Menu

Në Spaç, si sot 40 vjet më parë

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Sejdi Peka - Kampi i SpaçitVargu i makinave sapo la autostradën e “Rrugës së Kombit”, kaloi Repsin dhe po ngjitej një lugine të veshur me shkurre. Tani makinat duhej të ecnin ngadalë dhe shoferët do të kishin mjaft kujdes në rrugën e ngushtë që ngjitej drejt Spaçit, emri që u bë legjendë për burgun famëkeq. Poshtë rridhte një përrua i vogël me ngjyrë që në pamjen e parë do të mendoje se dikund afër është një thertore. Por jo, është ngjyra e mineralit të piritit që ndodhet me shumicë në barkun e këtyre maleve. Shumë kohë më parë, në kohën e regjimit komunist, sa nëna e motra, nuse të reja, ecnin kësaj rruge në këmbë me ato trasta në shpinë të kërrusura, duke menduar se vallë a do të kishin mundësi që ato ushqime mundet t’i pranonin xhelatët komunist që të ju a jepnin djemve, vëllezërve të tyre. Kamionët që kalonin aty pranë nuk mundet të ndalonin dhe t’i ndihmonin, pasi shoferët e kishin të ndaluar të ndihmonin “armiqtë e klasës”. Dhimbje dhe lot, sa ka parë kjo rrugë, është larë me lot! Dhe u ndryshkën hekurat nga lotët e nënave tona. Dhe duhej të prisnin me orë të tëra përpara “derës së komandës”, të shikonin njerëzit e tyre të dashur. Duhej të prisnin edhe me ditë në vështrimin përbuzës dhe kërcënues të rojeve të kampit, pasi që djemtë ishin atje thellë në minierë. Pritje dhe ankth i pafund. Këto po mendonin ata ish të burgosur politik, ata që jetojnë akoma, tek shkonin drejt “ferrrit të Spaçit” për të përkujtuar revoltën e Burgut të Spaçit të 21 Majit 1973. Shumë prej atyre heronjve tani nuk jetojnë më, disa për shkak të moshës nuk munden të marrin pjesë në përkujtimin e kësaj dite që dridhi nga themelet pushtetin e tiranisë komuniste, e para revoltë në të gjitha vendet e tiranisë komuniste që flamuri kombëtarë i ngjyrosur me gjakun e atyre heronjve, do të valëvitej për tre ditë me radhë i lirë, pa yllin e kuq, pa simbolin e komunizmit mbi shqiponjën dykrenare.

Arritëm në Spaç. Ndërtesat e kampit ishin kthyer pothuajse në gërmadha. Birucat e tmerrshme ishin shembur. Nuk ishte e mundur që një vend të tillë me disa dhjetëra metër katrorë të mundet të jetonin qindra ish-të burgosur politikë. Në rrëpirën e atij shpati mali të zhveshur, u ideua dhe u ndërtua nga regjimi komunist kampi i ferrit. -Ja -po tregonte Luan Burimi njeri nga protagonistët e kryengritjes - nga këtu doli Pal Zefi i gjakosur dhe me trupin gjithë plagë. Nuk njihej, teksa xhelatët e tërhiqnin zvarrë nën breshërinë e goditjeve dhe durimi jonë u sos. - Dhe më tej nuk mundet të vazhdonte më. Ai njeri fisnik, shëmbëlltyra e inteligjencës dhe e guximit, sot ndjehej mjaft i ligështuar dhe nuk mundet të mbante lotët. I afrohen bashkëvuajtësit e tij, njerëzit e idealit në ato ditë të vështira Bashkim Fishta, Demir Pojani e dhjetëra të tjerë. Ata burra që nuk i ishin trembur mizorisë komuniste sot kishin lot në sytë e tyre. Ishte 21 Maj 1973. Mëngjesi ishte i vrenjtur. Të burgosurit ishin rreshtuar dhe përgatiteshin të shkonin në minierë të shoqëruar nga dhjetëra policë dhe gryka zjarri që i rrethonin nga të katër anët. Ashtu në rresht, pasi kishin rrufitur supën e ftohtë, po dëgjonin klithmat që vinin nga birucat e nëndheshme. Dhe ja kur del Pali i gjakosur, që nuk njihej, që tërhiqej zvarrë nën goditjet e policëve pis të zinj. Dhe martirët e lirisë nuk mundet të duronin më kur shikoni në këtë gjendje shokun e tyre të vuajtjeve. U bënë thirrje policëve të mos e godisnin më. Por urrejtja komuniste nuk kishte të ndalur kundër lirisë dhe qenies njerëzore. Ata po e godisnin edhe më me ashpërsi Palin e mjerë me bishtat e lopatave Palin.

Durimi u sos. Dhjetëra duar u ngritën për ta ndihmuar djalin e ri, por hasën në kundërpërgjigjen e xhelatëve. Aty dhe filloj përleshja e pabarabartë ndërmjet xhelatëve kundër lirisë dhe njerëzve që kërkonin liri. Për një çast heronjtë u bënë sa malet. Bishat ikën me bishtin ndër shalë duke skërmitur dhëmbët. Të burgosurit tani ishin të lirë. Ata këndonin Hymnin e Flamurit dhe brohorisnin për Shqipërinë e lirë dhe kundër komunizmit, për Europën dhe Amerikën. Shumë prej tyre dhanë gjak për të ngjyrosur një çarçaf të bardhë me ngjyrën e kuqe të Flamurit Kombëtar. Dhe heroi i paharruar, piktori i talentuar Mersin Vlashi me shumë mall e dashuri pikturoi shqiponjën dykrenare pa yllin e kuq të simbolit komunist. Për tre ditë me radhë ky flamur pa yllin e simbolit komunist, u valvit i lirë, i vetmi në të gjitha vendet ish komuniste të Europës Lindore. U ndërpre ujët e pijshëm, mungonte buka dhe gjërat e domosdoshme për të jetuar por liria u jepte forcë si toka Anteut. Bishat komuniste skërmitnin dhëmbët jashtë telave me gjemba. Helikopterët vërtiteshin sipër luginës. Qindra gryka zjarri ishin kryqëzuar kundër heronjve. Dita kobzezë e 23 Majit u gdhi kur qindra trupa speciale të Ministrisë Brendshme u vërsulën brenda në kamp të armatosur me shufra hekuri që godisnin pa mëshirë.

Të burgosurit e lodhur dhe cfilitur nga etja dhe uria nuk mundet të bënin më asgjë. Qindra prej tyre i rrahën mizorisht dhe barbarisht. Ulërimat nga të dyja anët e fushës së luftës dëgjoheshin deri në kupën e qiellit. Krimineli Feçor Shehu që pak vite më vonë do të pësonte dhe provonte torturat dhe rrahjet barbare që vet i kishte shpikur, jepte urdhra të tillë me megafon, “asnjë mëshirë për armiqtë e popullit”. Të burgosurit u lidhën këmbë e duar. Menjëherë i morën dhjetëra prej tyre. Me një “gjyq” rrufe aty brenda në kamp u dënuan me vdekje dhe pak më vonë u pushkatuan 4 djem të rinj, të familjeve më të mira të rezistencës antikomuniste në Shqipëri. Ata ishin, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skender Daja dhe Hajri Pashaj. Fjalët e tyre të fundit ishin, “Rroftë Shqipëria, Rroftë Liria dhe vdekje komunizmit. Bashkëvujtësit tanë mos na harroni”. Dhe shokët e tyre nuk i harruan. Ata i qanë ashtu në heshtje, pa kuje, ashtu si kujtohen burrat, trimat, heronjtë që vdesin për Atdhe. Dhjetëra prej tyre u turturuan mizorisht dhe barbarisht në birucat e ish sigurimit në Tiranë nga kriminelë të tillë si Mehdi Bushati, Llambi Bako, Kristo Mërtiri e shumë të tjerë monstra të tilla kriminale që zoti i shoftë në zjarrin e ferrit. 70 prej tyre u ridenuan me shumë vite të tjera burg. Ata ishin me mijra që lanë jetën dhe rininë e tyre në burgun ferr të Spaçit. Në mes të dhjetëra ish të burgosurve politik dhe familjeve të tyre, kishte ardhur për të përkujtuar këtë ditë të lavdishme të historisë tonë kombëtare edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Z.Visar Zhiti, ish-i burgosur politik në burgun e Spaçit.

- Ne kurrë nuk do t’i harrojmë heronjtë tanë. Ne do t’u kujtojmë brezave ato që vuajtëm neve në emër të lirisë që e kaluara kurrë mos të përsëritet. Ky kamp, ky vend i ferrit komunist do të bëhet një muze. Unë ja premtoj këtë në emër të qeverisë. Në kohën e regjimit komunist kundër nesh u hodh baltë dhe plumba. Tani pinjollët e kriminelëve të diktaturës kanë ndryshuar taktikën e tyre kriminale. Kanë zgjedhur heshtjen, harresën për krimet e tyre. Neve nuk do ta lejojmë”. Demir Pojani u bëri thirrje të gjithë bashkëvuajtësve të tij në të katër anët e Shqipërisë, të luftojnë që me 23 qershor të fitojë Partia Demokratike. Sali Berisha - vazhdoi në fjalën e tij heroi i Spaçit - ka bërë realitet ëndrrën tonë për liri dhe demokraci. Të mos u heqim buzëqeshjen fëmijëve tanë, se neve nuk mundet të qeshim. Rininë tonë na e morën xhelatët e diktaturës, baballarët e këtyre me Edi Ramën që kërkojnë pushtetin për të na sunduar. Ne i refuzojmë me votën tonë, se neve dimë të luftojmë si njerëz të lirë, që jemi sakrifikuar për liri. Neve jemi antikorpet që mbrojnë demokracinë. Pas disa orëve, vargu i makinave mori teposhtën për t’u kthyer. Në Spaç, ashtu si në çdo përvjetor, ish të përndjekurit politik të diktaturës hodhën lule dhe lot. Në kohën e regjimit komunist vinin këtu me auto-burg, të lidhur me hekura dhe zinxhirë. Sot janë të lirë. Shumë prej tyre kanë vetura komode. Pas pak makinat rrëshqisnin në “Rrugën e Kombit”. Është ëndrra e tyre, Shqipëria e lirë europiane që u bë realitet, gjaku i derdhur, vuajtja në emër të lirisë.



Komente   

 
0 #1 privativani 2013-05-26 15:27
vuajtjet e Spacit i kujtojme gjithmone se kemi pasur dhe njerzit tane o Demir Pojani por qe te bejme thirje si puna jote qe te leftojme qe te fitoje SALI BERISHA per kete nuk jam dakort ...sepse nuk dalloN fare SALIU nga FICOR SHEHU se po ta marish holle -holle se Sala plus huqet e FICORITpor nuk i ka lene asgj mangut ENVER HOXHES nejse i falet se ka qene komunist qe prej vitit1968 dhe me pare o bashkevuajtes duhet te lakojme kete njeri qe per 23 vjet nuk beri asgje per Spacin dhe njerzit qe hiqnin te zit e ullirit
dhe tiqe e shikoj se ke haruar vuajtjet dhe torturat thua se ;;;nga fjalet e bukura qe nxjer nga goja thua se ai shkaketar i djegjes se LIRAKUT -NDRECES vraresi i 26 njerzve ne Gerdec 4 vrasje ne 21 janar dhe vjedhjet pa hesap ....tin dhe vetem ti e quan qe Sali Berisha ka bere endren tone realitet per liri demokraci mesoj i nderuar hero ndonse heronj ishin te gjithe te denuarit i ke mar paret e burgut pastaj me flet serbes sikur vetem ti ke qen ne burg ne te tjeret shullereshim nen hijet e kapononeve te burgjeve....Fol ashtu sic ke folur para se te te denonin dhe jo tani qe si ty dhe mua po na bije koka ere hallve .....por une bertas jo nuk me kane respektuar aspak per vuajtjet qekemi hequr ne burgjet e komunizmit porse une propozoj qe njeriu qe firmosi me varje shokun tone HYSEN SHOSHORIN ti rezervohet nje kaush ne SPAC aty ku kaluan gjysmen e rinise gjithe te burgosurit te firmosur nge Tarasi-Pendicilina e shume e shume njeres te poshter qe eshte kot tja permendish emrat e tyre te felliqur...por une do te thosha Demir Pojani qe ...Tolero por vetem mos HARO ...Te pershendes nga qyteti i serenatave......Avemi a svemi ne mes te pyllit do vemi...etj-etj......tung....
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm