Menu

25 vjetori i hapjes së ambasadave (02 korrik 1990 - 02 korrik 2015)

User Rating:  / 0
PoorBest 

Ato ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave, 4795 vetë

E përshtatur

Ndodhia

Më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë çelën dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria. Si ndodhi kjo? Si mund të flakej brenda një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja ishte tradhëti, dhe tradhëtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin pas? Dihet konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë shtete Brenda shteteve dhe cënimi i territoreve të tyre konsiderohet si cënim kufijsh. Por për çudi asnjë ambasador i akredituar në Tiranë të cilit i qe "dhunuar" territori kombëtar nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për marrjen e masave në mbrojtje të ambasadave. Përkundrazi. Ambasadori gjerman mori në mbrojtje të "plagosurit" rebelë, pa pranuar që ata t'idorëzoheshin drejtësisë shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më të thella me zbulim dokumentash të fshehta. Por ngjarjet që pasuan më pas, sidomos skenat e ngjashme si në Kubë, etj...tregonin se skenat e ambasadave, (dikush preferoi të prishtedhe murin e jashtëm dhe me një 'skodë" të vjetër të fuste me dhjetëra veta brenda), ishin inskenuar më parë. Pavarësisht se nga mjetet qeveritare shqiptare të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të "bandavehuligane", në të vërtetë, sasia e madhe e njerëzve që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të vitit 1900 ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu. Ne nuk dimë akoma se kush ishin organizatorët, apo nismëtarët, siç thuhet rëndom. Të tjerët, janë masa gjithëfarësh që nuk mund të përmbahen më. Ato ditët në ambasadat e ndryshme hynë e dolën s'a andej të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795 vetë. Nga këta për në Gjermani shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549, për në Turqi 77, për në Poloni 52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6, për në Egjipt 6, për në Bullgari 5, etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos atë të vendeve lindore, do të mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët kanë mbritur edhe në Iran, Zelandën e re, e Argjentinë.

Dy korriku është kthyer tanimë në një datë për të përkujtuar djemtë dhe vajzat, gratë dhe fëmijët që kërkuan tempujt e shpresës duke hyrë në ambasadat e huaja, sepse pikërisht në këtë datë është realizuar një përleshje e ashpër ndërmjet njerëzve të thjeshtë dhe strukturave policore të diktaturës.

Në fakt...

Hyrja nëpër ambasada kish filluar dymbëdhjetë ditë më parë, më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur atë. Pas datës 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja, ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me anë të makinës së plehrave që në një farë mase konsiderohej një spektakël. Përveç ambasadës kineze dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan bujtësit, duhet thënë se të gjitha ambasadat e tjera reflektuan një bujari dhe mikpritje, e cila nuk duhet të harrohet nga politika e sotme shqiptare. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi gjithashtu edhe pas datës 2 korrik, por kjo hyrje është bërë lehtësisht nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte më.

Çfarë ndodhi pas Popajve

Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane. I pari që tentoi të kapërcente muret e ambasadës greke ishte një banor nga Narta e Vlorës, të cilin policët arritën ta kapnin pikërisht ndërsa përgatitej të gjente tangjenten fatale të lartësisë së murit, dhe duke e tërhequr me forcë, pasi e shtrinë përtokë, e goditën rrufeshëm me grushte dhe shkelma derisa i ra të fikët. Akoma edhe sot nuk është bërë ende publik emri i njeriut nga Narta për të cilin muri që kishte ëndërruar si limit shpëtimi u kthye papritur në një qeli burgu ose në një mur pushkatimi. Gjithashtu, një tentativë grupi për të hyrë në ambasadën gjermane kishte dështuar. Duhet shënuar se ato ditë thuhej që në "ambasadën franceze ka mundur të hyjë një njeri", por kjo gjë qarkulloi në formën e legjendës, pa u konfirmuar ndonjëherë saktësisht. Gjatë këtij dhjetëditori u synuan edhe disa ambasada të tjera në rrugët më të përshtatshme, por pa rezultat.

Goditja e parë, 20 qershor

Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj, më datë 20 qershor të vitit 1990 në orën 07.40, pasi kishte çuar në punë gratë punëtore të xhenios, u drejtua për tek ambasada greke, duke ndaluar në murin anësor të saj. Brenda, përveç Bujarit, ishte edhe Edmond Vokshi, i cili pas një tentative për kapërcim kufiri në Tropojë, së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ishte dënuar me dhjetë vjet burg. Ndërsa gruaja me punë korrektonjëse. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, ata kapërcyen murin rrethues, duke u bërë kështu dy banorët e parë të kozmosit të ndaluar deri atëherë. Më 28 qershor në ambasadë hyri edhe gruaja e Mondit së bashku me fëmijët. Por, si u përgatit aksioni i hyrjes. "Një ditë më parë unë isha takuar me Leonidhën (shefi i sigurimit të ambasadës) në hotel 'Dajti', ku e kisha parashikuar për herë të dytë pikësynimin tim përfundimtar. Pasi më parë e kisha takuar te pishinat, - thotë Bujari. - Në këtë takim të dytë Leonidha më tha se 'për t'ju dorëzuar, nuk ju dorëzojmë kurrë, por data e nisjes suaj do të varet nga rrethanat e zhvillimeve të mëvonshme'. Kështu, të nesërmen, me të mbërritur në ambasadë, dy të rinjtë morën kontakte me personelin dhe gjithçka u rakordua brenda pak minutave. "Ndërkaq, nga territori i ambasadës gjermane kapërcyen dy të rinj të tjerë, Ardi dhe Bimi, të cilët pasi kaluan murin rrethues të gjermanes, u hodhën përsëri për tek grekja, - thotë ai. - Ambasadori gjerman mbërriti menjëherë në ambasadën greke duke na thënë se kush dëshironte të qëndronte tek ai, mund të vinte menjëherë, por ne na premtuan në ambasadën greke për kushte të mira, banesë dhe punë sapo të vinim. Kështu që qëndruam të gjithë atje". Ndërkaq, në kryeqytet kjo ngjarje bëri një bujë të jashtëzakonshme si te njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe në instancat qeveritare. Mbahet mend se në Teatrin Kombëtar, ndërsa po vihej afishja që paraqiste shfaqjen e një komedie të re, njëra nga aktoret më të njohura të vendit, Eva Alikaj, u tha me zë të lartë organizatorëve: "Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të detyrohen të qeshin përpara kësaj gjendjeje".

E pabesueshmja në ambasadën gjermane

Pa u lënë frymë strukturave të shtetit të organizoheshin, më 2 korrik muri i ambasadës gjermane u shemb nga një skodë në të cilën ndodheshin rreth 20 veta, burra, gra dhe fëmijë. Përpara turirit të makinës ishin vendosur thasë rëre, ndërsa sipër saj, në formën e ushqimeve paraprake, kishin marrë edhe disa dele. Megjithëse gjithçka ishte planifikuar me hollësi, ndodhi që muri rrethues nuk ishte mur me tulla teke, por dopio. Kështu që pas goditjes së tij, shumë nga të pranishmit u gjakosën në fytyrë dhe në trup. Ashtu të gjakosur ata kapërcyen murin e shembur, duke shënuar kështu kuotë të re për shembjen e diktaturës. Duhet thënë se brenda në ambasadë ndodhej një grup të rinjsh, pasi Ivi së bashku me shokët e tij kishin kapërcyer murin më parë. Por..Në ambasadën turke arratisja u krye në mënyrë spektakolare, nëpërmjet makinës së plehrave. Duke pastruar plehrat e qytetit, njerëz të veshur si punëtorë të komunales zbarkuan në ambasadën turke duke shënuar një të papritur të re. Më pas, së bashku me të ardhurit e tjerë që kishin hyrë më parë, Koli, Mondi, Ganiu, Fredi, Ardi etj. ata morën vizat tranzit për në Greqi dhe natën e fundit fjetën në hotel "Arbëria", ku duke pritur mëngjesin nuk vunë gjumë në sy.

Dita e rrallë 2 korrik 1990...

Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. Në këtë përleshje pati edhe shumë të plagosur, por qarkullojnë fjalë edhe për një numër enigmatik të vdekurish. Nga ana tjetër, njerëzit e policisë arrestonin pjesëmarrës të ndryshëm dhe i fusnin në makina, të cilat nxitonin nëpër rrugë, por edhe sot e kësaj dite asnjëri nuk e di destinacionin e tyre. "Unë shikoja që nga kangjellat e ambasadës greke këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej zjarrit policor ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, pastaj ngarkoheshin nëpër makinat ushtarake tip IFA, por nuk e di ku përfundonin," thotë një përfaqësues i trupit diplomatik. Në dëshmi duhet shtuar se dy kameramanë të policisë së fshehtë filmonin të gjitha fytyrat e pjesëmarrësve në këtë përleshje.

Ditët që pasuan..

Ishte dhënë një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t'u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t'u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: "Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit".

Dyndje e jashtëzakonshme dhe...

Në ambasada kishte një dyndje të jashtëzakonshme. Kuptohet që vështirësia ishte më e madhe për furnizimin me ushqime, por ato ambasada ku kishte një numër më të kufizuar, kushtet konsideroheshin më komode. Kështu, në ambasadën gjermane dhe italiane kishte më shumë probleme në ndarjen e ushqimeve, por duhet thënë se përkushtimi i personelit të mbetur (një pjesë e madhe e punonjësve të ambasadave ishin larguar) ishte në shkallën maksimale. Ndërsa në ambasadat turke, franceze, greke, çeke etj. ishte më e lehtë për të përballuar tranzicionin e pritjes dhe ndonjëherë ndodhte që refugjatët e ambasadës greke ndihmonin të afërmit në ambasadën fqinje me cigare, ushqime etj., por kjo ndodhi vetëm për njëfarë kohe, sepse pastaj nuk na lejonin më - thotë Edmondi. Dita gjithsesi ishte më lehtë për t'u kaluar, kurse nata më e vështirë. Ndodhte që natën policia e fshehtë shqiptare ngjitej në kangjellat e ambasadës duke u folur individualisht njerëzve që qëndronin aty. "Arbenit i ka vdekur nëna", "Iliri ka motrën të sëmurë" , ose "Dilni, sepse ata kanë vendosur t'ju bëjnë sapun, njëlloj si dikur në kampet e përqendrimit" etj. etj. Përveç kësaj, ndonjëherë vinin njerëzit e shtëpisë të nxitur nga shteti, të cilët u bënin thirrje të afërmve për të dalë. Në të gjitha rastet ne ishim të vendosur të qëndronim, por kishte ndonjë që edhe dilte për arsye të ndryshme, - thotë Edmondi.

Në ditën e finales së madhe

Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në kryeqytetin sportdashës të Shqipërisë u përcoll me një interes të paktë nëpër familje. Zërat e njerëzve ishin mekur plotësisht nga zhvillimet e fundit dhe shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kur u shënua goli i gjermanëve, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi, sepse kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Por pikërisht që nga ambasada gjermane papritur oshëtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin "Gjermani, Gjermani". Dhe në çastin e golit ky entuziazëm arriti kulmin. Atëherë njerëzit që banonin në qendër dolën në rrugë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollin dëgjonin oshëtimat e të ngujuarve, me shpresën e kotë se mund të dallonin zërat e të afërmve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë, po në atë masë sa ç'mund të ishte me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë etj., po qe se do të luanin në finale.

Me sytë nga atdheu!

Në mëngjes, që pa gdhirë dita, autobusët u ngarkuan me refugjatë duke u nisur drejt Durrësit. Njerëzit e tjerë, familjarë ose të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, duke parakaluar Laprakën. Me gjithë këtë devijim, edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me familjarë të të ikurve. Në Maminas autobusët janë ndalur përreth çerek ore. Gjatë kësaj ikjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj. të cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë, si "Nënës sime si kujtim", duke shkruar gjithashtu ndonjë adresë. Ndonjëherë thonë se në Tiranë, ku ashtu si kudo ekzistojnë vjedhjet dhe plaçkitjet, po të humbi diçka nuk e gjen kurrë më. Por atë ditë ndodhi krejt ndryshe. Atë ditë kur kombi kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes së tij, sendet e tjera apo florinjtë nuk kishin vlerë. Atë ditë nuk humbi asgjë, sepse të gjitha sendet mbërritën brenda ditës në destinacionet e adresuara. Njerëz që trokisnin nëpër dyer për të sjellë sendet e gjetura, pëshpëritnin me lot në sy fjalët: "Kërkoja një shenjë të tim biri, por gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava njëlloj si për fëmijët e mi". Iknin me sy të nga atdheu!

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm