Menu

Rrësheni në 65 vjetorin e tij

User Rating:  / 0
PoorBest 

Rrësheni

Nga Bardhok P. Gjikolaj* - Bardhok P. GjikolajMe dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, të datës 11 mars 1949, Rrësheni shpallet qendra administrative e rrethit të Mirditës, e cila më parë ndodhej në Shpal, në afërsi të fshatit të sotëm të  Blinishtit, në zonën e Repsit. Ky lajm, aso kohe, u përshëndet dhe u mirëprit nga të gjithë banorët e këtij rrethi, pasi u krijonte atyre lehtësira komunikimi me Qendrën, duke e vendosur atë në një pikë të baraslarguar me të gjitha zonat e tjera të rrethit. Ideimi dhe projektimi i këtij qyteti të ri, ishte produkt i një pune të palodhur e këmbëngulëse të dy ish titullarëve kryesorë të asaj kohe për rrethin e Mirditës: Bardhok Biba e Mëhill Doçi. Po si mund të ndërtohej një qytet i ri, një qendër e re administrative për rrethin, kur mungonin inxhinjerët e specialistët e ndërtimit, mungonte përvoja dhe baza materiale, mungonin ustallarët dhe mjeshtrat e ndërtimit, ku mungonte gjithshka dhe çdo gjë do të niste nga e para? E vështirë. Tepër e vështirë, ishte kjo sipërmarrje në atë kohë, ku gjithë ky volum ndërtimesh do të përballohej nga një punë dhe përvojë, që niste nga niveli zero. Fillimisht u grumbulluan disa ustallarë të vjetër të mbledhur nëpër fshatrat e Mirditës, u gjet dhe një zgjidhje e përkohshme për strehimin e tyre në shtëpitë e ish fshatit Fushë-Lumth, që i përket territorit të qytetit të sotëm të Rrëshenit. Puna nisi me vrull dhe vështirësitë u kapërcyen gjatë rrugës. Kështu, më datën 15 prill të vitit 1949, u hapën themelet e para të ndërtimeve në këtë qytet, datë që shënon fillimin e historisë së këtij qyteti, ku u strehuan dhe banorët e parë të tij. Tre vjet më vonë, me kërkesë të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, Qeveria e atëhershme, vendosi organizimin e specializuar të ndërtimeve në rrethin e Mirditës, detyrë që iu besua ndërmarrjes së ndërtimeve "Muhamet Gjollesha" Shkodër.

Kanë kaluar gjashtë dekada e gjysëm nga ajo kohë, dhe Rrësheni, ky qytet i mbështetur në prehër të maleve të Mirditës, sot spikat me bukurinë e tij, si një qytet bashkëkohor, i pastër, i gjelbëruar, i rritur me disa lagje, me rrugë të asfaltuara e lulishte, me pallate e ndërtime të bukura dhe shumëkatshe, me Pallat kulture e Pallat sporti, me spital, shkolla dhe mjedise shlodhjeje e argëtimi, etj. Është një qytet i vogël, por që reflekton kulturë me paraqitjen dhe shtrirjen e tij. Ai sot numron rreth nëntë mijë banorë, disa prej të cilëve vitet e fundit kanë zbritur nga zonat e larta të rrethit, si: nga Fani, Oroshi, Kaçinari e Kurbneshi. Mbi gjithshka, në Rrëshen spikat dora e kujdesshme e administrimit të pushtetit vendor, jo vetëm përsa i përket zhvillimit urbanistik të tij, por dhe për kulturën e pastërtisë e të gjelbërimit, i cili pas vitit 1990 është kthyer në një qytet model, madje ka krijuar dhe një si traditë të tij lidhur me kulturën e paraqitjes. Është rasti të vlerësojmë punën e përkushtuar të Kryetarit aktual të Bashkisë së Rrëshenit, Z. Ndue Gega, i cili i ka dhënë qytetit përmasa dhe një dimension të ri zhvillimi në të gjitha drejtimet. Ky konstatim është i prekshëm për çdo vizitor, që ka rastin për të shkelur në këtë qytet të bukur të veriut të vendit. Ndaj, sot, pas 65 vitesh të jetës së këtij qyteti, ne mirditorët dhe të gjithë banorët e qytetit të Rrëshenit, kemi të drejtë të krenohemi me qytetin tonë të bukur, me kryeqendrën e rrethit të Mirditës, që ka plotësuar dhe plotëson më së miri të gjitha detyrimet dhe shërbimet administrative ndaj banorëve të saj për të gjitha zonat. Ai tashmë, është një qytet me perspektivë të madhe zhvillimi, pasi ka fatin, që sot, pranë tij kalon një arterie e madhe e zhvillimit kulturor dhe ekonomik të vendit, siç është autostrada e Rrugës së Kombit. Ndonëse ka kaluar pak kohë, nga vënia në funksionim e kësaj rruge, efektet e saj janë të shpejta e të ndjeshme kudo, përgjatë gjithë luginës së Fanit, ku po ndërtohen biznese të reja dhe po rigjallërohen fshatrat me banorë e shtëpi moderne.

Si nisi historia e ndërtimeve në Mirditë

Që në fillim duhet theksuar, se historia e ndërtimeve në rrethin e Mirditës, nuk nis me Rrëshenin, në vitin 1949. Ajo ka një zanafille edhe më të hershme, rreth 92 vjet më parë, me ndërtimet që nisën qysh në vitin 1922, në qytetin e Rubikut, ku u ngritën banesat e para për strehimin e minatorëve, që filluan shfrytëzimin e vendburimit të bakrit në këtë zonë, për të vazhduar më pas në vitin 1942, me ndërtimet në ish qendrën administrative të rrethit, në Shpal, pranë fshatit Blinisht,  etj. Por, një zhvillim të ri morën ndërtimet në rrethin e Mirditës, sidomos në vitet '50-të dhe '60-të, ku krahas ndërtimeve në qytetin e Rrëshenit, filluan punimet edhe për ngritjen e veprave industriale të përpunimit të bakrit, si: të Fabrikës së Pasurimit të Bakrit në Kurbnesh në vitin 1957, ndërtimin e rrugës Perlat-Kurbnesh në vitin 1956, të Uzinës së Shkrirjes së Bakrit në Rubik në vitin 1962, si dhe ndërtimin e Fabrikës së Pasurimit të Bakrit në Reps, në vitin 1967. Kështu, vit pas viti, u shumëfishua volumi i ndërtimeve në Mirditë dhe paralelisht me të, e hap pas hapi, u rrit edhe struktura e ndërtuesëve mirditorë, me specialistë e kuadro të kualifikuar e të shkolluar, u rrit numri i mjeshtrave vendas, që mësuan nga mjeshtrat e njohur dibranë të krahinës së Gollobordës, nëpërmjet kurseve të kualifikimit dhe të metodës së patronazhit, etj. Ndaj, sektorët dhe kantjeret e varësisë së ndërtimeve nga jashtë rrethit, shumë shpejt u zëvendësuan me ato vendas. Ishin zhvillime të vrullshme këto, që jua diktonte vetë koha ndërtuesëve mirditorë, për të përballuar detyrat e ngarkuara, deri sa ata, në vitin 1969, pra  45 vjet më parë, krijuan ndërmarrjen e tyre të ndërtimit me qendër në Rrëshen.

Duhet theksuar se ngritja e Ndërmarrjes së Ndërtimit në Mirditë, shënon një tjetër moment të rëndësishëm e historik për zhvillimin e vrullshëm të ndërtimeve në këtë rreth, e cila shumë shpejt, me punën e saj cilësore e korrekte në zbatimin e afateve të dorëzimit të objekteve, do ta afirmonte veten edhe në disa rrethe të tjera të vendit, me ndërtimin e disa objekteve të rëndësishme, si: Hekurudha Hotolisht – Librazhd, Uzina e Ferrokromit Burrel, Fabrika e Pasurimit të Kromit Bulqizë, Fabrika e pasurimit të Bakrit  Fushë-Arrëz, disa objekte në Hidrocentralin e Fierzës, si dhe ndërtimi i rezervave shtetërore në Pukë, Kukës, Tropojë, etj. Kësisoj, kjo ndërmarrje, me kontributin e saj, krijoi besim edhe në dikasterin përkatës, i cili do t'i besonte asaj në vazhdimësi edhe shumë objekte të tjera të rëndësishme jashtë rrethit. Kështu  u rrit dhe u fuqizua në vite Ndërmarrja e Ndërtimit Rrëshen me mjete e mekanizma, me kuadro e specialistë të zotë, me fuqi punëtore të kualifikuar, etj. Drejtori i parë i kësaj ndërmarrjeje ka qënë Pal Mark Deda, ndërsa drejtori i dytë pata fatin të jemë unë (Bardhok Gjikola), autori i këtij shkrimi kushtuar 65 vjetorit të qytetit të Rrëshenit. Kujtoj se në atë kohë, pra në vitin 1971, Ndërmarrja e Ndërtimit Rrëshen kishte mbi 500 punonjës, që zhvillonin veprimtarinë e tyre ndërtuese në shtatë sektorë dhe në dy kantjere. Drejtor i kantjerit të qendrës ishte mjeshtri dibran  Ali Osmani, i cili më pas, në vitin 1976, do të bëhej drejtor i ndërmarrjes. Është rasti për të vlerësuar kontributin e veçantë dhe shumëvjeçar të Ali Osmanit në zhvillimin dhe modernizimin e kësaj ndërmarrjeje, qysh në rininë e tij të hershme. Historia 45 vjeçare e kësaj ndërmarrjeje shënon gjithsej tetë emra drejtorësh, ku përmendim zotërinjtë: Gjon Bushpepa, Preng Nikoll Marku, Dodë Pjetri, Gjergj Ndoja e Pjetër Çupi, ndërsa kryeinxhinjerët kanë lëvizur më pak, ku për 45 vjet përmenden vetëm katër emra prej tyre, si: Pandeli Laçi, Koço Angjeli, Fatmir Palushi dhe së fundmi mirditori Gjon Arapi. Pas vitit '90, edhe në Mirditë, ndërtimet kaluan në sipërmarrjet private, ku u ngritën dhe funksionojnë disa firma private ndërtimi, që janë në konkurencë e në garë me njëra tjetrën për cilësinë, koston dhe afatet e dorëzimit të objekteve. Kjo është dhe sfida, që sjell inisiativa private në sektorin e ndërtimeve edhe në rrethin e Mirditës, në kushtet e konkurencës e të ekonomisë së tregut.

Sadik Osmani me djemtë

Mjeshtrat dibranë të Gollobordës në Mirditë

Kur flasim për historinë 65 vjeçare të qytetit të Rrëshenit, nuk mund të lëmë pa përmendur e vlerësuar kontributin e veçantë të mjeshtrave dibranë të krahinës së Gollobordës, të cilët me aftësitë e tyre profesionale, përvojën dhe traditën e mjeshtërisë së trashëguar në breza, i dhanë Rrëshenit gjallërinë dhe kulturën e punës së ndërtuesit. Kontributi i tyre është i dukshëm kudo, në çdo objekt, sektor apo kantjer, ku ata kanë punuar bashkë me specialistët vendas, duke i dhënë ritëm e bukuri ndërtimeve në Mirditë. Ata erdhën në Rrëshen pa pretendime dhe punuan me përkushtim e sakrificë, duke lënë gjurmë e emër të mirë tek çdo objekt ndërtimi. Por duhet theksuar, se edhe mirditorët, i pritën si miq mjeshtrat dibranë, mësuan nga përvoja e tyre dhe u familjarizuan shumë shpejt me ta. Në disa raste, lidhja e tyre u konkretizua edhe me miqësi të reja në qytetin e Rrëshenit, që rezultuan të suksesshme e të qëndrueshme.

Pra, vetë familjet gollobordase u familjarizuan dhe ndërtuan marrëdhënie të mira me familjet mirditore të Rrëshenit. Nisur nga nevojat e ngutshme, që kishte ndërmarrja e ndërtimit Rrëshen për ndërtues të kualifikuar, vetëm në vitet '70, në qytetin e Rrëshenit, u pasportizuan dhe u strehuan mbi 50 familje gollobordase, me rreth 350 frymë. Në këtë fluks ardhjesh, ishin përzgjedhur disa emra fisesh e familjesh nga më të njohurat në krahinën e Gollobordës, si nga fisi Osmani, Gjeta, Rizvani, Koçi, Muça, Ismaili, etj, ku spikat sidomos familja e mjeshtrit Sadik Osmani me katër vëllezër dhe katër djem të tij, si dhe 25 specialistë nga fisi i tij – Osmani. Këto prurje, i dhanë një hov të ri ndërtimeve në Mirditë, duke plotësuar më së miri nevojat, që kishte ndërmarrja e ndërtimit për fuqi punëtore të kualifikuar, si dhe krijuan një bazë të shëndoshë për përgatitjen e specialistëve të rinj nëpërmjet kurseve të kualifikimit dhe metodës së patronazhit. Kjo praktikë e mirë pune, aplikohet me sukses edhe sot në kushtet e ekonomisë së tregut nga firmat ndërtuese që ka rrethi. Ndaj, në këtë përvjetor të lindjes së Rrëshenit, qytetit tonë të dashur, një urim i veçantë shkon edhe për mjeshtrat gollobordas, tashmë të mirditorizuar prej vitesh këtu në Rrëshen.

Tiranë, më: 11 / 04 / 2014

*Ish drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit Rrëshen

*Qytetar Nderi i Bashkisë Rrëshen

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm