Menu

Dita e flamurit, dita e pavarësisë - dita e përgjegjësisë

User Rating:  / 0
PoorBest 
”Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës.
Faik Konica

Foto Illustruese

28 Nëntori, Dita e Flamurit, është një nga ditët më të rëndësishme, në mos më e rëndësishmja, e historisë sonë kombëtare… Dita e Flamurit është dita më e gëzueshme, është dita më e vajtueshme për shqiptarët, sepse kjo ditë është Dita e Pavarësisë, së Nënës Shqipëri, por pa Kosovë, pa Çamëri…

Dita e Flamurit, Dita e Pavërsisë, për çdo shqiptar, duhet të jetë edhe Dita e Llogarisë, Dita e Përgjegjësisë...

Në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, përveç gëzimit, përveç vajtimit, secili duhet të bëjë llogari, me përgjegjësi, t’a pyesë veten: ç’bëra unë për Kosovë, për Çamëri, për Shqipëri...?

Me 28 Nëntor 1912, u ngrit në qytetin e Vlorës, nga dora e Ismail Qemalit, Flamuri Kombëtar…

Flamuri kombëtar u ngrit mbas katërqind e sa vjetësh … Flamuri Kuq e Zi është flamuri më i vjetri në Ballkan, ndër më të vjetrit n’Evropë…

Flamuri kombëtar thuhet se është flamuri i Skënderbeut, por pas vdekjes së tij “vdiq” edhe flamuri, sepse u harrua…

Pas një harrese prej katërqind vjetësh, e zbuloj një student shqiptar. Studenti shqiptar ishte Faik Konica…

Faik Konica, zbuluesi i flamurit kombëtar, themeluesi i kritikës shqiptare, atdhetari i devotshëm, ambasadori i Shqipërisë në Washington (1926-1939), kur vdiq, me 1942, u harrua … Jo vetëm që u harrua, por edhe iu mohua, iu ndalua të varroset në Shqipëri, për më se gjymë shekulli, edhe pse kishte paguar edhe vendin, edhe pse ia kishte kushtuar jetën Shqipërisë…

Mjerisht, kjo nuk i ndodhi vetëm Faik Konicës; kjo tragjedi i ndodhi edhe atdhetarëve më të njohur, më të mëdhenj të kombit. Gati gjysma e nënshkruesë të Pavarësisë me 28 Nëntor 1912, u dënuan nga komunizmi, u dënuan edhe pasardhësit e tyre, kurse disa ndrruan jetë në mërgim, siç ishin: Mid’had Frashëri, Mustafa Kruja, Dhimitër Berati, të cilët ishin edhe nënshkrues të Dokumentit të Pavarësisë, me 28 Nëntor 1912, krahas Ismail Qemalit, Myderriz Vehbi Efendi Dibrës…

Kjo i ndodhi edhe shumë atdhetarëve të tjerë, deri në ditët tona…

Prandaj, Dita e flamurit, Dita e Pavarësisë duhet të jetë edhe Dita e Llogarisë, Dita e Përgjegjësisë…!

Në Ditën e Flamurit, nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil Beut, Ismail Qemali mbajti një fjalim të shkurtër para popullit të Vlorës dhe rretheve të tjera, ku ndër të tjera, dy herë e përmendi Zotin, e, tha:

“Deshi Zoti, që me punën tonë, trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtu e tutje, jemi të lirë, të pavarur dhe me vete, prandaj, qeshni dhe gëzohuni!”

Ismail Qemali, duke e përfunduar fjalimin e Ditës së Flamurit, tha:

“Ja, pra, ky është flamuri ynë! I kuq e me shqiponjë dykrenare në mes. Dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije Atdheut tonë të lirë. Duke përfunduar, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Math për bekimet e Tij…”

Ismail QemaliMjerisht, mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë nuk marrin fund me shpalljen e pavarësisë…

Shqiptarët nuk arritën të bashkohen, si një trup i tërë dhe i pandarë, pakëz punuan për t’a përparuar e për t’a qytetëruar Atdheun…

Na ndodhi kështu, thonë e arsyetohen disa, se jemi një popull i vogël e kështu ishte fati ynë…”Fati i popujve të vegjël kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha”, thoshte Ismail Qemali…

Tradegjia më e madhe e kombit ishte sundimi komunist-ateist gjysmshekullor… Të jesh atdhetar, fetar, i ditur, i ndershëm, ishte rrezik… Shumica e shqiptarëve nisi të jetonte jashtë vetës…

Hemingueji tha: ”Kur nis të jetosh jashtë vetës, gjithçka është e rrezikshme.”

U bënë gabime të mëdha, përjetuam fatkeqësi të vazhdueshme…

Gjithë fatkeqësitë e gabimet, sipas Sokratit, vinin ngaqë njerëzit nuk zotëronin dije të mjaftueshme…

Dije e mjaftueshme është Dija Hyjnore…

Sipas Lesingut, qëllimi i fundit i diturisë është e Vërteta.

E Vërteta është Zoti. Zoti është e Vërteta, e Vërteta Absolute… Ai, qoftë lavduar, e ka shpallur të Vërtetën me argumente…

Në Kur’an shkruan:

“Ata të cilët nuk besojnë në argumentet e All-llahut, All-llahu nuk do t’i drejtojë në rrugë të drejtë; ata i pret vuajtje e padurueshme.”

(Kur’ani, 16:104)

Kujt i besuam ne?! Prandaj jemi e kemi ashtu qysh jemi…!

Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, duhet të jetë Dita e Përgjegjësisë. Nëse e pranojmë përgjegjësinë, atëherë na shtohet vlera si shqiptar, si njeri, si besimtar…

Vlera e njeriut, thoshte Renani, është sa mëson dhe dashuron. Mësimet rreth Zotit, dashuria për Zotin është çelësi hyjnor për jetë të lumtur e të suksesshme!

Adem, Shaban dhe Hamëz Jashari krenaria e çdo shqiptari...

Adem, Shaban dhe Hamëz Jashari

28 Nëntori, Dita e Flamurit. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, pa Kosovë, pa Çamëri… Por me besim në Zotin çdo gjë është e mundshme…! Siç ishte e mundshme dalja publike më 28 nëntor 1997, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë, në ditën e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Gecit, vrarë nga policia sërbe… Siç ishte e mundshme që komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, të lindë me 28 nëntor 1955…!

Për mendjen e kufizuar njerëzore, është rastësi që komandanti Adem Jashari ka lindur në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, me 28 nëntor, por nuk është rastësi për Zotin, Krijues e Zhvillues i çdo krijese, që jeta e tij, vepra e tij dhe rënia e tij të bëhet simbol pavarësie!

Kryetari i Çekisë, Haveli, thoshte:

“Shteti është krijim i njeriut, ndërsa njeriu është krijesë e Zotit”.

Zoti asgjë nuk krijon rastësisht… Ai i fali Shaban Jasharit, në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, Ademin, me 28 nëntor 1955…

28 Nëntori Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, ditëlindja e Adem Jasharit, simbolit të qëndresës, simbolit të pavarësisë së Kosovës…

Me hajr, për hajr, ditëlindja o Adem Jashari! Për hajr edhe Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë…! Ti e pate ndjenjën e përgjegjësisë, ti e pate guximin për të njohur vetëveten, për të njohur Kosovën, për të njohur Zotin…

Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë le të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë, për të njohur vetveten, që është hapi i parë për të njohur Zotin, i cili na fali edhe një argument, në Ditën e Flamurit, na fali Adem Jasharin, që me Jasharët t’i falin Kosovës një Diell…

Rrezet e këtij Dielli mos t’i errësojmë kurrë më!

Mexhid YVEJSI, Gjakovë



Komente   

 
0 #1 urimSejdi 2013-11-28 13:56
Të gjithë shqiptarëve kudo që janë:
Gëzuar Festat e Nëntorit!
Përvjetorin ngritjes së Flamurit të kastriotëve në Krujën e çliruar nga pushtuesit otoman;
Përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Natyrale;
Përvjetorin e çlirimit përfundimtar të Shqipërisë Londineze nga thundrakët nazi-fashist dhe sahanlëpirësit e tyre vendor;
Përvjetorin e daljes publike të Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës;
Datëlindjen e Komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari .
Me dëshirë të zjarrtë, që ky përvjetor i këtyre Festave të Krenarisë dhe të Lavdisë kombëtare, të na shërbej si nxitje për të përbashkuar tërë potencialin mendor dhe veprues përreth Flamurit tonë, me një dëshirë, me një qëllim dhe nën një betim, që të punojmë shumë më tepër, me përkushtim dhe me vetëmohim, për T’ia shëruar, sa më shpejt, plotësisht dhe përfundimisht, plagët që iu shkaktuan Atmëmdheut tonë të vetëm-Shqipërisë, nga kafshimet e hegjemonistëve shovinistë sllavo-grek,, të ndihmuar nga mujsharët ndërkombëtar të kohës!
Sinqerisht nga unë, një qelizë e Organizmit shqiptar!
27 nëntor 2013
Sejdi Veseli
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm