Menu

Çështje të prejardhjes dhe formimit të patronimeve (mbiemrave dhe emrave familjarë) në Gjakovë

User Rating:  / 2
PoorBest 

Gjakova - Foto: Arbër Bakija

Përgaditi: Migena ARLLATI, Msc - Migena ArllatiGjakova është qytet në pjesën perëndimore të Kosovës. Edhe pse njëri prej qyteteve më të rinj në Kosovë, vetë emri i qytetit duket se vjen nga një gojëdhënë e cila njëkohësisht konfirmon edhe mbiemrin-patronimin e parë të këtij vendbanimi. Sipas gojëdhënës për emrin e këtij qyteti, në vendin ku gjendet sot qyteti, paska ekzistuar një katund prej shtatë shtëpish, të gjithë të një gjaku me mbiemrin VULA, ku kryeplak katundi ishte Jak Vula. Hoxha Hadum Aga e bindi banorin e parë Jakun që ta dhurojë tokën për ndërtimin e një xhamije, e më pas në atë tokë filloi të ndërtohet qyteti, i cili në fillim u quajt Jakovë (nga turqishtja: fusha e Jakut). Pra emri i qytetit, vjen nga emri i Jak Vulës, i familjes Vula që ende banon në qytet dhe që numërohet si ndër familjet më të vjetra gjakovare. Kjo histori i përket shek. XVI, gjë e cila tregon se para kësaj kohe, nuk kemi asnjë mbiemër-patronim të konfirmuar në këtë zonë. Kjo e dhënë na detyron të pranojmë se mbiemri i parë i konfirmuar në bazë të të dhënave të deritanishme në Gjakovë është mbiemri VULA.

Historia e mbiemrave

Zhvillimi i mbiemrave tek shqiptarët thuhet se është bërë nga shek. XII-XX. Në rreth 5-6 shekuj histori, procesi i vënies së mbiemrave ka ecur nga lart poshtë. Kështu, fillimisht janë pajisur me mbiemra shtresat e larta, më pas shtresat e hierarkisë fetare, ndërsa më vonë ka zbritur deri në shtresat e ulëta. Qëllimi fillestar i mbiemrave ka qenë për të dalluar njerëzit nga njëri-tjetri. Çlirim Bidollari në studimin e tij “Hulumtime onomastike” thotë se në periudhën para formimit të principatave feudale arbërore në shekullin e 12-të, vijon identifikimi i njerëzve sipas titujve e ofiqeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për hierarkinë e lartë të kishës. Por meqë zona jonë e interesit në këtë studim është zona e Gjakovës, atëhere fokusin e përqëndrimit kohor duhet ta zhvendosim shumë shekuj më vonë sepse vetë Gjakova si vendbanim përmendet për herë të parë në 1594 kur përfundon së ndërtuari xhamia e Hadumit, hani, hamami dhe dyqanet përreth, ndërsa në vitet 1605-1606 asaj iu njoh statusi i Kasabhasë. Me vendosjen e pushtetit turk dhe me procesin e islamizimit, gjithmonë e në një numër më të madh njerëzish, fillojë të përhapet mënyra e identifikimit të vendasve si myslimanë-nënshtetas të perandorisë osmane, sipas formulës identifikuese: X i biri i Y, ku me kalimin e dekadave nën pushtim, edhe X edhe Y paraqiteshin gjithnjë e më tepër si emra islamikë: Asllani i biri i Hasanit, Mustafa i biri i Qerimit. Po kështu fillojnë të shfaqen edhe titujt administrativë fetarë, feudalë ose ushtarakë si p.sh.: Ali hoxha, Osman beu, Hysen spahiu.

Nga pikëpamja gjuhësore lënda që do trajtohet shfaq një interes të zgjeruar sepse bëhet fjalë për patronime të formuara në mënyra të ndryshme, të cilat i japin larmi emrave të familjeve-mbiemrave të banorëve të kësaj ane. Duke u bazuar në klasifikime patronimesh të përdorura nga studiues të huaj dhe që po ashtu janë shfrytëzuar si model edhe nga studiues shqiptarë, edhe unë lëndën time do ta klasifikoj në katër lloje:

a) mbiemra që lindin nga zona (qyteti a fshati) e prejardhjes;

b) emra prindërish të kthyer në mbiemra:

c) mbiemra që tregojnë zanate, profesione, tituj e ofiqe;

d) mbiemra të formuar në formën e nofkave e llagapeve etj.

Por meqë këto katër kategori nuk mund të shpjegojnë një sasi të mbetur, sado të konsiderueshme mbiemrash, atëhere kategoria e pestë do të duhej të ishte: e) patronime të pashpjegueshme, në të cilat do të përfshihen ato mbiemra për të cilët sistemi i sotëm gjuhësor nuk jep shpjegime.

Le t’i trajtojmë të gjitha këto me rradhë:

Mbiemra që lindin nga zona (qyteti a fshati) e prejardhjes.

Në Gjakovë është shumë e pranishme kjo lloj mënyre e ndërtimit të mbiemrit i cili tregon vendin se nga ka ardhur fisi ose familja në historinë e saj para disa gjeneratash. Është një numër i konsiderueshëm i mbiemrave që janë formuar në mënyrë të tillë, pra kanë marrë emrin nga lokacioni a vendbanimi të cilit i ka përkitur a përket familja. Për këtë arsye ata quhen mbiemra prejtoponimikë, si p.sh.: RUGOVA, LIPOVECI, GËRQINA, GASHI, PONOSHECI, JUNIKU, SHALA, KORENICA, GODENI, DUJAKA, KRUMA, HASI, VOKSHI, LUMA, MATI, KARADAKU, GLLOGJANI, BELLANICA, DEVA, BROVINA, MORINA, DOBRUNA, LETI ose LETAJ, ZHURI, BYTYQI, HASI, DOBRUNA, SHKRELI, KELMENDI, BISHTAZHINI, RAKOCI, DEMJANI, RADONIQI, JUNIKU, OSEKU, PONOSHECI, XËRXA, SHLLAKU, OROSHI, KAÇINARI etj. Që të gjithë patronimet e sipërpërmendur janë mbiemra aktivë tek gjakovarët e sotëm, dhe prejardhja e këtyre mbiemrave nuk është gjë tjetër veçse rast i formimit të mbiemrit nga zona e prejardhjes së fisit, familjes a individit të vendosur kohë më parë në Gjakovë.

Përveç këtyre emrave që i përkasin zonave të vogla si fshatra a lokacione të caktuara, janë të pranishëm edhe pse më rrallë emrat e qyteteve, si: PEJA, SHKUPI, GJAKOVA, KAÇANIKU, PUKA, TROPOJA, MIRDITA, DIBRA-DIBRANI, SHALA.

Ndodh edhe që patronimi të shërbejë si saktësues për emrin vetjak pra saktësues për identifikimin e mëtejshëm të emrit. Në këtë rast patronimi vjen nga një etnonim: BOSHNJAKU (familje emigrantësh nga Bosnja), MALOKU (banor i Malësisë, verior), GEGA (i trevave veriore), OSMANI (familje të lidhura me Turqinë osmane por jo domosdoshmërisht me origjinë osmane), MUHAXHIRI (familje të shpërngulura), AXHEMI (në arabisht shenjon të gjithë ata që nuk janë arabë, pra janë të huaj), ÇERKEZI (përfaqësues i një kombi që ka ardhur tek ne si ushtar dhe ka mbetur aty), SARAÇINI (që lidhet me saracenët), MAXHARRI (familje e lidhur me Hungarinë). Për këta patronimat e fundit mbetet e diskutueshme nëse kanë të bëjnë me kombësinë e të shenjuarve apo me apelativët që motivohen nga emrat e këtyre kombeve. Në literaturën onomastike ky tip identifikimi përcaktohet si një formë përshkruese dhe në një farë kuptimi ai është konvencional. Çlirim Bidollari mban mendimin se shqiptarët i kanë shtënë në punë me lehtësinë më të madhe emrat e vendeve, që nga atdheu i largët e deri tek fshatrat më të vegjël. Megjithatë Bidollari mendon se ky lloj mbiemrash ka ardhur duke u tkurrur, pasi ka përjetuar disa kulme në shekullin 15-të, 19-të dhe vitet e para pas Luftës së dytë Botërore. Pikërisht në mesin e shekullit XX, ky lloj patronimi hyri në modë. Megjithatë në gjendjen e sotme të sistemit patronimik shqiptar, ky tip konsiderohet i mbyllur. Përdorimi i tij i zgjeruar vihet re edhe sot e kësaj dite në Gjakovë.

Emra prindërish të kthyer në mbiemra.

Në pasurinë e përgjithshme të patronimeve shqiptare, mbiemrat e formuar nga emri i paraardhësit, konkretisht babës, përbëjnë rreth 40 përqind të numrit të përgjithshëm, dhe një tablo e tillë na del e pranishme edhe tek banorët e Gjakovës. Mbiemrat me zanafillë nga atësia kanë një arsye logjike të lindjes së tyre. Në këtë nënlloj patronimesh mund të dallojmë dy areale: areali katolik që shfaqet me trajtat karakteristike të emrave të krishterë; areali mysliman që përfshin emra dhe variante të tyre nga gjuhët orientale. Rastet më të shpeshtë të emrave të pararendësve të kthyer në mbiemra të pasardhësve në Gjakovë janë: AHMETI, LEKA, JAKUPI, KAMBERI, GJERGJI, KOLA, GJOKA, NIKA, DEDA, MALAJ, (I)BRAHIMI, ISUFI. Vendi dhe roli i këtij lloji patronimesh është i rëndësishëm nga vetë prania e shtuar gjë e cila njëkohësisht tregon edhe dendurinë e përdorimit. Në të folmen e Gjakovës është karakteristik fakti i thirrjes së frymorëve me emrin personal të cilit i bashkangjitet edhe mbiemri ose emri i familjes. Kjo sigurisht është një formë jashtë komunikimit formal e shkrimor, i përdorshëm në rrethe njerëzish e mjedise të ngushta. Trajta e emërores në numrin njëjës përdoret në gjinore njëjës, psh: X i Manxhukës, ose Y i Meqës, ku MANXHUKA e MEQA nuk janë emrat e prindërve por mbiemri i familjes.

Tepër e pranishme në Gjakovë na del edhe ndajshtesa –aj, e cila në gjuhësinë tonë është pranuar si ndajshtesë e specializuar për formim patronimesh. A. Xhuvani dhe E. Çabej për ndajshtesën –aj vlerësonin se me këtë lloj prapashtese mundësohet formimi i patronimikave (KOLË-KOLAJ, LEKË-LEKAJ) dhe formimi i emrave të viseve a krahinave të cilat mandej janë përdorur si material furnizues për patronime të reja (BARDHAJ, ZOGAJ). Rruga e formimit të patronimeve me –aj mendohet të ketë ardhur si rezultat i trajtës pas singularizimit të formës së shumësit: psh Petriti i Dedajve > Petrit DEDAJ. Sipas përdorimit praktik të patronimeve në Gjakovë, vërejmë se pjesa më e madhe e atyre patronimeve që dalin me –aj rëndom i përkasin mbiemrave të banorëve në zonat rurale ndërsa në zonat urbane gjejmë gjithashtu të njëjtat patronime por pa ndajshtesën –aj. Kështu psh, gjejmë dy variantet LEKA-LEKAJ, GJOKA-GJOKAJ, MALA-MALAJ, NIKA-NIKAJ, MARKU-MARKAJ etj., gjë e cila jep të kuptohet se patronimet e krijuar në bazë të emrit të kryetarit të familjes janë përdorur pa dallim në zonat urbane a rurale por këto të fundit janë pajisur edhe me ndajshtimin -j, - aj. Marrë në tërësi, ky lloj mbiemërformimi duhet se ka tendencën e identifikimit sa më të saktë të subjektit, duke futur në punë emrin e të atit, gjë e cila gradualisht e kthen këtë të fundit në mbiemër të vetë individit. Po këtu na dalin edhe raste të mbiemrave të përngjitur: GJONKOLAJ, MARKAGJONAJ, GJONDEDAJ, NDUELLESHI, PERKOLA, PERDODA, DEDNIKAJ, MURAKOLA, SYLAFETA(Syl+ Fetah), LEKMARKU etj. Këto janë patronime dy a më shumë pjesëshe të cilët nuk mjaftohen vetëm me emrin e një paraardhësi por ndërtohen me emrat e përfaqësuesve të disa brezave. Kjo mund të ketë ndodhur si shkak i ndarjes nga trungu familjar dhe meqë ka sunduar familja e madhe patriarkale çdo ndarje duhet të sillte mbartjen e emrit të familjes së madhe. Por mund të ketë ardhur edhe si shkak i zvogëlimit të fondit të emrave fetarë kalendarikë. Kjo dukuri nuk ka ndodhur vetëm tek popullata e besimit të krishterë por edhe tek ajo myslimane. Mund të përmendim raste si: BEJTULLAHU, RAMAZANI, RAMADANI, SHAHSIVARI, AVDIU etj.

Një vend të posaçëm zënë edhe trajtat e shkurtëra të patronimizuara, p.sh.: patronimi HIL-A vjen nga emri MËHILL, NIK-A nga NIKOLLË, NDUE ose NDOC-I nga ANTON, AVDIU ose AVDIAJ nga ABDULLAH, SULA nga SULEJMAN, RRUSTA nga RRUSTEM, BRAHUSHI nga IBRAHIM, SMAJLI nga ISMAIL, MUSA nga MUSTAFA etj. Në lidhje me këtë lloj formimi patronimesh që është i përhapur tek të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm tek gjakovarët, Thimi Mitko tek “Bleta shqiptare” thotë se këta janë emra sikundër i kanë përdorur prindërit tanë që moti, pra duke ruajtur emrin e pararendësit ka lindur tendenca e mbiemërformimit.

Mbiemra që tregojnë zanate, profesione, tituj e ofiqe.

Nga të gjitha ndarjet e onomastikës, më shumë ndikim nga ndikimi turk ka pësuar antroponimia, veçanërisht patronimia për arsye se procesi i saj nisi dhe mbaroi brenda sundimit osman. Për shkak të përfshirjes në sistemin feudal-ushtarak, terminologjia orientale u shtri gjerë e gjatë në të gjitha fushat prandaj edhe sot e kësaj dite ne trashëgojmë një ngarkesë të konsiderueshme orientale. Por është e çuditshme se si prapashtesat turke -xhi,- lli janë fare pak të pranishme në patronimet e Gjakovës: RIZVANOLLI, ÇARKAXHIU. Për këtë tip patronimesh që tregojnë zanate e tituj, Bidollari konsideron se fillimisht ka shërbyer si karakterizues shtesë që iu atribuoheshin njerëzve që ushtronin profesione të caktuara, zanate a funksione. Me kalimin e kohës, duke pasur prirjen të bëhen të trashëgueshëm, kur ky profesion bëhej i trashëgueshëm nga njëri brez në tjetrin, ai pasohej nga pasardhësit duke ‘detyruar’ të njëjtën gjë edhe për patronimin. Meqë zanatet a mjeshtëritë monopolizoheshin, sidomos zanatet fisnike, atëhere edhe trashëgimi i mbiemrit konsiderohej si një vlerë me peshë. Për familje a anëtarë familjesh që për një kohë të gjatë ushtruan një zeje, emri i zanatit u shndërrua në patronim pasi filloi të shenjojë familjen e ushtruesit të zejes, qoftë edhe kur ai e kishte lënë së ushtruari atë profesion. Të tilla janë patronimet: TERZIU (rrobaqepës), BAKALLI (shitës i gjësendeve të ndryshme), TABAKU (lëkurëpunues), NALLBANI (mbathës i kuajve), SARAÇI (pajisje për kuaj), KAZAZI (përpunues i mëndafshit), KOVAÇI (farkëtar), SAHATÇIJA (orëndreqës), ÇARKAXHIJA (për punimin e armëve), FURRA (bukëpjekës), KASAPI (me therjen dhe shitjen e mishit), HARAÇIJA (taksambledhës), GËRÇARI (baltëpunues), BERBERI (rrojtar) etj. Meqë në Gjakovë janë punuar dhe ushtruar me dhjetëra zeje të cilat janë trashëguar tek gjeneratat e reja, prej tyre kanë mbetur një numër i konsiderueshëm patronimesh. Por duhet cekur se jo çdo zeje a profesion ka lënë pas në ditët e sotme një patronim.

Nga pikëpamja gjuhësore, kjo kategori paraqitet e pasur, me mbizotërim nga fjalët-rrënjë orientale. Në rastet më të shpeshta ato i takojnë jetës qytetare meqë zejet u zhvilluan brenda në qytet ku ishin rangjet e esnafëve. Po ashtu në qytet ishte i përqëndruar rendi administrativ e shtetëror, ushtarak, fetar.

HOXHA, PRIFTI dhe SHEHU janë tre patronimet me burim nga tituj të hierarkisë fetare, më të përhapura tek shqiptarët. Prej të treve, në Gjakovë hasim vetëm dy: HOXHA dhe SHEHU, që të dy të motivuar me përkatësinë fetare të patronimmbajtësit. Mandej vjen DERVISHI, MEJZINI, HAXHIU (vizitor i vendeve të shenjta), BAJRAMI(festë fetare).

Kthimi i emërtimit të klerikut në emër familjar ka kaluar nëpër rrugën tradicionale të formimit të patronimeve shqiptare: fillimisht ky emër iu bashkua emrit vetjak të klerikut si emër dallues, për ta evidentuar atë midis personave që mbanin të njëjtin antroponim. Patronimi MEKA mund të ketë lindur nga praktika islame e haxhillëkut. Si emra familjarë u përdorën edhe fjalë që i takojnë arsimit dhe jurisprudencës: MYDERRIZI, MYFTIU, QEHAJA (sekretar, shkrues). Është për t’u vërejtur se mes patronimeve në Gjakovë nuk shënohet asnjë rast i ekzistencës së patronimit PRIFTI. Kjo mbetet e pashpjegueshme për faktin se në këtë zonë jeton një përqindje e konsiderueshme e popullatës së krishterë, megjithatë patronimi PRIFTI nuk gjendet në asnjë rast.

Mbiemra të tjerë me ngjyrim fetar përmendim edhe: BABALIA, HAFIZI, DOMI etj. Jo të rrallë paraqiten mbiemrat që shprehin një gradë ose titull ushtarak : SPAHIU, ÇAUSHI, VEZIRI, PASHA, IMAMI, AGA(J)-AGANI, GAZIJA, BEGU-BEGDUSHI (prej: bejlerë), YVEJSI, SPAHIU (kalorës në ushtri), ZAJMI (kreu i spahijve) por edhe EFENDIA – titull shoqëror, MYFTARI (kryeplak). Interesant është fakti se titullin ‘sulltan’ si shkalla më e lartë e hierarkisë qeverisëse osmane, nuk e gjejmë të pranishëm në Gjakovë, por as në patroniminë mbarë shqiptare. Kjo ndoshta për faktin se shqiptarët asnjëherë nuk u bënë dot Sulltanë, por maksimumi Vezirë. Ndaj emri Sulltan na del vetëm si emër vetjak femëror: SULLTANE. Ndërsa fjalët: VEZIR, SHAH i gjejmë edhe si emra personal femërorë, edhe si patronime. Në këtë tip patronimesh, vërehen raste të shumta të ndërtimeve kompozitë, ndërtimi i të cilave formohet në sajë të bashkimit të ofiqit me emrin personal. Ky tip funksionon sipas skemës: emër fetar + emër vetjak: HAXHISMAJLI, HAXHIMIFTARI, HAXHIKADRIJA, HAXHIBEQIRI, HAXHIAVDYLI, HAXHISHABANI, HAXHIJONUZI, MULLAADEMI, MULLAJUSUFI, MULLAIDRIZI, MULLATAHIRI, MULLAZENUNI, YMERAGA, DAUTAGA, HAFIZADEMI, DERVISHDANA, AXHANELA, BABALIA, BEGDUSHI, SHEHDADI, SHEHDANJOLLI.

Prania e këtij fondi në onomastikën e kësaj treve është dëshmi e rolit të madh që kanë luajtur këto besime fetare në jetën shoqërore të popullatës. Por po ashtu ajo është shenjë treguese e respektit të shqiptarëve për besimet fetare që ushtrohen nën frymën e tolerancës. Identifikohen edhe mënyra të tërthorta të shenjimit të zanateve, profesioneve. Ato i paraqesim të strukturuara sipas elementit të cilin e shquajnë:

a) Me anë të lëndës së parë me të cilën punohet: QARRI, PENI, QYMYRI, HIMA, BARUTI.

b) Me anë të instrumentit a mjetit të punës: KOBURJA, PALLASKA, TULLUMI.

c) Dalin edhe disa raste të patronimeve metaforike në të cilat trajtimi merr një natyrë të dyfishtë frymorësh: DASHI, DACI, PULA, KNUSI, ZOGU, BYLBYLI, MAGARI (aktualisht mbiemër i shuar, i zëvendësuar me tjetër), por edhe: MISKU (erëmirë).

Mbiemra të formuar duke marrë burim nga nofka e llagapi.

Në lidhje me këto lloje patronimesh, mund të flasim qartë rreth kuptimit që kanë por jo edhe për rrethanat në të cilat emërtimi është kthyer në mbiemër të individit-familjes. Çabej, që në Konferencën e parë albanologjike pranon se parimi i emërtimit të njerëzve, përgjithësisht meshkujve, me anë të emrave të shtazëve, si dhe prejardhja e emërtimeve prej ofiqeve, janë një nga kriteret e emërtimit në shqipe. Këto lloj mbiemrash kanë marrë formën e epiteteve, me ngjyresa pozitive a negative të cilat me kalimin e kohës janë zbehur. Pas Beratit, mendohet se Gjakova është një nga qytetet që ka më së shumti “epitete” apo nofka.

Për këtë arsye, këtë tip patronimesh e klasifikojmë në dy lloje:

a) Patronime që vijnë nga fjalë që shenjojnë vetitë fizike a morale të njerëzve;

b) Patronime që vijnë nga ofiqe/nofka dhe emërtime kafshësh.

Nga nënlloji i parë në Gjakovë hasim në patronime si: QORRI, QELI (DANQELI), TOPALLI, SHYTI, KOMTRASHI, KOKA(J), VOGLI, DHOMI, BUZA, BARKU, GRUSHTI, PARASHUMTI.

Shënjues me anë të një ngjyre: KUQI, BARDHI, KRYEZIU.

Nga nënlloji i dytë, përveç se kemi një prani të konsiderueshme të këtyre rasteve, mund të themi gjithashtu se në to janë të pranishëm kuptimi i drejtpërdrejtë dhe ai metaforik.

Dallojmë disa lloje klasifikimi:

a) Nofka të bazuara në elemente ushqimore: UFLLA, SHEQERI, KRYPA, AJRONI, PILAVI, SPECI, PURRINI, KUMPIRI, KAKIÇKA, KOC(K)A.

b) Nofka të bazuara në emra shpendësh a kafshësh: KËNDUSI, PULA, BYLBYLI, VREMÇI, PLESHTI, KLYSHI, KARCYLLI, HUTI, DASHI, KINGJI, MAGARI, BULLI, ABRASHI (kalë me lara).

c) Nofka nga objekte: BUNARI, FURRA, QEREPI, TULLUMI, BALLONI, KOSHI, KUPA.

d) Nofka me kuptim përbuzës: HAJNI, LUGATI, KATILI, QYRRI, PAÇAVRA, BURGIJA, ZARARI, XHUXHA, QUKI, GUZICA (srb. - prapanica).

Një pjesë e mirë e patronimeve të lartshënuara, me kalimin e kohës janë zëvendësuar me patronime të rinj, me arsyetimin se pasardhësit e këtyre familjeve janë ndjerë të ofenduar në mentalitetin e ri të shoqërisë. Myslim Nagavci tek “E folmja e Gjakovës” vlerëson se nuk është e tepërt të tregojmë se gjakovarët jetojnë duke i përqeshur të metat e të tjerëve, duke u vënë njerëzve ofiqe të ndryshme sipas prirjeve, komplekseve. Bile në Gjakovë vlen thënia: “Më thuaj çfarë ‘llagapi’ ke, të të them se kush je”. Pjesën dërrmuese të këtyre nofkave, banorët ua kanë ngjitur njëri-tjetrit për t’i përqeshur ose fyer, në sajë të situatave të jetuara. Në përgjithësi këto emërtime që me kohë janë kthyer në llagape, janë fyes e përqeshës dhe vetëm në ndonjë rast shumë të rrallë tregojnë cilësi a tentojnë të japin informatë të mirë: MISKU, BYLBYLI, DRENI. Ja edhe disa nga mbiemrat-nofka të cilat mund t’i ndeshni tek banorët e Gjakovës: ZALLI, KAMISHI, ARAPI, DUSHMONI, DUDUFENCI, LUKI, TULI, SARIÇKA, JAKA, TODORZA, PRUSHI, LAMA, GUCI, MICI, XHIBIGJUKI, GJYJGJYZARI, SEREMI etj. Kjo nuk do të thotë se qytetet e tjera nuk kanë mbiemra karakteristikë por gjithsesi Gjakova shquhet dhe dallohet për mbajtjen e nofkave për mbiemër. Shumëkush e konsideron këtë si një pasuri të llojit të vet. Megjithatë tek gjeneratat e reja, nga njëzet vitet e fundit e këtej, vihet re tendenca për t’i zëvendësuar nofkat e pahijshme me patronime më të dinjitetshme.

Mbiemra me ndikim oriental

Patronimet me burim prej gjuhëve orientale të cilat mund të jenë të ardhura nga persishtja ose arabishtja, por që në shqipe kanë hyrë nëpërmjet turqishtes: HOXHA, GJYLGJYZARI, BAJRAKTARI, SPAHIU, RRUSTEMI, ARLLATI, SHAHINI, KARAKUSHI (kompozitë, karaj - i zi) etj. Këto lloj patronimesh i gjejmë në përdorim të shtuar. Pra vihet re se ashtu si në toponimi, edhe në patronimet e vendasve në Gjakovë kanë lënë ndikimin e tyre gjuhët orientale si pasojë e sundimit të gjatë të Perandorisë turke ndërsa prania e ndikimit sllav vihet re në një masë shumë më të ulët. Në Gjakovë, ndikimi sllav është sadopak i vërejtshëm në toponimi, por edhe në emërtimet e familjeve a fiseve. Meqë në këtë zonë të Kosovës asnjëherë nuk ka patur më tepër se dy përqind të popullatës me përkatësi sllave, janë mininale rastet që reflekftohen nga ndikimi i sllavishtes në patronimi. Jo më kot e lashë për në fund edhe një tip patronimesh të cilat duke u nisur nga sistemi i sotëm gjuhësor, mbeten të pashpjegueshme. Pra këtu do të përfshij ato mbiemra për të cilët vetë emërtimi nuk jep shpjegime: VALLA, DALLADAKU, FËRDULLI, KATONA, BUQINCA, ELSHANI, ROKA, PERJUCI, MILLA, DURAKU, etj. Sot, sistemi patronimik funksionon me një larmi trajtash, duke marrë përsipër të identifikojë banorët e Gjakovës, dhe jo vetëm kaq, por edhe të tregojë origjinën e prejardhjes familjare të tyre. Mbiemrat e sotëm kanë lindur, ndryshuar e përshtatur në një rrugë të gjatë evoluive, duke u fiksuar në gjendjen e sotme e cila siç e pamë na paraqitet me një shumësi tiparesh dhe cilësish.

Literatura:

Aleksandër Xhuvani, Prapashtesat e gjuhës shqipe, Studime gjuhësore, III, Prishtinë 1976
Çlirim Bidollari, Hulumtime onomastike, Tiranë 2012
Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Vëll. I, Prishtinë 1976
Jusuf Shpuza, Përsiatje onomastike, Shkodër 2008
Myslim Nagavci, Të folurit e Gjakovës, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”, Prishtinë 1969
Thimi Mitko, Bleta shqiptare, Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, nr. 2, Tiranë 1961.


Komente   

 
+2 #1 RE: Çështje të prejardhjes dhe formimit të patronimeve (mbiemrave dhe emrave familjarë) në GjakovëDostiiFort 2013-12-04 22:10
Artikulli i juaj nuk eshte nje shkrim i thjesht gazetaresk, i cili sot lexohet dhe nesër harrohet.
Veprat shkencore të z. Çabej dhe z. Xhuvani janë ende te pa eksploruara dhe më vjen mire që ju keni ndërmarr një iniciativë të duhur në kohën e duhur.
Shumë toponime apo emërtime të lokacioneve, fshatrave apo zonave të ndryeshme të Kosovës janë ndërruar në Gj. Shqipe, jo në mënyrën e drejt shkencore. Shumë prej tyre janë si rezultat i përkthimeve, kryesisht nga gjuhët slave.
“Shkencëtarët” tanë (Kosovar) të lëmive përkatëse nuk kanë njohuri nga Osmanishtja, latinishtja e vjetër dhe e re, Greqishtja e vjetër (Helene) dhe greqishtja e re, persishtja etj. prandaj edhe emërtimet e bëra nuk janë adekuate.
Në Gjakovë, kishte me qenë mire që të inicohet hapja e një shkolle të mesme e gjuhësisë, në mënyrë që të përgatisim kuadrot e reja për studime më të thella, në lëmi të ndryeshme gjuhësore, etimologji etj.
Ne kërkojmë nga të tjerët që të na njohin, në fakt, ne ende nuk e njohim vehtvetën!
P.S.
Mbiemri Spahija sipas jush d. m.th. kalorës. A mos duhet të jetë epror (hierarki) ushtarak-e.?!
Mbiemri BINXHIA, rjedh nga gjuha turke- (Binexhi) që do të thotë: K a l o r ë s.
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm