Menu

Midis Shqipërisë, Kanadasë dhe Amerikës

User Rating:  / 0
PoorBest 
Në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Apikultorja Lule Nuro, Fairview Park, OH

Nga Ajet Nuro - Unë e dua Shqipërinë, thotë nëna ime, tek e ka lënë mbrapa para rreth 9 muajsh. Pasi ka vizituar Kanadanë, i gjen fjalët më të bukura për t’i bërë elozhe këtij vendi që e ka vizituar të paktën 4 herë. Dhe kuptohet, çfarë mund të thotë për Amerikën?

Nëna ime, dy nga katër djemtë, i ka përtej Atlantikut. Por historia e kalimit të oqeanit Atlantik prej familjarëve të saj fillon një shekull më parë, kur babai i saj me dy vëllezër do të kalonin Oqeanin për shkuar në Amerikën e ëndrrave ku do punonin për vete por sidomos për Shqipërinë. I vendosur në Boston, babai i nënës sime do të bëhej anëtar i VATRËS dhe flamurtar i saj. Madje para disa ditësh, më kontaktoi një i ri tepelenas në facebook dhe ngaqë ishte nga Salaria, i thash se dhe unë jam nip në Dukaj, jam nipi i Jaho Sinanit. –Oh, më tha, – ti qenke nipi i flamurtarit…Ndoshta, paratë që bëri për vete, u harruan, por ajo që gjyshi im bëri për Shqipërinë (ndonëse komunizmi bëri të pamundurën për t’ia mohuar…) nuk u harrua dhe nuk do të harrohet.

Jaho Islami mes shokësh "Vatranë"

Nëna ime, shembulli tipik i dashamirësve të Amerikës

Në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nëna ime u ndodh këtu në Montreal dhe e festuam së bashku festën e madhe. Dhe, kuptohet, atdheu duket ndryshe kur je larg, u dashka edhe më shumë. Ose, largësia dhe malli përzihen në mënyrë të tillë që edhe deklaratat e dashurisë ndaj dheut të mëmës tingëllojnë edhe më të ëmbla se deklaratat e bëra pikërisht në Shqipëri. Nga ky ritual nuk bënë përjashtim as nëna ime.

Nëna ime, me familjen time gjatë përurimit të Shtatores së Nënë Terezës, Montreal, 24 nëntor 2012

Por, në datën një korrik është festa e Kanadasë dhe tre ditë më vonë festa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, puna e do të urojmë njëri-tjetrin ne të Amerikës së Veriut. Por nëna ime, si nënë që është, nuk do që t’na e prish qejfin ne të Kanadasë dhe, pasi na uron për festën, nuk harron të lëvdoj vendin që na është bërë atdhe i dytë.

Po, Amerikën nuk e do, – e ngacmojmë ne?

- Po si nuk e dua Amerikën, fillon mamaja ime. Po Amerika na ka mbrojtur në ditë të vështira, po në Amerikë po jetojnë e përparojnë kaq e kaq shqiptarë, po nga Amerika merr shembull gjithë bota, po Amerika është vendi i demokracisë. Babai im më tregonte qysh atehere (fillim-shekulli i kaluar…) se sa e zhvilluar ishte Amerika… Dhe tregimet e legjendat për Amerikën dhe ëndrrat që ka ushqyer ky vend emigrantësh nuk mbarojnë. Sepse i madh është ndikimi i Amerikës dhe amerikanëve në jetën e shqiptarëve. Prandaj edhe ata e duan aq shumë sa që një fakt i tillë cudit edhe tek vet amerikanët.

Pas disa ditësh, nëna ime do të largohet nga Amerika për në Shqipëri. Në ditën e lindjes së Amerikës ajo ndihet e emocionuar që do lëri vendin e ëndrrave dhe realiteteve të mëdha që për të kanë nisur një shekull më parë dhe që vazhdojnë edhe sot … e që do të vazhdojnë edhe nesër …

Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!

Ajet Nuro / Montreal, Kanada



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm