Menu

Meditim në një ditë përkujtimi

User Rating:  / 0
PoorBest 

Mes vargjeve-tinguj të “Dëshmorit të Atdheut”, kapiten Feti Vogli

Nga Albert  Z. ZHOLI - Në promovimin  e këngës kushtuar dëshmorit  Feti Vogli, i cili ka rënë në mbrojtje të paqes dhe demokracisë në Afganistan, në Batalionin e Forcave Speciale në Zall Herr, gjatë ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe interpretimit të këngës kushtuar këtij dëshmori nga këngëtari i shquar Ilir Shaqiri, kur bashkë me të këndonte dhe efektivi, në fytyrat e tyre dhe pjesëtarëve të familjes së kapitenit Vogli shikoje edhe lot. Vetiu një emocion më përshkoi edhe mua. Një emocion ku lidhen si gjerdanë të artë besnikëria, kujtesa historike, dashuria për atdheun, patriotizmi, krenaria, ndjeshmëria ushtarake, realizimi i ëndrrave me karakter kombëtar që la në kujtesën e ushtarakëve shqiptarë kapiteni 30 vjeçar Feti Vogli. Loti ka dy kuptime: lot gëzimi dhe lot hidhërimi. Në këtë rast ky lot ishte i dyfishtë, por i bashkuar në një të vetëm, si një xhevahir i rrallë për të përcjellë me sytë e zemrës dashurinë dhe respektin për shokun, mikun, babanë, vëllanë, dëshmorin e rënë në emër të lirisë. Pra, ky lot i nxehtë kishte brenda edhe dhimbjen, por edhe forcën, edhe hidhërimin, por edhe gëzimin. Kishte përbrenda atë filozofi njerëzore që i kalon kufijtë e një ndjeshmërie të zakonshme dhe merr përmasa universale për vetë qëllimin fisnik, përse ra në krye të detyrës kapiteni Feti Vogli. Vetiu në mendje më shkuan vargjet e të pagabueshmit popull:

Kush ka rënë për atdhe, nuk ka vdekur por ka le!

Një varg lapidar, një thënie e barazuar me fjalët e zotit. Brenda qenies sime përtyp dhimbjen dhe dashurinë si qelq. Nën mantelin e padukshëm të heshtjes e lotëve që s’dinë të më ndalen, zgjat duart në atë bust përvëlues që më ngjan si yll, që jep dritë ditë e natë. Një bust plot domethënie, në pjesën qendrore të repartit, që përballesh sa hyn dhe të shtyn drejt meditimit. Dëgjoj tingujt dhe vargjet e thurura dhe më duket se lexoj një libër zemre, që përbën një vullkan njerëzor në emër të dashurisë më të spikatur, atë ndaj atdheut. Një repart i tërë që këndon për shokun, mikun, kolegun, që është larguar atje lart, në përjetësi, kur në fakt rregulli jetësor thyhet. Në këto vargje, poeti i pavdekshëm Gjok Beci duket sikur i thotë kapitenit dëshmor: Atdheu, shokët, familja duan të të kenë afër, duan të të dëgjojnë zërin, këshillat, mbasi vepra jote dhe lotët e familjes kanë brenda fuqinë e Anteut, por edhe drithërimë zemre, që as mali se mban, që as ftohtësia akullnajore se ftoh. Vargjet e këngës ecin në ujërat e kristalta të dashurisë njerëzore duke kërkuar brigjeve të luftës heroizmin e dëshmorit. Askush se ka besuar gjëmën, edhe sot çdo kujt në këtë ceremoni i duket një ëndërr, një rreng kohor në pritje të ndjesisë së një përqafimi të fortë, plot mall të dëshiruar, të një ardhje tjetër të befasishme të komandant Fetiut, për të vazhduar rrugën e bukur të ushtarakut. Të gjithë duken se kanë mall, mall, dhe në mes fjalëve të mallit, autori ka  krijuar një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, përcjellin vargjet e këngës lapidar. Thirrjet e vargjeve janë lëndina të bukura zemre, të cilat në mungesën e përditshmërisë, vargëzojnë si një karafil dashurie. Duket se tingujt dhe vargjet në këtë ambient, janë për këdo, pranverë buzëqeshjeje, rrëke butësie, për të afruar brenda vetes kujtimin e tij. Ndërsa vargjet me tingujt përcillen me zërin e zemrës, natyra derdh mbi ne disa pika shiu të kthjellët, si vetë loti ynë. Sa herë e ëndërronte dëshmori  “qiellin lotor”, në largësinë e misionit në shenjë malli për atdheun dhe të afërmit e tij. Në këtë këngë ai është përjetësuar, ndërsa ne me mendimet tona ndihemi si një botë me vete, një botë ëndrrash, dëshirash, që lidhen vetëm me një emër: FETI VOGLI. Vargjet e dashurisë së këngës gjallojnë thellë në ajër si aromë malli, si lëng lulesh, që vetëm këto tinguj-vargje dinë t’i përcjellin. Të gjithë duket sikur gërmojmë brenda vetes, aty ku është uji, aty ku është burimi për ta parë, për ta ëndërruar, me shpresën se ndoshta një çast Fetiu do i bashkohet vargjeve të mallit dhe të na lehtësojë shpirtin...

Dhe vargjet lodrojnë me tinguj magjie:

Skënderbegas të rriti Ushtria,
Ku rrojnë bashkë nderi dhe lavdia,
O, pishtar me dritë lirie,
Zemër zjarrti prej Shqipërie!

Këto vargje janë puthja e syve të tij, karafili i qëndisur në buzë që thur në heshtje dashuri, pafundësisht DASHURI për familjen, shokët, por mbi të gjitha ATDHEUN që e deshi aq shumë. Në këto vargje shprehen bukur ato cilësi të ushtarakëve tanë, të skënderbegasve tanë, që rrallë kush i ka në botë dhe që ishin mëshiruar më së miri tek Feti Vogli. 

Teksa kjo ceremoni e bukur po mbyllej, nuk di pse brenda vetes dëshiroja të kumtoja thëniet e burrave të mençur shqiptarë:

“Vërini poshtë interesat, grindjet dhe egoizmat e veçanta dhe përmbi  gërmadhat e këtyre gjarpërinjve, ngrini statujën e hijshme të interesit të përgjithshëm të Kombit”, Fan S.Noli. dhe “Kemi mbaruar të tërë po që se, secili mendon për vete e jo për kombin”, Marin Barleti.

* * * * *

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm