjen e trakteve. Traktet i shkruaja unë me makinën e shkrimit, që kishte mbet nga vëllezërit. Shpesh shkruaja natën me qiri, ndërsa në mëngjes e fshija makinën larg shtëpisë. Kishte raste ku traktet dilnin me gabime, por për ne ishte me rëndësi domethënia e tekstit dhe të lexohen ato nga qytetarët.

Më kujtohet një moment, kur unë me babanë ishim në vizitë te vëllezërit në burg. Duke pritur para burgut të Stara Gradishës, u takuam me motrën e Adem Demaçit, e cila kishte ardhur në vizitë. Atë ditë për herë të parë pata rastin kalimthi, përmes kthinave të burgut ta shihja simbolin e rezistencës. Një polic qëndronte në këmbë deri sa ne bisedonim me Shaniun. Nga aty pastaj do të vazhdojmë për Goli Otok për ta vizituar vëllanë Sheradinin. Pas 45 minuta udhëtim me anije i dolëm një ujdhese nga ana e prapme, duke ju afruar burgut, që ishte në mes të detit shohim shumë të burgosur, me uniforma të gjelbëria, që rrinin nëpër shkëmbinj. Burgu i ndërtuar krejt nga guri. Çdo ndërtesë përreth nga guri. Na lejuan të presim në një dhomë të gjitha familjet shqiptare, kur në derë u paraqitën 6 të rinj në mesin e tyre edhe vëllai. U takuam me të gjithë ishte moment shumë prekës, kur vëllai e pyeti babin për mu se cili është ky që tregonte se nuk më njihte, sepse unë isha rritur pak dhe kisha ndryshuar. 

Ju atëherë veç ishit në shkollë të mesme, në ndërkohë në vjeshtën e ’84 dalin të tre vëllezërit nga burgu. Çfarë veprimtarie zhvilluat atëherë ju?

BERISHA: Shaniu dhe Sheradini nga burgu dolën bashkë. Siç edhe ishin burgosur, ndërsa Mujadini kishte dalë dy javë më parë. Unë atëherë isha në vitin e dytë të shkollës së mesme dhe natyrisht merresha me shkrimin e parullave. Është interesant një rast, kur unë nga profesori i kimisë kërkova leje për dy minuta, shkumësin e kisha në xhep dhe nëpër korridore shkrova disa parulla dhe pa humbur shumë kohë u ktheva në orë të mësimit. Kur dolëm në pushim, sekretari i shkollës Sreçko na shikonte të gjithë nxënësit në sy, për të vërejtur ndonjë të dyshimtë, mirëpo unë isha shumë i qetë dhe normalisht kam zbritur shkallëve. Kjo ishte koha kur u njoftova edhe me Hajrim Çengën me të cilin do të veprojmë në të ardhmen së bashku.   

BETIMI PËR ATDHE DHE FLAMUR NË KALANË E PRIZRENIT 

Me sa dimë në këtë kohë fillon edhe veprimtaria e organizuar e juaj me shokë të tjerë?

BERISHA:Në atë kohë shumë lehtë dalloheshin nxënësit që rrjedhin edhe nga familjet anti Jugosllave.

Pas njohjes me Hajrimin pason njohja me Neshat Ademajn, Seadin Gavazajn, Riad Ajazajn, Sali Elezkurtajn, Jakup Bajraktarin dhe Besim Myrtezanin, me të cilët do të veprojmë për shumë vite bashkë. Këtë kohë edhe motrën Elizabetën, e cila ishte më e re se unë e aktivizova për bartjen e materialeve, ku ajo në gjimnaz u’a jepte shokëve në bazë të shifrave që unë i rekomandoja pa e ditur parullën e përbashkët nuk kishte të drejtë t’ua jepte mate-rialin. Çdo gjë u binte në konspiracion të plotë.    

Si vepruat në atë kohë, kur policia dhe shërbimet tjera nuk linin gurë pa lëvizur për t’i zbuluar ata që vepronin ilegalisht?

BERISHA:Ne i kishim parasysh të gjitha, edhe përkundër rreziqeve që na pritnin qëllimi ynë ishte më i lartë. Unë dhe Seadini ishim më të përcjellë, për shkak të vëllezërve, që i kishim pasur në burgje, por kjo nuk na pengonte, veprimet tona ishin shumë konspirative.

Ne në fillim bëmë betimin në kala të Prizrenit, pastaj kemi përpiluar një status të grupit, të cilit i jemi përmbajtur plotësisht. Të tubuar në rreth, në pjesën e prapme të kalasë, flamuri në mes dhe të gjithë duart mbi flamur një zërit të gjithë u betuam duke i shqiptuar fjalët: “betohem se do të luftojmë deri në vdekje për Kosovën”. Ishin këto fjalë, që më përcollën në çdo hap. Statuti i përbërë nga 19 nene, sa më kujtohet precizonte hollësisht format e veprimit. Pastaj, natyrisht çdo njëri kishim për detyrë të kemi treshet tona që ishin të përcaktuara edhe me statut, natyrisht shfrytëzonim edhe disa broshura të Nuhi Berishës dhe “Qëndresën” e Rexhep Malës, që ishin shumë të nevojshme dhe frymëzuese për ata që vepronin në ilegalitet.

Në ndërkohë nga fundi i gushtit ’85-së arrestohem nga policia dhe dy ditë më maltretojnë në stacionin e policisë në Zhur. Më pyetnin për shumë gjëra, që unë në fakt i dija, por asgjë nuk pranoja. Atyre u interesonte lëvizjet e rinisë në rajonin e Vërrinit, u interesonte për shkrimin e parullave dhe trakteve. Nga dhuna, që u ushtrua ndaj meje një javë u detyrova të mbetem i shtrirë në shtrat , sepse këmbët nuk m’i zinin as këpucët. 

Çfarë materiali frymëzues tjetër shfrytëzonit në atë kohë?

BERISHA: Ne ishim të detyruar të përcillnim në plan të parë ndodhitë dhe ato t’i komentonim sipas këndit tonë dmt, gënjeshtrave që lansonte LKJ-ja, t’ua shqerrnim maskat, në mesin ku kishim mundësi, ndërsa për vete, ne treshet shfrytëzonim materiale të ndryshme, që vinin nga perëndimi dhe Shqipëria dhe gjithçka e frymës kombëtare, që na binte në dorë, ishte frymëzuese. Materialin na siguronte Samidini, i cili e kishte sjellur nga Gjermania dhe Jakup Bajraktari, i cili e sillte nga Zvicra, ndërsa një material e kisha unë, të cilin e kishte sjellë Shefedini nga Shqipëria, por që policia nuk kishte mundur ta gjente kur janë arrestuar vëllezërit.  

A mund të përmendni disa aksione të atyre viteve? 

BERISHA:Në këtë kuptim vlen të përmendet shkrimi i parullave në rrugën Prizren – Zhur, shpërndarja e trakteve nëpër Prizren, herë natën e herë në mes të ditës, shpërndarja e trakteve në brendi të shkollës së mesme (të gjimnazit) në Çabrat të Gjakovës, ku një kohë kam banuar, sepse isha atje në ShLP. “Bajram Curri”, shpërndarja e trakteve në Zhur, e shumë të tjera. Në shtruarjen e parullave në rrugën Prizren-Zhur ishim edhe të armatosur me një çifte gjueti dhe pistoletë. Ishte me rëndësi për ne, që të shkruhet po atë natë, sepse ishte tre vjetori i demonstratave në Prishtinë - 11 Marsi.

Meqenëse unë e Nesimi i kishim shkrimet në dosjet e policisë, atëherë Nesimi bënte roje unë diktoja, ndërsa Samidini e Ymeti shkruanin, sepse edhe shkrimin e kishin më të bukur, një shkronjë shkonte deri pesë metër, nuk ishin shkruar ndonjëherë parulla më të mëdha. Ishte ditë vere, kur përsëri të katër shokët 12 kilometra udhëtuam natën deri në Prizren, ku shpërndamë trakte në disa lagje të qytetit dhe për të qenë sa më të suksesshëm u ndamë në dysh unë dhe Ymeti, Samidini me Nesimin, ndërsa Neshati në Zhur. Ne nuk shpërndanim as trakte as parulla në fshatin tonë, sepse e dinim që menjëherë arrestoheshim nga policia, meqë ishim në shënjestër, bile dilnim fshehur nga shtëpia kur kishim aksion. Pastaj aksioni në “gjimnaz” , kur me Neshatin, ishim në shkollën e mesme teknike, por aty na binin në gjurmë, kështu që mora leje kujdestarit për 5 minuta që mos të shënohem në ditar dhe traktet i shpërndamë në “gjimnaz”. Kurse, në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit ishte mesditë, qindra nxënës nga shumë qytete të Kosovës kishin ardhur aty, unë me Hajrimin dhe Neshatin ngjitnim trakte me mbishkrimin “Posht sërbofilët”.

Ka pasur edhe aksione tjera në Prizrenin, nga grupi ynë, ku unë kam munguar, sepse s’isha në Prizren, por ishin Sadini me Hajrimin, Besimi me Riadin, Saliu me Jakupin që e mbulonin në tërësi qytetin me trakte. 

Çka mund të veçoni ndonjë gjë interesante, nga ato momente të aksioneve ku dihet se pushteti ju ndiqte për t’ju burgosur?

BERISHA: Është një moment kur jemi detyruar dy herë të shpërndajmë të njëjtat trakte. Kështu, pas shpërndarjes së trakteve në “gjimnaz”, Hasan Hoti, sekretar i LKJ-së në gjimnaz , në atë kohë fillon të mbajë mbledhje në çdo klasë për t’i detyruar nxënësit, që të diferencohen duke “vjellur” kundër nacionalizmit dhe irredentizmit, siç thotë ai. Nuk shkoi gjatë dhe u burgosën një grup nxënësish kryesisht nga Zhuri.

Ne kuptuam arsyen e burgosjes së tyre dhe traktet e shpërndara më parë në Zhur dhe “gjimnaz” i shumëzuam dhe i shpërndamë në kompleksin e “Lidhjes së Prizrenit” që vizitohej nga nxënësit e gjithë Kosovës në atë kohë.

Qëllimi ishte që t’i bëhet me dije regjimit , që nuk janë ata që i mbanin në burg, shpërndarës të atyre trakteve, mirëpo kjo ishte e kotë, sepse ata u dënuan me shumë vite burg. 

Nga ilegalja e thellë në Partinë Parlamentare të Kosovës

Dalja në skenë e partive politike, ku ju gjeti dhe çfarë bëtë ju në atë kohë?

BERISHA:Unë sa e kisha mbaruar ushtrinë Jugosllave, ku ishim të detyruar të shkojmë. Ishim në vlug të organizimit, sepse Kosova vlonte nga demonstratat, ne ishim aktiv në atë lëvizje gjithë popullore. Mirëpo, dalja në skenë e LDK-së na solli para një situate të papritur për ne. Grupi ynë në atë kohë u mblodhëm në shtëpinë e Riad Ajazit dhe kemi biseduar afër 1200 orë sesi të veprojmë dhe çfarë të bëjmë. Riadi dhe Besimi ishin studentë të Juridikut dhe mundoheshin ta kapin më mirë daljen e partive në skenë dhe tregoheshin më të gatshëm për të punuar në parti legale, ndërsa unë dhe shokët e tjerë ishim që përkrah partisë të veprohet edhe ilegalisht, sepse kishte çka të punohet.

Përfundimisht morëm vendim që të inkuadrohemi në këto subjekte politike, mirëpo gjithmonë me menim që të realizojmë qëllimet, që ia kishim shtruat vetit. Mirëpo, që në fillim e pamë se aty diçka nuk është në rregull, sepse në kuadër të LDK-së, filluan të futen shumë nga ata që deri në atë moment ishin argat të okupatorit, ata nga të cilët ne ishim të ndjekur dhe natyrisht kjo ishte e papranuar për ne, sepse në shumë bashkësi lokale “LKJ-ja” u shndërrua në LDK.

Unë kur pashë këtë gjendje u inkuadrova në Parlament Rinor, që më vonë do të kalon në Partinë Parlamentare të Kosovës, në të cilën për një kohë qëndrova edhe në Kryesinë e Degës së saj në Prizren. Qëllimi ynë ishte të formojmë një klimë të re politike në Prizren, duke i dhënë mundësinë qytetarëve që mund edhe të mos mendojnë si LDK-ja, e cila në fillim trumbetohej si lëvizje gjithë popullore e shqiptarëve të Kosovës, e që në thelb platformën politike të saj e kishte shtrirë mbi dyshekun e LKJ-së. Kryesia e PPK-së kryesisht bëhej nga të rinj, që edhe më herët nuk ishte pajtuar me regjimin e Beogradit, siç ishin Hajrullah Hoxha, Feti Hasani, Ismajl Kryeziu, Ferit Tafallari, Masar Shala, Bashkim Gashi, Enver Berisha, Azem Ramadani etj. Ndërsa në ndërkohë lirohen nga burgu dhe i afrojmë edhe Bashkim Mazrekun e Kadri Kryeziun.

Ngjarjet zhvilloheshin me të shpejtë, çka bënit ju që kishit të kaluarën në ilegalitet?

BERISHA:Ne për asnjë moment nuk i shkëputëm lidhjet që kishim me shokët e ilegales. Përkundrazi, u njoha edhe me shokë tjerë, me të cilët u mundova të jap kontribut në organizmin e LPRK në rajonin e Vërrinit, ku Naser Berisha ishte përgjegjës. Përndryshe marrja pjesë në shumë mbledhje ku do të veçoja takimin në shtëpinë e Alush Shalës, që kishte një rëndësi të veçantë për lëvizjen në atë kohë. Konsideroj se me rëndësi ishte takimi në shtëpinë e Alushit, sepse aty u diskutuan shumë çështje dhe merrnin pjesë edhe disa personalitete, që unë nuk e dija deri atëherë se i përkisnin LPS-së si Xhevat Hasani, Bedri Halimi dhe Bashkim Mazreku. Në rrjetin e organizimit të PPK-së e shfrytëzonim edhe për punë tjera gjë që nuk e dinin gjithë anëtarët e kryesisë, sepse edhe aty dallonin mendimet rreth situatës dhe zgjedhjes së problemit të Kosovës.

Pushtuesi serb bënte teror gjithandej Kosovës, ndërsa ne që ishim zonë kufitare kishim përgjegjësi, që të pritnim dhe përcillnim shumë njerëz drejtë Shqipërisë, në mesin e tyre kemi pasur rastin që ta përcjellim edhe Rifatin, vëllain e Adem Jasharit, në kushte të vështira të dimrit. Ishte kohë kur edhe unë lëvizja drejt Shqipërisë për armatim me Xhemshit Krasniqin, Shehadin Krasniqin dhe Miriman Gavazajn.

Vendimet e tubimit në Lagjen e Trimave (Tusuz)

Në fillim partitë u deklaruan për zgjedhje të problemit me mjete paqësore, a ishte kjo e kapshme për ju dhe si vepruat në atë kohë?

BERISHA:Dalja në skenë e partive politike në kohën kur lëvizjet popullore ishin të mdha në Kosovë ishte e pakapshme, që të kërkosh Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë (të dominuar nga Serbia), apo të një shteti okupator, që me makinerinë e vet ishte vënë kundër shqiptarëve, që për ne veprimtarët e ilegales nuk ishte aspak normale. Megjithatë, ne nuk e ndalëm veprimtarinë tonë. Unë në atë kohë veproja në kuadër të një grupi të rinjve dhe në një tubim, diku rreth 12 orësh që e mbajtëm në Zhur, në shtëpinë e Riad Ajazajt, me shokët, që i kam përmendur më lartë diskutuam dhe vendosëm, që veprimtarinë tonë ta zhvillojmë edhe në kuadër të këtyre subjekteve politike, që filluan të dalin në skenë, duke mos harruar qëllimin e idealeve tona të larta drejt organizimit të popullatës shqiptare në format dhe metodat tjera për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Në atë kohë si ide e shokëve të ilegales doli formimi i këshillit të vetëmbrojtjes, që e quanim edhe grupe gjysmë ilegale, të them kështu. Në ndërkohë kisha kontakte me anëtarët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, me të cilët isha në veprimtari të përbashkët, duke i mbajtur takimet nëpër fshatra, si në Arbëri (ish Leskovec) dhe në Malësi të Vërrinit (ish Lubiqevë).

Edhe pse në këtë kohë ishin partitë politike në skenë, veprimtarinë ilegale nuk e ndërpremë për asnjë moment. Kur ishte fjala tek këshilli, është me rëndësi të përmendet tubimi në lagjen e trimave (Tusuz), në shtëpinë e Xhemshit Krasniqit, ku pjesëmarrës ishin 72 burra, nga të gjitha fshatrat e regjionit të Vërrint dhe rrethit të Prizrenit. Në atë tubim është vendosur që të del një këshill drejtues, i këshillit për vetëmbrojte i përbërë nga shtatë veta. Ky këshill, do ta organizojë veprimtarinë me rininë në teren. Qëllimi i këtij këshilli ka qenë kryesisht i karakterit ushtarak, sepse në kuadër të këtij këshilli kemi formuar celulat e këshillit në çdo fshat dhe njerëzit e aktivizuar në këto celula kanë bërë përgatitjen e rinisë, e cila nuk e kishte të kryer shërbimin ushtarak, dmth. është bërë trajnimi i të rinjve për përdorimin e armëve.

Në këtë tubim morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha fshatrave dhe bashkësive lokale të qytetit, ku sistemi organizativ i këtij këshilli më vonë do të shërbejë shumë edhe gjatë luftës së UÇK-së, sepse njerëzit që ishin në këtë këshill, do të angazhohen në të gjitha format dhe do të jenë bërthamëzat e organizimit të ÇK-së, në të ardhmen për rrethin e Prizrenit. Në këtë kohë vlen të përmendet edhe organizimi i tribunës në fshatin Kushtrim (Billushë), me temën “Kosova dje, sot dhe nesër”, në të cilën mori pjesë politologu dhe patrioti Ukshin Hoti, i cili këtë tribunë do ta përmend edhe në librin e tij të fundit. Pastaj, ishin momente kur Dr. Xhevat Hasani, me ndihmën tonë organizoi kurset e ndihmës së parë me të rinj në shumë fshatra të Prizrenit, kurse këto , të cilat ishin duke u bërë në të njejtën kohë, kur bëheshin edhe ushtrimet për përdorimin e armëve në tjetrën anë. Pastaj si nevojë e kohës në rajoni e Vërrinit doli edhe revista “Gurra”, që udhëhiqej nga Sheradin Berisha. 

Kush ishin krerët e këtij këshilli, nga drejtohej dhe cila ishte shtrirja e tij në regjion?

BERISHA:Këshilli shtrihej në shumë pjesë të qytetit dhe rrethinës. Udhëhiqej nga unë, Naser Berisha, Enver Berisha, Islam Dakaj, Ismail Kryeziu e Sali Bytyqi. Ky i fundit ishte një veprimtar i vjetër, i cili më nuk gjendet në mesin tonë, ka qenë ndoshta gjenerata më e vjetër që na është bashkangjitur ne në atë kohë në të gjitha organizimet.

Unë, Naser Berisha, Rizan Ademaj, Tasim Pulaj dhe mësuesi Mustafë, nga Kobaja e mbulonim regjionin e Vërrinit, ndërsa lagjen e Bajram Currit e mbulonte Sali Bytyqi , Tusuzin e mbulonte Enver Berisha dhe Xhevat Berisha, pjesën e Korishës e mbulonte Islam Daka, pjesën e Arbanës (ish Dushanova) e mbulonte Ismail Kryeziu. Këta persona për pos veprimtarisë për të zbuluar njerëzit me ndjenja atdhetare, kanë ofruar edhe armë, që posedonin, e që ato armë konkretisht ishin të Islam Cakës dhe Xhevat Berishës. Pra, automatikët i kishim në teren, në të gjitha fshatrat, ndërsa në Arbëri (ish Lëskovec) dhe në Kushtrimë (ish Billushë), patën ushtruar edhe gjinia femërore në mësimin e shkathtësive për përdorimin e armëve. Ishte një nga detyrat kryesore në atë kohë përgatitja e rinisë dhe e njerëzve tjerë për kohë më të vështira. Në atë kohë ishte edhe “Fronti”, organizatë kjo, që në programin e vet kishte zgjidhjen e problemit të Kosovës jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime ushtarake. Ndërkohë ne në shtëpinë e Ismajl Kryeziut e kemi mbajtur një takim si përfaqësues të këshillit me krerët e “Frontit”, ku i kemi koordinuar disa veprime, për t’u organizuar sa më mirë në rajonin e Prizrenit, në drejtim të mobilizimit të përgjithshëm për t’i përballuar sfidat, që në atë kohë veç përballej Kosova.

Në kuadër të këshillit, ne kemi pasur takime konsultative edhe me Adem Demaçin dhe Rexhep Qosjen, ku kemi marrë disa instruksione dhe sugjerime jo ndoshta direket, por në mënyrë indirekte sesi mund të orientohet rinia në ato vitet e daljes në skenë të një rryme politike, por që në programin e saj nuk ishin të qarta shumë çështje prioritare, sepse në programet e kësaj rryme përmendej Jugosllavia, federata, e që për ne ishte e pakuptimtë dhe e papranueshme. Në takimin e parë ishim unë Sadini, Riadi dhe Hajrimi, kurse në takimin e dytë ishim unë Naseri, Enveri, Rizani dhe Sali Bytyqi, ku me këtë rast do ta veçoj një sekuencë: Duke biseduar te R. Qosja, bisedën e ndërpreu, sepse në ekranin televiziv doli një kolonë ushtarake, e cila shkonte drejtë Kroacisë nga Beogradi, për të na hapur pastaj bisedën rreth faktit skenat të atilla do të ndodhin edhe në Kosovë. Meqë ne përkundër trumbetimeve politike, nuk pretendonim dhe as që na e kapte mendja e shëndoshë, për një jetë në kuadër Federatës Jugosllave. 

E keni fjalën për LDK-në ?

BERISHA:Po, sot e asaj dite LDK-ja edhe pas 10 vjet, ende e ka programin e 4. gushtit të vitit 1990, ku mbi tetë herë përmendet angazhimi i saj për Jugosllavi Federative apo Konfederative. Vetëm lexojeni pikën 2 të këtij programi dhe do të bindeni. Nëse dikush mund ta arsyetojë kërkesën për regjistrim në Beograd para lufte, kush e ka penguar këtë subjekt politik, që ta ndryshojë programin e vet pas luftës. Unë që në ditët e para të daljes në skenë të LDK-së nuk jam pajtuar me atë vijë, që një klan i caktuar mundohej ta udhëhiqte Kosovën e që kjo udhëheqje në bazë të programit, që e kishte dhe sjelljeve, që bënte nuk ishte e vështirë ta kuptoje se Kosova po futej në një skëterrë pa rrugëdalje tjetër. 

Kujtimi për Xhevat Berishën, Fehmi Lladrovcin dhe aktiviteti politik nëpër Evropë

“Fronti” a kishte qendër drejtuese?

BERISHA:Për “Frontin” isha i informuar nga vëllai Shaniu dhe shokët si Xhevati, Naseri, Ismajli, Islam Caka, Islam Daka, që ishin të kyçur në këtë organizatë, ndërsa unë kam pasur takim me krerët e saj në Arbanë, në shtëpinë e Ismajl Kryeziut, ku siç e ceka edhe më lartë i kemi koordinuar disa veprime, që ishin me interes për punën në teren.

Po lidhjet e Xhevat Berishës me Naim Krasniqin dhe Remzi Ademajn?

BERISHA:Unë në atë kohë isha i organizuar në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, që sot quhet Lëvizja Popullore e Kosovës dhe përmes këshillit, që ishte një mbulesë e veprimtarive tjera, ne e përfaqësonim delegacionin e këtij këshilli, në takime me “Frontin”. Përndryshe shokët tanë Xhevat Berisha dhe Remzi Ademaj ishin të kyçur edhe më thellë në lidhjet e “Frontit”, prandaj këto lidhje mes tyre kanë ekzistuar që më parë dhe në kuadër të këtyre lidhjeve janë marrë edhe shumë direktiva, të cilat janë zbatuar në praktikë. 

Cili ishte roli i Xhevat Berishës në atë kohë?

BERISHA: Xhevati ka qenë një veprimtar i hershëm i ilegales, më kujtohet një herë në lagjen Tusuz, kur ai ka qenë edhe prijës i asaj lagje, në atë kohë, sepse edhe ne pothuaj të gjitha bazat e veprimtarisë ilegale i kemi pasur këtu. Xhevati ecte vazhdimisht i armatosur me shokët pjesëtarë të “Frontit” dhe kur filloi zbulimi i “Frontit”, ata u strehuan nëpër bazat tona, që i kishim në Tusuz dhe njëri nga ata që i koordinonte të gjithë këto lëvizje, duke e bërë edhe strehimin e armëve dhe të shokëve, ishte vet Xhevat Berisha .

Çfarë ishte aktiviteti i juaj gjatë kësaj kohe?

BERISHA:Ishte koha, kur veprimtaria jonë ilegale, këmba - këmbës ndiqej nga Serbia, kuptohet përmes kolaboracionistëve apo argatëve të saj. Krahas të gjitha këtyre veprimtarive ilegale kam qenë i kyçur edhe në Partinë Parlamentare, që fillimisht ishte Parlamenti Rinor, ku kam qenë në kryesi. Në kuadër të shtrirjes së Partisë Parlamentare, ne kemi bërë edhe veprime, të cilat i cekëm edhe deri më tani, do me thënë ka qenë një mbulesë e jona për veprimtari të tjera të organizuara drejt një organizimi të mirëfilltë ushtarak në qytetin të Prizrenit.

Kjo veprimtari ka zgjatur deri në korrik të vitit 1993, kur atëherë veç e kam kryer aksionin e parë të armatosur kundër policisë serbe. Dhe natyrisht, nga rreziku dhe përcjellja që filluan të shtohen në atë kohë, unë u detyrova të largohem nga Kosova, për ta vazhduar veprimtarinë time në Zvicër dhe në Gjermani, duke pasur kontakte të vazhdueshme me njerëzit e mërgatës shqiptare jashtë atdheut, ndër ta edhe me Fehmi Llavdrovcin, tash dëshmor kombit. Dua të përmend këtu faktin se para largimit tim jashtë vendit dhe para aksionit tim të 23 korrikut 1993, veprimtaria e jonë për aksionet e armatosura nuk ka munguar. Ne kemi pasur përcjellë dhe përgatitur plane edhe kundër krerëve të policisë serbe, thjesht aksione, të cilat ndoshta edhe na kanë dështuar, por që ishin në kuadër të veprimtarisë sonë.

Në këtë grup bënim pjesë unë, Hajrim Çengaj dhe Seladin Gavazaj. Mirëpo, në pamundësi për ta futur në dorë njërin nga krerët e policisë serbe, që ishte rrezikshëm për popullatën shqiptare në atë kohë detyrohemi ta ndërmarrim edhe aksionin për ta sulmuar stacionin e policisë në .............?. 

Si e kaloje jetën në dhe të huaj?

BERISHA:Fillimisht u vendosa në Shqipëri, por për shkak të kushteve jo të favorshme për të jetuar atje, vendosa të largohem në drejtim të Zvicrës, ku e kisha vëllanë tim dhe për një kohë qëndroj aty. Në atë kohë jam marrë ngapak edhe me shkrime publicistike në gazetën mujore “Qëndresa”, pastaj edhe në “Zëri i Kosovës”.

Në kontaktet e përhershme me vëllai tim dhe djalin e xhaxhait Samidin Berishën e vazhduam aktivitetin tonë në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës, në kantonin e Tiçinos, aty kam pasur kontakte të ngushta edhe me veprimtarë të Lëvizjes dhe pas një kohe të shkurtër vendosa që përsëri të kthehem në Kosovë, kuptohet për ta vazhduar aktivitetin në shërbim të çeshtjes sonë të pazgjidhur kombëtare. Por, nga ndjekja e vazhdueshme e policisë serbe, që na bëhej mua dhe vëllait tim Shaniut, u detyruam që përsëri të largohemi për në Gjermani. Në Zvicër detyra e jonë ishte, që kurbetçarët t’i orientonim në vijën kombëtare dhe para tyre t’u shqjerrim maskën politikës shovene të Serbisë, por edhe njëherit t’i tregojmë kurbetçarëve edhe për pasojat e politikës së Rugovës, ku si rezultat pasonin ikjet e mijëra të rinjve nga Kosova. 

Çfarë aktiviteti zhvilluat në Gjermani?

BERISHA : Me t’u vendosur në Gjermani, kisha edhe probleme private. Fillimisht nuk e pashë të arsyeshme të kyçem në parti politike, sepse më dukej e tepër  të zhvillosh veprimtari politike në Gjermani, diku rreth 2000 kilometra larg Kosovës. Mirëpo, me daljen në skenë të veprimeve të organizuara në Kosovë, natyrisht u paraqit nevoja për t’i koordinuar këto veprime dhe për mes vëllaut tim bi në kontakt me Sejdi Gegën, Adem Grabovcin dhe në një kohë udhëtova për Shqipëri për t’u takuar me një shok tonin, i cili ishte i dërguar nga Xhevat Berisha, Naim Krasniqi dhe Selim Krasniqi, pra me Hajrim Çengajn, të cilin e shoqëronte Samet Thaçi.

Aty biseduam rreth organizimit dhe inkuadrimit të shokëve tanë në një celulë nën hierarkinë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontakte këto, të cilat më pastaj do t’i mbante Azem Syla, Gafurr Elshani, Adem Grabovci , Emrush Xhemajli dhe disa shokë të tjerë, të cilët kanë qenë të kyqur në organizimin e UÇK-së. Këtu është me rëndësi të veçantë edhe tubimi, të cilin e kam organizuar me kurbetçar në @izbaden të Gjermanisë, ku mori pjesë edhe patrioti Fehmi Lladrovci, me të shoqen, i cili tubim ia shqjerri definitivisht maskën propagandës pacifiste, që bënte atëherë kundër UÇK-së. 

" Nga Shqipëria vepronim për çlirimin e Kosovës"!

Fjala është për aktivitetin në Shqipëri?

BERISHA: Kontaktet vazhdimisht kanë qenë në Kukës dhe të gjitha levizjet në drejtim të Prizrenit janë bërë nga Kukësi, deri në shtator kur për mes kontakteve me shokët e mi dhe familjes Kovaçi nga Pobregu, të cilët depërtojnë edhe kontingjentin e parë të armatimit nga Shqipëria për në rajonin e Prizrenit, ku këtë kontingjent të armatimit e pritën Xhevati dhe disa shokë, që ishin të organizuar në atë kohë brenda, si: Ismail Kryeziu, Selajdin Berisha, Selim Krasniqi, Hajrim Çengaj, Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshi, Mursel Osmanaj, Mehmet Memçaj dhe disa shokë të tjerë, të cilët filluan ta armatosin jo vetëm veten, por edhe shokët e tyre, që e përkrahnin idenë për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrethin e Prizrenit. Pesë kuaj me armatim dhe me municion të shoqëruar nga Fidaim Dida dhe Ajet Kovaçi, fillimisht vendosen në bjeshkë të Zhurit në Koretnik e pastaj shokët e sjellin nëpër bazat e tyre dhe pastaj i shpërndajnë sipas skemës organizative. Në ndërkohë në Kukës në lokalin e Sylë Kovaçit u diskutuan edhe plane operative rreth mundësisë së gjetjes së kanaleve sa më të sigurta për ta futur armatim dhe për ta përcjellur atë në zonat më të thella të Kosovës. 

Fjala është për vitin 1997, a po?

BERISHA:Po, fjala është për shtatorin e vitit 1997, kontingjenti i parë i armatimit dhe për fillimin e organizimit të rinisë shqiptare me vetëdije të lartë kombëtare në rrethin e Prizrenit. Kështu fillimi i vitit 1998, celulën e parë të UÇK-së, në rrethin e Prizrenit e gjeti mirë të organizuar, por në këtë kohë kolaboracionistët në bashkëpunim me okupatorin serb, arritën ta bëjnë edhe zbulimin e kësaj celule. Ishte momenti kur diskutohej, që një pjesë e armatimit duhet të kalonte për në zonën e Drenicës, kontaktet që i bënte veprimtari i vjetër nga Prizreni (tash i ndjeri) Selajdin Braha. Kësisoj burgosen edhe disa nga shokët tanë, por shokët që u shpëtuan prangave dhe qelive të burgut, edhe më tej vazhduan veprimtarinë e tyre në organizimin e mëtejshëm për ta vazhduar luftën. Në mesin e shokëve të arrestuar ishin : Xhevat Berisha, Hajrim Çengaj, Mursel Osmani, ndërsa më vonë do të burgosen edhe Naim Krasniqi, Mehmet Memçaj dhe Begush Bajrami. Edhe pas arrestimit të këtyre shokëve, një pjesë e grupit tonë kaloi në Shqipëri siç ishin Selim Krasniqi, Elbasan Shoshi, Ismail Kryeziu dhe Xhemshit Krasniqi, ndërsa Salajdin Berisha i përkrahur edhe nga Isuf Berisha, kthehen nga lagjja Tusuz në fshatin e tyre të lindjes, pra në Lez. Këto ishin ato momentet kur ne duhej të vendosnim, që të kthehemi në Kosovë për ta vazhduar aktivitetin, sepse veprimtaria e celulës së UÇK-së, për rrethin e Prizrenit në një farë forme po zbehej nga pak. Ishin këto momente të shpërthimit të luftës frontale në Drenicë dhe Dukagjin.

Natyrisht, Prizreni duhej të ecte përkrah këtyre krahinave luftarake e kështu edhe u bë. Për arrestimin e shokëve, fillimisht më njoftoi përmes telefonit z. Adem Grabovci, i cili më tha se: “ Ka ndodhur diçka në Prizren dhe janë arrestuar disa shokë tanë “, pastaj unë menjëherë i telefonova shoqes së Hajrimit në Tusuz, e cila më tregoi se kush është arrestuar dhe më tregoi se Tusuzi ende është i rrethuar. Me këtë rast një sasi e madhe e armatimit kishte ra në duar të armikut. Për këtë arsye për një kohë u shkëputën lidhjet me shokët tjerë. 

Lufta kishte filluar në Kosovë, si ndjeheshit në rrethanat e reja dhe kur vendosët të ktheheni në Kosovë?

BERISHA:Fillimi i luftës në Kosovë ishte i rëndë për mua, sepse ato ditë që kishte shpërthyer lufta në Drenicë, pak ditë për parë ( më 27 e 28 shkurt 1998) na kishin rënë disa nga shokët tanë të celulës në burg dhe këtë natyrisht e përjetova dy herë më rëndë. Prandaj, për rreth një muaj unë nuk munda të bie në kontakt me shokët e mi, që u kishin shpëtuar grilave të Serbisë, ndërsa pas një muaj, unë arrita të vë kontakt me disa nga shokët, që kishin kaluar në Shqipëri. Atëherë Shani Berisha dhe Minir Krasniqi vijnë në Shqipëri për t‘i vënë kontaktet me shokët.

Në atë kohë nuk kisha dokumente udhëtimi dhe kur u kthyen ata nga Shqipëria në Gjermani u informova detalisht për gjendjen dhe rrethanat e krijuara. Atëherë vendosa që përfundimisht të kthehem nga Gjermania në drejtim të Shqipërisë për t‘u bashkangjitur me shokë e për ta vazhduar pastaj rrugën për në Kosovë, ashtu siç edhe ndodhi. 

Takimi emocional me Selajdin Berishen në tokën e Kosovës dhe organizimi i UÇK-së

Si ishte rruga drejt Shqipërisë, pastaj udhëtimi për në Kosovë...?

BERISHA:Më 6 maj kam arritur në Tiranë, aty jam konsultuar me shokë, të cilët ishin vendosur në Durrës. Më 7 maj 1998 e kam takuar Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, me të cilët jam konsultuar për veprimtarinë tonë në të ardhmen në rrethin e Prizrenit, natyrisht për bazat e armatimit, se ku dhe si do të armatoseshim në të ardhmen dhe kanalet, të cilat do t‘i përdorim, ndërsa me 8 maj, kam arritur në Kukës, ku për herë të parë e kam takuar Agim Shalën, tani dëshmor, i cili kishte ardhur nga Italia, për të na u bashkangjitur ne. Po ashtu në Kukës kam takuar edhe Xhelil Krasniqin dhe jemi vendosur në shtëpinë e Sylejman Kovaçit dhe me ndihmën e tij jemi armatosur një grup i vogël, sepse nuk dihej gjendja detale në rajonin e Vërrinit, ku edhe mendonim të vendoseshim. Atë herë Selim Krasniqin e lamë në Shqipëri, për t‘u kujdesur për logjistikë sa për fillim, ndërsa në drejtim të Kosovës udhëtojmë: unë, Agim Shala , Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshaj dhe Xhelil Krasniqi.

Të armatosur hyjmë në Kosovë, në rajonet Prizrenit dhe fillimisht vendosemi në fshatin Kushtrim (Billushë). Ishte nata në mes 9 e 10 majit të vitit 1998, kur kontaktin e parë e marrim me Mirsad Berishën, nga i cili njoftohemi për lëvizjet e okupatorit në rajonin e Prizrenit dhe në rrethinën e Vërrinit, ku edhe mendonim t‘i krijonim bazat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hyrja e juaj në Kosovë, vendosja në fshatin Kushtrim dhe te vendi i quajtur Guri i Kallogjerit mbi Gjeq (Jeshkovë), çka pastaj?

BERISHA: Detyra e parë për ne ishte siç e thashë të njoftohemi me gjendjen, që mbretëronte në komunën e Prizrenit dhe për shokët tanë, të cilët ende gjendeshin në burg.

Dhe me ndihmën e Mirsadit vejmë kontaktin e parë me hoxhën e fshatit, njëri nga shokët tonë që do të jetë edhe krahu i djathtë i luftës, Miniset Shala dhe për mes tij biem në kontakt me tre persona në fshatin Gurrë (ish Poslisht) me Halitin, Mamiun dhe Jetishin, të cilët kishin lëvizje të përditshme në qytet dhe nga qyteti na sillnin informata.

Ishte në atë kohë shumë me rëndësi për ne, që të njoftohemi detalisht me gjendjen e shokëve në burgje dhe mundësitë për t‘i nxjerr nga aty. Kështu nisëm të përgatisnim një plan, që në rast se nuk del Xhevati nga burgu për një kohë të shkurtër, ta sulmojmë burgun e Prizrenit, por kjo nuk ndodhi, sepse në forma tjera një pjesë e shokëve arritën të dalin nga burgu dhe pastaj të jenë edhe krah i fortë i yni në organizimin e mirëfilltë të UÇK-së, e cila do të vendoset në rajonin e Vërrinit.

Është me rëndësi të thuhet se kontaktet e para me njeriun e celulës së parë të UÇK-së, i cili ishte i vendosur në Lez, me Salajdin Berishën (tani dëshmor), e që unë gjithmonë e kam quajtur Adem Jasharri i Vërrinit, takohemi pas tri - katër ditëve, pasi u futëm në Kosovë. Fillimisht takohemi me Hajri Berishën në Arbër (Leskovec), pastaj udhëtojmë drejt Lezit unë dhe Xhemshit Krasniqi dhe takohemi me Selajdin Berishën.

Salajdin Berisha, në atë kohë kishte me vete tri pushkë dhe një arkë me bomba dhe ishte stoik në qëndrimin e tij se kurrë nuk do ta lëshonte Lezin dhe Kosovën dhe se për të gjallë nuk do të dorëzohej. Pra, ishte një takim emocional në ato momente. Unë më parë nuk e kam njohur Selajdinin, ndërsa ai mua më kishte njohur vetëm si emër dhe në çastin kur u prezantova se kush jam, aty ishte një përqafim shumë i zjarrtë dhe vëllazëror dhe në ato momente më thotë: „A thua, ende paska djem që po interesohen për Kosovën?”. Dhe prej këtij momenti me Salën dhe shokët tjerë, vazhduam organizimin deri në fund të majit, kohë kjo kur dalën nga burgu edhe shokët. Por deri në këtë kohë ne nuk qëndruam duarkryq, ishte koha, e lëvizjeve, e organizimeve në të gjitha fshatrat e Vërrinit. Ishte një aksion kur më 22 maj 1998 e ndërmorëm një sulm në konviktin e qytetit të Prizrenit, që qëllimi i këtij aksioni ishte vetëm një provokim kundër forcave serbe për t’ua matur pulsin, për të konstatuar lëvizjet e tyre nëpër qytet dhe në anën tjetër për t’ua bërë me dije se edhe në Prizren ka lindur UÇK-ja.

Pastaj, fillon faza tjetër e dërgimit të rinjve në drejtim të Shqipërisë për armatim, ndërsa në këtë kohë veç ishte futur në Kosovë edhe Selim Krasniqi me një bashkëluftëtar tonin nga Kaçaniku, një djalosh me përvojë luftarake edhe në Kroaci, me nofkën “Hanci”, që ishte Lumni Berisha, që për ne ishte edhe një mbështetje. Pastaj ishte edhe Islam Caka, i cili kishte arritur me një grup si dhe Ismail Kryeziu e Naser Berisha, të cilët u kthyen nga Italia dhe kështu numri i ushtarëve dhe i shokëve, që kishin vendosur për të luftuar rritej për secilën ditë e më shumë. Natyrisht në kuadër të kësaj rritje, rritej edhe armatimi në rajonin tonë. Në këtë kohë sektorin për furnizim më armë e kishte marrë në mbikëqyrje Shaniu, i cili kishte ardhur për ta zëvendësuar Selimin, i cili më vonë do të ketë edhe autorizim nga komanda e shtabit të lëshuar nga komandant “Petriti”- Remzi Ademaj. 

Pas daljes së Xhevatit nga burgu...? 

BERISHA: Pas daljes së Xhevat Berishës nga burgu, personalisht e kam takuar te Çështja e Skender Agës, një vend në mal, ku ishte baza jonë kryesore, prej nga i dërgonim njerëzit për armatim në Shqipëri dhe i pritnim që të ktheheshin nga Shqipëria. Ishte momenti kur unë i përgatisja diku 14 kuaj dhe 27 ushtarë për t’i dërguar për në Shqipëri për armatim. Në ato momente më erdhi lajmi se Xhevati është duke ardhur, atëherë para se të vinte Xhevati, unë nuk e nisa atë grup për rrugë, pra ky ishte edhe momenti i takimit tonë në mal me Xhevatin. Xhevati fizikisht ishte i lodhur, mirëpo me guximin dhe forcën shpirtërore e e kishte të qëndrueshme dhe të paluhatshme si gjithmonë. Atë ditë ai ishte i shoqëruar nga Saljdin Berisha dhe nga Hajrim Çengaj, i cili kishte dalë nga burgu së bashku me Xhevatin, pastaj nga Selim Krasniqin, Xhemshit Krasniqin- Xhemën, që ishte njeriu i cili do të udhëhiqte grupin për në Shqipëri së bashku me Agim Shalën.

Ishin këto momentet e takimit tonë pas daljes së Xhevatit nga burgu, momente prekëse, por momente të cilat na dhanë forcë dhe vullnet për punën tonë në radhët e UÇK-së. Xhevati kur i pa gjithë ata të rinj të organizuar dhe të armatosur, njësite të para, që kishin dalë maleve dhe këtu do ta citoj një fjalë të Xhevatit , me të cilën më drejtohet: „Zafir, a paska ardhur koha ,që të filloi realizimi i planeve tona. Arritja e lirisë është gjëja më e rrezikshme, por që është edhe më e domosdoshmja që duhet ta kemi pavarësisht nga çmimi, që do ta paguajmë e që në fakt do të jetë pasuria më e madhe, që do t‘ua lëmë brezave...“ Xhevati fliste i emocionuar, sepse deri më atëherë ishte veprimtar i ilegales. Dhe si veprimtar i ilegalitetit ra në burg me njerëz shumë të zgjedhur dhe shumë të besuar, ndërsa kur doli nga burgu ishin momentet e organizimit, të shtirjes dhe të rritjes së numrit të ushtarëve të UÇK-së. 

Kjo rritje e numrit të ushtarëve, çonte në ngritjen e UÇK-së drejt hierarkisë ushtarake apo jo?

BERISHA:Pikërisht takimi me Xhevatin , në njërën anë dhe në anën tjetër përcjellja e grupit tonë për armatim në Shqipëri, ishin momentet e daljes sonë publike. Dhe për dalje tonën publike e njoftuam fshatin dhe e organizuam në këtë drejtim.

Në shtëpinë time ishim unë, Xhevat Berisha, Selim Krasniqi, Seladin Berisha, Hajrim Çengaj, Ismail Kryeziu, Elbasan Shoshaj, Naser Berisha, ku biseduam dhe i ndamë detyrat sipas hierarkisë ushtarake dhe thjesht këtu filloi UÇK-ja, në rajonin e Vërrinit , të merr formën e një ushtrie të rregullt e të disiplinuar. Pas dy dite e pritëm grupin, i cili duhet të kthehej nga Shqipëria, grupi i cili sillte armatimin nga atje dhe në një takim konsultativ, në fshatin Lez, i ndamë edhe përgjegjësitë, që duhet t‘i zbatonim gjatë luftës. Përgjegjësia ime ishte organizimi i batalionit të dytë. Fillimisht si kompani e pastaj në batalion. Ndërsa, Naser Berisha mori përgjegjësinë e organizimit të batalionit të parë, që fillimisht edhe këta ishin kompani. Xhevat Berishës iu besua detyra e komandantit të njësitit për zbulim- kundërzbulim (ZKZ-së), ndërsa ndihmës i tij u caktua Hajrim Çengaj. Komandat për sigurimin dhe bartjen e armatimit nga Shqipëria për në Kosovë caktohet Xhemshit Krasniqi, ndërsa sistemimin e tyre do ta bënte Seladin Berisha, i cili do ta kryente edhe detyrën e komandantit të policisë ushtarake më vonë.

Elbasan Shoshaj dhe Ismail Kryeziu marrin detyrën për kontaktet me shtabet tjera. Selim Krasniqi, do të angazhohet në detyrën e koordinatorit të këtij grupi, deri sa në Lez vije Remzi Ademaj, i cili ishte edhe një mbështetje dhe forcë më e madhe për ne, sepse Remzi Ademaj ishte veprimtar i dëshmuar shumë më herët. Këto ishin momentet e atyre ditëve që për çdo ditë kishte veprimtari, pra çdo ditë kishte risi në jetën organizative të UÇK-së në këto anë dhe në të gjitha këto lëvizje që i përmendëm deri atëhrë që e konsideronim si një grup i UÇK-së e që mbante emrin „Petriti“.

Pra, nga momenti i ardhjes së Remzi Ademajt dhe vendosja nga ana e shokëve që ai të jetë komandant i njësive tona ushtarake me nofkën luftarake Petriti. E gjithë kjo ndodhi ditët e fundit të qershorit, në fshatin Malësi e Vërrinit (ish Lubeçevë), në shtëpinë e Seladin Kryeziut.

Konflikti i parë në mes të forcave të UÇK-së dhe të okupatorit serb

Sa mbledhje u mbajtën gjatë asaj kohe, ku u mbajtën ato, dhe cilat ishin zhvillimet e mëtejshme?

BERISHA:Mbledhjet, fillimisht kanë filluar të mbahen në Kushtrim (ish Billushë), pastaj në Lez, për të vazhduar në Malësi të Vërrinit ( Lubeqevë), ku u vendos që Remzi Ademaj, të jetë udhëheqës i këtij njësiti, për t‘u konkretizuar, pastaj në fshatin Arbëri (ish Leskovec) në shtëpinë e Naser Berishës, për te ardhur deri te mbledhja e Arbërisë. Janë edhe disa lëvizje të rëndësishme të përmenden. Në ndërkohë një grup i yni, që ishte nisur në drejtim të Shqipërisë, i udhëhequr nga Xhemshit Krasniqi dhe Agim Shala, bien në pritë. Kjo ishte edhe dalja publike e UÇK-së në rajonin e Vërrinit dhe vendosja e pikave të UÇK-së.

Duke e parë krijimin e gjendjes së re në regjion, unë me dy shokë të autorizuar për të vënë kontakt me shtabet e tjera, udhëtoj për në Drenicë, për t‘u takuar me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, atje e takojmë Sokol Bashotën dhe i japim versionet tona në organizimin e rajonit të Vërrinit dhe marrim sugjerime, ku në kuadër të këtyre sygjerimeve dhe ndihmës së Shtabit të Përgjithshëm për organizimin sa më të mirë të UÇK-së në rajonin e Vërrinit e që në atë kohë në këtë rajon kalon një epror i dëshiruar i UÇK-së, Bislim Zyrapi , që me sa më kujtohet ka qenë shef i operativës në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Me ardhjen e Bislim Zyrapit në Vërri, fillimisht për mes fshatit Kobaj, vendosemi në fshatin Kushtrim, pastaj kalojmë në Arbëri. Natyrisht, Bislim Zyrapi, kishte edhe të drejtën e emërimeve dhe organizimeve të mirëfillta të UÇK-së në rrethin e Prizrenit dhe vendoset që shtabi lokal i UÇk-së për rrethin e Prizrenit dhe selia e shtabit vendoset të jetë në fshatin Gjeq (Jeshkovë). Para se të vendosej selia e shtabit në Gjeq (Jeshkovë), kemi pasuar edhe disa takime, ku ishte i pranishëm edhe Remzi Ademaj, si në shtëpinë e Besim Shalës - tani dëshmor. Jeshkova ishte njeri nga fshatrat që më së shumti kemi hasur në përkrahjen e banorëve, sepse në atë fshat ishte edhe njeri nga djemtë e dëshmuar, njeri i rezistencës, Ymer Shala, i cili gjatë qëndrimit tonë para daljes publike në Vërri, na dha mbështetje të madhe, si në aspekt të armatimit, gjithashtu ndihma e ti ishte në aspektin e përvojës ushtarake, që e kishte. Kjo mbështetja për ne ishte e madhe, të arritur susksese luftërat e UÇK-së në rrethin e Prizrenit.

Cilat ishin porositë e Bislim Zyrpit për shtabin lokal të UÇK-së për Prizrenin me seli në Gjeq (Jeshkovë)?

BERISHA:Pas hulumtimit, nga ana e tij, nëpër gjithë rajonin e Vërrinit, ai dha sugjerimet për pozicionet që duhet t‘i kemi, lëvizjet brenda territorit dhe lëvizjet jashtë territorit, nga aspekti ushtarak, duke na këshilluar për veprimet, që na presin në të ardhmen. Bislim Zyrapi, gjatë qëndrimit të tij në Vërri , ndodhi edhe konflikti i parë mes forcave tona dhe forcave të okupatorit, më 7 korrik 1998. Bislim Zyrapi, i ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm, me këtë rast vërtetohet për vendosmërinë e ushtarëve të UÇK-së, për t‘i dalë përballë makinerisë serbe.

Është ky një moment, kur unë me njesin e vëzhgimit rrethohemi në grykën e fshatit Kushtrim dhe aty ishte konflikti i parë ballë për ballë me forcat serbe, betejë këtë, të cilën ne e fitojmë, por gjatë luftimeve, në ndihmë na vije edhe njësiti i udhëhequr nga Agim Shala, nga fshati Gjeq, pastaj në ndihmë na vije edhe vet Bislim Zyrapi, Xhevat Berisha dhe Isa Berisha, dhe një pjesë e njësitit, i cili ishte i vendosur në Dushkajë të Gurrës (Poslishtit) që udhëhiqej nga Sahit Shala. Ne gjatë këtij aksioni e bëjnë një vijë të fuqishme të frontit , së cilës fuqi dhe vendosmëri i bindet edhe vet popullsia e rajonit të Vërrinit, se janë në pyetje djemtë, të cilët nuk e lëshojnë lehtë frontin, që çizmja e okupatorit serb të depërtojë në Vërri. Ishte momenti që bëri jehonë në rrethin e Prizrenit, sepse ishte konflikti i parë i UÇK-së me forcat serbe në rajonin e Vërrinit. Pas përfundimit të këtij aksioni luftarak me sukses, në vendin e ngjarjes erdhën gazetarët Asllan Bekteshi, Agron Shporta e Qazim Thaçi, për të raportuar për sukseset , që i kishim arritur, duke i zmbrapsur forcat barbare serbe.

UÇK-ja ishte në Prizren

A kishte shtrirje UÇK-ja edhe në qytet?

BERISHA: Lidhjet në qytet, edhe sipas detyrave që i kishim, i mbante Xhevati, sepse ishte në kuadër të resorit të tij dhe një pjesë të lidhjeve e mbante Naser Berisha, i cili i ishte edhe më afër qytetit me pozicionet e vendosura të UÇK-së, në afërsi të lagjes Tusuz. Ndërsa unë i kisha përsipër kontaktet me njerëzit tanë në Vërmicë, Shkozë, Dobrushtë, Zhur, Murademë, Vlashnje, Kobajë, Nashec, natyrisht në këto fshatra i kishim edhe njerëzit tanë, që në atë kohë vepronte edhe një njesit i yni në Landovicë, njësit, i cili ka qenë i udhëhequr nga Osman Qerreti - Çuni, njësit ky, i cili do të jep kontribut të madh në furnizimin me armatim jo vetëm në rrethin e Prizrenit, por edhe më gjerë. Njësit i cili do ta dëshmon veten deri në fundë të luftës.

Këtu është momenti edhe i formimit të njësitit të Kabashit, i cili udhëhiqet nga Lulzim Kabashi. Ishte koha kur lidhjet me bazat dhe vijat tona në ajonin e Vërrinit, njerëzit tanë i kishim gjithkund në Prizren dhe në rrethinë.

Përmendët disa fshatra, që e rrethojnë Vërrinin, por me Vërrinin lidhen edhe fshatrat e regjionit të Opojës dhe fshati Struzhë (sharr), çfarë mund të na thoni? 

BERISHA:Unë veç i përmenda disa fshatra dhe djemtë e rreshtuar e të organizuar në UÇK, fshatra këto brenda zonës së lirë, që ishte në kuadër të shtabit lokal të Prizrenit me seli në Gjeq. Djemtë nga këto fshatra vendosen nëpër pikat e UÇK-së si në fshatin Kushtrim, Gurrë , në Hoqë të Qytetit, në Lez, në pikën e Tusuz-it. Pra, djemtë më të zgjedhur dhe më të dëshmuar nga të gjitha rajonet dhe vet Prizreni, kalojnë në kuadër të zonës së lirë të UÇK-së, ku armatosen dhe vihen në vijat e para të frontit.

Këtu është me rëndësi të themi se Vërrini nga pozita gjeografike lidhet edhe me rajonin e Opojës, rajon i cili edhe ai në mënyrë të suksesshme e jep kontributin e vet. Do të veçoja këtu banorët e Breznës, Buçes fshatra rreth brezit kufitar, të cilët kanë kontribuar në këtë drejtim. Por edhe nëkëtë mes ishin njerëzit e zgjedhur, të cilët kanë qenë të caktuar nga shtabi Lokal, konkretisht nga komandanti Remzi Ademaj, për të formuar dhe për ta bërë shtrirjen e UÇK-së edhe në këtë rreth.

Në këtë organizim dhe kontribut rreth veprimtarisë së UÇK-së është edhe fshati Sharr (ish Stuzhë) , për të cilin edhe Bislim Zyrapi dhe Anif Muji u angazhuan që djemtë e këtij fshati të rreshtohen në radhët e UÇK -së dhe për të mbajtur kontakte me shtabin lokal, kur dihet se ky fshat është në territorin e Zhupës, i rrethuar me fshatra myslimane.

Këtu duhet të përmendet se Xhevat Berisha edhe për nga miqësia ka qenë lidhur me fshatrat e Opojës, pra ai vet ka mbajtur lidhje me njeriun e caktuar në rrethin e opojës, konkretisht me veprimtarin e hershëm të lëvizjes kombëtare, Bedri Halimin, i cili shpesh edhe e ka vizituar shtabin në Gjeq (Jeshkovë) dhe ka marr direktiva për veprimtarinë e tij dhe të rinisë së rrethit të Opojës për tu organizuar sa më mirë në mbrojtje të atdheut.

Në shtabin lokal të Prizrenit ka pasur edhe djem nga fshatrat e Opojës që kanë qenë të kyçur, me armë në dorë,në radhët e UÇK-së.

Ishte koha kur shtabi lokal i UÇK-së për Prizren me seli në Vërri i kishte të gjithë resorët e vet?

BERISHA:Nga këto që i përmendëm deri më tash, ishin pjesë të arriturave dhe të sukseseve, në drejtimin e organizimit të UÇK-së, ose më mirë të them në nivel të shtabit lokal , ku siç e përmenda edhe më herët selinë e kishte në Gjeç (ish Jeshkovë), komandant i së cilës ishte Remzi Ademaj, ndërsa komandant i logjistikës në Malësi të Vërrinit (Lubeqevë) ishte Selim Krasniqi , komandant i ZKZ-së ishte Xhevat Berisha, kurse komandant i policisë ushtarake ishte Seladin Berisha, zëvendës i tij ishte Mursel Osmani, komandant për moral ishte Enver Baftiu, ndërkaq i ngarkuar për financa ushtarake në nivel të shtabit regjional ishte Azem Ramadani. Komandant i batalionit të parë ishte Naser Berisha, zëvendës ishte Ryfet Krasniqi, komandant i batalionit të dytë isha unë Zafir Berisha, kurse komandant për furnizim me armatim ishte Xhemshit Krasniqi. Agim shala ishte në udhëheqjen për intervenime, për mbrojtjen e shtabit, pasi që veç shtabi ishte i vendosur në fshatin e tij, ndërsa Hajrim Çengaj ishte zëvendës i Xhevat Berishës, por merrej edhe me inxhinieri, një resor i veçantë në kuadër të logjistikës, ku në atë kohë i kushtonim rëndësi të veçantë hapjeve të rrugëve të reja, brenda zonës së lirë, resor, në të cilën ishte i angazhuar edhe një epror rezervë Ymri Krasniqi, ku në shfrytëzim kishte të gjitha mjetet e punës të Nazim Shabanajt dhe Fahri Shabanajt nga fshati Malësi e Vërrinit (ish Lubeqevë), të cilët bënin hapjen e rrugëve të reja dhe bënim lidhjen e të gjitha fshatrave të Vërrinit, për ta lehtësuar qarkullimin tonë në këtë zonë.

Pra, unë këtu isha në udhëheqës i batalionit të dytë dhe në kuadër të këtij bataljoni vepronin edhe tri kompani: kompania e parë udhëhiqej nga Ajdin Shala, që ishte e vendosur në fshatin Kushtrim; kompania e dytë e udhëhequr nga Avni Ajdari, e cila vepronte në fshatin Gurrë (ish Poslisht) si dhe kompania e tretë, e cila ishte e vendosur në fshatin Hoqë e qytetit dhe udhëheqje nga Xhelil Krasniqi, ndërsa në kuadër të këtij batalioni ishte edhe Jeshkova ku ishte selia e shtabi. Agim Shala ishte udhëheqës togu, ku më vonë togu i Jeshkovës kalon direkt në kuadër të komandës së shtabit lokal, ku ishte edhe Remziu, dhe mbretëronte një bashkëpunim i shkëlqyeshëm me policinë ushtarake, të udhëhequr nga Selajdin Berisha.

Luftimet e 16 korrikut të vitit 1998 në Vrri

Po batalioni i parë?

BERISHA: Batalionin e parë e udhëhiqte Naser Berisha. Ky batalion veprimtarinë e saj ushtarake e kryente në fshatrat Lez, Malësi e Vërrinit, Kushtendil, Arbëri (Leskovec) dhe e përfshinte edhe pikën e Tusuzit, siç e quanim ne këtë pikë fare në afërsi të qytetit , por në kuadër të batalionit të parë ishte edhe spitali ushtarak, i cili udhëhiqej nga dr. Sherif Krasniqi e që ishte i vendosur në fshatin Malësi e Vërrinit, aty ku ishte edhe komanda e logjistikës për gjithë shtabin lokal të Vërrinit. Po ashtu në këtë territor vepronin edhe dy qendra stërvitore, që udhëhiqeshin nga Limon Kryeziu, ndërsa zëvendës ishte Hajrulla Morina – Ylli, gjithashtu të vendosura në Malësi të Vërrinit dhe në fshatin Arbëri, ku ishte qendra e dytë që udhëhiqej Ylki Gjemaj, Aqif Berisha dhe Milaim Abazi.

Siç thasshë në kuadër të bataljonit të parë ishte edhe baza e logjistikës dhe spitali ushtarak, në të cilin ka pasur vazhdimisht të lënduar gjatë betejave në zonën tonë, por edhe ushtarë të plagosur në territoret tjera e sidomos të territorit të Hasit, përmes të cilit territor bëhej edhe bartja e armatimit nga Shqipëria jo vetëm për shtabin tonë, por edhe për shtabet tjera të UÇK-së.

Edhe batalajoni i parë kishte hierarkinë e saj komanduese të caktuar. Kështu kompania e parë, që vepronte në Lez udhëhiqej nga Fehim Berisha me zëvendës Bekim Berishën, kompania e dytë, që vepronte në Malësi të Vërrinit e që vepronte edhe në pikën e Tusuzit, udhëhiqej nga Salajdin Shabanaj dhe zëvendës Baki Avdajn.

Kompania e tretë, që ishte e vendosur në Arbëri , e cila kujdesej edhe një pjesë të pikës së Tusuzit, udhëhiqur nga Ryfet Krasniqi, i cili atë kohë ishte edhe zëvendës i komandantit të batalionit të parë, Naser Berishës. Në kuadër të kompanive kemi pasur të organizuara edhe togjet, ku në Kushtendil ishte udhëheqës Ajriz Shalaj. Pra, në kuadër të kompanive pos organizimit në togje kishim edhe skuadrat e kështu me radhë, dmth si bataljoni i parë ashtu edhe batalioni i dytë, kishin trupin komandues në nivel dhe bazë të vendit që ekzistonte në Vërri, e që vepronin varësisht prej mundësive dhe rrethanave të krijuara, që në masë të madhe veprimet vareshin edhe nga situata. 

Çfarë ishin lidhjet me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së?

BERISHA:Sa i përket shtabit lokal të UÇK-së për Prizren, për lidhjet me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së kanë qenë të caktuar ti mbajnë Ismail Kryeziu dhe Elbasan Shoshaj, ndërkohë në kuadër të këtyre kontakteve kemi qenë edhe unë e Xhevat Berisha. Lidhjet janë mbajtur kryesisht përmes rrugës që shtrihej nga Vlashnja, Kobaja, Nasheci, Tupeci, lidheshin pastaj me Piranën dhe kalonin në zonën e lirë të rrethit të Suharekës, për t‘u lidhur me zonat tjera. Kjo ka qenë një rrugë plot me rreziqe, e cila më vonë na kushtoi edhe shumë shtrenjtë, por lidhjet me shtabet tjera dhe me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, nuk na kanë munguar asnjëherë. 

Si u zhvillua lufta e 16 korrikut 1998 në Vërri?

BERISHA:Më 16 korrik 1998, rreth orës 13 të mesditës, unë isha në shtab, pikërisht në momentin kur krisi mitralozi i ushtarëve të UÇK-së, në pikën e Tusuzit. Në fakt unë dhe Xhevati gjendeshim në zyrën e komandant Petritit- Remzi Ademajt, ku po bisedonim rreth disa planeve ushtarake dhe në ato momente na vije edhe lajmi se forcat serbe kanë ndërmarrë një ofensivë në drejtim të pikës së Tusuzit. Atëherë unë dhe Xhevat Berisha dalim dhe e organizojmë policinë ushtarake, sepse Salajdin Berisha ishte veç në teren, në zonën e batalionit të parë. Unë me një pjesë të ushtarëve nisemi në drejtim të fshatit Hoqë e Qytetit, sepse në ndërkohë duke i bërë këto plane me Xhevat Berishën, në ndarjen e detyrave sulmet serbe filluan edhe mbi pikat te Kullat e Hoqës, atëherë u nisëm në drejtim të Hoqës së Qytetit, e cila ishte edhe në kuadër të përgjegjësisë sime, ndërsa Xhevati me një pjesë të ushtarëve niset në drejtim të pikës të Tusuzit, në ndihmë të batalionit të parë.

Me të arritur në Hoqë të Qytetit luftimet veç ishin ashpërsuar edhe më shumë, por pozicionet e UÇK-së, ishin të pa lëkundura. Unë arrita të vej kontakt me luftëtarët, që ishin në vijën e parë të frontit dhe në ato momente duke arritur deri në vijën e parë të frontit shkëmbyem një zjarr shumë të fuqishëm nga të dy anët.

Deri sa ne po luftonim me të gjitha forcat tona, që posedonim, forcat barbare serbe, duke e parë nuk mund t‘ia dilnin me ne, atëherë filluan të granatojnë mbi fshatin Kushtrim, nga ana e drejtimit të Zhurit. Në atë çast pasi pjesën e përgjegjësisë e mbulonte batalioni, të cilin e udhëhiqja unë, pra edhe Kushtrimin, ndërsa në anën tjetër, shumicën e armatimit tonë e kishim në ato anë dhe pozicione, unë pa humbur kohë nisem në drejtim të fshatit Kushtrim dhe me të arritur atje, fillova t‘i kontrolloj pikat dhe të gjithë ushtarët, të cilët ishin nëpër pozicionet e tyre të paluhatshëm. Duke e njohur pozitën gjeografike të fshatit Kushtrim dhe pikat ku ishim të përqendruar, mora me vete disa ushtarë si: Ministet Shalën, Besmir Shalën, Mirsad Berishën e Gazmend Gashin dhe i shkojmë në ndihmë kompanisë së fshatit Hoqë e Qytetit, që udhëhiqej nga Xhelil Krasniqi, sepse e dinim se andej ishte rreziku më i madh, që të depërtonin forcat serbe, sesa në zonën e përgjegjësisë së kompanisë e cila udhëhiqej nga Ajdin Shala në Kushtrim. Atëherë me Ministet Shalën- Hoxhën shkojmë në ndihmë dhe shfrytëzojmë një kanal, gjithmonë të ndihmuar edhe nga policia ushtarake e UÇK-së, që ishte veç në vijë të parë dhe me ndihmën e Xhemshitit nga Hoqa e Qytetit, u dalim nga prapa forcave serbe dhe aty fillojmë sulmin mbi ta.

Nga kjo e papritur, që u gjeten forcat serbe, të cilët veç arritëm që t‘i rrethonim pothuaj se nga të gjitha anët, duke i detyruar, pas sulmeve tona të furishme, që të tërhiqen në drejtim të Prizrenit. Luftimet zgjatën rreth katër orë, nga ana jonë nuk pati asnjë të vrarë dhe as të plagosur, por përgjigja jonë e fuqishme, pa dyshim se u kishte sjellë humbje armikut, edhe pse as për humbjet e armikut nuk patëm asgjë të konfirmuar, sepse ata kurrë nuk i kanë publikuar humbjet e tyre në luftime me UÇK-në. Por, për ne ishte shumë e rëndësishme, sepse edhe kjo betejë, në të tri pika, ku u zhvilluan luftime të ashpra: Tusuz, Kulla e Hoqës dhe Laki i Kushtrimit, i fituam betejat, sepse forcat armike i detyruam të kthehen andej nga kishin ardhur, të thyer, të mundur nga ushtarët e UÇK- së në këtë rajon.

I njëjti sulm ishte edhe në pikën e Tusuzit?

BERISHA:Po, gjatë gjithë kësaj kohe, përkatësisht për të cilin aksion fola , përpos në vendin ku unë mora pjesë në luftime, ngjashëm qenë zhvilluar luftimet, madje me një rezistencë shumë të fortë edhe nga batalioni i parë, përkatësisht në pikën e Tusuzit, të udhëhequr nga Naser Berisha. Në atë pikë ishte edhe njeri prej luftëtarëve të pamposhtur të UÇK-së Agim Shala së bashku me Seladin Berisha, komandant i policisë ushtarake. Betejës së Tusuzit i pat shkuar në ndihmë edhe Xhevat Berisha, pastaj me te ishte edhe Xhemshit Krasniqi.

Lidhur me këtë betejë të suksesshme të Tusuzit mund të them se atje kanë qenë djemtë më të fortë, që kishte zona e Vërrinit. Gjatë atyre luftimeve të ashpra është bërë një rezistencë shumë e fortë. Me këtë rast më duhet të përmendi edhe komandantët e kompanive Seladin Shabanaj, zëvendës Baki Avdaj, Ryfet Krasniqi dhe i gjithë stafi komandues e ushtarak i batalionit të parë, të gjithë kanë qenë në vijë të frontit, natyrisht të ndihmuar nga një pjesë e policisë ushtarake dhe një pjesë e komandës së shtabit lokal të UÇK-së nga Gjeqi (Jeshkova).

Furnizimi me armatim dhe roli i Fondit "Vendlindja thërret"

Përderisa luftohej, bëhej edhe furnizimi me armatim i ushtarëve të UÇK-së në atë zonë. Si bëhej dhe nga vinte ai armatim?

BERISHA:Edhe pse ndodheshin para shumë vështirësive në zonën e Vërrinit, duke e lidhur këtë me konfliktet, luftimet e drejtpërdrejta, që kemi pasur me forcat armike serbe, sepse në çdo hap pothuaj se gjendeshim ballë për ballë me ta dhe provokimet, që na bëheshin çdo ditë, furnizimi nuk ndalej dhe natyrisht se njësiti që udhëhiqej nga Xhemshit Krasniqi dhe Agim Shala vazhdonte me sukses rrugën e furnizimit nga Shqipëria, ku në pikën e fundit në Kukës, bazat e logjistikës udhëhiqeshin nga Shani Berisha. Ishin gjithmonë në dispozicionin tonë dhe ishin mirë të furnizuara. Këto baza ishin të vendosura në bjeshkën e Pobregut, aty ku e kishim armatimin.

Pas dështimit, që na ndodhi kur në një udhëtim, duke shkuar për në Shqipëri, për furnizim me armatim, një numër prej afër 215 ushtarëve dhe rreth 80 kuaj të ngarkuar me armatim, bien në pritë dhe obligohen ta ndërrojnë strategjinë e lëvizjeve të ushtarëve tanë tani në drejtim të Hasit, kur me 28 korrik 1998, duke u kthyer një grup prej 63 vetash, bie përsëri në pritë dhe në luftimet e ashpra që zhvillohen në fshatin Buçe dhe mbi fshatin Brezne, bien heroikisht dy ushtarë tonë, Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj. Rënja në krye të detyrës së këtyre dy ushtarëve të zellshëm dhe trima, për ne ishte një humbje e madhe, sepse humbëm dy ushtarë tonë trima, të cilët çdo herë ishin në krye të detyrës për furnizimin e ushtarëve të UÇK-së me armatim dhe në anën tjetër ata ishin edhe aktiv në të gjitha vijat e frontit në rrethin e Prizrenit. Rënia e këtyre dy trimave , ishin edhe humbjet e para tonat, por lufta dhe furnizimi me armë prapë ka vazhduar dhe në nxjerrjen e ushtarëve nga rrethimi, ku ishin të rrethuar në Buqe dhe në malet e Breznes, u shkojmë në ndihmë unë me një pjesë të kompanisë së fshatit Kushtrim.

Në këtë aksion kanë qenë edhe policia ushtarake dhe është me rëndësi të thuhet se atëherë në shtabin lokal ka qenë edhe Ekrem Rexha, komandant Drini, i cili pas ofenzivës së 16 korrikut të vitit 1998 ishte vendosur në shtabin lokal të UÇK-së në Vërri dhe kishte detyrën e shefit të operativës së shtabit. Në nxjerrjen e dy kufomave të dëshmorëve në luftimet e Buqes dhe Breznes, ishte një pjesë e komandës së shtabit lokal dhe një pjesë e kompanisë së batalionit të parë dhe komplet policia ushtarake e udhëhequr nga Selajdin Berisha. 

Nga cili fond financohej shtabi lokal i UÇK-së në Prizren me seli në Jeshkovë të Vërrinit?

BERISHA :Financime të veçanta këtu nuk kishte, por bëhej grumbullimi i mjeteve për t’u furnizuar me armatim. Këtu fjalën e kam për një aksion, që e patëm organizuar ne në kuadër të zonës, ku vepronim dhe shumë qytetarë nga këto fshatra e jepnin edhe ndihmën e vet financiare, ndërsa logjistika e cila udhëhiqej nga Shani Berisha në Kukës, e kishte përkrahjen e kurbetçarëve tanë në vendet e ndryshme të Evropës, si në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali etj, kryesisht qytetarë të rajonit të Prizrenit, por këtu do të veçoj edhe kontributin e fondit “Vendlindja thërret”, i cili kishte atë përqindjen e vet të ndarjes së mjeteve në furnizimin e këtij shtabi, pra në një farë forme ishin këto fonde, të cilat e ndihmuan shtabin lokal të UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, për ta siguruar armatimin e nevojshëm dhe për t’i përballuar makinerisë serbe që gjendej në atë kohë në Kosovë. 

A e financonte ndonjë asociacion apo parti luftën, përveç fondit “Vendlindja thërret” dhe ndihmat, që i cekët ju?

BERISHA:Po, luftën e kanë ndihmuar edhe disa shoqata apo ndërmarrje private, ndërsa kur pyesni për partitë, që atëherë në skenë ishte LDK-ja, e cila jo vetëm që nuk e ka ndihmuar luftën e UÇK-së, por për mes satelitëve të vet ajo e ka penguar, madje edhe dëmtuar luftën, duke përhapur lloj-lloj dezinformatash, duke u munduar të fus frikë në popull. LDK-ja në vend që ta ndihmonte luftën , ajo thjesht ka bërë një luftë psikologjike kundër ushtarëve të UÇK-së, kuptohet në rajonet ku ishin të mobilizuar këta ushtarë. Normalist se për këtë që them, kemi fakte, sepse aktivistët e LDK-së kanë kontribuar edhe në dorëzimin e armëve, pas ofensivës së shtatorit në Vërri, duke ua dhënë ato organeve policore serbe, gjë që ishte katastrofave për atë kohë, sepse ishte momenti kur partitë politike duhej ta pushonin veprimtarinë e tyre politike , sepse i gjithë “arsenali” politik qoftë i shkrepur apo i pa shkrepur ishte treguar i pasuksesshëm, prandaj ato duhej ta kishin të qartë se Kosova ishte në luftë dhe partitë politike nuk kishin kuptim të ishin në skenë.

Ndërsa fondet të tjera përveç këtyre që i përmenda më lartë nuk ka pasur. 

Vrasja e voglushit Idriz Krasniqi dhe rënia heroike e komandant Remzi Ademajt 

Si u vra vogëlushi Idriz R. Krasniqi në fshatin Kushtrim nga snajperistët serbë?

BERISHA: Snajperistët serbë vazhdimisht kanë provokuar dhe kanë gjuajtur në brendi të territorit tonë, ata kanë provokuar disa herë edhe pikat tona. Edhe para se të vritej ky voglush, ne kemi pasur granatime në pikën e Tusuzit, ku unë dhe Ekrem Regja, komandant Drini, shkuam në vendin e ngjarjes, sepse një pjesë e granatimeve ishte bërë edhe mbi ushtarët e kompanisë së Hoqës së Qytetit, që ishte në kuadër të batalionit të dytë . Pastaj, kemi edhe pasur gjuajtje me snajperë kundër luftëtarëve tanë, që ishin të vendosur mbi fshatin Kushtrim dhe kjo formë e provokimeve serbe ishte një taktikë e vazhdueshme e forcave barbare serbe, që vazhdimisht e përsëritnin në drejtimet tona. Më 5 gushtë 1998 në një moment kur unë vetëm kam kaluar nëpër fshat, nga largësija është gjuajtur, makina e cila ka kaluar në atë moment, që në fakt nuk ka qenë makina ime, por që ka ngjarë në makinën time, kështu që në ato momente plumbi i snajperistëve serbë bie në një grumbull fëmijësh dhe si rezultat i këtyre gjuajtjeve të pakontrollueshme vritet në vend vogëlushi 12 vjeçar Idriz R. Krasniqi, nga Kushtrimi. Varrimi i vogëlushit u bë në mënyrë madhështore, ku morën pjesë banorë të shumë fshatrave dhe vet komanda e shtabit me në krye Remzi Ademaj, komandant Periti.

Si zhvilloheshin takimet në shtabin lokal të UÇK-së për Prizren me seli në Vërri?

BERISHA: Anëtarët e shtabit lokal të UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, kishim takime të rregullta, të për çdoditshme, tani më për veç Ekrem Regjës, -Drinit, eprorë profesionist e kishim edhe Skënder Hoxhën, një epror tjetër, i cili na kishte ardhur si përforcim dhe i cili iu kishte bashkangjitur disa djemve të Vërrinit gjatë kohës së lëvizjeve të ushtarëve tanë, të cilët na furnizonin me armatim. Kështu që tani më ishte kompletuar edhe operativa e shtabit lokal. Në një mbledhje, më saktësisht më 13 gusht 1998, të mbajtur në shtabin lokal, me një kërkesë e cila vinte nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, vendoset që në Shtabin e Përgjithshëm të udhëtoi komandanti i shtabit tonë, Remzi Ademaj i shoqëruar nga Xhevat Berisha dhe truprojat e tij Shukri Qunaj dhe Sami Sahitaj - Shqipja dhe ky udhëtim bëhet në kuadër të një takimi, që e kishim ne në shtabin lokal. Ishte koha e reformimit të UÇK-së në hierarkinë ushtarake, duke filluar nga zonat nëpër brigada.

Prandaj, në krye të kësaj detyre për në Shtabin e Përgjithshëm, udhëton vet komandant Petriti,-Remzi Ademaj. Takimet tona ishin të rregullta dhe gati të përditshme.

Po rënja e Remzi Ademajt- komandant Petritit?

BERISHA:Në kohën kur Remzi Ademaj kishte rënë në pritë, unë po kthehesha nga Gjeqi për në Kushtrim, kur vëzhguesit e kompanisë së Kushtrimit më lajmëruan se ka pasur një shkëmbim zjarri në afërsi të fshatit Kobajë, nga ai rajon ishin dëgjuar krismat, në ato momente e ndieja veten shumë keq, sepse e dija se komandant Remzi Ademaj ishte për rrugë dhe rreth orës 4 të mëngjesit më vjen lajmi nga Gjeqi se në pritë kishte rënë Remzi Ademaj. Ishte 15 gushti i vitit 1998, diku rreth orës 23 e 15, kur në krye të detyrës bie heroikisht komandanti ynë i nderuar dhe i respektuar. Dhe në bazë të dokumenteve që i kemi gjetur pas rënies së Remziut, (që i kishte pasur me vete) shtabi lokal i UÇK-së për Prizren me seli në Vërri kalon në brigadën 125, në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut, pra ishte kjo detyra që e barte me vete, ndërsa vet komandant Remzi Ademaj kishte qenë i emëruar zëvendës komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Po kthehemi edhe një herë, në këtë pritë të trefishtë, kur komandant Petriti po kthehej nga Kleçka përmes Piranës ku kishte pushuar pak për të vazhduar përmes Tupecit deri te udhëkryqi fatkeq, afër shkollës së Nashecit, ku bëhet një rezistencë e fuqishme nga vet komandant Remzi Ademaj, Xhevat Berisha dhe shoqëruesit e tij. Në këtë pritë pas luftimeve të ashpëra , pos që bie heroikisht komandant Petriti, në këto luftime plagë të rënda marrin edhe shoqëruesi i tij Sami Sahitaj-shqiponja, Shukri Qunaj.

Prita në udhëkryqin e Nashecit ishte e projektuar mirë nga serbët, përkundër kësaj shokët tanë bën rezistencë dhe ju shkaktuan humbje serbëve, duke ikur me panik, me ç‘rast kishin lënë shumë nga pasjet e tyre luftarake. Me ndihmën e fshatarëve të Nashecit dhe Vlashnjës, njësiti i policisë së UÇK-së kufomën e komandant Petritit dhe të plagosurin rënd Sami Sahitin, “Shqipja“ i sjellin në spitalin ushtarak.

Vrasjen e komandant Petritit, Xhevat Berisha e përjeton shumë rëndë, sepse edhe ai vet kishte qenë për ballë asaj prite, prandaj për të ishte edhe një plagë shpirtërore, por humbja e Remziut ishte me të vërtetë humbje e madhe jo vetëm për Xhevatin, por në përgjithësi për të gjithë ne pjesëtarët e shtabit lokal në Vërri dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së në përgjithësi. Humbjen e komandantit tonë të nderuar, ne shokët e tij e shndërruam në forcë dhe urrejtje kundër armikut për të mos e ndalur luftën për asnjë moment deri në fitore.

Në cilat rrethana u bë varrimi i Remzi Ademajt?

BERISHA:Pas tërheqjes nga njerëzit tanë, të trupit të komandant Remzi Ademajt, kufoma është vendosur në morgun e spitalit ushtarak në Malësi të Vërrinit dhe më datën 16 korrik 1998, u bë varrimi në varrezat e dëshmorëve të këtij fshati. Ky varrim ishte ndoshta varrimi i parë që bëhej në rrethin e Prizrenit me nderime ushtarake, pra ishte hera e parë që një komandant e një luftëtar i lirisë po përcillej për në përjetësi me nderimet më të larta ushtarake nga ushtarët e UÇK-së në këto anë, që në histori mund të njihet si varrimi i parë ushtarak në këtë rajon nga ushtarët me emblemën shqiptare e me shqiponjën dy krenare. Në varrim morën pjesë familja e ngushtë e komandant Petritit dhe shumë qytetarë nga rajoni dhe Prizreni.

Lufta vazhdon me komandantin e ri

Cili ishte roli i Drinit pas rënjes së komandant Remzi Ademaj -Petritit? 

BERISHA: Ekrem Rexha - Drini për veç si epror ushtarak, ishte edhe shef i operativës, ndërkohë ishte edhe zëvendës i Remzi Ademajt, atëherë e merr komandën e shtabit të brigadës 125 në udhëheqje, ndërsa detyra e tij e deriatëhershme, pra në operativë zëvendësohet nga Skender Hoxha i ndihmuar nga Ismail Kryeziu dhe kështu operativa merr një tjetër formë komanduese dhe natyrisht në kuadër të operativës ri caktohen detyra të reja, sepse ishte koha kur luftimet veç intensifikoheshin në të gjithë Kosovën e në këtë kontekst edhe ne bënim përgatitje intensive për t’i përballuar ndonjë ofensive eventuale që mund të ndërmerrej kundër zonës tonë. Në kuadër të gjithë këtyre përgatitjeve ne e përgatitnim edhe një njësit prej 150 ushtarësh të kalonin në rajonin e Opojës. Ishin këto momentet e 28 gushtit 1998, në takimin ndoshta të fundit që e ka pasur brigada 125 para ofensivës së shtatorit, ku me urdhër të komandant Drinit është bërë plani që në kuadër së zonës së lirë të futen edhe katër fshatra të Opojës. I gjithë armatimi ishte i gatshëm, i vendosur në bazën e logjistikës në fshatin Malësi e Vërrinit, por ky plan nuk u arrit për shkak të fillimit të shpejtë të luftimeve, pra të ofensivës së shtatorit.

Fjala është që të kyçeshin fshatrat Blaq, Zgatar, Zapluzhë dhe Brrut edhe pse pozita gjeografike ishte që ato fshatra do të na ndihmonin shumë po të ishin futur nën kontrollin e UÇK-së.

Si zbatoheshin urdhërat nga komanda dhe si mbaheshin lidhjet në teren?

BERISHA:Ishte e natyrshme, që urdhrat e hierarkisë ushtarake të zbatohen ashtu siç vinin nga komandanti, përkatësisht nga komanda e brigadës 125, që merreshin vendime dhe ato zbatoheshin përmes komandantëve të batalioneve, të kompanive e deri te komandantët e togjeve, komandantët e skuadrave dhe ushtarët. Lidhjet mes kompanive dhe batalioneve deri te shtabi i brigadës, mbaheshin për mes radio lidhjeve, të cilat nuk ishin ndoshta në nivelin e dukur, sepse vet territori i thyer i Vërrinit dhe baza e radio lidhjeve që ishte e vendosur në fshatin Arbëri e që mbahej nga Rexhë Braha. Për shkak të territorit kishte pjesë ku lidhjet nuk funksiononin, prandaj ishim të detyruar t‘i përdornim edhe korrierët për raste urgjente.

A kishit mjaftë armatim për t‘u bërë ballë sulmeve serbe në vazhdim? 

BERISHA:Ne e kemi pasur parasysh se kemi të bëjmë me një armik, i cili në kuadër të ushtrisë dhe policisë së vet ka një armatim, ndoshta më modern në Evropë. Armatimi i ynë nuk ishte ndoshta në atë nivel, për t‘i bërë ballë gjithë asaj makinerie, por mbi të gjitha ne kishim moral të lartë në ushtrinë tonë, në luftë për liri, kuptohet ne kishim armatim të lehtë, arma më e rëndë mund të themi se ishte minahedhësi prej 60 mm - mortaja, granatahedhësi prej 150 mm dhe aty këtu deri në 500 mm, mirëpo siç e thashë edhe më parë është me rëndësi se në kuadër të ushtarëve të UÇK-së arma më e fortë ishte ndjenjat e larta të atdhedashurisë dhe gatishmëria për t‘u sakrifikuar për lirinë e Kosovës.

A mendoni se organizimi i UÇK-së ishte në nivel të dukur në atë kohë?

BERISHA:Për kundër gjithë përpjekjeve dhe angazhimeve tona, që organizimin e UÇK-së ta bëjmë në nivel të një ushtrie moderne, por duke mos harruar për asnjë moment shtrirjen gjeografike kushtet për luftë, pastaj duke pasur parasysh kohën e shkurtër të formimit të formacioneve të rregullta ushtarake e të mos them edhe faktin se ne ishim në formim e sipër, ishte e pamundur të mos ketë dobësi, megjithatë konform situatës dhe rrethanave në të cilat lindi dhe u rrit UÇK-ja, është shumë normale të ketë edhe të meta, por përkundër të gjitha sfidave në të cilat u rrit UÇK ja, ne konsiderojmë se në ato momente, kishte një trup komandues, kishte një hierarki ushtarake, por dihet se ka qenë shumë e vështirë të përballohej një armatë që kishte armatim të përsosur dhe një periudhë të gjatë kohore të përgatitur për të luftuar kundër shqiptarëve. Dhe për kundër të gjithë këtyre faktorëve me gojën plot dhe me krenari mund të them se UÇK-ja e kishte ndjenjën dhe dëshirën për liri, armën më të fortë se sa vet armatimi i armikut .

Rënia e Rahovecit, tani më ishte një shenjë se Vërrinit po i vinte radha, a e paramendonit ju një ofensivë në atë kohë?

BERISHA:Natyrisht, ne vazhdimisht e kemi paramenduar dhe kemi qenë të gatshëm dhe në përgatitje  të vazhdueshme ishim për ndonjë ofensivë të mundshme nga armiku në territorin ku ne vepronim.

Rënia e Rahovecit ishte grusht i rëndë për UÇK-në, sidomos në Zonën Operative të Pashtrikut, por ne përkundër propagandës së satelitëve të LDK-së, të cilët përmes njerëzve të tyre u munduan të fusin konfuzion këtu, ne arritëm që ta mbajmë nën kontroll popullsinë dhe ushtarët, që të mos ketë vend për demoralizim, si produkt i këtyre propagandave anti luftë, anti UÇK dhe antikombëtare, që bëheshin nga pushteti serb dhe satelitët e vet, e cila propagandë ishte arma më e fuqishme kundër UÇK-së dhe kundër moralit të popullit dhe në anën tjetër shumë e ndjeshme në ato momente e sidomos pas rënies së Rahovecit.

Në këtë kohë ka pasuar edhe rënje të shumë zonave tjera në Kosovë, dua të them rajone, dhe në një farë forme edhe ne e dinim se do të na vije radha të përballemi deri në vdekje, por në asnjë mënyrë kurrë nuk menduam që ikim luftës, t‘i ikim betejave, por t‘i tregojmë popullit në njërën anë dhe armikut në anën tjetër se si luftohet dhe si vdiste për atdhe. Këtu edhe qëndrojnë ato momentet e organizimit intensiv ose të vënies në gatishmëri 24 orë të komandës dhe ushtarëve të UÇK-së.

UÇK-ja luftonte kundër 4000 trupave të okupatorit

Një ditë para sulmit, pra dita e fundit e gushtit 1998, në cilën gjendje gatishmërie ishte brigada 125 e Zonës Operative të Pashtrikut?

BERISHA: Një natë para ofensivës së shtatorit, kishim informacione për lëvizje të mëdha të trupave serbe, rreth territoreve ku ne i kishim pozicionet tona. Me gjithë atë ushtarët tanë ishin vënë të gjithë në gjendje gatishmërie, pra të gjithë nëpër pozicionet e veta, natyrisht edhe komanda e brigadës ishte e vënë në veprim, sipas detyrave të përcaktuara më 28 gusht 1998. Në zonën e përgjegjësisë së batalionit të parë, pasi që veç ishin vërejtur lëvizje të mdha të forcave armike, sidomos drejt majës së Cvilenit, nga ana e jonë kishte shkuar në atë pjesë për ndihmë edhe komandanti i policisë ushtarake Salajdin Berisha me një pjesë të policisë, atje kishte shkuar edhe komandanti i ZKZ-së Xhevat Berisha, ndërsa gjatë ditës kishte qenë në lëvizje edhe vet komandanti i brigadës Ekrem Rexha - Drini dhe komandanti i logjistikës Selim Krasniqi. Në atë pjesë kishin shkuar edhe anëtarë të operativës si Skender Hoxha dhe Ismail Kryeziu, pra me një fjalë ishte vënë në lëvizje e gjithë komanda e brigadës 125. Këto lëvizje, që bëheshin rreth territorit ku kontrollohej nga UÇK-ja, ne i patëm vërejtur, por në një mënyrë ishte edhe një rezervë, sepse disa ditë më parë për mes mjeteve të informimit okupatori serb kishte lajmëruar manovra ushtarake, gjë që për ne ishte lojë propagandistike ose luftë speciale, që bëhej kundër popullatës dhe luftëtarëve të UÇK-së. Me një fjalë komanda e brigadës 125 dhe ushtarët e saj ishin në gjendje gatishmërie për sulme eventuale, gjë që edhe ndodhi ashtu. 

Cila është e vërteta për ofensivën serbe në shtator të vitit 1998, në Vërri...?

BERISHA: Ofensiva e madhe e ndërmarr nga forcat serbe kundër pozicioneve të brigadës 125 , që vepronte në kuadër të zonës së lirë në Vërri dhe kundër fshatrave të Vërrinit në përgjithësi ishte njëra nga ofensivat më të ashpra, që përjetuam ne ushtarët e UÇK-së, por në anën tjetër ne ishin të vendosur që të përballemi me forcat okupuese.

Në rrethin e Prizrenit, armiku serb kishte aktivizuar rreth 4000 forca ushtarake policore serbe, në mesin e të cilëve kishte edhe paramilitarë, mercenarë ukrainas, rusë e të viseve tjera, që e përkrahnin luftën okupuese serbe dhe këtë herë për ta mposhtur Vërrinin si një rajon me pozitë gjeografike, që nuk i konvenonte okupatorit serb, të jetë nën kontrollin e UÇK-së.

Rajoni i Vërrinit në kuadër të operacioneve që bënte UÇK-ja, në gjithë Kosovën ishte një territor me strategji të veçantë dhe pikërisht për këtë pushtuesi serb aktivizoi shumë forca dhe më 1 shtator 1998 rreth orës 7 të mëngjesit filloi sulmi i forcave armike serbe mbi pozicionet e UÇK-së. Fillimisht sulmi filloi në fshatin Lez, ku zhvillohet një luftë shumë e ashpër dhe këtu bëhet një rezistencë titanike e ushtarëve të UÇK-së nëpër të gjitha pozicionet. Në këtë betejë, siç e ceka më lartë, kishin shkuar në përforcim edhe komandanti i ZKZ-së, Xhevat Berisha dhe ai i policisë ushtarake, Salajdin Berisha me një pjesë të ushtarëve.

Në Lez, u zhvillua njëra nga betejat më të mëdha deri atëherë, që ishin zhvilluar në Kosovë e sidomos në rrethin e Prizrenit.

Luftimet pastaj u përhapën nëpër gjithë territorin e Vërrinit, por është me rëndësi se në këtë luftë forcat serbe sipas planeve të tyre gjatë gjithë kohës i granatonin pozicionet e batalionit të dytë nga largësia, ndërsa në ato të batalionit të parë, tentohej të futej këmbësoria. Dhe kështu në ditën e parë rreth orës 17-të pas thyerjes së një pike të kompanisë në Lez, forcat serbe depërtojnë deri në fshat. Në këtë luftë të ashpër dhe të përgjakshme, që zhvillohet në mes forcave të UÇK-së dhe forcave armike, heroikisht në vijë e parë të frontit bien: Salajdin Berisha, Xhevat Berisha, Shefqet Berisha, Hasim Berisha, Nehat Berisha, Alajdin Berisha, Bekim Berisha, Shahadin Berisha, Naip Berisha dhe Ibrahim Osmani, të cilët u dëshmuan me heroizmin e vet edhe më herët, e më vonë bien edhe dy pleqtë: Asllan Berisha dhe Izair Berisha. Gjatë po asaj nate, derisa po e vëzhgonin terrenin në mes të fshatit Kushtendil dhe Arbëri, bien në pritë edhe ushtarët Tamil Shala, Refki Shala dhe Milaim Thaçi nga Kushtendili. Dhe kështu filloi depërtimi i armikut në drejtim të territorit , që deri atëherë ishte i kontrolluar nga ushtarët e UÇK-së. Kjo ishte një ofensivë, e cila me vete mori edhe shumë civilë, sepse në të njëjtën kohë pa ndërprerë nga forcat barbare serbe, granatohej fshati Malësi e Vërrinit, Kushtendili, Arbëri, Lez, selia e shtabit të brigadës 125, në Gjeq dhe vet fshati, Hoqa e Qytetit Kushtrimi, Gurra si dhe të gjitha pikat e pozicioneve tona.

Granatimet e ushtrisë barbare serbe bëheshin me të gjitha mjetet dhe artilerinë që kishte në dispozicion ushtria dhe policia serbo-jugosllave. Luftimet vazhduan edhe me 2 shtator dhe atë ditë më të ashpra ishin ato në fshatin Gjeq , sepse këmbëngulësja e forcave serbe ishte që me çdo kusht të depërtonin deri në shtabin e brigadës 125-së. Gjatë kësaj lufte heroike, diku pasdite bie njëri nga luftëtarët, njëri nga ata ushtarë që vështirë të lind nëna më trim të atillë në rrethin e Prizrenit, e ky ishte Agim Shala, i cili bie në altarin e lirisë së bashku me babain e tij Avdi Shalën, djalin e xhaxhait të tyre Besim Shalën dhe njëri nga policët e policisë ushtarake të UÇK-së, Fatmir Berisha.

Gjatë gjithë kësaj lufte, forcat barbare serbe gjuanin pa ndërprerje në pozicione e fshatit Kushtrim, dhe tentonin të futeshin në Dushkajë të Gurrës ( ish Poslisht), pastaj në pikën e Tusuzit, por pasi që veç nga shpina ishin thyer pozicionet e batalionit të parë rrezikohej edhe vija e parë e frontit në Tusuz dhe natyrisht komanda e batalionit të parë tërhiqet në fshatin Arbëri, ndërsa ne vazhdojmë të mbesim në pozicionet e batalionit të dytë deri sa në kuadër të gjithë këtyre luftimeve dita e tretë e gjeti në një pozitë të palakmueshme popullatën civile, sepse të gjithë ushtarët dhe burrat e Vërrinit, të moshës mbi 18 vjeç ishin nëpër vijat e frontit.

Pra, këtu u zhvillua edhe një luftë speciale në brendi të popullatës civile, një thashë e thënë, e cila ishte lansuar nga njerëzit e shitur të Serbisë, brenda zonës, se popullata civile duhet të mblidhet në fshatin Gurrë, kjo ishte ajo fatkeqësia dhe taktika që e përdori armiku për mes njerëzve të tij, me qëllimet më ogurzeza, për të na thyer edhe moralisht, pra edhe në atë pikë ku qëndronte edhe vet forca e UÇK-së.

Gjatë gjithë kohës, sa ne ishim nëpër pozicione, popullata e katër fshatrave ishte mbledhur në fshatin Gurrë, pra banorët e fshatrave, që ishin në kuadër të batalionit të dytë. Dhe në natën e tretë kushtëzoheshin nga armiku që po të bëjmë ne ushtarët e UÇK-së edhe më tej rezistencë të armatosur , pamëshirshëm do të granatohet fshati Gurrë, ku gjendej e mbledhur popullsia civile me rreth 8000 deri në 9000 banorë, gjë që edhe një granatë më e vogël po të binte në atë fshat do të kishte pasoja shumë të mëdha në njerëz të pafajshëm, të pambrojtur dhe të pamundshëm për t‘iu kundërvënë armikut barbar. Banorët e tubuar kërcënoheshin dhe kushtëzoheshin se nëse shkëmbehet edhe një plumb, do ta granatonin Gurrën. Ndërsa zona e përgjegjësisë e batalionit të parë veç ishte në flakë, ndërsa zona e batalionit të dytë ishte nën granatime pra digjeshin të gjitha fshatrat. Ishte momenti, kur edhe selia e brigadës 125 kishte rënë në duart e okupatorit barbar. Ne një numër i caktuar i ushtarëve, gjatë asaj kohe, qëndronim të paluhatshëm në pozicionet tona, mbi fshatin Kushtrim, por më e keqja ishte se në ato momente kishim të shkëputura lidhjet me trupin komandues të brigadës e sidomos me batalionin e parë, kështu që në ato momente ishte shumë e vështirë të merrej ndonjë vendim i qëlluar. Ishte ky një moment i rëndë, kur ne vendosëm që të bëjmë një lëvizje me ata ushtarë që kishim mbetur deri në ditën e katërtë edhe pa ushqime.

Lëvizja jonë u bë në atë drejtim , që të shpinte jashtë zonës, që deri para pak ditësh e kontrollonim ne. Gjatë këtyre lëvizjeve natyrisht se ishim në shënjestër të granatimeve dhe rastësisht takohemi me Ekrem Rexhën, komandant Drinin dhe Selim Krasniqin. Në këtë takim , komandant Drini jep mendimin se ne duhet të dalim nga zona. Pra, tani më dihet se popullata ishte e rrezikuar dhe ishte e pamundur të qëndrohet, sepse një pjesë e zonës së lirë e UÇK-së duke përfshirë edhe selinë e brigadës 125-të, kishte rënë në duar të armikut.

Atëherë ne bëmë levizje drejt fshatit Kobajë dhe u vendosëm atje deri sa vumë kontakte edhe me disa shokë, aty pra ishte në pyetje edhe një shpartallim që iu bë ushtarëve të UÇK-së dhe nga aty arritëm të mësojmë se një pjesë e ushtarëve gjendet jashtë zonës dhe një pjesë tjetër ishte larguar në drejtim të Opojës, ndërsa pjesa tjetër kishin arritur të depërtojnë dhe të hyjnë brenda në qytet.

Ato ditë në shtëpinë e tyre në Prizren, vriten edhe dy ushtarë të shkëlqyeshëm të brigadës 125 Astret Poniku dhe tekniku medicinal në spitalin ushtarak në Malësi të Vërrinit, studenti Arsim Poniku. Po ashtu forcat serbe gjatë tërheqjes nga fshati Malësi e Vërrinit, në fund të këtij fshati vranë Arsim Maliqaj nga fshati Gurrë. Ndërsa, atë natë në fshatin Kobajë kishte ardhur edhe njësiti i Landovicës, i cili na solli informata për gjendjen në zonat tjera për luftime. Pozita në të cilën gjendeshim nuk ishte aspak e favorshme për ne, prandaj u detyruam që të marrim vendim që përkohësisht të largohemi në drejtim të rajonit të Hasit, duke kaluar në fshatin Lugishtë të Hasit prej nga pastaj kalojmë në një bazë kufitare të UÇK-së, që gjendej në territorin e Shqipërisë, konkretisht në Vlahën. 

Lot për dëshmorët e rënë

Si i përjetuat humbjet e shumë shokëve tuaj pjesëtarë të UÇK-së?

BERISHA:Rënien e shokëve tanë në betejën e shtatorit i përjetuam shumë rënd dhe për ne ishte një humbje e madhe, sepse dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, ishin djemtë dhe shtyllat kryesore të UÇK-së, në rrethin e Prizrenit. Natyrisht, ishte humbje e madhe për ne, rënia e Xhevatit, Salajdinit, Agimit, Bekimit dhe e të gjithë ushtarëve tjerë, që ranë ato ditë,sepse ishte në pyetje edhe humbja e një pjese të komandës së brigadës 125-të. Megjithatë neve kjo humbje, e them me përgjegjësi të plotë, se nuk na ligështuan, por na shtuan edhe më shumë urrejtjen kundër armikut, në mënyrë që në ardhmen të organizohemi edhe më mirë dhe ta vazhdojmë luftën deri në fund.

Po popullata civile, ç‘ndodhi me të?

BERISHA:Është me rëndësi se në kuadër të kësaj lufte nga granatimet serbe kanë rënë edhe një numër i njerëzve nga radhët e popullatës civile si për shembull më datën 1 shtator në fshatin Malësi e Vërrinit nga këto granatime ka rënë vogëlushi 5-vjeçar, Arlind A. Kryeziu, ndërsa në fshatin Gjeq plaka Kadishe Berisha. Kurse në fshatin Hoqë e Qytetit kanë rënë Xhemil Krasniqi dhe Hata Shala. Duhet shtuar edhe faktin se në momentin, kur forcat serbe kanë hyrë nëpër këto fshatra kanë bërë edhe ekzekutimin e disa pleqve, fëmijëve dhe grave.

Në fshatin Malësi e Vërrinit më 2 shtator 1998 vriten edhe këta pleq: Nesim Krasniqi, i cili bie me pushkë në dorë, duke bërë rezistencë kundër paramilitarëve serbë, që kishin zbritur nga kodra e Cvilenit. Po atë ditë vritet edhe Bajram Thaçi , pastaj vriten Mursel Halilaj, Skender Memedaj, Agush Kryeziu dhe Qazim Poniku, po në këtë fshat zihen edhe shumë robër, të cilët u maltretuan, u torturuan dhe i mbyllën në Xhaminë e këtij fshati si robër lufte. Po këtë ditë edhe në fshatin Gjeq nga forcat serbe u vranë edhe Mergjan Shala, Fatime Shala (nëna e dëshmorit Besim Shala) dhe Myrvete Shala. Kurse, popullata që ishte në zonën e përgjegjësisë së bataljonit të parë është ndihmuar nga ushtarët e UÇK-së duke krijuar kanale për t’u futur në brendi të qytetit. Duke tentuar të hynin në qytet për t’u strehuar, policia serbe pa kurrfarë lajmërimi ka shtënë në drejtim të një turme të civilëve dhe si pasojë janë plagosur Sadri Kryeziu, Merita Kryeziu, Lendita Kryeziu dhe Anife Kryeziu, të gjithë këta nga Malësia e Vërrinit.

Ato ditë pati edhe shumë të plagosur tjerë, por nga frika që të mos bien në duar të policisë serbe, u shëruan nëpër shtëpi pa pasur mundësi të kërkojnë ndihmën e mjekut. Kurse popullata e fshatrave në kuadër të batalionit të dytë është drejtuar në drejtim të fshatit Gurrë dhe atje është tubuar, për t’u shfrytëzuar nga ana e armikut si kusht për ndërprerjen e luftimeve, përkatësisht të rezistencës sonë.

Thjesht, kjo ishte rezultat i një përgatitje  të më hershme, që e kishte bërë armiku serb me njerëzit e tij. Atje ishte lansuar një propagandë, ku popullatës civile i ishte thënë se : “ Të gjithë do t’i falim për veç Zafir Berishën...” dhe shumë e shumë fjalë të tjera. Kjo vetëm ishte një sekuencë propagandës së armikut, që mua të më lënë të vetmuar dhe pa përkrahës, por e kishte të kotë Serbija, sepse djemtë e Vërrinit, të cilët ishin me mua nuk pranuan në asnjë mënyrë të bien pre e kësaj propagande.

Si e përjetuat rënien e Vërrinit dhe largimin tuaj për në Shqipëri, kur dihej se Vërrini u gjakos e u dogj kullë më kullë?

BERISHA:Ky ishte ndoshta momenti më i rëndë, që e kam përjetuar ndonjëherë gjatë ditëve të luftës dhe si rezultat i këtyre përjetimeve për dy javë rresht nuk ndihesha mirë me shëndet, aq më tepër kisha ngarkesë psikike, sepse e pata dëgjuar thellë në shpirt rënien e shokëve, gjakosjen dhe djegien e Vërrinit në përgjithësi, pra ishte diçka që kurrë nuk e kisha përjetuar deri në atë kohë në jetën time. Pas kësaj ofensive, ne kaluam në Kobajë, ku qëndrojmë dy ditë dhe aty biem në kontakt me Osman Qerretin Çunin, nga i cili informohem për gjendjen në komuna tjera, pastaj kalojmë në rajonin e Hasit, ku morëm vendim që të kalojmë përkohësisht në bazën më të afërt të UÇK-së, pra në Vlahën të Shqipërisë.

Përseri nga Shqipëria në Kosovë

Ku u vendosët në Shqipëri dhe cilat ishin planet e tuaja për të ardhmen ?

BERISHA:Në Shqipëri ishte me rëndësi se për disa javë deri sa u kompletuam të gjithë ushtarët, të cilët vinin nga rrethi i Prizrenit dhe natyrisht një numër prej tyre ishin të vendosur të kthehen në Kosovë.

Prandaj, në atë kohë ne mbanim kontakte me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe vendosëm që një grup i ushtarëve nga rrethi i Prizrenit të fillojnë ushtrimet ushtarake në Kukës, që përgatiteshin nga ekspertë ushtarakë të Shqipërisë si gjeneral Kodusi Lame, Zef Kola, Arif Mata, Sami Sopi etj. Ky grup i ushtarëve përgatitej për një luftë speciale, të stilit Vietnamez, sepse rrethanat në Kosovë atëherë diktonin për një luftë të re dhe një taktikë të tillë, e cila do të zhvillohej në vazhdim dhe natyrisht kjo luftë kërkonte përgatitje .

Gjatë stinës së dimrit edhe moti nuk ishte i mirë, por edhe rrethanat në zonën kufitare nuk ishin aspak të favorshme për ne, gjë që kjo më së miri shihet me disa rënie në pritë të njësiteve të UÇK-së nga të gjitha territoret e Kosovës, nëpër zonat kufitare. Pra, dimri i vështirë e pamundësonte kthimin tonë të menjëhershëm, por ne të gjithë atë kohë e shfrytëzuam për përgatitje  dhe natyrisht edhe për pajisjen me armë më të sofistikuara për vazhdimin e luftës guerile, që ne këmbëngulnim ta zhvillonim në territorin e Vërrinit.

Kur morët vendim për t’u kthyer në Kosovë?

BERISHA:Siç e thashë , rrethanat në brezin kufitar, nuk ishin të favorshme për ne jo vetëm për shkak se ushtria serbe e kontrollonte kufirin, por edhe për shkak të motit të ligë që mbretëronte bjeshkëve për rreth kufirit. Këtu ishte këmbëngulësia jonë, që luftën ta zhvillonim përsëri në territorin e Vërrinit dhe në marrëveshje me komandant Drinin dhe Selim Krasniqin, natyrisht unë me një pjesë të ushtarëve mbeta në Kukës, për të gjetur shtigje të reja, sepse në rajonin e Hasit atëherë kufiri pothuaj se hermetikisht ishte mbyllur nga ushtria serbe dhe ishte e pamundur, që të depërtohej për në Kosovë. Atëherë unë vendosa që të futemi në zonën e Koretnikut dhe kështu në dhjetor të vitit 1998, komandant Drini me një numër të madh të ushtarëve marshon në drejtim të Pashtrikut, ndërsa unë mbeta në kërkim të një kanali tjetër , që ishte në interes edhe të UÇK-së. Pra, fillova gjurmimet nëpër zonën e Koretnikut për t’u futur më lehtë në Kosovë dhe për ta vazhduar luftën , e cila na priste në Vërri. 

Me urdhrin e kujt u futët në Kosovë?

BERISHA: Pas asaj që ndodhi në dhjetor të vitit 1998, në malet e Pashtrikut, komanda e Zonës Operative të Pashtrikut ishte e vendosur në Kosovë, në rrethin e Retisë, aty kishte filluar edhe riorganizimi i brigadës 125, unë mbaja lidhjet telefonike përmes telefonit satelitor dhe në një farë forme ishte në interes të komandës së brigadës 125, por edhe të komandës së ZOP-it , që unë dhe ushtarët e mi të futemi në zonën e Vërrinit.

Diku ka mesi i shkurtit të vitit 1999 një rrugë na dështoi dhe kështu përfundimisht pas dështimit të asaj rruge, që unë të futem në zonën e Vërrinit dhe në Opojë, ndodhi edhe një lëvizje që është e njohur në anën e Prizrenit, pra fjala është për njësinë speciale të UÇK-së, që udhëhiqej nga Hysen Rexhepi, një shok i yni, bashkëluftëtar i dëshmuar edhe në ofensivën e shtatorit, ushtar i përgatitur bashkë me ne edhe në Kukës. Ky njësit i suksesshëm i UÇK-së, koordinator e kishin luftëtarin e madh të pushkës dhe të luftës Samedin Xhezahirin – Hoxhën. Fjala është për luftën e 11 marsit 1999, që u zhvillua në Gjeq.

Ofensiva e 11 marsit, kundër fshatrave të Vërrinit dhe njësisë speciale në Jeshkovë mua më gjeti në përgatitje e sipër ku për shkak të borës së madhe në fillim të shkurtit nuk arritëm të depërtojmë dhe mbetëm 48 orë në bjeshkët e Koretnikut. Kështuqë pas tentimit të dytë unë me shokë arritëm të depërtojmë në rrethin e Opojës, fillimisht, në Brezne më 14 mars 1999. Kohë kjo kur në Vërri veç kishte përfunduar beteja e 11 marsit 1999. Pas futjes sonë në Brezne, ne marshojmë drejt fshatit Kushtrim, aty biem në kontakt me Ferid Berishën dhe Axhi Berishën. Është me rëndësi se gjatë kësaj lëvizje nëpër kushte të vështira, diku 36 orë udhëtim nëpër borë, që vende- vende trashësia e borës kalonte mbi 2 metra. Në këtë udhëtim odisejal, me mua ishin ushtarët e dëshmuar edhe në luftën e shtatorit si: Flurim Islamaj, Mirsad Berisha, Isa Berisha, Setki Berisha, Struga, Refet Krasniqi, Rrustem Krasniqi, Hajredin Krasniqi, Ibrahim Kryeziu, i cili kishte ardhur nga Zvicrra, për t’iu bashkuar radhëve tona, pra ishim një grup ushtarësh prej 10 vetëve, kryesisht djem shumë të vendosur dhe të pathyeshëm edhe në të kaluarën. Pra, ishim një ekip i përgatitur mjaftë mirë për një luftë të re, e cila na priste në Kosovë.

Ne së pari vendosemi në fshatin Kushtrim, ndërsa informatat për situatën që ekzistonte atëherë i merrnim nga njerëzit tanë, të cilët ishin veç në teren. Natyrisht, ishte me rëndësi, që unë të njoftohesha në hollësi edhe për betejën e 11 marsit 1999 , në Gjeq, betejë kjo, e cila vazhdon të mbetet për mua shumë enigmatike, por edhe për qytetarët tanë.

Takimi me komandant "Hoxhën" dhe largimi i popullatës civile për në Shqipëri

Çfarë arritët të mësonit më 15 mars 1999, kur tani më veç kishte përfunduar beteja e 11 marsit 1999 në Gjeq ( ish Jeshkovë)?

BERISHA:Unë atë ditë nuk kam arritur të dëgjoj diçka të mirë, çdo gjë që dëgjoja ishin shumë prekëse, sepse më 15 mars 1999 nga njerëzit që i ishin në teren mësova për rënien heroike të shumë shokëve, të djemve trima e të dëshmuar nëpër fushëbeteja të luftës edhe më herët. E këta trima ishin: Hysen Rexhepi, Bashkim Suka, Hajdar Shala, Feriz Susuri, Tahir Gashi, Skënder Latifi, Ymredin Çengaj, Alajdin Xhezahiri dhe Hamit Thaçi. Pra ishte fjala për ushtarë të njësisë speciale të brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut dhe kjo ishte me të vërtetë një humbje e madhe për ne si bashkëluftëtar dhe për luftën , e cila na priste edhe në të ardhmen. Luftimet ishin zhvilluar nga mëngjesi deri pasdite nga afërsia 15-20 metra dhe shumë interesant se kishin luftuar, duke kënduar deri në momentin e fundit.

Pastaj me interes ishte për ne që të njoftoheshim edhe për përqendrimin e forcave të armikut në zonën e Vërrinit dhe për rreth saj si dhe qëllimi ynë kryesor ishte, që të merrnim kontakt me njerëz të autorizuar nga komanda e brigadës 125 për rrethin e Vërrinit siç ishte Besnik Berisha, për mes të cilit ne do të përpiqemi të vejmë kontakt edhe me Samidin Xhezairin - Hoxhën. 

Në betejën e 11 marsit pati edhe të zhdukur?

BERISHA:Krahas lajmit për rënien e shumë shokëve në betejën e 11 marsit në Jeshkovë, u njoftuam edhe për zhdukjen pagjumë të disa shokëve tjerëve. Në mesin e tyre është edhe njëri nga shokët dhe luftëtari i orëve të para të pushkëve të lirisë, Ymer Shala, Nuridin Shala , vëllai i dëshmorit Agim Shala, një bashkëvendës dhe bashkëfshatar i yni Shadin Gashi, pastaj Rexhep Buduri nga Hoqa e Qytetit, Ilmi Shala nga Jeshkova, Besnik Kastrati nga Arbana ( ish Dushanova), Musli Gashi nga Atmaxha, Faik Begaj nga Banja e Malishevës, ndërsa në Malësi të Vërrinit pagjurmë ishte zhdukur Bali Avdaj dhe Shemsedin Tamil Shala nga Kushtendili.

Ndërsa, në Kabash gjatë luftimeve të UÇK-së me forcat barbare serbe, ishte vrarë edhe Rexhep Kukaj dhe dy ushtarë tjerë. Këto ishin të gjitha lajmet e kobshme, që unë arrita t’i mësoj ditët e para të rikthimit në Kosovë. 

Si dhe ku u takuat me komandant Samidin Xhazairin- Hoxhën?

BERISHA:Që nga ardhja ime në Kosovë, më 14 mars 1999, unë lëvizja edhe në drejtim të lagjes Tusuz, sepse aty i kishim edhe shokët tjerë, por ishte edhe njëra nga bazat tona kryesore. Kontaktin tonë e realizuam përmes Besnik Berishës. Këtu është me rëndësi të shtoj se duke pritur për t’u takuar me komandant Samidin Xhezairin- Hoxhën, po i dëgjonim lajmet dhe kuptuam se filluan sulmet e NATO-s mbi Jugosllavi. Sulme këto mbi pozicionet ushtarake e policore serbe në Serbi , në Vojvodinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë e që natyrisht këtë lajm e pritëm me gëzim të madh dhe me të marrë këtë lajm ne dolëm në rrugë, diku në mes të lagjes Tusuz, lagje e Prizrenit, ku edhe popullata veç ishte në rrugë , duke festuar gëzimin për fillimin e këtyre sulmeve mbi caqet e armikut tonë shekullor. Ishin ato momentet e rreth orës 20, kur ne duhej të takoheshim me Hoxhën dhe para se të takoheshim me të, unë rashë në kontakt me banorët e lagjes Tusuz, të cilët i këshillova, që të mos frikohen, por edhe të mos lëvizin nëpër qytet dhe kështu diku në periferi të Tusuzit në një shtëpi të pabanuar, ku kishte qenë Samidin Xhezahiri me pesë ushtarë tjerë, u takuam dhe ai propozoj që të shkojmë deri në shtëpinë e tij, në afërsi të spitalit të Prizrenit. Ai ishte takimi i ynë i parë, sepse më herët vetëm kishim dëgjuar për njëri - tjetrin, por nuk ishim takuar asnjëherë.

Në shtëpinë e tij për herë të parë e ndezim dritën dhe e shohim njëri-tjetrin se kush jemi. Natyrisht aty fillojnë edhe bisedat e para, që kuptohet gjithmonë për luftën dhe me kërkesën time e zhvilluam edhe një bisedë për betejën e përgjakshme të 11 marsit 999 në Gjeq ( ish Jeshkovë).

Si e përjetuat shpërnguljen me dhunë të popullatës, për në Shqipëri? 

BERISHA:Natyrisht rënd. Popullata civile e Kosovës nën presionin e dhunës fashizoide serb filloi të shpërnguleshin në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë e që unë ato ditë veç gjendesha në lagjen Tusuz.

Gjatë asaj kohe filluan të na bashkohen edhe shumë djem, një pjesë e ushtarëve të mi veç ishin të vendosur në fshatin Kushtrim dhe më 27 mars 1999, në mbrëmje kthehem edhe unë nga lagjja Tusuz në Kushtrim i shoqëruar me një numër ushtarësh, ndërsa Hoxha vazhdoi edhe për disa ditë të qëndroi në Tusuz, për të mobilizuar edhe ushtarë të tjerë dhe për të vënë kontakte edhe me shtabin e brigadës 125-së.

Me ardhjen time në fshatin Kushtrim, diku ka mesi i natës së 27 marsit 1999, unë vë kontakte me ushtarët, me të cilët për katër pesë ditë ishim jashtë lidhjeve dhe aty përmes radios kuptuam se fshati Zhur dhe fshatrat e Grykës të Lumës kanë filluar të largohen drejtë Shqipërisë. Aty erdha në përfundim se edhe për rajonin e Vërrinit po përgatitej një gjë e tillë. Kjo situatë me të vërtet ishte e dhimbshme, sepse popullsia civile ishte në një ngarkesë të madhe psikike nga ankthi i luftës dhe i masakrave që mund t’i bënin forcat e okupatorit serb mbi ta dhe kështu më 28 mars 1999 edhe popullsia e fshatrave të Vërrinit filloi të lëviz dhunshëm në drejtim të Shqipërisë.

Këto ishin momente shumë të rënda ndoshta edhe momentet më prekëse, që kisha përjetuar deri në atë kohë. Dhe sa i kthehem t’i lexoj shënimet në ditarin e luftës, kur lexoj përjetimin e atyre ditëve, ndjehem shumë i prekur. Këto ditë janë ditët më të vështira, që i kam përjetuar gjatë asaj periudhe. Citoj diçka nga ditari i luftës: “28 mars 1999, po bie terri mbi Vërri, kolona të gjata me njerëz largohen në drejtim të Shqipërisë... Prapa atyre kolonave mbetën ulërima e qenve, blegërima e deleve, lopëve, kuajve, gomarve, që pakontrollueshëm shetisin rrugëve, oborreve, kopshteve e asnjë njeri, nuk kishte mbetur për t’u dhënë drejtim atyre...

Në Vërri përveç ushtarëve të UÇK-së dhe disa të rinjve, që na u bashkëngjitën, çdo gjë mbeti si e shkretë. Urdhëroj të kontrollohen të gjithë shtëpitë dhe të zgjidhen kafshët, që ishin të lidhur nëpër stallat, që dikush kishte harruar t’i zgjidhte.” Derisa unë po shkruaja një qengj i vogël blegëronte afër meje shumë dhembshëm, që më ngjau në foshnja që e kërkonte nënën e tij.

Edhe pse e përjetuat rënd largimin e popullatës civile për në Shqipëri a ishte kjo lehtësim për zhvillimin e luftës suaj të mëtejme ( kur dihet se armiku serb me humbjet që i pësonte nga ushtarët e UÇK-së gjithmonë hakmerrej në popullatën civile)?

BERISHA:Ushtarakisht ta vlerësosh, ishte më lehtë për ne, sepse ne nuk kishim të bënim me një armik që luftonte vetëm kundër ushtarëve të UÇK-së, por ai gjithmonë humbjet e veta në luftë, i kthente në hakmarrje të ç‘frenuar kundër popullatës të pambrojtur dhe të pafajshme, që po ta shikosh anën tjetër të medaljes, ajo ishte edhe një lehtësim për ne për të manovruar më lehtë drejt pozicioneve dhe caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe. 

Luftime të ashpra

Ju u takuat me Hoxhën me 24 mars 1999, ai kishte vetëm pesë ushtarë me vete, sa kishit ju dhe a u bashkëngjitën edhe të tjerë ushtarë në atë kohë? 

BERISHA:E thash edhe më lartë se unë isha me 10 ushtarë dhe natyrisht kur filloi me dhunë të largohej popullata ngav atrat e tyre, atëherë na u bashkëngjitën edhe disa të rinj nga fshati im siç ishin Feridi Berisha, Haxhi Berisha , ishin edhe tre vëllezër Zikriu, Jetoni dhe Ladi dhe një i ri nga fshati Gurrë Ramiz Shehu, luftëtar shumë i dëshmuar.

Natyrisht në këtë kohë edhe Hoxhës, i cili mbeti për disa ditë në Tusuz, iu kishin bashkangjitur shumë të rinj si Besnik Berisha, Arsim Pulaj , Afrim Shala, Hafiz Thaçi, por edhe nga brendia e qytetit si Nuhi Shipkovica, Bahrije Shipkovica, Xhylsere Berisha, (motra e dëshmorit Bekim Berisha) Vlbona Shala me babain Qazim Shala dhe një numër i mirë i djemve, të cilët më me dëshirë e kishin zgjedhur rrugën e pushkës dhe të lirisë sesa largimin për në Shqipëri.

Rruga e mobilizimit në radhët e UÇK-së ishe vendimi më i drejtë, që e merrnin të rinjtë gjatë asaj kohe. Dhe diku më 30 mars 1999 komandant Samidin Xhezairi - Hoxha me të gjithë ushtarët nga Tusuzi erdhi dhe u vendos në fshatin Kushtrim.

Po, pas largimit të popullatës së Vërrinit për në Shqipëri, si rrodhën zhvillimet këtu brenda?

BERISHA:Pasi që dihet se me cilin presion është larguar popullata civile, në Vërri mbetën vetëm ushtarët e UÇK-së dhe disa pleq siç ishin katër në Hoqë të Qytetit, dy në Gurrë , një në Kushtrim dhe një në Malësi të Vërrinit. Luftëtarët tanë e vëzhgonin çdo lëvizje të armikut dhe çdo hyrje- dalje në territorin e Vërrinit. Po në këtë kohë radhëve tona gati çdo ditë i vinin përforcime me ushtarë të rinj. Ishte pra kjo koha kur edhe popullata e fshatrave të Opojës ishte larguar për në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe edhe forcat armike serbe kërkonin pika strategjike për t’u pozicionuar në territorin e Vërrinit, sepse ky territor ishte rajon me pozitë shumë të përshtatshme strategjike për luftë në Kosovë.

Ato ditë ishim mbi dyzet ushtarë të vendosur në fshatin Kushtrim, kur forca të mëdha të policisë, ushtrisë, paramilitarë dhe forcave tjera mercenare si rusë e ukrainas, u drejtuan për t’u vendosur në rajonin e Vërrinit. Ishte 6 prilli 1999, kur një kolonë me makineri dhe forca të shumta ushtarake ishin drejtuar për t’u vendosur në fshatin Hoqë të Qytetit dhe gjithë këtë lëvizje ne e përcillnim nga një largësi prej dy kilometrash sa ishte largësia e fshatit Kushtrim dhe fshatit Hoqë e Qytetit dhe natyrisht po afrohej edhe momenti i një lufte me armikun. Të gjitha këto lëvizje unë dhe Hoxha i përcillnim me përpikëri dhe erdhëm në përfundim për taktikën e luftës sesi do t’i sulmojmë ata. Atëherë e bëmë sistemimin e ushtarëve nëpër pika të ndryshme, ndërsa unë dhe Hoxha u vendosëm në hyrje të fshatit Kushtrim me një skuadër të ushtarëve, e cila udhëhiqej nga Flurim Islamaj, ndërsa skuadra tjetër udhëhiqej nga Feridi Berisha, e cila skuadër mbante daljen e fshatit Kushtrim në drejtim të Zhurit, kurse tri skuadra tjera u vendosën në prapavijë mbi fshat, prej nga gjithmonë rrezikohej territori i Vërrinit në drejtim të rajonit të Opojës. Kjo skuadër udhëhiqej nga Mirsad Berisha dhe Refet Krasniqi dhe ishte pika më e ndjeshme në Gur të Kuq, kurse skuadra tjetër që udhëhiqej nga Isa Berisha, që ishte i vendosur në afërsi të fshatit Gjeq dhe një numër i vogël i ushtarëve, të cilët e kishin detyrën e vëzhgimit mbi fshatin Hoqë e Qytetit, ndërsa në fshat mbetën 23 ushtarë dhe pritnim që forcat serbe të afroheshin drejtë nesh.

Më 7 prill 1999, në ora 8 të mëngjesit, forcat e armikut serb ia mësyn fshatit tonë. Atë ditë u nisën në drejtim të fshatit, në mes tyre ishte një xhip me katër oficer serbë i shoqëruar edhe nga një kombibus i mbushur për plotë me ushtarë. Atëherë Flurim Islamaj na informoi se forcat armike serbe po vinin në drejtim të fshatit Kushtrim. Natyrisht, ne sipas planit që e kishim bërë veç më parë u vendosëm nëpër pozicione dhe në hyrje të fshatit, te shkolla hapëm zjarr në drejtim të tyre. Me zjarrin e parë sulmohet xhipi ku ishin 4 eprorët, të cilët eliminohen përnjëherësh, pastaj një numër i ushtarëve serbë hyjnë brenda në objektin e shkollës dhe fillojnë gjuajtjet e pandërprera, ndërsa përgjigja nga ana e tyre kishte shumë pakë, sepse serbët në ato momente u gjetën në një pozitë të papritur dhe në befasi.

Në ato momente dëgjoheshin vetëm britmat e tyre dhe lutjet për të shpëtuar nga ajo situatë dhe nga ai sulm i furishëm. Armiku pësoi humbje të mëdha.

Ne në këtë sulm e përdorëm gjithë armatimin, të cilin e kishim në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe antitankun. Dhe natyrisht i gjithë njësiti i armikut u eliminua, por një ushtar i plagosur serb, i cili kishte mbetur gjallë, arrin të ikte në drejtim të Hoqës së Qytetit, ku e ka alarmuar ushtrinë serbe të vendosur atje, me gjithë se krismat dhe detonimet e asaj lufte janë dëgjuar edhe në Prizren.

Atëherë, forcat serbe të vendosura te shkolla e Vlashnjes drejtohen me tanke drejtë fshatit ku ishim të vendosur ne dhe në drejtim të Opojës prej nga na kishin sulmuar vazhdimisht edhe në ofensivat e më parme. Gjatë tërheqjes sonë në drejtim të fshatit kanë arritur edhe autoblindat serbe dhe tanket, të cilat filluan të granatojnë nëpër fshat, pa e ditur fare se ku jemi, pra ishte kjo edhe një shenjë se serbët ishin në panik dhe në kohën e tërheqjes së kufomave të ushtarakëve dhe ushtarëve të tyre.

Në dalje të fshatit në drejtim të bjeshkës kishin depërtuar forcat serbe dhe diku rreth orës dhjetë, ne u gjendëm në një rrethim të hekurt, ndërsa njësitet tona në prapavijë kishin mbetur jashtë rrethit ku ishim ne, kështu që në një far forme ne e humbëm kontaktin me njësitet tona, që i kishim në prapavijë, sepse ne e kishim pritur të rrezikoheshim më tepër nga teritori i Opojës, ndërsa ata na ishin futur nën gërshërë dhe kështu ky njësit në prapavijë kishte ngelur jashtë rrjetit të radiolidhjeve, për shkak edhe të pozitës gjeografike dhe kështu ne mbetëm të rrethuar deri në mbrëmje.

Pak para se të bie muzgu, unë arrita të bie në kontakt me Isa Berishën dhe në momentin kur isha duke komunikuar përmes radiolidhjes, njërës nga radiolidhjet i shpenzohet bateria dhe kështu mbetem përsëri pa u marrë vesh sesi të veprohet më tej. Ishte ky momenti, që edhe gjatë kohës sa ishim në rrethim kemi rënë në lidhje edhe me shtabin e brigadës 125 dhe e kemi njoftuar për luftimet dhe pozitën, në të cilën gjendeshim atë ditë. Në mbrëmje vendosëm që të dalim nga rrethimi, pra të gjithë ata 23 ushtarë sa ishim të rrethuar, duke na pri Hoxha, ndërsa me vete e kishim edhe Haxhiun, i cili e njihte mirë atë teren. Dhe gjatë shpërthimit të rrethimit, në një moment duke u drejtuar në një drejtim nga i kisha caktuar dy njësitet në prapavijë që udhëhiqeshin nga Isa Berisha dhe Mirsad Berisha, Hoxha e bëri një lëvizje duke dyshuar se aty afër janë të vendosur serbët, sepse në ato momente fyente edhe një erë e fortë dhe Hoxha hidhet , duke qëlluar në bunkerin e serbëve me ç‘rast mbesin të vrarë një numër i paramilitarëve serbë, të cilët kishin qenë aty. Pas këtij aksioni të suksesshëm të Hoxhës, natyrisht fillojnë gjuajtjet e ashpra të policisë dhe ushtrisë serbë nga të katër anët, kështu që për momentin unë dyshoja se Hoxha ka rënë në pritë, por pasi që unë, Ylli dhe Haxhia mbetëm të shtrirë në një largësi prej 50 metrash, pa kurrë farë mbrojtje karshi gjuajtjeve serbe, atëherë unë përmes radio lidhjes duke tentuar të bie në kontakt me Feridi Berishën, në lidhje na hyn Hoxha dhe më tregoj për pozicionin se ku ishte, sepse ishte natë dhe ishe rrezik të vriteshim mes veti, kur e kuptova se ku ishin, e dërgova njërin nga ushtarët që ishin pranë meje, konkretisht Yllin, që t’i tërhiqte dhe i kemi tërhequr në heshtje ku edhe kemi dalë jashtë rrethimit dhe pasi kemi dalë nga ky rrethim, ne e kemi bërë edhe një provokim në drejtim të forcave armike serbe, të cilët në panik frikoheshin të na tregonin me anë të shtënave se ku ishin.

Ndërsa ne u drejtuam në drejtim të vendit ku ishte i pozicionuar njësiti i Mirsad Berishës, e që afër tij ishte edhe Refet Krasniqi dhe aty biem në kontakt e kuptojmë se ka qenë një lëvizje e pa kontrolluar e ushtarëve në ato momente dhe nga këto lëvizje nga ne shkëputet dhe e humbim lidhjen edhe me Isa Berishën, i cili ishte i shoqëruar nga Fazli Shala nga Malësia e Vërrinit. Isa nuk e njihte mirë atë teren dhe kështu e kishte humbur edhe kontrollin nga ushtarët, që i kishte pasur në përgjegjësi, sepse edhe nata e kishte bërë të vetën, kështu që vetëm pas tri jave arritëm të takoheshim me te, në Malësi të Vërrinit.

Kanë qenë këto momente kur dalim nga rrethimi dhe natyrisht ne edhe më 8 prill 1999 e bëjmë edhe një provokim apo një konfrontim me forcat serbe, të cilat tentonin të vendoseshin në një pozicion në bjeshkët e Kushtrimit dhe të Brrutit e që tentonin të na futnin përsëri nën rrethim, por në atë kohë e kishim në dispozicion një pushkë snaiperike me të cilën lëvizjet e serbëve në drejtimin tonë i ndalnim me shumë sukses, sepse serbët vetëm në momentin kur shihnin shokët e tyre se po rrëzoheshin për dhe të vdekur, filluan të zmbrapseshin dhe kështu përkundër kësaj tendence të çetnikëve serbë, për të na ofruar dhe rrethuar, ne i mbrapsnim dhe arritëm ta rrethojmë atë pozicion të tyre, duke u shkaktuar humbje të mëdha.

Po me ushtarin e plagosur serb, më datën 7 prill 1999, në Kushtrim, çfarë ndodhi?

BERISHA:Ne kemi informacione nga snaiperisti ynë se ushtari i plagosur ka ikur në drejtim të fshatit Hoqë e Qytetit, ku më vonë do të kuptojmë se ai kishte dhënë urdhër që të ekzekutohen katër pleqtë, të cilët ishin zënë robër në këtë fshat, të cilët ishin: Ahmet Krasniqi, Rrahim Shala, Mehmet Shala dhe Tamil Krasniqi, ndërsa pas futjes së forcave serbe edhe në fshatin Kushtrim, edhe aty ka qenë një plak , i cili ka qenë i verbuar, i cili s’kishte pranuar të largohet nga fshati edhe përkundër insistimit tonë, prandaj edhe plaku Ahmet Dervishaj, është vrarë e masakruar nga forcat serbe. Pas këtyre që i thashë, ne e vazhduam rrugën në drejtim të fshatit Gjeq, mbi fshat duke kaluar shtigjeve të vështira jam lënduar në këmbë, ku do të detyrohem të qëndroj 24 orë në fshatin Malësi e Vërrinit, prej nga pastaj shokët më bartin deri në lagjen Tusuz, të Prizrenit, ku do të takojmë të gjithë ushtarët, me të cilët i kishim humbur lidhjet gjatë luftimeve të 7 prillit 1999, në fshatin Kushtrim.

Zgjerimi i operacioneve të UÇK-së

Si rrodhi situata më tej, në lagjen Tusuz?

BERISHA:Tusuzi edhe në të kaluarën, por edhe gjatë luftës së UÇK-së, ishte strehë e sigurtë e ushtarëve dhe liridashëve. Aty kishte mbetur edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve civil, të cilët na patën përkrahur gjatë gjithë luftës sonë. Në lagjen Tusuz kishte të moshuar edhe deri në moshën 80 vjeçare, të cilët me kontributin e tyre na sillnin edhe informata se ku gjendeshin policia serbe. Preokupimi kryesor i yni gjatë atyre ditëve ishte se ku gjendeshin Isa Berisha dhe Fazli Shala, të cilët na mungonin që nga data e shtatë prillit dhe përkundër këtyre preokupimeve ne vazhdonim aktivitetin tonë, ndërsa gjatë asaj kohe na shtoheshin vazhdimisht radhët tona nga brendia e qytetit. Në mesin e tyre ishin edhe dy djemtë e Naim Krasniqit; Visari dhe Besniku, pastaj Artani e Fahriu dhe disa djem tjerë nga Prizreni, por ishin edhe disa vajza të cilat iu patën bashkuar radhëve të UÇK-së si: Bahrie Shipkovica të cilën e kam cekur edhe më herët, Valbona Shala me babain Qazim Shalën, të cilët në atë kohë unë katër herë i kam dërguar në vëzhgim në territorin e Vërrinit , pra gjatë kohës sa unë isha në shërim dhe e gjithë bëhej vetëm për ta kërkuar Isën dhe Fazliun, sepse thënë të drejtën unë dyshoja se në luftimet e shtatë prillit mos kishin rënë në pritë dhe në herën e katërtë kur unë e dërgova Rrutemin dhe Mirsadin dhe një grup të ushtarëve, Isën dhe Fazliun i gjejnë në Malësi të Vërrinit, së bashku me një plak, i cili ishte i vendosur që mos ta lëshonte fshatin dhe u kishte ndihmuar mjaftë këtyre dy ushtarëve tanë. Fjala ishte për plakun Bilall Arif Poniku. Dhe natyrisht me kthimin e tyre në lagjen Tusuz, njësiti ynë u kompletua ashtu siç ishim edhe në fillim.

Sa ishit në shërim në lagjen Tusuz, a patët edhe ndonjë aksion tjetër kundër forcave serbe?

BERISHA:Edhe pse unë isha i lënduar aktiviteti ynë nuk u ndal. Samidin Xhezahiri - Hoxha filloi lëvizjet me një njësit dhe gjatë atyre ditëve u asgjësua edhe një kamion përplot me paramilitarë serbë në hyrje të lagjes Tusuz dhe ky aksion ka ndodhur më 11 prill 1999. 

Gjithashtu Hoxha, i ndihmuar nga Nuhi Shipkovica dhe një ekip i ushtarëve të zgjedhur kalojnë përmbi Prizren, në vendin e quajtur Bllata, për ta kontrolluar vendin, sepse atje ishin të vendosura edhe forcat serbe. Gjatë atyre ditëve ai bëri edhe disa sulme mbi forcat armike në fshatin Arbëri, në njërin nga këto aksione edhe pse isha i lënduar mora pjesë edhe unë Ramiziu dhe Rrustemi, ku e patëm bërë një montim minash, sepse forcat serbe, të vendosura në Arbëri pas aksionit në lagjen Tusuz nuk vinin më ta merrnin ushqimin në Prizren, por shkonin në fshatin Hoqë e Qytetit dhe kur ne ato lëvizje i vërtetuam e minuam rrugën prej nga kalonin ata. Ky aksion i yni pati sukses, sepse edhe këtë herë u shkaktuam humbje ushtrisë barbare serbe. Aksion pas aksioni dhe vie deri te momentet, kur bazat tona të nëpër shtëpitë e lagjes Tusuz fillojnë të rrezikohen dhe më 5 maj 1999 , qemë të detyruar të ndahemi në dy grupe. Hoxha me disa ushtarë kalon në vendin e quajtur Bllata mbi Prizren, ndërsa unë me një grup tjetër ushtarësh kalojmë në rajonin e Vërrinit dhe Opojës.

Po pas datës 5 maj, ku u vendosët dhe çfarë pasoj mëtej?

BERISHA:Pra, siç u patëm marr vesh me Samidin Xhezairin- Hoxhën, unë e mora në përgjegjësi rajonin e Vërrinit dhe fillimisht vendosem në Malësi të Vërrinit, pastaj e ngrinim edhe një kamp ushtarak në male mbi fshatin Gjeq, nga i cili kamp e kontrollonim edhe terrenin në rrafshin e Opojës dhe në rajonin e Vërrinit.

Për ne ishte me rëndësi të dinim se gjatë qendrimit tonë në Tusuz kishte pasur lëvizje të mëdha të forcave serbe, se ku ishin vendosur ato dhe nga ishin pozicionuar. Njëkohësisht Hoxha e kishte ngritur kampin tjetër mbi Prizren, prej nga pastaj bënte manovrime ushtarake edhe në Tusuz dhe në fshatin Arbëri, ku ishin të koncentruar forca të mëdha të ushtrisë serbo- jugosllave.

Gjatë kësaj kohe në kuadër të këtyre aksioneve, ne e kemi një moment të veçantë, në fshatin Zgatar, ku hasëm në një grup të “civilve” që shihej mirë se nuk e njihnin terrenin, këta kishin qenë paramilitarë serbë që ishin në aksion “ të gjuetisë” nëpër shtëpitë e boshatisura shqiptare dhe për moment na ikin nga shënjestrat e armëve tona, por në anën tjetër ne vërtetuam se edhe në rrafshin e Opojës kishte përqendrime të madh të forcave të okupatorit serb.

OFENSIVA E OKUPATORIT DHE KUNDËRVËNIA E TRIMAVE TË LIRISË

Çfarë ndodhi më 16 maj 1999?

BERISHA:Këtu ishte një mobilizim i forcave serbe siç e kuptuam ne, për t’i eliminuar njësitet tona guerile, që vepronim në territorin e Prizrenit, konkretisht në rrethin e Vërrinit dhe të Opojës. Kjo ishte një ofensivë e përmasave të mëdha, siç i patëm përjetuar edhe më herët. Më konkretisht, ato ditë ishim vendosur në fshatin Malësi e Vërrinit, Hoxha ishte në Bllata, mbi Tusuz, ku edhe atje u patën zhvilluar luftime të ashpra, ndërsa tendenca e forcave armike serbe ishte për ta përsëritur skenarin e 11 marsit 1999.

Gjatë kohës sa ne gjendeshim ende në Malësi të Vërrinit, por falë pozitës gjeografike të këtij fshati, edhe pse u gjetëm të sulmuar nga të katër anët prej forcave serbe. Gjatë kohës, që ne po gjuanim vazhdimisht me snajperë në drejtim të fshatit Kushtendil, shokët nga prapavija na lajmërojnë se serbët po vinin edhe nga drejtimi i fshatit Lez, pastaj nga Shtavat, që ishte një pikë shumë e rrezikshme për ne dhe ne u detyruam që në një largësi diku 100-150 metra të gjejmë shteg, derisa forcat serbe ja arritën të na futin në rrethim, pastaj ata u drejtuan në drejtim të Prizrenit, pra drejtë lagjes Tusuz.

Kështu që do të pasojnë edhe luftimet e ashpra të 17 majit në Tusuz, ku ishte gjetur i rrethuar edhe Hoxha. Bilanci i këtyre luftimeve ishte, dy të plagosur lehtë nga ana e jonë, ndërsa nga pala armike ka pasur edhe të vrarë, dëshmitarë të kësaj lufte janë edhe banorët e mbetur të kësaj lagjeje. Po atë ditë unë e dërgova edhe një ekip ushtarësh për ta kuptuar gjendjen e njësitit të Hoxhës, në kuadër të këtij njësiti ishte Setkija, Struga dhe Ramizi, me atë rast plagoset Struga, i cili merr një plagë të lehtë, por megjithatë në ato luftime njësitet tona nuk u dëmtuan.

Kur jemi te njësitet, cili ka qenë morali i luftëtarëve të këtyre njësiteve për luftë të mëtutjeshme dhe kush ishin ata?

BERISHA:Morali i luftëtarëve tanë, pra të njësiteve tona të brigadës 125 të UÇK-së, ka qenë shumë i lartë për luftë, ne gjithmonë e kemi menduar një luftë të gjatë kundër ushtrisë serbe. Ushtarët tanë kanë pasur motiv dhe moral të pathyeshëm për luftë, ndoshta edhe me vite sikur të zgjaste ajo, sepse ata e dinin se luftonin për çlirimin e atdheut tonë Kosovën dhe pikërisht ky moral i tyre, ne si komandantë, pra mua edhe Hoxhën na jepte kuraje për aksione të pandërprera kundër armikut. Ndërsa unë do t’i përmendi disa nga luftëtarët tanë, ndoshta ndonjë edhe mund ta harroj, sepse kam aq shumë emra gjatë veprimtarisë dhe luftës sime, sa që është e pamundur të mbahen mend të gjithë. Këta janë: Samidin Xhezairi-Hoxha, Zafir Berisha, Isa Berisha, Mirsad Berisha, Rrustem Krasniqi, Setki Berisha, Refet Krasniqi, Hajredin Krasniqi, Flurim Islamaj, Shkelzen Bahriu –Struga, Feridin Berisha, Haxhi Berisha, Jeton Gashi, Ramiz Shehu, Sadik Gashi, Isa Gashi, Qerkin Krasniqi, Milaim Poniku, Urim Krasniqi, Besnik Berisha, Afrim Shala, Naser Bytyqi, Ylber Dërvari, Nuhi Shipkovica, Zikri Gashi, Qazim Shala, Garip Berisha, Shukri Gashi, Hizer Muja, Arben Kryeziu, Fazli Shala, Fahri Osi, Artan Beshi, Agim Morina, Hajri Kurtaj, Visar Krasniqi, Astrit Mehmetaj, Izet Aliu, Besnik A. Berisha, Arsim Pulaj, Hafiz Thaçi, Besnik Krasniqi, Valbona Shala, Bahrie Shipkovica dhe Xhylsere Berisha (motra e dëshmorit Bekim Berisha).

Po më 21 maj 1999 mbi Kushtrim, ç‚ndodhi ?

BERISHA:Kjo është një ditë e veçantë për shkak të një aksioni të rrufeshëm, të cilin e morëm kundër forcave armike serbe në fshatin Kushtrim (Billushë). Serbët ishin të pozicionuar nëpër istikame, ndërsa ne me disa ushtarë i sulmojmë ata, por ky nuk ishte aksioni i vetëm i atyre ditëve. Me një pushkë snajper, që e kishim, shërbeheshim të dy njësitet, herë e përdorja unë e herë Hoxha dhe natyrisht nuk ka kaluar ditë pa e ndërmarrë ndonjë aksion me të, duke shtrirë për dhe policë e paramilitarë serbë, prandaj edhe sulmi në Kushtrim ishte në kuadër të këtyre aksioneve dhe sulmeve të vazhdueshme, që ia bënim armikut si nga njësiti i Hoxhës mbi Prizren, ashtu edhe nga njësiti i ynë në Vërri dhe Opojë.

Si mbaheshin lidhjet në mes këtyre dy njësiteve?

BERISHA:Lidhjet kuptohet i mbanim përmes ushtarëve, nga një herë shkoja edhe unë në drejtim të Tusuzit, sepse në gjithë territorin ishin të koncentruar forca të mëdha dhe lëvizjet tona duhej të ishin shumë të kujdesshme. Ishte një moment kur unë isha në Tusuz, kur kishte ndodhur vrasja e dy pleqve nga paramilitarët serbë. Ishte koha kur unë i vizitova edhe dy ushtarët tanë të plagosur nga beteja e 16 e 17 majit 1999, aty e pashë gatishmërinë e ushtarëve dhe të komandant Hoxhës për ta vazhduar luftën deri në fund. Dhe nga një aksion tjetër i komandant Hoxhës me njësitin e vet kundër forcave serbe, kah fundi i muajit, pason edhe ofensiva e madhe kundër banorëve civil në lagjen Tusuz, ku u martirizuan 25 civilë të kësaj lagjeje. Pra thënë shkurt forcat serbe e kryen një masakër mbi popullatën civile.

E VËRTETA PËR MASAKRËN SERBE NË TUSUZ

E përmendët masakrën e Tusuzit, si ndodhi, kur dhe kush u vra në këtë masakër, që e kryen forcat serbe mbi popullatën civile?

BERISHA:Kjo lagje dihet se gjatë gjithë luftës ka dhënë kontribut shumë të çmuar, por edhe shumë dëshmorë të kombit dhe luftëtarë të pushkës e të pathyeshëm ndaj kërcënimeve të armikut serb.

Prandaj barbaria serbe, ashtu edhe si herëve tjera, pas çdo humbje që i pësonte në përleshje me forcat e UÇK-së, ashtu siç vepruan kudo në Kosovë, edhe në Tusuz e përdorën të njëjtin skenar të krimeve. Pra, ata edhe këtë herë u hakmorën në popullatën civile, që u gjend nëpër shtëpitë e tyre në lagjen Tusuz të Prizrenit.

Masakra ndodhi më 26 maj 1999. Në fillim forcat serbe e rrethuan këtë lagje e pastaj i ekzekutuan të gjithë ata që i gjetën nëpër shtëpitë e tyre, pra gra, pleq e plaka e fëmijë. Në mesin e të masakruarve kishte edhe persona me të meta fizike, pra thjesht në këtë masakër, nuk u kursye asgjë shqiptare, e cila mjerisht u arrit edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe kolaboracionistëve, të cilët i ndihmuan armikut edhe në djegien e 250 shtëpive të kësaj lagjeje, kuptohet të selektuara. Të vrarët në masakrën e Tusuzit janë:Neki Gashi, Hesat Xhemshiti, Bejam Xhemshiti, Rafet Abdylmexhiti, Sami Abdylmexhiti, Shefik Abdylmexhiti, Behar Abdylmexhiti, Mirsat Osmani, Hyrmet Sylejmani, Bislim Çengaj, Selvinaze Çengaj, Salih Elshani, Ymer Thaqi, Avdi Berisha, Refki Berisha, Hajrim Arifi, Sani Bajrami, Selim Berisha, Feim Berisha, Xhemajli Poniku, Halil Poniku, Fazile Maqkaj, Njazi Muja, Rexhep Maqkaj, Fadil Ramadani, Ramadan Muja dhe dy të vrarë tjerë një javë përpara në lagjen Bylbyldere: Enes Muharremi dhe Fatmir Muharremi.

Pas masakrës së Tusuzit, të 26 majit, ku u vranë 25 civilë shqiptarë, cilat janë aktivitetet luftarake të njësiteve të UÇK-së në këto anë?

BERISHA:Edhe përkundër masakrës, që e bëri armiku serb mbi qytetarët e pafajshëm shqiptarë në lagjen Tusuz, ne luftën e vazhduam me taktikën tani më të luftës guerile, siç e kam thënë edhe më herët, të tipit Vietnamez, të ushtruar dhe të praktikuar konformë situatës gjeografike që e kishte tereni dhe aksionet tona asnjëherë nuk u ndërprenë. Me rëndësi është që të thuhet, mbase ndoshta po e përsëris se të dy njësitet e kishim vetëm një pushkë snajperike, të cilën brenda 24 orëve, e bartnim herë në njërin njësit e herë në tjetrin, kështu që armikut serb i bënim të nënkuptonte se armë të tilla kishim shumë në dispozicion e që krijohej frikë tek armiku.

Komandant Hoxha nga njëra anë bënte aksione në Cvilen, kundër forcave serbe, ndërsa unë nga ana e Lezit kam bërë sulme mbi serbët, do ta veçoj një rast derisa serbët po plaçkitnin dhe po i digjnin disa shtëpi në Kushtendil, ne i sulmuam, pastaj pasoi aksioni edhe në malet e Brutit, ku e sulmojmë një bazë të forcave serbe, e cila ishte e vendosur në malet e Brutit, me këtë rast vritet një paramilitar serbë. Kështu vazhdon seria e aksioneve tona të pandërprera kundër armikut serb në rajonin e Prizrenit, Vërrinit e të Opojës.

Cilat kanë qenë lidhjet e juaja me zonat tjera, me popullatën e qytetit dhe manovrimet e juaja në atë kohë?

BERISHA:Njësiti më i afërt për ne ishte njësiti i Kabashit, ku ne i dërgojmë edhe dy të plagosurit e betejës së 16 majit. Kontaktet tona kanë qenë shpesh edhe qytetarët, që kanë qëndruar nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa Nuhi Shipkovica dhe Ylli kanë mbajtur kontakte edhe me banorët e lagjes Korillë të Prizrenit, ku kemi manovruar dhe kemi nxjerrë edhe municion dhe armë nga kazerma e ushtrisë serbe, e cila ishte sulmuar nga ajrori nga forcat të NATO-s. 

Municioni i nxjerrë nga kjo kazermë nga ushtarët tanë, na ka shërbyer shumë, sepse atëherë të gjitha shtigjet tona për furnizim nga Shqipëria veç ishin mbyllur. Pastaj ato ditë ishte në pyetje edhe aksioni i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së „ Shigjeta“, që zhvillohej përgjatë vijës kufitare me Shqipërinë, për të cilën ne e kishim për obligim, ta para përgatitnim terenin e Vërrinit, për një hapje të korridorit të tretë, nga Koretniku, pra në Prizren, mbi lagjet e Prizrenit, nëpër territorin e Vërrinit, për të dalë në Opojë deri në malet e Koretnikut. Këto ishin edhe momentet e kulminacionit të luftës, që e bënte UÇK-ja, në gjithë territorin e Kosovës. Pra ishte momenti që në Kabash ishte brigada 125 me një numër më të madh ushtarësh, në kushte tjera që vepronin, aty ishte edhe një pjesë e komandës së brigadës 125, kur diku nga fillimi i qershorit, në territorin e Vërrinit kalon edhe komandanti i brigadës 125 Nehat Basha, i shoqëruar nga një numër ushtarësh. Fillimisht ai bie në kontakt me Samidin Xhezahirin- Hoxhën, mbi qytetin e Prizrenit dhe pastaj kalon në fshatin Malësi e Vërrinit ku ishim të vendosur ne dhe natyrisht njoftohemi hollësisht për të gjitha ngjarjet dhe rrethanat që ishin krijuar në kuadër të ZOP-it, ku komandant Basha kishte manovruar në disa fushëbeteja dhe natyrisht u bisedua edhe për operacionin e forcave të UÇK-së në brendi të Prizrenit.

HYRJA TRIUMFALE E UÇK-SË NË PRIZREN

Pas kapitullimit të ushtrisë serbe dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, si u gjetët ju në atë kohë?

BERISHA:Ishin momentet përfundimtare të luftës, ne me vëmendje po i përcillnim edhe lëvizjet që ndodhnin në skenën ndërkombëtare, rreth luftës në Kosovë, natyrisht aksionet e forcave ajrore të NATO-s dhe ajo marrëveshje që u bë, por ne kishim informacione se forcat këmbësore në Prizren do të hyjnë në 13 qershor 1999, por kjo ndodhi më 12 qershor 1999 , për shkak se siç është i njoftuar edhe opinioni se nga Serbia në drejtim të Kosovës drejtohen forcat ruse dhe natyrisht ishte një hap para forcave të KFOR-it gjerman. 

Ato ditë u bë edhe ngritja e flamurit në fshatin Malësi e Vërrinit ( në gjaminë e fshatit) dhe në Shtava, ku ka qenë njëra nga pikat tona dhe kjo ngjarje ka ndodhur më 10 dhe 11 qershor 1999.

Me ngritjen e flamurit nga këtu simbolizonim se po shporren forcat armike dhe ishin këto momente kur forcat serbe ngritjen e flamurit e shihnin me sytë e tyre gjatë tërheqjes së armatimit të rëndë.

Duhet thënë edhe faktin se forcat armike edhe gjatë tërheqjes së tyre mundoheshin që të provokonin, por këto provokime tani ishin me armë të lehta. Ishte koha kur bëhej edhe pastrimi i terrenit në rajonin e Vërrinit. Dhe futja e njësitit nga Bllatat në brendi të lagjes Tusuz, ku ishin edhe një numër i caktuar i ushtarëve, të cilët e kontrollonin terrenin. Futja në brendi të qytetit e komandant Hoxhës me njësitin e vet, ishin këto momentet përfundimtare të luftës, kur forcat serbe largoheshin në panik nga Prizreni. Derisa unë me njësitin tim po zbritnim në fshatin Kushtrim, forcat serbe ende ishin në Hoqë të Qytetit dhe kur ne zbritëm në fshatin Gurrë, serbët ende ishin edhe në Vlashnje, në ato momente na vijnë informata se kishin maltretuar qytetarë që po ktheheshin nga Shqipëria, pas forcave të KFOR-it, pra edhe pse forcat gjermane kishin hyrë në Kosovë, që serbët ende ishin nëpër disa pika duke u grumbulluar. Unë me disa ushtarë depërtojmë në Tusuz dhe kontaktoj edhe me Hoxhën dhe aty takohemi edhe me një pjesë të komandës së Zonës Operative të Pashtrikut dhe të brigadës 125, me të cilët u konsultuam dhe morëm detyrat për pastrimin e qytetit nga elementet kriminale serbe si dhe kujdeseshim për mbajtjen e qytetit nën kontroll të UÇK-së.

Si e përjetuat hyrjen në Prizren?

BERISHA:Në momentin kur po përgatiteshim në një shtëpi afër spitalit, ku ishte edhe zv.komandanti i ZOP-it, Sadik Halitjaha me stafin komandues të zonës e që ishte edhe komandanti i brigadës 125 Nehat Basha, isha unë, ishte Samidin Xhezairi-Hoxha, i cili veç e kishte bërë një lëvizje deri në thellësi të Prizrenit, me një grup ushtarësh. Për ne ato çaste ishin shumë emocionale.

Atë ditë kishte ardhur edhe një pjesë e komandës së brigadës 124, me Skender Hoxhën, e që një njësit i kësaj brigade kishte depërtuar deri në pjesët e Ortakollit, të Arbanës, në Bazhdarane kishte hyrë edhe një pjesë e njësitit të Kabashit, të cilit i printe Ekrem Rexha -Drini, Selim Krasniqi dhe Lulzim Kabashi. Pra ishin këto momente kur njësitet e UÇK-së marshonin drejtë qendrës dhe pritja e qytetarëve ishte madhështore dhe e pa përshkruar ndoshta edhe nga penda më e mprehtë poetike. Pritja e qytetarëve bëhej me lule, flamuj, daulle, zurla, muzikë, këngë e valle, pra atë ditë jeta në Prizren, filloi për herë të parë, të frymojë lirshëm.

Qytetarët filluan t‘i përjetojnë çastet e para të lirisë aq shumë të pritur për Kosovën. Ishin këto çastet e pra kur forcat armike serbe përfundimisht po largoheshin nga Prizreni dhe Kosova. Kjo ditë ishte data 13 qershor 1999, sepse siç e thashë më 12 qershor 1999, forcat e KFOR-it gjerman kishin depërtuar deri në Prizren, ku natyrisht njësitet tona ishin afër qendrës së qytetit, këtë më së miri do ta dëshmojnë edhe banorët e lagjes Hoqamahallë, që na kishin mbajtur edhe gjatë luftës, por edhe ato ditë njësitet e UÇK-së. Ndërsa një numër tjetër edhe në lagjen e Kurillës, pra me një fjalë ne kishim qenë në brendi të qytetit dhe ishim të përgatitur për ndonjë masakër eventuale, që mund ta ndërmerrnin forcat serbe mbi qytetarët tanë civilë në Prizren. Prandaj kjo frikë për popullin, ne na detyronte që edhe më tej të ishim në gjendje gatishmërie për çdo të papritur eventuale që mund të ndodhte.

Po takimet e juaja me ndërkombëtarët?

BERISHA:Takimet tona të para me delegacionin e KFOR-it u mbajtën në lagjen Tusuz. Në këtë takim ishte një delegacion nga KFOR-i gjerman, të cilët ishin oficer dhe nënoficer. Të shtoj se në këtë takim, një gjë që më bëri përshtypje ishte fakti se në kuadër të këtij delegacioni të ushtarëve gjerman ishte edhe një shqiptar me origjinë nga rrethi i Burimit, i cili nga fytyra shihej se ishte shumë i emocionuar në atë takim me ne. Në ato çaste ai e pyeti oficerin e tij, që ta lejonte të fliste në gjuhën shqipe, i cili edhe e lejoi. Dhe ky ishte takimi i parë me forcat e aleancës. Këtu pra kishte edhe shumë gazetarë, që ma merr mendja se kishte nga të gjitha qendrat mediale botrore. Pra ishte hera e parë që përmes medieve elektronike, që nga Prizreni të prezantoheshin ushtarët e vërtetë të UÇK-së, që deri në momentin e çlirimit qëndruan të pamposhtur nëpër vijat e frontit, me një vullnet të çeliktë dhe me një dashuri të pakufishme për lirinë dhe atdheun , për Kosovën.

Lufta si ka përfunduar. Çka mendoni, sa janë realizuar idealet e juaja dhe çfarë ka mbetur pa u bërë?

BERISHA:Nuk mendoj, që të gjitha ato që unë me vite të tëra i kam skalitur në shpirtin tim, pra që kam punuar dhe luftuar kur e deshi atdheu edhe me pushkë në dorë, se janë arritur të gjitha, por mund të them se një përqindje e mirë e atyre idealeve të mia është përmbushur. Natyrisht para nesh e kemi edhe një rrugë mjaftë të gjatë drejtë pavarësisë së Kosovës, rrugë në të cilën unë jam optimist se do ta arrijmë, kuptohet, Kosova një herë e përgjithmonë duhet të jetë e pavarur dhe demokratike. Duhet të jetë një shtet me synime drejtë zhvillimeve evropiane dhe botërore dhe në këtë udhëtim të Kosovës me gjithë forcat e mia, deri sa ta kem edhe pikën e fundit të gjakut në damarë do të punoj, veproj dhe luftoj për atdheun tim e secilin herë të më duket se kam bërë pak.

Cili ishte pozicioni i juaj deri në transformimin e UÇK-së në TMK?

BERISHA:Unë në atë kohë isha shef i brigadës 125 të UÇK-së, në këtë post kam qëndruar deri në momentin e transformimit të UÇK-së në TMK.

Gjatë kësaj periudhe për veç përshtypjeve të mira kam përjetuar edhe momente të vështira nga individ dhe grupe të caktuara, të cilët në qytet me porosi ndoshta edhe nga qarqe të caktuara, të cilët nuk ja donin të mirën Kosovës dhe UÇK-së me uniformën e të cilës gjithmonë manipulonin. Qëllimi i këtyre njerëzve ishte që simpatinë, të cilën e kishte popullata e Prizrenit dhe e Kosovës për UÇK-në në një mënyrë ta zbehin.

Pra, ishin këta njerëz misionarë të caktuar, që me uniformën e UÇK-së të bëjnë lloj- lloj krime, vjedhje dhe gjithë çka që nuk ishte në etikën e ushtarëve të UÇK-së, të cilët qëndruan, luftuan dhe u vranë maleve anë e këndë Kosovës.

Unë e kam thënë dhe e them me përgjegjësi se njerëz të caktuar kishin blerë uniforma me nga 20 marka gjermane dhe kurrë nuk i kishin dëgjuar krismat e pushkëve, erën e barotit e as fërshëllimën e plumbave përreth veshit. Por, këtyre njerëzve, ajo uniformë i është dashur për manipulime, gjë që kohëve të fundit kam pasur edhe konfrontime me individë të këtillë, të cilët u munduan ta njollosin UÇK-në me veprimet e tyre jonjerëzore dhe me qëllime antikombëtare.

Kam qëndruar shef i brigadës 125 deri në transformimin e UÇK-së në TMK. Në kohën kur shumë gjëra nuk shkonin në vijën e dukur. E kam të freskët një moment, kur babai i një dëshmori më kërkonte ndihmë e unë nuk isha në gjendje t’i ndihmoja, atëherë unë edhe sekretari im Isa Berisha e pamë të tepërt të qëndronim në atë pozitë, sepse masat mendonin se ne kemi diçka në dorë për t’iu ndihmuar, defakto ne nuk kishim asgjë. Ishte fillimi i tetorit, pasi që më 19 shtator UÇK-ja kalon në TMK dhe unë definitivisht largohem nga jeta ushtarake natyrisht kalova qytetar i lirë e që më vonë e fillova aktivitetin në jetën politike.

Ju ishit edhe këshilltar në Asamblenë Komunale?

BERISHA:Unë isha këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit në kuadër të PDK-së për afro gjashtë muaj pas zgjedhjeve lokale të tetorit të vitit 2000 dhe gjatë gjithë qëndrimit tim në ansamble, isha këmbëngulës që me qëndrimet dhe propozimet e mia t’i mbroja sidomos më të dëmtuarit nga lufta, ku në rend te parë ishin familjet e dëshmorëve, ku përkundër insistimit që bëra më 14 dhjetor, që të miratohet një vendim për t’i ndihmuar familjet e dëshmorëve edhe pse të gjithë këshilltarët e asamblesë e miratuan atë vendim, ai vendim edhe për 6 muaj rresht nuk u realizua e as sot e asaj dite dhe natyrisht i revoltuar nga të gjitha këto, që ndodhën ndaj shtresave të luftës, me njerëzit, të cilët më së shumti i dhanë luftës dhe lirisë së Kosovës, me injorancën që i bëhet kësaj shtrese të popullatës, me një moment të caktuar kur e vërtetova se Asambleja Komunale e Prizrenit deri në maksimum i injoron shtresat e dala nga lufta, si TMK-në, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, njerëzit e dëshmuar në luftë, me një farë forme nuk u del aspak në ndihmë këtyre shtresave, atëherë unë e pashë veten të tepërt në atë ansamble, që për mua vazhdon të jetë e paqartë orientimi i saj. Sepse të injorosh familjet e dëshmorëve, të atyre që e lanë çdo pëllëmbë të Kosovës me gjak dhe çdo kolltuk të atyre që janë dhe do të vijnë në pushtet, atëherë për mua ishte e paarsyeshme të vazhdoj qëndrimin në ansamble të tillë, sepse në fund të fundit unë konsideroj se votat që e kam marrë gjatë zgjedhjeve lokale i kam marrë nga ajo shtresë dhe nëse unë nuk e mbroj atë shtresë , e cila dha më së shumti për Kosovën dhe nëse nuk e realizoj asnjë qëllim për këtë shtresë, atëherë veten e kam parë të tepërt në një ansamble të tillë.

Po ashtu, ishit edhe në ballë të shumë lëvizjeve popullore që ndodhën pas luftës?

BERISHA:Edhe pse përfundimisht çizmja e rëndë e okupatorit serb është larguar nga Kosova, megjithatë pasojat e luftës ende ndiheshin. Ishim në krye të protestave me qëllim që ta sensibilizojmë opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, se mijëra shqiptarë ende janë të zhdukur dhe nuk dihet për fatin e tyre si dhe shumë të tjerë, që ende dergjen në burgje. Pra, me protestat për lirimin e të burgosjeve shqiptarë, që padrejtësisht mbahen në burgjet serbe. Pastaj për bashkimin e Mitrovicës.

Në ballë të protestave për mbrojtjen e vlerave të luftës, siç ishte rasti me forcat e KFOR-it rus, të cilat e kishin maltretuar njërin nga komandantët e lavdishëm të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit z. Ramush Haradinajn, pra ishim në përkrahje edhe të luftës sonë, në përkrahje të luftës së drejtë të popullit shqiptar dhe të luftës së UÇK (kombëtare) në Maqedoni dhe një varg protestash , që qyteti i Prizrenit ndoshta ishte shembull për të gjitha qytetet e Kosovës, të cilët ne të shumën e rasteve edhe na u bashkëngjitën.

Pastaj edhe për mes letrave të hapura drejtuar B. Kushnerit e më vonë H. Hakerupit. Pra, Prizreni ishte ideator e shumë kërkesave të parealizuara, që edhe sot e kësaj dite vazhdon t‘i ketë të parealizuara populli i Kosovës. Kështu që Prizreni ishte shembull për shumë çka dhe shpresoj që edhe në të ardhmen do të jetë shembull për të mirë drejt realizimit të shtetësisë së Kosovës.

Cili është vizioni i juaj, për të ardhmen e Kosovës?

BERISHA:Vizioni im është i qartë dhe i ngjashëm me të gjithë atyre shqiptarëve, që kanë në damarët e tyre gjak shqiptari, që kanë ndjenja dhe ndërgjegje të pastër shqiptare, sepse Kosova njëherë e përgjithmonë e ka larguar çizmen e okupatorit serb. Dhe natyrisht si të gjithë qytetarët e Kosovës, që ia duan të mirën atdheut edhe unë jam shumë optimist se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe demokratik, për të gjithë ata qytetarë që e pranojnë Kosovën si shtet dhe si vend të tyre. 

Kuptohet unë pres shumë nga zhvillimet e reja që na presin, duke shpresuar në një vetëdijesim të qytetarëve rreth së ardhmes së Kosovës dhe atyre që do të udhëheqin me Kosovën. Sepse parlamentin e ardhshëm të Kosovës e presin shumë punë, të cilat do ta dëshmojnë vendosmërinë tonë për krijimin e shtetit, në të kundërtën do të përballemi me sfida të reja e të paparashikuara, sepse nga faktori ndërkombëtar sa ka që ja duan të mirën Kosovës ka edhe aq që donë të përfitojnë nga situata në të cilën ndodhet aktualisht Kosova.

Cili është mesazhi juaj?

BERISHA:Porosis bashkëqytetarët e mi dhe të gjithë Kosovës, duaeni atdheun tuaj, punoni për të mirën tuaj, të mirën e fëmijëve tuaj, që të rriten të lirë në atdheun tonë të dashur, Kosovën e lirë dhe shtet të pavarur e të inkuadruar në gjirin shteteve më të përparuara të botës.

( Biseda u zhvillua më 4 korrik 2001, në Gurrë (ish-Poslisht) 

 

II

Vështrime, prononcime, fotografi lufte

FITORJA E LDK-së NË PRIZREN FITORE E PIRROS

Me 24 maj të vitit 1992, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para të lira shumëpartiake, që përfunduan me sukses të njëanshëm. Zgjedhjet e para në Kosovë i paralajmëroi LDK-ja, i organizoi dhe përfundoi ajo. Këtë nuk mundemi me ia mohu se na vret Zoti. Shtrohet pyetja: A pati të drejt t’a bëjë këtë si parti politike? Këtë e di më së miri LDK-ja. Ne dimë tash për tash vetëm atë që e pamë dhe e përjetuam.

Fushata paraelektorale, që u bë në prag të zgjedhjeve në Kosovë, bënë të kuptojmë se te ne ende s’është kuptuar demokracia dhe sistemi shumëpartiak. Për këtë më së miri tregojnë faktet e poshtëshënuara.

Në kokat e disa “demokratëve” të vonuar ishte ngulitur mendimi, se në zgjedhjet e 24 majit me çdo kusht duhet të fitoi LDK-ja, për të arritur këtë bëri gjithçka, që është absurde për kohën e sotme. Fushata elektorale që është dashur të ndërpritet 24 orë para se të çilen vendvotimet nuk u bë, përkundrazi ajo vazhdoi deri sa përfunduan votimet.

Në shumë vendvotime aktivistët e LDK-së ndejën si “xhandar” para dhomave ku votonte populli dhe i detyruan që të votojnë kundër dëshirës së vet.

Për këtë janë dëshmitarë qindra votues, që patën rast të votojnë në 9 zona të Prizrenit. Për këtë dëshmojnë edhe kasetat e videos ku në disa vendvotime u bë incizimi me videokamera, që shihet qartë malverzimi i disa aktivistëve të LDK-së, duke ua imponuar votuesve që të votojnë kandidatin e LDK-së. Disa “demokratë” që deri dje mbanin librezat e kuqe të LKJ, sot e ngrenë zërin duke bërtitur,-votoni për LDK-në; Ai që e lëshon LDK-në është tradhtar; LDK-ja është kombi; Urdhër i I. Rugovës që të fitoi LDK-ja etj. Në një fshat ku zhvillonin fushatë elektorale, një titist me naivitet të pakontrolluar politik, kundër kandidatin e LDK-së e quajti tradhtar të kombit, sepse e ka lëshuar partinë etj.

Ndërsa në një zonë tjetër kandidati i LDK-së me shkollë fillore, lavdërohet dhe ngrihet në qiell, kurse kundër kandidati i tij doktor i shkencave të mjekësisë nënçmohet pa masë. Në një vendvotim tjetër, vëzhguesit e PRK-së zunë komisionin duke votuar vet për “popullin”. Pastaj në disa lagje të qytetit për “gjoja qëllim të sigurisë”, një individ shpërndau fletëvotime shtëpi për shtëpi, një ditë para votimit.

Këto dhe shumë gjëra të tjera që ndodhen gjatë zgjedhjeve, tregojnë se fitorja e LDK-së është e barabartë me fitoren e PIRROS.

Me këto zgjedhje shumë njerëz u bindën se edhe një si Igiqi, Tanaskoviqi të kishin paraqitur kandidaturën për LDK –në në ndonjë zonë të Prizrenit do të fitonin. Kjo është pasqyra reale e 24 majit dhe nuk duhet të kuptohet si fushatë kundër LDK-së.

Tek e fundit unë jam ai që kam anëtarësuar në fillim anëtar në LDK, ku disa frikoheshin edhe të anëtarësohen e sot gjenden në krye të saj.

Në fund është me rëndësi të përmendet se të gjitha këto që i ceka më lartë jam në gjendje t‘i them me emër e mbiemër dhe vendet se ku ndodhen këto.

Revista “GURRA”                                 Zafir Berisha Qershor 1992                                                                                                   


EVROPA DHE SHQIPTARËT

                Hordhitë barbare sllave, duke vërshuar që në mesjetën e hershme në Ballkan, sot në shekullin e atomit zhvillojnë një luftë ekspansioniste, me qëllim që të bëhet zot i saj.

                Populli shqiptar përkundër luftërave të pandërprera që bëri, sot e kësaj dite gjendet i copëtuar në disa shtete, i okupuar dhe i zhveshur nga të drejtat edhe më elementaret, pra përjeton një gjenocid të pashembullt në historinë e civilizimit njerëzor. Të gjitha këto “e sëmura e Ballkanit” po i bën para syve të Evropës.

                Por, si duket Evropa po i bën sehir çështjes sonë, vetëm e vetëm për të mos u prishur me Serbinë. Prandaj, s’na mbetet rrugë tjetër, që për pavarësinë e plotë të Kosovës, të mbështetemi në forcat tona të brendshme e jo me t’u besojmë deklaratave boshe të karingtoneve e të micitakiseve.

                Atë që na ofron sot Evropa, bien ndesh me vullnetin tonë të shprehur në referendum, kështu që kauza shqiptare ka hyrë në fazën e fundit më të rrezikshme dhe me këtë gjendemi para një provimi tejet të rëndë. Se a do të përgjigjemi me sukses në këtë provim varet nga përgatitjet tona.

                Në vitin e kaluar u mur një iniciativë shumë e qëlluar për mbajtjen e një Kuvendi për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar, por si duket kjo ide që në hapat e parë pësoi trauma të rënda. Disa krerë partiakë, duke zhvilluar një politikë demagogjike, më së shumti i dhanë rëndësi autoreve të kësaj iniciative se sa vet rëndësisë së këtij kuvendi. Se për çfarë arsye u hesht kjo nismë, më së miri e dinë ata që e filluan. POR NJË GJË DUHET TA DIMË TË GJITHË, SE DËSHIRA PËR BASHKIM KOMBËTAR NUK ËSHTË NJË DËSHIRË E SOTME, POR ËSHTË E KAHERSHME DHE KJO JO SE NUK JU PËLQEN SHQIPTARËVE, POR KJO NUK I PËLQEN EVROPËS E TË TJERËVE.

                Rruga për realizimin e kësaj dëshire është e rëndë dhe me plotë sakrifica… Lirinë dhe demokracinë nuk mund të na sjellin të tjerët, atë duhet ta fitojmë vet, për ta shijuar më ëmbël.

                Populli shqiptar që nga viti ’81, por edhe më herët zhvilloi një luftë paqësore për zgjidhjen e problemit. Këtë rrugë po e ndjek edhe sot e do ta ndjek edhe nesër po të jetë e frytshme. Evropa dhe SHBA-të e dinë se çfarë i ofruan Sllovenisë, Kroacisë dhe BeH para se të shërbehet Jugosllavia, por me një luftë të pa kompromis i prunë para aktit të kryer që t’i pranojnë si shtete të pavarura dhe sovrane. A do të jemi të zot që ta bëjmë edhe ne një punë të tillë, për këtë duhet të bisedojmë pa humbur kohë… në të kundërtën gjendemi para një rreziku të ç’farosje fizike, pra para thënies hamletiane “Të jesh apo të mos jesh”.

                Zgjidhja e çështjes sonë është në duart tona, ne jemi ajo forcë lëvizëse, kurse Evropa është pjesë ndihmëse e saj.

Revista “GURRA”                    Zafir Berisha Korrik-Gusht 1992

 

AKTET KRIMINALE TË PUSHTETIT SËRB

                Aktet flagrante të dënimit të nëntëmbdhjetë (19) shqiptarëve në gjyqin e Pejës dhe të atyre shtatë (7) në gjyqin e Prishtinës, këto ditë shkaktuan indinjatë të thellë edhe te banorët e regjionit të Vërrinit.

                Është me rëndësi të theksojmë se ndaj këtyre dënimeve pati reagime të shumta edhe nga partitë politike dhe subjektet tjera të kësaj ane.

                Në mesin e reagimeve të shumta është edhe ai i kryesisë së Partisë Parlamentare, Dega në Prizren, në të cilën thuhet: Se shprehim indinjatë të thellë ndaj akteve kriminale të pushtetit serb, i cili me këto dënime edhe një herë dëshmoi brutalitetin e tij të egër.

                Dënimi i njëzetegjashtë (26) shqiptarëve në Pejë dhe në Prishtinë, u bënë me qëllim që të arsyetohen sjelljet barbare të policisë serbe ndaj popullit shqiptarë. Por, kjo kurrsesi nuk duhet të na frikësojë, përkundrazi duhet të na jap forcë e guxim, që të vendosur ta çojmë rrugën tonë deri në fitore të plotë, -thuhet ndër të tjera në reagimin e kësaj dege.

Revista “GURRA”                              Zafir Berisha Nëntor 1992


KU U TRETËN KOMUNISTËT?!          

                Çështja shqiptare në ish Jugosllavi gjithnjë e më shumë po largohet nga vija e drejtë për zgjidhjen definitive të saj, vijë kjo e cila u përcaktua në Kuvendin e Lezhës (1444), e që me gjak u mundua ta jetësoi Kuvendi i Prizrenit (1878).

Se ku janë defektet për këtë është një çështje në vete, që kërkon qasje serioze.

Siç dihet, deri më 1989 në Kosovë ishin afro 80 mijë komunistë, të cilët me dinjitet të madh i shërbyen politikës shovene të Serbisë, për të realizuar programin e njohur famëkeq të LKJ-së për Kosovën. Pas ndryshimeve që u bënë, vetvetiu shtrohet pyetja: Ku u tretën këta njerëz, të cilët deri dje ishin më të zëshmit si në RTV, shtyp, në mbledhjet e komiteteve… dhe e dënonin me shpirt “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar”? Sigurisht që janë në mesin tonë dhe nëse 70% të tyre nuk janë aktivizuar në rrjedhat aktuale, 30% nga ata (mos më tepër) janë në krye të partive politike. Se çfarë politike bëjnë ata nuk është vështirë ta kuptosh.

                Kohëve të fundit dëgjohen disa zëra, të cilët hapur dalin në mbrojtje të njëfarë “autonomie”, “statusi special” për Kosovën dhe e komentojnë atë si fazë kalimtare drejt realizimit të qëllimeve tona.

                Kush janë ata, që e përligjin vullnetin e popullit? Pa ngurim them, se janë ata që nuk mund të shkëputen aq lehtë nga privilegjet e deridjeshme.

                Mbajtja e tribunës në Tetovë dhe njohja e Maqedonisë nga OKB-ja, i nxori në shesh disa shqiptaro-komunistë, të cilët e sulmuan të parën e u vunë në përkrahje të së dytës.

                Maqedonia u pranua si shtet i pavarur, dikush thotë me kusht - s’ka rëndësi, por, kush ua garanton të drejtat shqiptarëve në këtë shtet, të cilat nuk i kanë. Për mendimin tim, shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet ta njohin këtë shtet, derisa nuk u njihet e drejta e tyre për vetëvendosje.

                Në anën tjetër, po qese Maqedonia njihet si shtet, nga Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës, pa ju dhënë të drejtat shqiptarëve atje, nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si akt tradhtie ndaj popullit shqiptar.

Revista “GURRA” dhe më vonë “ZËRI I KOSOVËS”            Zafir Berisha Prill 1993

 

REZISTENCA PASIVE SHFAQ BOTËRISHT DOBËSITË TONA

                Populli shqiptar, në historinë e tij, kaloi kohë të vështira. Ai gjendet sot para një të ardhme edhe më të vështirë.

                Viti, thonë disa, është pikë uji në historinë e një populli. Ndërsa unë them se viti është vulë në historinë e një populli. Ai mund të jetë një pikë uji në histori, bile pikë që nuk shihet as me mikroskop, vetëm kur merr me vete kujtimin e protestave gojore, atyre protestave që mbesin vetëm fjalë.

                Mirëpo, viti mund të jetë edhe vulë e madhe ngjarjesh historike, siç ishte në vitin 1444 Kuvendi i Lezhës, në vitin 1878 Kuvendi i Prizrenit, në vitin 1912 Kuvendi i Vlorës, etj. Dhe kur i mendon njeriu këto, të vije patjetër pyetja: a ishin të tjerë shqiptarë ata që vepruan atyre viteve, të cilët u bashkuan dhe luftuan për atë që ne sot japim mendime, propozime dhe s’lëvizim fare nga vendi. Dhe ndonëse jemi popull te i cili gjenden fillet e civilizimit, e kulturës njerëzore; një popull që i ka mësuar të tjerët se që ç’është jeta, ç’është familja, ç’është shteti; që i ka mësuar edhe egërsirat e Karpateve të Azizë si të jetojnë; një popull që ka dy Akademi Shkencore, mijëra intelektualë të profileve të ndryshme,… ndodhet sot i ndarë e i përçarë, i shtypur e i robëruar, pa një program të vetin kombëtar.

                Është gabim të mendohet se ato që bëri Skenderbeu, Abdyl Frashëri dhe Ismajl Qemali i takojnë të kaluarës, siç është gabim të thuash se ka kaluar koha e Çerçiz Topullit, Mic Sokolit, Idriz Seferit e të tjerëve.

                “Shqipëria ka pasë shumë armiq, por armiqtë kryesor të saj janë vet shqiptarët”- ka thënë dikur Faik Konica. Do të dëshiroja që këto fjalë të mos ishin një realitet i hidhur. Por, e keqja është se rezistenca jonë paqësore e pasive, të cilën po e ndjekin politikanët tanë, po i bëjnë realitet. Kjo rezistencë paqësore pasive, pa dyshim, e tregon kuadrin tonë politik, i cili gjendet në ballë të popullit mjaftë të dobët, njëherësh edhe qëndrimin e politikës zyrtare të shtetit amë jo të qartë ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi. Pajtohem se është e tepërt dhe marrje me vetveten të merremi me atë apo këtë person nga partitë politike, në kohën kur para nesh gjenden detyra më të mëdha kombëtare, mirëpo është dëm dhe njëherësh largim nga vija e realizimit të aspiratave të popullit shqiptar, kur u imponohet partive tona një vijë politike, e cila qon ujë vetëm në mullirin e armikut dhe krijon një opinion të gabuar në Evropë se ne jemi dy popuj.

                Meqë gjendja jonë kaq e vështirë, para forcave përparimtare sot shtrohet një punë e madhe që do sakrifica, në të cilat duhet shfrytëzuar të gjitha format e rezistencës, jo vetëm të asaj paqësore. Kisha për të theksuar katër detyra kryesore:

Këshilli Koordinues i partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavinë

të konsolidohet me përfaqësuesit e të gjitha partive aktive nga territoret e okupuara shqiptare.

                b) Partitë politike shqiptare në Maqedoni të mos hyjnë në koalicion me asnjë parti jo-shqiptare për interesa partiake.

                c) Të punohet në atë drejtim që Qeveria e Kosovës të veprojë atje ku jeton populli e jo nga Diaspora.

                d) Të punohet me nxitim për bashkimin e të gjitha subjekteve politike shqiptare në një Kuvend mbarëshqiptar, nga i cili do të dalë një program i përbashkët dhe me të cilin do t’i tregonim botës se jemi një popull dhe se dëshirojmë që të jetojmë të pandarë.

                Kur flitet për Konstituimin e Parlamentit dëshiroj të shtoj se ai do të ketë edhe më tutje legjitimitet për popullin shqiptar (edhe pse kjo ndoshta nuk i pëlqen dikujt), siç ka legjitimitet Kushtetuta e Kaçanikut.

Revista “QËNDRESA”       Zafir Berisha Nëntor 1994

 

MARRËVESHJA ËSHTË NËNSHKRUAR PËR TË DËSHTUAR

                Marrëveshja e nënshkruar nga kryetari i Serbisë S. Millosheviq dhe qytetari pa identitet politik nga Republika e Kosovës, i cili quhet Dr. Ibrahim Rugova, është e njëjtë me nënshkrimin në akull kur e lë në diell.

                Marrëveshja e cila parasheh « kthimin e fëmijëve dhe arsimtarëve shqiptarë në shkolla », përveç që është e mangët, ajo është edhe pa vend, sepse me të parapërgatitet tereni për një zgjidhje parciale të problemit të Kosovës, i cili mund të përfundojë me një autonomi. Kryetari i LDK-së I. Rugova me nënshkrimin e tij pranë një kryekrimineli (i cili në marrëveshje na del humanist i madh) tregoi paaftësi politike dhe njëherit i dha krah politikës fashizoide të Serbisë për t’u avansuar në politikën ndërkombëtare.

                Rugova me këtë marrëveshje tregoi para popullit fytyrën e vet dhe klikës së tij pacifiste se nuk është në gjendje të bëjë me shumë se një nënshkrim me ata që na vrasin. Ai duke shkuar sipas një fjale popullore: «Vetë pashë, vetë supashë» mohoi të arriturat me sakrifica të popullit, duke mos e njohur Republikën e Kosovës dhe organet legjitime të saj.

                Se Rugova nuk e njeh Republikën e Kosovës atë e tregon edhe nënshkrimi i «Dogovorit», por që s’e njeh as qeverinë e Repulikës së Kosovës, atë e dëshmoi me vizitat e fundit në Gjermani dhe me injorimin e vendimit të qeverisë për shkollat.

                Shtrohet pyetja kush është LDK-ja? LDK –ja është një parti politike si shumë parti të tjera në Republikën e Kosovës. Ndërsa në Kosovë ekzistojnë organet shtetërore që mund të merren me çështjen e saj e jo Lëdëkëistët.

                Se çka fituan shqiptarët me këtë marrëveshje atë po e tregon koha. Kurse fitorja e serbëve është e madhe, sepse ata i treguan botës se janë një shtet «demokratik» dhe ua liruan shkollat shqiptarëve.

                Marrëveshja përpos përkrahjes verbale dhe euforike që iu bë nga parti, shoqata e individë që nuk mendojnë me kokën e vet për situatën, ajo hasi edhe në zërin e arsyeshëm të kritikës nga personalitete të kulturës dhe politikës shqiptare, A. Demaçi, R. Qosja, E. Statovci, UNIKOMBI, PPK dhe masa e gjerë e ndërgjegjshme që po vuan nën okupimin e egër serb.

                I pyetur nga gazetarët për kritikat e A. Demaçit lidhur me marrëveshjen, Rugova me vagabondizmin e vet injorant tha: «Demaçi ka të drejtë të kritikojë!» pa u futur në thelb të asaj se është apo jo kritika me vend.

                Rezistenca rugoviane, që ndryshe mund të quhet rezistenca e nënshtrimit, me këtë marrëveshje arriti kulmin, kur mendoj se është momenti i fundit t’i thuhet stop, kur njëherit duhet të dalin në skenë njerëzit të cilët plogështinë e krijuar nga Rugova me suitën e tij ta shndërrojnë në forcë e guxim për të vazhduar luftën e lënë në gjysmë-për liri.

                Për «Dogovorin»Rugova-Millosheviq na i erdhi radha të na shkruajë edhe Mehmet Maloku në shkrimin «Kush e kritikon kryetarin e Kosovës për marrëveshjen e arritur».

                Zotëria doli si kërpudha pas shiut në opinion duke kritikuar në mënyrë naïve të gjithë ata që nuk mendojnë si ai dhe Rugova i tij për «Dogovorin». Bile aq kokë gjeniale na qenka ky, sa e paska vërtetuar se 98% e popullit e paska përkrahur marrëveshjen e vetëm 2% jo, kurse ata sipas tij qenkan A. Demaçi dhe R. Qosja.

                Prandaj, zotit Malokut dhe atyre që mendojnë si ai dëshiroj pa keqkuptim t’u them se ka përfunduar koha e atyre përkrahjeve verbale nga 3 mijë km. larg, ndërsa ata që e kritikojnë marrëveshjen janë në Kosovë, ndërsa unë dhe ti, që gjendemi larg atdheut të ndjekur nga Serbia të përkrahur nga LDK-ja, mund të mendojmë si të duam. 

Gazeta “BOTA SOT”                         Zafir Berisha       Tetor 1996 

 

MARRËVESHJA U NËNSHKRUA NGA DR. RUGOVA PA FUNKSIONIN E TIJ POLITIK

                (Reagim ndaj reagimit të Sylë Rugovës «Marrëveshja për kthimin e shkollave shqipe në Kosovë u nënshkrua nga kryetari legjitim i saj», botuar më 16.11.1996 në «Bota sot») 

                Redaksia e gazetës «Bota sot» ka bërë një punë të mirë me hapjen e debatit publik rreth marrëveshjes për arsimin shqip të nënshkruar nga z. Rugova-Millosheviq. Dhe ky debat natyrisht ka ngjallur interesim të madh tek lexuesit e saj, ngase aty u shprehën mendimet të ndryshme për ose kundër marrëveshjes në fjalë, gjë që ishte krejtësisht normale. Ky vlerësim pozitiv apo negativ i «dogovorit» në të cilin ka nënshkruar Dr. Rugova, siç doli nga shumë reagime të lexuesve, ishte një refleksion i prononcimeve permanente të subjekteve politike të asociacioneve të tjera shqiptare menjëherë pas publikimit të saj. Mirëpo, çka ndodhi gjatë kësaj periudhe?!

                Zëdhënësit e QIK-ut në Gjermani si: Sylë Rugova, Mehmet Maloku e ndonjë maloku tjetër, duke shfrytëzuar këtë debat konstruktiv, në stilin allah Enver malokçe, përdorën një arsenal akuzash e shpifjesh denigruese ndaj figurës madhore të qëndresës sonë kombëtare Adem Demaçit akademikut të nderuar Rexhep Qosja, kryeministrit Bujar Bukoshit e disa të tjerëve, të cilët me fakte të pakontestueshme marrëveshjen, gjegjësisht «dogovorin» e 1 shtatorit 1996 e trajtuan si një hap fatal kapitullues përpara pushtuesit serb.

                Sylë Rugova në reagimin e tij të fundit në vend se të shkruajë për këtë marrëveshje, i jep vetes të drejtën që deklarata publike të tri personaliteteve të lartpërmendur t’i komentojë sipas qejfit, bile shkon aq larg dhe merr guximin që Demaçin ta shpallë tradhtar, Qosjen si bashkëmendimtar të D. Qosiqit për ndarjen e Kosovës, Bukoshin keqpërdorues të Fondit të Qeverisë, blerës të vilave e çka mos tjetër. Sylë Rugova, nuk e kam ndërmend të merrem me akuzat e tilla tepër të ulëta dhe ta mbrojmë Demaçin, Qosjen, Bukoshin, Statovcin… ngase puna dhe vepra e tyre atdhetare i mbron vetë ata, por me këtë rast mund t’ju them se një ditë patjetër do të përgjigjesh judidikisht për sharjet, fyerjet dhe akuzat publike që ia bëni, sidomos A. Demaçit, i cili tërë jetën e tij e sakrifikoi për lirinë dhe pavarësinë e popullit të vet.

Kjo ditë besoj se do të vijë shpejt. Kaq për këtë.

Kur është fjala te marrëveshja “dogovori”, së cilës tashmë i ka dalë boja, është e vërtetë se ajo u nënshkrua nga Dr. Rugova pa atributin: Kryetari i Republikës së Kosovës. Sylë Rugova, kjo s’ka ndodhur krejt rastësisht, sepse po të kishte ndodhur e kundërta, satrapi Millosheviq s’do ta kishte nënshkruar atë paçavure. Prandaj nga këtu del konstatimi logjik se Dr. Rugova këtë marrëveshje “dogovor” s’e ka nënshkruar në cilësinë e kryetarit të Republikës së Kosovës, por siç del edhe nga përmbajtja e saj mjaft e tejdukshme, e ka nënshkruar si një qytetar i Kosovës pa funksion e identitet politik.

Me këtë veprim dhe sjellje të tjera jopolitike, Dr. Rugova s’e ka dëshmuar veten se është Kryetar i Republikës së Kosovës, prandaj është krejtësisht normale të them publikisht se ai mund të jetë kryetar i LDK-së, por jo edhe kryetar i Republikës.

Nga ana tjetër, bisedimet për arritjen e «marrëveshjes», derisa u zhvilluan në fshehtësinë më të madhe nga një klan politik, pa u konsultuar me institucionet kompetente, kanë shtuar dyshimin në opinionin se mund të kenë ndonjë sukses meritor.

Këtë e dëshmoi në intervistën dhënë «Kohës» edhe z. Selatin Novosella, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili thotë se «Për një marrëveshje, siç është çështja e arsimit në Kosovë, për të cilën nuk njoftohen Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit; për një marrëveshje që nuk njoftohet kryesia e LDK-së; për një marrëveshje që nuk njoftohet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së; për një marrëveshje që nuk njoftohen partitë parlamentare në Kosovë, (pra, jo vetëm që nuk merret mendimi dhe qëndrimi, por as që njoftohen) dhe nuk mund të priten rezultate në zbatimin e saj më shpejt dhe më mirë».

Kjo s’do koment! Këtë shkrim po e përfundoj me një përgjigje të kryetarit të LDK-së, Dr. I. Rugovës, dhënë në konferencën e fundit për shtyp, ku ai ndër të tjera thotë: «Shteti brina s’ka. Kur ta bëjmë shtetin e Kosovës, atëherë do t’i shihen edhe brinat». Allah – allah!!!

Gazeta “BOTA SOT”                         Zafir Berisha Nëntor 1996

 

ËNDËRROJA LUFTËN PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

Zafir Berisha, njëri nga luftëtarët më të shquar të Zonës Operative të Pashtrikut, dëshmon për luftërat e pareshtura që zhvilluan njësitet e UÇK-së të Zonës së Pashtrikut në rajonin e Vërrinit, Opojës, Prizrenit… Luftëtari i UÇK-së, i cili sot nuk është as pjesëtar i TMK-së, shpjegon çastet e dëshpërimit gjatë dhe pas luftës:

Gjithnjë kam ëndërruar të luftoj me pushkë në dorë kundër pushtuesit serb, për çlirimin e Kosovës. Në vitin 1993, pikërisht më 23 korrik, pra në kohën kur në Kosovë po forcohej pushtimi serb dhe politika pacifiste e cila po plogështonte shpirtin luftarak e të pamposhtur shqiptar, unë ndërmora aksionin e parë të armatosur në rajonin e Prizrenit, duke sulmuar stacionin e policisë serbe mu në qendër të Prizrenit. Ndërkohë isha larguar në Perëndim, por nuk vonoi dhe përmes vëllait tim, Shaniut, rashë në kontakt me Adem Grabovcin dhe Sejdi Gegën, me ç’rast mora instruksione për formimin e celulave të para të UÇK-së në Prizren. Më 16 janar 1997 erdha nga Gjermania në Kukës dhe u takova, në lidhje me çështjen e organizimit të UÇK-së, me Hajrim Çengën, i cili kishte ardhur të takohej me mua në emër të shokëve nga Prizreni. Takimet me celulën e parë të UÇK-së i mbanin Adem Grabovci, Azem Syla, Gafurr Elshani etj. Në tetor të vitit 1997, në Kosovë hyri kontingjenti i parë i armatimit. Më 9 maj 1998 hyra në Kosovë me katër shokë dhe filluam organizimin e UÇK-së në rrethin e Prizrenit. Më 22 maj 1998 ndërmorëm aksionin e parë, duke sulmuar trupat serbe që ishin të vendosur në konviktin e studentëve të SHLP. Më 26 qershor 1998, në kohën kur një grup luftëtarësh na ranë në kufi duke shkuar për armatim, ne dolëm publikisht në rajonin e Vërrinit, duke i vendosur pikat e frontit. Në këto ditë udhëtova për në Drenicë. Atje erdhi Bislim Zyrapi. Më 7 korrik 1998 u gjetëm në një rrethim të madh të ushtrisë armike, por me një heroizëm të paparë të luftëtarëve të lirisë arritëm të dalim nga rrethi, duke iu shkaktuar serbëve humbje të mdha. Më 16 korrik të njëjtit vit trupat agresore sulmuan pozicionet tona në Tusuz, Hoqë të Qytetit, Kushtrim, dhe pas katër orë luftimesh i thyem pushtuesit. Më 28 korrik 1998 njësitet tona ranë në pritën serbe, në Buqë të Opojës, mirëpo 63 djemtë të lirisë, ushtarë të UÇK-së heroikisht luftuan dhe pas 12 orë luftime fyt për fyt me armikun, i detyruam të tërhiqeshin, duke ua vrarë edhe kapitenin e tyre me mbiemrin Deniq. Më 15 gusht 1998, duke u kthyer nga Drenica, ra në pritë komandanti Remzi Ademaj -Petriti. Luftime të mëdha kemi zhvilluar kundër forcave serbe më 1,2,3 e 4 shtator 1998, ku heroikisht ranë në mbrojtje të atdheut 17 pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre shokët e mi më të mirë të jetës e të luftës: Xhevat Berisha, komandant për zbulim, Seladin Berisha, komandant i policisë, Agim Shala, komandant togu, Bekim Berisha…

Në marsin e vitit 1999 zhvilluam luftime të ashpra me soldateskën serbe në rajonin e Vërrinit. Fillimi i sulmeve të NATO-së na gjeti Brenda në Prizren, ku ramë në kontakt edhe me komandant Hoxhën. Në këtë kohë nis një etapë e re e luftimeve të përditshme dhe shumë të ashpra, kurse ne nisëm të përdorim taktikë të re, atë guerile. Ka pasur raste kur kemi luftuar në distancë vetëm pesë metra larg serbëve, kurse kishte luftime edhe fyt për fyti. Kjo taktikë e re e luftës së UÇK-së i kishte tmerruar serbët. Mbetet në kujtesë të gjatë beteja e 7 prillit në Kushtrim (Billushë), e 21 prillit në hyrje të Tusuzit, e 29 prillit në Arbëri, e 16-17 majit në vendin e quajtur Bllatë mbi Prizren, e 21 majit mbi fshatin Kushtrim, e 23 majit në Tusuz, lagje e Prizrenit, e 29 majit në malet e Opojës…

Gjatë luftës, çasti im më i gëzuar ishte kur më 13 qershor 1999, pas gjashtë vjet largimi nga Kosova, përsëri isha në Shatërvan, sheshi i Prizrenit, me ç’rast nuk besoja se isha në qytetin tim të dashur.

Çaste dëshpërimi kam pasur gjatë luftës, kur më janë vrarë bashkëluftëtarët. Por, ka ndodhur që edhe pas luftës të jem dëshpëruar, sidomos në rastet kur ndokush ka njollosur emblemën e UÇK-së. Jam i dëshpëruar edhe kur po shoh se nuk po përfillen familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës…

ZËRI Javor                  Agim Zogaj 2000

                 

Me Zafir Berishën, dje pjesëtar i UÇK-së, tani këshilltar i PDK-së 

“KUR BASHKËPUNËTORËT E SËRBËVE VIJNË NË PUSHTET, A THUA ÇFARË PRET POPULLI PREJ TYRE?” 

Zafir Berisha është njëri ndër të parët që e inicoi formimin e celulës së UÇK-së në rajonin e Prizrenit dhe mori pjesë aktive në të gjitha betejat, që u zhvilluan në malet e Vërrinit. Ai, pas demobilizimit të UÇK-së, merr pjesë aktive në jetën politike në komunën e Prizrenit dhe është këshilltar i PDK-së në Asamblenë Komunale në Prizren si dhe anëtar i Kryesisë së AV të UÇK-së. Me të biseduam për shumë çështje të ditëve të luftës dhe për ditët e pasluftës. “Betejën e Vërrinit e kam quajtur të humbur, sepse LDK-ja në Prizren, në vend që të shprehte keqardhje për humbjen e djemve më të mirë, ajo e kremtoi humbjen tonë me ahengje, si dhe lansoi edhe shumë fyerje për UÇK-në,- thotë sot z. Berisha

Gazeta e Re: Pse në fillim të viteve ’90 u larguat nga Kosova dhe shkuat në Perëndim?

Berisha: Shumë gjëra nuk shkonin sipas dëshirës dhe vet kërkesave të popullit shqiptar. Prandaj, për secilën ditë okupatori serb e shtrinte pushtetin e vet jo vetëm në organet shtetërore, por edhe në ndërgjegjen tonë. E shihja se nga dita në ditë filluam të bëhemi robër të durimit, madje edhe në momentet kur okupatori dëshironte të shtypte hudhra mbi kokën tonë me çekan, e ne të durojmë dhe të mos marrim ndonjë veprim. Unë as nuk isha mësuar e as që mund ta duroja një gjendje të tillë, të mjeruar, prandaj më 23 korrik 1993 ndërmora një aksion në stacionin e policisë, në ndërtesën e SPM-së në Prizren. Aksioni ishte i suksesshëm, por s’vonoi shumë dhe policia filloi të më përcjellë, prandaj u desh që urgjentisht të iki nga Kosova dhe të dalë në Shqipëri, prej nga pastaj shkova në Zvicër. Pas një viti vendosa përsëri të kthehem në Kosovë, sepse flitej se diçka ka filluar të lëvizte në interes të çështjes kombëtare, por sapo vij në Kosovë, konkretisht në shtëpi, organet e sigurimit marrin vesh se unë isha kthyer, kështu që së bashku me vëllanë, Shaniun, detyrohem të iki përsëri për në Gjermani

Gazeta e Re: A vazhduat të merrni me veprimtari kombëtare edhe në Gjermani?

Berisha: Fillimisht në Gjermani rrija pothuajse i vetmuar, por me kalimin e kohës u binda se shumë shqiptarë atje me vete e kishin marrë edhe shpirtin e Kosovës dhe bënin përpjekje që një ditë t’ia kthenin atë asaj. Ata vetëm kërkonin forma dhe mënyra si ta bënin këtë. Në këtë drejtim u angazhova edhe unë, ku nëpërmjet shumë tubimeve me mërgimtarë bënim përpjekje që t’i kundërvihemi politikës nënshtruese, që frymonte në Kosovë. Në janar 1997, me kërkesën e një grupi erdha deri në Kukës, për t’u takuar me Hajrim Çengën, të cilin e kishin caktuar shokët nga Prizreni për të biseduar rreth një organizimi aktiv edhe në Prizren e rrethinë. Me t’u kthyer nga Shqipëria, në Gjermani, me ndihmën e vëllait tim, bie në kontakt me Sejdi Gegën, Adem Grabovcin. Me Ademin i vazhduam një kohë të gjatë kontaktet, derisa i forcuam mirë lidhjet me ata që duhej për ta formuar celulën e parë të UÇK-së në Prizren. Gjatë kësaj kohe, pra pasi veç filloi të flitet për UÇK-në, politika nënshtruese, që s’tregohej e gatshme që çështjet me Serbinë t’i zgjidhte me gjuhën që na kërcënohej armiku, por mundohej ta etiketonte veprimtarinë, duke e quajtur ushtrinë tonë “pjellë të Serbisë”. E shihnim se deklaratat e kësaj politike të mjerë jo vetëm se e përkrahnin Serbinë me regjimin e saj, por dëshironin që gjakun e shqiptarëve ta shndërronin në ujë. Pra, në këtë kohë ne që ishim në Perëndim na u desh të merremi me organizime të tubimeve për ta bindur masën se UÇK-ja nuk është ajo që e trumbetonte Rugova me stafin e tij, por se është shpresa e Kosovës. Kështu, një ndër këto tubime, ishte edhe ai i ~izbadebit, ku mori pjesë edhe patrioti, tani dëshmor i kombit, Fehmi Lladrovci, i cili e demaskoi në mënyrë të qartë politikën e LDK-së.

Kur doli në skenë UÇK-ja, u bindëm se kemi mbështetje nga rinia

Gazeta e Re: Çfarë ju nxiti të ktheheni në Kosovë përsëri?

Berisha: Me shpërthimin e luftës në Drenicë, disa nga shokët tanë ranë në burg si Xhevat Berisha (tani dëshmor), Hajrim Çengaj e Mursel Osmani me disa të tjerë, ndërsa një pjesë e shokëve doli në Shqipëri, disa prej tyre mbetën në Kosovë, por me lidhje gati të shkëputura. Kështu u desh të kalojë një kohë, derisa unë rashë në kontakt dhe u njoftova me gjendjen, ndërsa me shokët që kaluan në Shqipëri realizoi një takim, në Tiranë, Shani Berisha dhe Minir Krasniqi, të cilët, me t’u kthyer në Gjermani, na njoftuan për gjendjen dhe atëherë më 6 maj 1998 u nisa për në Shqipëri. Pas dy ditëve, sa u konsultova me Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, që unë dhe Agim Shala (tani dëshmor), Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshaj dhe Xhelil Krasniqi të futemi në Kosovë dhe të vendosemi në malet e Vërrinit, duke mbajtur lidhje të përhershme me Selim Krasniqin, i cili u caktua furnizues për armatim, të cilin më vonë, kur ai hyn në Kosovë, e zëvendëson Shaniu.

Gazeta e Re: Kur erdhët në Prizren si e gjetët gjendjen, kur flaka e luftës e kishte përfshirë veç Kosovën?

Berisha: Pasi erdhëm në Kosovë, të parin nga shokët e takuam Seladin Berishën, tani dëshmor, dhe kështu filluam të merremi me organizim që nga zeroja. Fatmirësisht, organizimi ynë u tregua i suksesshëm dhe kur dolëm në skenë pamë se kemi përkrahje të madhe nga rinia, gjë që edhe ne nuk e kishim pritur. Me këtë rast mund të them se UÇK-ja nuk ishte rastësi, por ishte një vazhdimësi e mundit dhe sacrificës, që e bënë djemtë e gjithë Kosovës martire me vite të tëra, e pse jo edhe disa prizrenas.

Gazeta e Re: Çka mund të veçoni nga aksioni i parë i UÇK-së në rrethin e Prizrenit?

Berisha: Nga aksioni i parë mund të veçoj 22 majin e vitit 1998, kur, nëpërmjet veprimeve tona të organizuara mirë, bëmë matjen e pulsit se si po reagojnë forcat serbe, por në anën tjetër ky aksion do të bëhet edhe shkak i burgosjes së një grupi të studentëve nga Prizreni.

Parullat e LDK-së kundër UÇK-së nuk mund t’i mendonte as regjimi serb

Gazeta e Re: Sa e përkrahën subjektet politike në Prizren UÇK-në, në ditët e para të daljes në skenë?

Berisha: Subjektet politike, përpos që nuk e përkrahën luftën tonë as në fillim e as qoftë edhe një minutë, ato në forma të ndryshme u munduan ta pengojnë në çdo mënyrë. Me këtë rast dua të shtoj se, gjatë ditëve të luftës, LDK-së, e cila nëpërmjet “satelitëve” të vet u mundua të futë frikë në popull, nëpërmjet një shërbëtori të saj i dërgova fjalë kërcënuese: “Se po vazhduat të përhapni në popull edhe më tej propagandë kundër UÇK-së, do t’ju hedh në ajër me gjithë barakë”. Por ata përsëri, edhe pas këtyre kërcënimeve e vazhduan punën e tyre, por tash me forma të reja, duke e ftuar policinë në ndihmë, që ta frikësojnë popullin. 

Gazeta e Re: Si erdhi Remzi Ademaj, komandant i Shtabit lokal të UÇK-së, në Prizren?

Berisha: Me daljen e Xhevatit me disa shokë nga burgu, organizimit tone iu shtua një force e madhe, por forca më e madhe ishte ardhja e Remzi Ademaj, i cili, me propozimin tim, në një takim në Lubiqevë (Malësi e Vrrinit) zgjidhet komandant dhe merr pseudonimin e njësitit tonë “Petriti”.

Gazeta e Re: Çka mund të na thoni për ofensivën e shtatorit dhe pse në një moment në Radio Prizren e keni quajtur betejë të humbur?

Berisha: Pas ofensivës së shtatorit ne kishim edhe disa konfrontime të ashpra me forca serbe, me ç’rast do t’i veçoj ato të 7 korrikut 1998, 16 korrikut, por më e rënda ishte ajo e 15 gushtit, kur ra heroikisht në krye të detyrës edhe komandant Petriti. Vdekja e tij ishte një grusht i rendë për ne, por kjo na obligoi që edhe më energjikisht ta vazhdojmë rrugën drejt lirisë. Në fillim të shtatorit, okupatori serb vuri në dispozicion të gjitha forcat e veta, me armatimin më modern dhe artilerinë më të rëndë, si dhe një numër të madh të forcave ushtarako-policore, paramilitarë dhe mercenarë rusë. Në këtë betejë, në mesin e shumë shokëve, në vijë të frontit, ballë për ballë me armikun ranë heroikisht edhe komandanti i ZKZ-së, Xhevat Berisha, komandant i PU-së Seladin Berisha, komandantët e togjeve Agim Shala e Bekim Berisha dhe shumë ushtarë të tjerë trima, që tani janë dëshmorë. Kjo ishte edhe arsyeja që unë e kam quajtur këtë betejë të humbur, sepse i humba shokët më të afërm, në njërën anë, dhe në anën tjetër, gëzimi i LDK-së në Prizren, që e kishin festuar me ahengje humbjen tonë (!) dhe pos kësaj lansuan shumë parulla në dëm të UÇK-së, që jam i bindur se as okupatori serb s’do t’i shkonte ndër mend të na fyente aq rëndë.

Gazeta e Re: Pas gjithë këtyre ngjarjeve u gjet forcë dhe vullnet për riorganizimin e UÇK-së?

Berisha: Po. Është e vërtetë se në betejën e shtatorit pësuam humbje, mirëpo luftën e vazhduam, duke u organizuar edhe më mirë, duke marrë mësime të çmueshme nga pësimet e mëparshme. Edhe pas kësaj beteje, njësiti i Kabashit dhe ai i Landovicës vazhduan të jenë të organizuar mirë, ndërsa disa shokë vazhduan organizimin e mirëfilltë të Brigadës 125 në Reti, që ishte vazhdimësi e Shtabit Lokal të UÇK-së, me seli në Jeshkovë. Ndërsa unë me një grup shokësh, pas disa përgatitjeve në Shqipëri, isha këmbëngulës që rezistenca të vazhdonte edhe më tej në rajonin e Vërrinit dhe kështu u bë.

Gazeta e Re: Ku u gjetët në kohën e sulmeve të NATO-s, kundër caqeve serbe dhe pas çlirimit?

Berisha: Në momentet kur filluan sulmet e NATO-s, unë isha në lagjen “Tuzus” të Prizrenit, ku pritja të takohesha me Samedin Gjizairin-Hoxhën, i cili në betejën e 11 marsit kishte rënë Hysen Rexhepi me shokë të tjerë. Ndërkaq, pas çlirimit, vazhdova të jem ende shef i shtabit të Brigadës 125, ku u përpoqëm të vëmë rend dhe qetësi në qytet, mirëpo ishte e pamenduar dhe kështu u përballova me shumë veprime të pahijshme, që bëheshin në emër të UÇK-së, nga njerëz që s’kishin asgjë të përbashkët me UÇK-në. Duke mos pasur kompetenca t’i ndaloj këto gjëra, pas transformimit të UÇK-së në TMK, në mënyrë revoltuese u largova, me qëllim se po pati Kosova nevojë për pushkën time, unë sërish do të jem i gatshëm.

NË BORDIN E DREJTORËVE U EMËRUAN NJERËZ ME TË KALUAR TË DYSHIMTË KOMBËTARE

Gazeta e Re: Tash keni filluar të merreni me politikë. Si e shihni garën e forcave politike në kushtet e lirisë?

Berisha: Po ishte Kosova plotësisht e lirë, do ta kuptoj këtë vrap si normal, mirëpo në gjendjen që jemi, mendojmë se duhet të kemi bashkim të forcave politike për çështje madhore të kombit.

Gazeta e Re: Pse quani kriminelë përfaqësuesit e Bordit Administrativ në Prizren, kur për ta, në zgjedhjet e 28 tetorit të vitit 2000, populli votoi me dëshirë dhe shlirshëm?

Berisha: Fatkeqësisht mund të them se pas zgjedhjeve të 28 tetorit, në Prizren, konkretisht në bordin e drejtorëve u emëruan njerëz me një të kaluar të dyshimtë kombëtare, uzurpatorë, të cilët kanë edhe të ngritur padi në gjyq. Disa prej tyre janë njerëz që gjatë luftës kanë mbledhur me qindra e mijëra marka, në emër të luftës dhe ato para nuk dihen se ku u shpenzuan, por dihet mirë fakti se për luftë nuk u dhanë. Njerëz, që gjatë luftës ishin në ballë të organizimit për dorëzimin e armëve; njerëz që familjet e tyre në emër të UÇK-së kanë uzurpuar shtëpia dhe shumë marri tjera. Në atë bord ka njerëz që vullnetarisht e ndërtuan bustin e Car Dushanit në Shatërvan, që i futën punëtorët e tyre ta lyejnë godinën e policisë pa pagesë, për t’i mbuluar njollat e gjakut të shqiptarëve. Në mesin e tyre ka njerëz që u kurorëzuan me serbe e tash mundohen të tregohen patriotë. Ka prej tyre që gjatë luftës ishin harteq në bizneset e tyre me serbët, madje me alamet funksionarë. E çka nuk ka në mesin e tyre. Kur gjatë luftës u ushqyen në një shtëpi me paramilitarë serbë dhe tash na paraqiten të shenjtë që do të na drejtojnë në krye të vendit. Me një fjalë do ta përmbledhja veprimtarinë e tyre: kur bashkëpunëtorët më të ngushtë të serbëve vijnë në pushtet, a thua çfarë pret populli prej tyre?!

Gazeta e Re: Si e sheh Zafir Berisha të ardhmen e Kosovës?

Berisha: Si shtet të pavarur dhe demokratike për të gjithë qytetarët, që Kosovën e pranojnë si shtet të tyre.

Gazeta “GAZETA E RE”    Nexhat Çoçaj 10 Shkurt 2001

 

DISIDENTI I PËRJETSHËM I PRIZRENIT

Zafir Berisha (33) është një nga ish-komandantët e lavdishëm të UÇK-së të Zonës Operative të “Pashtrikut”.

Sot është i angazhuar në kryesinë e Asociacionit të Veteranëve të Luftës së ish-UÇK-së, është aktiv në Asamblenë e Kuvendit të Komunës!?

               Zëri: Si i shihni zhvillimet aktuale politike në Kosovë?

               Berisha: Personalisht mendoj se situata e përgjithshme politike në Kosovë nuk është edhe aq e lakmueshme, aq më parë kur segmente të caktuara, pra edhe të ndërkombëtarëve edhe më tej po e kundërshtojnë të drejtën e popullit të Kosovës për pavarësi, pra për të shprehur vullnetin sovran për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Fjalën e kam për çështjen e kushtetutës, e cila për popullin tonë paraqet bazë për të siguruar zhvillim dhe prosperitet të shtetit të pavarur të Kosovës. Së fundi çështja e pavarësisë është ideal i dalë nga lufta e UÇK-së, prandaj ne me çdo kusht, mendoj këtu në mbarë popullin e Kosovës dhe në radhë të parë në elitën politike shqiptare e dalë nga lufta e UÇK-së, do të këmbëngulim në të drejtën e referendumit dhe në pavarësinë e Kosovës. Ndër çështjet, të cilat mendoj se janë po ashtu me shumë interes për zhvillimet më të reja në Kosovë hyn edhe çështja e Mitrovicës së ndarë.

                Zëri: Konkretisht si e shihni zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës?

                Berisha: Çështja e Mitrovicës së ndarë është një prej problemeve më neuralgjike të Kosovës së pasluftës, madje kam shumë shqetësim se ai problem do të ngritët në një mollë sherri, në një problem kronik dhe afatgjatë. Megjithatë, duke ditur se edhe një Berlin gjerman siç ka qenë është bashkuar, edhe për Mitrovicën tonë shqiptare do të vijë dita kur ajo do të bashkohet. Ndryshe, është e patolerueshme nga ana e ndërkombëtarëve që të lejohet ndarja e qytetit, të lejohet, që bandat kriminale serbe ta mbajnë të ndarë qytetin, të djegin shtëpi shqiptare dhe të vranë shqiptarë. Vërtet nuk di se deri kur do të zgjasë durimi shqiptar, për të gjithë këtë që po ndodhë në pjesën veriore të Mitrovicës. Gjithashtu mendoj se edhe faktori ndërkombëtar nuk është në nivel të situatës sa i përket çështjes së Mitrovicës dhe kam frikë se nga pak me lojërat e caktuara diplomatike edhe ai vetë po i kontribuon situatës konfuze. Janë të qarta ndërkaq tendencat e ndarjes së Mitrovicës dhe sot e kësaj dite nuk mund të dihet se çfarë marrëveshje të fshehtë ka mund të ketë midis Ahtisarit dhe Millosheviqit? Ndryshe, kush do të lejonte që grupet e terroristëve serbë, pra para hundëve të ndërkombëtarëve ta vejnë ligjin vrastar dhe kriminal serb në pjesën veriore të Mitrovicës. Ndërkombëtarët e dinë se udhëheqësit e të ashtuquajturve “Roja të urës” janë kriminelët e njohur serbë të luftës.

                Zëri: Populli i Kosovës i ndjek me shumë shqetësim zhvillimet në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Si i shihni ju këto zhvillime?

                Berisha: Në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës kemi luftë dhe jo zhvillime thjesht politike. Unë meqenëse në karrierën time prej pjesëtarit të UÇK-së, i kam kaluar disa faza përgatitore për luftë, mund të them se në rastin e pyetjes suaj do të kisha vlerësuar se në dy rastet faktori ndërkombëtar është duke bërë lëshime të palejueshme ndaj forcave hegjemoniste serbe dhe atyre maqedonase. Kur është fjala për Luginën e Preshevës, është e patolerueshme që në ato hapësira, ku jetojnë shqiptarët të kthehet ajo ushtri, e cila bëri gjenocid në Kosovë dhe tani vret shqiptarë. Ndaj, derisa ushtrisë kriminale serbe të udhëhequr edhe tani nga kriminelët e luftës si është gjenerali famëkeq, vrastari Pavkoviq, t’i lejohet që të kthehet në rajonin e Luginës së Preshevës dhe në kufi me Kosovën, mendoj se nuk mund të ketë paqe në atë rajon dhe as siguri e jetë të lirë për vëllezërit tanë shqiptarë. Ndërsa, sa i përket luftës në Maqedoni, populli shqiptar atje nuk pati rrugëdalje tjetër për t’i realizuar të drejtat e veta, pos t’i rrokë armët në dorë. Shqiptarët, jo vetëm UÇK-ja, por edhe partitë politike u deklaruan për bisedime politike, por maqedonasit e kundërshtuan, e injoruan këtë ofertë dhe tani kemi luftë. Dëshiroj të theksoj se jam i habitur edhe me qëndrimin e diplomacisë ndërkombëtare, e cila po e përkrah qeverinë maqedonase në politikën e saj shtypëse ndaj shqiptarëve dhe aq më parë në luftimin e UÇK-së. UÇK-ja është ushtri çlirimtare e popullit shqiptar në Maqedoni dhe askush, pra as ndërkombëtarët nuk kanë të drejtë ta kualifikojnë ndryshe, apo që pjesëtarët e saj t’i quajnë “rrugaçë”, siç bëri ditë më parë një diplomat i lartë i aleancës veriatlantike. Kështu siç po zhvillohen rrjedhat në Maqedoni, kështu si po përkrahet qeveria maqedonase në diskriminimin e shqiptarëve, kështu si po injorohen kërkesat e drejta të popullit shqiptar atje dhe kështu si po anatemohet UÇK-ja, mendoj se shtetin e quajtur Maqedoni nuk e presin ditë të mira. Nëse qeveria maqedonase vazhdon ta mbajë këtë kurs antishqiptar, atëherë mendoj se perspektiva e Maqedonisë është e qartë, pra shkatërrimi i saj definitive. Në të kundërtën, nëse fillojnë bisedimet dhe ndërpritet lufta, atëherë ndoshta mund të ketë sukses modeli federativ përbrenda shtetit maqedonas, ku shqiptarët do të jenë popull shtet formues. Një gjë duhet të jetë e qartë, shqiptarët nuk mund të heqin dorë nga liria e tyre për hir të qartësisë së rrejshme të shtetit maqedonas, e as për hir të rahatisë së rrejshme në rajon. Maqedonia po ashtu nuk mund të ruhet si shtet stabil, në kurriz të pavarësisë së shqiptarëve, pse segmente të caktuara të diplomacisë ndërkombëtare e duan ekzistimin e Maqedonisë edhe me shtypjen shqiptare.

                Zëri: T’u kthehemi problemeve në Kosovë, përkatësisht në Prizren. Ju ishit këshilltar i PDK-së në Asamblenë e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Pse ditë më parë dhatë dorëheqje?

                Berisha: T’u them të drejtën, derisa isha këshilltar në Asamblenë e Kuvendit Komunal të Prizrenit, veten më tepër e kam ndjerë si qytetar prizrenas e jo si këshilltar i PDK-së, sepse në Asamble nuk kam mbrojtur ekskluzivisht interesat partiake, por ato të të gjithë qytetarëve të komunës së Prizrenit. Dorëheqjen time e kam bërë publike dhe esenca e arsyetimit tim ishte se nuk isha pajtuar me politikën, të cilën e kishte udhëhequr kryesia e Asamblesë për zgjedhjen, përkatësisht moszgjidhjen e problemeve. Kisha krijuar përshtypjen dhe atë ende e mbaj se udhëheqja po i injoron problemet, kërkesat dhe përgjithësisht qëllimisht nuk po i artikulon interesat e përditshme jetike të qytetarëve. Në disa mbledhje kisha ngritur çështjen e korrupsionit të disa përgjegjësve të sektorëve në Kuvendin e Komunës, përkatësisht katër drejtorëve të drejtorive, pastaj kisha shtruar çështjen e përkujdeset më efikas ndaj familjeve të dëshmorëve, ndaj TMK-së e shumë probleme tjera, të cilat nuk u mirëpritën. Duke qenë përfaqësues i një elektorati, që kishte përkrahur luftën e UÇK-së, duke qenë pra vetë përfaqësues i krahut politik të dalë nga lufta, nuk kisha mundësi të pajtohesha me gjithë atë injorancë, nuk mund të ndjehesha inferior ndaj gjakut të bashkëluftëtarëve të mi të luftës dhe dhashë dorëheqje. Dorëheqja ime duhet të kuptohet si veprim demonstrativ, si shenjë se unë dhe shokët e mi nuk mund të pajtohemi me politikën inerte, me politikën, e cila më parë i jep përparësi sigurimit të një parcele për ndërtimin e një objekti fetar, se sa kërkesës së Zonës së Dytë Mbrojtëse të TMK-së për të ndërtuar një objekt për interesat e ushtrisë sonë. Pas të gjitha këtyre lojërave politike, të cilat ende vazhdojnë, unë e kam parë të tepërt veten në një përbërje të tillë, aq më parë kur nuk shihja mundësi dhe gjasa për ndërrimin pozitiv të situatës.

                Zëri: Meqenëse u përmend TMK-ja, të përkujtojmë se kohëve të fundit ka tendenca anatemuese ndaj TMK-së. Si i vlerësoni ju ato sulme, nga pozicioni i njërit nga ish komandantët të UÇK-së për Zonën e “Pashtrikut”?

                Berisha: Të gjithë ne ish-pjesëtarët e ish-UÇK-së, por shpresoj edhe të gjithë atdhetarët shqiptarë kudo që janë, jemi të ndjeshëm sa herë që atakohet, anatemohet ish-UÇK-ja, përkatësisht TMK-ja e sotme, e cila është bërthamë e ushtrisë sonë të ardhshme. Prandaj, duke mos e zgjatur rreth kësaj pyetjeje, dua të përkujtoj të gjithë ata, që përpiqen në cilëndo mënyre ta njollosin ish-UÇK-në dhe TMK-në, se ne nuk do të lejojmë këtë, sepse si dje me UÇK-në edhe sot me TMK-në kemi të bëjmë me uniformën e shenjtë të ushtrisë sonë, uniformë, e cila e ka trashëgiminë në gjakun dhe është e përgjakur me gjakun e mijëra dëshmorëve të kombit. Prandaj, me kaq vendosmëri kemi reaguar edhe kundër arrestimit të Ruzhdi Saramatit, komandant i TMK-së në Zonën e Dytë të TMK-së. Shoqata, përkatësisht Asociacioni i Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, në udhëheqjen e të cilës bëj pjesë edhe unë, kërkojmë me vendosmëri lirimin e z. Saramatit.

ZËRI Javor     Agim Zogaj 2001

 

BETEJËN E SHTATORIT E HUMBËN NË VËRRI, POR LUFTËN E FITUAM

Bisedë me luftëtarin e dalluar të UÇK-së Zafir Berishën

                Zafir Berisha është nga fshati Kushtrim (ish-Billusha). Rrjedh nga një familje me tradita kombëtare. Që nga viti 1981 i kishte dy vëllezër të burgosur për veprimtari kombëtare (Shani dhe Sheradin Berishën). Zafiri, ndonëse më i ri ju përkushtua vazhdimisht çështjes kombëtare. Për asnjë moment nuk u pajtua me robërinë. Qysh më 1993 ia ktheu pushkën shkaut. Atëbotë, vetëm ta përmendje pushkën para pacifistëve do të të shpallnin jo vetëm armik, por edhe të çmendur. Por ja që, njerëzit si Zafiri me shokë, i thanë Jo pastrimit të heshtur të Kosovës, e me këtë edhe vdekjes së heshtur të saj. Kësaj radhe, meqenëse është përvjetori i luftës në Vërri, vendosëm të zhvillojmë një bisedë për lexuesit e SHARRIT.

                Sharri: Si njëri nga njerëzit e parë të UÇK-së në rrethin e Prizrenit, a mund të na flisni për orët e para të UÇK-së në këtë rreth?

                Berisha: UÇK-ja nuk doli rastësisht në skenë, ajo ishte rezultat i regjimit të egër serbo-sllav në vazhdimësi. Grupet ilegale me karakter politico-ushtarak vepruan me dekada të tëra për realizimin e qëllimeve kombëtare, që si rezultat erdhi deri te formimi i UÇK-së. Për Prizren mund të flas më me përgjegjësi. Më 23 korrik 1993, kemi bërë sulmin e parë në stacionin e policisë në Prizren, pastaj jam larguar në Perëndim, sepse edhe më parë më kërkonin policia serbe. Për një kohë kam humbur kontaktin me shokë, që ishin në Kosovë. Mirëpo, në janar të vitit 1997 u ktheva në Shqipëri dhe fillojmë kontaktet e rregullta me shokë në Prizren. Shokët nga Prizreni i përfaqësonte Hajrim Çengaj. Hajrimi, përmes meje filloi të mbaj kontakte me Adem Grabovcin, Sejdi Gegën, Gafurr Elshanin e të tjerë, të cilët kontribuan në konsolidimin e celulave të para të UÇK-së në Prizren. Pas disa konsultimeve rreth organizimit të UÇK-së për Prizren, në fillim të vjeshtës 1997, filloi futja e armatimit përmes disa shokëve nga Shqipëria. Duke bërë disa përgatitje konkrete me armë për aksionet e ardhshme që pritej nga njësiti i Prizrenit, forcat serbe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj më 28.03.1998 burgosin një numër të shokëve si Xhevat Berishën, Hajrim Çengën, Mursel Osmanajn dhe disa të tjerë, ndërsa për në Shqipëri kalon Selim Krasniqi, Elbasan Shoshaj, Ismail Kryeziu dhe Xhemshit Krasniqi, kurse Selajdin Berisha dhe Isuf Berisha qëndruan në ilegalitet.

                Sharri: Sipas kësaj, njësiti i UÇK-së në Prizren pësoi një goditje të rëndë nga forcat serbe, si rrodhën punët pastaj?

                Berisha: Burgosja e disa shokëve, në kohën kur në Drenicë filluan luftimet frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe, ishte humbje e madhe për rrjedhën e organizimit në Prizren. Mirëpo, megjithatë, ndonëse pak me vonesë, por u bë shpejt konsultimi i shokëve të mbetur dhe në fillim të majit vi edhe unë nga Gjermania dhe me Agim Shalën, Xhemshit Krasniqin, Elbasan Shoshajn dhe Xhelil Krasniqin futemi në Kosovë dhe vendosemi në rajonin e Vërrinit, nga ku kontaktojmë me shokët që ishin Brenda dhe fillojmë në mënyrë intensive për konsolidimin e radhëve të UÇK-së në Vërri, për rrethin e Prizrenit dhe Opojë.

                Sharri: Përmendet edhe Opojën, a mund të na veçoni diç nga kontaktet e opojanëve me UÇK-në në Vërri?

                Berisha: Dihet se Opoja nuk është përfshirë në luftë si trevat tjera të Kosovës, mirëpo kontributi i opojanëve nuk është i vogël dhënë luftës. Tek unë personalisht kanë ardhur të lajmërohen si vullnetarë shumë të rinj nga Opoja, të përmendim nga Bresana, Blaçi, Zaplluzha, Bruti etj., kur dihet edhe kontributi i brezjanëve dhe buçjanëve, të cilët kanë pritë dhe përcjellë shumë ushtarë të UÇK-së si familja e Adem Berishës në Buçe, Naim Kryeziut në Brezne dhe shumë familje tjera, që për momentin s’më kujtohen. Pastaj kemi kontributin e vaçantë të Bedri Halimit, i cili mbajti kontakte të vazhdueshme me Shtabin e UÇK-së në Vërri, po edhe kontributin e Qerkin Krasniqit dhe Urim Krasniqit, të cilët ishin personalisht me mua deri ditën e fundit me pushkë në dorë dhe shumë të tjerë që morrën pjesë në frontin e Koshares dhe të Pashtrikut.

                Sharri: Në Vërri u bë një luftë e ashpër ku ranë edhe shumë dëshmorë, a mund të na folni për këto luftime?

                Berisha: Në rajonin e Vërrinit u zhvilluan shumë luftime të ashpra për liri a vdekje, për këto duhet shumë kohë për të folur, mirëpo, unë shkurt do të veçoj luftimet e para të 7 korrikut 1998, te vendi i quajtur Laku i Billushës (Kushtrimit), luftimet më 28 korrik në Buçe të Opojës ku ranë dëshmorë Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj, prita e ngritur në udhëkryqin e Nashecit, ku ra heroikisht komandanti i SHL. të UÇK-së për Prizren, Remzi Ademaj-Petriti, luftimet e 1-4 shtatorit, që ishte një betejë e ashpër ku ranë heroikisht me pushkë në dorë për të mbrojtur nderin e kombit, Komandanti i ZKZ-së Xhevat Berisha, komandanti i policisë ushtarake Selajdin Berisha, komandant i Togut Agim Shala dhe shumë shokë tjerë, ushtarë të dalluar të UÇK-së, e që kjo është një kronologji e shkurtër e luftimeve të vitit 1998.

                Sharri: Në një rast në “Radio Preizren” betejën e shtatorit e keni quajtur “Beteja e humbur”, pse dhe si rrodhën punët pas kësaj beteje?

                Berisha: Po, është e vërtet se Betejën e shtatorit e kam quajtur të humbur, por luftën jo. Për këtë dëshmoi edhe koha. Unë mendoj se gjërat duhet thënë realisht, pas kësaj humbje që pësoi në shtator UÇK-ja, ajo vazhdoi luftën edhe më ngulm, por në forma dhe metoda tjera, sidomos në rajonin e Vërrinit dhe në rrethinën e Prizrenit, ku pushtuesit ju shkaktuan dëme të mëdha si në njerëz dhe në teknikë ushtarake.

                Pas Betejës së shtatorit, njësitë e UÇK-së ndahen në grupe të vogla, ndërsa një numër i madh i tyre kalon në Shqipëri, ku një pjesë vazhduan të bëjnë ushtrime për një luftë guerile, të cilët edhe do të tregohen të suksesshëm më vonë.

                Sharri: Në Vërri kemi edhe betejën e 11 marsit 1999 në Jeshkovë, çka mund të na thoni për këtë?

                Berisha: Unë personalisht në këtë betejë nuk kam qenë. Këtë betejë e ka udhëhequr Samidin Xhezairi-Hoxha dhe Hysen Rexhepi, komandant i njësisë speciale (i cili bie dëshmor me tetë shokë të vet). Kjo betejë ka qenë shumë e ashpër, për të cilën më vonë njoftohem nga Komandant Hoxha, me të cilin së bashku zhvilluam një luftë ku ia futëm tmerrin forcave serbe, sepse ata nuk e prisnin që ne luftën ta pranojmë edhe deri në dy metër afërsi.

                Sharri: Kur u takuat me Hoxhën dhe ku zhvilluat luftime?

                Berisha: Me Hoxhën jam takuar në lagjen Tusus të Prizrenit më 24 mars 1999, natën kur NATO-ja filloi ta bombardojë Serbinë. Nga ajo ditë për mua është një kapitull i veçantë i luftës, ku është vështirë të numërohen të gjitha aksionet, por unë do të veçoja disa që i kemi bërë së bashku dhe ndaras në dy grupe. Këtu do të veçoj 7 dhe 8 prillin në Billushë, 22 prillin në dalje të Tusuzit, 12 majin mbi Billushë, 16 dhe 17 majin mbi Prizren, 23 majin në Tusuz, 29 majin në male të Brutit dhe shumë aksione tjera , që në këtë rast është e pamundur të përmenden të gjitha.

                Sharri: Çfarë porosie keni për lexuesit?

                Berisha: Sot një plumb vret një njeri, ta zëmë edhe dhjetë, por një politikë e mirëfilltë kombëtare dhe demokratike e vret në një shtet shoven siç është Serbia. Prandaj i bëj apel popullit për unitet drejtë realizimit të qëllimeve kombëtare.

Revista SHARRI     Bisedoj: Ismet Lecaj Shtator-Tetor 2000

 

ME ATË ARMATIM QË KISHIM, ISHIM TË VENDOSUR TA MBROJMË ZONËN E LIRË

Zafir Berisha lindi më 16.I.1968, në fshatin Billushë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prizren. U regjistrua në shkollën e lartë në Pejë, por për shkaqe politike nuk arriti ta mbarojë. Ka qenë njëri ndër anëtarët e celulave të para të UÇK-së për Vërrinin. Gjatë luftës ka qenë komandant batalioni, ndërsa pas ofensivës së parë dhe gjatë ofensivës së dytë ka udhëhequr njësitin gueril të Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut. Pas luftës ishte shef i Brigadës 125. Aktualisht është kandidat i PDK-së për kuvendin Komunal në Prizren.

Zik: Fillimisht na thoni, si e ndjeni veten pas më se një viti agim lirie?

Berisha: Unë, së pari nuk e konsideroj këtë liri, por, pyetja më e mirë do të ishte, si e ndjen veten në paqe? Pavarësia e Kosovës është edhe liria jonë.

Zik: Kjo paqe, siç thoni ju, erdhi si rezultat i përpjekjeve 87-vjeçare të popullit tonë për t’u kurorëzuar me luftën e bijve dhe të bijave tona më të mira. A mendoni se UÇK-ja është amanet i brezave?

Berisha: UÇK-ja është kurorëzim i përpjekjeve shumëvjeçare të popullit tonë. Unë mendoj se populli ynë përpjekjet e veta për çlirim i ka edhe më herët sesa 87-vjet. UÇK- është amanet, por edhe mësim për brezat e ardhshëm sesi arrihen synimet kombëtare.

Zik: Ju ishit edhe njëri ndër anëtarët e celulave të para të UÇK-së për Vërri. A ishit, apo vendosët të bini në kontakt me SHP të UÇK-së?

Berisha: UÇK nuk lindi rastësisht, por ajo që vazhdimësi e veprimeve politiko-ushtarake të grupeve ilegale. Si në shumë qendra të Kosovës edhe në Prizren, një numër të rinjsh me ide revolucionare, për asnjë çast nuk u pajtuan me okupimin serb dhe me politikën pacifiste e nënshtruese të disa “liderëve” të Kosovës. Prandaj, edhe unë si shokët e tjerë, i mbushur me urrejtje ndaj okupatorit serb, më 23 korrik të vitit 1993, e kreva sulmin mbi stacionin policor serb në Prizren, me ç’rast u plagosën 3 policë, njeri prej të cilëve kishte vdekur më vonë. Pas këtij aksioni u detyrova të largohem nga Prizreni dhe të dalë në Perëndim. Kontaktet e para për një koordinim më të mirë nën hierarkinë e SHP të UÇK-së i kam bërë me një shokun tim në Shqipëri. Për kontaktin tonë, më pas i kemi njoftuar shokët tanë në Prizren. Pas kësaj, kemi mbajtur kontakte të rregullta me shokët, si: Adem Grabovcin, Gafurr Elshanin dhe Azem Sylën.

Zik: Grupi i shokëve tuaj pësoi goditje të rëndë me arrestimin e Xhevat Berishës, tashmë dëshmor, Hajrim Çengaj etj., me ç’rast u konfiskua edhe një sasi e armatimit. Si ndodhi kjo?

Berisha: Është e vërtetë se iu dha një goditje e rëndë grupit tonë, por edhe UÇK-së. Sigurisht, kjo u bë nga UDB-ja dhe bashkëpunëtorët e saj. Prandaj, që të mos shuhej veprimtaria e grupit tonë, unë u ktheva nga Gjermania në Kosovë për ta vazhduar punën. Armatimi të cilin e zutë në gojë, u zu pikërisht një ditë para se të nisej për në Drenicë. Në këtë rast pasoi edhe arrestimi i shokëve.

Zik: Një kohë, gjatë luftës, në Kosovë u krijuan mjaft zona të lira. Vërrini gjithashtu ishte teren shumë strategjik, si për UÇK-në, ashtu edhe për armikun. A u bënë përgatitjet e nevojshme me urdhër të SHP të UÇK-së.

Berisha: Pa vonesë, filluam me të madhe ta bëjmë mobilizimin e Vërrinit. Dalja e Xhevat Berishës nga burgu i dha shtytje të madhe organizimit tonë të mëtejmë. Më 26.06.1998, grupi ynë prej 81 vetash, me 43 kuaj, të cilët bartnin armatim, ra në pritë dhe u bë gjithçka publike. Rënia në pritë na detyroi të dalim publikisht dhe t’i vendosim pikat, të cilat i kemi paraparë më herët. Unë, Smajl Kryeziu dhe Elbasan Shoshaj shkuam në SHP dhe nga atje, si i dërguar i SHP erdhi eprori i lartë, Bislim Zyrapi, më vonë shef i SHP të UÇK-së, i cili na ndihmoi në aspektin profesional.

Zik: Si u prit nga rinia e Vërrinit dalja në skenë e UÇK-së?

Berisha: Rinia e Prizrenit dhe e Opojës e ka ndihmuar në masë të madhe, e në veçanti Vërrini.

Zik: A dispononte SHL i Vërrinit armatim të mjaftueshëm?

Berisha: Pas rënies në pritë, më 26.06.1998, kur edhe më pas u krijua zona e lirë, sigurisht se armatimi nuk ishte i mjaftueshëm, duke e pasur parasysh forcën e armikut, por me atë armatim që kishim ishim të vendosur që ta mbrojmë zonën, gjë që u dëshmua me 07.07.1998, në vendin e quajtur “Laku i Billushës”, ku forcat serbe u zmbrapsën me turp, ndërsa ne i ruajtëm pozicionet tona.

Zik: Në këtë periudhë, me urdhër të SHP, komandant i SHL u emërua Remzi Ademaj. A ishte ai edhe më herët anëtar i grupit tuaj?

Berisha: Para se të emërohej komandant i SHL të Vërrint, Remziut, më herët iu dha besimi për ta udhëhequr njësitin gueril me emrin “Njësiti Petriti”, por ardhja e Bislim Zyrapit veçse e forcoi këtë.

Zik: Remzi Ademaj ishte histori më vete, por edhe histori në mesin e shumë historive të lavdishme të lëvizjes ilegale. Sigurisht që e detyroi sigurimin serb të mendoi mirë, para se të ndërmerr diçka në Vërri, apo jo?

Berisha: Sigurisht se pushtuesi serb e dinte mirë se kush ishte “Petriti”, prandaj edhe ka përgatitur shumë herë komplote ndaj tij dhe shokëve të tij. Kjo tregon se UDB-ja ishte munduar që vrasjet e para t’i drejtojë kundër njerëzve që më së shumti kishin bërë për ngritjen dhe forcimin e ushtrisë sonë.

Zik: A ka vend dyshimi se vrasja e Remziut ishte një komplot i organizuar, apo mund të merret si shkas edhe rruga e vetme e cila e lidhte Vërrinin me SHP?

Berisha: Mund të jetë shkas edhe rruga e vetme, për atentat ndaj tij, e cila shpesh ishte përdorur nga ushtarët tanë, por, kjo punë do kohë të sqarohet, sepse, në fund të fundit flitet edhe për një pritë të organizuar.

Zik: A kishte edhe ndonjë rrugë tjetër që çonte në SHP, pos asaj nëpër të cilën kaloi Remziu, kur edhe u vra?

Berisha: Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e elementit kolaboracionist, që ka qëndruar në mesin e UÇK-së, sepse përpos që “shigjeta” kryesore e UDB-së ishte e drejtuar kundër komandant Petritit dhe vet UÇK-së, por edhe informata që me siguri do t’i ketë shkuar sigurimit serb se edhe SHL i Vërrinit, si çdo shtab tjetër ishte transferuar në brigadë dhe së shpejti po përgatitej që t’i zgjerojë zonat e lira, konkretisht në Opojë.

Zik: Pas ofensivës së tetorit të vitit 1998, a ndjehej UÇK-ja e lodhur edhe në Vërri?

Berisha: Një pjesë e ushtrisë sonë kaloi në Shqipëri, pjesa tjetër mbeti në Vërri. Në Shqipëri , siç dihet, u bë riorganizimi i plotë i UÇK-së në mënyrë profesionale, gjë që pas përgatitjeve intensive, unë me njësitin tim, hyra në Vërri më 11.03.1999.

Zik: Si dhe ku u gjetën bombardimet e NATO-s?

Berisha: Më 24.03.1999, kur filloi bombardimi i NATO-s në lagjen Tusuz, jam takuar me komandant Hoxhen, i cili kishte mbetur vetëm me katër ushtarë. Aty u bashkuam dhe i vazhduam aksionet tona.

Zik: Aksionet tuaja në Vërri dhe më tej?

Berisha: Aksionin e parë në Vërri, pas fillimit të bombardimeve, e kemi kryer më 07.04.1999, në hyrje të fshatit Billushë. Aty i sulmuam forcat serbe dhe i likuiduam të gjithë sa ishin në atë njësit, me përjashtim të një paramilitari, i cili i plagosur është kthyer në Hoqë, me ç’rast nga urrejtja i ka vrarë 4 pleq, të cilët kishin mbetur në fshat. Në atë aksion e kemi shpartalluar një xhip me ushtarë serbë dhe një kombibus me paramilitarë, prej të cilëve është vrarë edhe një oficer. Më pas ka plasur lufta dhe jemi rrethuar keq, por në saje të luftës heroike të ushtarëve tanë e kemi çarë me sukses rrethimin. Sulmin tjetër e kemi kryer (gjithnjë së bashku me Hoxhën) më 08.04.1999, me snajper, ku serbët na janë përgjigjur me armatim të rëndë. Më 09.04.1999, arritëm të depërtojmë në lagjen Tusuz. Aty unë isha në shërim, kurse Hoxha me shokë i sulmoi serbët, ku u vranë 10 paramilitarë, kurse 3 të tjerë kanë ikur në panikë. Pas një sërë aksionesh që i kryem me sukses, me qëllim të efikasitetit më të madh, u ndamë me Hoxhën dhe shkuam përsëri në Vërri, kurse Hoxha në vendin e quajtur Bllata.

Zik: Ku u ka gjetur, ju dhe njësitin tuaj, hyrja e forcave ndërkombëtare?

Berisha: Hyrja e forcave të NATO-s, njësitin tonë e ka gjetur në fshatin Lubeqevë, duke e pastruar terrenin. Atë ditë e kemi ngritur flamurin në xhaminë e fshatit. Samidin Xhezairi - Hoxha, ka depërtuar me njësitin e tij, në Tusuz. Më 13.06.1999, ka pasur edhe marshimi i UÇK-së në Prizren dhe ne iu kemi bashkuar.

Zik: A është Zafir Berisha, Zafiri i viteve të idealeve revolucionare edhe tash?

Berisha: Derisa Kosova nuk është e çliruar plotësisht, Zafiri qëndron i palëkundur në qëllimet e tij dhe të popullit tonë drejt realizimit të pavarësisë kombëtare. Prandaj, edhe në të ardhmen, unë së bashku me të tjerët, do t’i përdor të gjitha mundësitë dhe mjetet e lejueshme politike për ta arritur qëllimin final. Berlini, Parisi, Londra, e kanë për obligim moral e njerëzor dhe kohor, që t’ia kthejnë borxhin historik Kosovës.

ZËRI I KOSOVËS            Safet Krasniqi 21 Tetor 2000

 

Dorëheqje nga Asambleja e Prizrenit si Këshilltar.

D E K L A R A T Ë

Ne këshilltarët e deritashëm të Asamblesë Komunale në Prizren nga PDK-ja Zafir Berisha dhe Zenel Elashani, japim dorëheqje për shumë arsyeje, të cilat e bëjnë të pamundshëm qëndrimin tonë të mëtutjeshëm në asamble, ku kemi ardhur me votën e popullit. Pamundësia për t’i realizuar kërkesat e elektoratit tonë të respektuar edhe pse janë të drejta dhe të arsyeshme , injorimi që i bëhet atyre nga Eqrem Kryeziu me refrenin e tij bajat: “ Mirë e keni , por vendosi unë”, është bërë e padurueshme . Ne si këshilltarë, që vijmë nga krahu i UÇK-së, nuk mund ta pranojmë injorimin dhe anashkalimin që i bëhet vendimit të 14 dhjetorit të vitit 2000, të asamblesë për t’i ndihmuar familjet e dëshmorëve, kërkesës së Asociacionit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së për ta ndihmuar ngritjen e lapidarit për nderë të dëshmorëve dhe luftës në Landovicë , kërkesës së Zonës së Dytë Mbrojtëse të TMK-së për ndërtimin e një objekti , mos shqyrtimi i ankesave punëtorëve, që i kanë larguar nga puna e disa prej të cilëve janë edhe ish pjesëtarë të UÇK-së, degradimin e iniciativës për shkarkimin e katër drejtorëve, të cilët janë të identifikuar si uzurpatorë të pronës shoqërore dhe private dhe me këtë çështje të merret bashkëpunëtori i këtyre drejtorëve, që është “rrobaqepës” i teshave të prestarëve “të kështjellës” së LDK-së. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, ne largohemi nga Asambleja Komunale në Prizren, për t’i vazhduar përpjekjet tona drejt realizimit të synimeve të qytetarëve dhe elektoratit tonë.

Zafir Berisha

 

Shtypi për arrestimin e Zafir Berishës

POLICIA E UNMIK-ut KA ARRESTUAR ZAFIR BERISHËN

               Policia e UNMIK-ut ka arrestuar të hënën në mbrëmje Zafir Berishën, ish-komandant i UÇK-së gjatë luftës në rajonin e Vërrinit, aktualisht anëtar i AV të UÇK-së në Prizren dhe njërin ndër anëtarët më të zëshëm të KO të protestave në të fundit në këtë qytet. Sipas një njoftimi të Kryesisë së AV të UÇK-së, Berisha është arrestuar nga policia e UNMIK-ut, derisa ai pas një takimi me ndërkombëtarët në selinë e zyrave të kësaj shoqate, që ka përfunduar rreth orës 1700, ishte nisur për në shtëpinë e tij. Zyrat e AV të UÇK-së ndodhen jo më larg se 50 metra nga ndërtesa e administratës rajonale të UNMK-ut, institucione këto që i ndanë vetëm rruga kryesore buzë Lumbardhit.

                Komanda rajonale e policisë së UNMIK-ut, sipas z. Hajrim Çengaj nga KO i protestave, për arrestimin e Zafir Berishës kishte theksuar se ai ka shkelur rregulloren e policisë, sipas të cilit i ndalohej qarkullimi i lirë në disa zona brenda qytetit të Prizrenit. Ajo që dihej deri më tani në marrëdhëniet midis njërit prej figurave më të zëshme të protestës së 20 gushtit dhe policisë së UNMIK-ut, është fakti se z. Bernd Meterhausen, komandant rajonal i kësaj policie, gjatë protestës i kishte tërhequr vërejtjen Zafir Berishës, duke akuzuar atë si shkaktar të zënkës e cila në të vërtetë, siç është bërë e njohur edhe nga vet policia e UNMIK-ut, është shkaktuar nga persona krejt të tjerë, të cilët sipas të gjitha gjasave kanë nxitur intervenimin e policisë mbi protestuesit, duke pasur për pasojë edhe disa të plagosur. Menjëherë pas protestës të së premtes së kaluar, komandanti rajonal i policisë së UNMIK-ut, z. Meterhausen, i kishte kufizuar atij qarkullimin e lirë në qendrën e qytetit në Shatërvan, në afërsi të selisë së UNMIK-ut dhe këshillit komunal, të cilën siç ka deklaruar më pas vet Zafir Berisha është duke e respektuar me korrektësi. Ai madje duke respektuar këtë urdhëresë të policisë, nuk kishte marrë fare pjesë në protestën e së premtes së kaluar.

                Në Prizren arrestimi i tij po interpretohet si jo i rastësishëm, sidomos në prag të protestës së tretë me radhë gjithë popullore në këtë qytet, e cila është paraparë ë mbahet sot duke filluar në orën 1200. Këtë protestë edhe kësaj radhe do ta organizojë KO i protestave, përkatësisht Këshilli për Mbrojtjen e Lapidarëve, i formuar menjëherë pas vendimit të njëanshëm të asamblesë komunale, sipas të cilit ndalohet ngritja e shtatoreve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

                Në një njoftim të KOPI-t, të publikut dje nga z. Hasan Morina, anëtar, i është bërë e ditur se ka gjasa që të jepet leja e policisë për protestën e sotme, “mirëpo me kusht që ajo të kalojë e qetë” ka cituar Morina fjalët e policisë. Sipas tij, para protestës në selinë e UNMIK-ut është i mundur një takim midis ndërkombëtarëve, pushteti lokal dhe KOPI-t, nga i cili takim pritet se ndoshta do të mund të dalë një kompromis. “Diçka hetohet se ka lëvizur, por nuk e dimë se çka”, kanë pohuar dje zyrtarët e AV të UÇK-së.

                Burimet të medieve lokale, kanë njoftuar se në mbrojtjen e të arrestuarit Berisha, anëtar i Kryesisë së AV të UÇK-së dhe këshilltarë i PDK-së, në Asamblenë Komunale të Prizrenit, janë angazhuar avokatët Ethem Rogova, Bashkim Nevzati dhe Lulzim Bilurdagu, ndërkohë që nuk është konfirmuar nga askush nëse i arrestuari po mbahet në burgun e Prizrenit apo në ndonjë rajon tjetër të Kosovës. Avokatët kanë njoftuar dje se urdhrin për arrestimin e Zafir Berishës e kanë dhënë prokurori ndërkombëtar, kurse si shkas përmendet të këtë qenë “cenimi i urdhrit për lëvizje të lirë”, të cilën në adresë të tij e kishte bërë policia ndërkombëtare. Lidhur me arrestimin kanë reaguar dje ashpër AV-i i UÇK-së dhe dega e SHIL, të cilët këtë arrestim e kanë vlerësuar si “arbitrar, të padrejtë dhe pa kurrfarë baze ligjore”. Ata duke e vlerësuar si një “arrestim diskriminues me prapavijë të montimit të rrezikshëm të proceseve politike për statusin e ardhshëm të Kosovës, nga ana e pushtetit lokal të Prizrenit”, kërkojnë që Zafir Berisha të lirohet pa kusht dhe menjëherë, nga siç e quajnë ata, “arrestim dhe paraburgim absurd”.

Gazeta “ZËRI ditor”    Asllan Bekteshi 29 Gusht 2001

 

POLICIA ARRESTON ZAFIR BERISHËN

Asociacioni i Veteranëve të Luftës të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të martën ka njoftuar për arrestimin e Zafir Berishës, zëdhënës i këtij organizimi dhe anëtar i këshillit organizativ të protestave për ngritjen e shtatoreve të dy dëshmorëve, ndërsa lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe policia ndërkombëtare në Prizren. “Arrestimi i zëdhënësit Berisha, është bërë para selisë së asociacionit mu në kohën kur ishte caktuar mbajtja e një takimi me përfaqësues të UNMIK-ut, ndërsa ne nuk dimë se përse është arrestuar ai”, tha të martën për KosovaLive Hajrim Çengaj, nga Asociacioni i Veteranëve të Luftës në Prizren. Arrestimin e Berishës e konfirmoi të martën për KosovaLive Fatmir Gjurgjeali, nga zyra për media në Policinë e UNMIK-ut, duke shtuar se për hir të hetimeve nuk jepen hollësi të tjera. Në Gjykatën e Qarkut në Prizren, ndërkaq, thonë se kurrfarë vendimi për arrestimin e Berishës nuk është lëshuar. “Nuk ka vendim të Gjykatës për arrestim, por ai është ende në paraburgim apo ndalje policore 72-orësh, kohë kjo që skadon të mërkurën, dhe pas kësaj do të shihet se si do të veprohet më tutje”, tha të martën për KosovaLive Engjëll Çetta, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prizren.

KMDLNJ: Arrestimi arbitrar i Berishës acaron edhe më tej situatën

                Ndërkohë, Qendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prizren, ka reaguar ndaj arrestimit arbitrar të Zafir Berishës, anëtar i kryesisë së Asociacionit të Veteranëve të UÇK-së në Prizren dhe anëtar i Këshillit për ngritjen e lapidarëve të dëshmorëve: Xhevat Berisha dhe Ismet Jashari-Kumanova.

Të njëjtit, më 21 gusht 2001, nga komandanti rajonal i policisë së UNMIK-ut i është dhënë urdhër për qarkullim të kufizuar, gjegjësisht ndalim qarkullimi në rrugët dhe sheshet kryesore të Prizrenit, deri më 3 shtator, të cilin urdhër deri në momentin e arrestimit, ai e ka respektuar.

Arrestimi arbitrar, i cili u bë fill pas takimit që patën delegacioni i Këshillit për ngritjen e lapidarëve me drejtues nga UNMIK-u, (ku mori pjesë edhe Zafir Berisha) acaron edhe më situatën edhe ashtu të tensionuar në qytetin e Prizrenit, që u krijua pas vendimit të Asamblesë Komunale për të mos lejuar vendosjen e lapidarëve në bazamentet e ndërtuar kohë më parë.

Veprimet e z. Berisha në kuadër të aktivitetit të Këshillit për ngritjen e lapidarëve kanë qenë paqësore dhe konstruktive. Vet fakti se z. Zafir Berisha i ftoi protestuesit të mos bien pre e akteve të dhunës dhe në protesta të dalin me lule si dhe takimet e shumta me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të Asamblesë Komunale, tregojnë qartazi se z. Berisha ka qenë për zgjidhje të problemit me dialog dhe assesi me anë të dhunës. Policia nuk ka pasur asnjë arsye për arrestimin e tij. Mbajtja e tij e mëtejshme në arrest e ndërlikon edhe më tepër situatën, - thuhet në një reagim të QRKMDLNJ , në Prizren.

Gazeta “EPOKA E RE”       DemirReshiti 29 Gusht 2001 

 

Dy ditë para mbajtjes së protestave në Prizren

ËSHTË ARRESTUAR ZAFIR BERISHA, ZËDHËNËS I SHVL TË UÇK-së

Zafir Berisha, zëdhënës i SHVL të ish-UÇK-së, është arrestuar të hënën para ndërtesës ku ndodhen zyrat e kësaj shoqate. Arrestimin e tij e bënë dy policë, njëri ndërkombëtar (amerikan), kurse tjetri pjesëtar i SHPK-së.

Në momentin kur ai është arrestuar para ndërtesës ishte edhe sekretari shoqatës, Naser Berisha, i cili pas 24 orësh të arrestimit të anëtarit, të asociacionit rrëfeu për ngjarjen.

Sipas sekretarit të kësaj shoqate të njëjtën ditë nga policia si dhe administrata e UNMIK-ut në Prizren na është parashtruar kërkesa për, siç tha ai, një takim midis kryetarit të SHVL-së dhe palës së ndërkombëtarëve.

“Takimi i parë nuk është mbajtur, ndërkaq para takimit të dytë, i planifikuar të jetë takim me administratorin rajonal, në orët e pasdites kemi vërejtur lëvizje të shumta të patrullave të policisë, para ndërtesës së SHVL-së, shpjegon z. Berisha, i cili shton se pasi që me Zafirin kemi lëshuar objektin, njëri nga policët i është ofruar veturës duke thënë se z. Berisha duhet të vini në polici për një bisedë të shkurtër informative”.

Zafiri, në këmbë, me dy policët është nisur për në polici.

“Që atëherë ai është burgosur dhe ende po mbahet në stacionin e policisë”, ka thënë z. Naser Berisha, i cili shtoi se nuk kishte njohuri për arsyet e këtij arrestimi.

                Një ditë më vonë përfaqësuesit e SHVL-së në Prizren janë ftuar nga komandanti i policisë rajonale, Bernd Meterhausen, në një takim për të biseduar rreth arrestimit të Zafir Berishës si dhe rreth protestave të cilat janë paralajmëruar të mbahen të mërkurën. Policia, sipas z. Meterhausen, nuk është e autorizuar që të prononcohet lidhur me ngjarjen e së hënës, pasi që fletë akuza është lëshuar nga prokurori ndërkombëtar.

Avokatët Ethem Rugova dhe Bashkim Nevzati arrestimin e z. Berisha e vlerësojnë si të kundërligjshëm, sepse, siç thonë ata, nuk ka pasur kurrfarë aktvendimi për arrestimin e tij.

Berisha është arrestuar për shkak të cenimit të një rregulloreje, e cila sipas tyre ende është e panjohur.

Sipas avokatëve, z. Berisha i janë cenuar të drejtat elementare dhe arrestimi i tillë është i kundërligjshëm.

Në një reagim të lëshuar nga SHVL-ja dhe AVP-ja mes tjerash thuhet: “Ky arrestim është arbitrar, i padrejtë dhe pa kurrfarë baze ligjore”.

“Është një arrestim diskriminues dhe ka prapavijë të montimit nga organet e pushtetit lokal të proceseve politike të rrezikshme për vetë statusin e Kosovës dhe ndaj shoqërisë së luftës”, thuhet në reagim ku luten ndërkombëtarët që çështjen shqiptare ta shqyrtojnë në mënyrë të drejtë dhe të mos ndjekin politikë diskriminuese”. 

Gazeta “KOHA DITORE” Fadil Bytyqi 29 Gusht 2001

 

Pas katër ditë burgim dhe pasi ka nënshkruar një deklaratë të diktuar nga prokurori Hickman

ZAFIR BERISHA U LIRUA ME KUSHT QË TA MBYLLË GOJËN!

Të enjten rreth orës 1700 pas katër ditësh qëndrimi në Burgun e Qarkut në Prizren, është liruar Zafir Berisha, anëtar i kryesisë së Asociacionit të Veteranëve të ish-UÇK-së dhe njëri nga organizatorët e protestave kundër vendimit absurd të pushtetarëve të Prizrenit për moslejimin e vendosjes së shtatoreve të Ismet Jasharit-Kumanovës dhe Xhevat Berishës.

Zafiri është arrestuar të hënën përpara lokaleve të Asociacionit… me arsyetim se ka shkelur një “urdhër-përjashtimi” të shqiptuar ndaj tij nga ana e komandantit regjional të Policisë së UNMIK-ut, në Prizren. Në bazë të atij urdhri, Zafirit i ishte ndaluar qarkullimi në një zonë të caktuar të qytetit të Prizrenit. Prokurori ndërkombëtar Thomas E. Hickman, ka dhënë urdhër për arrestimin e Zafirit, duke u mbështetur në një rregullore të mëhershme të UNMIK-ut, rregullore e cila është shfuqizuar gjashtë muaj më parë nga vet administrata e UNMIK-ut. Siç na informoi Ethem Rugova, njërit nga tre avokatët mbrojtës të Zafirit, sot për rreth tri orë, klienti i tij është marrë në pyetje nga një gjyqtare hungareze. Prokurori ndërkombëtar i vetëdijshëm se me dhënien e urdhrit për arrestim, ka bërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, para gjyqtares dhe avokatëve mbrojtës, ka ngritur një akuzë tjetër për gjoja pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës si dhe, shihe “desrtin” pas tërë kësaj, tentim vrasjeje ndaj një personi, akuza këto që sipas avokatit Rugova nuk kishin kurrfarë mbështetjeje.

E gjendur përpara një varg argumentesh që kanë afruar avokatët mbrojtës, dhe duke e parë se prokurori kishte shkelë vetë procedurën, gjyqtarja ndërkombëtare e Gjykatës së Qarkut në Prizren ka rënë dakord që Zafiri të lirohet. Mirëpo, me një gjë të tillë nuk është pajtuar prokurori Hickman, i cili për të bërë kompromis ka kërkuar që Zafiri të nënshkruajë një deklaratë, që vullnetarisht do të heq dorë nga pjesëmarrja në tubime publike, nuk do të bëjë deklarata për mjete të informacionit dhe do të heq dorë nga organizimi i mëtutjeshëm i protestave! Thënë shkurt, për t’u liruar, Zafiri i duhet ta mbyll gojën. Avokati Rugova na tha se i gjendur para një pozite të tillë, ne sugjeruam klientin tonë që të nënshkruajë një deklaratë të tillë, sepse vlerësuam se megjithatë është më e vlefshme dalja nga burgu. Avokati Rugova na njoftoi gjithashtu se prokurori ka hequr dorë përfundimisht edhe nga ato tri akuzat tjera, dhe duke u bazuar në tërë atë që është biseduar sot në Gjykatën e Qarkut në Prizren, duket qartazi se edhe kësaj radhe, ndërkombëtarët, si edhe shumë hera të tjera kanë rënë nën ndikimin e pushtetarëve të (LDK-së), gjë kjo e palejueshme rreptësisht kudo në vendet demokratike të botës.

Pra duket qartazi se zëri dhe sjelljet e Zafirit e kanë penguar një siluetë prapa tërë kësaj ngjarjeje me Zafirin, prapa së cilës fshihet me gjasë, kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu.

Zafiri i ishte bërë halë në sy Kryeziut që në kohën kur ishte deputet në Asamblenë Komunale (prej nga ka dhënë dorëheqje për shkak të mospajtimit me Eqremin dhe bashkëmendimtarët e tij), për ta penguar atë më shumë tani me iniciativën për ngritjen e këtyre dy shtatoreve.

Analistët e vëmendshëm në Prizren vlerësojnë se problemi artificial që e ngriti Eqrem Kryeziu me mohimin e dëshmorëve të kombit, ka synuar neutralizimin e situatës së përgjithshme në Kosovë, pas akuzave shumë serioze se LDK-ja ka gisht në vrasjen e njeriut të vet, Shaban Manaj.

Kjo, aq më parë, ngase në Kosovë, shpalimi i aktakuzës së prokurorit ndërkombëtar, ku një nga dy hipotezat mbi motivet e vrasjes së Manajt, është ajo politike e mbështetur mbi besimin se LDK-ja kishte përpiluar një listë emrash të anëtarëve të vet për likuidim fizik. Projekti i Eqeremit dhe LDK-së dështoi me faqe të zezë në Prizren. Në anën tjetër, ish luftëtarët e UÇK-së, nuk ngritën dorë kundër aleatëve ndërkombëtarë, as atëherë kur u hodh gazi lotsjellës, por me dinjitet të jashtëzakonshëm, kërkuan asgjë më shumë e as më pak sesa: nderim për ata që hoqën dorë nga jeta e tyre për të mirën e njerëzve pa liri jete! LDK-ja do të ishte marrëzisht fituese në këtë lojë të zezë, vetëm nëse protestuesit do të hynin në “luftë” me ndërkombëtarët. Analistët thonë se historikisht, LDK-ja nuk ka zgjedhur mjete për t’i arritur qëllimet: pushtetin e përjetshëm, qoftë në dëmin kapital të vendit! Sidoqoftë, fundi i një burgosjeje si hakmarrje politike dhe liria e Zafirit, mund të sjellë në ulje tensionesh, sado që ai doli “pa gojë” dhe “pa këmbë” nga burgu, me shkeljen e të drejtës më elementare në cilindo vend gjysmë demokratik në botë: të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur lirisht mendimet e tij!!! Por, kjo nuk është ajo për të cilën vdiqën shokë të Zafirit dhe për të cilën erdhën këtu ndërkombëtarët! Në Indinë e Kosovës, në Prizren, ku mund të hajë dreqi nëse iu shkel të drejtat kafshëve, veçanërisht Zotit më të ri, Shenjtërisë së Saj Lopës, përderisa siluetat politike dirigjojnë prangat dhe jo ligji e rendi demokratik, mund të priten edhe vaki të tjera. India e Kosovës, Prizreni, po bëhet nëna e vakive!

Gazeta “EPOKA E RE”       DemirReshiti 31 Gusht 2001

 

ZAFIR BERISHA – I BURGOSUR JASHTË GRILAVE!

Lufta e pashpallur që ka nisur kohët e fundit ndaj një pjese të konsiderueshme të ish-komandantëve dhe drejtuesve të UÇK-së, sikur është intensifikuar. Suspendimi i paradokohshëm i pesë gjeneralëve dhe përjashtimi, tash së fundi, i gjeneralit Sami Lushtaku nga TMK-ja, sikur u ka dhënë guxim disa udhëheqësve të LDK-së, të dëshmuar edhe më parë për qëndrimin e tyre anti UÇK, që të qërojnë hesapet me figurat më karizmatike që i prinë kësaj ushtrie të lavdishme. Njëri nga ish-ushtarët dhe komandant i devotshëm i UÇK-së në Prizren, Zafir Berisha, i cili me tërë qenien e tij ishte angazhuar në këtë ushtri, që nga ditët e para të themelimit të saj, i është bërë halë në sy kryetarit të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, qysh në kohën kur luftonte për liri. Zafir Berisha, një djalë 33 vjeçar, energjik dhe me karakter të fortë, kishte pasur guxim edhe në kohën kur ishte këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit (tani ka dhënë dorëheqje për shkak të shumë mospajtimeve që pati me pushtetarët e LDK-së), t’ia thoshte në fytyrë Eqremit dhe puthadorëve të tij se rruga të cilin kishin zgjedhur i çonte në humnerë! Eqremi, si ndër më të shkathët e LDK-së për hapjen e dosjeve kundër UÇK-së, pas protestave të organizuara në Prizren kundër një vendimi të Asamblesë së tij, ka gjetur një rast të mirë që me ndihmën e ndërkombëtarëve, me stilin “gjuaje gurin e fshihe dorën”, ta godas Zafirin dhe shumë shokë e bashkëmendimtar të tij. Qe besa, deri diku edhe ia ka arritur qëllimit! Sidoqoftë, për të krijuar lexuesi një pasqyrë më të qartë rreth rastit të Zafirit, po i paraqesim me radhë të gjitha ato që kanë ndodhur ditëve të fundit me Zafir Berishën.

Urdhër-përjashtimi

Më 21 gusht të vitit 2001, komandanti regjional i policisë së UNMIK-ut në Prizren, ka lëshuar një urdhër-përjashtimi, për kryetarin e këshillit protestues dhe ish-luftëtarin e njohur Zafir Berisha, ish-këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit, i cili kohë më parë ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, në shenjë proteste ndaj qëndrimit autoritar të kryetarit Kryeziu dhe bashkë qeveritarëve të tij. Me anën e këtij urdhri, Zafir Berishës, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, i është ndaluar qarkullimi në një zonë relativisht të gjerë të qytetit të Prizrenit, duke filluar nga zona e Shatërvanit, Qendra e qytetit e deri te ndërtesa e Bankosit në kohëzgjatje prej 13 ditësh, duke filluar nga 21 gushti e deri më 3 shtator! Në arsyetimin e këtij vendimi të lëshuar nga komandanti regjional i policisë së UNMIK-ut në Prizren, thuhet se kjo masë është ndërmarrë në pajtim me rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000\62, si pasojë e implikimit të tij në protestat e organizuara për vendosjen e shatorëve të Ismet Jasharit-Komanovës dhe Xhevat Berishës. Në rast moszbatimi të këtij urdhri, Zafirin e pret dënimi prej 60 ditë burg, që do t’ia shqiptonte gjyqtari ndërkombëtar i Gjykatës së Qarkut në Prizren.

Arrestimi

Të hënën më 27 gusht, rreth orës 1630 deri sa po largohej nga lokalet e Shoqatës, ku kishte pasur një takim me përfaqësuesin rajonal të UNMIK-ut, është arrestuar në mënyrë arbitrare Zafir Berisha. Arrestimi i Zafir Berishës nga ana e policisë së UNMIK-ut, para lokaleve të kësaj shoqate, në kohën kur ishte caktuar një takim me përfaqësuesin e UNMIK-ut, lë hapësirë për të dyshuar se ndërkombëtarët po punojnë me direktiva nga dikush tjetër, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar me këtë rast nga Asociacioni i Veteranëve të ish-UÇK-së në Prizren. Në këtë komunikatë, gjithashtu, shprehet indinjatë për faktin se ditë më parë, Zafirit i ishte kufizuar e drejta e lëvizjes nëpër një territor të caktuar të qytetit, me kërcënimin se do të dënohej me 60 ditë burgim nëse nuk i përmbahet këtij urdhri të ndalim-qarkullimit, për t’u theksuar se qartazi po del në shesh se UNMIK-u ka rënë nën diktatin e kryetarit të komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziut, i cili gjithmonë çështjet madhore të paraqitura nga subjektet e dala nga lufta, mundohet t’i kanalizojë përmes një individi, siç është tani rasti me Zafir Berishën. Asociacioni i Veteranëve të Luftës dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës të UÇK-së, kanë dalur me një reagim të përbashkët lidhur me arrestimin e Zafir Berishës, në të cilin ndër të tjera thuhet: “Ky arrestim është arbitrar, i padrejtë dhe pa kurrfarë baze ligjore. Zafiri është zëdhënës dhe përfaqësues i vendimeve të dy subjekteve të dala nga lufta, dhe nuk i ka përfaqësuar asnjëherë mendimet e tij personale, por mendimet e këtyre dy subjekteve. Andaj, arrestimi i tij, është sulm i rëndë ndaj këtyre dy subjekteve, sepse ka prapavijë politike të rrezikshme për vet statusin e Kosovës dhe për vet luftëtarët që u sakrifikuan për të. E tëra është e montuar nga organet e pushtetit lokal të Prizrenit, sipas direktivave të Beogradit për eliminimin e atyre njerëzve që kanë dhënë më së shumti kontribut për çlirimin e Kosovës”, përfundon reagimi. Këto dy shoqata kanë caktuar tre avokatë mbrojtës (Ethem Rogovën, Bashkim Nevzatin dhe Lulzim Bilurdagun), të cilët kanë bërë përpjekje të takohen me klientin e tyre, por më kot. Avokati Rugova, ka deklaruar se me rastin e arrestimit të Zafir Berishës, ndërkombëtarët për të satën herë me radhë kanë bërë shkelje të procedurës gjyqësore, duke theksuar se për çdo hap të ndërmarrë ndaj klientit të tij ata do të duhej të lëshonin vendim. Në një letër që avokati kishte siguruar nga Zyra e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, thuhet se prokurori ndërkombëtar, në bazë të dispozitave të neneve 45, 158 dhe 191 të Ligjit mbi Procedurën Penale, ka bërë kërkesë për kryerjen e hetimeve dhe caktimin e paraburgimit, gjykimin dhe dënimin ndaj të dyshuarit Zafir Beirhsa, i cili mbahet në arrest për dyshimin e bazuar se ka shkelur një urdhër përjashtimi të shqiptuar ndaj tij më 21 gusht nga komandanti rajonal i policisë së UNMIK-ut në Prizren! Këtë kërkesë e ka nënshkruar prokurori ndërkombëtar Thomas E. Hickman, i cili ka propozuar që një gjyqtar ndërkombëtar i Gjykatës së Qarkut në Prizren të marrë në pyetje të dyshuarin!

Çfarë thotë avokati Ethem Rogova?!

Komandanti rajonal i policisë së UNMIK-ut, fillimisht ka gabuar rëndë kur i ka shqiptuar Zafirit masën e ndalim qarkullimit nëpër një zonë relativisht të gjerë të qytetit, duke u mbështetur në rregulloren numër 2000\62, rregullore kjo, e cila ka kohë që është shfuqizuar nga vet administrata e UNMIK-ut! Mënyra e arrestimit të Zafirit pa iu lëshuar atij kurrfarë vendimi, gjithashtu, është rast i paprecedent në gjyqësi. Praktikisht, ai ka qenë i arrestuar në mënyrë ilegale, apo më mirë, i kidnapuar! Është, gjithashtu shumë i palogjikshëm dhe i pazakontë për procedurën tonë ligjore propozimi i bërë nga prokurori ndërkombëtar për nënshkrimin e një deklarate nga ana e Zafirit, përmes se cilës do të hiqte dorë nga pjesëmarrja në protesta, nuk do t’i udhëhiqte ato, nuk do të paraqitej publikisht në media, etj. Kemi ne sot në Kosovë një administrator, një protektor, i cili jo rrallë bie vendime që bien ndesh, jo vetëm me ligjin, por me të gjitha normat tjera ndërkombëtare. Sot ka një numër të madh personash në Kosovë që mbahen nëpër burgje pa kurrfarë vendimi, dmth, këtyre gjërave u prinë dikush që ka pozitë shumë më të lartë, i cili, në fakt, duhet t’i luftojë këto gjëra. Ne nuk e kuptojmë, ndoshta, sa duhet protektoratin, por një gjë e di mirë - ai që është në krye, nuk mund të sillet si mbret, për shembull si Luigji që ka thënë “Ligji jam unë”!

Gazeta “ZËRI I KOSOVËS”                  DemirReshiti 4 Shtator 2001

 

Çka tha Zafir Berisha?

NË PËRKUJTIME TË TË RËNËVE DHE SHËNIME TË DATAVE TË HISTORISË SË KOMBIT

TË NDERUAR QYTETARË, TË NDERUAR FAMILJE TË DËSHMORËVE DHE JU BASHKËLUFTËTARË

Jemi tubuar sot për të përkujtuar betejën e 1 Shtatorit të vitit kaluar ku ranë heroikisht shumë shokë tanë dhe bijtë tuaj, bijtë e Kosovës martire. Pikërisht në këtë vend ku jemi tubuar sot, në Lezin martir e të pamposhtur e zhvilluan beteja për liri a vdekje në mes të forcave të UÇK-së dhe forcave serbo-ruso-çetnike.

Në këtë betejë, bijtë tuaj dhe shokët tanë trima i treguan botës se nuk e durojmë çizmen fashiste të barbarëve serbë.

Lufta heroike e UÇK-së dhe fshatarëve të Lezit të prirë nga mësuesi patriot dhe “Adem Jashar i Vërrinit” - Xhevat Berisha.

Seladin Berisha, i cili i dridhi deri në palcë çetnikët serbë dhe mercenarët rusë.

Ushtarët trima si Bekimi, Ibrahimi, Nehati, Hasimi, Alejdini, Naipi, Shefqeti, Shehadini e shumë të tjerë, u bënë barrikadë e pathyer deri në vdekje për ta mbrojtur tokën e të parëve, tokën e Kosovës nënë.

Këta dëshmorë, të cilët do të jenë të shënuar me shkronja të arta në historinë e lavdishme të popullit shqiptar, dhanë çdo gjë që mund të jep një shqiptar, nëpër damarët e të cilit rrjedh gjak shqiptari.

Këta trima dhanë jetën për lirinë e Kosovës, për ditën të cilin me shekuj luftuan shqiptarët.

Ndërsa, ne shokët e tyre japim besën siç di me dhënë veç shqiptari se amanetin e tyre do ta qojmë deri në fund.

Zafir Berisha 1 Shtator 1999

 

TË NDERUARA FAMILJE TË DËSHMORËVE, TË NDERUAR USHTARË TË UÇK-së

Sot, jemi tubuar në fshatin Jeshkovë për të përkujtuar shumë dëshmorë, për të përkujtuar një betejë, por për të përkujtuar edhe një histori. 

Jeshkova u radhit pas Prekazit, Likoshanit, Gllogjanit, Likovcit, Kleçkës e shumë fshatrave të tjera të Kosovës martire, që u bënë baza të fuqishme të UÇK-së.

Këtu ishte shtabi lokal i UÇK-së për Prizren që më vonë u transferua në brigadën 125 të UÇK-së.

Këtu ishte çerdhja dhe foleja më e ngrohtë e qindra ushtarëve të UÇK-së dhe kjo nuk ishte rastësi, sepse këtu gjetëm besnikërinë dhe traditën luftarake të fshatarëve, të cilit qysh në ditën e parë të paraqitjes të ushtarëve të UÇK-së në rajonin e Vërrinit strehuan, ushqyen dhe i’u bashkëngjitën atyre.

Këtu ishte edhe çerdhja e luftëtarëve të mëdhenj të kësaj ane si e Remzi Ademajt, Xhevat Berishës, Seladin Berishës, këtu është edhe vendlindja e ushtarit Granit e të pamposhtur deri në vdekje Agim Shalës.

Këtu morën detyra luftëtari Bekim Berisha dhe mjeku Astrit Poniku.

Këtu u kalit ushtari Fatmir Berisha, Hysen Rexhepi e Bashkim Suka, siç po e shihni këtu po lidhet historia e disa betejave.

Më 1, 2 dhe 3 Shtator të vitit të kaluar barbarët serbë morën një ofensivë të madhe kundër forcave të UÇK-së, ata është e vërtetë se e thyen vijën e frontit, por kurrë nuk e fituan luftën, sepse luftëtarët trima të UÇK-së e vazhduan luftën, u përleshën edhe shumë herë me çetnikët serbë , deri në fitore .

Kjo ishte vendosmëri e luftëtarëve të lirisë, sepse besa e lidhur me shokët, tash ata dëshmorë, ishte që të luftohet deri në liri.

Vërrini ju përgjigj kushtrimit të Adem Jasharit, ju bashkëngjit Drenicës e Dukagjinit, ju bashkëngjit luftës për lirinë e Kosovës.

Vërrini dha shumë dëshmorë, që gjaku i tyre do të jetë themel i ardhmërisë së Kosovës.

Këtu luftuan shqiptarë nga të gjitha viset ku mbizotëronte arsyeja se për Kosovë duhet luftuar kudo që e kërkon nevoja.

Kërkoj nga ju qytetarë, e veçmas nga ju rini e Kosovës, që ardhmërinë e Kosovës ta ngitni mbi bazën që vuri UÇK-ja me gjakun e ushtarëve të saj dhe të bijve tuaj.

Ndërsa ne shokët dhe bashkëluftëtarët e dëshmorëve besën e lidhur dikur, nëpër fushëbeteja kundër armikut, ju themi se amanetin e tyre do ta qojmë deri në fund. Aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, aty ku është tokë shqiptare do të jemi ne.

LAVDI U QOFTË DËSHMORËVE!

Zafir Berisha 2 Shtator 1999

 

FJALA E RASTIT E SHËNIMIT TË NJËVJETORIT TË ÇLIRIMIT TË PRIZRENIT

Të nderuara zonja dhe zotërinj, qytetarë dhe ju aleat politik dhe ushtarak të popullit shqiptar

12 Qershori i vitit 1999 koencidon me qershorin e madh të vitit 1878 të LSHP dhe shumë qershoreve tjerë të historisë shqiptare.

Populli shqiptar me shekuj luftoi kundër otomanëve, serbo-sllave dhe apetiteve djallëzore të fuqive të mëdha të kohës, të cilët janë mundur që ta copëtojnë dhe ta asimilojnë popullin shqiptar. Në Berlin, Londër dhe Versaj, janë këto vende ku u copëtuan tokat shqiptare. Janë këto periudha të ndryshme të historisë, për t’i përjetuar periudhat nacional-shoviniste të krajlive, Tito-Rankoviqëve dhe millosheviqe, periudha këto që shqiptarët u vranë, u masakruan dhe përzunë me dhunë nga trojet e tyre etnike, por që kurrë nuk u gjunjëzuan.

Brez pas brezi shqiptarët rezistuan dhe luftuan në forma të ndryshme përmes organizatave dhe grupeve ilegale, ku mbajtën gjallë frymën dhe krenarinë shqiptare, për t’i kurorëzuar të gjitha këto përpjekje ndër vite e shekuj, formuan të lavdishmen Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Prizreni kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve nuk mbeti indiferent në ngjarjet e fundit të Kosovës martire. Djemtë e Prizrenit dhe të rrethinës të prirë nga patrioti dhe atdhetari Xhevat Berisha, që në verën e vitit 1997 e organizuan celulën e pare të UÇK-së rreth së cilës pastaj u afruan të gjitha grupet dhe organizatat ilegale në Prizren dhe rrethinë, duke e bërë edhe më të fortë këtë formacion ushtarak-politik dhe i dhanë grushtin e fundit regjimit serbo-sllav në Prizrenin historik dhe Kosovën legjendare.

Me shpërthimin e luftës frontale në rajonin e Drenicës, Dukagjinit në rrethin e Prizrenit edhe pse i dëmtuar pak njësiti i UÇK-së nga regjimi serb, në rajonin e Vërrinit që deri atëherë ishte bazë ilegale, gati i gjithë rajoni, dolën njësitet e formuara në mënyrë ilegale dhe për një kohë të shkurt arritën të mobilizojnë 650 ushtarë, ku formuan shtabin lokal të Prizrenit me qendër në fshatin Jeshkovë, komandant i të cilit shtab u emërua Remzi Ademaj-Petriti. Ky shtab kishte edhe njësite përcjellëse në atë kohë në Landovicë dhe në Kabash dhe njësitin e furnizimit në vet qytetin e Prizrenit.

UÇK-ja në atë kohë u përlesh disa here me forcat e okupatorit serb, të cilët sulmuan pozicionet e UÇK-së dhe ngritën kurthi ndaj udhëheqësve të saj.

Në krye të detyrës më të shenjtë kombëtare ra komandanti i shtabit lokal të UÇK-së në Prizren Remzi Ademaj-Petritidhe pas rënjes së tij ky shtab kaloi në brigadën 125. Brigada 125 e ZOP-it me 1,2 dhe 3 shtator të vitit 1998 pati edhe betejën më të ashpër në historikun e saj, ku ranë në vijat e frontit ballë për ball me forcat serbe edhe disa prijës të kësaj brigade Xhevat Berisha, komandant i ZKZ-së, Selajdin Berisha, komandant i policisë ushtarake, Agim Shala, komandant togu, Bekim Berisha, komandant togu dhe shumë luftëtarë të UÇK-së.

Edhe për kundër këtyre humbjeve UÇK-ja vazhdoi rezistencën në kushte të reja, ku si një nga bazat e riorganizimit të brigadës 125 u bë fshati Reti.

ZOP-i si njëra nga shtatë zonat operative të UÇK-së kishte nën komandën e saj gjashtë brigada dhe disa njësi speciale. Brigada 125 përbëhej nga tri batalione dhe një njësi speciale, të cilët në planin operativ-ushtarak vepruan në Prizren dhe rrethinën e saj. Për shkak të rrethanave të krijuara në mars të vitit 1999 nuk u arrit të formohet brigada 127 në rrethin e Sharrit-Opojës, kështu që edhe ky rajon mbeti në zonën e përgjegjësisë të brigadës 125, ku një njësit i saj veproi deri në fund të luftës. Marsi i vitit 1999 ishte muaji i një organizimi intensiv i UÇK-së në përgjithësi, njëherësh edhe i brigadës 125 të cilët në betejën e 11 marsit në luftimet e ashpra në Jeshkovë, bie komandanti i njësisë speciale Hysen Rexhepi dhe tetë pjesëtarë të këtij njësiti. Kjo ishte një humbje e madhe e brigadës 125 dhe UÇK-së, mirëpo lufta nuk u ndërpre, por vazhdoi me një vendosmëri edhe më të madhe të bijve të këtij populli dhe zotët e këtij vendi. Duke parë luftën e pastër dhe të domosdoshme që bënin bijtë e këtij populli nën emblemën e UÇK-së u kthjell ndërgjegjja e fuqive të mëdha dhe më, 24 mars filluan bombardimet mbi forcat kriminale serbe, ku njëherësh edhe u bënë aleat të UÇK-së dhe popullit shqiptar. Edhe për kundër sulmeve të NATO-së mbi forcat serbe, makineria barbare serbe nuk e ndali egërsinë, por ajo vazhdoi ushtrimin e dhunës dhe forcës kundër popullit shqiptar duke masakruar, djegur dhe dëbuar qindramijëra shqiptarë nga trojet shekullore. UÇK-ja vazhdoi rezistencën e saj në gjithë teritorin e Kosovës, ndërsa djemtë e Prizrenit u dalluan edhe në shumë beteja në zonat tjera operative të UÇK-së si në atë të Nerodimes, Drenicë, Dukagjin dhe operacioni “ Shigjeta”. Me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës në mes NATO-së dhe ushtrisë kriminale serbe, njësitet e UÇK-së u tërhoqën në pozicione mbrojtëse, për ta respektuar këtë marrëveshje. Njësitet e veçanta të batalionit të parë, të dytë dhe të tretë të brigadës 125 gjendeshin në lagjen Arbana, Tuzus dhe Bazhdarana ku pak para orës 2400 në Prizren arrin forcat e KFOR-it gjerman që shënon edhe marrjen frymë më lirshëm të këtij qyteti. Futja e batalionit të brigadës 125 dhe e një njësiti të brigades 124 në Prizren, për të cilën edhe kontribut të veçantë dha komandant Drini. Hyrja jonë në qytet, ishte një e arritur e madhe dhe një finalizim i luftës së UÇK-së të ndihmuar nga aleatët e saj.

Zonja dhe zotërinj! Me futjen e UÇK-së dhe të trupave të KFOR-it në Prizren, filloi një etapë e re e zhvillimeve më të reja në historinë e qytetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një pjesë e UÇK-së sipas marrëveshjes u transferua në TMK, një pjesë u inkuadrua në jetën politike ndërsa një pjesë tjetër e madhe vazhdon jetën normale si të gjithë qytetarët. Mirëpo e gjithë kjo që ndodhi që nga 12 qershori 1999 deri më 12 qershor 2000, nuk është inkurajuese, sepse një pjesë e administratës ndërkombëtare, pra UNMIK-u, në sektorë të veçantë u treguan të paaftë duke mos bashkëpunuar me faktorin e vërtetë të brendshëm e kjo mungesë e bashkëpunimit , ka krijuar dhe vazhdon të krijon një konfuzion në popull, që në momente le të kuptosh se është e qëllimshme, duke mos u interesuar për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës të burgosurit dhe të zhdukurit.

Mbesim me shpresë se 12 qershori 2001, do të na gjejë më mirë dhe më të organizuar shoqërinë kosovare.

Zafir Berisha 12 Qershor 2000

 

Fjalë rasti , me rastin e varrimit të tre dëshmorëve të UÇPMB-së

DUHET TA KETË TË QARTË EVROPA SE PLAGËT TONA ENDE VAZHDOJNË TË KULLOJNË GJAK

Sot për herë të fundit ndahemi fizikisht nga tre ish -ushtarë të UÇK-së nga tre bij më të mirë të shqiptarisë. Eqerem Hoxha, Betim Berisha dhe Shkelzen Krasniqi, janë edhe një dëshmi e vendosmërisë së shqiptarëve për liri a vdekje.

Të kalitur në UÇK, me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë të kësaj ushtrie, që bëri kthesë në historinë e shqiptarëve, ata ju përgjigjen Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, ju përgjigjën kushtrimit të kësaj toke shqiptare që vazhdon të kullon gjak nga bishat sllave të Karpateve.

Lufta kundër pushtuesve serbo-maqedon, është vazhdimësi e luftërave, që shqiptarët zhvilluan ndër shekuj, prandaj është ndër i veçantë për gjeneratën tonë, që këto luftëra i zhvillojmë për realizimin e qëllimeve tona. Është ndër i vaçantë, sidomos për ata, të cilët kapën pushkën dhe ranë heroikisht në vijat e ndiet, në vijat ku mbrohet ndërgjegjja e shqiptarëve dhe besa e Lidhjes së Prizrenit.

Duke i nderuar sot këta tre dëshmorë, Prizreni e ka rastin si shumë herë në histori, që të solidarizohet me vëllezërit e tyre, në Kosovën Lindore, të cilët ua kanë kthyer pushkën kriminelëve të Beogradit. Njëherësh nga qyteti i Lidhjes Shqiptare i bëjmë me dije fuqive të mëdha, se plagët tona të hapura, në vitin 1878 në Berlin dhe në vitin 1913 në Londër, vazhdojnë të kullojnë gjak. Duhet ta ketë të qartë Evropa plakë se kur nuk do të pushon pushka e shqiptarit, pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan.

Tuzusi (lagjja e trimave) dhe Xëxa ajo sofër e madhe e shqiptarëve, treguan edhe një herë se kanë djem trima, për t’i ngjeshur armët e lirisë dhe për t’i dhënë barut ordhive çetnike, kudo që tentojnë të mos i lënë të qeta tokat shqiptare.

Prizreni, kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve , sot i përcjell, për në varrezat e dëshmorëve (aty ku janë themelet e Kosovës) edhe tre dëshmorë, tre gurë në themelin e ardhmërisë së Kosovës Lindore, të cilët ranë heroikisht më 19 Shtator 2000 nën emblemën e UÇPMB-së.

LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT

Zafir Berisha 21 Shtator 2000

 

TË NDERUARA FAMILJE TË DËSHMORËVE, TË NDERUAR ISH USHTARË DHE INVALID TË UÇK-SË, TË NDERUAR PJESËMARRËS TË KËTIJ PËRKUJTIMI

Sot, pas tri viteve takohemi në këtë sallë, për të përkujtuar njërin nga patriotët më të shquar të rrethit të Prizrenit, komandantin e lavdishëm Remzi Ademaj-Petritin.

Remzi Ademaj – komandant Petriti, u lind më 3 qershor të vitit 1952, në fshatin Zhur nga i ati Bajrami dhe nënë Nazifja, të cilët e edukuan me ndjenjën patriotike, që kishte kjo familje.

Si i ri ai nuk u pajtua kurrë me regjimin e egër sëbo-sllav, që me decenie i robëroi tokat shqiptare.

Për shkak të kushteve të vështira, ekonomike ai mërgoi në Gjermani. Në mërgim, ra në kontakt me patriotë të shquar si vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën e shumë të tjerë. Vrasjet e tre patriotëve shqiptar në Gjermani, nga UDB-ja, Remziut edhe më shumë ia shtuam urrejtjen ndaj pushtuesit serb. Remzi Ademaj – komandant Petriti, u betua para varrit të këtyre dëshmorëve, dhe ndarjen nga ta shndërroi në forcë, në energji të pashtershme për çështjen kombëtare. Për shkak të veprimtarisë patriotike në mesin e mërgimtarëve Serbia e përcillte këmba - këmbës dhe bie në një kurthë të organizuar nga UDB-ja , kur Remziu ishte në kryerjen e një detyre, ai zihet dhe burgoset. Pra, kjo burgosje ndodhi, në vjeshtën e vitit 1985, në kufirin Italo-Slloven, dhe si pasoj e arrestimit nga UDB-ja e Beogradit, pastaj dënohet me 6 vjet burgim të rendë. Edhe përkundër vuajtjeve nëpër burgjet më famëkeqe si në ato të Gospiqit Stara-Gradishtës e Lepogllavës, këtë bir të fortë të shqiptarisë nuk e nënshtruan torturat serbe, por atë edhe më shumë e forcuan.

Pas daljes nga burgu, Remziu nuk ndërroi veprimtarinë edhe pse Serbia e burgosi për herë të dytë edhe në fillim të viteve ’90 dhe e dënoi me 3 vjet e gjysmë burg. Në mungesë të fakteve atë nuk e dënojnë më tepër dhe e lirojnë, për të tentuar ta burgosin përsëri në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë, por ai nga në ilegaliteti , në qershor të vitit 1998 , iu bashkëngjit ushtarëve të UÇK-së, që kishin mbushur malet e Vërrinit dhe rrethit të Prizrenit , prej nga dhe vihet në krye të këtyre djemve, ku edhe merr nofkën luftarake sipas njësitit të UÇK-së “Petriti” dhe zgjidhet komandant i shtabit lokal të UÇK-së për rajonin e Prizrenit.

Emri i Remziut tmerroi pushtuesit serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre, si komandant i SHL të UÇK-së, për rajonin e Prizrenit, i cili udhëhoqi 600 ushtarë të UÇK-së deri në momentin e rënjës së tij në mënyrë heroike.

Remzi Ademaj ra heroikisht në një pritë afër Nashecit, duke bërë rezistencë më 15 gusht 1998 në ora 2315.

Lajmi për vrasjen e komandant Petritit mori dhenë, por ushtarët e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tij nuk u gjunjëzuan para armikut ata vazhduan luftën deri në fund për ta tmerruar armikun dhe për ta shporrur atë një herë e përgjithmonë nga trojet tona.

Komandant Petriti pat fatin e përbashkët, që të militojë dhe luftojë me bashkëluftëtarët e mëdhenj të rrethit të Prizrenit, që sot janë dëshmorë si Xhevat Berisha, Salajdin Berisha, Agim Shala, Hysen Rexhepi dhe shumë të tjerë, gjaku i të cilëve është bërë gurthemel për të ardhmen e Kosovës së pavarur dhe demokratike.

Ne shokët e gjallë të tyre kemi përgjegjësi morale dhe kombëtare, që amanetin e tyre ta qojmë në vend, sepse ata ranë për liri dhe vlerat e saja të pakontestueshme pë pavarësinë e plotë të Kosovës, pavarësisht nga mbeturinat e relikteve pro sllave, që do të jenë në çdo kohë të mallkuar, nëse vetëm tentojnë veprojnë kundra gjakut të dëshmorëve. Të mendosh dhe të veprosh kundër gjakut të dëshmorëve, do të thotë të mendosh kundër vetvetes, kundër zotit , kundër tokës, për përjetësinë e së cilës dhanë jetën dëshmorët e kombit.

LAVDI DËSHMORËVE

Zafir Berisha 15 Gusht 2001

 

Të nderuara zonja, të nderuar zotërinj!

Në jubileun e Njëzetvjetorit të shënimit të Pranverës së demonstratave studentore të vitit 1981, po vijmë pas Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila Epope e sendërtoi edhe idealin e shpalosur të gjeneratës së 81-shit.

                Më 11 Mars të vitit 1981, studentët e Universitetit të Kosovës e dhanë të parët, sinjalin e një faze përfundimtare të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për pavarësinë dhe lirinë e saj. Kjo luftë, për këta 20 vjet do të shënojë vetëm rritje të vazhdueshme, të organizimit e të pjekurisë, krahas sacrifices më sublime të djemve më të mirë dhe vajzave më të mira të popullit shqiptar. Këtë luftë, dhe këtë përpjekje të periudhës së kaluar që nga 11 Marsi i viti 1981, e simbolizon edhe Beteja e Jeshkovës po me datën 11 Mars, por të vitit 1999. Njësiti i zgjedhur i Brigadës 125 të UÇK-së, në krye me Hysen Rexhepin, luftoi dhëmb për dhëmb me hordhitë serbe, por nuk u dorëzua. Me aktin e tyre të fundit, 9 djem të këtij njësiti, e fituan pavdekësinë. Dhe nuk është koincidencë e rastit, 11 Marsi i vitit 1981 dhe 11 Marsi i vitit 1999. Kështu që sot ne shënojmë Jubileun e 20-të vjetorit të demonstratave të vitit 1981 dhe dyvjetorin e Betejës së Jeshkovës, që simbolikisht dhe në mënyrë mjaft domethënëse lidhen me të njëjtën datë, 11 Marsin.

                Muaji mars, nëpër vite të shekullit të kaluar, në Kosovë, ka qenë muaj i Kryengritjen shqiptare, kundër robëruesve të tyre të shumtë.

                Brezi i sotëm dhe brezat që do vijnë do t’i përkujtojnë këto data dhe data tjera me pietet, si pjesë qenësisë sonë si komb. Askush nuk do të arrijë t’i lej në harresë ngjarjet dhe njerëzit e atyre ngjarjeve që e shpëtuan Kosovën. Është e drejtë e çdo kujt të mendojë ndryshe. Jetojmë në erën e demokracisë e të shumë mendësisë. Lëvizjen tone kombëtare, fryma dhe lëvizja e oportunitetit e konformizmit me pushtuesin e ka përcjellë nëpër shekuj. Por ky konformizëm dhe ky oportunitet e ka zvetënuar kombin dhe e ka sjellë herë- herë në kriza, buzë greminës dhe në prag të zhdukjes.

                Një politikan i yni, me të drejtë do të konstatoj para do ditëve, në Akademinë përkujtimore për Adem Jasharin, duke iu referuar Komandantit legjendar të UÇK-së dhe familjes Jashari nga Prekazi, “se në laboratorët e thellë të gjeneve të kombit tonë përher do të zbuloheshin zgjidhje për situatat e pashpresa, të cilat zgjidhje do ta rilindim kombin shqiptar”.

                Ishin demonstratat e vitit 1981, që e ngritën kombin shqiptar në këmbë, dhe e përgatitën për sfida që dukeshin në horizont, e me të cilat, do të përballej gjatë shpërbërjes së pritur të ngrehinës monstruoze të quajtur Jugosllavi.

                Pas 11 Marsit 1981, më 25 Mars, pikërisht në qytetin tonë, në Prizren studentët e SHLP dhe nxënësit e shkollave të mesme, të parët në Kosovë, do të solidarizohen me kërkesat e studentëve në Prishtinë. Po të nesërmen më 26 Mars në Qendrën e studentëve në Prishtinë, do të manifestohet qartë kërkesa politike e Lëvizjes studentore dhe mbarëkombëtare të atëhershme në sloganin “Jemi shqiptarë, jo jugosllav” dhe kërkesa për statusin e Republikës së Kosovës. Kjo do të nxisë makinerinë pushtuese jugosllave të shfryjë gjithë urrejtjen patologjike, mbi lulen e Kosovës, rinin shkollore të saj, student dhe nxënës, duke i shtypur me zjarr dhe hekur manifestimet paqësore të saj. Më pas, këto protesta dhe demonstrata do të gjenerojnë më 1 e 2 Prill të 1981 në demonstrata mbarëpopullore në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës. Aparati shtetëror jugosllav, me tërë infrastrukturën e tij represive do bjer fort mbi kurrizin e popullit të martirizuar të Kosovës. I yshtur dhe urdhëruar nga LKJ dhe levat e saj, dhe ekspoziturat e tyre në Kosovë, Lidhja e rinisë socialiste, Lidhja e sindikatave etj. Që shpesh, fatkeqësisht, udhëhiqeshin nga shqiptarët që bënin argatin e djallit, aktivist politik që diferenconin, bojkotonin apo linçonin bashkëkombësit e tyre, polic që burgosnin e torturonin në emër të shtetit jugosllav, prokuror dhe gjykatës që akuzonin dhe dënonin të rinj me shumë vite burg-vetëm e vetëm sepse kishin kërkuar liri dhe pavarësi për Kosovën.

                Por, e gjithë kjo plojë në vitin 1981, nuk ia uli kurrë kokën Kosovës, përkundrazi, veçse Lëvizja e saj kombëtare filloi të marrë profilin e një organizimi më të mirë, duke kërkuar edhe sakrifica të mëdha nëpër vite. Edhe pse një klikë e caktuar e politikanëve u munduan që në vitet e nëntëdhjeta t’ia ulin vrullin rezistencës sonë, kësaj here rinia iu përgjigj kushtrimit të komandantit legjendar Adem Jasharit, dhe iu bashkua UÇK-së.

                Shumë të rinj që i mbushën radhët e luftëtarëve të lirisë në Epokën e lavdishme UÇK-së, kishin datëlindje vitin 1981. Disa nga ta vunë edhe jetën e vet në altarin e lirisë së Kosovës.

                Edhe emrat e 9 luftëtarëve që dhanë jetën në fshatin selisë së Shtabit të UÇK-së për Prizren, në Jeshkovë, më 11 Mars 1999, do të mbesin të paharruar përjetë, dhe do t’i përkujtojmë çdo vit, Hysen Rexhepin, Bashkim Sukën, Hajdar Shalën, Tahir Gashin, Hamit Thaçin, Ymredin Qengajn, Alajdin Xhezairin, Feriz Susurin dhe Skënder Latifin. Po në marsin e përjetësisë u martirizuan edhe dy dëshmorë nga Prizreni, Shkëlzen Dragaj dhe Ersan Mazreku, dhe dëshmorët e UÇK-së në Kabash e Landovicë.

LAVDI PËRJETË GJITHË TË RËNËVE PËR LIRINË E KOSOVËS!

Zafir Berisha 11 Mars 2001

 

NË VEND TË PASTHËNIES

I dashur Zafir! Jam mirë, dëshiroj edhe për juve të jeni a më mirë!

Studiova me shumë vëmendje intervistën tuaj që do të botohet si libër në vete dhe më entuziazmon mënyra, që ju keni zgjedhur për t´u shprehur. Ju uroj gjithë të mirat dhe jetë të gjatë e suksese në karierën tuaj për të mirën e kombit. Megjithatë, unë nuk mund të rri pa ju thënë se jeni treguar shumë modest në intervistën tuaj. Ndoshta duhet që të kishit pak më shumë shpjegime për punën, veprimtarinë dhe luftën tuaj. Sidoqoftë prap them, mirë keni bërë pasi mjaft të tjerë, kanë folur shumë për veten. 

Po kështu, siç biseduam edhe në telefon bashkë, ju mund të keni edhe projekte tjera, por në këtë intervistë keni qëndruar si tepër në pozicionin e një kronisti. Meqë, nuk jeni futur më thellë, duhet që të keni parasysh që të shkruani diçka tjetër. Unë jam shumë i kënaqur me çka lexova në intervistën tuaj...

Duke ju falënderuar që më dhatë kënaqësinë të lexoj, para botimit, intervistën tuaj, ju uroj edhe një herë për çka keni investuar për luftën si dje me armë dhe sot me shpjegime tuaja të sinqerta e të rrjedhshme.

Me respekt!

Gjeneral Kudusi Lama   Tiranë, më 5 prill 2002




Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm