Cikël poetik63 - Qazim Shehu
- Category: Poezi të Vizitorëve
- Hits: 467
NISEM TË GJEJ...
Nisem ta gjej fytyrën time të humbur,
Ajo është fshehur tek njerëzit e lumtur,
Tek koha spërdredhur e bukur,
Spërdredhur në mijëra reklama,
Që vuajnë shitjen kur s'vjen fama.
Më ngjan s'kam për ta gjetur kurrë,
Fytyrën e dhjetë mbaj për torturë...
PALIMPSEST
Dikur ishin të gështenjtë,
Tani të shkruar si rrëfenjë,
Aq sa nuk e di, ç'sy ti ke.
Bari i rrjedhës shkroi në të,
Ngjyrat e larme të mungesës,
Një dashuri të djegur.
Gëzimet, trishtimet me epsh.
Sytë u kthyen në palimpsest...
ORA NË MUR
Për të pasur dritë në natën që vjen,
Fosforin në mëngjes shuan,
Do ketë mbetur ndonjë ëndërr që ia vlen,
Ndërsa më nis për rrugë si të huaj.
Në alarm zilja tingëllon,
Kumtin jep për gjithçka,
Këpucët, varka që lundrojnë
Në dallgë të rrugës me varkëtar.
Tinëzisht meje, akrepat,
Hapin krahët, shkojnë ku duan,
Ata ia thyejnë qelqin të shkretës,
E nxjerrin ëndrrën që për mua vuan....
ZONJAT
Ngrihen zonjat nga shtrati,
Brilantet në qafë ua rrëmbeu agimi,
Burra të tjerë u zgjodhi fati,
Në mëndafsh qan trishtimi.
Mëri e fatit zemëror,
Mjaltit të dëshirës hedh pika pelini,
Për burra të padëshëruar bëhen theror,
Pranga të vjetra bie agimi...
FJALËT
në lëkurë pemësh janë shkruar,
Përmes limfës gjarpëruar.
Fjalët.
Në elektronikë a letër,
S'e arrijnë gjelbërimin e vjetër.
Për vargun që në pemë shkruan,
Ndjesitë e mëdha aty jehuan.
Ndodhi kjo me Pablo Nerudën,
Vargu i tij, ëmbël na jep bukën...
QAZIM D.SHEHU