Menu

Kurth - Vilhelme Vrana Haxhiraj

User Rating:  / 0
PoorBest 

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Kurth

Ajo mbërriti në stacionin e trenit në kohë, pak para orarit të nisjes. Menjëhjerë më ra në sy veshja e zezë elegante dhe qëndrimi i saj shpërfillës ndaj gjithçkaje që e rrethonte. Po ta vëreje me kujdes, dukej sikur këto ia rrisnin më tepër besimin për të qenë vetvetja. E hijshme, e zhdërvjellët, shtatselvi dhe një proporcion i rregullt mes kurmit e gjymtyrëve, do të zilepsnin këdo. Këmbët e bukura pa asnjë të metë dhe me qëndrimin stoik mbi takat e larta, e bënin atë sa joshëse dhe po aq ekzaltuese për gjithë ata që e rrethonin. Qëndrimi i saj disi i mënjanuar nga turma e udhëtarëve, edhe pse të gjitha këto e tregonin paksa fodulle, gjithsesi qysh sa mbërriti në stacion, më tërhoqi vëmendjen si me magji. Mënyra naziqe se si zbriti nga makina këmbën e djathtë në tokë, më pas të dyja dhe kur nxori në pah gjithë trupin, menjëherë në tru, ashtu vetëtimthi, më gëloi një pyetje:

Cila të jetë vallë? Ku shkon e vetme në këtë ndajnatë të errët etë acartë?!” Nisa ta zhbiroja të tërën që nga këmbët e deri te koka...Pa dashur i jargavitur prej epshit mashkullor të çastit, që është i pavetëdijshëm, ngaqë Nevetja në raste të tilla del jashtë kontrollit të ndërgjegjjes. Një lakfyt nisi të më zvargej drejt stomakut si një ngërç frymëmarrës, që s’ishte gjë tjetër veçse dëshira përvëluese për ta njohur, për t’iu afruar dhe kërshëria për ta shijuar nga afër. Pa dashur nënzërita, aq sa as vet nuk e dëgjoja zëzërimën time:

”O Zot, gjithçka në Qenien e saj është e përkryer. Pa le ...guxojnë të thonë pastaj se është e vështirë ta ndeshësh përsosmërinë në përditësinë tonë. Po a nuk e kam para syve të përsosurën?!

Çfarë i mungon kësaj zonje vallë?”

Shikimi im ngulmues, si duket i tërhoqi vëmendjen dhe ktheu kokën nga unë me mendimin se mos isha ndonjë i njohur i saj. Një dritë e beftë shkëlqeu në fytyrën e saj engjëllore, e cila u shua shpejt, menjëherë si flaka e qiririt, ndoshta për shkak të zhgënjimit të paparashikuar. Bukuria e saj u duk aq pak, sa vezullimi i zajeve të lumit nën dritën e hënës. Gjithsesi koha ishte e mjaftueshme për t’i gjithëpërfshirë në ndërgjegjjen time ato tipare të ëmbla, që marrosin piktorin dhe poetin.

Nuk kanë thënë kot: “gruaja është vet poezia...”

Flokët e gjata të zeza me onde, të mbledhura nën kapelen elegante, që si një kornizë e punuar nga dora e një mjeshtëri, qarkonin fytyrën e saj të bardhë. Kjo i nxirte më në pah tiparet e zeza të harmonizuara, ku spikatnin vetullat si hëna në ditën e parë të ciklimit rrotullues, qerpikët e gjatë që qarkonin sytë e mëdhenjë e të gjelbër, që dukej se gati-gati shkriheshin në një të tërë me harqet e vetullave , që vazhdonin me hundën e skalitur, me majë pak të ngritur. Buzët e fryra gjithë tul, pak të hapura, nga ku dukeshin dhëmbët e rregullt, që bashkë me flegrat e tejhapura të hundës, flisnin se ajo bukuri kishte një dëshirë të ethshme për të jetuar...Gjithë qenia e saj, sidomos majuca me flegrat e hundës dhe goja pak e hapur, me gjuhën e pafolur,  flisnin se ishte një femër tekanjoze, të cilën jeta e ka llastuar. Ndoshta më dukej mua, por në tërë qenien e saj dukej e veçantë, tej të zakonshmes që e ndeshim në përditësinë jetike. Prej një zonje të tillë në atë stacion të largët të Evropës lindore, mund të prisje gjithçka. Nuk di pse ashtu befas, mes dhëmbëve belba: “E paparashikuar”. Ishte ajo e tillë, apo rrjedha e udhëtimit ? Nuk e di, nuk e di...

Pas pak minutash, përmes qendrës së zërit, mes ajrit të tendosur të pragmuzgut, u shpërnda tejendanë atmosferës, lajmi se treni do të vinte me njëzetë minuta vonesë.

Të gjithë lëshuan një pasthirrmë pakënaqësie...ohhh...! Jehona e saj u tret në masën e ftohtë të ajrit të mugët të zonës subpolare të gjysëmhemisferës veriore. Kurse unë, ndryshe nga të tjerët, u lumturova se ndoshta më krijohej mundësia që t’i afrohesha. Pas pak sekondash ajo u drejtua për tek Bari i stacionit. Qëndroi disa sekonda në pragderë, për të parë se ku kishte ndonjë tavolinë të lirë. Zakonisht baret pranë stacioneve e sidomos në zonat jashtë qytetit,  janë të vetmit ku mund të qetësohen apo të presin udhëtarët.

U ul në një tavolinë e kërkoi një kafe dhe ujë me akull. Ndërsa unë hyra, bëra disa hapa në brendësi të Barit dhe ashtu i dyzuar, u ktheva mbrapsht. Menjëherë ndesha në shikimin pyetës të saj, e cila ishte ulur në tavolinën pak hapa nga unë. Papritur ajo vetëm me sy dhe duke zgjatur dorën e saj gjithë elegancë, më ftoi të ulesha, gjë që më breshtoi në vend. Gjithsesi u ula në karrigen përballë saj. Nga afër ishte edhe më e bukur. Tiparet e nxirnin shumë më fisnike dhe kryelartë për atë që ishte. Aromë dehëse trëndafili që vinte nga trupi i saj, e bënin akoma më joshëse.

-Ndoshta...prisnit ndokënd dhe unë...- belbëzova si nxënësi para mësueses pasi ka bërë gabim.

-Jo, jo...-nxitoi të përgjigjej në një anglishte të bukur.- Jam fillikat deri në Paris...Oh, më falni! Quhem Suzan,- dhe më zgjati dorën e saj delikate.

Duke prekur atë dorë të bukur, një drithërim më përshkoi të tërin. Jashtë godinës, atmosfera paralajmëronte një mot bore, kurse mua më kishte shkuar temperatura nuk di se sa... Teksa përjetoja madhështinë hyjnore të së panjohurës, ndieja etje marramendëse, të cilën e shuan vetëm burimi i ftohtë i gurrave të pashtershme, që vetëm me gurgullimën a regëtimën e tyre të sjellin paqen e shpirtit...

-Gëzohem! Arbëri...,- iu përgjigja si i zënë në faj. Kur shqiptova emrin tim ajo mblodhi supet, dhe duke i ngritur, i shoqëroi me mimikë...

-Hera e parë që e dëgjoj këtë emër, - shqiptoi disi çuditshëm mes një nënqeshjeje, që m’u duk paksa tallëse. I shokuar nga prania e saj, bëra sikur nuk kuptova. Emigracioni më ka mësuar që të jem i durueshëm, ndryshe nuk ia dal dot duke u përgjigjur zjarr për zjarr. Kjo për shumë arsye. Kur porosita për vete, e pyeta nëse pranonte diçka nga unë e më pas porosita kafe.

Shijonim kafenë në qetësi, ndërsa ajo pyeti befas:- jeni polak?

-Jo jam shqiptar...

Ajo harkoi pak vetullat, që m’u duk se për të isha kombësi e panjohur, ndaj e përforcova...

-Jam nga Shqipëria që bota e njeh me emrin Albania. Jetoj dhe punoj në Spanjë, aktualisht në Barcelonë.

-Unë jam skoceze dhe jetoj në Kembrixh. Kohët e fundit kam dëgjuar shpesh të flitet për vendin tuaj. Sipas atyre që e njohin, duket vend interesant. Po pse ndodheni në Poloni?

-Motra ime ka studiuar në Universitetin  e Varshavës, ku u njoh dhe u dashurua me një polak. Isha në dasmën e tyre. Prindërit e mi do të rrinë disa ditë këtu në brigjet e lumit Visla, ku familja e burrit ka një vilë. Këtu u bë ceremonia e martesës. Çifti i ri jeton e punon në Gdansk, port i madh detar në detin Balltik. Unë isha i detyruar të kthehesha, pasi nuk më premton koha.Jo vetëm punoj, por edhe studioj.

-Po ju përse këtu?

-Nëna ime ka origjinë polake. Unë mora pjesë në ceremoninë mortore të vëllait të saj, meqë mamaja është e moshuar dhe nuk mund të bëjë udhëtime të gjata. Edhe ata jetojnë në Krakov. Ndërkohë u dëgjua sirena e trenit. U ngritëm dhe u drejtuam, drejt vendqëndrimit të tij, si dy miq të vjetër.

Si u sistemuam në tren, vazhduam të bisedonim për gjëra të ndryshme. Rruga është më pak e lodhshme kur kalohet me biseda të këndshme. Ky ishte tren që qarkullonte brenda kufijëve shtetëror të Polonisë. Pas disa orësh në kufirin polako-gjerman zbritëm dhe morëm trenin orientekspres që vjen nga Varshava, i cili lidh disa nga kryeqytetet e Evropës. Është shumë komod, i shpejt,i cili i ka të gjitha shërbimet. Sa vendosa bagazhet në dhomën time, menjëherë dola në Bar për një kafe. Pas pak u bashkua me mua edhe bukuroshja angleze, Suzan.

Ishte kënaqësi të rrija e të bisedoja me të. Megjithëse anglishtja ime e paplotë, e bënte atë shpesh herë për të qeshur, gjithsesi ne merreshim vesh për bukuri.

-Kështu janë të gjithë shqiptarët si ti?

-Pse si jam unë?!...

-Je gazmor, edhe pse bën gabime gjuhësore, përsëri  je elokuent, tolerant, i këndshëm në biseda. Me ju ndihem në shoqëri të mirë. Madje e quaj veten me fat që ju takova dhe po udhëtojmë bashkë. Nuk di si do t’ia bëja vetëm në këtë udhëtim të gjatë.

-Kjo është rastësi, zonjë dhe ma do mendja se është kalimtare.

-Ku i dihet...rastësia apo dëshira mund të na ritakojë...A nuk është rastësia mbret i mrekullive?

-Nuk ka asgjë të pamundur. Në vendin tim thuhet: “Mali me malin nuk piqen, kurse njerëzit takohen një ditë...”

-Kam të drejtë kur them se ju shqiptarët jeni interesant.

Si çdo kombësi edhe ne shqiptarët kemi karakeristikat tona, që na veçojnë nga popujt e tjerë, madje edhe nga fqinjët e tjerë ballkanas.

E dëgjoja me ëndje tek fliste dhe mendoja...

Veç bukurisë fizike, ajo po shpalos edhe një tjetër bukuri, atë shpirtërore. Me praninë e saj ndihem i ngopur si me magjinë që fal natyra. Nga joshja e saj, unë,një emigrant, i harruari i kohës, po bëhem me flatra. Duke e dëgjuar atë si në ëndërr, ndjej fëshfërimën e gjetheve të pyllit, regëtimën e stalaktit në shpellë, ligjërimën e ujëvarës që zbret nga mali, rrapëllimën zhurmëmadhe të dallgës detare që zemërimin e shfreh mbi shkëmb...Gjithsesi bregu dhe vala janë përjetësisht të dashuruar.”

-Arb.., fizikisht je këtu, kurse me mend...s’di se në ç’planet je duke fluturuar, -vërejti ajo.

-Më falni! Isha zhytur trup e shpirt në botën time...në atë botë që nuk ekziston, tej të mundshmes.      

-A mund të ma shprehësh botën tënde imagjinare me fjalë?

-Zonjë, unë e lidh gjithçka me natyrën e vendit tim. Nuk ju vjen keq nëse ju them se frymëzim për të udhëtuar mendërisht në trojet e të parëve të mi, jeni Ju?

-Aspak...madje më vjen mirë! Veç të lutem, ma trego ëndrrën !

-Kapërceva dete, male fusha, lumenjë, përshkova tërthor kontinentin plak dhe mbërrita atje në viset e mia. U ula aty ku lindën stërgjyshët e mi, ku lindi gjyshi, nëna ,babai, ku qava dhe qesha për të parën herë. Vendi im është shumë i bukur, zonjë, por tejet i varfër. Për këtë arsye mërguam nëpër dyert e botës së egër. Vendi im është më bujari në glob. Ai të pret me buzëqeshje sepse tre të katërtat e vitit i ka ditë me diell. Me mend sapo hyra në gjirin e tij dhe ndjeva jehonën e pyllit, krismën e pushkës tej në luginën mes dy maleve me borë të përjetshme. Tek rrija shtrirë, ashtu symbyllur dëgjova simfonitë e rralla të natyrës, që ndjehen vetëm në vendit tim. Papritur veshi më kapi trokun e kalit mbi kalldrëm, që i lodhur kthehet nga rrugë e largët. Papritur nuhas aromën e barit të pashkelur me kristale vese, që nën rrezet e diellit duken si margaritarë të pafund. Kjo ndjesi më shkaktoi marramendje dhe dëshirën për të qëndruar atje. Sa dola nga pylli, më përkëdheli puhiza detare. Atje në atë tokë të bekuar, kokën ma freskoi bora, trupi mori jetë nga pisha e zezë, që është oksigjeni i vendit tim, kurse këmbët i zhyta në det. Më thoni  zonjë, a nuk ka bukuri të rrallë vendi im? Në një kilometër vijë ajrore njeriu provon tri klima,

-Ti qënke artist. Paske aftësi të rralla për të treguar bukur.

-E keni ju fajin që jeni kaq e bukur. Ju më bët të ëndëroj pafundësisht.

-Çudi, njeriu është qenie e pangopur, i vetëdijshëm për atë që kërkon të bëj apo se çfarë i pëlqen, kërkon t’ia marrë jetës. Tregimi yt s’di si ta spjegoj, por më shkaktoj drithma. Shikoni, shikoni se si jam rrëqethur.

-Për fat të keq, këto janë dëshira dhe si të tilla janë subjektive. Vetëm realiteti është objektiv, i realizueshëm.

-Tregimi yt s’di si ta spjegoj, por më shkaktoi një ndjesi të çuditshme, atë të të ftohtit polar,- e për t’u habitur, ajo nisi të kërciste dhëmbët. -Më fal, unë po shkoj të shtrihem se nuk ndihem mirë.

-Prit sa t’u sjell një pije që do t’ju ngroh.

Pa u vonuar shkova në dhomë dhe mora faqoren e rakisë. Më kishin sjell prindrit raki rrushi për një profesorin tim të Universitetit. I dhashë të pinte disa gllënjka të vogla. Pas pak nisi të nxehej dhe iu skuqën faqet që pak më parë i dukeshin pa gjak.

Pasi më falenderoi, kërkoi lejë dhe u ngrit. Para se të largohej, i dhashë numrin e telefonit tim.

-Për çdo rast nevoje, mos nguroni të më telefononi.

-Do ta kem paarsysh, patjetër...Ju faleminderit edhe njëherë!

“Çudi si nuk e ka zënë asnjëherë burrin e saj në gojë? U mjaftua me pak fjalë...’Jam e martuar prej 18 vitesh dhe kemi dy fëmijë, që vazhdojnë studimet në lice...”   Në çastin që po ngrihesha, ra zilja e telefonit...Ishte Suzana që kërkonte të shkoja e ndërkohë më dha numrin e dhomës.

E gjeta shpejt se ishte afër Barit. Trokita në derë dhe ula dorezën. Çuditërisht dera u hap.

-Me lejë, mund të hyj?

-Eja...porta është e hapur, - hyra me droje. Natyrisht ishte dhoma e një femre dhe... U breshtova kur e pashë. Ajo ndodhej shtrirë, e pafajshme si një engjëll, ashtu e tulatur mes dantellave e mermerit rozë, që e bënte të dukej si princeshë përrallash, dukej e pambrojtur, si në mëshirën e  fatit. Gjithçka më tundonte drejt saj. “Mos u çmenda? Ej, Arbër, thirri mendjes sa s’është vonë!”-nga mendimi më zgjoi zëri i saj lutës.

-Arb, të lutem më ndihmo! E kam gjithë trupin të ngrirë. Eja ulu këtu pranë meje. A mund të më bësh pak masazh?

-Nuk jam aq i zoti në këtë drejtim se jam beqar, ndaj...jam më mirë në këmbë.

-Aq më mirë që nuk ka në mes zhelozi apo vrasje ndërgjegjjeje... 

E dëshiroja shumë atë trup të brishtë në dukje, që më kishte robëruar vetëm në pak orë njohjeje e qëndrimi me të. Përsëri nguroja. Më dukej se po bëja mëkat ndaj saj, mashtrim ndaj vetes dhe veçanërisht një padrejtësi ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Matesha, i afroja duart dhe i largoja menjëherë. Këtë e përsërita disa herë, derisa ajo m’u lut sikur ishte duke dhënë shpirt. Nisa ta fërkoj me ngadalë sikur ajo ishte një vazo qelqi kineze dhe do të thyhej.

“Veçse kjo ishte e vërteta lakuriqe... e bëra nuk çbëhet më, si dhe e thyera nuk ngjitet më.”

-Arb, e ke rakinë me vete?

-Po. E nxora nga xhepi e ia dhashë nxitimthi. Në tru më gëloi mendimi se gjendesha para një kurthi. Gjithsesi prita se ç’do të ndodhte. Pasi rrëkëlleu dy a tri gllënjka raki me një frymë, më kapi nga dora dhe më uli në shtrat. Teksa zgjati dorën drejt meje iu zbulua trupi i bardhë e i farfurinjtë dhe njëri nga gjokset e sedefta. Nisa të kapërditesha me vështirësi. Kur e pa që unë nuk po reagoja, sepse gjestet e saj po më ftonin drejt mëkatit fare hapur, ajo nisi të qeshë me të madhe. Ishte një qeshje njherësh sa provokuese dhe po aq fyese, me të cilën ajo pyeste duke m’u ngërdheshur para fytyrës :

”A je mashkull, apo...?” Pa e menduar gjatë , ajo më tërhoqi mbi trupin e saj gjysëmlakuriq e nisi të më puth si e harbuar. Ishte femër e zjarrtë, e papërmbajtur dhe e paparashikuar, që rënkonte e shkumonte si një epileptike.

“T’u përgjigjem apo jo epsheve të saj? Nëse jo, do të më marrë për budalla apo për një njeri të egër që nuk merr erë nga seksi. Pasi kjo nuk mund të quhet ndjenjë...Qëndrojnë shumë larg ndjenjat nga një marrëdhënie e tillë e çastit. Këto janë epshe shtazarake që ndizen atëherë kur nuk ta pret mendja. Këto reflektime ndjesish të pakontrolluara, ngjasin me flakën e kashtës që shpërthen sa hap e mbyll sytë dhe që shuhet po aq shpejt. Kjo me siguri  është e sëmurë nga histerizmi. Nëse e shpërfill, ajo do të bëhet shumë keq, që askush nuk ehamendëson s eç’mud të bëjë.. Tek e fundit çfarë do të humbas nëse bëj qejf me të. Sikur do ta takoj prapë nesër në rrugë! Ku jeton ajo dhe ku jetoj unë?!”- pa e menduar dy herë iu përgjigja epsheve të saj me të njëjtin  zjarr. Pas pak sekondash me shpejtësinë e vetëtimës u gjenda i zhveshur prej saj. Gjatë marrëdhënies intime me të, nuk di pse më erdhi të ndotë, edhe pse ishte e shumëdëshiruar nga unë. Sa e pashë në atë stacion të largët, e admirova  si diçka të rrallë, si një qenie hyjnore, kurse tani nisa ta shikoja ndryshe, gati-gati me përçmim. Pasi shfreu mirë e mirë histerizmin e sëmurë, ajo u nder atje mes krevatit, lakuriq e zhytur në lakuriqsinë e vesit të saj. Në një rast të ngjashëm, po të kisha qenë shikues, me siguri që do ta mëshiroja, por tani ndieja neveri...Madje nuk më dukej aq e bukur sa në fillim. Dikush ka thënë: 

Je i bukur kur je vetvetja”, kurse ajo kishte dalë nga vetja, e kishte shmangur rrugën e Zotit, nga të qenit femër sepse kishte djallin në shpirt. Seks bëjnë dhe kafshët, por u mungon arsyeja, gjykimi dhe fjala. Kurse njerëzit, sidomos femrat  nga veprime të tilla përdhosen, zvetënohen, baltosen, përlyhen dhe poshtërohen. Janë pa vlera fare. Ajo grua që më marrosi para disa orësh, pa pikën e turpit, mori një qëndrim gjysëmngritur mbi atë shtrat të përdhosur nga pabesia dhe kurthi, sikur kishte fituar lotarinë njëqindmilionshe, deklaroi:

"Kurrë në jetën time nuk kam ndjerë këtë kënaqësi shpirtërore  e fizike si tani. Ju shqiptarët qënkeni, të bukur dhe të jashtëzakonshëm në shtrat. Një burrë si ti do të kisha dashur që të më plotësonte çdo tekë dhe kërkesë të jetës.”

-Marrëdhëniet seksuale janë njëra anë e jetës, por jo gjithçka. Po ke shpirt të bukur, edhe jeta bëhet e tillë,- e menjëherë rashë në mendime...

“Më vjen turp nga vetja, megjithëse e dëshiroja atë marrëzisht, por jo në këtë mënyrë kaq vulgare. Do doja që ajo të kishte qenë e dashura ime, ku të na udhëhiqnin ndjenjat dhe jo të kryenim një akt të tillë kaq të ulët. Gjithsesi bota e tillë është ndërtuar dhe kjo është njëra anë e saj, lakuriqësia, që nuk ka fytyrë, nuk ka tipare, nuk ka moral...Porse kjo tregon një të vërtetë të hidhur se morali dhe imoraliteti janë bashkëudhëtarë... të të ashtuquajturës jetë njerëzore. Nuk di se ku e gjen ajo gjithë atë fuqi. Tek ai kurm i bukur, delikat e i skalitur si nga dora e një skulptori, bashkëjeton e bukura dhe e shëmtuara. Tek ajo janë ngërthyer në mënyrë të pazgjidhshme bukuria me vesin. Në vend të virtytit që madhëron çdo njeri dhe aq më tepër femrën, tek ajo sundon e keqja. Le të jetë e bukura e dheut, le të pjellë flori, kur ka këtë të metë morale, i humbet të gjitha vlerat si njeri. Madhështia e bukurisë që kam krijuar në ndërgjegjjen time për të, tashmë është shkërrmoqur si një kështjellë prej rëre. Një tinëzare që përdor kurthin për të shuar epshet shtazarake me një mashkull të rastit, nuk renditet më në radhën e femrave. Gruaja mund të jetë joshëse, lozonjare, lajkatare, ko vetëm duhet kohë por do të gjejë vendindhe çastin  e duhur për të arritur synimin. Para së gjithash po nuk u poqën kushtet, nëse nuk lindin ndjenjat mes dy personave, femër e mashkull, kurrë nuk mund të arrihet kënaqësia e një marrëdhënieje intime.“- me këto mendime u largova nga dhoma e saj dhe u mundova të mos i dilja më para syve. Të nesërmen mëngejsi na gjeti në Paris. Ajo mori rrugë tjetër, kurse unë, pa zbritur  nga treni, vazhdova udhëtimin me një shije të çuditshme, as të hidhur dhe as të ëmbël, por paksa të athët.

..............

Kishin kaluar disa muaj nga ai makth e kurth i mir’organizuar nga ajo, që kishte lënë vragë tek unë. Në një fundjavë ndodhesha në Majorka bashkë me të dashurën time spanjolle, Melis. Ndërkohë ishim shok kursi në Universitet, shoqëri që me kohë u kthye në ndjenja. Pamja që më doli para syve në plazh, më befasoi.

Pak më tej, në një çadër qëndronte  një burrë në moshë mesatare dhe dy fëmijë një vajzë  që nuk i kalonte të pesëmbëdhjetat e një djalë më i vogël.  Pranë tyre shtrirë merrte rreze një femër. Si duket ishin familje. Papritur ajo u ngrit dhe shkoi drejt ujit, ku nisi të përkëdhelej me një djalë të ri, shumë të ri...krahasuar me të. I kacavarej në supe, kurse ai e prekte me duar ku të mundëte dhe e puthte nga qafa. “Nuk di por nga sjellja më ngjan me dikë. Jo, jo...nuk ka mundësi. Ajo jeton në Kembrixh...”- mendova dhe po e zhbiroja të tërën.

Duke luajtur e spërkatur me ujë njëri-tjetrin, mes gicilosjeve të të riut, befas u kthye me fytyrë nga unë. U shtanga. Ishte ajo...ajo e paparashikuara, Suzan...”Qenka e pacipë! Para burrit dhe fëmijëve dhe i thotë vetes bashkëshorte dhe nënë. Jo, jo, kjo është jashtë çdo morali. Gjithçka që bën njeriu e ka një kufi, ka një normë. Kurse kjo jetoka jashtë realitetit!"

Për të mos prishur pushimin në një farë mënyre e shmanga përballjen me të, në të njëjtën kohë shmanga një kurth. Veçse e pashmnagshme, ajo me intrigën dhe kurthin e saj, është femër e papaparashikuar, nga e cila mund të presësh gjithçka...

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm