Menu

Nderim e kujtim, për Haxhi Dede Reshat Bardhin....

User Rating:  / 0
PoorBest 

Baba Reshat Bardhi

Në 6-vjetorin e ndarjes nga jeta

Shtatë vjet më parë, pra një vit para se të ndahej përgjithnjë nga jeta Haxhi Dede Reshat Bardhi, unë, bashkë me kolegët e miqtë e mi, prof.Hektor Veshi dhe të ndjerin Agim Ibrahimi, bëmë një vizitë mbresëlënëse, në Kryegjyshatën Botërore të Bektashianëve, me qendër në Tiranë. Aty na priti me përzemërsi dhe bëmë një bisedë të paharruar me Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dde Reshat Bardhi. Me atë rast, shkrova e publikova një artikull modest, të cilin po e ribotoj tani, në nderim e kujtim të këtij atdhetari e personaliteti të shquar dhe të paharruar të besimeve fetare në Shqipëri.

* * * * *

Nga: Prof.Murat Gecaj publicist e studiues

1.

“Në prag të festës së shenjtë të Sulltan Novruzit, vendosa të bëja një vizitë në Kryegjyshatën Botërore, me qendër në Tiranë. Kisha kohë që e mendoja një gjë të tillë. Por, ja, se si  nuk e kisha gjetur ditën e pershtatshme për ta realizuar një vizitë të tillë…

Ndokush, mund të pyesë: Po mirë, çfarë të shtyu për të shkuar atje? Ndoshta, duhen shumë radhë për t’u përgjigjur dhe për ta shpjeguar me hollësi. Por shënoj vetëm se kjo e ka pikënisjen që në vitet e fëmijërisë sime, në Bujan të Malësisë së Gjaakovës (Tropojës), në afërsi të Tyrbes së Sheh Ademit. Ajo ndodhet në fshatin Grit të atij rrethi dhe themeluesit e saj ishin nga Gjakova e Kosovës. Gjatë verës, pasi laheshin në lumin e kaltër të Valbonës, me bashkëmoshatarin tim, Maxhun Niman Margjeka dhe ndonjë tjetër, shkonim të pushonim në mjediset e asaj selie fetare. Aty na prisnin me dashamirësi dhe na qerasnin, ndër të tjera, edhe me ëmbëlsira e fruta, sidomos me pjeshkë. Prandaj, që nga ajo kohë, gjithnjë e kam dashur këtë lloj fruti. Kur u rrita dhe shërbeva në gazetën e fëmijëve “Pionieri”, në Tiranë, gjatë një shërbimi për në qytetin e Fierit, me hekurudhë, rastësisht, në tren u takova dhe bëra fotografi me një shërbëtor të  sektit të bektashnjëve. Atë fotografi e  kam mbajtur gjithnjë me vete, me besimin e një “shenje të mirë”. Bile, atë e kam pasur ne xhep edhe gjatë dy vizitave të mia në Nju Jork, më 1993 e 1994. Me atë rast, për gjestin tim, i ngarkuari  shqiptar i bektashinjëve në atë qytet (për fat të keq, tani nuk më kujtohet emri), shtroi një darkë mikpritëse për mua, në shtëpinë e tij.

Por edhe kur rasti e solli të shërbeja në Tropojë, në vitet 1957-1958 e 1966-1967 dhe kur feja ishte e lirë, kam njohur klerikë të ndryshëm, si Sheh Ibrahim Hoxhën e Rosujës së Bujanit, Dervish Luzhën, dervish Rexhep Belin e të tjerë. Të them të vërtetën, megjithëse propadanda e shtetit ateist, të asaj kohe, ishte e fortë ndaj tyre, i kam respektuar gjithnjë, për shërbimin e tyre njerëzor.

Prandaj, për vizitën time më shtynte dhe arsyeja që doja ta identifikoja bashkëbiseduesin tim, të afër 44 viteve më parë. Për këtë qëllim, mendoja të shkoja për një vizitë në Kryegjyshatën Botërore e aty të takoja edhe Baba Reshat Bardhin. (Por, e them paraprakisht, se emrin e atij shërbetori të sektatit baktashain të asaj kohe, nuk e gjeta dot as tani, pasi kanë kaluar shumë vite dhe ai duhet të ketë qenë nga një krahinë e Shqipërisë së Mesme ose Jugore).

Vërtet kjo seli e shenjtë ndodhet në një lagje të kryeqytetit Tiranë, por dhe për këtë duhet një “planifikim” i mëparshën. Prandaj, gjatë një takimi me mikun tim të mirë, Prof.Dr. Hektor Veshi, me banim në  lagjen “Ali Demi”, ku ndodhet Kryegjyshata, vendosëm ta realizonim për atje, një udhëtim të tillë. Pasi më parë u lidhëm në telefon dhe caktuam vendin e takimit, bashkë me shokun tim të rinisë e të jetës, juristin Agim Ibrahimi nga Konispoli, u nisëm  me autobus dhe arritëm në atë lagje. Me dashamirësi, pimë të tre kafe dhe, të shoqëruar nga publicist e shkrimtar i njohur Loni Papa, nga Myzeqeja, pimë kafë e u çlodhëm në një lokal pranveror. Meqenëse Loni është i moshuar dhe i pamundur nga gjendja shëndetësore, ne të tre, pa atë, e vazhduam udhën, për ku ishim nisur..

H.Veshi, A.Ibrahimi, R.Bardhi e M.Gecaj

2.

Në oborrin e Kryegjyshatës, plot mirësjellje, na priti një dervish buzagas e shtatshkurër. Ai na u lut të  prisnin dhe mos të mërziteshim, pasi shpejt do të vinte aty, vetë Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Shpreha keqardhje, se nuk e gjeta aty të njohurin tim nga Korça, administratorin Pëllumb Zaimi.

Minutat kaluan shpejt  dhe në fundin e oborrit u duk Kryegjyshi afër 75-vjeçar, me trup të bëshëm e buzagas dhe i shoqëruar me disa veta. Menjëherë, iu paraqitëm me nderime, se kush ishim, pra unë, Agimi e Hektori. Babai na priu, si djalosh dhe hymë brenda në Kryegjyshatë. Zuri vend në kolltukun e tij, pikërisht aty, ku ka pritur e pret edhe çdo personalitetet të lartë, që bën vizitë në atë Kryegjyshatë. Biseda rrodhi e qetë, e çiltër dhe mjaft dashamirëse.  Pastaj, na e plotësoi dëshirën të bënim fotografi së bashku.  Shumë interesante ishin shpjegimet e tij, në këtë seli të shënjtë, por dhe për paraardhësit, që ishin të afishuar në more, me fotografi të mëdha. Me këtë rast, Baba Reshati na tregoi se origjinën e ka nga fshati Lusën, i rrethit të Kukësit.

Kur e përfunduam vizitën tonë, në mjediset e brendshme të Kryegjyshatës, te dera hyri “turravrap “,një vogëlush. Baba Reshat Bardhi, i ngazëllyer, shpejotoi për tek ai. Por dhe vogëlushi bëri të njëjtën gjë. Duhet të ishte nip ose stërnip i tij. Kur i vështrova të dy, ashtu pranë e pranë, mendova me vete, se kështu ripërtërihet jeta, nga një brez në tjetrin. Ndërsa njerëzit e besimeve të ndryshme, pra dhe ata që kremtojnë Sulltan Novruzin, i gëzohen ripërtëritjes së natyrës, përhapin e shpresojnë për mirësi, gaz, begati e jetëgjatësi.

Është e çuditshme se, gjatë tërë kohës në mjediset e Kryegjyshatës, në mendje më shkonin edhe vellëzërit Frashëllinj, sidomos, kujtoja poezitë e frymëzuara të Naimit tonë të madh.  Në atë, me titullin “Ditë e re”,janë dhe këta vargje domethënës: “Sot është një dit’ e rezë (re), që përsëritet moti,\ lint vera, lint ngrohtësija, lint Aliu, vetë Zoti”.  Ndërsa në folklorin bektashian: “Çelni sytë e shikoni,|jetën si u bë.| Fletë-fletë ta lexoni,| botën gjer më një.| Mirësevjen, mirësevjen, Novruzi Sulltan!...”.

…Ja, minutat kaluan shumë shpejt. Plot me mbresa të tilla të bukura, u ndamë  nga Kryegjyshi Dede Baba Reshat Bardhi dhe u larguam nga mjediset e Kryegjyshatës Botërore, me seli në  kryeqytetin e Shqipërisë. Pas nesh, sa e sa besimtarë dhe persona të tjerë, do ta vizitojnë këtë vend të shenjtë.(Tiranë, 20 mars 2010)”.

Tiranë, 4 prill 2017  

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm