Menu

SOS: Pylli i Tepelenës po shfaroset, shteti hesht

User Rating:  / 0
PoorBest 

Ka disa muaj që në këtë pyll, të pazakontë, ku natyra është treguar shumë bujare ka rënë një sëmundje shfarosëse

Nga Albert ZHOLI Uji i ftohtë Tepelenë- Albert ZholiNjë nga pyjet më të bukur, më të vizituar, ku gjallojnë qindra lloj pemësh kafshësh të egra dhe zogj është drejt shfarosjes. Ka disa muaj që në këtë pyll, të pazakontë, ku natyra është treguar shumë bujare ka rënë një sëmundje shfarosëse për pyjet, por ndërhyrja e shtetit është inekzistent. 895 copë pemë janë të rrezikuara, ku 525 janë ende në këmbë ndërsa 379 janë rrëzuar apo të thyer. Këto të dhëna janë marrë nga proces verbali i Drejtorisë së Shërbimit të Pyjeve, Tepelenë. Sipas këtij procesverbali, të mbajtur më 07.04.2013, është konstatuar se në pyllin e Tepelenës ka rëndë një sëmundje e rëndë që sipas gjuhës popullore quhet “kanceri i pemëve”. Sipas specialistëve kjo është sëmundja e parë kaq masive që ka rënë në këtë pyll unikal. Fill mbas përcaktimit të sëmundjes, specialistët të shqetësuar, bënë verifikimet e rastit dhe nxorën konkluzionet përkatëse, të cilat ja bënë prezent ministrisë përkatëse. Shqetësimi i tyre ishte serioz, po ashtu dhe kërkesat e tyre ishin emergjente. Megjithëse, kanë kaluar mbi 5 muaj ministria hesht, shteti po bën sehir se si po zhduket një pyll i rrallë, që bota e lakmon.

Drejt shfarosjes masive pyjet e luginës së Vjosës dhe Drinos

Vendasit e quajnë “Shelgu”, por bëhet fjalë për një nga pyjet më të bukur të rrepeve të luginës së Vjosës. Shtrirë në një sipërfaqe prej 60 hektarësh, përgjatë lumit Vjosë, ndënë qytetit të Tepelenës, Shelgu ka shërbyer për vite të tërë si vend shplodhje dhe argëtimi për pushuesit që kanë zgjedhur brigjet e Vjosës për plazh. Me një bimësi të dendur dhe pemë të larta, pylli ka përbërë një destinacion ideal për ekskursione, piknikë, aktivitete sportive dhe artistike për gjithë stinët e vitit. Para viteve ‘90 Shelgu ka shërbyer edhe si kamping për nxënësit e shkollave 8-vjeçare të Tepelenës, gjatë muajve të verës, ku shkollat ofronin ngrënie për nxënësit pjesëmarrës si dhe aktivitete në natyrë. Përgjatë gjithë sipërfaqes pyjore gjarpëron një rrjedhë me ujë të ftohtë burimi që është aktive tërë vitin duke u shtuar freskinë dhe shplodhjen pushuesve. Kujt i ka rënë rasti të vizitojë Tepelenën, e di se ky pyll së bashku me atë të Ujit të Ftohtë përbëjnë pikat më të rëndësishme turistike të rrethit.

Por siç ka ndodhur rëndom pas viteve ‘90, ashtu si qyteti i Tepelenës po venitet nga migrimet, emigrimet dhe varfëria, me të njëjtin ritëm është rritur dhe neglizhenca karshi këtyre burimeve turistike prej të gjithë pushteteve vendore e qendrore. Dhe këtu nuk bëhet më fjalë për mirëmbajtjen apo pyllëzimin e mëtejshëm, pastrimin apo krijimin e vendeve të tjera të shplodhjes. Jo! Nga kontrollet e kryera prej Inspektoratit të Shërbimit Pyjor Tepelenë, është konstatuar se pylli është prekur nga sëmundja Gnomonia Platani, ose kanceri i pemëve, sëmundje e cila shkakton tharjen dhe si rezultat rënien e tyre. Në vitin 2011 i është raportuar Ministrisë së Mjedisit fenomeni, i cili sapo kishte filluar të vihej re, si pasojë e ndryshimeve klimaterike, temperaturës dhe lagështirës në zonë si dhe është kërkuar spërkatja e sipërfaqes pyjore nëpërmjet ajrit. Asnjë përgjigje dhe asnjë reagim nga ana e kompetentëve, me pasojë që sot sipërfaqja e pyllit të jetë reduktuar në masë të konsiderueshme dhe gjendja ekzistuese të paraqitet tepër dramatike dhe aspak joshëse më për turizëm dhe shplodhjeje.

Qytetit të Tepelenës po i sëmuren mushkëritë, fëmijëve të Tepelenës po u shkatërrohet i vetmi kënd natyror që është i arritshëm pa nevojën e mjeteve të transportit rrugor, rrethit të Tepelenës po i shuhet një resort turistik i mrekullueshëm, i aftë për të mbledhur turistë dhe të ardhura për këtë vend të varfër dhe ç’është më e keqja, askush nuk shqetësohet për këtë. Neglizhenca po thyen rekordin para pamjes së mjerueshme të një pylli që po shuhet.

Shelgu kërkon ndihmë. Sëmundja e tij po lëshon metastaza edhe përgjatë luginës së Drinos, me të cilin kryqëzohet, duke kërcënuar seriozisht rrepet e pikës turistike të Ujit të Ftohtë. Nëse dikush ka diçka në dorë për të bërë, le ta bëjë tani sa nuk është vonë, që brezat që vijnë të mos na mallkojnë përse ndenjëm duarlidhur kur po shkatërroheshin këto pasuri natyrore.



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm