Menu

Lekë Dodani - Një zë i mbijetesës në emigracion

User Rating:  / 0
PoorBest 

Lekë Dodani

Nga Qazim D.Shehu - Takimi me Lekë Dodanin sa herë ai kthehet nga Franca e mbart gjithnjë një kureshti mbi të pyeturit për jetën franceze, sidomos për Lionin qytetin ku ai banon, mbi elementet e kësaj jete, kulturën, zhvillimin shoqëror, psikomoral të francezëve, ashtu siç ndodh rëndom të pyesim një njeri që ikën larg dhe kthehet të na tregojë mbi vlerat e një shoqërie ku ka jetuar. Natyrisht, puna e një emigranti nuk është e lehtë, as integrimi i tij në shoqërinë ku shkon. Vetëm ai e di se çfarë privacionesh i duhet të vuajë në fillim, si duhet të mësohet dhe të kuptojë mekanizmat e sjelljes, si të mësojë gjuhën dhe të komunikojë, por emigrantët tanë, ata më të zotët kanë ditur të tregohen jo vetëm të sjellshëm dhe qytetarë po njëherit edhe të kuptojnë mirë se në shoqërotë perëndimore duhet punë, korrektesë, punë dhe vetëm punë, një kryefjalë e këtyre shoqërive.

I ikur në emigracion në vitin 2005, në Lion ku merr edhe statusin e azilantit politik, Leka, tregon se iu desh të punojë në pyje e kopshte, punë pastrimi dhe njëherit të vazhdojë edhe shkollën për mësimin e gjuhës frënge. Ai tregon se vajtja në një vend perëndimor nuk është një shetitje në parajsë, ashtu siç trumbetohet nga njerëz që i kap mërzia e çastit, përkundrazi është një obligim dhe standard kërkese që e vendos njeriu në vetvete për të arritur diçka më të mirë. Dhe nëse duhet arritur diçka më e mirë-kupto këtu asistencën dhe përkrahjen që japin këto vende-duhet kuptuar se në atë moment që krijohet prej teje besimi dhe fitohet përshtypja e korrektesës, vetëm atëhere e ke këtë ndihmë larg çdo përpjekje të tërthortë për gënjeshtër apo manipulim. Natyrisht vajtja e shumë shqiptarëve në emigracion e ka sjell vetvetiu edhe një rritje të shoqërisë shqiptare, sepse ata atje janë organizuar, kanë rilidhur kontaktet e pas viteve kanë ardhë në Shqipëri duke ndihmuar familjet e tyre, pra duke sjellë vlera monetare që quhen shpesh remitanca. Vargu I famshëm i Çajupit: ”Gjithë jetën nën urdhër, qesja sa një kokërr hudhër”, duket se nuk iu përshtat aq mirë emigracionit modern të shqiptarëve kur shohim sot në Shqipëri mjaft ndërtime të cilat janë ngritur me paratë e emigrantëve. Kjo, ta gëzon shpirtin, dhe sa herë flitet për këta emigrantë gjithnjë ndjej në vetvete një respekt për guximin, sakrificat, për atë model të përkryer pune dhe përkushtimi, e, mbi të gjitha, për atë lidhje të pashkëputur që mban emigranti me familjen e vet, njerëzit e njohur, sot në një botë që për shkak të mjeteve të komunikimit është brë e vogël.

Entuziazmohesh edhe nga fakti se shqiptarët atje ku kanë shkuar kanë ditur ta thërrasin njëri tjetrin, të krijojnë asosacione kulturore, bashkime të lira, të ndihmojnë njëri tjetrin, ta strehojnë dhe t`i japin përkrahje, gjë që s`e bëjnë shpesh në Shqipëri, por çuditërisht e bëjnë në vende të huaja. Kështu ata e përjetojnë një detyrim njerëzor përmes mallit dhe dashurisë për mëmëdheun, ndjehen vetiu solidarë dhe mundohen të jenë kontribues, falë shoqërive të huaja ku jetojnë, të cilat me efikasitetin funksionues të tyre dinë të japin modelin e bashkëjetesës dhe të integrimit, larg lojërave paragjykuese apo diferencimeve racore e njerëzore që ndodhin në shoqëritë e pazhvilluara të cilat mbërthehen shpesh nga hijet e së kaluarës.

Lekë Dodani, pinjolli një familjeje fisnike malësore nga Mirdita shkon në emigracion me përvojën e mësuesit të gjuhës shqipe në Kurbin, Laç e Tiranë, po edhe të gazetarit dhe aktivistit shoqëror, sepse ai si ta parandjente, në Tiranë themelon gazetën: ”Emigranti” me kryetar nderi Dritëro Agollin, poetin dhe personalitetin e shquar të kulturopolitikës shqiptare. Në Francë angazhohet me shoqatën: ”Bashkimi shqiptar” si dhe me shkollën “Fan Noli”, si shef i marrëdhënieve me jashtë. Puna në shoqatë dhe në shkollë, njëherit puna në njohjen e mjaft emigrantëve e bënë atë të krijojë kontakte me Ministrinë e Integrimit, ku ministre asohere ishte zonja e nderuar Valentina Leskaj.

Qëllimi ishte që duke kordinuar punën edhe në rrafsh institucional të arrihej njohja e çdo emigranti dhe të hartoheshin planprogramet për të specifikuar një punë të mirë në njohjen e halleve dhe problemeve të tyre. Leka vetë ndërmerr inisiativën që të përkthejë falas gjithë takimet e emigrantëve me autoritetet franceze, nevojat e ndryshme jetike që kërkohej të deshifroheshin përmes një gjuhe të panjohur për ta që Leka e njihte.

Emigracioni shqiptar në Francë ka pasur prurje të mëdha, prurje që vijnë nga motive të ndryshme të varfërisë e gjakmarrjes. Duke i identifikuar hallet e tyre Leka ka ditur edhe të japë këshilla e të orientojë këta njerëz si të sillen para autoriteve franceze, sepse një përvojë e mëparshme si anëtar i Komitetit të Pajtiit të Gjaqeve me kryetar Gjin Markun, apo si nismëtar i parë së bashku me Gurali Mejdanin i shoqatës së romëve: Amaro Dives ai e mbartëte këtë cilësi të hetimit të halleve njerëzore jo vetëm si një cilësi njerëzore por edhe si grumbullim përvoje.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Martën punoi me dhënë ndihmë edhe tek njerëzit e rrugës, mbetur në mëshirë të fatit. Duke e pyetur atë se si paraqitet sot larmia e emigracionit shqiptar në Francë, ai shprehet se fluksi i emigrantëve dhe azilantëve në vende të tjera vjen pralelisht me mundësinë integruese të Shqipërisë, me rritjen e sigurisë së jetës në Shqipëri ky fluks pakësohet, me hyrjen e Shqipërisë në fazën e pranimit të statusit të vendit kandidat kjo dukuri fillon e rrudhet. E njëkohësisht pjesa më e mirë e këtyre emigrantëve përbëhet prej intelektualëve,njerëzve të sukseshëm,por ende gjenden njerëz që kanë nevojë dhe nuk munden të kuptojnë hapësirat integruese të shoqërive të huaja.Shqipëria dhe shqiptarët duhet të hedhin në Europë hapa të sigurta.

Europa është e tyre –vijon Lekë Dodani-Europa duhet të bëhet e tyrja vetëm përmes punës, vlerave dhe qytetërimit të lashtë dhe modern që trashëgon.

Gjithashtu është e nevojshme të kuptohet se emigracioni shqiptar në Europë e ka kaluar atë tregues të emergjencës dhe atë ngushticë të mbijetesës, mjaft emigrantë kanë ditur të sjellin nga Europa kulturën e qytetërimit dhe jo vetëm pasurinë që e kanë fituar përmes punës, por edhe elemente të civilizimit europian duke i ndryshuar faqen Shqipërisë, por ende mbetet punë për tu bërë. Kjo punë sipas Dodanit bëhet duke i ndenjur korrekt çështjes së emigracionit shqiptar në Europë por edhe në botë, duke sjellë në vëmendje të shoqërisë dhe institucioneve shqiptare këtu, problematikën e tyre dhe njëkohësisht duke e krijuar vetiu Ditën e Emigrantit siç e ka Kosova.

Evidentimi dhe studimi i lëvizjes së emigrantëve jo vetëm se do t`i sillte të mira shoqërisë shqiptare këtu, po njëherit do të lypte hartimin e strategjive të reja në arsimimin e tyre në gjuhën shqipe dhe krijimin e kontakteve kulturorë, kjo do t`i shërbente më së miri edhe ruajtjes së identiteve në një botë globale.

Sidoqoftë emigracioni shqiptar ka qenë një zë i mbijetesës, i sakrificave të panumërta deri sublime; këtu nuk është nevoja të përmenden fakte apo ngjarje që dihen, por edhe i dëshirës së pakufizuar të shqiptarëve drejt një jete më të mirë, kur ato vinin nga një shoqëri totalitare, mohuese e të drejtave njerëzore dhe lirive të individit. E në këtë aspekt, Lekë Dodan, përfaqëson këtë zë të mbijetesës duke na e sjellë tematikën e emigracionit në një vështrim të ri, se si mund të ndihmohen gjithë ata njerëz të nevojë, sesi mund të orientohen kulturalisht gjuhësisht dhe ligjërisht në një shoqëri të panjohur. Leka në këtë fushë ka dhënë një ndihmesë të madhe.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm