Menu

Një çmim ndërkombëtar i teknologjisë për Abaz Markun

User Rating:  / 0
PoorBest 

Abaz Marku

Nga Qazim Shehu - Me Abaz Markun u takuam rastësisht dhe biseda nisi po rastësisht.Nganjëherë ajo futet në atë rrjedhë, që, do apo nuk do, për të ndjerë forcën tërheqëse të saj, e cila vjen vetiu dhe natyrshëm, krijohet nga prania e njerëzve që kanë çfarë thonë. Janë njerëz me biografi të pasur jetësore dhe profesionale, njerëz të cilët e kanë kurdisur ritmin e jetës së tyre me zemrekun e punës.. Dhe me Abaz Markun u gjenda, padashur, në zbërthimin vektorial të prezantimit të mësipërm, aq më tepër kur fjala e bisedës e solli si një rastësi ose diçka e cila duhej përmendur, se s'mund të ndodhte ndryshe, që ai sapo ishte nominuar me një çmim prestigjoz ndërkombëtar në Gjenevë për teknologji dhe inovacion. Ishte një çmim i votuar nga mbi njëqind përfaqësues të shteteve të botës.

Në rastin konkret kjo për mua përbënte një lajm shumë të rëndësishëm, po ne, zakonisht, jemi mësuar me lajme standarte të politikës ose lajme që vijnë nga kronika e zezë, dhe nganjëherë, lajme që përbëjnë efektin sendërtues të një shprese më të mirë humbasin ose mbeten në heshtje duke pritur radhën apo angazhimin rastësor të ndonjë gazetari. Kështu mjegullohet vlera ose shtjellohet absurdi që në parakalimin e pamjeve të tij i shkërmoq kuptimet ekzistenciale.

Si përherë, ky inxhinier modest, jo nga puna, po nga sjellja e një fisniku që gjithnjë ka punuar dhe kërkuar suksesin, pa u merakosur t'ia vënë në dukje të tjerët, po ai vetë ta gjurmojë punën si punë, larg çdo ngrefosje mediatike apo klisheje të fjalëve të zakonshme, ngurron të flasë, por duhet vetëm zelli dhe pyetjet e gazetarit që të shprehet. Dhe çmimi e mban cilësimin: "Kupa e artë për inovacion dhe teknologji në prodhimin e makinave dhe linjave të fabrikave".

Çmimi nga Century Internacional Quality Era Award

Çmimi është dhënë nga Century Internacional Quality Era Award, votuar në pjesëmarren e 114 shteteve. Është një vlerësim i merituar ndaj një inxhinieri të talentur shiptar për inovacion në teknologji. Dhe padyshim është një rast që s'ka pse të mos e bëjë krenar Abaz Markun, një vlerësim që e jep një qendër prestigjoze, po njëkohësiht edhe një nxitje për më tej.

Historia e kërkimit të vazhdueshëm ndaj vetes është një histori suksesi, ashtu siç mbetet gjithnjë ngasja për të arritur kuota të reja në punën tënde, po edhe sadisfaksioni i vlerësimit nga të tjerët. Njeriu shqiptar në vitet e tij gjithnjë është përpjekur të kapë dimensionin e kohës së humbur duke shfrytëzuar hapësirat e lirisë që jep koha dhe premisat e mundësive individuale. Kjo, padyshim, përbën atë kredo morale të njerëzve të spikatur në fusha të caktuara që rëndom ne i quajmë personalitete, larg stereotipisë së përditshme në këtë shoqëri të mbushur shpesh nga tirada e reklamimeve të një imazherie të modës. Ndaj më erdh mirë që e takova Abaz Markun edhe për këtë fakt për të mësuar edhe diçka tjetër e për ta vërtitur dhe ndarë kënaqësinë e këtij çmimi në arsyetime dhe ndjesi të kuptueshme prej nga kuptohet edhe dimensioni i një jete njerëzore në prizmin e rrethanave kohore.

Historia nis që herët, që kur Abaz Marku mbaron studimet e fakultetit si një student i shkëlqyer e fillon punë në Rubik. Atëhere ishin kohë të vrulleve rinore, të ëndrrave dhe dëshirave të mëdha, pohon protagonisti ynë, ndërsa i duhej të përballej edhe me dëshirën e parealizuar, me kërkesën e fakultetit për të filluar punë si pedagog në të, por kudrot e partisë nuk mund të lejonin që një inxhinier kaq i zoti të ikte nga rrethi,. Atëhere gjithçka duhej të ishte e lejueshme e kontrollueshme, duke u ndërvaruar nga rrethana jashtësore e brendësore, nga teka dhe dëshira të dikujt tjetër.

Por, i riu, Marku, nuk dekurajohet, ndërsa mendja dhe projektetet e tij marrin gjithnjë formë dhe krahë drejt punëve dhe rinovimit të teknologjisë së uzinës së bakri në Rubik. Ishte një kohë kur industria shqiptare e minerave nuk e ndiente më nevojën e përkrahjes nga jashtë, marrëdhëniet me kinezët ishin këputur,ishte viti 1981. Instituti i Projektimeve nuk e mori përsipër rikonstruksionin e uzinës. Atëhere Abaz Markut iu desh të rriskonte dhe pas një pune të lodhshme iu mundësua ta rikonstruktonte uzinën duke rritur dyfish kapacitetin e saj të shkrirjes.

Si gjithnjë, në raste të tilla, shpërblimi ishte moral, me një shpërblim material të përfillshëm për kohën, në kufij të pabesueshëm sot,të cilin edhe mund të mos e pranoje për shkak të një inicitive vullnetarizmi që lindte diku,ose për shkak të ndonjë etiketimi në kufijtë ideologjikë të kohës. Puna në uzinë, rikonstruksioni që e solli atë në rritjen e kapaciteteve shkrirëse pati një impakt të madh  dhe solli gjithnjë një rritje dhe nevojë të kërkesave për tu futur në botën e bukur të inovacionit teknik, e kjo pruri njëkohësisht edhe një rritje të reputacionit për inxhinier Markun duke u shpallur novator i dalluar në teknologji për disa vite.

Jeta e këtij njeriu duhet kuptuar vetëm përmes dimensioneve të kërkimit dhe si pikënisje e vlerësimit të kuptueshmërisë së saj. Ka qenë një kohë kur industria shqiptare, në krahasim me të sotmen i njihte disa suksese, pavarësisht se historia e zhvillimit të saj, sidomos e industrisë minerare,i përket fjalës së një specialisi të mirëfilltë. Po kjo histori nuk mund të kuptohet pa jetëshkrimin shkencor të inxhinerëve të talentuar shqiptarë, e ndër ta, pa dyshim, zë një vend të spikatur edhe Abaz Marku. Duke e nisur këtë ide trampolinë për tu hedhur diku tjetër mund të themi,se do të vijë koha që minierat tona mos rrinë të fjetura, po ato të rigjallërohen nga intelekti inovues I inxhinierëve të zotë shqiptarë,  ato ta rigjejnë atë traditë që kanë pasur, për ta çuar më para në kushtet e përshtatjet e vlerësimit të teknologjisë moderne që është sot në botë.

Pas vitetve 90-të ,pas asaj përmbyseje të madhe, ku u dogj edhe bari i njomë për të thatin, kur industria shqiptare u quajt një kovaçhanë dhe në emër të këtij sllogani, u vodh e u shkatërrua për të justifikuar vjedhjen, kur u emërtua me terma të rinj gjithë rruga e saj përvijuar nga djersa e punëtorëve dhe intelekti i inxhinerëve, pikërisht, pra, pas viteve 90-të kur shumë intelektualë, inxhinierë, mekanikë, apo specialisë të të fushave të ndryshme u detyruan të braktisnin profesionin, të emigronin dhe të rimësonin  në, cak kohor të papërshtatshëm, zanate të ndryshme, pikërisht atëhere Abaz Marku, kuptoi se çdo braktisje e profesionit nuk do ishte e denjë për të.

Ai u përket kategorisë së atyre intelektualëve që me gjithë risqet që mbartëte ky fenomen, nuk e braktis në këto vite punën, përkundrazi tanimë hapësirat e lirisë ishin më të mëdha, po njëkohësisht edhe vështirësitë ishin sfidante dhe kërkonin mençuri për të hapur shtigjet e tyre.Ai themelon kompaninë ENI dhe ZA duke iu futur projekteve në fushën e inovacionit teknologjik. Dhe këtë kompani e shtrin në impiante të inerteve të lumit, fabrika betoni dixhitale, impiant për prodhim koll –fino,duke e shtrirë aktivitetin në rikonstruksin kapanonesh, për të prodhuar pajisje për vagona minierash, prodhime dhe montim dizash, montim turbinash të hidrocentraleve, etj. Këtu, duhet përmendur fakti se ky inxhiner dhe inovator i hershëm zotëronte një përvojë të mirë. e në këtë përvojë do kishte pamjaftueshmëri, nëse nuk kuptohej kërkesa e kohës, e cila rregullohej përmes tregut.

Ishte një kohë kur Shqipëria kishte uri për ndërtim dhe për afrimin e teknologjisë moderne, një kohë e cila vazhdon dhe sot, ku mund të konkurohet vetëm me cilësi, ndershmëri e përkushtim, sepse tregu ka operatorë të tjerë dhe midis tyre duhet të spikatësh për korrektesë dhe cilësi.

Të kuptuarit e kohës së pas viteve nëntëdhjetë u bë me intuitë po edhe me ndërgjegje të plotë nga njerëzit që bashkonin intuitën me dijen. Njerëzit që i bashkojnë këto dy tipare arrijnë sukses, po suksesi i tyre nuk është i mjaftueshëm nëse këtë sukses nuk e ngre në një gjedhe që modelen gjithë sjelljen e shoqërisë për të shkuar drejt standarteve më të arritshme të individit europian e për të konkuruar jo vetëm brenda gardhit, po për të dalë në një fushë më të gjërë.

Pasvitet 90-të sollën një spikatje të madhe të njeriut shqiptar në Europë, po edhe nëpër botë,po edhe të individit shqiptar në Shqipëri, i cili i siguroi kontaktet me botën, me të renë, shkencën, kulturën, artin sportin e në shumëçka.

Janë këto vite vitet e çlirimit të një energjie të madhe, të hapjes së tregut dhe të mësimeve të mëdha, duke futur në përdorimin e përditshëm sende, mjete, teknologi të përparuar, kërkesë dhe dëshirë për mundësi më të mëdha dhe kjo solli patjetër edhe një riplotësim nevojash të mungura në dekada të izolimit, po njëkohësisht edhe një rritje të kreatvitetit të individit shqiptar, një vramendje më të madhe për të arritur e hapur rrugët e përvojës kombinuar me aftësitë personale në shfrytëzim rrethanash të favorshme, të cilat e sjellin herë herë konturimin e profilit të njerëzve më të sukseshëm të shoqërisë sonë.

Në këtë arsyetim mund ta shihja më mire profilin e Abaz Markut, duke e plotësuar atë gradualisht, larg çdo zmadhimi të panevojshëm apo euforie fallso. Karakteri inovativ i kësaj veprimtarie të këtij njeriu nuk është thjesht fitimi se sa modelimi,që sjell shijen dhe reflektimin e një sjelljeje të re në shoqërinë tonë.

Në këtë pikëpamje edhe çmimi dhënë në në Gjenevë me votimin e 114 shteteve, për herë të parë sjell edhe diçka tjetër të re. Nga ky vit edhe Shqipëria bëhet anëtare e barabartë për të pasë të drejtën të votojë të tjerët.

Këtu konotacioni është brilant. Merr vlerë polifunksionale dhe shtrihet në kuptimësi të shumëfishta. Ai del në raportet e ndërvartësisë qëllimplote të inividit me vendin e tij, që nis ng vendlindja (Abaz Marku është nga Reçi i Dibrës), vijon me rrethin, zonën e krejt atdheun. Individët e spikatur janë pashaporta më e mirë e emrit të shqiptarit në tërësi, në këtë kohë të globalizmit marramendës, të rrafshimit të kufijve dhe të qarkullimit të shpejtë të vlerave, ku çdo ditë është diçka që zbrapset e një më e fortë që përparon, pikërisht në këtë kohë, është e vështirë të shënohesh sidomos në një konkurs ndërkombëtar, po falë seriozitetit të botës, nganjëherë vlerat tona na i çmojnë më shumë ata, se sa ne vetë. Dhe në këtë vlerë të çmuar, Abaz Marku ia arriti të shënohet bindshëm. Vlerësimi për Abazin është një vlerësim për gjithë ata njerëz të sukseshëm kudo që gjenden, duke kuptuar mirëfilli rezultanten e një jete në kërkim të vazhdueshëm drejt fjalës së re të teknikës dhe shkencës...

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm