Menu

Kush më rrahu në zyrat e sigurimit?!

User Rating:  / 2
PoorBest 

Të hapen dosjet!

Më kanë marrë në pyetje edhe tre inspektorë tjerë (emrat e dy prej tyre do t'i mësoja më vonë) ata ishin: Muharrem Dana, Lutfi Ajazi dhe Zija Musliu (aga Zi). Ata më kanë maltretuar edhe fizikisht, edhe psiqikisht.

Shkruan: Tefik Ramadani - Tefik RamadaniJam duke e përcjellur me vëmendje debatin e inicuar këto ditë, për hapjen e dosjeve. Hapja e dosjeve duhet të ndodhë, për faktin e vetëm, sepse, duhet të thuhet e vërteta për ato 60 vitet e sundimit të pushtetit komunist Jugosllav në Kosovë. Por, lustrimi duhet të ndodhë në një situatë të përshtatshme kohore, dhe, pa e dëmtuar paqen sociale dhe interesat shtetërore të Republikës së Kosovës. Ky proces duhet të jetë nën mbikqyerjen e institucioneve shtetërore, të cilat paraprakisht duhet të nxjerrin një ligj për lustrimin, i cili asesi nuk guxon të ketë për motiv hakmarrjen ndaj askujt. Hapja e dosjeve duhet të ketë për qëllim, nxjerrjen e të vërtetës në shesh dhe pajtimin ndërqytetarë, si dhe dëmshpërblimin, para së gjithash moral, për të persekutuarit dhe familjet e tyre.

Meqenëse isha vetë i persekutuar, në vijim dua të tregoj se si ka ndodhur arrestimi im nga shërbimi i sigurimit shtetëror të K.S.A. të Kosovës. Ishte 14 shkurti i vitit 1984. Rreth një muaj pas vrasjes së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, aty afër Hanit të Dilit në Prishtinë. (Përafërsishtë në këtë kohë kanë ndodhur edhe dy vrasje tjera, aty prapa shkollës teknike në Prishtinë, akoma edhe sot enigmatike. Është fjala për vrasjen e Bajram Bahtirit, vëllau i Rrahman Bahtirit i denuar me 14 vite burg, dhe Xhevdet Ramabajës i dyshuar si bashkëpunëtor). Unë atëherë isha mësimdhënës në shkollen e mesme të mjekësisë, dhe pikërisht më 14 shkurt, do të arrestohem nga organet e sigurimit shtetëror. Më arrestuan në banesën time, aty afër xhamisë së Llapit në Prishtinë. Për të më arrestuar kishin ardhur 6 policë të armatosur dhe dy inspektorë të sigurimit: Bashkim Kursani dhe Zyber Zyberi.

Pasi e bastisën detajisht banesën, aty rreth orë 22. 30, me morën me vehte, ndërsa prapa lash të trishtuar bashkëshortën me dy vajzat e mitura, dhe motrën time. Më futën në një golf të bardhë, dhe më dërguan drejtë e në zyrat e sigurimit. Në pyetje më mori inspektori Avni Nura e pastaj Xhavit Kuçi. Xhavit Kuçin e njihja, sepse vinte shpesh në shkollë të mjekësisë. Ai ma bëri me dije se ku gjindem, duke më thënë "se ti tani je në gojë të gjarpërit, dhe vetëm për vehten tënde mendo".

Tmerri për mua filloi ditën e nesërme. Hetime të pandërprera, vijuan për katër muaj rresht. Inspektorët ndërroheshin vazhdimisht. Fillimisht më mori në  pyetje Xhavit Kuçi, i cili me mua u sollë konformë "ligjit". Pastaj më mori Zyber Zyberi, i cili s'kishte fare mëshirë. Për te unë isha armik, sepse dëshiroja që Kosova të bëhej Republikë. Ai më ka maltretuar dhe më ka rrahur. Pas tij më kanë marrë në pyetje edhe tre inspektorë tjerë (emrat e dy pre tyre do t'i mësoja më vonë) ata ishin:

  • Muharrem Dana,
  • Lutfi Ajazi dhe
  • Zija Musliu (aga Zi).

Ata më kanë maltretuar edhe fizikisht, edhe psiqikisht. Kur lodhej z. Dana ulej, pastaj ngrihej z.Ajazi për të vazhduar rrahjen. Pas tyre në pyetje më ka mare një inspektor Serb, me emrin Zoran. Nga ai kam përjetuar torturë psiqike. Të fundit që më kanë marë në pyetje ishin katër inspektor nga Vranja dhe Bujanoci (dy serb dhe dy shqiptare). Njeri u prezentua si Peka, tjetri Hevzia i vogel nga Terrnoci.Ata dy tjerët nuk u prezentuan.Ata donin të dinin se mos kam krijuar ndonjë "grup" në regjionon e Bujanocit. Pas më shumë se katër muajve, para gjyqit dolëm 20 vetë ( grupi i Sejdi Veselit). Kryetar i kolegjit ishte gjyqtari Ahmet Ahmeti (tani advokat në Prishtinë), ndërsa prokuror Hamit Gashi. Dënimet ishin drakonike prej 3 deri në 14 vjet. Gjykatësi Ahmeti, pasi na i shqiptoi dënimet pyeti, mos dëshiron dikush me thanë diçka. Brof bëni në këmbë më i riu, Afrim Zhitia (tani hero i Kosovës). Po tha unë. Ngritu e urdhëroi gjyqtari Ahmeti. Afrim Zhitia i ngriti dy grushtet lartë dhe me sa fuqi që kishte bërtiti, rrnoftë Kosova Republikë. Aty për aty, gjyqtari Ahmet Ahmeti, ia shqiptoi edhe dy vite burg më tepër (nga gjashtë ia ngriti në tetë vite denimin). Por unë kam shpëtuar "mirë" për dallim prej shokëve tjerë, ku inspektorët e shumtë i kanë shkatërruar dajak, duke ua prishur edhe organet vitale. Unë kam qenë i vendosur në dhomën nr.27, në katin e dytë të burgut të Prishtinës. Aty afër ishte dera që të çonte në zyrat e sigurimit.

Netë të tëra nuk mund të flinim, nga britmat e të burgosurve që rraheshin në mënyrë të pamëshirshme dhe ashtu të rrahur ngriheshin zhag koridorit (sidomos në orët e vona të natës). Nëse sot dikush me shpejtësi e mbyll derën e kam shumë mërzi, sepse automatikisht me kujtohet llozi i asaj dere të mallkuar, që nuk mbyllej dot kurrë.

Të nderuar lexues, ju mund të gjykoni vetë se a duhet të hapen dosjet. Unë e thash më lartë mendimin tim. Për paqen sociale dhe pajtimin në Kosovë është me rëndësi të thuhet e vërteta. Duhet ta marrin vesht edhe familjarët e inspektorëve, gjyqëtarëve dhe prokuroëve, se çfarë prindër, vëllezër apo dajallarë kanë pasur, sepse është e domosdoshme që ata të konfrontohen me të vërtetën, edhe pse nuk mbajnë pëergjegjësi, për të bëmat e tyre. Ne të persekutuarit  jemi të gatshëm me falë, por, zotërinjtë duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje publike. Ndërsa ata që kanë kryer krime (kujto vrasjet e heronjëve vellezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia etj.), duhet të përgjigjen para ligjeve të Republikës së Kosovës, sepse krimi nuk vjetrohet kurrë.

Autori i këtij shkrimi ka qenë ish i burgosur politik, është defektolog i diplomuar.

* * * * * * * * * *

Shtojca: Dëshmi historike

GJYKIMI I GRUPIT TË SEJDI VESELIT

Më 19 qershor 1984 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë para trupit gjykues të të pestëve, të kryesuar nga kryetari i trupit gjykues: AHMET AHMETI, filloi gjykimi i anëtarëve të organizatës ilegale "Fronti  Nacional Çlirimitar i Kosovës". Bazuar në aktakuzën PP. nr. 60/84, të ngritur nga Prokurori publik HAMIT GASHI, më 25 qershor 1984 Trupi gjykues  në "emër të popullit" i dënoi këta intelektualë:

1. Sejdi VESELI, me 14 vjet burg të rëndë
2. Rrahman BAHTIRI, me 13 vjet burg të rëndë
3. Shemsi VESELI, me 11 vjet burg të rëndë
4. Esat BRAJSHORI, me 11 vjet burg të rëndë
5. Musli PREBREZA, me 10 vjet burg të rëndë
6. Hamdi RAFUNA, me 9 vjet burg të rëndë
7. Sabri SOPI, me 10 vjet burg të rëndë
8. Fatmir SOPI, me 7 vjet burg të rëndë
9. Agim SAHITI, me 8 vjet burg të rëndë
10. Islam KRASNIQI, me 6 vjet burg të rëndë
11. Tefik RAMADANI, me 6 vjet burg të rëndë
12. Muhamet KRYEZIU, me 3 vjet burg të rëndë
13. Skënder BOSHNJAKU, me 4 vjet burg të rëndë
14 . Ilaz ZHITIA,  10 vje burg të rëndë
15. Afrim ZHITIA, me 8 vjet burg të rëndë
16. Ramadan AVDIU, me 8 vjet burg të rëndë
17. Salih SEFA, me 8 vjet burg rëndë
18. Xhemajl S.REXHEPI,  me 7 vjet burg të rëndë
19. Kadri HAZIRI, me 3 vjet burg të rëndë
20. Rexhep MAKOLLI, me 3 vjet burg të rëndë.

(Burimi: Artikulli "Gjykimi i së keqes së popullit" ( A.M - H.S), botuar në  gazetën "Rilindja", datë 26 qershor 1984, faqe 8)



Komente   

 
+1 #1 SqarimIsh i burgosuri 2014-02-11 07:26
Pershendetje i nderuar, mund te them, nese ske degjuar se krimineli Lutfi Ajazi ka vdekur, dhe me sa kam degjuar nga Serbia eshte sjell ne Komoran per tu varrosur ku kan pas probleme me banoret te cile nuk kane dashur qe te varroset aty...
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm