Menu

Sejdi Krelani 1959-1999

User Rating:  / 5
PoorBest 

Sejdi Krelani 1959-1999

Biografi e dëshmorit Sejdi Krelani
(07.12.1959-30.04.1999)

Sejdi Krelani është i lindur në Fortesë, (Verboc) të Drenasit, më 07.12.1959, nga prindërit: babai Smajli e nëna Hyra të cilët kishin nëntë femijë prej tyre shtatë djem e dy vajza. Sejdiu është fëmija i dytë i familjes pas së motrës, Bukurijes, e pas tij vëllezërit binjak, Azemi dhe Bedriu, ndërkaq që Bedriu humbë jetën para lufte tragjikisht nga një aksident. Ganiu, Elhamiu, Agimi, e motra Lirija që Sejdiu i kishte ngjitur emrin, dhe Bashkimi. Sejdiu shkollën fillore e kreu në Terstenik, kurse të mesmen, gjimnazin në Drenas, pastaj u regjistrua në fakultetin e Metalurgjisë në Mitrovicë ku detyrohet ta ndërpresë për shkak të aktiviteteve të tij politike. Dëshmori rrjedh nga një familje atdhetare ku si i ri u mor me aktivitete si pjesëmarrës aktiv në demonstratat e e vitit 1981.

Në vijim ishte edhe organizator i demonstratave në komunën e Drenasit nga ku fillon të ndiqet politikisht nga regjimi i atëhershëm serbosllav të ndihmuar nga kollaborator shqipfolës. Familja Krelani e ka prejardhjen nga Krelani i Gjakovës, nga stërgjyshët e tij. Sejdiu e ka të trashëguar emrin e gjyshit të tij Sejdi Krelanit. Dëshmori Sejdi Krelani me datën 6.10.'78 martohet me bashkëshorten Nexhmije Nika nga Gllanasella, bijë e një veprimtari të devotshëm, Vesel Nika, në odën e të cilit ishte edhe shtabi i Brigadës 114 Fehmi Lladrovci. Pas lufte nga këngëtari popullor Tahir Drenica këndon nëpër oda dhe vjehrrin e Sejdiut, Veselin. Sejdi Krelani me bashkëshorten e tij Nexhmijen kishin pesë fëmijë, nga të cilët ishin, vajzat, Lumnija, Sanija, Ganimetja, djemtë, Flamuri dhe Dini. Dëshmori Sejdi Krelani ishte i shquar dhe lehtë për tu identifikuar, pasi gjithherë ka bartur rroba me ngjyrë flamuri kuq e zi që e tregon më vonë edhe ideali i tij prej një patrioti e kombëtari të vërtetë, sepse djalit i vë emrin Flamur. Në vitin 1986 bëri betimin para Ballit Kombëtar shqiptar BKSH, në kullën e heroit Shaban Polluzha në fshatin Polluzhë, pasi Sejdiu ishte aktivist i dalluar i kësaj Lëvizje mbarë kombëtare shqiptare dhe që nga atëherë Sejdiu e barti nofkën "Ballisti" deri në çastet e fundit të jetës dhe veprimtarisë se tij ku ra heroikisht.

Ishte burgosur disa herë me nga dy tre javë, për aktivitetet e tij kombëtare. Ai në vitin 1989 arrestohet prapë dhe dërgohet në burgun e Smrekonicës ku pas gjashtë muajsh lirohet me kusht gjoja për ta ndërprerë veprimtarinë e tij kombëtare. Bajram Zena (Meha) nga Prekazi, ka qenë gjyshi i dajave i cili ka pasur tri vajza dhe ka qenë një bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës që ishte i lidhur ngushët si vëllezër me kushëririn e tij bashkëluftëtarin Emin Latin, gjyshin e heroit Tahir Meha, ish bashkëluftëtarë i Azem Galicës, gjithashtu gjyshi Bajram Zena(Meha) vdes nga torturat në burgjet e Serbisë, pas luftës dhe rënies së Azem Bejtës. Me rastin e ditës së lindjes të Sejdiut, për familjen Krelani ishte një gëzim i madh i pa përshkruar, pasi babai i tij dhe gjyshi ishin të hasretit. Sejdiu si i ri u deshtë të ballafaqohet me sfidat e jetës. Pas Sejdiut kanë lindur edhe gjashtë vëllezër e dy motra. Sejdiu nga vitet e 80-ta deri në 90-ta punoi në fabrikën e Ferronikelit, ku nuk e la të qetë UDBA dhe ai detyrohet të lë punën, të merr shoqen dhe fëmijët që banonin në Drenas dhe ti dërgon në fshatin Fortesë (Verboc) e vetë bashkë me Ymer Elshanin dalin jashtë vendit ku fillimisht ndalen në Shqipëri në vitin 1993. Atje qëndruan për gjashtë muaj nga pastaj me ndihmën e një oficeri arrijnë të pajisen me pasaporta të Republikës së Shqipërisë dhe vazhdojnë rrugën për në perëndim, pikërisht në Zvicërr. Edhe atje vazhdon aktivitetet e tij politike për BKSH (Ballin kombëtar shqiptar), ku qëndron dhe merret me aktivitete kombëtare deri sa Kosovën e mbuloi flaka nga ofensivat serbosllave. Më datën 02.02.1998. Sejda "Ballisti" kthehet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ti dalë në mbrojtje atdheut.

Pas masakrës së Likoshanit e Çirezit. Kështu që vllaun Azemin e burgosin mbi një vit fillimisht në burgun e Lipjanit në Kosovë, më 28.05.1999 e më pas e dergojnë në burgun e Pozharevcit në Serbi deri me datën 24.04.2000. Sejda shërbeu si përkthyes për gazeta të ndryshme që merrnin informacione në atë kohë në vendet ku ishte bërë krimi dhe masakrat nga aparati shtetëror serb. Më datën 31 gusht '98 një gazetar e interviston Sejdën, që i vënë edhe kryetitullin artikullit me fjalët e deshmorit Sejdi Krelani: "LUFTË DERI NË BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE DHE KRIJIMIN E SHQIPËRISË NATYRALE ASHTU SI E KA BËRË ZOTI VET".

Atëherë pas kësaj interviste, Sejdiu ishte kudo i kërkuar nga forcat paramilitare. Pavarësisht nga rreziqet, dëshmori Sejdi Krelani asnjë çast nuk u ndal vetëm sa e shtoi edhe më shumë aktivitetin e tij duke marrë pjesë në shumë ofensiva. Kështu që vendoset në pikën e quajtur "Guri i Plakës" në Dobroshec në Brigadën 114, ku bashkë me Haxhi Prnkun, Xhavit Kastratin dhe shumë luftëtarë të tjerë luftuan pa rreshtur në Bar të madh e deri në Hade. Pasi lufta kishte marrë përmasa të mëdha dhe kudo ndihej nevoja për ndihmë aty gjendej dëshmori Sejdi Krelani si në Polluzhë ku me shokët e vet trima luftëtarë ndërmorën një aksion kundër forcave paramilitare dhe e shkatërruan një autoblindë të forcave serbe, e thyejnë post bllokun për në Polluzhë, për të vazhduar edhe shumë aksione tjera si në Baks, Likoshan Fortesë(Verboc).

Pas bombardimit të fabrikës se Ferronikelit nga forcat e Nato-s, më 29 Prill, ku ishin forcat serbe të përforcuara dhe të tërbuara morën ofenzivë të zgjeruar drejt fshatrave ku ishin evakuuar popullata civile, në Verboc mbi 10.000 veta nga shumë fshatra të tjera për rreth. Në agim të datës 30 Prill dëshmori Sejdi Krelani e thërret nënën e vet: "Nënë këtu po përshëndetemi se nuk dihet për fatin çka na sjellë dhe i ftoi të strehuarit gra e fëmijë mbi 100 veta që i kishte në konak të vetin, dhe ju tregoi se i tërë fshati ishte i rrethuar nga këmbësoria serbe. Ai u betua se deri në rënie nuk do të i lë vetëm por do të luftojë për ti mbrojtur nga barbarët. Popullata civile bashkohet në një lëndinë ku dëshmori Sejdi Krelani zë vendin e parë në vijën e frontit, pikërisht në vendin e quajtur Kukil, në mes të dy gurëve ku edhe kishte zënë pozicionin, në ato çaste arrin kumbara i familjes së tij hoxha, Driton Kastrati dhe pyet a ka vend këtu për mua o Sejdë se ka hy këmbësoria serbe me të madhe dhe çdo shqiptar që po e zë po e vret. Po, ia kthen dëshmori Sejdi Krelani, veç një gjë ta kesh të qartë se unë kam vendosur të luftoj deri në çastet e fundit, dhe i jep hoxhës pak armatim pasi edhe vet nuk kishte sa duhej. Në ato çaste veç afrohet turma e paramilitarëve serbë.

Ku njëri nga ata ishte shkëputur nga turma dhe vjen në drejtim të Sejdës. Trimi ngritet në këmbë dhe shti në drejtim të armikut ku nga afër e godet në lule të ballit paramilitarin. Sejda e hedh edhe një granatë dore në turmë dhe në ato çaste ia merr edhe automatikun paramilitarit që e kishte vrarë. Pastaj si kreshnik fillon të shti në paramilitarë duke i vrarë dhe duke e asgjësuar grupin e tyre prej nga me shumë vështirësi arrin të largohet me gjashtë plagë në trup.

Dëshmitari akoma i gjallë dhe dhjetëra tjerë të rinj që shpëtojnë aty falë rezistencës së Sejdi Krelanit, ku nga distanca dëgjoheshin të shtënat në betejë dhe zërat njëkohësisht nga popullata duke thënë: Oooo prite Sejdi Krelani, he pushka top t'u bëftë! Mirëpo Sejda qe trim dhe mjeshtër i zhdërvjelltë që arriti ti shpëtoi luftës duke luftuar si një luan, ballë për ballë dhe duke parë armiku se e kishte të pa mundur të depërtoi aty nga afër, falë guximit dhe vendosmërisë së tij se do të rezistonte deri në çastin e fundit. Kështu që nga ana e kundërt e malit nga një distancë shumë e madhe. dëshmori Sejdi Krelani goditet nga një snajper dhe aty edhe bie dëshmorë për Kosovën martire. Dhe po atë ditë vëllanë e tij Ganiun e zënë rob dhe duke e ditë që ishte vëlla i Sejdës e mbajnë një natë dhe të nesërmen e vrasin tek vendi shavarinat e Qikatovës, ku ndodhi masakra e Qikatovës ku i zunë dhe i vranë mbi 300 veta të zgjedhur, të gjithë të gjinisë mashkullore, të pa armatosur. Të njëjtën ditë bie heroikisht edhe komandanti i brigadës 114 Ilaz Kodra, Antigona Fazliu dhe Haki Prokshi.

Ajet Shala

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm