Menu

Historiani Lis Mirë Muhamet Tërnava iku i mveshum me madhështinë e veprës së vet

User Rating:  / 0
PoorBest 

Prof.Dr. Muhamet Tërnava

Në Lismir të Fushë-Kosovës iku në ditën e djehit dhe një tjetër lis i mirë i historisë shqiptare, veçmas i asaj të Mesjetës, prof. dr. Muhamet Tërnava. 70 vjeçar. Një ndër miqtë e tij të afërt, Ahmet Qeriqi, e thirrton si "Ajnshtajni" i Historisë së Mesjetës Shqiptare. Doktorant Shkodran C. Imeraj nga Deçani, punonjës i Institutit të Historisë në Prishtinë, fjalathotë se "i takon gjeneratës së artë të historianëve të Kosovës, të cilët punuan dhe vepruan në kushte të jashtëzakonshme", që "me punën dhe angazhimin, arriti t'i thejë tezat e akademikëve serbë rreth popullsisë së Kosovës gjatë periudhës mesjetare".

Shkenctari Muhamet Tërnava iku në Amshim me heshtjen zyrtare edhe të kohës së sodit ndaj tij. Edhe në kohën e Serbisë e patën mblue me heshtje fort të madhe. Ai, krejt i ri, 21 vjeçar, ishte në Demonstratat Studentore të Vitit 1968 në Prishtinë. Njihet si mik i afërt ideali me Jusuf Gërvallen, tue pasë dhe korrespondencë ndërveti (1979-'81). Kryesisht kur e mbrojti doktoraturën në Zagreb të Kroacisë me temën "Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI" i nisën përndjekjet e egra sllave. E futën në burg si kundërsllav, si shqiptar patriot. E mbajtën duarlidhur në tortura e të izoluar nga koha e shkenca në vitet 1981-'83 në burgje të Prishtinës e Shkupit. Një serb e pati goditë në burg, në kohën e hetimit, tue ia demtue një pjesë të trunit të tij inteligjent e atdhetar me pasojë vuajtje e vështirësimi në veprimtari jetësore e shkencore deri në fund të jetës së vet. Ia ndaluan dhe të drejtën e botimit të veprave të tij shkencore. Iu mohue e drejta e profesionit, nuk u lejue me pune në arsim apo në institucione shtetërore. Atij, për me e mbajt familjen e vet, për me i shkollue çikat, iu desht me e shitë tokën e babës së vet. Ai pati veç nji Atdhe, tokën e Kosovës. Aty ku lindi edhe i mbylli sytë. Ai mund të shkonte kudo në Botën e Lirë si emigrant politik, por zgjodhi të qëndrojnë në Kosovën e tij si qëndrestar deri në kufijtë e legjendës, duke iu mbijetue vështirësive të ditës, tuj-e u përballë me stuhinat e politikës sllave të kohës.

Shkenctari Muhamet Tërnava e pati një "djalë të madh": veprën e tij shkencore "Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI", që ia la trashëgimi Historisë Shqiptare, Kosovës Dardane. Siç po e thotë edhe studiuesi e gazetari Ahmet Qeriqi, ndër vite ish-drejtor i Radios "Kosova e Lirë" (Radio e UÇK), shkenctari i njohur Muhamet Tërnava "i vuri bazën shkencore pranisë së elementi shqiptar në viset e Kosovës, në shtrirje diakronike e sinkronike, duke përfunduar se në vitin 1455 në trevat e Kosovës së sotme, popullata shumicë me 82 për qind ishte shqiptare, ortodokse, pastaj popullata sllave serbe, etnoset e caktuara si vllahet, raguzianët, hebrenjtë, turqit, gjermanët e të tjerë përbënin jo më shumë se 18 për qind të popullatës së shënuar në defterët me rastin e instalimit të administratës turke, në Kosovë". E, pikërisht për këto, UDB e Udbashët sllavë pushtues e aneksues të Kosovës "kishin të drejtë" që e burgosën, keqtrajtuen e izoluan shkenctarin atdhetar Muhamet Tërnava, po Klasa e sotme Politike e Kosovës, institucionet e saj shtetërore, nuk kanë asnjë të drejtë të mos e nderojnë atë me një dekoratë të lartë apo shumçka tjetër, veçmas me përcjellje me nderime të larta e të mëdha zyrtare për në banesën e fundit në diten e djeshme të 6 shtatorit 2017.

Historianin shkenctar Muhamet Tërnava kurrë se kam pa me sy, po shpesh jena takue bashkë, tue ia lexue studjueshëm veprën e tij shkencore "Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI", botue më 1995 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me 492 faqe, me recensent kryehistorianin e Kosovës, Ali Hadri. Ai ka botue dhe një tjetër libër shkencor "Studime për Mesjetën" tek Shtëpia Botuese "Dukagjini" në Pejë, në vitin 2000, me 284 faqe, të cilin se kam shfletue hala, pasi nuk më ka rá ende në dorë. Më kanë thanë se këtë vepër e ka botue pas Luftës së UÇK-së, pas Lirisë së Kosovës, kur ligjëroi për disa vite Historinë e Mesjetës në Katedrën Universitare të Historisë në Prishtinë. Tek parathania e veprës shkencore të Muhamet Tërnavës "Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI", Instituti Albanologjik i Prishtinës, për këtë vepër të ndaluar e me pamundësi komunikimi me studiuesit e lexuesit shqiptarë e të huaj, i kërkon falje që "nuk kishin pasur mundësi ta ndihmonin me kohë, në kushte dhe rrethana që tashmë dihen". Një veprim dinjitar, dokumentar. Po çka kanë me iu thanë Kohës e Brezave institucionet e larta shtetërore e zyrtarët e lartë të Kosovës për përcjelljen me heshtje të shqiptarit shkenctar atdhetar Muhamet Tërnava, i çili shkoi në Amshim i mveshun me madhështinë e veprës së tij, që na e la trashëgimi në themele e lartësi të Historisë së Kosovës.

Ramiz LUSHAJ / Shqipëri Etnike, 7 shtator 2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm