Menu

Jeta patriotike e dëshmorit Xhaf Hakani

User Rating:  / 1
PoorBest 

Xhaf Hakani

Një shqipëtar i thjeshtë, që gati një shekull më parë i emëroi fëmijët e tij me emra të pastër shqipëtarë!
(Me rastin e 71 vjetorit të vrasjes së dëshmorit Xhaferr Hakani)

Nga  Nimfa Hakani
(Mbesa e Dëshmorit)

Xhaferr Hakani, apo Xhaf Hakani si i thërriste i gjithë Elbasani, lindi më 1881 në Elbasan në një familje të thjeshtë. Që në moshë të re mbeti jetim, dhe iu desh të marri përsipër tërë barrën e familjes së bashku me vëllanë më të madh Mahmutin. Si fëmi nuk  pati mundësi të merrte edukim të plotë, po përgjegjësia që i ra në supe për familjen që në moshë të re, vështirësitë dhe padrejtësitë e jetës, pushteti anadollak turk që e kishte lënë Shqipërinë në një gjëndje të mjerueshme, kontakti me forca progresive të kohës e bënë Xhafën të vetëdijshëm që në moshë të re për gjëndjen shoqërore e politike të Shqipërisë së fillimit të shekullit njëzet. Shkolla e hidhur e jetës e bëri shumë të mprehtë dhe shumë herët u njoh për tonin therës që përdorte me autoritetet.

Rilindja shqipëtare pati një ndikim të thellë mbi Xhafën. Thënia e Pashko Vasës “Feja e shqipëtarit, Asht Shqiptaria!”, ishte motoja që e udhëhoqi Xhafën gjatë gjithë jetës së tij. Ato vite të ashpra, si në nivelin personal ashtu edhe kombëtar, e ngritën Xhafën mbi nivelin e kohës dhe e kthyen atë në një patriot të flaktë.  U martua me Xhemile Bajren më 1913, një vajzë që vinte  nga një familje patriotike. 

Kur u bë prind, qe nga të rrallët e kohës së tij që ju dha fëmijëve të tij emra të pastër shqipëtarë (Petrit, Afërditë, Liri, Agim, Luan, Tomorr, dhe Shkumbin përkatësisht midis viteteve 1915-1934), kur emrat shqipëtarë ishin shumë të pazakonshëm, ndërsa edhe njerëz  të shkolluar, e njëkohësisht shumë patriotë, vazhdonin t’i emëronin fëmijët e tyre në traditën e përkatësisë fetare.

Nga të shtatë fëmijët, vetëm pesë fëmijë  i patën jetën.

Injoranca dhe varfëria e thellë  në të cilën ishte mbytur Shqipëria nën  pushtuesit otomanë, dhe lidhja familjare me Aqif Pashë Elbasanin, ndikoi gjërësisht në formimin e tij dhe e bënë të angazhohet aktivisht në lëvizjen për pamvarësi së bashku me të vëllanë Mahmutin. Në periudhën e shpalljes së Pamvarësisë, shërbeu si ndërlidhës midis Aqif Pashës dhe Ismail Qemalit, dhe qe prezent në Ngritjen e Flamurit në Elbasan. Emri i të vëllait,  Mahmutit*, renditet si një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pamvarësisë për qytetin e Elbasanit si dhe në telegramin e përshëndetjes dërguar Ismail Qemalit për ngritjen e Flamurit në Vlorë dhe Shpalljen e Pamvarësisë.

*Mahmut Hakani e humbi jetën më 1921 pasi u bashkua me luftëtarët shqipëtarë të Kosovës për çlirim e saj.

Më pas i pakënqur dhe i papajtuar me padrejtësitë që zotëruan në vënd gjatë mbretërimit të Zogollit, filloi të flasi  hapur kundër regjimit. U aktivizua në lëvizjen për Revolucionin e Qershorit dhe u bë ithtar i flaktë i Fan Nolit. Në këtë periudhë mori pjesë në të tëra revoltat e protestat e kohës kundër regjimit anadollak të Zogut. Eloquenca dhe toni i tij therrës njihej tashmë në qytetin e Elbasanit. Replikat e tij me Shefqet Vërlacin dhe Lef Nosin kanë qënë të famëshme në qytet.

Gjatë këtyre viteve, jeta e tij u kthye në jetën e vështirë të një të persekutuari politik. I përndjekur nga Vërlaci dhe Zogu emigroi në Greqi. U kthye në Shqipëri pas amnistisë së shpallur nga Zogu, por nuk ju lejua të kthehej në Elbasan. Në këtë kohë u detyrua të vendosej në qytetin e Përmetit ku jetoi me gjithë familjen disa vjet.  Pas internimit u kthye në Elbasan.

Gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë përndjekjet e persekutimet e  shumta e  të vazhdueshme, Xhafa nuk e pushoi asnjëherë  aktivitetin e tij politik,  dhe ka qënë  në kontakt të vazhdueshëm me figura të njohura patriotike  të kohës si Avni Rustemi, Sulejman Delvina, Riza Cerova, Omer Nishani, Myslim Peza, shpesh duke ndihmuar financiarisht veprimtarinë e tyre patriotike me sa kishte mundësi, një veprim i dokumentuar për  ndihmën që i ka dhënë Riza Cerovës **.

Ndërkohë, duke  vlerësuar dhe konsideruar shumë të rëndësishëm arësimimin e fëmijëve, një gjë që nuk mundi ta kishte pasur vetë, i dërgoi fëmijët e rritur në “Normalen e Elbasanit” një vatër e rëndësishme e edukimit dhe patriotizmit për bijtë e bijat e  Shqipërisë e të Kosovës.

Braktisja e Shqipërisë nga Zogolli gjatë pushtimit Italian në Luftën e Dytë Botërore, e shtoi indinjatën dhe dhimbjen e Xhaf Hakanit për fatin e Shqipërisë. Fillimin e rezistencës kundër pushtuesit fashist e përkrahu me të gjitha forcat e tij me gjithë moshën e thyer. Gjatë kësaj kohe lidhjet e tij me Babë Myslimin (Myslim Peza) u bënë edhe më të forta. Në bashkëpunim me patriotin Esat Dishnica, ndihmoi për mbledhje ndihmash për Çunat e Malit, siç i quante Xhafa guximtarët që kishin rrëmbyer pushkën e i kishin dalë zot Shqipërisë pas braktisjes së vëndit prej mbretit Zog.

Dy fëmijët më  të rritur, ndoqën rrugën patriotike të të jatit, braktisën respektivisht punën dhe shkollën Normale dhe u bashkuan me lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Megjithë kushtet tepër të vështira që familja kalonte në atë kohë, si rezultat i raprezaljeve të forcave gjermano-balliste në përpjekje për të arrestuar Xhafën, jo vetëm fakti që shtëpia e Xhafës u bë shkrum e hi disa ditë para se Xhafa të arrestohej, por edhe  për faktin që shtëpia ishte nën një vëzhgim të vazhdueshëm nga okupatori si rezultat i përkrahjes që Xhafa i jepte Luftës Nacional-Çlirimtare. I gjithë ky presion, nuk i ndaloi dy djemtë e tij që në moshë shumë të re, Agimin dhe Luanin, të ndihmonin në qytet me organizim dhe ndihmat që i jepeshin lëvizjes kundër pushtuesit.

Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, vitet e okupimit fashisto-nazist, u lëshua dhe qarkulloi  një urdhër i posacëm arrestimi për të, që e detyroi të vazhdonte përsëri jetën e vështirë të të persekutuarit politik. Mbeti përsëri një njeri i kërkuar nga qeveritë e asaj kohe që bashkëpunonin me pushtuesin.

Gjatë kësaj periudhe është detyruar të ndryshojë vazhdimisht vendbanim  duke u strehuar në miq e të afërt. Për ta bërë më të efektshëm  urdhërin e arrestimit ndaj tij, u caktua edhe një shpërblim i mirë në para për këdo që jepte informacion për Xhafën. Ju dogj edhe shtëpia gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, dhe familja ju persekutua nëpërmjet raprezaljeve të shpeshta të kryera intensivisht ndërsa Xhafa ishte detyruar të jetonte në arrati. Në një nga këto raprezalje, djali i dytë, Agimi, i shkelur nga xhandarët në gju (fëmijët ishin duke fjetur kur xhandarët erdhën të bëjnë kontroll në mes të natës me shpresë se mos kapnin Xhafën), mbeti sakat tërë jetën. Në këtë periudhë, Xhemilja, e shoqja, me fëmijët u burgos disa herë për t’i bërë presion të tregonte vendbanimin e të shoqit.

Xhemilja, apo Momë Mili, siç e thërrisnin të gjithë, ishte një grua e fortë që e  mbështeti aktivitetin politik të të shoqit pa rezerva në rebelimin e tij kundër regjimit të Zogut si dhe më pas ndaj pushtuesve fashisto-nazistë. Megjithëse tepër e re dhe nga një familje e besimit mysliman, ajo e mbështeti të shoqin në emërimin me emra shqipëtarë të fëmijëve të saj. E rritur në një familje patriotike, ajo e kuptonte shumë mirë revoltën e të shoqit për kushtet e varfërisë së thellë në Shqipëri si  dhe indinjatën e  thellë për braktisjen e vëndit nga Zogolli dhe lënien e pambrojtur të bregdetit për një pushtim të lehtë  e  pa andralla nga ana e fashistëve të regjimit të Duçes. Megjithëse aktiviteti politik i të shoqit e bënte jetën e familjes shumë të vështirë, e veçanërisht të saj si grua dhe nënë, Momë Mili e ndoqi të shoqin në internim, dhe  i rriti fëmijët  pa u  ankuar në periudhat kur Xhafa ishte shpesh i detyruar të linte familjen me muaj të tërë  e nganjëherë me vite për t’iu shmangur përpjekjeve të shumta që bënte rregjimi për ta arrestuar.

Raprezaljet në shtëpinë e Hakanësve ishin të zakonëshme, kontrollet e papritura ditë e natë nga ballistët nuk pushonin, por Mom Mili i bëri ballë me ndjenjën e fortë të sakrificës që kishin gratë shqiptare të asaj kohe të gjitha stuhive që përfshinë familjen e saj. Ishte përkushtimi i saj i devotshëm që bëri të mundur dhe ndihmoi mjaft aktivitetin e Xhafës dhe faktin që shtëpia  e tyre u bë bazë  fortë e  lëvizjes kundër pushtuesve gjatë viteve të fundit të jetës së Xhafës. Dy herë u arrestua Momë Mili me tre fëmijët më të vegjël, por asnjeri s’e dëgjoi të ankohet për vështirësitë e paimagjinueshme që iu desh të përballonte përditë e vetme më fëmijë të mitur(i shoqi i fshehur, dy fëmijët e rritur në mal). Ashtu e fortë qëndroi edhe pas djegjes së shtëpisë dhe vrasjes makabre të të shoqit dhe nga bazhibozukët e Ballit, dhe me një trimëri të vecantë e stoiçizëm rriti fëmijët duke pritur me ankth mbarimin e luftës dhe kthimin  e  fëmijve më të rritur nga mali.

Megjithë peripecitë që iu desh familjes të kalonte, Xhafa nuk u përkul ndaj presioneve si  dhe raprezaljeve që i bëheshin familjes së tij për të hequr dorë nga përkrahja për luftën Nac-Çl, por vazhdoi dedikimin e tij për çlirimin e Shqipërisë nga të huajt si kryetar i Këshillit Nac-Çl të qytetit të Elbasanit edhe kur i fshihej okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Reputacioni i Xhafës në qytet ishte bërë tepër i rrezikshëm për forcat e koalicionit pushtues. Emri i tij ishte simbol i lirisë, i trimërisë, dhe i vetmohimit për qytetin. Si rezultat i aktivitetit të gjatë patriotik për çështjen kombëtare njerëzit dëgjonin së ç’farë kishte  Xhafa për të thënë, dhe  prindërit dërgonin djemtë e tyre në mal pas bisedave bindëse me  Xhafën.

Xhafa ishte një nga të rrallët e grup moshës së tij që dilte hapur në atë kohë kundër pushtimit të vëndit dhe demaskonte bashkëpunëtorët e tyre pa iu përpëlitur qerpiku. Mbeti si gjithmonë pioner për çështjen e Shqipërisë si në rini ashtu edhe  në pleqëri për qytetin e  tij të lindjes.

Për këtë arësye, regjimi pushtues dhe forcat kollaboracioniste e kishin halë në sy, dhe i intensifikuan përpjekjet për ta zënë Xhafën. Më 24 janar, 1944, pas tentativash të shumta, ballistët mundën ta arrestojnë më në fund në shtëpinë e një miku ku kishte kërkuar strehë përkohësisht, që fatkeqësisht duke qënë tepër hallexhi e me shumë fëmijë, e dorëzoi Xhafën tek armiqtë e tij për të marrë shpërblimin e lartë që ishte vënë për kapjen e  tij.

Xhafë Hakani, një shpirt rebelues, pas dekadash të një veprimtarie të gjatë politike kundër otomanëve,  zogollëve, dhe gjatë luftës së dytë botërore kundër pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre, ra më në fund në duart e e atyre që gjithë jetën e tyre e kishin shitur kombin.

Kur e panë që nuk u dha të tregonte bashkëluftëtarët nga lajmi i sajuar i vrasjes së fëmijëve më të mëdhenj, bashkëpunëtorët e pushtuesit, shërbyesit e djeshëm të Zogollitt, e torturuan duke i prerë hundën, buzët, dhe duke i nxjerrë sytë për së gjalli, kaq mëri i kishin për vitet që i kishte kundërshtuar e i kishte diskretituar politikisht. Pasi e torturuan, e shëtitën nëpër pazarin e Elbasanit mbi një karrocë, ashtu të gjakosur, gjysëm të gjallë, e gjysmë të vdekur, duke vënë tellallin që njerëzit të grumbulloheshin dhe ta shihnin. Qëllimi ishte, ta bënin shembull për popullin e Elbasanit se ky do te ishte fati i tërë atyre që guxonin të mbështesnin luftën kundër okupatorit. Pasi e shëtitën për disa orë, karroca me trupin e tij, e shoqëruar nga xhandarë, mori rrugën e ullishtave të Elbasanit, ku  e pushkatuan megjithese gjysëm të vdekur për ta bërë më dramatike vdekjen e tij dhe, që të krijonin presion psikollogjik mbi popullsinë patriotike të Elbasanit. Mesazhi ishte i qartë dhe kumbues, kush guxon të ndjekë rrugën e tij, dhe të luftojë kundër pushtuesit, kështu e pëson.

Xhafa vdiq me pengun që të dy fëmijët e rritur i ishin vrarë në mal, se ashtu i thanë kur e arrestuan fjala u përhap në qytet për dëshpërimin që tregoi Xhafa kur u arrestua i thanë se të dy bijtë i ishin vrarë, dëshpërim që e ktheu në guxim me fjalët, “Rroftë Liria! Rroftë Shqipëria! Rrofshin çunat e malit! Poshtë zaptuesit dhe tradhëtarët!” gjatë torturave.

Me gjithë këto presione dhe veprime gjakatare, elbasanasit vazhduan në traditën patriotike si qytet t’a mbështesin levizjen për çlirimit e vendit me ç’të mundeshin, duke dërguar fëmijët e tyre në mal, ose duke dërguar ndihma si rroba e ushqime tek çunat e malit.

Xhafa mbeti përjetë në kujtimin e popullit të Elbasanit si simbol i trimërisë së rallë, guximit, sakrificës, atdhedashurisë të pakushtëzuar që tregoi për Shqipërinë gjatë gjithë jetës së tij të stuhishme duke dhënë në fund edhe jetën e tij në moshën 63 vjeç për tokën që ai deshi aq shumë. Sot një nga rrugët e  Elbasanit dhe një shkollë 9 vjeçare nderohen me emrin “Xhaferr Hakani”.

Jeta e Xhafë Hakanit duhet të jetë frymëzim edhe për shqipëtarët e sotëm, që shpesh nënë ndikimin e fesë po harrojnë se përsëpari janë shqipëtarë dhe se “Feja e shqipëtarit, Asht Shqiptaria!”, dhe në shekullin e njëze e një, po emërojnë fëmijët e tyre me emra arabë dhe kristianë, duke lënë në “harresë” emrat e bukur shqipëtarë, kur Xhafë Hakani, një njeri i thjeshtë, por me zemër të madhe shqipëtari, një shekull para tyre, në kushte shumë të rënda dhe mbytëse për vendin, i emëroi fëmijët e tij me emra të pastër shqipëtarë.

 * * * * *

* Fakt i marrë nga “Vjetari për 25-vjetorin e Pamavarësisë” botuar më 1937

** Fakt i marrë në Arkivin Qëndror Shtetëror, nga dosja “Riza Cerova”

https://www.shqiperia.com/Deklarata-e-shpallur-ne-Elbasan-ne-25-nentor-1912-.9232/

https://www.youtube.com/watch?v=jwfrI8yKAhA (Recital i vjershës “O moj Shqipni” së Pashko Vasës)

https://www.youtube.com/watch?v=jTaDCEOw9yc (Recital i Reshat Arbanës të vjershave të Pashko Vasës)

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm