Menu

Në një Kështjellë Legjendare të Prekazit

User Rating:  / 1
PoorBest 

Legjendarët - Babai Shabani me djemtë Hamzën dhe Ademin

Në përvjetorin e rënies së Adem Jasharit

(Nga blloku i shënimeve)

Sot, po shikoja me vëmendje dy data në kalendar...Ato lidhen me jetën dhe lavdinë e njërit ndër trimat më të shquar atdhetarë, të Kosovës e mbarë trojeve shqiptare, pra me emrin e Adem Jasharit. Ditëlindja e tij është simbolike: 28 nëntor 1955, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë sonë. Por dhe datërënja e tij heroike, 7 mars 1998, ka breda simbolikën e veçantë, pra ajo na kujton 7 Marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap shkolla e parë shqipe...

I përqendruar në këto dy data, në përkujtim të Heroit të madh të Kosovës, Adem Jashari, shfletova faqe të ditarit tim. Kështu, së bashku, le të lexojmë disa radhë në të, shoqëruar dhe me fotografi.

* * * * *

Heroi i lavdishem i Kosovës, Adem Jashari

“Nëntor, 2000…

Në varganin e  stërgjatë të vizitorëve, nga qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe mbarë trojet tona amtare, në fshatin e dëgjuar Prekaz, isha edhe unë. Ndieva emocione të patreguara, kur atë mbrëmje shkela për herë të parë në pragun Kështjellës legjendare të Jasharajve. Na priti buzagas e krahëhapur vëllai i Ademit, Rifat Jashari. Ndërsa në odën e shtruar me qilima, gjetëm djalin e Ademit, Lulëzimin, me pjesëtarë të tjerë të familjes. Dëgjuam tregimet rrënqethëse të tyre për ato ditë të paharruara, pamë fotografi dhe botime të ndryshme. U përpoqëm të krijonim në kujtesë ato skena sa të dhimbshme, por dhe  aq heroike. Baca Rifat foli me zë kumbues:

 “Ishin afër 5 mijë forca serbe. Ata u sulën si bisha të tërbuara kundër 12-13 luftëtarëve të Kullës sonë. Masakra e armiqve ishte e pashoqe. Nga familja jonë u vranë e u masakruan 20 veta: fëmijë, gra e pleq. Ndërsa nga e gjithë lagja dhanë jetën e tyre për lirinë 54 veta. Nga Prekazi 109 veta dhe nga gjithë komuna e Skënderajt u vranë në luftën e fundit kundër agresorëve serbë 1.028 veta...”.

Këtu, ai e ndali pak tregimin e na vështroi si kreshnik dhe na u drejtua: “Por kemi mbetur mjaft e do të qendrojmë fort, se çdo gjë ia falëm vatanit. Lulëzimin e fejuam tash vonë. Nipa e mbesa do ta mbushin prapë këtë truall...Jemi të lumtur, se u thye përgjithnjë kufiri shqiptar-shqiptar, që na ndante padrejtësisht. Detyrë e madhe për ne tashti është: Të bëjmë shtet dhe të gjithë së bashku të shikojmë kah çështja jonë kombëtare...”.

Pastaj biseda jonë rrjedh  për Adem Jasharin dhe shokët e tij trima. Ndërsa unë mbaj shënime e meditoj...

Epopeja heroike në Kullën e Jasharajve u shkrua në disa faza, që po i përshkruajmë shkurt më poshtë.

Rrethimi i parë

Ishte mëngjesi i ftohtë i 30 dhjetorit 1991. Në kullën e Jasharajve ishin bashkë të tre vëllezërit: Rifati, Hamza dhe Ademi. Pasi e kishin ndjekur hap pas hapi veprimtarinë e tyre, forcat policore serbe  vendosën që ata t’i rrethonin dhe t’i fusnin në një darë të hekurt, nga mendonin se nuk do të delnin dot. Pra, donin që me çdo kusht  t’i kapnin të gjallë. Ishin çaste të vështira e vendimtare. Trimat e Jasharajve vepruan me gjaftoftësi dhe me guxim të pashoq. Nga magnetofoni, vinte zëri i komandantit të policisë serbe: “Dorëzojuni, se jeni të rrethuar e nuk shpëtoni dot të gjallë!” Ndërkaq, me veprime të matura e të shpejta, Ademi me dy vëllezërit arritën ta çanin rrethimin, duke qëlluar me breshëri kundër armiqve dhe duke plagosur disa prej tyre. Jehona e kësaj qendrese u përhap menjëherë në tërë krahinën. Drenica u ngrit e tëra në këmbë. Burra e të rinj të armatosur krijuan kolona të gjata drejt Prekazit.

Që nga ajo ngjarje, Prekazi jetoi ditë në liri, serbët nuk shkelën më në tokën  e bekuar shqiptare.

Rrethimi i dytë

Megjithatë, siç thotë populli, “uji flë e hasmi nuk flë”. Policia dhe ushtria serbe vëzhgonin e përgatiteshin që të sulmonin në befasi. Ata grumbullonin forcat dhe mjetet në fabrikën e municionit të Skënderajt, që u shërbente si kazermë. Prej andej, dukeshin si në pëllëmbë të dorës,  jo vetëm Kulla e Jasharajve, por dhe më gjerë.

Më 22 janar 1998, kur ende nuk kishte zbardhur dita, armiqtë iu afruan Kullës së Jasharajve dhe befas e rrethuan atë nga të katër anët. Një njësi e posaçme armike, e pajisur me minahedhës, mortaja dore e armë automatike, sulmoi me shpejtësi. Po, a ishin trimat kosovarë në gjumë? Jo, ishin zgjuar dhe i përgjonin lëvizjet tinzare të armiqëve: Baca Shaban, Hamza, Besimi, Fitimi, Kushtrimi…Sakaq, këta ia nisën furishëm kundërsulmit të tyre.

Lajmi i kësaj qendrese u përhap anë e mbanë, në mbarë Kosovën dhe e shtoi besimin e fitores përfundimtare të luftës mbi pushtuesit serbë. Ndërsa armiku përsëri përgatitej për hakmarrje.

Por, tashmë, po forcohej dhe UÇK-ja. Një muaj më vonë, në fshatin Likoshan u zhvillua një përleshje e përgjakshme ndërmjet një grupi të vogël të saj dhe policisë serbe. Ashtu siç pohonin burimet serbe, u vranë, së paku, gjashtë armiq. Por u plagos edhe një luftëtar i lirisë.

Pas kësaj, pushtuesit serbë ndërmorën një sulm të ashpër hakmarrës, kundër fshatrave Likoshan e Qirez. Përvç forcave policore, sulmuan edhe mjaft tanke e dy helikopterë. Bilanci ishte tragjik: u vranë 24 veta, nga të cilët 4 kishin qendruar me armë në dorë. Masakruan dhjetë meshkuj të familjes Ahmetaj dhe vranë një grua shtatzënë, me fëmijën e tmerruar në gjoks. Sapo morën vesh, Adem Jashari me bashkëluftëtarët, u erdhën në ndihmë, duke i tërhequr të plagosurit dhe njerëzit e mbetur gjallë e të tmerruar.

Nga e majta: Rifat Jashari, M.Gecaj dhe Lulëzim Adem Jashari (Prekaz, 12 nëntor 2000)

Rrethimi i tretë

Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Adem Jashari shkoi në Kullën e tij dhe bisedoi me bashkëluftatarët e familjes. I njihte armiqtë mirë dhe e dinte se cili ishte qëllimi përfundimtar i tyre. Pra, duheshin bërë përgatitje të shumta për ngjarje e luftime të reja, kundër serbëve. Sigurisht, kjo gjë kërkonte  zgjuarësi,  trimëri, guxim e sakrifica. Kishte patur ndonjë mik dashmirës, që i kishte këshilluar të largoheshin, për t’u shpëtuar goditjeve të pritshme. Por ishin të lidhur aq shumë me trojet amtare, me  shtëpinë, ku kishin lindur dhe ishin rritur, sa ishin bërë njësh me to. Pra, betimi i tyre ishte: “Kurrë nuk i lëshojmë, për së gjalli, këto troje, se dheu e toka janë tonat… Serbi nuk ka asnjë punë këtu dhe duhet të largohet, sa më pare, në skutat e veta!”

Dhe erdhi një ditë tjetër e madhe, që do të ruhet e pashlyer, brez pas brezi. Ishte dita e qendresës së pashoqe të Adem Jasharit, por dhe aq e dhimbshme për familjen, Prekazin, Drenicën, Kosovën, UÇK-në e mbarë Shqiptarinë.

Ishte data 5 mars 1998.

Nëpër terrin e natës, si korba të zinj, lëviznin forcat serbe, në kolonë dhe me armët ngjeshur, deri në dhëmbë. Kur i morën masat, që Jasharajve mos t’u vinte ndihmë nga ndonjë drejtim i mundshëm, gjeneralët e zinj serbë bënin shënja në hartën luftarake të Prekazit, me lapsat e tyre të kuq. Në qendër të saj shënohej, posaçërisht, Kulla e Jasharajve. Sipas planit të parashikuar, armiqtë e rrethuan përsëri Drenicën, se donin ta gjunjëzonin e ta gjakosnin për vdekje.

Në Kullën e pamposhtur ndodheshin 22 pjesëtarë të familjës Jasharaj, përveç Rifatit, Muratit, Bekimit e Lulëzimit, që ishin në mërgim dhe Ilirianës, Shqipes, Fazliut e Marigonës, që një ditë më parë kishin shkuar te dajtë, në fshatin Akrashticë. Rrethimi armik sa vinte e ngushtohej, gjë që e vërente mirë edhe Adem Jashari me të tjerët, që ndodheshin zgjuar. Para se të dilte plotësisht drita, ky iu drejtua të pranishmëve: “Sot. do të kemi luftë. Pra, të qendrojmë, si na ka hije dhe mos ta lëshojmë vatanin tonë. Me fat na qoftë!”

Çastet kalonin me vështirësi dhe po vinte ora e betejës së madhe, legjendare. Artileria e rëndë villte zjarr papushim, po kështu tanket i drejtoheshin Kullës së pamposhtur. Ndërsa aty secili e kryente detyrën  luftarake, të caktuar nga komandanti Adem Jashari: baca Shaban, Hamza, daja Osman, Bashkimi, Besimi, Fitimi, Kushtrimi, Adilja, Feridja, nëna Zahë, Selvija…Dikush qëllonte mbi armiqtë dhe dikush tjetër i mbushte krehërat me fishekë. Po qendronin me armë në dorë dhe ata pak banorë të lagjes, që ishin ndodhur atë natë në shtëpitë e tyre.

Lufta vazhdonte e ashpër. Por, ah, plumbi i mallkuar armik  ia përshkoi trupin Adiles, që ishte dëshmorja e parë e lirisë, në këtë Kullë. Megjithatë, nuk u ligështuan. Sulmi armik vazhdoi gjithë ditën e natën tjetër, por dhe të pasnesërmen. Tri ditë luftë e rreptë dhe Kalanë nuk e morën dot. Veç qëllonin nga larg me topa. Më në fund, një predhë goditi prapa kthinën, ku ishin shumica e pjesëtarëve të familjes. U vranë menjëherë 13 veta: nëna Zahide, Zarifja, Feridja, Selvetja, Hidajetja, Valdetja, Afetja, Liria, Fatimja, Blerimi, Igbali, Igbalja dhe Blerina. Shpëtoi vetëm Besarta, që u bë dëshmitare e asaj dite tragjike e të tmerrshme.

Ndërsa komandant Ademi u jepte zemër të gjithëve. Sakaq edhe këtë Burrë  kreshnik  e mori plumbi në gjoks, por qendroi në këmbë, nuk ra përdhe. Se  të parrëzuar ishim mësuar ta shihnim këtë Hero të Kombit dhe i tillë do të mbetet në përjetësi. ”Gjenerali i kryengritjeve popullore”, e patën quajtur bashkëkohësit, Isa Boletinin. Po kështu, “Gjeneral i qendresës mbarëkosovare”, meriton të quhet edhe Adem Jashari. I fundit në këtë betejë, për jetë a vdekje, ra Kushtrimi 13-vjeçar.

Kishin rënë për lirinë e dëshiruar ndër mote, 20 pjesëtarë të Kullës së Jasharajve dhe po kaq të familjes së gjerë Jasharaj. Po kështu, figuronin të zhdukur ose të vrarë 14 veta, me mbiemrin Jasharaj dhe disa veta të Prekazit ose që u kishin ardhur në ndihmë atyre,  nga fshatrat e tjerë. Në varrezat e Fushës së Pajtimit, nën tytat e policisë serbe, u dërguan të prehen në përjetësi, 53 dëshmorë.Të gjithë u betuan, se atyre do t’ua merrnin hakun shumëfish. Dhe rrokën armët, deri sa u çlirua përgjithnjë Kosova: Shqipja 18-vjeçare, Bashkimi 20-vjeçar, Sahiti, Musa, Hatixhja, Xhemilja, Ragipi…”.

Mars, 2015…

Përsëri, në Kullën legjendare të Jasharajve, tani hyjnë e dalin vizitorë të panumërt. Në përvjetorin e rënies heroike të kyetrimit Adem Jashari e të familjarëve të tij, por dhe të dëshmorëve të shumtë, nga Prekazi i Kosovës, ata përkujtojnë e nderojnë të gjithë të rënët. Por, natyrshëm, i gëzohen Republikës së pavarur të Kosovës, që ecën pa u dalur  në rrejedhat e demokracisë europiane. Se kjo ishte ëndërr dhe e kryetrimit Adem Jashari, e gjithë martirëve të atij trualli të stërlashtë shqiptar.

Prof. Murat Gecaj / publicist e studiues - Tiranë, 5 mars 2015

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm