Menu

Deivis Ajazi, një histori rrëqethëse e adoleshentit shqiptar

User Rating:  / 1
PoorBest 

Deivis Ajazi

Odiseja nga 28 gushti, deri 16 shtator 2015...

Nga Arben Progonati - E njoha rastësisht në FB. Duke parë disa nga librat e mi më bëri kërkesë dhe më ftoi në një bisedë. Më tregoi se kishte një jetë të vështirë për mbijetesë në Shqipëri dhe për shumë arsye për të parë të ardhmen mori rrugën e emigracionit. Kur i lexoja rreshtat e tij shumë gjëra më dukeshin të pabesueshme. Skena si në filmat hollivudianë. Udhëtime që nuk mund ti mendojë arsyeja njerëzore në shekullin e XXI. Në një moshë të adoleshencës merr përsipër veprime dhe lëvizje që si bën dhe një i rritur. Dhe të gjitha këto në emër të mbijetesës apo për ti shpëtuar një gjakmarrjeje.

* * * * *

Ja si shkruan ai në ditarin e tij:

"Quhem, Deivis Ajazi! Me origjinë jam nga Lura. Prindërit kanë disa vite që kanë ardhur në Tiranë. Banoja në Tiranë, lagja "Lura". U zhvendosëm nga Lura për problem hasmërie, siç më thoshin prindërit. Babai im quhet Arben Ajazi. Kur më thoshin çështje hasmërie, nuk e kuptoja, pasi isha I vogël dhe prindërit I shikoja si të trembur. Nuk e mora vesh kurrë të vërtetën e hasmërisë. Kjo gjendje më bëri të mendohesha gjatë të ikja përfundimisht nga Shqipëria. Nuk shikoja asnjë të ardhme. Mendoja vetëm ditë e natë vetëm të ikja. Të ikja larg nga vendi im, nga të dashurit e mi. Nuk gëzoja asgjë si fëmijë, nuk gëzoja asgjë si bashkëmoshatarët e mi. Nuk dija kush ishin lodrat, gëzimet, festat, akulloret, topi, miqtë e moshës. I mbyllur në vetminë time nag skamja dhe gjakmarrja.

Isha vetëm 15 vjeç kur mendova të largohesha përfundimisht nga Shqipëria. Nga Shqipëria jam nisur më 28 gusht 2015. Jam nisur nga Durrësi në drejtim të Italisë, brenda në kamion. Do pyesësh ku e gjeta kamionin? Tek parku afër doganës. Pyesja nga ishin kamionët, ku shkonin etj...Pashë një kamion me targa italiane, gjeta momentin dhe u struka brenda saj. Nuk më pa askush. Kisha ca bukë dhe një shishe ujë me vete. Nuk e di sa orë udhëtova. Kisha sajuar një të çarë nga mushamaja e kamionit dhe shikoja ku ecnim. Kur kishte kaluar mbi 10 orë udhëtim, kamioni ndaloi shumë gjatë. Dëgjova çelësin e derës së kamionit që u mbyll. Ishte natë. Zbrita me frikë. Eca rrugë pa rrugë deri sa pashë një kioskë. U ula në një stol afër saj. Pas disa orësh shkova afër vendit ku ishte kamioni që më solli. Pashë shumë kamionë të tjerë. Shikoja vetëm targat të mos thoshte Albania. Hipa në një kamion që me sa dukej ishte me targa spanjolle.

Prapë nj udhëtim shumë i vështirë. Mbi 20 orë me disa ndalime të shkurtra. Kur zbrita isha i dërmuar. Kisha ca euro me vete. Shkova në një supermarket bleva ujë një bukë dhe dhe pak djathë. Oh sa më shijuan. Ne Spanjë kam fjetur nëpër lulishte natë dhe ditë dhe bukë haja një herë në ditë. Mbas disa ditësh takova rastësisht disa shqiptar, ata me pyeten pse je këtu, çfarë bën? Un ju tregova të vërteten mirëpo edhe ata donin të iknin për Angli pas Spanjës. U bëmë grup. U lidhëm dhe po bënim plane se si të iknim në Angli. U hodh ideja të shkonim në Holandë....Prej andej thoshin se është më lehtë, ka më shumë lëvizje dhe ka më shumë komunikim. Vendosëm të shkonim me tren për në Holandë. Aty ndenjëm disa ditë duke marr informcion se ku qëndronin kamionët që niseshin për në Angli. Rrinim dhe me frikë. Kudo ishte policia. Sa mërzitje, sa problem që ishte. Unë nuk isha larguar asnjëherë nga familja jo më nga Shqipëria. Ditë tepër të vështira,. Ankth! Së fundi e gjetëm kamionin. U futëm në një rrëzë në fund sa nuk na vinte ajër fare. Rrija i strukur si harabel i frikësuar. Nuk e di se sa orë, ditë, natë shkoi udhëtimi, por di se në një moment më ra të fikët. Shokët e mi kishin marrë ujë me vete dhe mezi më sollën në terezi. Një udhëtim i pabesueshëm, më keq se në filma. Kam luftuar me vdekjen. Por fati ishte i keq. Sa mbërritëm në Angli na kapi policia. Ishte 16 shtator 2015! U tremba! U tmerrova! Thashë tani është fundi im. Na çuan në rajon të policisë. Sërishmi më ra të fikët. Nuk isha mësuar me ngjarje të tilla. Nuk dija si ishte bota, pasi isha i pa dalë. Kisha ndjenjë pasigurie. Policët më çuan në spital. Panë gjendjen time të stersuar dhe menduan se mos u ngelesha në dorë. Pas daljes nga spitali erdhën dhe më morën dy gra të cilat më çuan në një familje angleze për tu kujdesuar për mua. U kam borxh jetën...Deri këtu diçka po shkon mirë. Se di në çfarë shinash do ecë jeta ime...jam në pritje!

Tragjedia familjare

Familja ime është në hasmëri me vite për çështje tokash. Familja me ët cilën kemi hasmëri për vite me radhë i bën presion familjes time ti japim tokën aty ku kemi shtëpinë, madje së bashku me shtëpinë. Prindërit më thoshin mos u mërzit, familja jonë nuk u ka borxh tokë askujt. Disa herë kemi pasur dhe përleshje fizike me ata që na kërkojnë tokat. Disa kohë ra në heshtje kjo punë. Por muajt e fundit nisi më keq. Çdo ditë presione shantazhe, kërcënime për asgjësim fizik. Një jetë e padurueshme dhe tepër e frikshme. Policia ka ardhur disa herë dhe së fundi ka thanë u lodhëm me ju, zgjidheni me njeri-tjetrin. Pra ishte një polici e dobët, e pafuqishme para të fortëve. Familja që na ëkrcënon, para disa vitesh ka vrarë një të afërm të fisit tonë. Ata janë fis i madh që kanë emër për ët fort dhe pol mos respektim ligji. Pra ligjin e bën i forti. Të gjitha këto kanë ndikuar në personalitetin tim. Frikësohesha nga çdo gjë. Shokët më tokshin frikacak dhe më trajtonin keq. Disa prej shokëve më bënin presion të miresha dhe të përdorja drogë. Më ofronin në grupin e tyre dhe më bënin presion të vidhja. Kur nuk zbatoja urdhrat e tyre ata më rrihin dhe ma bënin trupin pis të zi nga goditjet. Shkoja në shtëpi duke thithur lotët dhe mundohesha që prindërit ët mos merrnin vesh. Por më vonë edhe ata e morën vesh të vërtetën por nuk kishin fuqi vepruese. Nuk kishin mbështetje. Nga këto halle babai filloi të pinte dhe të bëhej dhe ai i dhunshëm në familje. Unë kam një vëlla dhe një motër. Shumë herë shikonim që babi vinte dorë tek nëna por edhe tek ne. Babai nuk punonte por ato çka kishim kursyer i linte në lokal duke pirë ditë e natë. Një gjendje alarmante. Unë nëna, motra dhe vëllai nuk kishim mbështetje tek askush. Të vetmit që na ndihmonin ishin dajallarët. Ata na ndihmonin dhe na dërgonin para dhe ushqime që të mbanim veten gjallë. Këto ishin arsyet që u largova. Këto ishin ato që ma bënë jetën sterrë në Shqipëri. Tani kam vendosur: Në Shqipëri nuk kthehem kurrë. Edhe sikur me jetë ta paguaj, aty nuk kthehem.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm