Menu

Berati, qyteti i çudirave, i një mbi një dritareve

User Rating:  / 0
PoorBest 

Turistët mahniten me tavanet e drunjta e të gdhendura dhe kërkojnë t'i blejnë

Nga Harallamb Kota / Studiues i letrave shqip

Pas katër vitesh, në datën 16 qershor 2014 në shoqërinë e Prof. Dok. Hysen Kordha dhe gazetarit e botuesit të njohur z.Zylyftar Plaku, isha përsëri në qytetin e paraardhësve të mi, në Beratin e dashur të familjeve Kota. Qyteti qëndron hijshëm nën këmbët gjigante të kalasë mitike, ndërtuar me gurë nga mjeshtrit Parthan, midis të cilëve janë dalluar mjeshtrit Kota (gurskalitësit). Në Berat kishim ardhur të promovonim librin tim me poezi dhe kishim ftuar, nxënës të shkollave, punonjës të Bashkisë, Këshillit Bashkiak, Këshillit të Qarkut, historianë, studiues dhe qytetarë të Beratit. I pranishëm në këtë ngjarje me karakter kulturor dhe letrar ishte edhe Kryetari i Bashkisë Berat z. Fadil Nasufi, i cili me praninë e tij, tregoi mbështetje për këto aktivitete kaq të rëndësishme për qytetin dhe rilindjen e ndjenjave artdashëse të qytetarëve beratas.

Atë ditë qyteti mitik i Beratit, zhurmonte nga mjeshtrit e rinj gurskalitës. Me çekiçë në duar, ata shtronin shëtitoren e qytetit me gurët e latuar, duke e lidhur më fort historinë e gurtë të kalasë mitike me historinë e gurtë të pedonales së sotme. Në 12 tetor 2014, isha përsëri në qytetin mitik. Berati në kryesimin e z.Fadil Nasufi, kryetar i Bashkisë dhe me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, ka vite që po merr frymë nga hapësira e gjelbërimi. Po gjallon çdo ditë e më dukshëm nga turistë të panumërt dhe kurioz për të parë dhe zbuluar të kaluarën mitike të qytetit, kishat e tij mesjetare ndërtuar mbi themele tempuj pellazgjik, apo paleokristian, xhamitë e vjetra ndërtuar pas pushtimit otoman dhe ikonat mahnitëse të pikturuara nga Onufri e nxënësit e tij. Shtatorja e Kostandinit të Madh në shpatullën perëndimore të kalasë, i befason dhe i tërheq të mësojnë diçka për arsyen e vendndodhjes në kështjellë. Ciceroni nuk e njeh historinë.

Dituria për ardhjen në kala të Shën Palit dhe 300 vjet pas tij' e Kostandinit të Madh, do sillte më shumë turistë e më shumë të ardhura për qytetin. Shtëpitë në Goricë, Mangalem dhe në Kala, kanë hapur dyert dhe shërbejnë për fjetore. Turistët mahniten me tavanet e drunjta e të gdhendura. Kërkojnë t'i blejnë dhe për këtë qellim afrojnë para në shuma marramendëse. Pronarët e vjetër dhe autoktonë, nuk pranojnë t'i shesin, por i ruajnë për të provuar vjetërsinë e qytetit dhe krenarinë e tyre për vlerat e trashëguara nga të parët. Njëra nga këto familje fisnike qytetare beratase është edhe ajo e z.Ymer Kordha.

Ngjitja në kala është biblike, ndërsa kështjella të puq me mitologjinë aq shumë, sa turistë amerikanë, evropianë, australianë, japonezë, etj., qëndrojnë, ecin në rrugët e kalldrëmta, ulen në sokakët e gurtë të portave të drunjta dhe kërkojnë të blejnë shtëpi. Largimi i tyre nga kalaja është mallëngjyes dhe mbresëlënës, kur i sheh aq të dëshiruar për të mos u larguar, apo duke qarë me lot pasi kapërcejnë portikun e madh të drunjtë. Atë ditë në ora 1100, u inaugurua shëtitorja e re, "Pedonalja e Gurtë". Mijëra banorë të pranishëm gëzonin dhe ndjeheshin krenarë për qytetin e tyre, dhe vlerësonin pedonalen duke ndjerë në plloçat e gurta të shtrojës së saj, vazhdimësinë dhe harmoninë me kalldrëmin e gurtë të rrugëve të vjetra në "Kala", "Mangalem" dhe "Goricë".

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm