Menu

Florim Rushiti, që sa po i kishte mbush të njëzetat, ra në malet e Pashtrikut, si një lule e rrallë e pranverës

User Rating:  / 0
PoorBest 

Florim Rushiti "Kingji"

Sot mbushen 16 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit Florim Rushiti–Kingji nga Kapiti i Medvegjes gjatë operacionit "Shigjeta" në Gorozhup të Prizrenit

Nga Fehmi RAMADANI

Në Landovicën legjendare
Pusho i qetë Florim Rushiti
Në tokën tënde arbërore
Si një lule e Kosovës Lindore (f.r)

Nga Gjermania vjen në luftën e Kosovës

Florim Rushiti qysh në fëmijërinë e tij u ballafaqua me sfidën e skamjes dhe varfërisë, si shumë bashkëkombës të tij, të cilëve armiku iu kishte imponuar një prapambeturi, por edhe liri të kufizuar, të qenit njeri i shtresës së përulur. Këto premisa këtë djalosh e kishin detyruar që shumë i ri të marrë udhë kurbeti dhe të shkojë në Munih të Gjermanisë për të punuar, në mënyrë që sado kudo t'i ndihmojë familjes së tij. Kjo jetë e vështirë e rinisë së tij e kishte detyruar që në shpirtin e tij të kultivojë urrejtjen ndaj armikut dhe njëherësh të kultivojë ndjenja patriotike dhe atdhetare.

Në vitin 1998 kur armiku deshi ta zhbënte popullin shqiptar të Kosovës nga kjo tokë, Florimi iu kishte përgjigjur kushtrimit të UÇK-së për t'i dalë në popullit dhe për t'i dalë në ndihmë atdheut. Ai pa hezituar aspak, e la punën në Gjermani, edhe pse ishte i vetmi burim i ekzistencës së familjes së tij dhe me shumë shokë tjerë kishte marrë rrugën e lirisë për t'u vendosur në Burrel të Shqipërisë për t'u stërvitur në mënyrë që më pastaj të futet në front kundër armikut. Pas përfundimit të stërvitjeve u radhit në Njësitin Diversant Vëzhgues TF0, të cilën e udhëhiqte Fadil Zejnullahu. Edhe pse, kishte një shtat më të njomë dhe më të vogël se shokët me vullnet dhe dëshirë të madhe i kryente detyrat e parashtruara. Ndërsa, nofkën "Kingji" e kishte marrë nga eprori shqiptar, i cili i mësonte gjatë stërvitjeve ushtarake në Akademinë e Ushtrisë Shqiptare "Skenderbej", sepse ishte shumë i dëgjueshëm.

Florimi ra duke tentuar të shpëtojë shokun e luftës

Florimi ishte një djalë i dashur dhe shumë i afërt me shokë dhe me padurim priste momentin kur do të futeshin në front për të luftuar. Shokët e tij tregojnë se me të marrë urdhrin për nisje në front të gjithë ishim të lumtur dhe të gëzueshëm që më në fund do të futen në tokën e Kosovës, e cila ishte ndarë për 100 vjet nga trungu shqiptar. Gjatë kësaj rruge jehonte kënga për dëshmorët, lirinë e Kosovës, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin dhe të gjitha trojet tjera shqiptare. Këtu nuk kishte grupe interesi, as parti, as krahina, por të gjithë ishin njësoj, sepse ideali i tyre ishte i përbashkët të luftohet kundër armikut. Në fshatin Cahan ishin bërë përgatitjet e fundit për futje në malet e Pashtrikut. Florimi ishte pajisur me municion të mjaftueshëm për luftë dhe me vete kishte marrë armë të kalibrit të rëndë.

Në mëngjesin e 26 Majit të vitit 1999 futen në malet e Pashtrikut dhe fillojnë luftimet ballë për me armikun. Luftohej në maje të kodrës së Pashtrikut. Në këtë betejë armikut iu shkaktua dëm i madh në njerëz dhe mjete luftarake. Vullneti dhe morali i luftëtarëve të UÇK-së ishte i madh, sepse avanconin në front. Armiku vazhdimisht binte përforcime, sepse zëvendësonte të vrarët dhe të plagostë. Pozicioni ku ishte Florimi dhe shokët tjerë ishin të pathyeshëm. Por, gjatë kësaj beteje plagoset rëndë Muhamet Bajrami një bashkëluftëtar nga Podujeva, i cili kishte marrë plagë të rënda dhe duhet dhënë ndihmë. Kjo ishte një zonë shumë e rrezikshme ku luftohej.

Florimi, pa u hamendur aspak vërsulet si rrufe në ndihmë të shokut dhe bashkëluftëtarit të tij të plagosur. Deshi ta ndihmonte duke e tërhequr nga ajo pozitë e rrezikshme, por plumbat e armikut e kishin këputur në mes duke ia pamundësuar përfundimin e misionit të tij mbinjerëzor.

Florim Rushiti, ky djalë i njomë, i cili kishte ardhur nga Kapiti i Medvegjës në malet e Pashtrikut dha jetën për një ideal të madh, shpëtimin e shokut të luftës duke luftuar me armikun dhëmbë për dhëmbë. Rënie e tij heroike ishte një dhimbje e madhe për shokët e tij dhe Njësitin Diversant TF0 të UÇK-së. Ata u betuan se do të hakmerren ndaj armikut dhe kështu më vonë kjo zonë ishte çliruar plotësisht nga armiku për tu bërë territor i lirë përgjithmonë. Florimi ra për lirinë e Kosovës, por edhe për Medvegjën, Preshevën e Bujanocin. Gjaku i tij i derdhur mu në malet e Pashtrikut është vlerë sublime që i dhuroi atdheut. Gjeneratat e tanishme, por edhe të ardhshme nuk guxojnë të harrojnë sakrificën dhe gjakun e derdhur për lirinë e atdheut, ajo duhet të shërbej si udhërrëfyes për të ardhmen.

Florimi Rushiti
Kingji prehet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit

Florim Rushiti-Kingji u lind më 2 prill 1979 në Kapit të Medvegjës, shkollën fillore e kreu në vendlindje për ta vazhduar të mesmen në Bujanoc, ku në vitin e tret për shkak të kushteve ekonomike detyrohet ta braktis shkollimin, ku edhe emigron ne Munih të Gjermanisë. Në vitin 1998 vjen në Tiranë se bashku me atdhetarin e madh Fehmi Lladrovcin, e që në atë kohë Florimi kishte vetëm 19 pranvera. Për shkak të moshës së tij të re Fehmi LLadrovci i thotë te kthehet në Gjermani dhe të kontribuojë nga atje, mirëpo pas vrasjes se Fehmi LLadrovcit, Florimi përsëri vjen në Shqipëri dhe menjëherë i bashkëngjitet radhëve të UÇK-se, për të luftuar armikun.

Florim Rushiti-Kingji bie heroikisht në altarin e lirisë duke i ndihmuar shokët e tij të luftës në malet e Pashtrikut më 26 maj 1999. Në pamundësi për tu bartur trupi në vendlindjen e tij Kapit të Medvegjës për tu varrosur, sot e kësaj dite prehet në varrezat e dëshmoreve në Landovicë të Prizrenit.

Përkundër saj, vendlindja e tij Kapiti i Medvegjës, së bashku me Bujanocin e Preshevën, edhe pse kishin luftuar, sidomos gjatë vitit 2001 dhe kishin dhënë shumë dëshmorë, kanë mbetur ende nën administrimin e Beogradit. Në këto troje shqiptare liria akoma nuk ka ardhur, ajo është në rrugëtim e sipër. Për këtë flet vetë gjaku i dhënë i bijve dhe bijave më të mirë të kombit, por edhe sakrifica e madhe e popullit të kësaj treve, të cilët vazhdojnë të ëndërrojnë se një ditë do të vije kjo liri e vonuar dhe do të jetojnë të bashkuar.

GJAKU I DËSHMORËVE U BËFTË DRITË PËR MBARË SHQIPTARINË!

Vetëm edhe disa ditë na ndajnë nga manifestimi përkujtimor i 31 majit që do të mbahet në Gorozhup të Hasit.. Po bëhen, 16 vjet nga rënia heroike e mbinjerëzore, e 15 dëshmorëve të Kombit Shqiptar: Bafti Nexhip Haxhiu, Flurim Rrahman Rushiti, Salih Halim Zenuni, Astrit Hekuran Suli, Alirizan Selman Selmani, Sali Islam Saramati, Selver Bajram Maçkaj, Shpend Sefer Berisha, Gani Hamdi Saramati, Beran Muhamet Gashi, Ejup Tafil Kosumi, Safet Zeqir Peci, Xhelal Behlul Sopi, Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj, Zejnullah Rrahim Zena.

Gjaku i derdhur për atdhe i dëshmorëve të rënë në Frontin e luftës të Operacionit SHIGJETA në Gorozhupin e Pashtrikun e përflakur, të Organizuar nga SHP I UÇK-së, OPERACIONI ''SHIGJETA'' : Ku Brig 128 nën komandën e Ruzhdi Saramatit, na tregoi rrugën e lirisë, kjo rrugë e ndritshme na ndezi shpresën për të ardhmën dhe urrejtjen për pushtuesin gjakatar dhe shtypësit.

Eh! Çka të shkruaj, me zemrën time të plasur. Si t'ja filloj këtë përshëndetje për ju dëshmor të nderuar, këtë mesazhi urtësie për ju të përjetshmit, dëshmorë të kombit shqiptar.

Është mbase e kotë e gjitha shoku im, prindër, vëlla e motra ime e idealeve të përbashkëta atdhetare, vëllau e motra ime familje heronjësh e dëshmorësh, ju invalidë, veteranë, shokë e shoqe e jona bashkëluftëtarë të tri luftrave çlirimtare UÇK-së, UÇPMB-së, UÇ Kombëtare.

E kotë për ju heronjë e heroina, dëshmor e dëshmore që rate në altarin e lirisë për Bashkimin e Trojeve Shqiptare me shtetin amë Shqipërinë, sepse ju këtë shkrim mesazh urtësie nuk do të mund ta lexoni.

Të gjithë BASHKËOMBASIT E MI SHQIPTAR KUDO NDODHEN, të gjithë invalidët dhe veteranët e tri luftrave çlirimtare mbase do ta lexojnë. Veç JU të përjetshmit jo. Nuk do ta dinit se sa shumë e ndjejë dhe e ndjejmë mungesën Tuaj. Përse e gjithë kjo? A, thua sherbejnë vetëm për të më ndihmuar që mos të harroj, që mos të harrojmë, buzëqeshjet TUAJA, mirësinë TUAJ, mirëkuptimin TUAJ, që patët për të gjithë ne shqiptarinë...! Si luftëtarë e luftëtare të lirisë shqiptare gjithmonë do të jeni me ne... Sepse s'ka vend për harresën...!

Përshëndetja ime e këtij shkrim, mesazhi... Ufffff ikët nga kjo botë e padrejtë duke na lënë përjetë në pikëllim... Ikët nga kjo botë dhe shkuat atje tek komandanti legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi, Tahir Sinani... Remzi Ademaj, Ridvan Qazimi, Nijazi Azemi, Ismet Jashari... të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë gjatë të gjitha luftërave çlirimtare... Ikët nga kjo botë e çorroditur duke na thënë: "Luftën e bëjnë heronjtë... qeverisin maskarenjtë... përfitojnë horrat..." Do të mbetëni në kujtimet tona përjetësisht, si vëllezër e motra, që dhatë më të shternjtën jetën TUAJ në luftërat çlirimtare... U çoftë i lehtë dheu i SHQIPËRISË...!

Këta trimat e trimëreshat e lirisë të cilët me ditë të tëra mbetën ndonjëherë pa ngrënë, e pa fjetur, në mes të zjarrit dhe vdekjes! Po, po kështu e ka lufta për liri e Atdhe!

Por në fund ata dhe ne fituam mbi vdekjen!

Prandaj gjunjëzohem me nderim të lartë para LAPIDARIT TË DËSHMORËVE NË GOROZHUP, dhe gjithë atyre heronjëve e heroinave shqiptare që ranë për Atdhe. Heronjtë e heroinat shqiptare rrojnë! Kënga e luftës do të buçasë fort do të përmend përjetësisht se Ju dëshmorë të lirisë, popullit ua çelet sytë dhe rrugën për jetën e lirë.
Nderim e respekt, ju puth sytë largëshikues dhe dorën tuaj prej luftëtari që na sollët LIRINË!

Gorozhup 24 Maj 2015

* * * * *

AVDI IBRAHIMI: NË 13 VJETORIN E OPERACIONIT "SHIGJETA" - PËRKUJTOJMË 15 DËSHMORËT E RËNË NË PASHTRIK

(Gorozhup, 31 Maj 2012) - Të nderuar dëshmorë, Ju që fituat përjetësinë! Të nderuara familje të dëshmorëve, të nderuar invalid e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare, të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi përkujtimor. Sot jemi tubuar këtu në Gorozhup e Pashtrik, për t'i përkujtuar 15 dëshmorët e kombit shqiptar, që ranë heroikisht në betejat luftarake kundër pushtuesit jugosllavo - serb, gjatë Operacionit luftarak të UÇK-së "SHIGJETA". Është më së e vërtetë se lufta kërkon vetëmohim të madh, virtyte të larta morale e njerëzore, guxim, trimëri, heroizëm, dashuri ndaj njerëzve luftëtarë të lirisë, sakrifica supreme në dobi të popullit dhe atdheut. Heronjtë e dëshmorët e kësaj lufte me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin i patën këto virtyte.

Tashmë jemi në 13 vjetorin e "Epopesë së Pashtrikut", betejave të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtre të Kosovës, ku Brigada 28 - 128 e Zonës Operative të Pashtrikut më 24 maj 1999, me urdhër të SHP të UÇK'së, në kuadër të operacionit "SHIGJETA", në Gorozhup e Pashtrik të Hasit u përgatit ushtarakisht në thyerjen e kufirit shqiptaro - shqiptar për t'i sulmuar forcat pushtuese serbo – malazeze dhe, mercenare ruse.

* * * * *

Rëndësia e planit operativ "SHIGJETA" të hartuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe SHP i UÇK-së, e cila është realizuar me sukses dhe vulosi fitorën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fushëbetejat e këtij operacioni nga brigada 28 – 128 e komanduar nga komandant Ruzhdi Saramati "Lidhja Shqiptare" e cila operoi me Njësinë Speciale Diverzanto vëzhguese e 4 batalione luftarake, dhe 1 bateri të artilerisë. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nën drejtimin e Hashim Thaçi, kryeministër i QPK dhe Azem Syla, ministër i Mbrojtjes, hartoi konkretisht Planin operativ "SHIGJETA", me numër J-03/1 datë 31.03.1999. Po me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Azem Syla, u emëruan komandantët e disa drejtimeve taktike 1, 2, 3, njëkohësisht Ruzhdi Saramati komandant i brigades 128 u emërua në drejtimin taktik nr.3.... Operacioni "Shigjeta" ishte hapi vendimtar historik i QPK-së në luftë për çlirimin e Kosovës. Si i tillë, ai u hodh me menquri të paparë që në fillimet e tij e deri tek ai përfundimtar, të largimit të krejt forcave jugosllave nga teritori i Kosovës.

Në këto beteja të zhvilluara në Pashtrik, Brigada 128 si pjesë e këtij operacioni, ia doli me sukses, që pas një lufte heroike ta thyejë përfundimisht kufirin dhe okupatorit serb t'i shkaktojë dëme të konsiderueshme në njerëz e teknikë ushtarake.
Më 24 Maj të vitit 1999, Brigada jonë, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mori urdhërin për sulm në hapsirën kufitare të Gorozhupit e Pashtrikut. Komanda e brigadës me në krye komandandin Ruzhdi Saramatin hartoi planin strategjiko luftarak si vijë frontale ishte caku: Drini i Bardhë - Gryka e Lumës - Gorozhup - Maja e Pashtrikut - Kurora - Shpella e pëllumbave - Qafa e Prushit. Detyra kryesore ishte: Kapja e vijës përgjatë Drinit të Bardhë - Ura e Nashecit - Ura e Fshejtë; ishin detyrat e afërta të brigadës për mësymje, të cilat i realizuam me sukses, ndërsa në planin e detyrave të largëta ishte bashkangjitja me formacionet luftarake të UÇK-së në pikat: Kleçkë - Nishor - Zatriq. Kurse në Qafë Prush brigada 128 lidhej me brigaden 138 të ZOD-it.

Formacioni i brigades sonë ishte si më poshtë: Batalioni i II-të i komanduar nga oficeri i USh të fshatit Bicaj të Kukësit Adem Shehu, tashmë i ndjerë, në drejtimin nga Drini i Bardhë, Grykë Lumë deri në Gorozhup. Nga Gorozhupi ishte i vendosur shtabi i brigades dhe Bataljoni i I-rë vazhdonte në vijën frontale Gorozhup, Rrasa e Kuqe, i komanduar nga Komanda e Brigadës, respektivisht nga komandanti i Brigadës Ruzhdi Saramati. Nga Rrasa e Kuqe, Maja e Pashtrikut (vorri i mirë), shtrihej batalioni i III-të, i komanduar nga komandanti Xhelal Limani. Në vijën frontale nga Maja e Pashtrikut, Lugu i Zi; Qafë Mullar; Kurorë; Shpella e pëllumbave, shtrihej batalioni i IV-ërt i komanduar nga Abdurrahman Nazifi (Bugari). Në krahun e majtë të batalionit të IV-ër, operonte në mbështetje të Brigadës 128 Batalioni "Atlantiku".

Po më 25 Maj të vitit 1999 shtabi i brigadës 128 caktoi drejtimet e sulmit në kuadër të operacionit "Shigjeta". Ndërsa në mëngjesin e hershëm të 26 Majit, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe porsa hetuan që trupat tona kaluan në sulm, hapën zjarr të dendur me tërë arsenalin ushtarak që posedonin, artileria e rëndë dhe mitralozët villnin nga tytat e tyre zjarr e hekur për ta ndalur sulmin tonë, me gjithë rezistencën që bënte armiku, ai detyrohej t'i lëshoj pozicionet dhe të marrë tatpjetën brigjeve dhe pyjeve në drejtim të fshatrave të Hasit. Në pozicionet e tyre lanë mjaft të vrarë e të plagosur.

Ndërsa në këtë luftë ranë edhe luftëtarët e lirisë si:

1. Bafti Nexhip Haxhiu, dëshmor i kombit me detyrë ushtarake zv.komandant i kompanisë të batalionit I-rë, u lind më 11. 06. 1955 në fshatin Skifter të Vitisë, në radhët e UÇK-së u rreshtua në brigadën 128, më datën 11. 03. 1999, ra dëshmor më 26. 05. 1999 në Gorozhup. Atë ditë me 26 maj 1999, u dallua në luftë luftëtari sypatrembur Bafti Haxhiu me armën e tij që villte zjarr e plumba mbi armikun. Atë ditë ra dëshmor Baftiu, i rrethuar nga luftëtar të lirisë, atë ditë lindi dielli i lirisë, mbi të dhe mbi trojet shqiptare. Atë ditë mbiu një lapidar, në kujtim të të rënëve për liri. Mes tyre edhe ti, Bafti Haxhiu. Në këto luftime të ashpra ku luftohej për vdekje a liri bie ne altarin e lirisë edhe:

2. Flurim Rrahman Rushiti, dëshmor i kombit, pjestar i Njësitit Special, u lind më 02. 04. 1979 në fshatin Kapit të Medvegjës, në radhët e UÇK-së u rreshtua në brigadën 128, më datë 02.04.1999, ra dëshmor më 26. 05. 1999 në Gorozhup. Një ditë pranvere kur lulet ishin ende të pakta në brigjet e Pashtrikut Florim Rushiti bie heroikisht nga plumbat e armikut. Gjaku i tij dhe i dëshmorëve të tjerë bënë që në brigjet e Pashtrikut, Koritnikut, Bjeshkëve të Nemura, Karadakut e gjithandej Kosovës të çelin mijëra lule që paralajmëruan një pranverë të re. Një pranverë çfar e kishin ënderruar breza të tërë gjatë shekujve. Kështu ky « qingj » që sapo kishte mbushur njëzet pranvera dha jetën si një ujk i vërtetë duke u hedhur mbi istikamet e armikut. Në istikamet e armikut shkja hidhej si rrufeja edhe trimi:

3. Salih Halim Zenuni, dëshmor i kombit, u lind më 26. 08. 1979 në fshatin Lubizhd të Vitisë, në UÇK u radhit në brigaden 128 më datë, 11.03.1999 ra dëshmor më 26. 05. 1999 në Gorozhup. Djemt dhe vajzat shqiptare e kishin për krenari, që ishin luftëtarë të kësaj ushtrie, sepse ata ishin të bindur se kjo luftë çlirimtare ishte e drejtë. Për këtë ata kishin guximin të luftonin ushtri me ushtri e jo me gra e fëmijë, me pleq e me plaka të pambrojtur, siç bënte ushtria dhe forcat speciale te milicisë kriminele serbo-çetnike. Prandaj e gjithë brigada 128 e UÇK-së luftonte si një trup i vetëm kundër këtij pushtuesi të egër e gjakatar duke shkulur nga pozicicionet ushtrin pushtuese sllave. Paniku i kishte kapur çetniket serbo – malazezë e mercenarët rusë, këta që tregoheshin trima para popullatës shqiptare të parmatosur, tani kishin marrë arratinë dhe shanin Serbinë, duke u frikësuar nga pushka e plumbat e luftëtarëve të lirisë. Zemrat e luftëtarëve të UÇK-së e kishin vrarë frikën, nuk kishte vdekje që mund ti frikësonte, armët e tyre ishin shndërruar në armë më moderne dhe, më të forta se të armikut pushtues sllav. Sepse këta trima ishin bijtë e tokës shqiptare që kërkonin lirin nga armët e tyre! Lufta vazhdonte,serbët ishin larguar nga pozicionet e tyre në kufi dhe, ishin pozicionuar në mes lagjeve Tejeci, Binaj,Tanaj. Fitorja ishte në anën e UÇK-së, brigada 128 kishte tani nën kontroll lagjet, Martinaj, Kërrhanaj, Jelliqi,ndërkohë me nderime të larta e ushtarake u bë varrimi i tre luftëtarëve të rënë për lirin e atdheut.

* * * * *

Në mesditën e asaj dite, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK'së do të njoftonte përmes Agjencisë Shqiptare Informative "Kosovapress" në lajme ditore datë 26 maj 1999, sipas Komunikatës nr.79, se: "... Operacioni sulmues "Shigjeta" filloi sot, me 26 maj 1999, në ora 04.00 dhe po zhvillohet me sukses. Deri në orët e mesditës së ditës së sotme forcat e Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë nën kontrollë malin Pashtrik dhe pjerrësitë veriore të tij, fshatin Milaj, kanë asgjësuar disa posta kufitare dhe po vazhdojnë luftimet për pastrimin e gjithë brezit kufitar me Shqipërinë, duke mësyer gjithnjë e më në thellsi të territorit të Kosovës. Si rrjedhojë e luftimeve të deritashme, armikut i janë vrarë 20 ushtarë dhe i janë kapur robë dy të tjerë, përveç teknikë dhe armatim të shumtë të dalë jashtë luftimit. Nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka një të vrarë dhe dy të plagosur. Operacioni vazhdon."

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM - AGIM ÇEKU

Të nesërmen më 27 Maj lufta frontale e sulmit të UÇK-së, nga brigada 128 gjithashtu nga bateria e artilerisë së brigadës, të cilët e mbështeste një togë e artilerisë e caktuar nga ShP e komanduar nga Kemajl Shaqiri si dhe një kompani e caktuar nga SHP e komanduar nga komandanti Fazli Berisha, mbështetnin brigadën 128. Beteja mësymëse ishte urdhëruar nga komandanti i brigades Ruzhdi Saramati në këtë mënyrë: në krahun e majtë, mbi arat e lagjes Jelliqi, ishte në gadishmëri të lartë luftarake kom. i kompanisë Shpend Berisha, kurse në krahun e djathtë nga liqeni i Drinit të Bardhë e në afërsi të lagjes Kërrhanaj ishte kom.i batalionit të II-të Adem Shehu. Në drejtimin përballë lagjeve Martinaj, Jelliqi dhe Kërrhanaj ishte bërë gati për sulm batalioni I-rë, me në krye komandantin dhe komandën e brigadës kur u dha urdhëri për sulm ora ishte 9,00 e mëngjesit. Pashtriku mori pamjen e gëzuar dhe dukej sikur rrudhat ju hoqën nga balli, oshëtinin armët e të gjitha llojeve dhe digjej toka për rreth. Qielli u mbulua nga tymi i armëve, në altarin e lirisë bien dhe dëshmorë të tjerë, në këtë betejë ra heroikisht:

4. Astrit Hekuran Suli, dëshmor i kombit, u lind më 15. 04. 1976 në Kuqovë të Beratit, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë, 15. 04. 1999, ra dëshmor më 27. 05. 1999 në Gorozhup. Në luftën çlirimtare janë shënuar ngjarje të ndryshme, janë treguar trimëri të rralla si në kohën e kreshnikëve si nga ato vetjake dhe të përbashkëta, janë bërë sakrifica sublime e mbinjerëzore si kjo e Astritit, ka patur përjetime e dhembje të paimagjinueshme për mendjen njerëzore për ata që ranë në beteja, një gjë të tillë kishte patur edhe brigada 128 e UÇK-së. E tërë fushbeteja ishte mbuluar me armët e përflakura të lirisë,armiku në betejë la disa të vrarë e të plagosur,në çast kumtoi lajmi i hidhur se nga radhet tona kishte rënë në altarin e lirisë edhe:

5. Alirizan Selman Selmani, dëshmor i kombit, u lind më 05. 11. 1973 në Tetovë, në UÇK u radhit në brigadën 128 të ZOP, më datë, 15. 04. 1999, ra dëshmor më 27. 05. 1999 në Gorozhup. Atdhetarët, gjithnji luftuan për tu çliruar nga pushtuesi i huaj, janë këta atdhetarët, që nuk duan të jetojnë si skllevër, por duan të jetojnë me dinjitet jetën e tyre, duke trashëguar traditat e veta kombëtare, ku motivi për të luftuar për liri e të drejta kombëtare shqiptare thyen edhe armët më të sofistikuara të armiqve. Këta trima luftëtarë ishin njerëzit më idealist e të vendosur deri në vdekje për çështjen kombëtare shqiptare. Mbi këtë çështje madhore ata nuk vinin asgjë, as jetën, as familjen e tyre. I tillë ishte Alirizan Selmani.

Lufta vazhdonte pa u ndalur edhe me datë 28, 29 e 30 maj, luftëtarët e lirisë përjetonin rëndë rënien e trimave luftëtar por megjithatë, kishin moral të lartë dhe po hakmerreshin duke luftuar rrept armikun. Kështu erdhi dita më e përgjakshme e 31 majit për brigadën tonë... Këtë ditë luftimet qenë nga më të ashprat në vijën frontale që nga Drini i Bardhë, deri te Qafa e Prushit, oshëtinin armët tona dhe, tundeshin brigjet e pyjet e këtyre anëve, ndërsa Drini kish marrë një pamje të kuqe...

Bateria e artilerisë e komanduar nga Sali Saramati, godiste tanksa të armikut. Pastaj godiste tekniken luftarake duke asgjësuar çdo gjë që kishte marrë në objektiv. Sulmonte pozicionet e armikut edhe kompania e komandant Shpend Berishës, tërë brigada ishte vënë në objektiv sulmi ndaj forcave të armikut, po, ama edhe armiku në tërheqje qëllonte pa u ndalur në caqet tona sidomos nga distancë e largët me artileri të rëndë nga Vreshtat e Landovicës, Qeja e Zhurit dhe nga karaulla në bjeshkën e Vërmicës, njëkohësisht u ngritën helikopter luftarak dhe lëshuan bomba kasetë në caqet tona, kështu nga mesdita e kësaj beteje të ashpër, tek luftohej për jetë a vdekje ranë dhe dëshmorë të tjerë, komandanti i baterisë artilerike Sali Saramati mori plagë vdekjeprurëse dhe më 6 qershor në Spitalin ushtarak të Tiranë përjetësohet ky luftëtar i paepur.

6. Sali Islam Saramati, dëshmor i kombit, komandant i baterisë së artilerisë në brigaden 128 të UÇK-së, u lind më 03. 04. 1963 në Dobrusht të Prizrenit, në shërbim të UÇK-së në brigadën 28 - 128 të ZOP-it u radhit më datë, 30. 12. 1991, u plagos rëndë më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Ndërsa ndërroi jetë më 06. 06. 1999 në Spitalin e Tiranës. Luftëtarët e lirisë, suleshin të tërbuar drejt llogoreve të armikut, hidhnin granata, qëllonin me kundërtanke, topa pa dridhje e minahedhës të artilerëve tanë të komnduar nga komandanti Sali Saramati. Fusha e betejes u shndërrua në erë baroti e djegie. Saliu që nuk dinte se ç është frika u bë tmerri i hasmit shkja.
Më pastaj në fushën e nderit bie, Selver Maçkaj, kështu atë ditë u shkëput një pjesë e shkëmbit nga Pashtriku...

7. Selver Bajram Maçkaj, dëshmor i kombit, Zëvëndes shef i ndërlidhjes, u lind më 04. 01. 1967 në fshatin Lybeqevë të Prizrenit, u rreshtua në UÇK në brigaden 128 më datë, 17. 03. 1999, ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Proverbi shqiptar thotë, se "Gjaku i derdhur për Atdhe është gjaku që nuk falet, se është gjak Lirie...", ky proverb është kuptuar drejt, nga idealistët e gjakut shqiptar. Në plejadën e këtyre idealistëve historikë bënë pjesë edhe Dëshmori i Kombit i radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selver Maçkaj, qysh herët ishte përcaktuar për sakrificë pa çmim, për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e kombit shqiptar të copëtuar me dhunë nga Evropa.

Pastaj bie për të mos vdekur kurrë komandanti i kompanisë Shpend Berisha i cili kishte ardhur nga Gjermania për t'ja shtuar një krushk lirie Kosovës plagëmadhe...

8. Shpend Sefer Berisha, dëshmor i kombit, Kom.kompanisë i batalionit të I-rë, u lind më 27. 06. 1959 në fshatin Volljak të Klinës, në UÇK-ë u radhit në brigadën 128 më datë, 03.04.1999 ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Zjarr me të gjitha armët, zjarr në mbrojtjen e trojeve tona shqiptare, ky ishte trimi nga Volljaka Shpend Berisha, i cili u thoshte bashkëluftëtarëve të lirisë, se luftën për liri e kemi si qëllim të vetëm të jetës.Ponjashtu ra duke luftuar pushtuesin dhe për ta bërë bashkimin e trojeve shqiptare edhe trimi e luftëtari, Gani Saramati nga Luma...

9. Gani Hamdi Saramati, dëshmor i kombit, kom.togu, u lind më 04. 01. 1968 në fshatin Petrovë të Prizrenit, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë, 27. 03. 1999 ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Dhimbja kthehet në forcë. Epopetë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shkruan me gjak. Gjokset shkëmb graniti të luftëtarëve të lirisë. Ganiu luftonte pamëshirshëm forcat armike, gjakatare sllave.

Poashtu ra me heroizëm të pashoq në fushën e nderit të betejeva të përgjakshme kundër forcave pushtuese edhe trimi:

10. Beran Muhamet Gashi, dëshmor i kombit, u lind më 12. 02. 1974 në Prizren, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë, 03. 04. 1999 ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Lufta bëhej e rreptë, betejë e përgjakshme me të gjitha armatimet moderne që kishte armiku, pushkë e mortaja kishin luftëtarët e lirisë, por ishin zemrat tona më të forta se çeliku i tanksave e autoblindave të armikut shovenist. Një zemër trimi kishte edhe Berani.

11. Ejup Tafil Kosumi, dëshmor i kombit, u lind më 09. 03. 1977 në fshatin Stanofc i Epërm të Vushtrrisë, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë,11.03.1999 ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Artileria e armikut qëllon e qëllon nga baza kufitare ku janë të pozicionuara forcat serbe, plumbat bien breshëri... po djemtë e tokës shqiptare nuk mposhtën. Nuk mposhtej dot trimi nga Vushtrria e Hasan Prishtinës. Këtë ditë të përgjakshme të 31 majit, njoftonte BBC-ja se forcat ushtarake serbo barbare kishin patur të vrarë e të plagosur, me qindra ushtarë nga radhët e tyre, si dhe ishte marrë një arsenal i konsiderueshëm armatimi nga UÇK-ja. Lufta është luftë dhe në luftë bien trimat, dhe në këto fushëbeteja të njëpasnjëshme bie edhe trimi nga Mitrovica e Isa Boletinit:

12. Safet Zeqir Peci, dëshmor i kombit, Kom.i Njësitit diverzanto vëzhgues, u lind më 13. 06. 1974 në Mitrovic, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë, 02. 04. 1999 ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup. Atje, në Pashtrik, ballë për ballë me forcat serbe, Safeti gjeti vetveten, gjeti atë altar të shenjtë ku do të shkruante për jetë emrin e vet, gjeti Pashtrikun ku do të donte të prehej në emër të një ideali të përjetshëm, siç është liria e kombit.

Me 1 qershor përsëri betejë e përgjakshme me shkjaun e zi, lufta vazhdonte pa u ndalur trimat luftonin si të ishin në dasëm, në këtë dasëm lirie, bie edhe dëshmori:

13. Xhelal Behlul Sopi, dëshmor i kombit, u lind më 21. 11. 1977 në Petrit të Dardanës, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë,11. 03. 1999 ra dëshmor më 01. 06. 1999 në Gorozhup. Ky birë i Shqipërisë Etnike, kapi armën e lirisë në dorë për t'i dalë zot atdheut dhe me armë në dorë ra për lirin e atdheu Shqipëria e kujton me mall birin e saj Xhelalin. Luftë për jetë a vdekje vazhdonte me 2 e 3 qershor,bien në fushën e nderit edhe dëshmorë të tjerë si:

14. Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj, dëshmor i kombit,u lind më 19. 11. 1974 në fshatin Rrenc të Sharrit, në UÇK u radhit në brigaden 128 më date, 09.04.1999 ra dëshmor më 02. 06. 1999 në Gorozhup. Nuk duhet harruar se lufta për liri e të drejta kombëtare ka personazhet e saj që kanë ngritur vetëdijen e të gjitha shtresave shoqërore, e sidomos të asaj mase popullore të shtypur. Në luftën çlirimtare i tillë ishte edhe Abdurrahmani.

15. Zejnullah Rrahim Zena, dëshmor i kombit, u lind më 27. 07. 1967 në fshatin Sojevë të Ferizajt, në UÇK u radhit në brigadën 128 më datë, 11.03.1999 ra dëshmor më 03. 06. 1999 në Gorozhup. Para nesh na del një botë e tërë njerëzish që jetonin dhe vepronin në vorbullën e ngjarjeve të mëdha të atdheut shqiptar, duke luftuar me këmbëngulje për ekzistencën e trungut të coptuar shqiptar duke na lënë të ndjejmë dhe përjetojmë jetën dhe vdekjen nga serbi, greku, malazezi e maqedoni, deri në kohën kur doli në mbrojtje haptazi UÇK-ja heroike e vetë ngjarjeve të historisë. Në këto ngjarje të mëdha të historisë u bë kurban dëshmori i kombit Zejnullahu.

Në këto beteja të përgjakshme u plagosën rëndë edhe anëtari i shtabit të brigadës mjeku Ilir Rakaj i cili tregoi trimëri të rrallë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj atyre që kishin nevojë për ndihmën e mjekut. Në kuadër të ekipit të Ilirit ishin te angazhuara edhe disa nga femrat luftëtare të lirisë, të cilat dhanë gjithçka që mundën nga vetja e tyre për tu shpëtuar jetën të plagosurve tanë, poashtu u plagos rëndë edhe Jeton Krasniqi, pjesëtar i njësitit Special. Deri me 12 qershor 1999 brigada jonë për asnjë çast nuk i ndërpreu luftimet me pushtuesin serb.

Por më 17 qershor bie në minat e armikut në fshatin Milaj të Hasit korrieri i shtabit të brigadës Arben Rashkaj, që të tre sot janë invalidë lufte. Në këto beteja, gjatë gjithë operacionit patëm gjithsej 79 të plagosur.

Para syve na shfaqet heroizmi i trimave nga betejat e Gorozhupit – Pashtrikut e përplot beteja gjithandej Kosovës, që shembën Jugosllavinë e tretë të ashtuquajturën Serbi. Dëshmorët e kombit u flijuan që shqiptarët të mos kenë më halle e plagë, që askush të mos jetoj me ethet e frikës e me të burgosur politik, ata lanë një amanet: S'ka më të shtrenjtë se liria dhe bashkimi i tokave shqiptare në Shqipërinë Natyrale. Ata dëshmorët e kombit ngjallën në çdo stinë të vitit. Ata janë këtu në atdhe me flakadanët e lirisë ndër duar.

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të rënë për lirin e Atdheut në Epopenë e Pashtrikut!

Gorozhup
31 Maj 2012.
Avdi Ibrahimi - ish Zëvëndës komandant i UÇK-së në brigaden 128 të ZOP

* * * * *

POEZI DËSHMORIT FLORIM RUSHITI – KINGJI –

NGA JASHAR SELMANAJ

Kapit

Kushtuar Dëshmorit Florim Rushitit
1.
Në këtë tokë jam lind e rrit
Koha ime dua me shendritë
Brezi im në flak është kalitë
Nji rreze drite ra mbi Kapit.
2.
Medvegjes i shkrep nji shkendi
Dita dites zvoglohet kjo shqiptari
O shkije te zi edhe unë jam shqiperi
Toka ime e pergjakur kerkon LIRI.
3.
Florimi i zhgenjyer ik në gjermani
Atje gjeti shqipja streh dhe miqesi
Shpirti i shqetsuar per fshatin KAPIT
Qengji, pse u largua nga vendi tijë.
4.
Ngushtic, në territorin e Ilirisë
Terror ushtrojnë klyshet e serbis
Debojnë e depertojnë shqiptar
Në Medvegje, Kapit e Topallë.
5.
Qengji-Kingj gjumi trimin nuk e zë
Se e thrret zëri i ëmbel i ATDHEUT
Kyqet trimi në luften e UÇK-es
Më i dalë në ndihmë MËMËDHEUT.
6.
Toka e gjermanis i dridhet nën këmbë
E zgjojë gjaku i Fehmiut dhe i Xheves
Hakmarrje, trimi në Flamurin Kuq E Zi
Eshtë betue, atdheun nga shkau me e lirue.
7.
Shkel KINGJI në hapsirat e Iliridës
Kalon fusha e male në drejtim të Dibres
Atje e priti toka e jonë SHQIPTARE
Burreli e perkdhel, Cahani mir, se ke ardh.
8.
E vesh uniformen e ushtris çlirimtare
E ndjente Florimi krenarin shqiptare
E therte në shpirt lufta e pa barabart
E thrret dheu i kosoves, ideali ishte qartë.
9.
Në Cahan pergaditej, si me sulmue
Shkonte trimi në frontë duke fluturue
Majes në Pashtrik duke ju afrue
Fillojnë fuften me shkije duke luftue.
10.
Flurim Rushiti më mitraloz duke gjue
Nji perleshje e ashper është zhvillue
Shkijet në piken e par i kishin asgjesue
Disa trima shqiptar rënd ishin plague.
11.
Nji plumb Florimin e kishtë qellue
Në maje të pashtrikut trimi ish flijue
Kufiri shqiptaro shqiptar ishte çlirue
Gjaku i trimave, token tonë e ka bekue.
12.
Kapit, zhgenjimin ti e mban në gji
Zgjohu njihere e pergjumur shqiperi.
Gjaku i Kingjt, thrret nga Landrovica legjendare
Tani ose kurr, le ti ribashkojmë trojet shqiptare.
Drejtpërdrejt.

* * * * *

Florim Rushiti – Kingji
Biografi e shkruar nga Ali Hajdini

Florimi lindi me 02 prill të vitit 1979 në fshatin Kapit të Medvegjës. Florimi qysh në fëmijëri u ballafaqua me sfidat ndër më të ndryshmet. Jeta e tij, si edhe e bashkëkohanikëve të tij gjithnjë po bëhej më e rendë. Pushteti i asaj kohe po ngushtonte çdo pore të jetës jo vetëm të të rinjëve. Por kjo sikur po i skalitte edhe më shumë të rinjtë shqiptarë anë e kënd trojeve shqiptare. Florimi, mësimet e para i mori në fshatin Tupallë. Meqë shkolla e mesme në gjuhën shqipe në Medvegjë tashmë ishte mbyllur, Florimi, ia mësyn Bujanocit për shkollim të mëtejm. Kostoja e papërballueshme financiare e detyron që të ndërpresë shkollimin dhe kthehet në Kapit prej nga niset për Gjermani. Kur ra kushtrimi për liri Florim Rushiti ishte ndër tê parët që iu përgjegj thirrjes së atdheut. Së bashku me bashkëatdhetarë e trima siq ishte Fehmi e Xhevë Lladrovci, më 1998 zbarkuan në brigjet e shtetit amë. Nê arganizimet e para për mobilizim, për shkak të moshës së tij tê re iu kërkua nga Fehmi Lladrovci që të kthehet në Gjermani dhe prej andej të ndihmoi në aspektin material e logjistik luftën e cila për ditë e më tepër po merrte përmasat e një lufte çlirimtare nga pushteti dhe dhuna serbe. Rënia e Fehmi Lladrovcit nuk e la të qëndroi larg kësaj lufte dhe për herë të dytë ia mësyri shtetit amë dhe kufirit shqiptaro-shqiptar pasi e dinte se vetëm aty mund të merrte hakun për mikun e vrarë dhe të shumë të rinjëve tê tjerë të cilët në luftê me armikun binin në altarin e lirisë. Një ditë pranvere kur lulet ishin ende të pakta në brigjet e Pashtrikut, Florim Rushiti bie heroikisht nga plumbat e armikut, më 26 maj 1999. Gjaku i tij dhe i dëshmorëve të tjerë bënë që në brigjet e Pashtrikut, Koritnikut, Bjeshkëve të Nemura, Karadakut e gjithandej Kosovës të çelin mijëra lule që paralajmëruan një pranverë të re. Një pranverë çfar e kishin ënderruar breza të tërë gjatë shekujve. Trupi i tij sot prehet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Është edhe ky një dëshmor nga treva e Kosovës Lindore që dha jetën në luftën e fundit në Kosovë. Familja për nderim të dçshmorit të rënë, djalin e Lulzimit, e pagëzoi me emrin Florim. Ndërsa institucionet tona duhet së paku ta nderojnë me emërtim të një rruge, shkolle, çmimi apo insticioni tjetër.

* * * * *

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm