Menu

Dëshmorët e Kombit të fshatit Samadraxhë dhe liria e Kosovës

User Rating:  / 1
PoorBest 

Përkufizimi

Fshati Samadraxhë i komunës së Therandës së lashtë ka dhënë pesëmbëdhjetë Dëshmorë të Kombit. Ata janë pjesë e lirisë sonë. Ata janë pjesë e kujtesës sonë moderne historike. Pra, ata nuk kanë nevojë të kujtohet vetëm në këngën e popullit, doemos që nuk i harron kurrë, por ata janë pjesë e kujtesës sonë, sepse janë pjesë e lirisë sonë, sepse janë pjesë e proceseve historike që ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procese historike që kanë hapur rrugët e bashkimit kombëtar.

Hyrje

Nga dita e 28 nëntorit të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht, në gjithë territorin e pushtuar për gati një shekull, doli një forcë që mori në duart e saj fatin e shqiptarëve të robëruar të kësaj pjese të atdheut. Kjo forcë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pra, i tha popullit të saj, nga gjiri i të cilit kishte dalë, tashti e tutje, fatin tonë e kemi në duart tona, liria e kësaj pjesë të atdheut, është ideali ynë jetësor, kurse çlirimi i të gjitha pjesëve të okupuara të atdheut do të jenë amaneti ynë këndej dhe andej vdekjes.

E shihni pra, Dëshmorët e Kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë, ia kanë falur jetën lirisë dhe çlirimit të atdheut, duke lënë një amanet, të cilin nuk e tretë as dheu i atdheut. Sepse, deri me rënien e Dëshmorëve të Kombit, andaj edhe të Dëshmorëve të Kombit të fshatit Shamadraxhë të Therandës, të vdekurit tanë varroseshin në dheun e tokës. Nga kjo luftë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënët për liri dhe për çlirim, si dhe të gjithë të vdekshmit e tjerë varrosen në dheun e atdheut, varrosën në tokën e atdheut të tyre. Ngase dihet kaherë, atdheu është i atij populli që jeton në të, vetëm kur është i lirë.

Një fshat i tërë në shërbim të lirisë

Si kudo në Kosovë pjesa më e madhe e popullatë ishte vënë në shërbim të luftës për liri, që po e bënte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mirëpo, si kudo dhe si përherë, kishte edhe aty-këtu mish dhie, siç thotë mendësia e popullit tonë, që jo vetëm i shmangeshin luftës, por ndonjëherë edhe bëheshin argat të kolonës së pestë, e në raste të veçanta edhe argat të pushtuesit të tokave shqiptare. Mirëpo, fshati Samadraxhë i Therandës së lashtë, lirisë ia dha 15 Dëshmorë të Kombit. Pjesë e lirisë u bën edhe 26 qytetarë të këtij fshati, të cilët, sekush në mënyrën e tij, sekush brenda mundësive të tij, ishte pjesë e luftës. Dhe, armiku ynë, në shenjë hakmarrjeje i vranë, i pushkaton, i masakron 26 qytetarë të këtij fshati.

Andaj, mund të thuhet, ata janë pesëmbëdhjetë Dëshmorë të Kombit, që janë bërë edhe pjesë e kujtesës sonë historike, që vunë gjakun e tyre në themelet e lirisë së kësaj toke. Ata janë njëzet e gjashtë qytetarë të Samadraxhës, që u vranë nga forcat serbe për hakmarrje. U vranë, u pushkatuan, u masakruan dhe u bënë pjesë e lirisë sonë. Ata janë një fshat i tërë, që ishte vatra e luftës, që ishte sofra e luftëtarëve të lirisë, që ishte pushka dhe buka e saj.

Kjo mënyrë e përkufizimit të të rënëve në luftën për liri, jo vetëm nuk ia heq as nuk ia shton askujt hisen e vet në luftën për çlirimin e kësaj pjese të atdheut, por përkundrazi, e bën jetësor atë mësimin e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare, bartësit e së cilës, pra rilindësit tanë, jo vetëm luftuan dhe e bënë atdheun, jo vetëm luftuan për lirinë e tij, sa herë historia e kishte vënë në rrezik, jo vetëm krijuan kujtesën tonë kombëtare shekullore në shëmbëlltyrën e kryetrimit tonë Kombëtar-Skënderbeut, jo vetëm na mësuan të mos kursejmë as jetën për liri, por na mësuan edhe të mos rrahim gjoks që paskemi qenë një ditë a dy, një vit a dy në shërbim të atdheut. Sepse, lirisë së atdheut i ka hije, vetëm kur mësohemi të themi, mos pyet se çka bëri atdheu për ty, por pyete veten çka bëre ti sot për atdheun.

Atdheu dhe liria e tij nuk është hise e askujt

Kështu thotë historia. Atdheu nuk është hise e askujt, as e të gjallëve, as e të rënëve për liri, as e të vrarëve. Por të gjithë këta janë hise e atdheut, të gjallët dhe të rënët, të vrarët dhe të masakruarit, të dhunuarat dhe të zhdukurit. Kudo që kanë rënë, janë hise e lirisë së atdheut. Kudo që janë vrarë, janë hise e tragjedisë së tij, sepse i janë pakësuar njerëzit atdheut. Kudo që janë varrosur brenda tokës së tij, janë hise e tokës së atdheut.

Siç dihet historikisht  kur vjen liria pas luftës çlirimtare, siç ishte Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishte Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit, siç ishte Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninë, ajo vjen për të gjithë. Vjen edhe për ata që kanë rënë dhe janë dëshmorët e saj, vjen edhe për ata që janë vrarë dhe janë hise e historisë së atdheut, vjen edhe për ata që nuk kanë bërë asgjë për ardhjen e lirisë së atdheut. Prandaj, atdheu dhe liria nuk janë hise e askujt, por të gjithë ata që kanë bërë diçka për atdheun dhe lirinë e tij, janë hise e tij dhe e lirisë së tij. Samir Frashëri ynë i madh, një herë e një herë, më shumë se nje shekull më parë, ka thënë se ai që nuk jep një grosh për atdhe, ai që nuk jep një copë bukë për atdhe, ai që nuk shkreh një pushkë për atdhe, ai nuk do të duhej të kishte as vend për varr në atë atdhe. Mirëpo, kohët kanë ndryshuar. Bashkë me kohët kanë ndryshuar edhe njerëzit. Bashkë me ta ka ndryshuar edhe mendësia e tyre. Luftërat nuk janë bërë më humane, pra më njerëzore, por njerëzit janë bërë më të shumanshëm, janë bërë më njerëzor. Andaj, edhe në lirinë e Kosovës, kanë vend edhe ata që nuk kanë bërë asgjë për ardhjen e lirisë në këtë pjesë të gjeografisë së pushtuar të atdheut tonë që quhet Shqipëri. Kosova, siç dihet historikisht, është vetëm një krahinë e saj, pra një krahinë e atdheut, që një ditë doemos do të bëhet i tëri.

Përfundim

Pesëmbëdhjetë Dëshmorët e Kombit të fshatit Samadraxhë të Therandës, të cilët po i kujtojmë sot, janë shenjat e kujtesës sonë historike, me të cilat do të mësojmë të ecim të lirë në jetë, me të cilët do të mësojmë të shkojmë në shkollë dhe në arë, në shtëpi dhe në punëtori, te miku dhe të i dashuri pa pasur frikë se mund të na vrasë armiku i atdheut tonë. Dhe, siç ndodh përherë me lirinë, që kurdo herë zgjuar, ditën dhe natën, zgjuar dhe në gjumë, sa herë na kujtohet fjala liri, do të na kujtohen edhe emrat e tyre, sepse janë pjesë e saj, sepse janë pjesë e luftës për liri, sepse janë pjesë e çlirimit të atdheut. Bashkë me ta, në këtë fshat të Therandës së lashtë, do të na kujtohen edhe 26 qytetarët e saj të vrarë e të pushkatuar në shenjë hakmarrjeje, pasi armiku ynë shekullore nuk arrinte ta zhdukte luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ata ishin konaku dhe buka, ishin pjesë e luftës së lavdishme për ardhjen e lirisë së kësaj pjese të atdheut tonë.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit të fshatit Samadraxhë!
Lavdi të gjithë të rënëve të këtij fshati!
Lavdi Dëshmorëve të Kombit kurdo dhe kudo që kanë rënë për lirinë e atdheut.

Prof. Dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës

Prishtinë, më 26. 3. 2015

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm