Menu

Dheu i Shqipërisë - Resmi Osmani

User Rating:  / 0
PoorBest 

Resmi Osmani

Nga Resmi Osmani

Triptik

Nga cikli ”Burrat shkojnë në luftë”
DHEU I SHQIPËRISË

1

Në shtëpinë e madhe të Konomejve në Gliqi të Çamërisë, atë ditë dhjetori kishte të hyra e të dala të shumta. Babamadhi, Niko Konomi, të djeshmen ishte kthyer nga Vlora. Të ardhurve, u binte që larg në sy në ballkonin e katit të dytë, koha e flamurit ngjyrë alle si gjaku, me shqipen e zezë dy krerëshe, si të kishte zbritur nga malet e Çamërisë dhe kishte hapur krahët në një fluturim valëvitës e të pandalshëm nga era e lirisë. Ishte flamuri që Babamadhi, e kishte sjellë nga Vlora, ku kishte shkuar për ngritjen e flamurit. Atë flamur, me shqipen e Pirro Burrit dhe Skënderbeut, që e kishte shënjtëruar Ismail Beu dhe burrat trima e të mënçur nga e gjithë Shqipëria, ai e kishte ngritur në ballkonin e kullës së tij për të lajmëruar gjithë Çamërinë se ishte shpallur mëvetësia e Shqipërisë.

Në odën e miqve, shtruar me qilima dhe velenxa mbi minderë, shilte e jastëkë mbështetur mureve, brambullinte zjarri. Në njerën qoshe ishte ulur Babamadhi, Niko Konomi, i veshur me fustanellë, kalca lidhur me dizgje të zeza, mëngore të bardhë, xhamadan të qëndisur me gajtanë dhe mesin të ngjeshur me zostër[1]. Vetullat kaleshe dhe mustaqet e plota, profili si prej shqiponje, i jepnin fisnikëri dhe hijeshi pamjes së tij burrerore. Ajo drita që i buronte nga sytë, buzëqeshja e mezidukshme në cepat e buzëve dhe dlirësia e shikimit, ishin shprehje e  gëzimit të brendshëm, që ai kishte jetuar dhe e kishte arritur atë ditë: mëvetësinë e Shqipërisë.

Oda ishte mbushur me burra. Burra të rëndë, që u peshonte dhe u zinte vend fjala dhe u kishte hije kuvendi. Flisnin pak, dëgjonin shumë. Por, kur kuvendonin, fjala zinte vend si gur themeli. Bashkëfshatarët dhe ata të fshatrave të afërt, e uronin, pinin kafen dhe dilnin. Në vakt dreke aty mbetën të largëtit: avokati i ri Spiro Çalluka nga Paramithia, i veshur allafranga, Lame Sharra nga Rrapeza e Agjisë, Temo Gogozotua, Petro Stillua nga çamofshatrat e Prevezës. Me ta Konomejtë kishin miqësi të vjetra dhe lidhje krushqie, kishin dhënë e marrë vajza. Nipërit dhe mbesat kishin edhe gjakun e tyre. Binte në sy  Hamit Marglliçi, i veshur oficer e i ngjeshur me rripa, ai komandonte në frontin e “Mullirit të Bardhë”, në mbrojtje të Janinës, vullnetarët e Mazrekut, Margëlliçit, Paramithisë dhe fshatrave të saj. Nga të gjashtë djemtë e shtëpisë, me miqtë kishte qëndruar vetëm i madhi, Stefani. Ai nuk kish patur rast të kuvëndonte me të atin, ndaj kur biseda rreshti e pyeti:

- E bukur Vlora, baba?

- Si e gjithë shqipëria bir, që dheun e saj, Zoti e ka bekuar me tërë bukuritë e begatitë. Stolia e asaj bukurie, ishin burrat e ardhur nga Gegëria e Toskëria. Fisnikëria dhe mençuria e Ismail Beut, kurmi si lastar i trimit Isa Boletini të  Kosovës, urtësia dhe përshpirtja e imzot Kaçorrit, i atyre qindra e qindra luftëtarëve që i trimëronte dhe burrëronte fryma e lirisë që kishte zbritur bashkë me flamurin nga malet e Shqipërisë.- tha dhe kërkoi t’i jepnin një kupë qelqi që ishte në buhari[2]- në palë të flamurit, mora edhe një grusht dheu nga Vlora, është dheu i shenjtëruar i Shqipërisë. Kupa kaloj dorë më dorë, e shihnin me nderim e të drithëruar atë grusht dheu,me ndjenjën e një ngazëllimi të brendshëm, si të ishte aty gjithë mëmëdheu, qielli dhe dielli, malet, brigjet e gërxhet, fushat, deti, toka e ngjizur me eshtrat dhe gjakun e të rënëve. E ndjenin, ishte pjesë e qënies së gjithsecilit, ata ishin krijuar prej saj, u kishte dhënë jetë e frymë, për të e vlente të luftohej, po të duhej edhe të vdisej!

Ndërkohë ra heshtje. Nga larg vinin ushtimat e artilierisë greke, bubullimat e shtergatës së luftës. Era e veriut shtynte në luginën e lumit tymnajën e pikërt të tymit të barutit. Luftohej në gjithë frontin.

-Hasmi s’po na le të gëzojmë mëvetësinë e mëmëdheut. Ushtria greke, me mijëra ka vërshuar si suvalat  e detit. U prin princi I kurorës Kostandini. Na kanë  ardhur ne porta, po shkelin në pragjet e shtëpive tona. Hordhite e evzonëve janë turrur si lukunia e ulqërve. Duan me paderman dheun e Shqipërisë, por burrat e këtij vendi nuk kanë vdekur! Apo jo?-tha avokat Çalluka, dhe i hodhi një vështrim pyetës Hamit Marglliçit, që vinte nga fronti i luftës.

-Luftojmë, vëllezër: në Gribovë, te Mulliri I Bardhë, te Pesë Puset, në Bezhan. Po mbahemi me thonj e me dhëmbë, por nuk mjafton vetëm trimëria. I kemi më të pakët njerëzit e më të pakët armatimin. Luftëtarëve tanë u lipsen shumë gjëra, që nga vaktet e ushqimit e deri te ilaçet. E paçka mangësive, luftojnë trimërisht. Në luftime ka shkuar puna deri te ndeshja trup më trup, me shpatë e syngji, kemi shumë dëshmorë. Na dhemb shpirti për ta, por është e ditur: themelet e kombeve mbruhen me gjakun e bijve të tyre më të mirë. Armiku e ka paguar në shumëfish, fusha e luftës është mbjellë me kufomat e tyre. Nderkohë njerëzit po na pakësohen.Prandaj edhe kam ardhur.

Ai heshti për një çast, të mendohej e të zgjidhte fjalaët. Iu duk vetja si lypës, por jo një lypës i mjerë dosido që zgjat dorën për lëmoshë. Ai do të kërkonte ti jepnin djemtë, që do të ndaheshin nga nënat, burrat që do të ndaheshin nga gratë dhe fëmijët, barinjtë që do të braktisnin stanet dhe bujqërit që do të çmbrehnin pëndët dhe do të linin arat djerrë dhe ullinjtë në degë të pavjelë. Nuk i shpinte në dasmë e gosti, por në luftë të egër e të përgjakshme. Ku e dinin që shkonin, por nuk e dinin në se do të ktheheshin.

-Është koha t’i përgjigjemi zërit të mëmëdheut: si zakoni i të moçmëve tanë: burrë për derë. Baba Niko, sa burra vullnetarë mund të nxjerë Gliqia?

-Më zure ngusht, o djalë. S’mund të jem në mëndje të gjithë fshatit. Duhet pleqëruar. Sa për shtëpinë time të Konomejve, nga gjashtë djem do të jap tre, se tre të tjerë duhet të kollandrisin mallin e gjënë. Po të më mbanin gjunjët do të vija edhe vetë. Stefan, bëju zë vëllezërve të ngjiten lart.

Stefani doli dhe nuk vonoi të kthehej me të vëllezërit, që qëndruan gjith nderim në mes të odës. I vëllai u kishte thënë përse i donte Babamadhi.

Hamitit i mbetnë sytë mbi ta: “Eh ç’djelm, si lisa. Me të tillë djelm, shqipëria s’ishte e humbur!” 

-Zglidh e merr. Të gjashtë janë me nuse, të gjashtë me djepe, me vashaz e djelm në duar.  

Ai s’mund ta bënte atë. Kë të veçonte e kë të linte? Nuk do të ishte prozvalje kjo për ‘ta? Le t’i jepnin vetë karar.

I pari u veçua Stefani, që ishte i madhi i vëllezërve.

- Dy të tjerë, kush vjen me mua?

Me të u bashkuan Alqi dhe Mitrua. Pastaj të tre i puthën dorën atit. Ai u dha uratën dhe bekimin.

Pasdite, kambanat e kishes se Shën Donatit, thirren në kuvend banorët e fshatit. Pas thirrjes që bënë Hamit Marglliçi, avokat Çalluka dhe Babamadhi, Niko Konomi, dolën edhe vullnetarë të tjerë, gjithë e gjithë  dhjetë burra.

Grumbullimi dhe nisja do të bëhej të nesërmen te sheshi i kishës. Tërë natën, nanëzonjë Mara me nuset, që s’i mbanin dot psherëtimat dhe lotet, u bënë gati djemve ushqimet, ndrresat dhe gjithëçka u duhej.

Djemtë para se të niseshin, u lutën para ikonës së Shën Donatit, bënë kryqin, u puthën duart dhe morën bekimin e prindërve. Ndarja me nuset, pas një nate të pagjumë dhe me fëmijët, ishte e dhimbshme: mirë po iknin, por vallë a do të ktheheshin që t’i shihnin sërish? Por ata nuk e jepnin veten.

-Merreni flamurin, le t’u prije  e t’u bashkojë në luftë- u tha Babamadhi- luftoni trimërisht me të dhe për të, mbrojeni, qoftë edhe me jetë!Keni bekimin tim, Zoti ju ruajt.

Ata i përcolli tërë fshati. Ishin aty etërit dhe mëmat, nuset me fëmijët në krah, motrat dhe vëllezërit. Heshtnin, ndjenin shtrëngesë në zëmër, u dukej se po u shqisnin diçka nga shpirti. Ishin si të mpirë, mendonin për më të keqen(që mos o Zot), dhimbja u kaplonte shpirtin, grave u rridhnin lote, etërit i kishin vënë zemrës një gur. Çdo brez bënte luftën e tij. Ata e kishin bërë të tyren, tani ishte radha e djemve. Luftës s’i shpëtoje dot, ishte si një mallkim. Askush se donte, por kur hasmi të vjen te dera, kërkon çnderimin, jetën, mallin, gjënë, s’ka rrugë tjetër. Kështu ishte e thënë: për të shpëtuar jetën dhe nderin, duhej dhënë edhe jeta! Jetë për jetë. Se lufta korrte jetët, por populli është si bari i livadhit: sa më shumë ta korrish, aq më i dendur del!

Dita ishte e mugët. Qielli si kube e plumbtë, i rëndë, shtypës. Frynte erë e ftohtë dhe rigonte një shi i imët. Pas ndarjes së dhimbshme, luftëtarët, mbuluar me gunat e hirta, me kapat mbi krye dhe pushkët krahut, vargan njëri pas tjetrit, u nisën për në luftë. U printe flamuri kuqezi, që e valëviste era.

I ndoqën me sy deri atje ku udha bënte brryl dhe ngrihej kodra që s’linte të shihej më gjë.

O Zot! Ruaji burrat dhe djemtë tanë. Amin!”

2

Po afronin kershëndellat e dimëri po shtrëngonte.Në vend të lajmeve, nga fronti vinin gjëmimet e ankthshme të luftës. Nga rruga e Artës, si mizëri, marshonin varganët  e ushtrisë greke që mësynin Janinën. Nanëzonjë Marua nga meraku ishte mpakur e bërë një grusht. Mëndja si hiqej nga djemtë as ditë as natë. Nuk i mbetej tjetër veç t’i lutej Zotit. Në mesditë, i mori të gjashta nuset dhe u nis për në Kishë. Ajo para nuset pas, si klloçka me zogjtë.      

Kisha e Shën Donatit, e vjetër sa s’mbahej mend, ishte strukur si për të kërkuar mbrojtje, rrëzë kodrës, në krye të fshatit pranë rrjedhjes së lumit, e rrethuar nga burime të kristalta që derdheshin të shkumëzuara në lumin që merrte turravrapin për posht në fushë e për të sosur në det. Muri i pamirëmbajtur i avllisë ishte i veshur me myshk dhe bimë kacavjerrëse. Vende-vende gurët ishin vidhisur. Rrugica nga porta deri te hajati me kollonata ishte e shtruar me kalldrëm. Anës, dy radhë me selvi, lartonin siluetat e tyre të trishtuara, dukej se prej tyre pikonte dhimbja e varreve me qivurë e kryqe.

Derën e kishës ua hapi qishari i zymtë e mjekërmadh, Kroni, që zonjat e shtëpisë së Konomejve i mirseardhi me nderim, por i heshtur, me një përkulje të lehtë. Ai ua dinte hallin. Ato hynë në narteks[3], morën qirinjtë e dylltë dhe u dhanë flakë. U bëftë dritë, në shtëpinë tënde o Zot! Pastaj, në kasën e ndihmës, Nanëzonja hodhi një lirë floriri. Hynë brenda, ngadalë me droje, si të kishin frikë mos zgjonin shenjtorët. Ajri ermironte dyllë e temjam, nga muret dhe kubeja e ulët i shihnin figurat e zografisura të shënjtorëve të martirizuar, me sy të menduar dhe breroret e dritës së shënjtë mbi krye. Navata[4] kishte një radhë me ulëse druri për lutësit. Ato u kumbisën dhe  sytë e dritësuar i drejtuan nga ikonostasi[5], mbi ikonat e Shënmarisë me birin, Shëngjergjit kalorës që vriste dragoin, shën Donatin mbrojtës i Gliqisë dhe Paramithisë. Bënë kryqin dhe lutja rrodhi vetiu nga shpirti siç buron uji nga burimi: ”Ati ynë që je në qiell, ardhtë mbretëria jote…..në atë qetësi shtypëse, mërmërima mistike mbushi hapsirën, u ngjit në kubenë e lartë dhe mori udhën e qiellit. Dilte nga shtatë gojë, nga shtatë shpirtra, nga shtatë zemra të përdëllyera, nga shtatë gra, bashkëshorte dhe nëna që kishin dhuruar jetë dhe luteshin për jetën e të dashurve të tyre. Si përsëritën tri herë “Ati ynë”, bënë sërish kryqin dhe e mbyllën me “Amin”. Pastaj secila nisi të lutej për vete, për dertet dhe hallet e saj, me shpresë e besim se shënjtorët do t’i dëgjonin dhe do të bënin një mrekulli sepse edhe jeta e tyre, me emrin e Zotit dhe besimin në Të, kishte qënë një mrekulli. Nanëzonja, me përdëllim dhe drithërimë shpirti e nguli shikimin mbi ikonën e shën Marisë me Krishtin foshnjë në pëqi. Me atë buzëqeshjen e mezidukshme që i vinte nga një gëzim i brendshëm, breroren e dritës së shpirtit te shenjtë mbi krye dhe shikimin e hedhur larg, prej saj buronte paqe, mirësi e dashuri, se Perëndia është dashuri. ”O Nënë e shënjtë, që tënzoti, me frymën e shënjtëtë  të zglodhi të lindje birin e tij. Ti që provove gëzimin e lindjes dhe lumturinë e rritjes dhe helmin e dhimbjen e martirizimit të Birit, mbroji djeltë e mi. E kush më shumë se Ti, mund të ma dijë të keqen që më sfilit shpirtin mua, nënzezës? Mëshiromë dhe të të vijë keq për mua e mbulomë me mëshirën tënde. I kam rritur me halle. Në të keq, kam gdhirë netët mbi kryet e tyre, në të mirë jam gëzuar tok me ta. I rrita, u burrëruan, u martuan e u bënë prindër. Bëje që ti lë prapa e të mos e pi atë kupë helmi, që asnjë prind mos e pastë për fat….kthemi shëndosh e mirë djeltë në shtëpi…” Foli e foli, solli ndër mend gjithë jetën e saj dhe të djemve. Fytyrat e tyre i përziheshin me ato të ëngjëjve të kubesë së faltores.

Nuset tërë përgjërim e adhurim, me besim të thellë në Zot dhe shpresë në fuqinë çudibërëse të shënjtorëve, këtu në shtëpinë e shenjtë të Zotit, u rrëfyen atyre brengat hallet e dertet, për vetminë e trishtuar dhe mjerimin e netëve të ftohta e të pagjuma, për jastëkët e lagur me lot, për drithërimën e shpirtit, për mallin zhuritës, për mendimet që fluturonin veç te ata, për atë frikën e kobshme që u akullonte shpirtin se mos ndodhte gjëma atje në frontin e luftës, për ëndrrat e llahtarshme dhe makthet. Si e duronin dhe përjetonin të ftohtin dhe llohën dimërore nën qiell të hapur, a kishin mjaftueshëm ushqim dhe një pikë ujë të lagnin gojën, e ndrresa të thata e të pastra…..? Iu lutën shën Gjergjit dhe shën Donatit: “Ju që me fuqinë e Zotit, vratë kuçedrat dhe dragonjtë, që shpëtuat njerëzinë, jepuni trimëri e guxim në zemër burrave tanë ta mundin dhe fitojnë mbi armikun. Shën Donat që vrave stihinë dhe ëmbëlsove ujrat e puseve dhe burimeve tona, që je bariu, mirëbërësi dhe rojtësi ynë, bëj që plumbat të mos i godasin, shpatat të mos i presin, syngjitë të mos i shpojnë, e keqja të mos i gjejë, na i kthe në shtëpi, që fëmijët të mos mbeten jetimë dhe ne kallogre…..Amin!”

I kishin menduar e thënë të gjitha.E para u ngrit Nanëzonjë Mara, nuset i shkuan pas, të heshtura, por çuditërisht të lehtësuara, ishte si thellë në shpirt t’u kishte zbritur nje rreze drite e kulluar, si të kishin shkundur nga shpina barrën e rëndë të brengave, më mendjekthjellta e me shpirt të dritësuar nga ku çlirohej qetësi e besim, se Zoti lutjet e tyre i kishte gjegjur, u nisë për në shtëpi.

3

Çeta e vogël e burrave të Gliqisë, u bashkua me batalionin e vullnetarëve të Paramithisë që komandohej nga Hamit Marglliçi dhe si vend luftimi u caktuan kodrën e Gribovës që ishte pararoja e frontit për mbrojtjen e Janinës. Pas saj vinin “Mulliri i Bardhë”, të “Pesë Puset” dhe ”Bezhani”. Të tre vëllezërit nuk i lanë tok, i ndanë në tri toga, por në fund të ditës, në ahurin ku flinin, ata mblidheshin bashkë, ndanin ushqimet e pakëta dhe mallin për shtëpinë. Puna e parë ishte hapja e istikameve, të thella një bojë njeriu. U punua pa pushim, ditë e natë dhe kodra u qarkua me një brez llogoresh nga të dy anët, nga ku mund të sulmonte armiku dhe të godiste artilieria.

Kodra në krye mbaronte me një shesh. Aty ngritën një pirg me gurë dhe ngulën flamurin. 

Më pas filloi stërvitja. Çaush Mersini, një lab nga Lumi i Vlorës, energjik, shtatshkurtër e të ngjeshur si trung, me mustaqe të mëdha e të varura, i rreptë e gojëkeq, u mësoi si të zvarriteshin, të hidheshin në sulm me kërcime duke mbuluar me zjarr njëri-tjetrin, si të mbushnin armën dhe të merrnin shenjë, luftimin trup me trup, si të prisnin e si të jepnin goditjet me qytë dhe bajonetë. Përgatitjen dhe hedhjen e granatave të dorës,tërheqjen e shokëve të plagosur dhe mjekimin e plagëve. Si t’u ruheshin gjyleve të artilierisë etj. gjëra që duhet të dijë luftëtari. Lodheshin deri në sfilitje, nga zvarritjet duart u përgjakën, brrylat u handakosën dhe gjunjët u xhvokshën.

–Ule prapanicën, djalë, se po të mori plumbi në tulet e mollaqeve, dhemb shumë dhe do detyrohesh kushedi sa të rrish mbi bark! Ule kokën, mjekra të hajë dhe. Akoma, akoma, ashtu de!

Zanati i ushtarit-thoshte çaushi- është ta urrejë armikun, t’a vrasë por të mos vritet, një trimëri e tri hile, jemi nisur për në luftë dhe jo në dasmë!”

Kishte hyrë java e dytë e dhjetorit. Dita qëlloi e kthiellët por e acartë. Sefte nga qielli u dëgjua një ushtimë që sa vinte e bëhej më e zhurmëshme, pastaj mbi kodër në lartësi u shfaq si një zog i zi aeroplani. Ata ishte hera e parë që e shihnin zogun e hekurt. Aeroplani u soll rrotull me rrathë të mëdhenj mbi kodër, pastaj fluturoi për në veri drejt Janinës.

-Pa shih, inglizi i paska dhën Kostandinit ballona. Burra, bëhuni gati! Fillon dasma. Ballona spiune i ka dhënë baterive të artilerisë greke vendqëndrimet tona. Do të na bombardojnë e më pas do të na turren evzonët!Të gjithë në istikame! Urdhëroi Hamiti.

Kishte parandjenjë të saktë. Nuk vonoi dhe nga mali i Hanoit, bateritë e topave malorë, 75 milimetra, që u thoshin “Xhebel”, nisën të villnin gjylet e tyre. Sakaq qitjet e artilierisë u kthyen në një stuhi që sa vinte e bëhej më e furishme, gjersa u kthye në një bubullimë të vetme, e cila copëzohej pastaj në dhjetra plasje të veçuara. Ajri sipër istikameve çahej prej angullimave, vërshëllimave dhe ulërimave të gjyleve. Atje ku binin predhat, kërcente përpjetë një re e zjarrtë dhe tymi i athët i barutit zvarritej i shtyrë nga era. Në syt’ e tyre, çahej toka, binte shi plisash përzier me cifla çeliku të predhave. Dukej sikur nuk gjëmonin më predhat, po sikur ishte vetë toka që ulërinte. Ata po vrisnin tokën, po i hapnin plagë, po e shfytyronin. Në gropat sakaq teptiste uji i zi, ai ishte gjaku i plagëve të tokës. O Zot, po ç’faj kishte toka!? Ata ishin bujq, e donin tokën, ashtu siç donin gratë dhe fëmijët. E punonin me dashuri, e mbillnin, e bënin pjellore dhe ajo ua shpërblente me frytet e saj. Të tulatur e të bërë njësh me tokën në llogore, ata ndjenin vërshëllimën si prej gjarpëri të gjyleve mbi kryet e tyre, pastaj shpërthimin dhe dridhjet e tokës. Një zjarr skëterre, që  i ligështonte. Frika për jetën sidomos te të rinjtë që e kishin për herë të parë, i bënte të ndjeheshin keq, u pështjelloheshin rropullitë dhe ndjenin një boshllëk të brendshëm. Ishte ngaqë gjyleve s’u ruheshin dot. Ishte si një mynxyrë që vinte nga qielli.

Bombardimi që zgjati dy orë, më në fund rreshti. Qetësi e shurdhër. U dëgjuan rënkimet e të plagosurve. Luftëtarët e mbetur gjall pas atij zjarri të skëterrshëm, dolën nga istikamet. E gjithë kodra ishte shqyer dhe handakosur nga baterdia e gjyleve, syprina e saj ishte mbjellë me gropa, shumë nga istikamet ishin rrafshuar, mezhdat dhe ledhet ishin sheshuar. Nga gjylet e rëna në istikame, kishte dy të vrarë. I hoqën dhe i çuan Brenda ahurit. Të plagosurve lehtë ua mjekuan plagët. Nuk kishte kohë. Nga jugu u dukën aradhet e armikut. Ecnin në njëshkollonë, dukeshin të veckël e që zvarriseshin si një vargan milingonash të zeza. Kur u afruan aq sa mund t’i zinte plumbi, u përhapën në formacion zinxhir dhe bënë përpara me vrapime e kërcime. Sulmuesit Ishin shumë,  një kompani, kurse mbrojtësit një grusht burra.

Stefani dhe Alqi,kishin zënë vend afër njerjatërit. Dyfekët “mauzer” mbështetur në ledh dhe syrin në shënjestër, granatat i kishin hequr nga brezi e lënë në vend të volitshëm për t’i flakur. Sulmuesit ishin evzonë, trupa të zgjedhur të këmbsorisë malore. Kur u afruan, u dalloheshin beretat e kuqe me xhufkë ibërshimi të zi dhe kryq të bardhë, kapotat e shkurtëra gjer në gjunjë ngjyrë llullaqi ngjeshur me rrip, kalcat e bardha me dizgje të zeza dhe këpucët me maja të ngritura dhe xhufka.

-Ke frikë?- e pyeti Stefani të vëllanë.

-Nga gjylet e topave pata. Atyre s’ke si t’u ruhesh.Më dukej që nuk ishin gjylet që gjëmonin, por sikur ishte vetë dheu që ulërinte. Nga këta që sulmojnë nuk trembem. Djem nënash janë si ne. I kanë vënë përpara që të na vrasin dhe grabisin vendin. Ata janë në dhe të huaj, ne jemi në të drejtën tonë.

I shihnin sulmuesit tek afroheshin, kërcasin pushkët, sulmuesit vazhdojnë të aviten, shquhen tiparet e tyre të shfytyruara. Me ta është vdekja, si dëshirë, si synim, në armët, në duart e tyre, surratet e tyre të shtrembëruara dhe sytë e shqyer janë pamja  e vdekjes. Ja ku ishin ballë-përballë. Duheshin vrarë e shkatrruar, për të shpëtuar veten por edhe për t’u hakmarrë. Evzonët vrapojnë të tulatur si macet kur gjuajnë zogjtë, edhe pse te frikuar për jetën e tyre, turren të rrëmbyer nga tallazi i furishëm  luftarak që i bën mizorë, të urryer, vrasës, të ligj si djaj.

Pozicioni i mbrojtësve ishte më i volitshëm, nga lart- posht, dhe të groposur në llogore, kurse sulmuesit të zbuluar duhet t’i qepeshin kodrës së xhveshur. Stefani mori në shenjë evzonin flamurmbajtës, që printe në qendër. Mbajti frymën, e shënoi në gjoks, kur ishte në ecje e sipër dhe e shkrepi. Sulmuesi hapi krahët, pushka ddhe flamuri i ranë përdhe dhe u plandos në rrokullimë. Alqi vrau të dytin që vinte pas tij. Të tjerë u vranë nga mbrojtësit e llogoreve të tjera. E megjithatë evzonët përparonin. Kur numri i tyre u gjysmua nga kositja e zjarrit të mbrojtësve, vala e parë e sulmit u thye. Nuk mënoi dhe në sulm u hodh vala e dytë, po aq e egër, më e madhe në numër. Mbulonin njëri-tjetrin me zjarr dhe bënin përpara. Një mitraloz i lehtë villte zjarr të paprerë. Iu afruan llogoreve. Mbrojtësit hodhën granatat, mbetën shumë të vrarë, por sikur evzonët i pillte dheu, Stefani dhe Alqi, bashkë me shokë, braktisen vijën e parë dhe nëpër hendeklidhjen u ngjitën në krye të kodrës, në llogoren e epërme. Një skuadër e armikut, e theu mbrojtjen dhe u turr për të zënë sheshin e lartësisë ku valëvitej flamuri. ”Të mbrojmë flamurin!” Bërtiti me sa i hante zëri Stefani. Alqi dhe Mitrua e ndoqën pas. Ishte vërvitje marramendëse në një tallaz të furishëm, në ato vërvitje që e bën luftëtarin mizor, vrasës, që i shumfishon fuqitë dhe i shndrron në ankth, inat e dëshirë për të jetuar, për të shpëtuar vetë e për t’u hakmarrë.

Çaste të tilla lindin heronjtë dhe burrat i bëjnë luanë!

Rreth flamurit luftohej trup me trup, vringëllinin armët, qytat e pushkëve thyenin kafkat, bajonetat përshkonin gjokset, britmat dhe rënkimet rrëqethnin ajrin, gjaku derdhej me gulshe. Mbrojtësve u erdhën në ndihmë komandant Hamiti dhe çaush Mersini që u turrën në atë lëmsh të tollovitur me shpatën në njerën dorë dhe revolver në tjetrën, por ishin të vonuar. Alqit ia kishte shpuar tej e tej gjoksin bajoneta dhe ishte duke dhënë shpirt, Mitro ishte rrëzuar, kishte marrë një plagë të thellë në anën e djathtë dhe gjaku i kishte plasur nga goja, nuk mbushej dot me frymë, Stefani kishte rrëmbyer flamurin.

Evzonët e mbetur u vranë nga Hamiti dhe Mersini me revolver dhe ranë kapicë mbi pirgun e gurëve ku ishte ngulur flamuri. Sulmi ishte thyer. Flamuri ishte mbrojtur por çmimi kishte qenë i lartë: Nga burrat e Gliqisë tetë luftëtarë e vaditën me gjakun e tyre dheun e Shqipërisë. Dy ishin djem të Niko Konomit.

* * * * *

Gjëma ishte e  madhe. Malet e Çamërisë hodhën velin e zisë. Nga të tilla ngjarje nxihen dhe trarët e shtëpive. Shtëpitë e dëshmorëve hapën dyert e mortit. Njerëzia dhe miqësia rrodhën si lumë dhimbjeje për kryeshëndosh nga gjithë fshatrat. Kambanat e Shën Donatit ranë pikëllueshëm, drodhën ajrin dhe përhapën gjer larg zinë e rëndë.

Arkmortet u vendosën në naosin e kishës. Papa Kosta mbajti meshën e shënjtë për prehjen e shpirtërave të dëshmorëve. Varrimi u bë në varrezën e vjetër të fshatit në oborrin e shën Donatit. Arkmortet e Alqit dhe Mitros ishin mbuluar me flamurin kuqezi. Edhe flamuri kishte marrë plagë, dhe vende-vende ishte djegur. Ishte një flamur luftëtar, që merrte plagë por s’vdiste. Shqiponja  do të ngrihej sërish fluturim për tu prirë  luftëtarëve në betejat e tjera.

Babamadhi Niko Konomi ishte ngrirë si gur. Dy nga djemtë e mbanin nga krahët, të tjerët nipër dhe mbesa i rrinin rrotull duke ofsharë e qarë. Kur arkmortet u ulën në gropat e varreve, atij I sollën kupën me “Dheun e shqipërisë”, ai e hodhi mbi ta dhe tha me ngashërim:

-U qoftë i lehtë dheu i mëmëdheut, bijtë e mi.

Tiranë, prill – maj 2017


[1] Brez qe ngjishte mesin e burrave.

[2] Pjese e dale e oxhakut

[3] Parahyrja e kishes

[4] Pjesa Brenda kishës ku vendosen ulëset per besimtarët

[5] Vendi para altarit ku vendosen ikonat me fytyrat e shenjtorëve

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm