Menu

Melodi në rrjedhat e historisë

User Rating:  / 0
PoorBest 
  • Category: Esse
  • Hits: 416

Nga Llazar Syziu - Llazar SyziuKujdesi i njeriut për pasardhësit është një sjellje e tillë, e cila gjendet në format më të thjeshta të jetës edhe në shumëllojshmërinë e botës së gjallë. Kujdesi i tij për paraardhësit është një model i sjelljes shoqërore, të cilën nuk e gjejmë te gjallesat e tjera. Kjo merr formën më të lartë në përkujdesin dhe ritet, që shoqërojnë momentet e përfundimit të jetës dhe sidomos aktet ceremoniale të varrimit të trupit. Në qoftëse kujdesi për të vegjlit ka qenë një domosdoshmëri biologjike e mbijetesës në të gjitha gjallesat ku kryhet, kujdesi për largimin ceremonial të paraardhësit të njeriut, duhet të jetë i lidhur ngushtë me njohuritë e shumta të mbledhura nga përvoja jetësore personale. Tregues për këtë janë ritet e ndryshme ceremoniale për njerëzit sipas vlerës shoqërore të tyre.

Pavarësisht se dikush largohej nga jeta, njohuritë dhe qëndrimet e tij ishin ende të nevojshme për grupin. Shpesh kujtimi për të vdekurin bëhej simbol i fuqisë, shkathtësisë, dijes, durimit dhe triumfit. Për simbole të virtyteve, shpesh njerëzit merrnin qenie të tjera të gjalla, bimë apo kafshë. Jo rrallë për simbole janë përdorur edhe objekte jo të gjalla. Mishërimi në simbole rriste forcën e besimit te njerëzit, i përqëndronte ata dhe përmirësonte procesin psikologjik të tyre. Këto jepnin dendur motivin për të këmbëngulur në një proces të caktuar, për rrjedhojë shpesh vilnin frutet e fitores ndaj forcave të natyrës, apo të shoqërisë. Forca e besimit me të tillë natyrë është e përfshirë në besimin pagan.

Grupet shoqërore të organizuara në këtë kohë nuk ishi shumë të mëdha. Njohuritë e grumbulluara prej tyre për natyrën, po ashtu kishin vlerë të kufizuar, në kohë dhe në hapësirë. Ndeshjet midis grupeve me besime në simbole të caktuara ishin të shpeshta. Fryma luftarake bëhej kriter përcaktues për grupin. Si pasojë e këtyre ndeshjeve u bë e mundur sundimi i një grupi mbi të tjerët, duke krijuar atë bazë të përbashkët për grumbullimin e njohurive dhe pasurive. Po ashtu paralelisht ndërtoheshin forma organizimi shoqëror më komplekse se më parë. Konkurenca Brenda grupeve, gjithmonë dhe më të mëdha, nxirrte vazhdimisht njerëz me cilësi më të spikatura në dije, drejtim, forcë dhe aftësi ushtarake, në praktikat e gjithfarllojshme për shfrytëzimin e natyrës dhe të shoqërisë.

Pavarësisht se njohuritë për botën u shtuan mjaft, së bashku me këto edhe format e transmetimit të tyre, bota ishte mjaft e madhe për t'u studiuar me organet e shqisave të njeriut. Gjithashtu edhe mjaft e ndërlikuar. Besimi i pavarur, në simbole të ndryshme, po e humbte gradualisht fuqinë. Sado të shumta të ishin simbolet, përsëri ishte tepër i madh numri i njerëzve që zgjidhnin të njëjtin simbol si udhëheqje shpirtërore.

Gradualisht simboli i përbashkët u bë pafuqishmëria për të njohur deri në fund botën dhe për të zotëruar plotësisht atë. Besimi në një forcë mbinjerëzore, të plotfuqishme, e cila realizonte rregullimin e proceseve dhe dukurive, filloi të merrte përmasa gjithmonë dhe më të mëdha. Gradualisht u bë kthimi i saj në një simbol të dijes dhe forcës, drejtësisë dhe virtytit, aktualitetit dhe parashikimit. Kjo u realizua në periudha të ndryshme kohore në grupe shoqërore mjaft të mëdha dhe që kishin shtrirje shumë të gjerë. Detyrimi i përbashkët i njerëzve me besim të njëjtë, ishte vetëdijësimi, njohja dhe nënshtrimi ndaj kësaj force të plotfuqishme. Qëndrimi ndaj këtij besimi të përbashkët duhet të përfshinte sjellje në përputhje me normat më të mira të gjithpranuara në moralin shoqëror. Njerëzit të cilët "visheshin" më mirë me këto tipare, respektoheshin më tepër dhe konsideroheshin si zëdhënës të kësaj fuqie të mbinatyrshme dhe të gjithpushtetshme. Ky besim ngadalë po bëhej gjithpërfshirës, pavarësisht se emërtimi i kësaj fuqie në grupet e mëdha shoqërore do të ketë, ashtu si deri në ditët e sotme emërtime të ndryshme. Më dendur këto emërtime kanë qenë të gjinisë mashkullore, por nuk janë kursyer edhe emërtime të gjinisë femërore. Ky lloj besimi i ri, gradualisht u bë mjaft unik dhe do të orjentonte shndërrimet shoqërorer dhe natyrore, të një numri shumë të madh brezash njerëzor.

Me kalimin e kohës, rregullat e moralit shoqëror mbi sjelljen model në shoqëri, e cila kënaqte edhe qëndrimet ndaj të plotfuqishmit, u përsosën më tej. Shtresa të caktuara shoqërore, me interesa dhe kulturë të përcaktuar sociale, krijuan rrymat e tyre, gjithmonë këto të nënshtruara ndaj të plotfuqishmit. Megjithë përparësitë që kishin këto rryma besimi, në krahasim me besimin pagan, ato mbetën të kufizuara nga dara e fortë e moralit individual.

Ato nuk mund të operonin me ligjshmëritë shoqërore, të cilat përsëriteshin dhe përsëriteshin vazhdimisht, në trajta të caktuara evolutive. Ka patur gjithmonë rite besimi me shtrirje mjaft të gjerë, të cilat si ideal të tyre nuk kishin fuqitë e mbinatyrshme, por njerëz me cilësi morale përputhëse me modelet më të mira të kohës.

Zakonisht këtyre individëve u ndërtohej një kult i tillë individual sa që shpesh shmangeshin elementët më të domosdoshëm jetësor të tyre. Pra nga faktorë real fillestar, këta individë shndërroheshin në mite popullore.

Edhe bota e nënshtrimit ndaj të plotfuqishmit ka simbolet e saj. Këto simbole përforcohen me ndihmën e veprimtarive rituale. Rite këto, që realizojnë në mënyrë të vazhdueshme formëzimin e steriotipave shoqërorë mjaft të qëndrueshëm. Vetësakrifikimi i vetëdijshëm dhe i vullnetshëm i anëtarëve të besimeve të ndryshme, flet më së miri për forcën e vullnetit që realizojnë njerëzit duke bashkëjetuar në grupe të tilla. Tendencat e ndryshimit të botës natyrore dhe shoqërore prej një besimi të caktuar, tregojnë më së miri, se shpesh këto modele të ekzistencës së grupit kanë patur sukses në bashkërendimin e natyrës biologjike dhe shoqërore të njeriut.

Edhe sot bota është mjaft e madhe për t'u njohur, bile edhe me aparatura mjaft të sofistikuara. E madhe dhe mjaft e ndërlikuar. Për t'u njohur plotësisht nuk mjaftojnë edhe njohuritë e të gjithë brezave së bashku. Sa vjen edhe më i madh bëhet numri i njerëzve, të cilët realizojnë shkollim të plotë. Natyrisht edhe diplomohen në specialitete të veҫanta. Por zakonisht ata përvetësojnë elemente të veҫanta të dijes, sipas profesionit. Të paktë janë ata që ndërtojnë një botkuptim kompleks për funksionin e botës sipas ligjeve natyrore. Në varësi të dijes që disponojnë, shumica e njerëzve ndajnë me njeri-tjetrin besimin e nënshtrimit ndaj të plotfuqishmit dhe forcave të verbëra natyrore. Besimin mbi domosdoshmërinë e një morali të caktuar si rrjedhoje e pozicionit nënshtrues.

Fatkeqësisht cilësia e shkollimit që realizojnë individët në institucione, trgon për një vullnet të pakët që njerëzit aplikojnë në përvetësimin e plotë të dijes. Jo vetëm sot por edhe nesër do të ketë me shumicë individë të cilët ndajnë të tillë besim.

Sot ka rryma shoqërore të cilat realizojnë veprimet e tyre në përputhje me ligjet e natyrës. Bile edhe kundërpërgjigjet për fenomene të thella shoqërore, i realizojnë në përputhje me ligjshmëritë sociale. Ato janë relativisht më të reja, por edhe më të shumta. Ashtu si rrymat e besimit, kanë ndërtuar institucione, organizime shtetërore apo perandori edhe këto nuk mbeten më prapa në shkallët e organizimit që kanë realizuar. Roli i tyre në shndërrimet shoqërore dhe natyrore është tepër i madh. Edhe konfuzioni që ato shkaktojnë kap vlera të larta.

Në shumllojshmërinë e tyre vërejmë dy prirje: "djathtas" dhe "majtas". Djathtas, përkrahin fuqishëm inisiativën individuale, mbështesim pronën private, duke justifikuar në këtë mënyrë shumëllojshmërinë e niveleve ideore dhe materiale midis njerëzve. Krijojnë kushte për ekzistencën e konkurencës, si një element i rëndësishëm i cili mbart vlerat e tij në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Shpesh kjo konkurencë arrin vlera aq të larta sa e detyron shoqërinë të bëjë hapa mbrapa. Majtas kanë tendenca për krijimin e mardhënieve sa më të barabarta midis njerëzve, reduktojnë në minimum disponimin dhe përdorimin e pronës private, duke krijuar pengesa serioze për aplikimin e inisiativave individuale dhe për rrjedhojë eleminimin e produktit që krijon konkurenca në zhvillimin e shoqërisë. Planifikimi vetëm prej një grupi njerëzish, sado të ditur që të jenë ata, nuk mund të barazohet me sukseset që mund të arrijë një shoqëri me inisiativë të lirë të anëtarëve të saj.

Në të dy drejtimet vërejmë prirjet e moderuara, të cilat pranojnë ndryshimin shoqëror duke marrë parasysh funksionimin e shoqërisë me sa më pak kontradikta në veprimtaritë e saj. Në të dy krahët vërehen shtresëzime radikale, të cilat ofrojnë aplikimin e kërkesës për një kontroll të shpejtë dhe të plotë të shoqërisë. Fatkeqsishtë në të dy krahët vërehen grupime ekstremiste, të cilat duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm në raportet ekzistuese shoqërore, shkaktojnë fatkeqsi të mëdha, deri në eleminim fizik të anëtarëve të shoqërisë. Edhe alternativat fetare shfaqin ekstremizëm të mprehtë në realizimin e veprimtarive të tyre. Ekstremizmi nuk ka dhënë ndonjëherë rezultate të qendrueshme në funksionimin shoqëror, megjithëse shpesh arrin t'i ndryshojë raportet shoqërore në mënyrë mjaft të theksuar. Dëmet që i shoqërojnë këto ndryshime raportesh, i mjegullojnë plotësisht arritjet e tyre.

Edhe bota e ndryshimeve në përputhje me ligjet e natyrës, ka simbolet e saj. Këto simbole shoqërohen shpesh me slogane, të cilat përcaktojnë drejtimet më imediate të lëvizjeve shoqërore. Edhe rrymat që mbështeten në ide shkencore për zhvillimin e botës kanë përfaqësues të tyre, të cilët sakrifikojnë shumë nga vetja, aq shumë sa ndonjëherë arrijnë në vetmohim. Pavarasisht nga arritjet që kanë realizuar grupet me platform të tilla ideore, besimi që ato përcjellin ndër anëtarët e tyre është tepër i madh. Vetmohimi ashtu sikurse sjellja ekstremiste me kundërshtarët nuk ka vlerë për hedhjen e themeleve të bashkëekzistencës në paqe për një kohë të gjatë. Në qoftëse eleminohen nga gjiri i shoqërisë elemetët që kanë ide më të qarta dhe me besim më të fortë në parashikimet e tyre për të ardhmen, atëhere kush do të mbetet për të realizuar vazhdimësinë e ideve? Sa më të qarta të jenë pikëpamjet e parashtruara për konsensus, aq më afatgjatë dhe e sigurt do të jetë bashkëekzistenca paqësore.

Njerëzit sot janë shumë afër me njeri-tjetrin, në sajë të komunikimit të fuqishëm midis tyre. Shkëmbimi i ideve dhe përvojave, është në shkallën më të lartë. Përvojat e fituara nga grupimet që përfaqësojnë ide apo besime të caktuara, të ndryshme, janë të shumta. Shpesh aplikimi i përvojave të tyre, është analizuar duke veҫuar përbërësit më të shëndetshëm moral dhe shoqëror. Në kushte të tilla shfaqet pluralizmi si melodi e kohës. Kjo do të thotë, që të pranosh të tjerët të marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve, pavarësisht nga idetë kontradiktore që mund të kenë të mishëruara. Konsensusi dhe marrëveshjet nuk kanë qenë të pakta në historinë e botës njerëzore, por ato më tepër janë konsideruar si një armëpushim i mundshëm, që përgatiste një luftë të re edhe më të ashpër në të ardhmen. Pluralizmi demokratik kërkon të realizoj praktika, të cilat sigurojnë paqen e qëndrueshme.

Grupimet, të cilat mbështeten në ide apo besime të ndryshme, njohin shembuj të shumtë të detyrimit moral dhe fizik të njerëzve të tjerë që nuk ndajnë të njëjtat ide dhe besime me ata. Këto imponime vërehen më të qarta kur platformat e ideve të tyre, konsolidohen dhe fitojnë pushtet. Shumica e platformave ideore, të cilat janë aplikuar deri tani, kanë dështuar. Kjo ka ndodhur jo si rezultat i cilësisë dhe forcës së tyre. Kjo ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhi për sa kohë këto platforma mbështesin interest e grupit, duke mos u kujtuar për eleminimin e kontradiktave me të gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Zhvillimet demokratike, kudo që vërehen, janë mbështetur te pluralizmi. Këto zhvillime nuk janë rrjedhojë e shfaqjes së një besimi apo ideje të re në transformimet e mundshme shoqërore. Pluralizmi demokratik ka të bëjë me aplikimin e praktikave të tilla që realizojnë ekuilibrimin e faktorëve shoqërorë të në kohe të caktuar. Dendur rryma të tilla nëpër tubime reklamojnë sloganet "liri" dhe "demokraci". Problemet që shfaqen në të tilla zhvillime shoqërore janë të shumta. Po veҫojmë dy prej tyre. Së pari vërehet se i jepet liri veprimi ideve të reja, krejtësisht pa përvojë në ndeshjet me problemet e praktikës. Kjo e banalizon fjalën liri. Kjo tendencë pjell anarshi dhe destabilizim. Së dyti fitojnë të drejtën të vishen me petkun e demokracisë qëndrime dhe veprime, të cilat bien ndesh në mënyrë të hapur me normat e moralit shoqëror. Në mënyrë që zhvillimet shoqërore të realizohen me efikasitet, liri duhet të fitojnë ato ide dhe veprime, të cilat janë sprovuar me problemet e praktikës. Po ashtu qëndrimet dhe veprimet që vishen me petkun demokratik, duhet të jenë në përputhje me lehtësimin e vazhdueshëm të veprimtarive kryesore të njerëzve gjetë ndërveprimit reciprok.

Ekzistenca në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, e njerëzve me mosha të ndryshme, me nivel njohje për botën të ndryshëm, me ide dhe besime të shumta, nuk lejon mundësi ekuilibri të qëndrueshëm me ndihmën e sensibilizimit shoqëror, aq më pak me ndihmën e forcës. Zbatimi i praktikave të rregulluara të pluralizmit, me konsensus, ofron shpresa për një barazpeshim të faktorëve më të rëndësishëm të kohës në të cilën aplikohen.

Në shoqëri gjithmonë ekzistojnë njerëz më të zgjuar se mesatarja e shoqërisë, të cilët shpesh kanë tendenca të abuzimit me liritë dhe të drejtat e të tjerëve. Gjithashtu gjithmonë do të ketë individë më pak të zgjuar se të tjerët, të cilët nuk arrijnë të përfitojnë të gjitha të drejtat e tyre, megjithëse ato mund të jenë fiksuar më së miri në formë institucionale. Duhet të jetë tepër e qartë për anëtarët e një shoqërie, se liria e secilit individ mbaron atie ku fillon liria e tjetrit. Praktikat konsensuale të pluralizmit janë një pengesë e sigurt që këto dukuri negative të mos funksionojnë në baza grupi, apo edhe më keq, si shtrsëzime të gjera shoqërore.

Përcaktuese për prioritetet e grupeve të ndryshme në aktivitetet shoqërore, zakonisht janë sasia dhe ashpërsia e kontradiktave ekzistuese në shoqëri. Në një shoqëri me kontradikta të forta, dalin në krye grupet ekstremiste.

Kur shoqëria ka tipare të anarshisë, fitojnë rrugë të lirë veprimi rrymat radikale. Grupet me platforma të moderuara, të cilat marrin parasysh më tëpër, kërkesat e anëtarëve të shoqërisë, zakonisht dalin në krye, me anë të votës popullore, në periudha me kontradikta relativisht të dobëta.

Ne shqiptarët si komb, besimin pagan ia nënshtruam besimit të krishterë, që në periudhën e lindjes së tij. Ky besim nuk lindi në trojet tona. Nisur nga përparësitë që e shoqëronin, ai e spostoi besimin pagan, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë kontinentet. Organizimet e fuqishme osmane imponuan pjesërisht, jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkan, por edhe më gjerë, 500 vjet më parë, besimin mysliman, të një grupi me shtrirje gjithashtu të madhe në botë. Pas pavarësisë rrymat me ide shkencore për zhvillimin e botës lulëzuan shumë shpejtë. Si në të gjithë botën ato e spostuan ҫdo rrymë besimi nga qeverisja e drejtpërdrejtë e shoqërisë. Pas luftës së dytë botërore këto të fundit ia lanë vendin ekstremizmit të majtë. Pas vite ve 1990 vendi lëkundet në prehërin e pluralizmit demokratik.

Si përkrahës dhe mbështetës të rrymave më të gjera të besimit dhe të ideve shkencore në organizimin e shoqërisë, vendi ynë krijon mundësi të mëdha që me ndihmën e konsensusit pluralist demokratik, të hedhi bazat për një bashkëekzistencë paqësore të qëndrueshme. Të krijoj mundësi për zhvillim dhe mirëqenie të popullit shqiptar. Frute këto, me të cilat do të shperblehen ata breza shqiptarësh, që do ta kërkojnë të përparuarën, të mirën dhe të qëndrueshmen, jo vetëm në përvojën e pasur brenda vendit, por kudo ku ekzistojnë përvojat dhe arritjet më të mira në organizimet shoqërore botërore.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm