Menu

70 vjetori i çlirimit të Beratit

User Rating:  / 6
PoorBest 

Flasin Skënder Mustafaj dhe Jani Capo dy beratas, pasardhës së luftëtarëve që morën pjesë në luftë

13 SHTATOR 1944 - 13 SHTATOR 2014

  • -Nga Brigada e VII-të gjatë luftës u vranë 302 partizanë
  • -Për çlirimin e qytetit të Beratit u vranë 30 partizanë

Nga Albert Z. ZHOLI

Në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të qytetit, Këshilli i Qarkut Berat ka akorduar një fond për rikonstruksionin e lapidarëve, çka ka bërë të nisë menjëherë puna. Në këtë fond përfshihet rikonstruksion i lapidarëve të dëmtuar nga vitet dhe erozioni si dhe rikonstruksion i memorialëve dhe Varrezat e Dëshmorëve në Berat e Skrapar.

Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrit Sina, vlerësoi se, fondi jepet për të nderuar luftën heroike për çlirimin e vendit. Për çlirimi i qytetit të Beratit është një ndër luftërat më heroike të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, që shënoi dhe kthesën e luftës në vendin tonë, ku pas këtij çlirimi, vijuan dhe çlirimet e qyteteve të tjera. Në këtë luftë gjermanët pranuan se patën humbje të mëdha. Merita kryesore në këtë luftë i takon Brigadës së VII Sulmuese, pasi ishte ajo që udhëhoqi luftën në këtë çlirim. Nga gjiri i kësaj Brigade legjendare janë vrarë apo kanë rënë heroikisht në sheshin e betejës në luftërat deri në ish- Jugosllavi, rreth 302 partizanë trima.

Skëndër Mustafaj - Kryetar i Organizatës së familjeve të Dëshmorëve të Beratit

Çlirimi i qytetit të Beratit nga nazistët është për të gjithë qytetarët e Beratit një ndër ditët më të shënuara në historinë e qytetit. Përvjetorët e çlirimit të qytetit tonë ne i kemi festuar çdo vit, por këtë 70-vjetor do ta festojmë me shumë madhështi. Çlirimi i Beratit erdhi si rezultat i luftës së madhe të popullit të kësaj zone. E them me shumë krenari se këtë qytet e çliroi në veçanti Brigada e 7-të Sulmuese, por edhe njësi të tjera luftarake të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Luftimet për çlirimin e Beratit filluan që ditët e para të majit, 1944, pas Kongresit të Përmetit.

Ishte një udhëzim i PKSH që Berati të çlirohej me çdo kusht. Lufta për çlirimin e madh filloi më datën 10 shtator ku u bënë luftime të ashpra në rrethinat e Beratit, në qafën e kalasë, në Murat Çelepias, në zonën e Uznovës që quhet hyrja e Beratit nga ana e Skraparit. Pra për mëse 3 ditë luftimet ishin shumë të ashpra në gjithë këto zona.

Gjermanët rezistonin me të gjithë arsenalin e tyre luftarak duke ditur se ata kishin armatim shumë të rëndë. Kjo luftë i kushtoi partizanëve të Brigadës së shtatë Sulmuese rreth 30 të vrarë (ditën e çlirimit u vranë 12 partizanë) dhe shumë të plagosur. Ndërmjet shumë dëshmorëve unë mund të përmend Thoma Shqimo, Thoma Arbri, Gani Nivica etj.. Kjo luftë mbahet ndër më heroiket e Brigadës ë VII, pasi ishte ndër qytet e para të çliruara dhe i hapi rrugën çlirimit të qyteteve të tjerë. Në këtë luftë Brigada e VII tregoi si kurrë ndonjëherë mobilizim, shpirt sakrifice, unitet, veprime luftarake të studiuara me në krye komandantin Gjin Marku. Por këtë luftë e drejtoi Shtabi Ushtarak i Qarkut. Pas çlirimit të Beratit, kjo Brigadë ndoqi këmba-këmbës ushtrinë gjermane duke shkuar në Shkodër, Mal të Zi dhe deri në Vishegrad. Një rrugë të lavdishme. Gjithë itinerari i lëvizjes së saj ishte me dinamikë të plotë luftarake, ku partizanët u treguan heronj të vërtetë. Kjo Brigadë në të gjithë luftimet deri në Jugosllavi dha 302 dëshmorë. Pra 302 djem dhe vajza të reja dhanë jetën në luftimet historike të kësaj Brigade, ku pjesa e partizanëve dërrmuese ishin nga zona e Beratit dhe e Skraparit.

Jani Capo nga lagja Kala e Beratit

  • Qarku i Beratit në Luftën Nacional Çlirimtare
  • Fillimi i lëvizjes 1939-1941

Rezistenca kundër zaptuesve fashist, filloi në Qarkun e Beratit më parë në qytet dhe më pas në krahinat,që në ditët e para të okupacionit italian. Në verën e vitit 1939, pjesa më e madhe e popullit të qytetit refuzoi t'i përgjigjesh thirrjes së fashistëve për të regjistruar fëmijët shqiptarë, për në kampet e pushimit në Itali (balil). Që në ditët e para të okupacionit, nxënësit e shkollës qytetëse, çdo ditë përpara se të hynin në mësim këndonin më zë të lartë himnin e flamurit në shenjë proteste kundër pushtimit të atdheut nga barbarët fashistë.

Më 07.04.1940, në përvjetorin e parë të pushtimit të vendit nga fashizmi, grupe të rinjsh dhe punëtorësh të Beratit dhe të Kuçovës demonstruan nëpër rrugët e qytetit me kostume kombëtare duke hedhur parulla antifashiste.

Në gusht të vitit 1940, disa të rinj beratas, rrahën në lulishten e qytetit një instruktor fashist, që mundohej për futjen e të rinjve me forcë në organizatat fashiste të liktorit.

Gjatë Luftës Italo-Greke, që filloi nga fundi i tetorit 1940, populli i Beratit si edhe gjithë populli shqiptar, jo vetëm që nuk luftoni kundër popullit grek, por edhe e përkrahu atë në luftën e tij drejtë duke mos pranuar që të hynte në milicinë fashiste, duke dezertuar në masë nga radhët e ushtrisë. Po në shkurt, Mars 1941, punëtorët shqiptarë, që punonin në puset vajgurore të Kuçovës, ia filluan një sabotimi sistematik në makineri dhe në prodhim duke paralizuar kështu industrinë që punonte për luftën. Gjatë grevave që shpërthyen në këtë kohë në Kuçovë, kërkuan ngritjen e mëditjeve dhe kondita pune të barabarta me punëtorët italian. Sulmi i pabesë i Gjermanisë hitleriane kundër BS në 21 Qershor 1941 e shtoi më tepër urrejtjen tonë kundër fashizmit. Kudo në qytet, nëpër muret dhe nëpër dërrasat e zeza të shkollave shkruheshin parulla të dukshme në të cilat shfaqej dashuria e ngrohtë për ushtrinë sovjetike. Themelimi i PKSH me 8 Nëntor 1941, shënoi kalimin në një formë të lartë të rezistencës, në atë të përgatitjes për aksione të armatosura kundër okupatorit fashist.

Viti 1942

Nën parullat mobilizuese të partisë që në muajt e parë të vitit 1942 filluan lëvizjet aktive në Qarkun e Beratit. Në 15 prill 1942 u formua në pyllin e katundit Plyk të Fierit njësiti i parë partizan i Qarkut të Beratit prej 7-8 vetësh, i cili qarkullonte në katundet e Mallakastrës së sipërme e të poshtme dhe në krahinat e Roskovecit. Pak më vonë njësiti ngjitet në krahinat e Skraparit, pozita gjeografike e të cilit lejonte një qarkullim më të lirë. Brenda pak ditësh, numri i njësitit arriti në 14 partizanë, në fillim të muajit Qershor njësiti partizan i qarkut të Beratit merr kontakt me njësitin partizan të qarkut të Korçës që qarkullonte në zonat e krahinave Gor-Opar dje që udhëhiqej nga shokët Teki Koloneci dhe Reshit Çollaku. Gjatë rrugës për në Opar me 9 qershor të vitit 1942, njësiti bie në përpjekje me një patrullë karabinierësh në katundin Marjan të Oparit. Patrulla tërhiqet e shpartalluar duke lënë 1 karabinier të vrarë dhe një rreshter të plagosur. Kjo ishte përpjekja e parë që ka bërë njësiti partizan i qarkut të Beratit kundër okupatorit fashist. Njësiti i qarkut të Beratit dhe ai i Korçës hartojnë një plan aksionesh të përbashkëta kundër armikut. Një pjesë e njësitit që tashmë ishte rritur në 43 vetë, me 3 korrik kalon në krahinën e Kolonjës dhe aty ndihmon për organizimin dhe forcimin e njësitit partizan që ishte formuar në atë krahinë. Mbasi bëri, në bashkëpunim me njësitet e Korçës, një punë të madhe edukative në popull, sidomos lidhur me zhdukjen e paragjykimeve të vjetra dhe të zakoneve prapanike, gjaqet, hasmëritë etj , më vonë ky njësit kthehet në Skrapar.

Më 29 korrik 1942 prej njësitit partizan ekzistues u formua në qafen e Kulmakut çeta e Skraparit që udhëhiqej nga Gjin Marku. Që në ditët e para të krijimit të saj, çeta e Skraparit huri në vazhdën e përpjekjeve të saj legjendare kundër armikut. Në gusht 1942 çeta e Skraparit ra në përpjekje me forcat e tradhtarit Xhafer Bali në Milovë, ku mbasi i rrethoi i shpartalloi duke zënë robër tre 63 milicë dhe gjithë materialin luftarak. Në Milovë valoi flamuri Kombëtar. Kjo fitore pati një jehone të thellë në të gjithë vendin. Në shtator të vitit 1942 efektivi i çetës ngrihet në 184 vetë. I tronditur nga kjo ngjarje, fashizmi nis nga rrugë të ndryshme, në drejtim të Skraparit një fuqi të madhe prej 600 milicësh e karabinierësh, drejtë për së drejti nën komandën e gjeneral Volantes, Komandant i përgjithshëm i milicisë fashiste në Shqipëri. Mbas 3 ditë luftimesh, në katundet Bargullas, Radosh, Therepel dhe Çorovodë, çeta në bashkëpunim me popullin thyen armikun dhe çliruan Çorovodën (5 shtator 1942). Kështu rrethi i Skraparit është i pari rreth që u çlirua nga thundra e fashistëve. Mbas kësaj ngjarje çeta ndahet në dysh, një pjesë niset në drejtim të Roskovecit dhe tjetra e komanduar nga Ramis Arianitasi niset për në Kolonjë e Dangëlli, për punë agjitative dhe për të goditur postat e armikut.

Në tetor të vitit 1942 çeta çliroi komunën e Frasjerit dhe sulmoi postën e Besmashit duke vrarë 3 karabinierë dhe duke zënë robër të gjithë të tjerët, pastaj goditi postën e Qamarakës, të cilën e pushtoi. Më 28 nëntor çetat bënë një goditje demonstrative në Përmet. Një punë e madhe politiko-agjitative bëhej në këtë kohë edhe brenda në Berat si dhe në periferi të tij. Që në fillim të shkurtit 1942 u formua në lagjen "Mangalem" celula e parë e partisë për krahinën e Shpiragut. Mbahen mbledhje të fshehta nëpër lagjet e qytetit dhe në fshatrat e afërme në të cilat shtrohet çështja e krijimit të çetave partizane. Digjen parullat armike, hidhen çdo ditë trakte nëpër rrugë dhe filloi ngritja e këshillave Nacional Çlirimtare. Për organizimin e rinisë vjen në Berat, Alqi Kondi. Me 15 korrik u formua në Berat Organizata e Rinisë Komuniste të Qarkut të Beratit. Të denoncuar nga një spiun i fashizmit një grup prej 30-35 të rinjsh beratas së bashku me Alqi Kondin arrestohen me 6 usht 1942 në lagjen "Muraçelepi" dhe dërgohen në burgun fashist të Elbasanit. Në maj të vitit 1942, u bë në Berat greva e bukës në të cilën 150 fshatarë e të rinj beratas protestuan para godinës së fashizmit për mungesë buke. Më 28 nëntor 1942, populli i Beratit hidhet në demonstratë të madhe kundër fashizmit, rrëzohet me forcë flamuri i Italisë nga godinat qeveritare, mbahen fjalime që nxisin popullin për rezistencë dhe bëhen thirrje për veprime aktive kundër armikut. Komandanti fashist i garnizonit të Beratit, Kolonel Palandri, njoftoi komandën ushtarake se qe i shtrënguar ta hiqte flamurin fashist para se ta hiqte populli i revoltuar. Në dhjetor 1942 formohen çeta e Nahijes, çeta e Kuçovës në katundin Shaqëz dhe çeta e Myzeqesë. Si rezultat i luftimeve të çetave partizane në rrethin e Beratit dhe të Skraparit deri me 31 dhjetor 1942 u çliruan: komuna e Patomit, Tomoricës, Çorovodës, Terpanit (Berat), Frashër (Përmet), Bermashit e Qesarakes (Kolonjë).

Viti 1943

Për të zhdukur lëvizjen NÇL që po rritej për ditë, fashizmi në bashkëpunim me qeverinë tradhtare të Tiranës, që në fillim të janarit 1943, nisi në drejtim të Skraparit dhe të krahinave jugore të Beratit një kolonë prej 500 milicësh, bashibozukësh, të cilët nën goditjet e çetave partizane dh të njësiteve vullnetare, tërhiqen të shpartalluar drejt Beratit. Në këtë kohë fillon veprimtarinë e tij tradhtare organizata "Balli Kombëtar". Duke përdorur demagogjinë dhe mashtrimin, Balli mundi të krijojë disa çeta në Qarkun e Beratit. Në krye të këtyre çetave, ballistët vunë armiq të popullit si: Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani, Et'hem Mollasi, Jakup Shalsi, Asqeri Numani, Kadri Cakrau, Hamit Matjani, Isa Manastëriu etj.. Por që në ditët e para të lindjes së tij, Balli Kombëtar u demaskua si një organizatë tradhtare që donte të pengonte luftën çlirimtare të popullit. Populli i Beratit në shumicën e tij dërrmuese shtrëngoi radhët e tij rreth lëvizjes NÇL dhe parullave të saj luftarake. Për të drejtuar luftën e popullit kundër armiqve, në fillim të muajit shkurt 1943 u formua në Katundin Roshnik, në shtëpinë e Sadush Brahimajt, Komiteti i Partisë për Qarkun e Beratit. Në Qarkor u zgjodhën edhe Margarita e Kristaq Tutulani si dhe Kristaq Capo, i cili u ngarkua edhe me punën e Sekretarit të Qarkorit të Parisë.

Më 15 mars 1943 u formua në katundin Bolan, çeta e Shpiragut, një muaj më vonë u formua në Plashnik çeta e Plashnikut. Filloi lufta e organizuar kundër armikut,goditen nëpër rrugë kolona armike, priten linja telefonike (në Moravë), ekzekutohen agjentë të fashizmit, hapen depo me bereqet dhe drithi i ndahet falas popullit (Roskovec). Në të gjitha krahinat, ku qarkullojnë çetat ngrihen këshillat NÇL. Më 25 prill 1943 nga shkrirja e çetave të Myzeqesë u formua në katundin Kolonjë, batalioni partizan i Myzeqesë. Me sulm çlirohet komuna e Libohovës. Me 15 maj 1943 u formua Këshilli NÇL për të gjithë krahinën e Shpiragut, që do të bëhej mbështetje e lëvizjes NÇL në këtë krahinë. Në këtë kohë forcat partizane të Qarkut të Beratit, në bashkëpunim me ato të Mallakastrës, sulmojnë kriminelin Isa Toska dhe milicët fashistë që ishin vendosur në katundet, Luar, Zharrës e Kuman. Mbas luftimesh të ashpra, foleja e Isa Toskës në Luar u shkatërrua, si reprezalje kriminale Isa Toska në bashkëpunim me italianët djeg katundin Kolonjë të Lushnjës dhe vret njerëz të pafajshëm. Në luftimet që u bënë në Belinë kundër Isa Toskës, ra dëshmor Tefik Lepani (prill 1943).

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm