Menu

Me profesorin tim dhe poetin e madh Din Mehmeti në Gjakovë - Nehat Jahiu

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nehat Jahiu

Shkruan: Nehat Jahiu

Me profesorin tim dhe poetin e madh Din Mehmeti në Gjakovë

Ishte viti shkollor 1972/73. Atë vit mbarova shkollën e mesme në Preshevë dhe tani mendoja për një rrugëtim të mëtejshëm e më të gjatë. Pas mbarimit të shkollës së mesme i vetmi vend në të cilin do të rrugëtoja për të vazhduar shkollimin tim ishte Gjakova. Kisha dëgjuar shumë herët rreth Gjakovës, por kurrë nuk e kisha parë me sytë e mi. Në atë kohë dhe në atë moshë ishin të rrallë studentët të cilët merrnin një rrugë jo aq të shkurtër, siç ishte largësia nga vendlindja ime Orizarja për të shkuar me studime në një qytet, si Gjakova. Në të vërtetë ishte një rrugë goxha e gjatë, Orizare-Gjakovë. Edhe linjat e udhëtimit ishin shumë më të vështira se sot, sidomos prej fshatit tim e deri në Kumanovë, e pastaj për të vazhduar në Kumanovë, Shkup-Gjakovë. Me të vërtetë ishte larg. Ekzistonte edhe pjesa tjetër që ne nuk ishim mësuar larg familjes, në këtë moshë të re. Vendimi ishte i prerë nga vullneti dhe dëshira, pasi unë kisha vendosur të shkoja dhe të regjistrohesha si student i Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Tashmë kishte arritur koha dhe afati i regjistrimeve pra unë duhej ta merrja këtë rrugëtim. Bëra gati dokumentat e duhura. U nisa në mbrëmje nga vendlindja ime Orizare dhe të nesërmen arrita në Kumanovë. Prej aty arrita në Shkup dhe u drejtova tek stacioni i autobusave për të marrë informacion, në cilën orë kishte autobus për Gjakovë? Pasi mora informacionin e duhur, mora edhe biletën e udhëtimit. Kisha kohë për të bërë një shëtitje në Shkup derisa të afrohej ora e nisjes së autobusit. Në kohën e caktuar isha para autobusit. Hyra brenda tij dhe së bashku me udhëtarët e tjerë u nisa për në Gjakovë. Ishte hera e parë dhe me të vërtetë m’u duk rrugë e gjatë, por edhe shumë e këndshme. Shpeshherë shoferi i autobusit ndalonte për të pushuar dhe freskuar udhëtarët. Kur dilnim jashtë autobusit ne duhanpirësit ndiznim nga një cigare. Shikoja anë e mbanë ato vende që syri im i shihte për herë të parë. E ndjeja se qysh nga dita e parë më hyri në zemër dashuria për ato vende. Ndoshta nuk ishin aq të bukura, por mua ma rrëmbyen shpirtin sepse ishte toka shqiptare e Kosovës. Nostalgjinë për vendbanimet e Kosovës ne shqiptarët e Maqedonisë e ndjenim prej shumë kohësh.

Me të arritur në Gjakovë, ndalova dikë në rrugë dhe e pyeta, se ku gjendej Shkolla e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë? Ai më orientoi në një rrugë e cila të shpinte drejt shkollës. Ndalova para derës dhe lexova tabelën e mbishkrimit të emrit të shkollës: Shkolla e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”- Gjakovë. Para se të futesha  brenda, nuk e di as vetë sa herë e lexova atë mbishkrim! Nuk e di sa herë e përmenda emrin Bajram Curri! Më kishin kapluar qysh në hyrje emocionet nga gëzimi se gjendesha para një shkolle që fliste dhe jepte dituri në gjuhën shqipe, pra në gjuhën time amtare. Hyra brenda dhe iu drejtova sportelit, ku duhej të informohesha për të dorëzuar dokumentat e regjistrimit. Ky instiucion arsimor përgatiste vetëm kuadro të profesionit arsimor në disa degë. Mikpritja nga administratorët ishte befasuese dhe shumë vëllazërore. Nuk do e harroja asnjëherë, përveçse do i shënoja në kujtimet e mia. Pas pak kohe, unë kisha fituar statusin e studentit, kisha marrë indeksin, isha vendosur për të banuar në konviktin e nxënësve dhe studentëve “Sadik Stavileci” dhe kishim filluar ligjëratat. Si fillim ishte njohja ime me studentët, profesorët, me qytetin etj. Çdo ditë që kalonte isha disi i çmallur për familjen, vendlindjen, por mbi të gjitha e ndjeja mungesën e nënës sime të cilën e doja shumë. Për të gjithë ne, nëna ishte krijesa më e dashur dhe më e bukur në botë.

Dalëngadalë fillova të krijoja shoqëri si në shkollë, ashtu edhe në konviktin ku banoja. Më pëlqente qyteti dhe njerëzit. Më pëlqente gjithçka. Fillova të ambientohem shumë shpejt në atë vend. Mezi prisja ditën e diel kur luante klubi futbollistik “Vëllaznimi”. Nuk lija ndeshje pa shikuar. Muzika dhe këngët që krijonin një ambient para ndeshjes më emociononin shpirtërisht. Rrallë mund të shihje dhe përjetoje stadiumin e mbushur plot e përplot. Kur shihje futbollistët e këtij klubi me veshje sportive Kuq e zi, mua më bëhej zemra shkëmb mali.

U njoha edhe me profesorët e mi që më ligjëronin mësimet. Ishin profesorë shumë të aftë dhe të sjellshëm, sidomos ndaj nesh që ishim nga vendbanimet e tjera jashtë Kosovës. Ata e dinin mirëfilli në atë kohë, se ishte shumë e vështirë të shkolloheshe në shkollën e mesme në gjuhën tënde amtare shqipe, të mos flasim për të studiuar shqip në Maqedoni. Më duket se këta profesorë na kishin afruar shumë afër vetes dhe na mbanin në ngrohtësinë e tyre shpirtërore. Aty ishin profesorët tanë të dashur, intelektualë dhe atdhetarë. Aty i kishim poetët dhe shkrimtarët e mirënjohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të ndjerët Din Memeti, Besim Bokshi etj. Koha ecte e së bashku me kohën shtohej edhe dashuria ndaj shoqeve, shokëve, profesorëve etj. Ne që ishim jashtë trevave të Kosovës kishim një afërsi të ngushtë e të ngrohtë me profesorët. Ata e ndjenin në shpirt dhembjen tonë që kishim ardhur kaq larg për të studiuar. Në vendet ku jetonim na mungonte shkollimi shqip dhe këtë mungesë e ndjenin të gjithë shqiptarët jashtë territorit të Kosovës. Profesorët tanë na mbështesnin sikur të ishim nxënës të klasës së parë, sepse e njihnin thellë çdo mungesë tonën si shqiptarë. Në Maqedoni na mungonin të drejtat tona atje ku jetonim në trojet e të parëve tanë, trojet shqiptare.

Eh, kujtimet! Kujtimet e paharruara për të gjithë profesorët, shoqet e shokët, por mbi të gjitha kujtimet e mia shpirtërore mbeten të pashuara përgjithmonë për të ndjerin, profesorin dhe poetin e madh shqiptar Din Memetin ose siç e quanim të gjithe Bacalokun. Ai ishte jo vetëm një profesor e një krijues letrar! Ai mbi të gjitha ishte një njeri shumë i afërt me studentët dhe me njerëzit. Ai kishte shpirt poetik. Zemra e tij ishte e mbushur plot e përplot me atdhetarizëm. Sa e sa herë më thoshte, të takoheshim pasdite ose në mbrëmje dhe të dilnim shëtitje. Me fuste krahun nën sqetull. Ecnim e ecnim duke më treguar gjithçka. Profesori më shumë fliste për poezinë, e cila i vlonte në shpirt si një vullkan. Eh, profesori im, poeti dhe atdhetari Din Memeti. Kujtimet e mia kurrë nuk shuhen për ty. Ato janë të ngulitura thellë në shpirtin tim.

Më vonë unë kisha përfunduar studimet. Isha kthyer në vendlindjen time dhe punoja si mësues i lëndës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën tetëvjeçare “Faik Konica” të fshatit Sllupçan. Edhe pas përfundimit të studimeve u takuam me profesorin dhe poetin e madh të letrave shqipe. Na takonte poezia. Ajo na takonte dhe na çmallte.

Kurr nuk do e harroj lajmin e kombshëm që dëgjova dhe lexova gjatë kohës së luftës në Kosovë për profesorin dhe poetin Din Memeti. Ky lajm më kishte shtuar aq dhembje shpirtërore që nuk besoj se ndonjëherë do të mund ta harroja. Dëgjova se paramilitarët serbë në Gjakovë e kishin vrarë profesorin dhe poetin Din Memeti. O, Zot! Mos ishte ëndërr! Nëse ishte realitet, unë kurrë nuk do ta besoja. Është vrarë Din Mememeti-Bacaloku? Oh, Zot! Ky lajm, nuk më tronditi vetëm mua por të gjithë shqiptarët në trojet tona. Pas një kohe ky lajm u publikua si i rremë duke njoftuar se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë dhe profesori, poeti Din Memeti ishte gjallë.

Pas luftës së Kosovës kisha rastin takoja edhe dy herë të paharruarin profesorin dhe poetin tani të ndjerë Din Memetin. Profesori një ditë mbylli sytë në Gjakovë. Iku nga kjo botë me mallin e dashurinë që kishte për Kosovën dhe për mbarë trojet shqiptare. Edhe në këtë rast u ndjeva shumë i pikëlluar. E përjetova me dhembje shpirtërore vdekjen e profesorit tim, poetit të madh dhe atdhetarit Din Memeti. Por jeta është e tillë... Tani ai nuk është më, mes e të gjallëve, por veprat e tij do të jenë gjithnjë të pavdekshme. Emri i tij është një krenari e madhe e letërsisë shqipe në trojet tona shqiptare dhe më gjerë. Ai sot pushon i qetë në Gjakovën e lirë të Republikës së Kosovës që aq shumë e kishte dashur.

(Nga libri “Kujtim i gdhendur në mall”, 2017)

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm