Menu

Fushë Kosova, Qyteti ku u kryen krimet më mizore ndaj banorëve Shqiptarë

User Rating:  / 0
PoorBest 

Kishin kaluar vetëm katër ditë nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarako-policore dhe çetnike serbe në Kosovë. Deri sa më 24 mars të vitit 1999 kur forca të ndryshme serbo-çetnike kishin ardhur nga Serbia në qytetin e Fushë Kosovës, të ndihmuar nga serb shovinist dhe kriminel lokal kishin ngritur postblloqe në të gjitha anët e qytetit. Qyteti ishte në shtetrrethim të fortë. Këto hordhi serbo-çetnike kishin vetëm një plan, të vrasin, të bëjnë krime, të shkatërrojnë dhe të djegin çdo gjë që të gjallë e të vdekur shqiptare. Dhe kështu kishte filluar të ndodhë.

Xheladin Kelmendi

Pikërisht, më 28 mars të 1999 ishte ditë Bajrami. Ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur, sepse një pjesë e tyre ishte larguar në drejtime të ndryshme, në vend të kremtimit të festës të Bajramit, shtruarjes së drekës dhe vizitave familjare kishin përjetuar golgotën më të tmerrshme që edhe në librat e hebrenjëve të Holokaustit nuk mund të gjinden. Hordhitë serbo-çetnike mu në këtë ditë me urrejtje dhe shfrenim të paprë deri më tani ishin turrur ndaj banorëve shqiptarë të këtij qyteti duke iu futur nëpër shtëpitë e tyre me preteks të bastisjeve për armë, apo edhe ndonjë preteksi tjetër. Por, ata në shënjestër kishin vetëm vrasjet, shkaktimin e krimeve, plaçkitjet dhe djegijet. Ajo çfarë i kishte ndodhur edhe shokut dhe bashkëvendasit tim Shahin Idrizit nga Nasalca e Bujanocit, banorë i Fushë Kosovës për më shumë se 40 vjet në shtëpinë e tij nuk do të mund të përshkruhej me këto fjalë. Nuk mund të imagjinohej se skena të tilla mund të përsëriteshin në shekullin tonë. Eskadronet e vdekjes çetniko-serbe kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së tij me pretekks të kërkimit të armëve, mirëpo në shtëpi nuk qëllonin shumica e familjes së gjerë, sepse Shahini tashmë e kishte evakuar familjen në Prishtinë. Në shtëpi kishte mbetur vetëm babai i tij haxhi Xheladin Idrizi, i cili për asnjë kusht nuk dëshironte ta lëshonte shtëpinë. Ai në këtë qytet jetonte që moti dhe kishte shkrirë djersë e mundi të madh duke punuar edhe në gurbet që të ndërtojë këtë shtëpi. Shtëpia e tij para lufte ishte e vetmja Shtëpi-Shkollë ku mësoninin nxënësit shqiptarë për shkak të mbylljes së shkollave legale shqiptare nga regjimi i Millosheviqit. Askush tjetër nuk kishte guximin të bënte një gjë të tillë, këtë hap e kishte ndërmarrë haxhi Xheladini së bashku me Shahinin. Bandat çetnike e kërkojnë edhe Shahinin, por ai tashmë ishte strehuar dikund tjetër. Çetnikët serb të ndihmuar nga serbë kriminel lokal, haxhi Xheladinin e kishin në sy të keq, sidomos për shkak se ai ishte trim, por edhe për shkak të lëshimit të Shtëpisë për Shkollë paralele shqipe gjatë masave të dhunshme serbe. Ata kishin filluar ta kërcënonin dhe maltretonin, por ky nuk trembej. Duke e parë patremburinë e tij këto banda e kishin e ekzekutuar në forë më mizore duke i prerë kokën në oborrin e tij. Dhe, ky në këtë ditë të shejtë të Bajramit kishte rënë dëshmorë (shehit) nda dora kriminele e gjakatare serbe vetëm pse ishte shqiptarë, pse ishte në oborrin e tij, në tokën e tij dhe pse nuk e kishte lëshuar pragun e shtëpisë së tij, të cilën e kishte ndërtuar me skarificë të madhe dhe e deshti aq shumë.

Hordhitë çetnike serbe më tej kishin vazhduar maskaradën mortore të krimeve edhe në shumë lagje tjera të Fushë Kosovës. Këto banda çetnike vetëm gjatë ditës së Bajramit kishin vrarë dhe ekzekutuar rreth 80 shqiptarë, në mesin e tyre, pleqë, plaka, gra, burra dhe të rinjë. Mbi 280 viktima ishin shkaktuar gjatë kohës sa kishin zgjatur bombardimet e NATO-së. Ndërsa, të gjitha shtëpitë shqiptare së pari ishin plaçkitur dhe më pas djegur. Kështu diçka të tillë mund të gjesh vetëm në filmat nazist ndaj hebrenjëve, të cilëve për veç pronës iu zhdukeshin e koskat trupore.

Padyshim se, Fushë Kosova, pas qytetit të Gjakokovës dhe Mitrovicës mund të llogaritet qyteti më i shkatërruar gjatë luftës së fundit. Shqiptarët aty e kishin paguar shtrenjtë, sepse ky lokalitet njihet si vatër e nacionalizmit dhe shovinizmit serb. Aty ishin përqëndruar strukturat e ndryshme kriminale serbe, të cilat dirigjoheshin nga Beogradi për krijimin e krizave dhe trazirave të ndryshme në ish-Jugosllavi. Organizatat famkeqe si, "Cërna Ruka", "Bozhur", etj i kishin selitë e tyre. Aty bëhershin listat ndaj shqiptarëve për likuidim dhe vrasje. Nga aty fillonin eskadronet e tmerrit, krimit dhe gjenocidit ndaj një populli të tërë. Hotel "Metohia" ishte qendra kryesore ku bëheshin të gjitha planet ogurzeza ndaj shqiptarëve jo vetëm në Fushë Kosovë. Por, edhe kishat e tyre ishin shndërruar në strehimore të këtyre eskadroneve të vdekjes. Nëpër to mshefeshin armë dhe pajisje të ndryshme luftarake, mendja e tyre se nuk do t'i godiste NATO-ja si cak ushtarak.

Fushë Kosovarët kishin përjetuar golgotën e vërtetë antinjerëzore, kjo të kujtonte çifutët në natën e Bartolomeut gjatë fillimit të epokës naziste. Aty, jo rastësisht kishte filluar beteja për vrasje kolektive të shqiptare. Ishin vrarë dhe ekzekutuar shumë familje të njohura shqiptare të këtij lokaliteti. Familja Mirena me dhjetëra të vrarë, familja Ramadani, familja Hajdini, Behluli dhe shumë familje të tëra ishin likuidur pa asnjë shkak vetëm pse ishin shqiptarë dhe jetonin në shtëpinë, tokën e tyre. Familja Hajdini nga Tupalla e Medvegjës, e cila ishte ndër të parat që jetonte aty dhe ishin vrarë me 3 anëtarë, ndërsa Hashim Hajdini nipi i Zenel Hajdinit, heroit të LNÇ-së kishte zhvilluar luftë me hordhitë serbe duke i vrarë disa prej tyre. Në fund, këto hordhi kishin arritur ta vrisnin Hashimin, pas granatimit të shtëpisë duke i djegur në prush babain e paralizuar dhe nënën e tij. Në Fushë Kosovë u vranë shumë familje me origjinë nga Lugina e Preshevës, sepse këta ishin halë në sy e pushtuesit serb për shkak të solidaritetit dhe ndihmës ndaj luftës së UÇK-së, si në Drenicë, por dhe gjithandej në Kosovë. Familja Behluli nga një fshat i Malësisë së Bujanocit ishte vrarë me 6 anëtarët e saj, dy djem, dy vjaza dhe dy prindërit. Të katër fëmijët e tyre ishin stdentë të shkëlqyeshëm. Kufomat e tyre ishin lënë të digjen në flakën e shtëpisë. Kjo ishte e tmerrshme, jonjerëzore, shtazarake. Vetëm pas një aksionit me disa shok dhe miq kishim arritur ta pastrojmë oborrin e shtëpisë së tyre pas disa vitesh që kishin kalur dhe askush nuk merrej me rastin e tyre.

Sot, Komuna e Fushë Kosovës, përkundër dëshmive të shumta që kanë mbledhur në rend të parë, Shahini, djali i haxhi Xheladinit dhe Shaban Kelmendi, një veprimtar i këtij qyteti, deri më tani askush nuk ka ngritur ndonjë padi, apo kallëzim penal ndaj bartësve kryesorë të këtyre krimeve të llahtarshme dhe antinjerëzore.

Edhe, sot pas 18 vjetësh, disa prej kriminelëve që vranë, prenë dhe shkatërruan çdo gjë shqiptarë sillen ende nëpër këtë qytet dhe askush nuk merret me ta. Përkundër faktit, se shumë dosje janë dërguar në organet e drejtësisë së Kosovës, por edhe të asaj ndëprkombëtare deri më tani nuk ka ndonjë veprim konkret. Kjo është për të gjykuar. Kjo është krim dhe vrasje për herë të dytë jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjarëve të tyre të ngushtë. Krimet e shkaktuara nuk guxojnë të heshten. Ata që heshtin krimet janë bashkëpjesëmarrës të tyre. Kjo s'ka si të shpjegohet ndryshe. Komuna e Fushë Kosovës deri më tani vetëm formalisht e shënon këtë ditë të viktimave të saj. Përkujtimit e viktimave e bëjnë vetëm familjarë e tyre dhe pa ndonjë organizim zyrëtarë, apo pa caktimin e ndonjë date të shënimit të saj. Kjo është edhe ma e tmershme. Kjo është edhe një krim tjetër. Të mos shënohen në formë zyrëtare krimet e shkaktuara nga një shtet pushtues, fashist e kriminel serb, siç është cilësuar edhe nga shumë organizta ndërkombëtare, kjo nuk do koment. Kjo është për çdo gjykim, ndërsa popullata e Fushë Kosovës duhet ët vetëdijësohet se historia, e kaluara e tyre tragjike nuk guxon të anashkalohet nga askush. Një popull që harron të kaluarën e tij tragjike është i privuar t'i përsësiretet historia, prandaj kjo nuk guxon të ndodhë për asnjë çmim. Duhet të kujtojmë se populli shqiptarë jo vetëm i kësaj Komune, por i gjithë Kosovës ka dhënë shumë viktima për lirinë dhe pavarësinë e saj, andaj ato duhet përkujtuar me dinjitetin më të lartë kombëtarë dhe shtetëror. Kjo duhet të bëhet jo vetëm për ata, por për hir të gjeneratave të ardhshme, që të mos harrojnë të kaluarën e baballarëve, familjarëve, të afërmëve dhe bashkëkombasve të tyre.

Fehmi Ramadani, Fushë Kosovë, 28 MARS 2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm