Menu

28 vite pa më të dashurit - Hajrim, Gjylbehar e Xhimshit Badallaj

User Rating:  / 0
PoorBest 

Xhimshiti, Hajrimi dhe Gjylbehari - Dëshmorët e Zhurit

Më 28 mars të vitit 1989, Zhuri ishte vënë në qendër të vëmendjes të opinionit vendor dhe më gjerë. Në ditën kur Serbia komuniste e udhëhequr nga diktatori Millosheviq, po përgatitej që "solemnisht" në Beograd të miratonin Kushtetutën e re serbe, kushtetutën e dhunës dhe të tankeve, me të cilën kushtetutë Kosovës i ishte suprimuar në mënyrën më të vrazhdë edhe ajo pak autonomi të cilën e gëzonte (në bazë të Kushtetutës së vitit 1974), për arsye të demonstratës e cila u organizua në këtë fshat.

Kjo demonstratë ishte masive, morën pjesë me mijëra qytetarë të Zhurit dhe të lokalitetit. Forcat policore kriminale nga Beogradi, të tmerruar nga kjo demonstratë dhe të indoktrinuar si mos më keq ndaj shqiptarëve në përgjithësi, shtinë me armë zjarri ndaj protestuesve dhe vranë tre prej tyre, ndërsa plagosën rënd dhe lehtë mbi 30 të tjerë. Në këtë demonstratë mbetën të vrarë: Xhymshit Badallaj, Gjylbehar Badallaj dhe Hajrim Badallaj. Hajrimi ishte nxënës në shkollën fillore të fshatit dhe i vijonte mësimet në klasën e gjashtë. Varrimi i Xhymshitit dhe Gjylbeharit u bë më 30 mars të vitit 1989.

Ky varrim ishte madhështor, pavarësisht faktit se Zhuri u gjend në shtetrrethim të plotë policor serb. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë me mijëra qytetarë nga tërë lokaliteti dhe më gjerë. Zemra e Hajrimit të vogël pushoi së rrahuri më 13 prill të vitit 1989. Në varrimin e Hajrimit, pos mijëra qytetarëve, morën pjesë edhe shokët dhe shoqet e klasës dhe ndarja me Hajrimin ishte shumë rrëqethëse për të gjithë të pranishmit në këtë varrim. Shokët dhe shoqet e klasës në nderim të shokut të tyre të vrarë, Hajrimit, për çdo ditë në bankën ku ulej Hajrimi, vendosnin buqeta me lule të freskëta. Në shenjë respekti dhe nderimi për dëshmorët e vrarë, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës, qytetarët e shumtë të Zhurit dhe të lokalitetit, duke filluar nga përvjetori i pare i rënies së tyre në altarin e lirisë, bëjnë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Zhur, në mënyrë të organizuar çdo vit.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm