Menu

Kulla stërgjyshore, varr për pushtuesin

User Rating:  / 0
PoorBest 

Është përkujtuar Tahir Meha, në 33-vjetorin e rënies heroike të tij dhe të babait të tij, Nebih Mehës dhe luftës së tyre përballë forcave të mëdha të njësive speciale të policisë së ish-Jugosllavisë, të cilët kishin rrethuar kullën, me 13 maj të vitit 1981.

Lufta e Tahir Mehës kishte lëkundur seriozisht themelet e shtetit artificial të Jugosllavisë dhe kishte shënuar fillimin e fundit të sundimit të Serbisë në Kosovë. Në këtë luftë, shumë policë kishin mbetur të vrarë nga pushka e Nebihut dhe e Tahirit. Madje, vetë Tahiri kishte thënë, se “kur të luftoj unë, do të shkruajnë gazetat e Evropës dhe të botës”.

Në një tubim të mbajtur para kullës së Tahir Mehës, në Prekaz, e ku folën nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, pastaj tashmë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, si dhe Prend Buzhala, u tha mes tjerash se lufta e Tahir dhe Nebih Mehës erdhi në kohën kur krejt Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po kërkonte lirinë, të drejtat e veta që shkeleshin me dekada e shekuj nga pushtuesi serb.

Hysni Ngucati, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, tha se Tahir e Nebih Meha, kullën stërgjyshore e ktheu në varr për pushtuesin.

“Ishte 13 maji i vitit 1981, dita e Milicisë së Jugosllavisë. UDB-ja dëshironte që këtë festë ta shënonte me fitore, duke e zënë Tahirin e shumëkërkuar. Pushtuesi kishte planifikuar lavdinë e këtij aksioni për ta përforcuar imazhin e njësive speciale të milicisë dhe UDB-së. Planet Beogradit ia prishin pushka e Tahir Mehës me babën plak, Nebihun, të cilët me rezistencën e tyre heroike detyruan pushtuesin serb që në fushën e betejës në Drenicës të nxjerr një arsenal të tërë armatimi, makinerinë luftarake dhe qindra milicë, të cilët po përballeshin me dy burra të Drenicës. Këtij arsenali luftarak, Tahiri me babën plak, Nebihun i rezistuan mbi 20 orë”, përkujtoi Ngucati.

Pushtuesin shekullor e kanë luftuar pesë breza të Mehajve. Emin Lati, gjyshi i Tahir Mehës ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtës, ndërsa babai i tij, Nebihu, bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës. Beqir Meha, vëllai i Tahir Mehës, ka qenë pjesë e luftës së UÇK-së dhe ai ka rënë dëshmor, ndërsa Emin Lati, junior, ishte rreshtuar në radhët e UÇK-së që nga orët e para.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm