Menu

Komuna e Frashërit nuk duhet të zhbëhet, duhet ruajtur amaneti i vëllezërve Frashëri

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga Prof. Dr. Alfred FRASHËRI Shtëpia Muze - Vëllezërit Frashëri - Frashër- Prof. Dr. Alfred FrashëriFrashëri, ky vend lapidar i Shqipërisë, me një histori mbi 500 -vjeçare, përmendet për herë të parë me emrin "Fraxhili" në Regjistrin e parë fiskal të vitit 1431-32. Atje shkruhet se në Fraxhili kishte 6 familje. Në Frashër kanë lindur Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri, tre kolosët e Rilindjes Kombëtare që e ngritën Frashërin në piedestalin e historisë, të cilët me luftën dhe punën e tyre u rrënjosën shqiptarëve ndjenjën e shqiptarisë, u treguan se si duhet të luftonin për Shqipërinë, për liri e pavarësi dhe si duhet të ndërtonin shtetin shqiptar. U mësuan gjuhën shqipe sa të ëmbël e të dlirë, gjuhën e Naimit të Madh, që flasim e shkruajmë ne sot. Si asnjë vend tjetër ka nxjerrë atdhetarë e burra shteti, si edhe njerëz të shkolluar të profesioneve të ndryshme. Dhjetë politikanë, deputetë, një Kryeministër i Perandorisë Otomane, ministra e kryeministra në Shqipëri e vende të tjera, pesë pashallarë, nëntëmbëdhjetë profesorë nga të cilët dymbëdhjetë vetëm këto dyzet vitet e fundit, tridhjetë e gjashtë doktorë shkencash, si edhe shumë juristë, mjekë, inxhinierë, agronomë, veterinerë, mësues, oficerë, artistë dhe sportistë të dëgjuar. Fatkeqësisht, Frashëri sot po përjeton një gjendje të vështirë, si shumë e shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë.

Qytetet dhe fshatrat nuk i përfaqësojnë rrugët dhe shtëpitë, por njerëzit që me vullnetin, dijet, punën dhe përpjekjet tyre i ngrenë, i zhvillojnë dhe përparojnë atdheun. Historia e njerëzimit ka treguar se qytete e fshatra krijohen dhe lulëzojnë në shekuj, por braktisen dhe shndërrohen në gërmadha edhe në më pak kohë. Kështu ka ndodhur edhe me qytetet nga më të lashta në Shqipëri, me Butrintin, Apoloninë, Antigonenë etj.. Ndryshojnë kushtet e jetesës, të rrugëve, të burimeve natyrore, kushtet historike dhe ndodh mërgimi i banorëve të tyre drejt vendeve të tjera. Krijohen qytete dhe fshatra të rinj. Kështu vazhdon jeta e shoqërisë njerëzore. Qytetet e vjetër shndërrohen në rrënoja, sepse shtëpinë e mbajnë më këmbë të zotët. Largohen ata, shembet edhe shtëpia. Dhe njeriut normal nuk i vete mëndja që të mbajë të ngritur qytete e fshatra të zbrazët e pa njerëz. Kjo ka ndodhur edhe me Frashërin. Por edhe këto rrënoja janë monumente të kulturës së popullit dhe kombet e kulturuar i ruajnë me fanatizëm, i mirëmbajnë dhe i shndërrojnë në qendra turistike, madje më të shquarat në vende pelegrinazhi. Kjo bëhet që kombi të mbetet gjallë dhe të jetojë në shekuj e mijëvjeçarë. Por mbi të gjitha është veprimtaria e shumanshme atdhetare e qytetarëve që vazhdojnë jetën dhe punën e tyre në dobi të atdheu edhe pasi u prish shtëpia e vjetër dhe ndërtuan një të re. Dhe prandaj, për të djegur mësimet e Abdlylit, Naimit, Samiut dhe punën atdhetare të frashërllinjve ndër vite, që kontribuuan për bërjen dhe zhvillimin e shtetit shqiptar, veprimtarinë aktuale të brezave të rinj të frashëlinjve kudo ku janë, ka njerëz që duan të harrohet Frashëri dhe bashkë me të edhe mësimet e rilindësve të mëdhenj Abdylit, Naimit, Samiut, si edhe atdhetarizmi I tyre. Frashëri, kjo vatër e atdhetarizmit dhe mësimet e Rilindësve mbijetuan djegien nga andartët grekë, midis të cilëve për fat të keq kishte edhe disa shqiptarë të djallëzuar. Sot, djajtë antishqiptarë duan të harrohet Frashëri dhe bashkë me të atdhetarizmi dhe mësimet e Rilindësve, ta kthejnë Frashërin vetëm në një vend pelegrinazhi, jo veprimtarie dhe jetë aktive.

Sot Frashëri është qendra e Komunës në Dangëlli

Edhe në kushtet e zbrazjes së Frashërit dhe të fshatrave përreth, një punë energjike për të vazhduar traditën e Frashërit bën kjo Komunë. Dangëllia ka qenë krahinë autonome, me vojvodë në krye, që në kohën e pushtimit otoman dhe në fundin e viteve tridhjetë të shekullit të XIX; në Frashër ishte vendosur një kadi qeveritar për gjithë krahinën e Dangëllisë. Prandaj është e lavdërueshme puna pasionante që ka bërë ndër vite (2008-2013) Komuna e Frashërit, në bashkëpunim me shoqata dhe intelektualë atdhetarë nga Shqipëria dhe Kosova, për të mbajtur gjallë jetën sot në Frashër dhe në Komunë. Veprimtaria kryesore atdhetare shkencore dhe kulturoro-muzakale e përvitshme kanë qenë Kuvendet e Frashërit në ditën e lindjes së Naimit, çdo 25 maj, duke filluar nga viti 2004 e deri më sot. Këto kuvende u zhvilluan jo vetëm për të përkujtuar me veneracion veprën atdhetare madhore të rilindësve të shquar, mbi të gjithë të Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit, Samiut, por për të mbajtur të gjalla mësimet e tyre.

Komuna e Frashërit, e mbështetur edhe nga personalitete me zë të kulturës dhe shkencës shqiptare kanë hartuar gjithashtu projekte për shndërrimin e Frashërit në një qendër historike-kulturore dhe turistike të rëndësishme, si edhe janë hartuar tre promemorie dërguar organeve më të larta qeveritare të shtetit me propozime konkrete për Frashërin. Më 10 tetor, 2007 ju dërgua Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë një promemorie: Frashëri duhet dhe mund të kthehet në një qendër historike-kulturore dhe turistike e rëndësishme për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Një genplan për rregullimin e qendrës së Frashërit

Komuna Frashër ka hartuar dhe paraqitur në instancat shtetërore përkatëse edhe një genplan për rregullimin e qendrës së Frashërit, restaurimin e muzeumit dhe riparimin e rrugës. Realizimi i këtyre masave do ta kthejë Frashërin në një qendër për zhvillimin e turizmit historik-kulturor dhe ekologjik, duke kontribuar edhe në zhvillimin ekonomik të trevës së Dangëllisë dhe të qytetit të Përmetit. Frashëri dhe zona për rreth janë të pasur jo vetëm me monumentet historike. Atje ka edhe shumë monumente të natyrës, burime uji të kristaltë, parkun kombëtar të bredhave në Hotovë etj. Në genplan është propozuar edhe shitja e trojeve të vegjël për ndërtime shtëpizash turistike për qytetarë të ndryshëm. Ky genplan është e nevojshme, që krahas institucioneve shtetërore përkatëse t'i bëhet i njohur publikut dhe komunitetit të biznesit për sensibilizimin e tyre. Në promemorie shprehej besimi se drejtuesit e shtetit do të kontribuonin në ringjalljen e Frashërit. Promemoria është firmosur nga Tomor Kotorri, Kryetar i Komunës Frashër, Sabri Godo, Xhemal Dauti- kryetar i Shoqatës Dangëllia, akademikët Eduard Sulstarova, Xhevahir Spahiu, Dritëro Agolli, Neki Frashëri, profesorët Xhemil Frashëri, Muharrem Frashëri, Alfred Frashëri, Floran Vila, Rushan Liço, Hilmi Frashëri, Pëllumb Xhufi, Artan Tashko. Në pranverën e 2008 Komuna Frashërit hartoi dhe paraqiti projekt propozimin.

Ruajtja e Komunës Frashëri në kushtet e reformës administrative

Në pranverën e vitit Komuna e Frashërit dhe disa intelektualë ngritën problemin e ruajtjes së Komunës Frashëri në kushtet e reformës administrative të vendit. Si edhe në vende të tjera, ashtu edhe në Shqipëri janë bërë ndër vite ndryshimet e nevojshme që lidhen me zhvillimet demografike dhe ekonomike të vendit. Por këto ndryshime nuk duhet të bëhen vetëm mbi bazën e disa numrave dhe tē fshihen nga harta administrative e vendit komuna të ndryshme dhe tē krijohen tē reja, me një të rënë të lapsit. Komunat kanë historikun e tyre, ato janë dëshmi e historisë së Shqipërisë dhe ky argument duhet t'i vërë në mendim institucionet që janë ngarkuar me hartimin dhe zbatimin e kësaj reforme. ....Në 6 majin e vitit 1914 bandat e andartëve grekë dogjën 318 shtëpi të Frashërit dhe lanë pa strehë 1120 banorë, duke shfryrë tërë urrejtjen e tyre mbi këtë vatër të patriotizmit dhe veprën e Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit. Por ky zjarr dogji shtëpitë por nuk arriti të djegë dritën e Rilindjes Kombëtare, mësimet e Abdylit, Naimit dhe Samiut. Mbi jetoi edhe shpirti atdhetar i frashërllinjve. ...Analiza e gjendjes në Shqipëri më krijon mundësinë të kuptoj edhe një dukuri tjetër: Për fat të keq, mësimet e Rilindasve gjithnjë e më pak po kujtohen sot, përfshirë edhe ato të Vëllezërve Frashëri.  Kjo, sepse ç'është bërë deri më sot shpesh bien ndesh me porositë e tyre, shkojnë në të kundërt. Është kjo arsyeja pse gjatë këtyre 22 vjetëve të tranzicionit nuk ka shkelur në Frashër asnjë ministër qoftë edhe i kulturës për të marrë pjesë në veprimtaritë e përvitshme atdhetare-kulturore dhe shkencore që zhvillohen atje. U gjetën fonde për mijëra kilometra rrugë nëpër Shqipëri, por nuk u kujtua Ministria e Kulturës dhe jo vetëm ajo, të rregullonte 20 km e rrugës së Frashërit. .....Ka zgjidhje problemi: Komuna e Frashërit nuk mund të mbetet kështu siç është. Ajo duhet të bashkohet me komuna të tjera fqinjë.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm