Menu

Dëshmori Feriz Guri dhe liria e Atdheut

User Rating:  / 1
PoorBest 

Feriz Guri 1970-1999

Përkufizimi

Janë disa dilema që prekin përkufizimin e dhënë në këtë titull, dëshmori Feriz Guri dhe liria e Atdheut, që mendoj, shpalojnë bërthamën e luftës për liri, duke mos u marrë as me gjeografinë politike të ditës, as me shtetin shqiptar të ditës, as me qeveritë shqiptare të ditës. Kësaj radhe, është me interes shqyrtues dilema: kush ishte dhe kush është dëshmori Feriz Guri?

Ato që janë thënë në Fjalën e redaktorit për monografinë e prof. dr. Nusret Pllanës, Feriz Guri-Uragani i UÇK-së, të cilën po e përurojmë sot, nuk është vendi as kuvendi të përsëriten dhe mund të lexohen nga secili lexues, por disa nga këto dilema dalin edhe në monografinë kushtuar Dëshmorit të Kombit Feriz Guri.

Hyrje

Në kontekstin historik shqiptar, pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dilemat marrin përmasa të çuditshme, jo vetëm për nga pesha historike e çështjeve që trajtohen dhe shqyrtohen, por edhe për nga mendësia me të cilën ato trajtohen dhe shqyrtohen. Njërës palë i mjafton ajo që kishte lënë Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, kur e kishte copëtuar gjeografinë kombëtare të shqiptarëve. (Paranteza e parë: Ka nga ata që mendojnë dhe thonë se më 1913, shqiptarët nuk kishin gjeografi kombëtare, por kishin gjeografi Vilajetesh, siç i kishte lënë Perandoria Osmane. Por ata harrojnë, se më 28 nëntor 1912, plaku i urtë, Ismail Qemali me atdhetarët e të gjitha viseve të Vilajeteve shqiptare kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë, që quhej Shqipëria etnike, përkundër faktit se pjesë të mëdha të gjeografisë shqiptare ishin zhbërë para dhe gjatë luftërave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit).

Palës tjetër i mjafton kjo që është arritur, duke u vetëkënaqur që të jemi të parët në fshatin tonë, më mirë se i dyti në qytet, nëse na lejohet ta parafrazojmë me humor mendësinë e këtillë të bërjes së shtetit. (Paranteza e dytë: Ka nga ata që thonë, sidomos kur largohen nga strukturat e shtetit, se edhe ne jemi atdhetarë dhe donim të bënim këtë e atë, por nuk na linin herë ndërkombëtarët e Evropës së shekullit XX, herë ndërkombëtarët e Evropës, që i plasi zemra të bëhet e bashkuar dhe nuk po ia arrin, të kësaj Evropës së shekullit XXI, e cila kur na solli dokumentin për Pavarësinë e Kosovës, të cilën e kishte fituar Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, na kishte ndaluar që të mos bashkohemi me askënd, siç na kishte ndalur deri edhe ngjyrën e simboleve kombëtare, që nuk do të duhej t’i kishim, sepse tashti përveç ndërkombëtarëve, po na hidhërohen edhe fqinjët).

Dhe dilema është: Kush ishte dhe kush është Dëshmori i Kombit Feriz Guri?

Përmasa e jetës dhe e rënies së Dëshmorit të Kombit Feriz Guri

Feriz Guri ishte anëtarë i familjes Guri nga fshati Nikaj i Kaçanikut historik. Nga mosha madhore, ai ishte njëri nga intelektualët e Kosovës, që kishte bërë dije në Universitetin e Prishtinës dhe kishte marrë gradën inxhinier i elektroteknikës. Do të thotë, përveç vlerë e familjes, ai ishte bërë edhe vlerë shoqërore. Pra, ai ishte bërë i vlefshëm edhe për këtë pjesë të gjeografisë kombëtare, që quhet Kosovë. Por, jeta e tij ende nuk ka as përmasë historike, as përmasë kombëtare.

Më 28 nëntor të vitit 1997 ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, bëhet publike. Luftëtari i lirisë Feriz Guri bëhet pjesë e kësaj ushtrie, që edhe në përmasën ndërkombëtare është pranuar se ishte çlirimtare. Se, po të na pyesnin ne shqiptarëve, sidomos ne shqiptarëve që luftën e kishim parë dhe e kishim bërë duke e shikuar në Tv-të ndryshme dhe duke ikur, ajo jo vetëm nuk do të quhej çlirimtare, por do të mund të quhej terroriste, siç kishte shumë përpjekje në fillimet e luftimeve të saj, në të dy krahët, kombëtar dhe ndërkombëtar. Prandaj, luftëtari Feriz Guri, nuk ishte pjesë e kësaj mendësie. Këtu ai fillon të jetë pjesë e përmasës historike të proceseve që hap një luftë çlirimtare. Ai e dinte se liria nuk fitohet me fjalë, nuk fitohet duke njollosur tërë botën, as nuk fitohet pa armë. Në këtë rrafsh të dilemave, luftëtari i lirisë, Feriz Guri, ishte pjesë e luftës për liri. Nëse Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, Feriz Guri ishte pjesë e kësaj lufte, pra edhe pjesë e kësaj lirie, që e gëzojmë sot, të gjithë, edhe ata që ishin për edhe ata që ishin kundër luftës për liri. Sepse, liria u takon të gjithëve, por luftën për të e bëjnë luftëtarët e lirisë të mbështetur në popullin që e përkrah atë luftë. Andaj, Feriz Guri, është pjesë e përmasës së kësaj lirie dhe pjesë e këtij populli liridashës. (Paranteza e tretë: Disa nga këto rrafshe janë shpaluar edhe në monografinë e Prof. dr. Nusret Pllanës, që po e përurojmë sot, Feriz Guri-Uragani i UÇK-së).

Rrjedhimisht, nëse liria e kësaj pjesë të gjeografisë kombëtare i shtohet lirisë së pjesës së asaj gjeografie që është quajtur shteti amë, pra Shqipëria, do të thotë se liria e Shqipërisë është rritur, ka marrë përmasë kombëtare. Atëherë, edhe lufta për liri e luftëtarit Feriz Guri është luftë me përmasë kombëtare.

Pra, kush ishte dhe kush është Dëshmori i Kombit Feriz Guri?

Atdheu dhe të rënët për liri

Dëshmori i Kombit Feiz Guri, si luftëtarë i lirisë në radhët e UÇK-së kishte dhënë Betimin e Ushtarit. Aty janë thënë qartë idealet jo vetëm të luftës, por edhe idealet e përmasës historike. Sepse, me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me luftën e UÇPMB-së, në Kosovën Lindore dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të shqiptarëve nën Maqedoninë e djeshme dhe të sotme, është hapur procesi i madh historik, për të realizuar të drejtën historike që të jetojmë të bashkuar në një shtet. Shteti, që është i zoti të krijojë një komb modern, si të gjitha kombet e tjera të demokracive botërore. Ngase dihet kaherë, pas luftës çlirimtare, lirinë e atdheut e mbron shteti-komb dhe jo shteti shumëkombësh, sepse nuk ka shtete shumëkombëshe, përkundër mësimeve që na japin, sidomos ne shqiptarëve, të gjitha demokracitë e botës, por kur është fjala që ato mësime t’i zbatojnë në vendet e tyre, jo vetëm që nuk e bëjnë, por edhe e kodifikojnë me norma kushtetuese se i kujt është shteti.

Prandaj, Dëshmori i Kombit Feriz Guri, me aktin e rënies në altarin e lirisë së atdheut, është bërë pjesë e përmasë historike të atyre proceseve historike që do të bëjnë të mundur formimin e kombit modern shqiptar. Sepse, përkundër faktit se ka kaluar shekulli i krijimit të kombeve, siç tonë disa historianë, publicistë e sociologë, kombi modern shqiptar nuk arriti të krijohet për shkak të përgjysmimit të tij nga fqinjët tanë dhe me ndihmën e Fuqive të Mëdha të Evropës. Do të thotë, kombi shqiptar është i krijuar, por është i përgjysmuar. Kurse, e drejta historike, nuk thotë askund se mund të ketë dy gjysmëkombe. Kombi shqiptar, bëhet komb modern vetëm i bashkuar. Lufta e Feriz Gurit e ka hapur këtë proces historik. Rënia e Dëshmorit të Kombit Feriz Guri, ka përmasën e atdheut të lirë dhe të bashkuar. Prandaj, atdheu është i dëshmorëve. Prandaj, nëse atë atdhe e përbën një komb, atëherë të rënët për lirinë e tij, janë Dëshmorë të Kombit. Liria e Kosovës, pa rënien  e Dëshmorit Feriz Guri, nuk do të ishte e plotë. Në anën tjetër, liria e atdheut tonë, Shqipërisë, pa lirinë e Kosovës nuk do të ishte e plotë, siç nuk ka qenë e plotë për më shumë se një shekull.

Luftërat çlirimtare në Kosovën Lindore fillimisht, pastaj edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në tokat shqiptare nën Maqedoninë, ishin pjesë e rritjes së luftës për lirinë e atdheut të shqiptarëve. Ky atdhe i shqiptarëve, askujt nuk ia zë hisen e diellit, përkundër zhurmës së madhe që bëjnë edhe politikat aktuale shqiptare, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup e gjetiu, se mund të na hidhërohen miqtë ndërkombëtar, por edhe politikat e qendrave të vendosjes evropiane, që i tmerron mundësia e zgjidhjes së çështjes shqiptare, duke lënë anash këtu politikën amerikane, e cila ka standarde të tjera, edhe sa i përket zgjidhjes së çështjes shqiptare, që ende është e pazgjidhur.

Do të thotë, kush ishte dhe kush është Dëshmori i Kombit Feriz Guri?

Përfundim

Rënia e Dëshmorit të Kombit Feriz Guri ka fuqinë e përballjes me të gjitha padrejtësitë historike që i janë bërë kombit shqiptar për më shumë se një shekull. Pse mund të thuhet kështu? Sepse, e drejta historike e luftës për liri të popujve të robëruar, është e drejtë hyjnore, kurse të rënët në këtë luftë për liri, pjesë e së cilës ishte edhe Dëshmori Feriz Guri, janë përmasa e realizimit të kësaj të drejte historike, për të qenë të lirë dhe të bashkuar. Do te thotë, rënia e Dëshmorit Feriz Guri ka përmasë të së drejtës historike të popullit shqiptar, të cilën historia, nën diktatit e forcës e kishte nëpërkëmbur për më shumë se një shekull. Por, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar i së cilës ishte Feriz Guri, e mësoi historinë e popullit tonë që ta përbuzë nëpërkëmbjen, meluftën e armatosur, kurse ne të gjallëve, që do të kemi vdekje të zakonshme, për ndryshim nga rënia e Dëshmorit Feriz Guri, na mësoi të ecim vertikalisht. Në të njëtën kohë, kancelarive evropiane ua qartësoi mësimin e madh të historisë, se nuk ka proces historik që mbyllet pa e pyetur popullin mbi të cilin është bëre padrejtësia historike.

Andaj, këtu i vjen fundi dilemës se kush ishte dhe kush është Dëshmori i Kombit Feriz Guri. I vjen fundi, kësaj dileme me përmasë historike, ngase Lufta e UÇK-së, pjesë e së cilës ishte luftëtari i lirisë Feriz Guri, e ka mësuar luftëtarin e saj Feriz Gurin që të japë jetën për lirinë e atdheut. Pra, Dëshmorët e Kombit kanë atdhe. Prandaj, rënia e tij është shenja e tërësisë së atdheut, që një ditë do të bëhet, deshën apo nuk deshën shqiptarët që merren me politikën e ditës, deshën apo nuk deshën qendrat e vendosjes ndërkombëtare, që na mësojnë si t’i bëjmë dy a më shumë shtëpi ne shqiptarët, kurse vetë bëjnë të pamundurën që të bashkohen. Ata mund të harrojnë për një çast se në themelet e atdheut të bashkuar është gjaku i Dëshmorit të Kombit Feriz Guri, bashkë me gjakun e të gjithë Dëshmorëve të Kombit që kanë rënë për lirinë tonë.

(Paranteza e fundit: Disa nga këto trajtime janë analizuar edhe në monografinë e Prof. dr. Nusret Pllanës, andaj nuk është vendi të përsëriten).

Lavdi Dëshmorit të Kombit Feriz Guri dhe të gjithë Dëshmorëve të tjerë që kanë dhënë jetën për lirinë e atdheut!

Instituti Albanologjik i Prishtinës
Prof. dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor

Prishtinë, më 3 maj 2014

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm