Menu

Djali i Zhepovës Agron Dragoj, mbeti një dragua në pavdekësinë e historisë

User Rating:  / 0
PoorBest 

Me rastin e 40 vjetorit të lindjes të dëshmorit të atdheut A. Dragoj, si dhe 15 vjetori i rënies në krye të detyrës

Nga Xhevahir Cirongu - Agron 'Zaim' DragojSa herë që vijnë muajët prill, dhe pikërisht kur data shënon 20- të, për fisin Dragoj nënkupton shumë ngjarje e gëzime. Prill 2014! Sa bukur është kur vijnë të tilla stinë me aromën e luleve dhe këngën e bilbilave!? Natyra ripërtëritet e të jep kënaqësi. Por, muaj prill i vitit 1974 atëherë kur data shënonte 20-të e po këtij muaji; vjen në jetë njëri nga djemtë e fisit Dragoj në Zhepovë të Përmetit. Buzëqeshte natyra. Gëzoheshin të afërmit e djalit të sapo lindur. Edhe gurët e ndjenin atë gëzim të asaj dite pranvere, e jo më njerëzit! Urimet shkuan gojë më gojë atë ditë prilli të vitit 1974, jo vetëm te banorët e fshatit Zhepovë, por madje lajmi shkoi deri në fshatrat Radenj e Pavar. Djalin e Zhepovës, fshatarët e zonës jo më kotë e pagëzuan para kohe ''Dragoj i Dëshnicës''.

Nënë Medine përkëdhelte foshnjen, dhe e vështronte me kureshtje në dritë të syrit. Atje, te ata sy të foshnjes së djalit të sapo lindur, pa diçka dhe mori frymë thellë. E vështroi edhe një herë. Mos më bëjnë sytë! –Ndoshta e kam nga gëzimi, tha me vete Medinea dhe e puthi në ballë djalin. E vështroi edhe një herë tjetër. Por... prapë diçka vërejti te sytë e djalit! Ishte e vërtetë, se në brendësi të syve të foshnjes së djalit ishte shkruar diçka. E lexoi me kujdes. Atje te ata dy sy ishte shkruar fjala Atdhe! Vetëm syri i nënës mund ta dallonte e lexonte atë fjalë! Ajo e mori foshnjen e vogël, e afroi pranë gjoksit, i dha qumshtë nga sisa e saj, prapë e puthi te balli dhe e vendosi mbi supin e majtë. Kush e pa këtë veprim të nënë Medine thanë me vete: ''Po kjo ç'pati! Apo e ka nga gëzimi?!'' Sytë e foshnjes lëshonin dritë dhe buzëqeshte si lulet e pranverës.

Edhe Zaimi, i ati i foshnjes dukej sikur fluturonte nga gëzimi i lindjes së djalit. Ai e mbante brenda vetes dhe s'e shprente hapur lindjen e djalit të sapo ardhur në jetë. Në kodrën shkëmbore që ndodhej afër lagjes, shkoi aty dhe mori një copë gur. Pranë një shkëmbi kishin mbirë lule. Këputi një gonxhe luleje, dhe s'bashku me copën e gurit u kthye në shtëpi. U afrua te djepi ku djali po flinte gjumë, aty vendosi  gurin e gonxhen e lules. Një simbolikë e trashëguar në shekuj kur lind një fëmijë për ne shqiptarët!

Nuk kaloj shumë kohë, e shtëpia e Zaim Dragoj u mbush plotë me miq, të afërm e bashkëfshatarë. Këndohej e hidhej valle! Sipas traditës ngrihej dolli për djalin e vogël të fisit Dragoj. Ishin thirrur në këtë gëzim familjar për pagëzimin e foshnjes. Me gotën në dorë Zaimi iu drejtua të pranishmëme duke u thënë: -Mirë se erdhët miq! Foshnjen e pagëzojmë sot me emrin Agron! Ta gëzojë, uruan në një gojë të gjithë të pranishmit. Oda e miqëve oshëtinte e nuk rreshte për asnjë çast atë ditë mirësie në familjen e Zaimit e të Medines. Deri në mëngjes kur dielli po ''puthte'' vesën e mëngjesit të prillit pranveror, kënga e vallja nuk pushoi. Edhe djali i vogël i pagëzuar Agron i buzëqeshte diellit të pranverës.

Dragojt e Zhepovës,-shkëmbfortesët nëpër stuhitë e historisë...

Të shkruah për fisin dragoj nuk është e lehtë, sepse  veprimtaria patriotike e atdhetare e tyre  është e mbushur me ngjarje sa të dhimbshme aq edhe me ndjenjën e krenarisë. Nëpër rrugëtimin historik ata kanë lënë gjurmë atdhetarie të pashlyeshme. Kurrë s'u mposhtën para vështirësive e armiqëve të atdheut i dolën ballë për ballë. Kohëve tinzare e gjithë armiqëve të kombit, iu qëndruan burrërisht deri edhe me jetën e tyre. Ndoshta, prandaj duhet të ketë marrë edhe mbiemrin ''Dragoj'' fisi i fshatit Zhepovë të Dëshnicës së Përmetit, që do të thotë sipas mitologjisë shqipe shpend i fuqishëm që mposht stuhitë.

Gjyshi i Agronit, një burrë fisnik që e kishte emrin Asllan Dragoj, lë punët e fshatit e shkon për punë në Kuçovë. Aty filloi punë punëtor krahu në puset e naftës. Qysh në fillim u bashkua me lëvizjen patriotike kundër pushtimit fashist të vendit tonë. Shtëpia e Asllanit u kthye një bazë e fuqishme e LANÇ.Vëllai i Asllanit, Bektash Dragoj ishte kryetar i Këshillit  të LANÇ të fshatit Zhepovë.

Në vitin 1944 Asllani internohet në kampin famkeq të Mosburgut në Gjermani. Për veprimtari patriotike e atdhetare për çlirimin e atdheut nga pushtuesit,edhe nipi i Asllanit që atëherë ishte vetëm 20 vjeç, në vitin 1943 internohet në kampin e Mosburgut të gjermanisë. Shtëpia e Bektash Dragoj  në vitet 1941-1944, u bë një çerdhe e vërtetë patriotike në gjithë krahinën e Dëshnicës. Kjo familje ka pritur e përcjellë edhe figura të LANÇ si: Jaho Gjoleku, Mustafa Matohiti,Fato Berberi(Heroinë e popullit), Rustem Çepani etj. Gjyshja e Agronit, Mine Dragoj është nderuar nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër me motivacionin:''Për kontributin e dhënë në LANÇ''. Po kështu edhe gjyshi Asllan Dragoj, pas vdekjes me çertifikatë për  kontributin e dhënë në LANÇ, me rastin e 50 vjetorit të çlirimit të Atdheut. Sot Zaim e Medinea, familjarisht janë pasardhës të LANÇ, e bëjnë pjesë në Organizatën e Veteranëve të LANÇ të qytetit Durrës, ku edhe banojnë prej disa vitesh. Ata japin ndihmën e tyre për të mbajtur gjallë vlerat patriotike e historike duke përcjellë brezave  të rinjë. Me ndjenjën e flaktë të patriotizmit e dashurisë së atdheut u rrit edhe Agron Zaim Dragoj.

Lulja e prillit vajton, ndërsa bilbili këngën trimit i këndon!...

Takojmë  Zaimin, babain e Dëshmorit të Atdheut Agron Dragoj. Ai sytë i kishte ende  me lotdhimbje  edhe pas kaq vitesh për djalin e vrarë nga një dorë ogurzezë në lulen e rinisë. Pikërisht, atëherë ishte korrik i vitit1997, një vit i mbrapsht për gjithë shqiptarët. Agron Dragoj  ka lindur më 20 prill të vitit 1974. Atëherë  sapo kishin çelur lulet e bardha të prillit. Edhe gurët u gëzuan me ardhjen në jetë të djalit të prindrëve Zaim e Medine. Agroni kishte shumë ëndrra për t'i realizuar në jetë. Mbaron arsimin e mesëm në Zhepovë . Ai kishte një dashuri të madhe për njerëzit e vendlindjen. Në vitin 1993-1994 shkon ushtar pranë repartit nr. 6620 në rrethin Fier. Sjellja dhe guximi i tij që kishte fituar nga familja, edhe me vyrtytin më të lartë, patriotizmin e atdhedashurinë për atdheun; mbas mbarimit të ushtrisë caktohet në radhët e Flotës Luftarake Detare me detyrën e nënoficerit të Karrierës. Fillimisht në Durrës, më pas në Pashaliman të Vlorës. Por, mbas një kohe, ai rikthehet përsëri në Bisht-Pallë të Durrësit. Ishte korriku i vitit 1997. Kohë trazirash  në  Shqipëri. Shteti ishte shkërmoqur si rëra e detit. Në repart i shkojnë disa të rinjë të armatosur dhe i kërkuan atij t' lejonte për të hyrë në depot e armatimit. Ata donin që të plaçkisnin depot ushtarake dhe sidomos armët. Me zgjuarsi  e gjak ftohtë, Agroni ju përgjigjet të rinjëve duke u thënë se armatimet janë transferuar diku gjetkë. As vetë ne s'dimë se ku ndodhen ato!

-Po armën tënde do na japësh neve!? Agroni i zënë ngusht me këtë pyetje u thotë me guxim:

- Nga kjo dorë s'lëshohet lehtë kjo armë! Me këtë përgjigje të rinjtë e armatosur u larguan nga reparti ushtarak i Bisht-Pallës.

Ishte data 22 korrik, i vitit 1997 kur Agroni merr detyrën nga Komanda e Repartit për të shkuar me detyrë në Përmet. E mirëpriti këtë urdhër, sepse malli për njerëzit e vendlindjen po i brente shpirtin. U gëzuan të afrmit e bashkëfshatarët kur u takuan me djalin e tyre Agron. Kënga e valllja në familjen e fisit dragoj s'pushoi deri sa ra agu i ditës së re. Me disa shokë e bashkëfshatarë u nisën drejt Ballabanit. Duke zbritur rrugës poshtë për në Ballaban nga Radenji për në Pavër, bjenë në pritë nga një bandë e armatosur që ishte bërë tmerri për zonën e Dëshnicës. Kriminelët e armatosur qëndronin të pozicionuar në pyllin e dendur matanë një përroi. Për në pazarin e tregëtisë nga zona e Dëshnicës për në Ballaban zbrisnin edhe fshatarët e fshatrave Shelq e Kajcë.

-Ndal! Duart lartë. Hidhni sendet e lekët në tokë!,- bërtisnin fortë banditët.

- Kush jeni juve, mor burra!- foli Agroni. Ejani të bisedojmë si burrat këtu mes sheshit! Ne s'kemi as lekë e as armë si juve!? Banditët nuk ju bindën fjalëve të Agronit, dhe qëlluan drejt e në shenjë mbi trupin e tij. Vendosi dorën te brezi ku ishte pistoleta,por ai ra si lis i  monçëm me trupin e gjakosur mbi lëndinën e barit e të luleve. Toka po thithte gjakun e djaloshit nga Zhepova. Banda që ishte liruar nga burgu i Vlorës, e që masakronte popullin e zanës së Dëshnicës ishte larguar. Më 20 prill 2014 Agroni do të festonte 40 vjetorin e lindje po të ishte gjallë. Kurse më 22 korrik do përkujtohet 15 vjetori i rënjes në krye të detyrës. Atëherë ishte vetëm 23 vjeç. Sot lulja e prillit vajton Agronin, ndërsa bilbilat i këndojnë trimit këngën e pavdekësisë.

Zaimi e Medineja kanë lindur, rritur edhe edukuar 7 fëmijë: 4 djem e 3 vajza. Djemtë: Besnik, Dëfrim, Asllan (ka emrin e gjyshit), Agron-Dëshmor i Atdheut. Vajzat: Lavdie, Flamure, Anisa. Ata kanë edhe 9 mbesa e 3 nipa. Të gjithë si yje.

Njëri nga fëmijët e Zaimit që mban emrin e gjyshit Asllan,djalit të vet i ka thirrur emrin e Agronit. Agroni i vogël  këtë vit 2014  mbushi 4 vjeç. Një koinçidencë kjo me 40 vjetorin e lindjes të Agronit dëshmor. Zaimi na rrëfen ngjarje e episode për Agronin me zemër të zhuritur e me lotin e ngrirë mbi faqe. Prill 2014! 20prill i vitit 1974! 22 korrik 1997! Korrik  2014-ta po afron. Njëra datë kujton 40 vjetrorin e lindjes, ndërsa tjetra 15 vjetorin e pavdeksisë në altarin e lirisë së atdheut. Dëshnica në zi! Njerëzit, gurët e pemët, zogjtë s'po këndonin... Lumi Vjosë ndalon për një çast rrjedhën e vajton trimin e Zhepovës! Heshtje! Vetëm heshtje atë ditë korriku në gjithë Dëshnicën heroike!

Këshilli i Ministrave, Komisioni Qëndror për Statusin e Dëshmorit të Atdheut, me vendim nr.572datë 07.03.2012 e shpall ''Dëshmor të Atdheut'' Agron Zaim Dragoj.

Dëshmorët e atdheut janë të pavdekshëm!

Lot e lulegjaku në shtëpinë e Drita Alia!...

...Krisma, krisma armësh mbi fshatin Ballaban! Çfarë kishte ndodhur atje ?! Askush s'e dinte të vërtetën. ..! E para që doli rrugëve të Ballabanit, e që pyeste s'e çfarë kishte ndodhur  atje mbi Ballaban, ishte nëna e Kajcës Drita Alia. Ajo la fshatin Kajcë e  banonte  familjarisht në Ballaban. Ju ngjit kodrës si një shqiponjë mali për te vendngjarja tragjike. Ju drodh zemra kur pa të shtrirë si një lis vigan atë djalë që u vra në pritë nga një dorë mizore. I ngrinë lotët në sy. Afrohet për t'i dhënë ndihmë  së bashku me shokët që e shoqëronin në atë rrugëtim për në Ballaban. E vetmja fjalë që tha ishte: ''Ju thaftë dora atij që qëlloi djalin tim!'' Heshtja e kobshme! I dridhej shpirti asaj nëne! Ju thanë buzët, ashtu si gjaku i djalit që ujiti tokën e barin e zhuritur. U ul në gjunjë, e ledhatoi me duar trupin e flokët, e puthi në ballë...! Pastaj, e rroku pas gjirit fortë, e mori rrugën s'bashku me djalin drejtë shtëpisë së saj. Edhe shumë të tjerë, si një lumë i vërtet njerëzish e shoqëruan nënën Drita Alia. Dielli e Vjosa vajtonin djalin e vrarë nga kriminelët pabesisht.

Shtëpia e Qemal e Drita Alia, hapën derën e mortit. Ajo vajtonte me këngën e ligjërimeve sipas traditës së zonës. Pas disa orësh u mor vesh se djali i vrarë në pritë ishte nga fshati Zhepovë. Shtëpia e nënë Drita Alia u mbulua e gjitha në lot e lulegjaku që mbuluan arkivolin e Agronit. Lajmin te prindërit Zaim e Medine Dragoj në Zhepovë, e çoj Qemal Alia. Në çdo përvjetor, atje në vendgjarjen e kobshme mbi Ballaban, Dëshnicarët vendosin kurora lule. Edhe nënë Drita, shkon nga Durrësi në çdo përvjetor e vendos lule te ''Djali'' i saj, që sot është Dëshmor i Atdheut. Agron Zaim Dragoj do kujtohet gjithmonë në breza.

Durrës, 20 Prill 2014.

 



Komente   

 
0 #1 Eralda Hysenshahaj Dragoj 2014-05-06 13:14
Daja im zemermire! Sot te njeh dhe te kujton nje kombesi e tere...do te mbetesh perhere i paharruar...kujtimet e tua jane te fresketa ne mendjen time dhe ashtu do mbeten gjithmone!! Me mungon shume shume!!! ❤❤❤
Quote
 

Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm