Menu

Në Shqipëri është rritur numri i fëmijëve jetimë, sidomos i të quajturve jetimë social

User Rating:  / 0
PoorBest 

20 Maji Dita Kombëtare e Fëmijëve jetim

Nga Albert ZHOLI - Odeta NishaniDje ishte 20 Maji, një ditë e veçantë për gjithë fëmijët jetimë të Shqipërisë. Një ditë ku ndoshta pakkush e di dhe pakkush ka menduar të bëjë diçka për këtë kategori fëmijësh. Pra është Dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë, dita e atyre që rrallë u gëzon shpirti, rrallë u qesh buza, shumë rrallë ndjejnë një dorë të ngrohtë mbi supet e njoma. Aktualisht në Shqipëri ka 31 mijë fëmijë jetimë. Të vetëm në rrugët e jetës, të vetëm në ditë festash, të vetëm në qarjen e halleve, ata, për të arritur diçka më minimale kanë sfiduar jetën, kanë sfiduar hallet, duke i thënë vetes stop, mjaft me ndihmën mjerane të shtetit, të shtetarëve inidiferentë, por investo vetë për të qënë dhe ti pjesë integrale e shoqërisë.

Odeta Nishani

Kjo ditë është një ditë e veçantë për fëmijët jetimë. Eshtë një ditë apeli ku të gjithë ne duhet ti kthejmë sytë nga ky komunitet i cili do më shumë ngrohtësi, më shumë, kujdes, më shumë mbështetje. Të gjithë dhe në çdo kohë duhet ti ndihojmë jetimët.

Aktiviteti

Në kuadrin e 20 Majit, Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me Drejtor Ilir Çumani, nën kujdesin e Zonjës së Parë Odeta Nishani, organizoi me këtë rast një drekë të madhe (veprimtari) Humanitare - Festive - Sensibilizuese me praninë e 270 fëmijëve jetimë të veshur në mënyrë tradicionale me bluza dhe kapele të bardha. Të përgjedhur nga të gjitha institucionet e vendit, nga qendra të ndryshme rezidenciale, shtetërore dhe private, Shtëpitë e Fëmijëve dhe qendra Tiranë, Shkodër, Berat, Elbasan, Pogradec, Sarandë, Kavajë, Fshati "SOS", fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, fëmijë jetim rom, fëmijë jetim në komunitet, etj, u mblodhën në takim në ora 11.00 paradite, ditën e hënë, date 20 Maj, 2013, në mjediset e pedonales, rruga “Murat Toptani”, të cilët vizituan ekspozitën fotografike kushtuar 95 –vjetorit të Themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore”, në Shqipëri. Më pas, në një marshim paqësor, fëmijët pjesëmarrës, u nisën drejt Sheshit “Skënderbej”, ku ishin të pranishëm në një Drekë Festive në ambjentet e Hotel – Tirana – International.

Një Ekspozitë e veçantë

Në datën 16 Maj në Pedonalen e Tiranës, u hap një ekspozitë shumë interesante me siglën “95-vjet rrugëtim i Humanizmit njerëzor”. Në këtë ekspozitë janë paraqitur në mënyrë kronologjike, gjithë historia e krijimit të Shtëpive të fëmijëve në Shqipëri apo Strehëzat Vofnore siç quheshin në fillim. Në gjithë Pedonalen janë ekspozuar gjithsej 820 fotografi dhe faksimile. Një punë pasionante dhe shumë profesionale e realizuar si kurator, nga z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili është edhe ideator dhe realizator i kësaj fotoekspozite të rrallë, por, njëkohësisht edhe ideator dhe themelues i 20 Majit, e njohur tashmë si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”.

Kjo ekspozitë u hap në kuadrin e 20 Majit, “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”, 95 – Vjetorit të krijimit të “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri si, edhe të 10 – Vjetorit të Themelimit të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, organizuar në mjediset e rrugës “Murat Toptani”. Pra, hapet për herë të parë një Fotoekspozitë fotografike shumë serioze që pasqyron foto të ralla dhe dokumentat historike mbi jetimoret e para në Shqipëri deri në ditet e sotme, që nuk janë publikuar ndonjëherë dhe që shtrihen si hapësirë kohore të ngjarjeve që kanë ndodhur që nga vitet 1912 – 2012.

Synimi i ekspozitës

Fotoekspozita (si e para këtij lloji) sipas Çumanit, synon të sjellë në memorien kombëtare të gjithë trajektoren historike, në një këndvështrim panoramik permes gjuhës së fotografisë dhe dokumentit, të të gjithë rrugëtimin e gjatë historik, plot përpjekje të dhimbshme, të vështirë dhe të mundimshme që i është dashur të kaloj populli ynë gjatë kthesave të rëndësishme të historisë, në përballje me rezistencën që i bëri të huajve që kërkonin me çdo kusht asimilimin e kombit tonë, por ana tjetër, shfaqet duskshëm vitaliteti dhe shpirti i madh human i popullit shqiptar, i cili krahas rezistenës që u bëri të huajve për vetëekzistencën e tij si komb, mundi të shfaq edhe një diomension tjetër; forcën e madhe shpirërore të humanzimit njerëzor duke i’u gjendur pranë fëmijëve jetimë, atyre që kishin humbur familjen dhe shpresën për të jetuar. Për shekuj me radhë populli shqiptar vuante nga zakoni i Perandorisë Osmane për skllavërimin e djemve të krishterë në shërbim të sulltanit, në radhë të parë të fëmijëve që kishin mbetur jetimë nga luftrat e popullit tonë me pushtuesit turq. Këta djem jetimë, i dërgonin në Stamboll, i kthenin në myslimanë dhe pas shkollimit i caktonin për të shërbyer gjithë jetën në njësitë ushtarake profesionale të këmbësorisë, që quheshin jeniçerë.

Historia e jetimoreve

Historia e jetimoreve në Shqipëri nis 95 vite më parë, kur vendi sapo kishte fituar pavarësinë. Siç dihet, Shqipëria përjetoi trazirat e luftrave ballkanike dhe pastaj të Luftës së Parë Botërore, kur ajo u pushtua nga ushtritë ndërluftuese: në Shqipërinë e Veriut dhe në një pjesë të asaj të Jugut u vendosën trupat austro – hungareze, në atë jugperëndimore ashtria italiane dhe në atë juglindore (kryesisht në Korçë) trupat e ushtrisë franceze. Të gjithë thonin se nuk kanë ardhur si pushtues, se i respektonin shqiptarët dhe për të fituar simpatinë e tyre dhanë ndonjë përkrahje për shkollat shqipe, madje ndihmuan për të hapur edhe jetimoret e para për fëmijët shqiptarë të familjeve të dëmtuara nga luftrat.

Jetimorja e parë në Shqipëri

Jetimorja e parë në Shqipëri u krijua më 28 Nëntor 1917 në Tiranë me inisiativën e prefekturës e të bashkisë së Tiranës dhe me përkrahjen e autoriteteve austriake. Ajo në fillim u vendos në teqenë e Sheh Dyrit. Menjëherë pas luftës, për pajisjen e godinës së jetimores ndihmoi kryqi i kuq Amerikan. Jetimorja më pas u quajt “Strehë Vorfnore”. Në fakt, sipas dokumentave të kohës, inisiatori, ideatori dhe themeluesi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri është diplomati dhe një ndër personalitet e shquara të kohës, z. Rauf Fico, në atë kohë Nënprefekt i Tiranës dhe Durrësit. Inisiativa për ngritjen e Strehës i lindi nga vdekja tragjike e një djali jetim 5 vjeç, refugjat nga Dibra, të cilin dy xhandermarë austriakë ia kishin sjellë në zyrën e tij, një mbrëmje më parë së bashku me të motrën e tij 4 vjeçe. Të dy fëmijët i kishin gjetur në fshatin Farkë të Tiranës, duke ngrënë bar. Atë mbrëmje z. Fico, në rolin e nënprefektit therret hoxhë Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin, dhe u kërkon atyre që t’ju sigurojnë një vend sa për atë natë për fjetje dhe pak ngrohje dhe bukë. Të nesërmen në mëngjes, z. Fico, merr lajmin se njëri prej tyre, djali 5 vjeçar nuk mundi të mbijetoj. Kjo ngjarje, tregon në kujtimet e tij z. Rauf Fico, “më prishi nervat, e më çqetësoi për së tepërti, mbasi dhe vetë kasha djemtë e vegjël dhe familjen në Gjinokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin po me këtë mënyrë…” *1) Dokumenti mban datën 03.Tetor.1937, dhe është letra që Z. Rauf Fico, i dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të asaj kohe, z. Haxho Shkoza. Kështu, 95 – vjet më parë, ra kambana për të ngritur lartë moralin shqiptar. Krijimi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, ishte aksioni më u ngutshëm në atë kohë të rëndë që kalonte vendi. Tirana dhe e gjithë Shqipëria, nuk mund të harrojnë kurë bamirësit e mëdhëjnë fisnik, si Themeluesin e Strehës së Parë Vorfnore Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Zyber Hallulli, etj.

Aktualisht *

Historia e Strehës së Parë Vorfnore nuk do të ishte e plotë dhe nuk do të kishte kuptim pa përfshirë edhe ato periudha të mëvonshme po aq të rëndësishme që sollën një revolucion të madh në përhapjen dhe modernizimin e shumë institucioneve të tilla simotra në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Pogradec, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, etj. Këto institucione shërbyen dhe ende vazhdojnë të shërbejnë deri në ditët e sotme për edukimin mirërritjen dhe mbrojtjen sociale të asaj kategori fëmijësh që për shumë arsye janë të privuar nga mungesa e prindërve dhe mos pasja e familjes së tyre biologjike.

Megjithë orientimet e reja që jetimoret të kthehen në strehë të përkohëshme për fëmijët jetimë e të braktisur, të cilëve duhet të gjëndet një familje, akoma qindra fëmijë të tillë në Shqipëri janë të detyruar të rrinë me vite në këto institucione.

Në jetën e shoqërisë shqiptare sot kanë lindur probleme të mprehta sociale, si papunësia, polarizimi social, rritja e kriminalitetit, emigracioni, lëvizja e pakontrolluar e popullsisë brenda vendit,prishja e lidhjeve familjare tradicionale, rritja e divorceve dhe e numrit të fëmijëve të mëbturë pa kontroll prindëror, tronditja e normave morale të mëparshme.

Këto dhe të tjera arsye, kanë bërë të mundur që në dhjetëvjeçarët e fundit në Shqipëri është rritur numri i fëmijëve jetimë, sidomos i të quajturve jetimë social, ose “të fshehur”. Shaku duhet kërkuar të vështirësitë e jetesës në shumë familje, te dobësimi i bazave morale të këtyre familjeve, te ndryshimi në marëdhëniet me fëmijët. Në Shqipëri nuk ka ende një interesim aktiv e konkret të familjeve për mbrojtje e përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë e të braktisur. Të gjithë shqetësohen dhe rendin pas halleve të ditës, për të kapërcyer vështirësitë e jetës, për të çarë në ekonominë e tregut, një pjesë tjetër për të jetuar me komoditete të reja, të tjerë për të përballuar vështirësi të reja. Një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë se në të ardhmen fëmijët jetimë duhet të jenë vetëm nën përkujdesjen e shtetit dhe të fondacioneve bamirëse, dhe vetëm rreth 1/ 3 mendojnë se këta fëmijë duhen birësuar nga familje shqiptare dhe ato të huaja. Megjithëse dhjetëvjeçarët e fundit ka patur birësime në familjet shqiptare, ende nuk ndjehet ai humanizëm dhe ajo kulturë e nevojshmepër ti marrë në mbrojtje dhe për ti trajtuar këta fëmijë, nisur nga koncepti “pse të rrisë unë një fëmijë kur për të nuk kujdesen prindërit”. Në Shqipëri, ende nuk po zbatohen si duhet format e ndryshme të përkujdesjes mbi fëmijët jetimë dhe të braktisur, që në vendet e tjera të Evropës Lindore ekzistojnë që prej shumë kohësh. Shteti sot, realisht i ka të kufizuara mundësitë financiare për mbështetjen sociale. Por, edhe fondacionet e shoqëritë bamirëse nuk mund të marrin persipër gjithë barrën e përballimit të këtij problemi. Nqs në regjimin komunist kishte 25 mijë fëmijë jetimë, sot kemi 31 mijë, deklaron z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptar.



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm