Menu

BERATI - Kujtesa e Arbërit

User Rating:  / 0
PoorBest 

Si u krijua formacioni shtetëror "Despotati Epirit" nga Mihal Komneni me shtrirje nga lumi Drin deri në gjirin e Korintit

Kriza e përgjithshme që kishte mbërthyer Perandorinë Bizantine krijuan kushtet që në vitin 1204, arbërit të krijojnë shtetin e tyre

Berati, vendbanimi i hershëm ilir i shek VI-V p.k. i quajtur Partha, në fillim të shek. III p.k., u shdërua në kështjellë qytet dhe luajti rol të rëndësishëm në luftërat ilire-romake. Berati ka qënë një nga vatrat e hershme të krishtërimit, çka dëshmohet edhe nga kodikët e ruajtur deri në ditët tona. Qysh nga shek.XI e këndej, marëdhëniet e Arbërisë me Perandorinë Bizantine u dalluan nga konfliktet e përpjekjet e armatosura dhe nga marëdhënie bashkëpunimi. Berati ishte vatër e kryengritjeve kundër sundimit bizantin. Pjesëmarja ose jo, e arbërve në konfliktet e Bizantit, me normanët, anzhuinët etj., është konsideruar si faktor me rëndësi per fitoren ose disfatën e perandorisë.

Kriza e përgjithshme që kishte mbërthyer Perandorinë Bizantine në shek.XII pas luftërave me normanët dhe shkatërimi i saj nga kryqëzata IV, krijuan kushtet që në vitin 1204, arbërit të krijojnë shtetin e tyre të pavarur, "Principatën e Arbërit" me kryeqëndër Beratin. Sundimtar i parë i kësaj principate u bë Progoni, pas tij i biri Gjini dhe i fundit Dhimitri i Arbërit, i quajturi "arkond i madh", burrë fisnik, "Princ i Arbërve", i cili për shkak të rethanave nuk mundi ta konsolidonte shtetin e tij.

Po në këtë vit u krijua formacioni shtetëror "Despotati Epirit" nga Mihal Komneni me shtrirje nga lumi Drin deri në gjirin e Korintit, me kryeqëndër Artën. Mihali-I, u vra në Berat në vitin 1205. Pasardhësi i tij, Teodor Engjëlli në vitin 1215 e ktheu këtë formacion në shtet të fuqishëm që ushqente synimin për të rimëkëmbur Perandorinë Bizantine. Me vdekjen e Dhimitrit të Arbërit më 1216, në vartësin e "Despotatit të Epirit", hyri edhe "Shteti Arbërit". Në këto kushte Berati u bë realisht qëndra e dytë më e rëndësishme pas kryeqëndrës Arta. Që nga shek.XIII paria feudale arbënore, ka dalë në shesh gjithnjë e më shumë si një forcë politike e pavaruar me tituj të lartë dhe me ushtri të saj të veçantë.

Familja feudale e Muzakajve u vendos në qytetin kala të Beratit në fillim të shek XIII dhe zotëronte fushat e mëdha përreth, të cilat morën emërin Muzakia (Myzeqe). Në vitet 1250-1270, përball përpjekjeve të Perandorisë Bizantine për tu rimëkëmbur dhe për të konsiliduar pozitat e sajë prej fuqie të madhe në trevat perëndimore të Ballkanit, feudalët arbnorë u bashkuan me kryengritjen e madhe dhe më 1272 hynë në marëveshje me Anzhuinët. Pas këtyre ngjarjeve, arbërit kudo që gjëndeshin ishin në konflikt të vazhdushëm me Perandorinë Bizantine. Andre Muzaka në vitet 1280-1319 gjatë sundimit të Anzhuinëve ishte "Marshall i Arbërisë". Kryengritja e vitit 1335-1336 e malsorëve arbër, u shtri nga Shkumbini e deri në malet e Labërisë, duke përfshirë gjithë Arbërinë deri sa i dha fund sundimit bizantin. Me shëmbjen e bizantit më 1350, u krijuan tre principatat e para arbnore. Topiajt me qëndër Durrësin, Shpatajt me qëndër Artën dhe Balshajt me qëndër Shkodrën, e cila bashkoi për herë të parë nën sundim një pjesë të madhe të trojeve arbnore nga Tivari në Prizeren, Vlorë e Berat. Familja feudale Muzaka, me aleancat e formuara me anë martese të Komita Muzakaj me Balshën II dhe të një pinjolleje tjetër me sundusin e Ohrit nga familja Gropa, përforcoi më tej pushtetin e sajë. Më 1372 familja feudale Muzaka, mori nën sundim Kosturin, ku një kishë e ndërtuar prej tyre mbante ende emërin e zotërusve të vendit.

Me sulmet e para Osmane mbi trojet arbnore, si dhe veprimet e Venedikut me ndikime shpërbërëse, principatat e para arbnore pësuan tronditje e çarje të brëndshme, të cilat u shtuan edhe nga veprimi i prirjeve ndarëse të feudalëve të veçantë.

Në këto kushte në vitin 1380, krijohet "Principata e Muzakajve". Në kulmin e fuqisë nën Andrenë II, që mbante titullin despot, zotërimet e Muzakajve shtriheshin që nga JP i fushës së Kavajës(fshati Gosë), duke përfshirë Myzeqenë e Madhe e të Vogël deri në lumin Vjosa dhe duke aritur në Selenicë e në bregun e detit. Që nga lumi Devoll ato përfshinin Tomoricën, Skraparin, fshatrat Opar, Lavdar, Marjan, etj., fushën e Korçës, Devollin e Madh e të Vogël, deri në Kostur. Gjatë sundimit të Muzakajve Berati ishte kryqëndër e tyre, ku lulëzoi zejtaria dhe përmëndej për punimin e mëndafshit. Brënda në kështjellë u ndërtuan disa kisha me afreske të çmuara dhe pati një shkollë pikture e të bukurshkrimit. Më 1385 arbërit shpartalluan në Betejën e Akelout edhe përpjekjen e fundit të sundimtarëve bizantinë për tu rivendosur në trevat perëndimore të gadishullit Ballkanik. Për gati 10 shekuj, tërësisht ose pjesërisht, u ndodhën nën sundimin politik dhe nën ndikimin kulturor të Perandorisë Bizantine, arbërit u afirmuan si popull më vete, me gjuhë e kulturë të përbashkët, në një teritor të përbashkët që nga mesjeta e hershme, si forcë gjithnjë më e pavarur nga pushtusit e huaj, aktivë dhe me peshë në zhvillimin e ngjarjeve në truallin e tyre në krejt gadishullin Ballkanik. Më 1389 Teodori II Muzaka, me ushtrinë e vet mori pjesë përkrah koalicionit të sundimtarëve arbër të Ballkanit në betejën e Kosovës dhe mbeti i vrarë atje. Prej vitit 1394 Muzakajt u gjëndën nën trysninë e vazhdushme të osmanëve, që aritën tua mernin për disa kohë Beratin. Më 1402 kur sulltan Bajaziti u mund e u zu rob prej Timorlengut, arbërit ngritën krye dhe muzakajt e rimorën kështjellën e Beratit. Por në vitin 1410, Balsha III pasi mundi në fushën e betejës ushtrinë turke të Evrenozit, u ngatërua me Venetinë, e cila i deklaroi luftë dhe i vënë mes dy zjarresh u mund. Në këto kushte, Durrësi, Leshi, Ylqini, Tivari, Drishti e Shkodra, ranë nën vasalitetin e Venetisë, ndërsa Kruja më 1415 dhe Berati, Vlora e Kanina më 1417, ranë nën vasalitetin e turqve të sulltan Mehmeti I. Edhe si vasalë të sulltanëve, muzakajt mbajtën marëdhënie politike me Venedikun e Raguzën, ndonëse disa pinjollë të tyre, duke përqafuar muslimanizmin, aritën të bënin karierë në radhët e elitës sunduse osmane. Njëri prej tyre Jakup beu, në vitin '30 të shek.XV u bë sanxhakbej i "Sanxhakut Arbër". Muzakajt mundën të ruanin një pjesë të zotërimeve të tyre jashtë sistemit të timareve, por pa Beratin, i cili qeverisej në kushtet e vasalitetit nga garnizoni osman. Në gusht të vitit 1434, Aranit Komneni shkatëroi ushtrinë turke, duke shtënë në dorë Vlorën dhe Kaninën. Kryengritja u përhap në Toskëri. Teodor Korona rrëmbeu Beratin duke prishur vasalitetin me turqit dhe përzuri garnizonin e tyre. Më 1438 Turhan Pasha e rrethoi Beratin, te cilin e mbronte Teodor Korona' e pasi e rahu fortesën më kot shtatë muaj me radhë, u shtrëngua të hiqej i turpëruar pa bërë gjë, duke humbur nja10.000 të vrarë. Muzakajt u bashkuan më 1443 me kryengritjen e përgjithshme të udhëhequr nga Skënderbeu. Gjin Muzaka mori pjesë në "Lidhjen e Lezhës", duke u bërë një nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut, aleancat e të cilit me Venetinë, Raguzën e Napolin, u pasuan me ardhjen e ushtarëve nga këto vende dhe praninë e tyre për mbrojtjen e kështjellave nga reziku i sulmeve të ushtrisë osmane. Kështjella e Beratit mbrohej nga garnizoni me ushtar Venetian, Raguzian e Napolitan.

Në krye të motit 1450, Teodor Korona duke mos patur asnjë trashëgimtar, ia fali Beratin Skënderbeut. Me testament dhe me të vdekur e sipër, e ftoi të dërgonte një ushtri që t'ja dorëzonte fortesën. Skënderbeu dërgoi Pal Maneshin me 800 ushtarë për këtë mision. Po pashai i Gjirokastrës,me të dëgjua këtë lajm, mblodhi një ushtri të madhe. Natën kur garnizoni e ndenjësit po flinin të qetë, turqit duke paguar rojat hynë me tradhëti në qytet, dhe e zaptuan kështjellën pothua pa derdhur gjak fare. Pal Maneshi u zu rob dhe u lëshua nga pashai turk, pasi u shpërblye nga Skënderbeu me 500 dukata. Teodor Koronën e ngritën turqit nga shtrati i vdekjes dhe e vranë në tregun e qytetit. Në këto kushte, Skënderbeu me shtabin e luftës hartoi planin për rrethimin e Beratit. Vendimi u mbajt i fshehtë dhe të gjithë të tjerët kujtonin që ushtria do të bariste kundër Sfetigradit. Moissi Golemi njëri nga gjeneralët më në zë të tij, e kishte tradhëtuar tek turqit dhe gjeti një mënyrë mos vente në Berat, gjoja nga shkaku që ndodhja e tij në kufi ishte më e nevojshme. Nga ana tjetër, për të provuar sa besnik i ishte kryezotit të ri, Moisiu e lajmëroi sulltanin dhe kumandarin e Beratit për pllanin e Skënderbeut dhe rezikun që ndodhej ajo fortesë. Skënderbeu kuptoi menjëherë që ishte tradhëtuar. Më 13 qershor 1455, me një ushtri prej 14000 e rrethoi Beratin. Të nesërmen dha urdhër për të nisur bombardimin e kështjellës. Në dy ditë e sipër një pjesë e murrit u rrëzua nga gjylet, u ça një udhë për ushtrinë rrethonjëse. Skënderbeu dha urdhër për një sulm të përgjithshëm. Kumandari turk për të fituar kohë kërkoj ta negocionte dorëzimin e fortesës dhe propozoi disa kondita. Skënderbeu nuk deshte në asnjë mënyrë të binte në këtë grackë. Po këshilla e luftës, tok me kumandarin napoletan Palerino, e pëlqyen këtë propozim si fare të arësyshëm.

Pas një bisedimi të gjatë, Skënderbeu u shtrëgua prej shtabit të vet, ti jepte kumandarit turk njëmbëdhjetë ditë kohë.

Ushtarët arbër dhe napolitanë u gëzuan për këtë vendim, se nuk e shijonin asfare rrethimin e fortesave. Skënderbeu, të cilit nuk i rihej njëmbëdhjetë ditë pa punë, për të bërë sehir Beratin së jashtmi, u ngrit me Gardën Pretoriane dhe shkoi për të marrë një tjetër fortesë disa mila më larg. Komandën e ushtrisë, meqenëse kishte humbur besimin nga tradhëtia, ia dha kunatit Muzhaq Topisë, një djalosh i papjekur në luftë dhe mëndjefjetur. Informatorët ushtarakë të Skënderbeut flinin këtë herë dhe nuk lajmëruan që një ushtri armike e fortë nën komandën e Isa bej Evrenozit, po vinte me vrap për të shpëtuar Beratin nga rrethimi. Muzhaq Topia u shtrua sikur ishte në shtëpi dhe e lëshoi ushtrinë të bënte qejf gjer sa të shkonin të njëmnbëdhjetë ditët. Ushtarët ca flinin, ca loznin, ca pinin, ca këndonin, ca duallnë për gjah, ca çapëlitnin anës lumit. Tanush Topia dhe disa gjeneralë veteranë e shikonin rezikun po nuk e flisnin as muarrën ndonjë masë, se ishin zëmëruar që Skënderbeu i vuri nën urdhërin e një çilimiu. Isa bej Evrenozi me 25 qershor 1455, zbriti pa pritur si rufe, e mori nëpër këmbë dhe e coptoi turmën ushtarake të dizorganizuar, që dëfrente rreth Beratit. Skënderbeu po kthehej në Berat. Udhës i gjeti arbërit që po iknin dhe mori vesh mjerimin që kishte pësuar ushtria e tij. Vetë Skënderbeu u ndodh në rrezik, kur në dëshpërim e sipër u sul midis armiqve, u rrethua prej tyre nga të gjitha anët edhe mezi çau udhën me shpatën e tmeruar. Nga zëmërimi i ishte çarë buza e poshtme dhe gjaku po i ridhte si rëke. Kur u er, u përpoq të riorganizonte ushtrinë, por të gjithë kishin marë sytë edhe iknin si të xhindosur. Për fat të mirë erdhi nata dhe ushtria shpëtoi nga një katastrofë tërësore.

Me të mbëritur në Krujë, Skënderbeu mori vesh tradhëtinë e Moisi Golemit dhe u trishtua më shumë. Pasi shteri dëshpërimin dhe mori fund "Qarja e Madhe" për të vrarët, riorganizoi ushtrinë arbnore dhe për 25 vite me radhë i shpartalloi osmanët. Kështjella e Beratit, të cilën ja dhuroi me testament Teodor Korona Muzaka, qëndroi e pushtuar nga osmanët. Kështjella mbrohej nga garnizoni turk dhe ai nuk e mori dot asnjëherë. Plaga e Beratit i qëndroi e hapur deri sa mbylli sytë. Kishte lënë një amanet, i cili u kry vetëm më 28 nëndor 1912, kur Ismail Qemali me burrat e kombit shqiptar, ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën mëvehtësinë e Shqipërisë nga Turqia. Po në këtë datë u largua garnizoni turk nga Berati dhe mori frymë e lirë kështjella mijeravjeçare.

Harallamb Kota - studiues

 

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm