Menu

Në ç’kohë jetojmë

User Rating:  / 0
PoorBest 
  • Category: Esse
  • Hits: 473

Nga Dr. Përparim Demi - Përparim DemiMe gjithëse e marr dozën ditore të informacionit konstant dhe azhornohem me ngjarjet e ndodhura në të gjitha fushat, prap nga njëherë ndjehem i pafuqishëm të kuptoj kahjen e ecurisë. Besoj se kjo më ndodh pasi ndoshta volumi informacional është aq i madh sa nuk jam në gjëndje ta përpunoj të gjithë, ose ndoshta informacioni arrin tek unë i denatyruar dhe jo nga burimi primar. Ndoshta më mungon kapaciteti të zbuloj idetë e reja që lindin nën shtresën e trashë të ideve të vjetra, të cilat shpesh dhe humbasin të pa vëna re, të pa cilësuara si të tilla. Ndoshta ndodh të dyshoj në gjykimin tim duke e konsideruar subjektiv dhe ta konsideroj atë të paaftë për tu shkëputur nga paragjykimet e rrenjosura thellë në subkonshtjentin tim. Më mundon fakti i kësaj shkëputje pasi nuk po jam në gjëndje të mbaj hapin me kohën në të cilën jetoj, nuk ja mas dot shpejtësinë, pa le pastaj që nganjëherë më duket sikur notoj kundër rrymës. Më duket sikur jam në një tren të ndaluar duke parë në dritare se si lëvizin në kahjen e kundërt pemët, shtyllat, shtëpitë e deri dhe toka vetë.

Kam përshtypjes se shoqëria njerëzore po kalon një proçes vlimi dhe e ka humbur me kohë formën e saj të parë, të qetë, kur ndryshimet kërkonin shekuj të ndodhnin. Ndodhemi në mes të vorbullës, të cilës akoma nuk i dihet dimensioni dhe burimi i energjisë. Tashmë duket qartë se jetojmë në botë paralele, ku ajo virtuale sa vjen e po bëhet primare dhe njerëzit e pa adoptuar, ndjekin rutinën e tyre pa kuptuar se anija e tyre është duke u mbytur. Gjënë më të rëndë konsideroj shkatrimin e struktures së vjetër pa ngritur akoma një të re, e cila të mbajë peshën e trajektores eksponenciale të zhvillimit, ku veprojnë forca centrifuge të shumëfishuara.

Një filozof fliste për të tanishmen që lind dhe për të tanishmen që vdes. Mu desh kohë të kuptoja sensin e ketij formulimi abstract mbi kohën e jetuar nga gjenerata të ndryshme. Nocioni i kohës ka filluar të shkrihet që në momentin kur njerëzit kuptuan se ajo përsëritet, ndron njësin e matjes dhe destinacioni i saj nuk ka një horizont. Thjesht ne projektojmë dëshirat dhe nga njëherë dhe ëndrat tona në një kohë të pa caktuar, të cilës nuk ja dimë koordonatat. Është koha jonë virtuale infinit e ndryshme për sejcilin. Pra jam kurioz nëse egziston një kohë kolektive, ku të ndërfuten të gjitha kohët tona individuale dhe si mund ta përceptojmë atë pa rënë në dëshpërim?

Pjesërisht, dimë çfarë ka ndodhur, po nuk dimë çfarë do ndodhi. Analistët projektojnë historinë, por shpesh nuk na bindin dot për vërtetësinë e saj. Sejcili ngul këmb për drejtësinë e variantit të tij dhe ka auditorin e vet besnik. Fatkeqësia jonë është se Zhul Verni dhe Nostra Adamus vdiqën dhe s'ka dal ndonjë tjetër ti zëvëndësojë, prandaj dhe ndeshim fallxhorë në çdo qoshe rruge, të cilët jetojnë duke shitur kohën e pa ardhur.

Për ata që punojnë dhe për konsumatorët dorëshpuar koha matet me para, për të tjerët të merresh me kohën është humbje kohe. Kush e shpiku paranë si mjet këmbimi as që e ka imagjinuar se çfarë fatkeqësie i ka sjellë kësaj bote dhe se do vinte një kohë që mund të shtoje paranë pa patur dhe pa shitur kurgjë. Tani edhe paraja është bërë virtuale, matet me shifra që qarkullojnë në botën tonë virtuale, depozitohet diku në të, nuk zë vend, nuk ka nevojë për roje me pushkë që ta ruaj, nuk i duhen kasaforta, nuk mund të vidhet me dorë dhe nuk transportohet me karocë. Ajo që mbetet reale, janë nevojat tona në rritje në kushtet e një demografie globale në ekspansion dhe me burime të kufizuara.

Koha e shfrytëzimit të egër mbaroi me kohë (të paktën në këtë pjesë të botës ku jetojmë), epokat zunë vendin njëra tjetrës sipas rradhës që dimë (skllaveria dhe bujkrobëria, kapitalizmi, komunizmi, postmodernizmi....).

Shfrytëzimi ka marrë forma të ndryshme përherë e më të sofistikuara. Sot në kushtet e globalizmit as që e di se kush përfiton nga puna jote dhe as që e merr dot vesh se sa përqind të saj të mbetet.

Në ç'kohë jetojmë vallë?

Shumë do doja ta dija. Shumë mundohen ta sqarojnë duke e turbulluar dhe më keq. Mundohem të dal jashtë saj dhe ndesh murrin që na rrethon, përtej të cilit nuk shoh asgjë. Kjo kohë pa kohë që nuk matet dot dhe që gëlltit jetët tona pa mbarim, a ka pas një fillim, a do ketë një mbarim?

Kur dëgjoj disa që flasin për jetën e përtejme, për një paqe imagjinare, shumë e këndëshme, aspak reale, e pa kapëshme dhe e pa parë, që vetë ata nuk e besojnë, çoroditem edhe më shumë. Shumë të tjerë i përsërisin frazat e pakuptimta për ta si një makinë zhurmuese, të cilën dikush tjetër e ushqen me benzinë që të punojë.

Përse gënjejnë?
Përse flasin për gjëra që nuk i dinë?
Po ne, përse duhet ti besojmë?

Bukuresht, 07.03.2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm