Menu

Njëzetë e pesë vjet më parë e përjetova luftën

User Rating:  / 0
PoorBest 

Një buri traktori binte pareshtur në mëngjes, ku jepte alarmin e jashtëzakonshëm. Kushëriri im Enveri, një punëtor i zellshëm, me traktorin e tij iu soll katundit rreth e rrotull dhe u zgjuam e gjithë familja, dhe, kështu filluan edhe të shtënat e rrepta në katundin fqinj Pollatë.

Atë ditë në shkollë mësimin e ndiqja pas dite në qytet, dhe, kisha mundësi të ngjitesha në katund. Krismat e armëve të forcave serbe kuptonin se bëhet fjalë për një sulm ndaj Pollatasëve, s'kishte kohë për shumë fjalë në familjen time; Babai im Syla e axha Isë i nxorën -Karabinat- nga arkat e tyre! Ishte hera e parë e jetës sime që po shihja një gjendje të tillë! Babai im nuk fliste por çdo gjë shihej ndryshe në fytyrën e tij: veshi pantallona të zi dhe një xhaketë lëkure e që dukej vërtet i vendosur t'u dilte në ndihmë fqinjëve tanë. Kujtoj Nënën time të nxirë në fytyrë dhe nuk harroj trishtimin e saj, ngase edhe Gjyshi im ishte luftëtar dhe kishte rënë dëshmor në luftë me serbët, sigurisht se ishte aq shumë e mërzitshme. Nëna ime sa frikësohej se nuk do kthehet i gjallë Babai im. Babai im Syla dhe xhaxhai im Isa, që të dy kishin një moshë të shkëlqyeshme, gjithashtu edhe shëndet, të përgatitur në ushtri dhe s'kishte ndonjë preokupim nga ana e tyre se po shkojnë në luftë. Axha Isë kishte kohë që e fshinte dhe e lyente pushkën, shpesh here kur dëgjonte këngë, kushtuar trimave e thoshte se edhe neve na pretë një betejë me okupatorët serbë. Përshëndetja jonë me dy luftëtarët e familjes ishte prekëse sepse dëgjohej lufta pranë nesh, vetëm kodra e quajtur "Merçez" na ndante në mes katundeve tona.

Organizimi i Malësorëve nga Gryka e Llapit ishte e gjitha vullnetare dhe për një kohë të shkurtër i fusin në rrethim forcat serbe të sigurisë të cilat e kishin rrethuar qysh natën katundin Pollatë dhe në mëngjes kishin filluar t'u hynin brenda në familje. Mirëpo, aty hasin në rezistencë dhe hapet zjarr në mes policisë serbe dhe Trimave Pollatas. Gjatë përleshjes bien dëshmorë Skënder Monolli, dhe Besim Latifi, studenti i drejtësisë, që të dytë i njihja, sepse udhëtonim bashkë me autobusin e linjës Pollatë- Podujevë dhe anasjelltas. Skënderi ishte njeriu më i miri dhe më i sjellshmi gjatë gjithë udhëtimit. Në një rast dua te përshkruaj; në katundin Repë ishte ndalesa ku e lidhte fshatin tim dhe në autobus ziheshin dy grupe djemsh të rinj, u hapën dyert dhe zbritën në tokë që ti sqarojnë gjërat, Skënderi zbriti shumë shpejt dhe nuk i la të rrihen mes vete.

Me fjalimin e tij edhe i pajtoi, fjalimi i tij lidhej me gjendjen që ishte krijuar nga Serbia, e zullumi i tyre. Unë i kisha mbushur 15 vite por atë gjest s'do ta harrojë kurrë, ndërsa Besimi ishte një djalë i urtë ku gjithë kohën lexonte në autobus, vëllai i tij Njaziu ishte gjeneratë e imja e njiheshim pasi që edhe kishim pasur rast të zhvillonim një ndeshje futbolli në mes katundit tim Sylëvicë dhe katundit Pollatë. Në atë ndeshje fitoi Pollata edhe pse ne ishim më të mirë, falë kushëririt tim, i cili ishte vërtetë një talent futbolli, Samiu ishte si Fadil Vokrri. Forcat serbe për të dalë nga rrethimi i Malësorëve i mbajnë peng dhjetëra civil Pollatas dhe u bëjnë thirrje Malësorëve që t'i ndalin të shtënat, përndryshe do pësonin civilët shqiptarë. Atë ditë ishte luftë, helikopteri sillej mbi kryet tonë, vinte shumë ultë me një zhurmë tmerruese, ndërsa të shtënat artilerike herë pas here pushonin. Axha Isë e kishte mbajtur në shënjestër të pushkës për shumë kohë drejtuesin e mitralozit të tankut serbë dhe vetëm priste momentin për ta hedhur në tokë. Pranë tij qëndronte Babai im i cili s'do i dhimbsej vetja që të mbronte Pollatasit e mbi të gjitha aty kishte një shok të punës i cili quhej Xhemail, dhe ata Burra që atë ditë shkuan në luftë ishin vërtetë Trima, ishte koha kur Millosheviçi kishte fuqi apsolute por Malësorët nuk i frikësoheshin asaj fuqie, nuk harroj që fal kushëririt Shefqet nuk qëndronte ultë helikopteri sepse i kishte dhënë disa plumba dhe u largua nga kodrat tona, Shefqeti ishte një Trim, pastë dritë shpirti i tij! Forcat serbe pas dite edhe tërhiqën por me vete i marrin edhe civilët dhe gjithë kohën i rrezikojnë jetrat e tyre në mënyrë që të shpëtojnë vet, i maltretojnë brutalisht e më pas i lirojnë.

Sot e përkujtoj atë ditë e cila ishte lufta e parë që po përjetoja, dhe të nesërmen pasi përfunduam mësimin, me autobus shkuam në Pollatë e që i pashë edhe dy dëshmorët Skënder Monolli e Besim Latifi ku ndieja dhimbje sepse i njihja, edhe në varrimin e tyre mora pjesë me familjen time, ku morën pjesë mijra Shqiptarë. Kjo ngjarje pati tronditur rëndë Nënën time e cila pas një muaj edhe vdiç në moshë të Re, 39 vjeçare, ishin vitet që fillonte ç'do gjë e rëndë për familjen time dhe Popullin Shqiptarë.

Lavdi Skënderit e Besimit, paçin dritë shpirtrat e tyre!

13 shtatori 1990, 25 vjet më parë, ishte luftë në Grykë të Llapit, në Pollatë!

Arsim Mulliqaj
Italy, 13 shtator 2015

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm