Menu

Në 96-vjetorin e vrasjes së Nënë Sherifes me bija u bë rivarrimi i eshtrave të tyre në Galicë

User Rating:  / 0
PoorBest 

Rikujtesë historie

Mos e zhvendos kufirin e tokës sate, që e kanë caktuar prej kohësh të parët e tu!
(Nga “Bibla”)

Nga Bedri TAHIRI

Viti 1920 konsiderohet si shumë i vështirë për shqiptarët e Kosovës. Pas kryengritjes së përgjithshme, që shpërtheu në maj të vitit 1919, në gjithë Kosovën dhe pas bisedimeve të pasuksesshme që u zhvilluan në Zhabar, midis Azem B. Galicës dhe Ceroviqit, qeveria SKS ndërmori një varg masash kundër shqiptarëve. Vetë N. Pashiqi, i cili gjatë kryengritjes kishte qenë në Paris posa u kthye u angazhua me të gjitha mjetet dhe forcat për ta shtypur dhe shuar Lëvizjen çlirimtare.

Si masë të parë ai planifikoi çarmatimin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Më 2 janar 1920 u bë plani për çarmatim. Ai do të bëhej sipas këtij rendi:

a) Së pari Drenica dhe Llapusha me një pjesë të Prizrenit dhe Peja me rrethinë,

b) Në radhë të dytë Llapi, Shala, Suhareka (Theranda), Mitrovica dhe Peshteri...

Këtë punë do ta kryejnë ushtria dhe xhandarmëria serbe. Krahas çarmatimit, të kapen edhe kaçakët, veçmas Azem B. Galica, Sadik Rama, Ramadan Shabani, Mehmet Konjuhi, Habib Lupçi - Mengjiqi. Brenda një kohë të shkurtër këto operacione përfshin tërë Kosovën. Çarmatimi përcillej edhe me rrahje, plagosje, burgime,  internime, me vrasje e ndonjëherë edhe me djegien dhe zhdukjen e fshatrave në tërësi.

Masa e dytë ishte rekrutimi i të rinjve prej moshës 18 deri në 25 vjet në ushtrinë serbe. Kjo nuk dha rezultate. Këtu ndikoi kushtrimi i Azemit dhe i Shotës, që i fituan të rinjtë të mos u përgjigjen ftesave për rekrutim por të dilnin maleve dhe të inkuadroheshin në çetat çlirimtare. Ata, posa e merrnin thirrjen, shkonin dhe lajmëroheshin në çeta dhe bëheshin ushtarë të Azem B. Galicës, ose fëmijët të Lokës së Kosovës, siç e quanin ata Azemin. Është me rëndësi të ceket se në ushtrinë serbe u paraqitën disa të paaftë, qorra e sakata, të cilët komisioni i lironte menjëherë. Mirëpo për mosshkuarje ushtarë shpeshherë pësonin prindërit dhe familjet e tyre. Kushtrimi i lëshuar nga kryetrimi i Kosovës vlente edhe për kryetarët e komunave, të cilët i bënin këto thirrje, për çka brenda një kohe të shkurtër u likuiduan disa prej tyre që nuk e kishin përfillë atë.

Dhe, si masë e tretë, që e shpiku vetë  Pashiqi, ishte formimi i të ashtuquajturve “kaçakë të shtetit”, të cilët në emër të çetave çlirimtare bënin zullume në popull, plaçkitnin dhe maltretonin. Në këtë mënyrë u munduan ta komprimitojnë Lëvizjen. Çeta të tilla u formuan në disa vende (në Drenicë nuk pati të tilla).

Krahas këtyre u formuan edhe disa grupe dhe formacione vullnetarësh. Këto grupe ndëshkuese përbëheshin nga njerëz kriminelë e zullumqarë, që krahas xhandarmërisë dhe ushtrisë bënin krime në njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur. Në krye të tyre qëndronin gjakpirësit e tipit si Miliq Kerstiq, Filip Cariqi, etj. Këto grupe do të mbahen mend edhe për djegien dhe shkatërrimin e disa fshatrave shqiptare. Një ndër to, që u dogj rrafsh me tokë dhe për disa vjet pushoi së ekzistuari, është edhe Kolla  e Artakollit të Vushtrrisë, që shtrihet në këmbët e Qyqavicës plakë e për të cilën kemi shkruar më gjerërisht në monografinë “Azem Bejtë Galica”...

Azem Bejtë Galica me Çetën e vet kreshnike, që numëronte rreth 60 luftëtarë, ishte përqëndruar kryesisht në Qyqavicë dhe në fshatrat përreth. Luftëtarët e çetave të tjera i kishte shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre. Ata ende nuk kishin rënë në sy si kaçakë. Çeta e tij dhe e Shotës, me trimat më në zë si: Bajram e Xhemë Tërnavci, Mehmet Delia, Met Halili, Fazli Berani, Selim Drevinja, Ajet Çaushi, Abaz Kurrumeli, Bajram Zena, Emin Lati, Zenel Ujkani e shumë të tjerë, një luftë të rreptë e zhvillon në fshatin Gradicë. Aty forca të mëdha serbe e rrethojnë Azemin, por ai disi arrin të dalë nga rrethimi me humbje të vogla. Beteja kryesore zhvillohet midis fshatrave Gradicë e Zhilivodë, ku armiku pati humbje të mëdha...

Qeveria serbe, krahas forces, përdorte edhe dredhinë e dinakërinë. Për kapjen ose vrasjen e krerëve të Lëvizjes, veçanërisht për kryekomandantin e saj, ishin paraparë shuma të mëdha të hollash. Nga Beogradi Pashiqi i shkruante Ceroviqit në Mitrovicë: “Mos kurse asgjë, se ku nuk bën punë plumbi, bën punë paraja”. Për të gjitha këto ishte në dijeni edhe Azemi. Ai në biseda me njerëz thoshte: “Për kokën time është dhënë një qyp me lira, por me këta shokë që i kam e me këtë popull që na mban në zemër, e kanë kot”.

Në pamundësi për t’i kapur kaçakët soldateska serbe i vuri në zbatim metodat e vjetra mesjetare- ndëshkimin dhe masakrimin e familjeve të tyre. Kështu u veprua edhe me familjen e Azemit, të cilën e pushkatuan dhe përsekutuan pamëshirshëm në malet e Dubofcit.

Që nga viti 1917, kur Azemi e likuidoi postëkomandën e xhandarmërisë austriake në Mikushnicë, forcat austriake në shenjë hakmarrjeje ia dogjën shtëpinë dhe ia pushkatuan dy vëllezërit: Seferin dhe Zenelin, familja e tij jetoi në Obri. Pas tre vjetësh kthehet në Galicë për të jetuar në shtëpinë që ia ngritën bashkëfshatarët. Me të po jetonte edhe e bija, Mihanja me dy vajzat: Rahimen dhe Zojën (i shoqi, Neziri, ishte vrarë në Braboniq).

Një natë Azemi e dërgoi Shotën në Galicë për t’u treguar që të ruhen se togjet ndëshkuese po shëtisnin nëpër fshatra, duke maltretuar e masakruar popullsinë e pambrojtur. Po atë natë,  derisa Shota po çmallej me nënë Sherifen, barbarët hyjnë në Galicë dhe e rrethuan shtëpinë e tyre. Ato nuk u hutuan fare, por, ende pa aguar dita, ia filluan luftës. Dy gra, dy heroina, dy zana mali, luftonin kundër një bande kriminelësh. Siç tregon kënga, Sherifja u bën zë edhe galicasve:

Nana e Azemit po pisket
Po ku është Galica e shkretë?

Burrat e Galicës i rrokën armët dhe vrapuan drejt kullës duke iu përgjigjur.

Mos na e thuaj Loke qat fjalë
Nuk t’lamë vetëm sa t’jem gjallë.

Pas një lufte të rreptë armiku tërhiqet i turpëruar e me humbje të konsiderueshme. Të nesërmen arritën forca të reja dhe e dogjën shtëpinë e tyre (ishte hera e tretë që u digjej shtëpia) dhe disa të tjera që gjendeshin pranë saj.

Shotë Galica niset për në male, ndërsa ato për në Dubofc. U vendosën në kullën e Shaban Prebrezës, i cili tashmë kishte vajtur në Turqi. Shabani ishte nga Prebreza e Toplicës. Më 1887-88, kur mbi 600 fshatra shqiptare i ndoqën nga trojet e veta, erdhi e u vendos afër këtij Gjyteti të lashtë ilir. Me gurët e kalasë e ngriti kullën madhështore (vetë ishte mjeshtër) që populli e quajti “kulla me 70 dritare” e që gjendej në anën veriore të kalasë. Me to u bashkua edhe Sofie Baica.

Armiku, këtë familje po e përcillte këmba- këmbës dhe një ditë arriti edhe atje. I morën dhe i nisën drejt fshatit Dubofc, ku edhe nisi hataja. Pasi rrahën, plaçkitën, maltretuan dhe e dogjën thuajse tërë fshatin (shpëtuan pa u djegur vetëm tri shtëpi: e Sejdi Manovit (ishte larg dhe e dinin se i përkiste të njëjtit katund), e Sherif Sheshivarit (Ferizi, i vëllai, ishte ushtar i kralit dhe qëlloi në pushim me uniformë) dhe e Zymer Zuçakut), e morën kryeplakun, Ramadanin dhe babanë e tij 93-vjeçar, Behram Sadikun, të cilët, pasi nuk treguan asgjë për familjen e Azem Galicës, i masakruan me bajoneta dhe i hodhën në zjarr. Familjen e Azemit e ndalën te Roga e Kërshit ose Mali i Fazli Isës (sot Ara e Sejdi Fazlisë), për t’i pushkatuar. Nënë Sherifja nuk trembej fare. Doli përballë tyre dhe duke u munduar t’i mbrojë vajzat e vogla, me zë të lartë iu drejtua gjakpirësve:

- Hë, çka po pritni more katila? Qëlloni more të pafytyrë! Para kralit tuaj jeni betuar se do ta zini të gjallë Azemin dhe do ta varni për bishtin e aeroplanit e duke e shëtitur mbi Drenicë t’ua shtini frikën të tjerëve. Jo, jo nuk keni zemër ju të ngjiteni maleve ku është djali im me shokë, po silleni nëpër katunde dhe merreni me gra e me fëmijë. Si nuk u vjen turp more të poshtër! Keni ardhur nga ana e botës dhe nuk na lini rehat në trojet tona stërgjyshore. Djalit tim tri herë ia dogjët shtëpinë, tri herë ia dogjët fshatin, por kot. Kurrë nuk do ta shtini në dorë. Kurrë, as të gjallë, as të vdekur. Ai ka dalë maleve për lirinë e këtij vend e liria nuk vritet...

Breshëria e plumbave ia preu fjalën. Tri gra ranë kokë më kokë mbi dy vajzat e mitura. Ato ishin alivanosur, por nuk i kishin prekur plumbat. Zoja e vogël 5 vjeçe, e ngriti kokën dhe nisi ta thërrasë të ëmën e vdekur. Një gjakpirës, i cili ishte caktuar roje pranë zjarrit të ndezur, e hetoi. E nxori thikën dhe e theri pamëshirshëm. Gjaku i saj i kuq u përzie me dheun e zi të tokës mëmë. Edhe Rahimja 7 vjeçe, erdhi në vete dhe lëvizi. Atë e kapi për krahu dhe e afroi ta djegë në zjarr. Mirëpo dora  e tij e zezë hasi në diçka të fortë në krahun e saj të brishtë. Aty ishin 25 lirat, e kalit të shitur, që ia kishte lidhur e ëma. I habitur pas tyre e harroi vajzën, e cila e lëmeritur mori ikën malit.

Pas dy ditësh, të gjashtë kufomat i varrosën, duke i vendosur nga dy në një varr.

1. Sherifja,      1. Mihanja,     1. Behrami dhe
2. Sofia,         2. Zoja,         2. Ramadani.

Të nesërmën, aty erdhën Azemi e Shota bashkë me Çetën e tyre kreshnike. Kjo tragjedi familjare i kishte pikëlluar shumë dhe I kishte prekur thellë  në shpirt. Të gjithë shokët po qanin me zë. Azemi, pas një  heshtjeje shtanguese, iu drejtua atyre:

 “Shokë, mos qani se burrat nuk qajnë. Po ua jap besën se ata që kanë bërë krime dhe atyre që po bashkëpunojnë me ta do t’u kushtojë shtrenjtë kjo që po e bëjnë”.

Shota u përkul mbi varrin e tyre, e mori një grusht dhe e u betua duke ua thënë këto fjalë: “Pusho e qetë Nëna Sherife! Pushoni të qetë ju motra e vëllezër! Pushoni të qeta ju zogjkat e mia të vogla se unë me dorën time do t’i marrë shpirtin atij krimineli, që ka urdhëruar të bëhet kjo masakër!”. Dhe, e mbajti fjalën. Pa kaluar viti, më 1921, në Mitrovicë ia numëron në lule të ballit naçallnikut që kishte urdhëruar kryerjen e masakrës.

Rahimen e shashtisur në do ferra e kishte gjetur Hajrie Gërguri nga Brusniku, e cila e lajmëron Azemin. Ky e merr dhe e dërgon në Oshlan, te Veli Hyseni. Aty qëndron tri vjet. U rrit bashkë me Mehmetin, nip nga Tërstena, të cilin e dinte për vëlla. Më 1923 Shota e dërgon në Shqipëri, te axhallarët e saj, te Salihu e Mehmeti (Meti). Kur rritet, ata e martojnë me Nezir Selacin. Tash jeton në Mamurras të Fushë-Krujës. I ka katër fëmijë, dy djem (Azemin dhe Hashimin) dhe dy vajza (Mihanën dhe Sherifen).

Rahimja që i shpëtoi masakrës me Azemin e vogël (emër i përtërirë)

Pas 70 vjetësh, më 1993, ajo sërish shkeli në tokën e Kosovës martire. Erdhi në Galicë për t’u çmallur me Azeminën dhe me dajat e nënës. Shkoi edhe në Kollë për ta vizituar të “vëllanë” Mehmetin, me të cilin edhe gjatë sistemit komunist, fshehurazi kishte mbajtur letërkëmbim. Dy javë qëndroi edhe në vendlindje, në Radishevën legjendare. Kur erdhi koha e ndarjes dhe u nis për në Shqipëri tha: “Tash, edhe nëse vdes, nuk më mbetet merak për asgjë”.

Ilustrime nga rivarrimi i eshtrave të familjarëve të kryetrimit Azem Galica në Galicë, më 19 gusht 2016

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm