Menu

Veterani i UÇK-së: Dikur qaja për lirinë, tani për vajzën

User Rating:  / 0
PoorBest 

  • Tumori në kokë rrezikon jetën e 14-vjeçares nga Kaçaniku
  • Dorëzohet prindi i vajzës, nga pamundësia për t’i ndihmuar

Babai i Mirlindës së sëmurë, Muzafer Krasniqi, thotë se si pjesëtar UÇK-së asnjëherë nuk u zmbraps nga fronti i luftës me regjimin serb, por tani, kur vajza e tij 14-vjeçare, Mirlinda, po e lufton tumorin në kokë, është dorëzuar dhe nuk është i sigurt se do t’ia dalë mbanë për ta ndihmuar që ajo të dalë fituese ndaj sëmundjes

Nëse të gjithë do të ishin të lumtur, janë dy njerëz të cilëve nuk u teren sytë. Rruga e lotëve nëpër fytyrën e tyre ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ata e kanë harruar buzëqeshjen, gëzimin s’e njohin më dhe as që mund ta kujtojnë lumturinë. Janë këta dy njerëz që dikur Kosovës dhe popullit i ndihmuan me gjithçka që patën; burri qe në front të luftojë armikun e një populli, ndërsa gruaja pranoi që të jetojë vetëm me fëmijët. Ndërsa sot, të gjunjëzuar para Zotit, ata s’kanë fuqi të ndihmojnë as gjysmën e shpirtit të tyre, vajzën e tyre, Mirlindën, 14- vjeçare, e cila vuan nga tumori në kokë. Me gjithë hallin me vajzën, Muzafer Krasniqi, nga Kaçaniku i Vjetër, është edhe i papunë, çka po ia pamundëson kurimin e sëmundjes së vajzës, e cila në javë duhet patjetër të marrë një terapi me kosto prej 300 eurosh.

I shet edhe lopët për ta shëruar vajzën

Vetëm po të shikosh fytyrën e Muzafer Krasniqit, nga fshati Kaçanik i Vjetër, do të duket se shekuj vuajtjesh kanë kaluar mbi supet e tij. Gjithë rëndesën e shpirtit atij ia ka dhënë sëmundja e vajzës 14-vjeçare, Mirlindës, e cila që nga maji i vitit 2013 po lufton me tumorin në kokë.

Dikur ushtar i zellshëm në radhët e UÇK-së në luftë për liri, Muzaferi nuk u dorëzua kurrë para armikut, por luftoi ballëhapur në vijën e parë të frontit, mirëpo sot koha ka ndryshuar. Atë e gjunjëzuan dhe e detyruan të dorëzohet sëmundja e vajzës dhe kushtet e rënda ekonomike.  Edhe vetë Muzaferi thotë se si pjesëtar UÇK-së asnjëherë nuk u zmbraps nga fronti i luftës me regjimin serb, por tani që vajza e tij 14-vjeçare po e lufton tumorin në kokë, është dorëzuar dhe nuk është i sigurt se do t’ia dalë mbanë për ta ndihmuar Mirlindën, që ajo të dalë fituese ndaj sëmundjes. Ai ndihet tepër i zhgënjyer si prind dhe luftëtar, ngaqë për shkak të kushteve ekonomike sot, edhe pas 15 vjet lirie, nuk po mundet t’i vazhdojë përpjekjet më tutje në luftën e dytë për të, luftën kundër tumorit në kokë që e ka vogëlushja e tij. "Lajmin e kemi përjetuar shumë rëndë. Më erdhi shumë papritur. Nuk mundem as ta përshkruaj si jam ndier atë natë. Kam qenë krejt i hutuar dhe i përhumbur, sepse gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte se nuk kam mundësi ta shëroj vajzën dhe vetëm do të më duhet ta shoh duke vuajtur për çdo ditë”, tregon Muzaferi. Ndihma sociale që merr Muzaferi nuk është e mjaftueshme as për sigurimin e kushteve elementare për jetë, e lëre më për trajtimin e një sëmundjeje siç është tumori. Sipas tij, po është e pamundur që me një ndihmë sociale t'u bëhet ballë shpenzimeve për terapinë që vajza e vetme e tij duhet ta marrë në spitalin e Prishtinës. Përveç kostos së terapisë, ai duhet të udhëtojë me auto-taksi nga Kaçaniku i Vjetër deri në spitalin e Prishtinës, ku vajza e merr terapinë e saj. “I kam shitur gati krejt çka kisha. Edhe lopët i kam shitur, se s’mujsha me e pa vajzën ashtu. Por, edhe shokët më kanë ndihmu, për çka i falënderoj shumë, si ata të luftës, por edhe tjerët, se vetëm s’kisha mujt me ba sen”, tha Muzaferi.

Mirlinda duhet të operohet

Pas 24 terapive, Mirlinda detyrimisht duhet t’i nënshtrohet operacionit ose radioterapisë. Mirëpo, Muzaferi, i cili i merr vetëm 100 euro në muaj, thotë se ka mbetur mes dy zjarreve dhe me shpirtin pezull, se s’po ka mundësi t’i dalë në ndihmë vajzës së tij në asnjë mënyrë, as me operacion e as me radioterapi. 100 eurot që i merr në muaj janë si ndihmë sociale për të dhe familjen. “Po tutna se s’do të mundem me i dalë zot. Zoti ma baftë çarën se jam shumë në hall”, tha Muzaferi me zërin që i dridhej. “Njëqind euro i marr si ndihmë sociale, ndërsa terapitë e vajzës kushtojnë nga 500 deri në 600 euro në muaj. Tri herë në javë i ka vetëm kontrollet, por mund të ketë edhe më shumë, sepse nëse nuk i del gjaku mirë, duhet të qëndrojë me javë në spital”, tha Muzaferi. Por, ajo që e frikëson më së shumti Muzaferin është rreziku që i kanoset jetës së vajzës nga kjo sëmundje dreqi. “E di që jeta do t’i rrezikohet nëse nuk e dërgojmë në operacion apo radioterapi, e për këtë më nuk kam as mjete. Ndoshta edhe një herë mundem ta dërgoj duke kërkuar ndihmë, po jo më tepër. Nuk kam...", ishin fjalët e fundit të Muzaferit që u mbytën nga lotët.

Ndërsa, e ëma e vajzës, Afërdita, shpjegon se duhet të kujdeset edhe për tre fëmijët e tjerë. Ajo thotë se mendja i rri vetëm te Mirlinda e shtrirë. Si nënë, ajo thotë se e ka tepër të vështirë që së paku një herë në ditë ta marrë për dore vajzën e saj e të dalë për shëtitje nëpër oborr. "Kam qejf ta marr për dore, por nuk mundet me ec. E ka humbur besimin, është dobësuar tepër shumë. Derisa unë punoj gjëra të tjera në shtëpi, nuk jam aspak e vëmendshme, sepse gjithherë mendoj për vajzën. Nuk kam vullnet më... Fëmijët e tjerë i shoh... dhe Mirlinda ma kall shpirtin. Mundohem të kujdesem edhe për ata, por gjithherë mendja më rri te Mirlinda" , thotë me zë të dridhur nëna e Mirlindës që vazhdimisht mbytej në lot.

Për të gjithë ata që duan t’i dalin në ndihmë këtij fëmije, kodi për ndihmë në ‘ProCredit Bank’ është: 1171152289000163

100 euro në muaj është shuma me të cilën jeton kjo familje, kurse terapitë mujore për Mirlindën e sëmurë kushtojnë 500-600 euro.(B. JAHA - kosovasot)

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm