Menu

Latif Berisha - emër që na nderon

User Rating:  / 0
PoorBest 

Latif Berisha 1931 - 1999

Të nderuar krijues dhe artdashës!

Klubi ynë letrar mban një emër që na nderon dhe përpiqemi ta nderojmë. Emrin e profesorit, poetit, studiuesit, humanistit e mbi të gjitha njeriut të mirë, të atij që e deshi Mitrovicën të pandarë, të të madhit e të pavdekshmit Latif Berisha (1931-1999).

Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmet në Vushtrri e në Prishtinë. Fillimisht, më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare “Jeta e Re". Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive "TUFA". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Beograd. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës "Silvira Tomazini".

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe".

Që nga viti 1965 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi) në Degën e Albanologjisë në Faklultetin Filozofik të Prishtinës, ku pata fat ta kem edhe unë profesor. Prej vitit 1984, punoi në projektin "Skënderbeu në letërsinë shqipe" të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna. Gjatë viteve '90, ai u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. U dallua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës. Ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë prof. Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.

Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit, shkencës, kulturës. etj. qe shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë. Përveç vëllimit poetik “Tufa” ka lënë edhe shumë studime, vështrime, trajtesa, të cilat kolegët  Isak Shema, Nuhi Rexhepi e Sali Bashota ia botuan në librin "Vepra".

Emri i tij shkëlqen në shumë shkolla e institucione dhe është nderuar me shumë Mirënjohje e Falënderime. Në vitin 2009, familjes së tij iu ka ndarë Medalja e Artë e Pavarësisë.

Edhe ne si klub letrar, në 19 vjetorin e rënies së tij, në prag të shtëpisë së vet, matanë Urës që po mëton të na ndajë, organizuam këtë orë modeste letrare për ta përkujtuar e nderuar të pavdekshmin Latif Berisha.

Lavdi jetës dhe veprës së Tij!

 *  *  *

ORAKULLI
(Prof. Latif Berishës)

Kur mizorët jetën ta shuan
Isha me luftëtarët tej në male
Nga "Tufa" u lexoja poezinë "Tri gota"
Nën vetëtimat e bombave të NATO-s

Nuk pata kohë të të thurë elegji
I respektuari e më i miri profesori im
Milosaoja e Rina nuk bënin më dashuri
Atdheu kërkonte dritë, kërkonte liri

Në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë
Të përfytyrova si dikur në katedër
Sjelljet engjëllore e fjalët plot ëmbëlsi
Seç më janë fshehur thellë në zemër

Viciana e lashtë mbushur me magji
Penat krijuese i bashkoi në Kala:
Të na prijë përpara si suferinë
Orakulli ynë që mbëltoi mbarësi.

Vushtrri, më 23 Mars 2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm