Menu

Një takim i paharruar, me Dritëroin

User Rating:  / 0
PoorBest 

Nga: Prof.Murat Gecaj / publicist e studiues - Sot u përhap lajmi i dhëmbshëm për të gjithë ne, që është ndarë përgjithnjë nga jeta, poeti e shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, personalitet shumë i njohur dhe i shquar i letrave shqipe. Me këtë rast, nga zemra u shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta: Bashkëshortes, Sadijes e fëmijëve të tij, si dhe gjithë familjarëve, kolegëve e dashamirësve të shumtë, në Shqipëri e trojet tjera amtare, por dhe kudo, ku ndodhen shqiptarët emigrantë, nëpër botë.

Që në vitet e studimeve universitare, pra në vitet '60-të të shekullit të kaluar, por dhe në vazhdimësi, jam njohur me Dritëroin dhe kemi mbajtur përherë lidhje miqësore të pashkëputura. Bashkë me të kam qenë pjesëmarrës në mjaft ditëlindje e perurime librash dhe veprimtari të tjera, që janë organizuar në kryeqytetin tonë.

Gjithshtu, janë të shumtë krijuesit tropojanë, me të cilët ai është njohur, i ka nxitur dhe i ka mbështetur, në shkrimet dhe botimet e tyre.

Rasti e ka sjellë që kam bërë disa hërë vizita në shtëpinë e mikut të mirë dhe të paharruar, Dritëro Agolli. Për njërin nga këto takime, mjaft mbresëlënse, kam publikuar një skicë modeste, kur ishim për urim, në tetor 2016, me rastin e ditëlinjes së tij. Në shenjë nderimi e kujtimi për jetën dhe veprën shumëplanëshe e mjaft gjurmëlënëse, të mikut të paharruar Dritëro Agoolli, atë po e ribotoj më poshtë. / Tiranë, 3 shkurt 2017

Nga e majta: K.Murtishi, Dritëro e Sadije Agolli dhe M.Gecaj (Tiranë, 13 tetor 2016)

1.

Kur po i ngjisja shkallët e pallatit, ku jeton familjarisht Dritëro Agolli, bashkë me veteranin nga Struga, Kaim Murtishi, shumëçka sillja në mendje. Ndër të tjera, kujtova shumë vite të shkuara, kur isha student në degën e gjuhës e letërsisë shqipe, në Universitetin e Tiranës dhe vazhdoja të shkruaja në shtypin e kohës. Në atë periudhë, Dritëroi punonte në redaksinë e gazetës "Zëri i Popullit". Ai shfaqte hapur dashamirësinë e tij për të rinjtë, që bashkëpunonin me shtypin, por dhe që merreshin me krijimtarinë letrare. Më tej, vitet rodhën e rasti e solli që edhe unë të shërbeja në tri gazeta qendrore. Ndërsa Dritëroi botonte libra të bukur me poezi, pa harruar asnjëherë Devollin dhe arriti të drejtonte Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.

Pa u zgjatur, shënoj këtu, se ishin këto njohje tonat, por dhe fakti që bashkëshortja e tij, Sadija kishte punar në gazetën "Mësuesi" e unë në 22 vitet pasardhëse, që ne gjithnjë kemi mbajtur lidhje miqësore të pashkëputura. Bile, edhe kur shërbeva me rininë e kulturën në krahinën e vendlindjes, Malësi e Gjakovës (Tropojë), Dritëroi ka ardhur atje me shërbim, jemi takuar e kemi bashkëbiseduar. Ishte diçka e bukur, që ai i ka përkrahur gjithnjë poetët nga krahina jonë malore. Prandaj, mendoj se kisha arsye, kur kohë më parë shkrova e botova skicën, me titullin domethëns, "Dritroi është edhe tropojan...".

Ndërsa edhe në këta vitet e fundi, kur ai u rëndua ca nga gjendja shëndetësore, i kam shkuar për vizitë në shtëpi, gjithshtu, jemi takuar në veprimtari të ndryshme, ku ai ka qenë pjesëmarrës, si në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar e tjerë.

"Mirënjohje", nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit, Strugë-Ohër...

2.

Derën e shtëpisë së Dritëro Agollit e gjetëm të hapur, se hynin e dilnin vizitorë të shumtë. Aty na pritën me dashamirësi Sadija dhe bashkëshortja e djalit të tyre. Me kënaqësi vërejta që miku nga Struga kishte njohje të kahershme me ata, pasi u kishin shkuar në familjen e tyre, në Strugë, për vizitë. Prandaj i kishte sjellë një dhuratë të posaçme e simbolike nga e shoqja, pra një tepsi me bakllava. Ai u shpreh: "Kam porosi prej gruas sime, Dritëro, që t'u sjellim urimin e bardhë për jetëgjatësi e shëndet të mirë dhe copën e parë të bakllavasë ta provoni, ju vetë në familje. Ndërsa, me të tjerat, t'i qerasni vizitorët, të cilët u vijnë për urim...". Çifti Agolli e falënderoi atë përzemërsisht, për këtë dhuratë të bukur.

Pastaj, veterani i porsardhur i dorëzoi Dritëroit një "Mirënjohje", dërguar nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit, në Strugë-Ohër, me kryetar Nevzat Dokon. Pasi e përqafoi atë përzemërisht, me zë ia lexoi fjalët e shkruara aty: "Shkrimtarit dhe poetit të shquar, Dritëro Agolli, në 85-vjetorin e lindjes, i cili me veprën e tij letrare dhe me shembullin e jetës së vetë, i ka lartësuar virtytet dhe traditat atdhetare, liridashëse e demokratike të popullit shqiptar; u ka kënduar bukurisë së jetës dhe punës së njeriut të thjeshtë, bukurive të natyrës sonë; dashurisë e mirësisë dhe bashkimit të zemrave; drejtësisë shoqërore dhe fisnikërisë së shpirtit shqiptar, si një Naim Frashër i dytë".

Pasi zhvilluam një bisedë të ngrohtë me Dritëroin e Sadijen dhe ngritëm dolli, me rastin e këtij përvjetori të shënuar, si për atë dhe familjen e tij, por dhe mbarë krijuesit e shoqërinë shqiptare, bashkë bëmë disa fotografi. Ato do të mbeten një kujtim i bukur dhe i paharruar për ne.

...Me këtë rast, edhe një herë, e urojmë me gjithë zemër, njeriun e mirë dhe poetin e shkrimtarin e shquar të Kombit tonë, Dritëro Agolli, që të rrojë sa më gjatë e të ketë kurdoherë shëndet të plotë dhe mbarësi, në familjen e nderuar të tij!

Tiranë, 13 tetor 2016

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm