Menu

Cikël poetik për Çamërinë - Albert Habazaj

User Rating:  / 0
PoorBest 

BUQETË POETIKE PËR ÇAMËRINË

1. KRAHU I PLAGOSUR I SHQIPONJËS

(Këngë e pambaruar për Çamërinë - apel ndaj Protokollit të Firences, që i aneksoi Greqisë krahinën shqiptare të Çamërisë, pas Luftës Ballkanike, më 17 dhjetor 1913)

Çamëri, o krah shqiponje,Albert Habazaj
Krahu i saj i plagosur,
Sa një krah tjetër Kosove,
Posa ti, i sakatosur.

Çamëri, hallet e tua
As dhe hasmit nuk ia dua.
Ç'do më thuash më parë mua,
E gjakosur gjer në thua?

Do pyes ndonjë njeri;
- Ç'do të thotë Çamëri?!
- Çamëri, çarë më rri
Nga thika marrë në gji.

Çamëri, Çamëri -
Çarë e mbushur mëri,
Krisur tejpërtej si qelqe,
Jetëmbushura me derte.

Kjo këngë, këto vargje
Janë dufe, jan'maraze.
Çamëri, halli mbi halle -
Shtatë dete me tallaze.

Plag' e gjak e shpirt që dhëmb,
Aty ngrehu, aty shëmb,
Dritë besimi, trimërie,
Marathonomak lirie!

17. 12. 1988

 

2. SHQIPONJA

Shqipëria - një shqiponjë në fluturim
Drejt Perëndimit,
drejt botës,
drejt jetës;
Krahu i djathtë - Kosova,
Krahu i majtë - Çamëria,
Karaburuni - sqepi,
Sazani është syri ...
Shqiponja në fluturim...

08.06. 1993

 

3. KËNGË E PAMBARUAR PËR ÇAMËRINË...

Hap syrin, s'mundem pa klithur,
Për Burrneshën fytyrëgrisur,
Këngë e ngrysur dot pa prerë
Ka qenë Zonjë kur s'kish' të tjerë.

Loti i kripur si kokërr ulliri,
Rri varur nga dhimbja në cepin e syrit,
Veç vallja furtunë e Osman Takës
Vjen së largu, t'i qetësojë plagët...

Më dhembin degët e shqyera,
U bëj mëllagë me piklën e lotit;
Si stina e vajzave të feks Çamëria,
Ka qenë imja që pa lerë Zoti!

O kopësht i bukur i lirisë
Do të çelin lule bajamet...

 

4. KЁNGЁ PЁR FLAMUR

Oj, Kosovë, o krah'Shqiponje
Krah' rrebeshesh i plagosur,
Siç kam ty në tonat troje
Kam Çamërinë sakatosur.

Vjen me frymë Perëndie
Përreth Sheshit të Flamurit
Yjësia e Lavdive,
Ku zihet Besa e Burrit!

Tok me Ismail Qemalin
Qëndron baca Boletin -
Emblema jonë krenare
Dhe kur ndrin a bubullin.

Rasih Dino shikon tutje,
Mbushur frymë fluturimi,
Çamërinë s'e ka lutje,
E ka rrënjë shenjtërimi.

Prishtina ime është Vlorë
Edhe Vlora ësht' Prishtinë.
Për FLAMUR po thur kurorë,
Këngë yjesh për SHQIPTARINË.

 

5. TË KA HIJE, ÇAMËRI!

Sa shumë të ka hije, Çamëri!
Të ka hije të jesh shqiptare,
Kur me emër ke lulëzuar ti
Bota belbëzonte, as' kish lindur fare...

Po kur hiqen si perandorë:
Shpall ligje e shfuqizo ligje.
E kanë hak, si morrat t'i shtypësh me dorë,
Se u duket: Bota është e tyre!...

Po kujt i re në qafë ti, moj motër?
Asnjërit s'i shkele shtëpinë,
Të tjerët ta shkelën keq portën,
Të përvëluan si përcëllimë!...

Mbi Zotin dalkan të tjerë zotër,
Ca kope horrash me shkundullimë,
Po gremis ekuilibrat kjo "lodër",
Njerëzit s'e durojnë perandorinë.

Ndaj, e mira ime Çamëri,
Të ka hije të jesh çame!
O syri i bukur si ulli,
Plot ngjyra lirie ke pamjen.

 

6. PËR BUZËQESHJEN TËNDE

Të dua, Çamëri,
Sa Labërinë time
Më ke bërë magji,
Moj erë trëndeline.

Burbuqe lirie,
Të kam refren këngë,
Do të jepja frymën
Për buzëqeshjen tënde.

 

7. DY MOTRA

Çamëria - Labëria,
Lule dege, gjak në rrënjë.
Labëria - Çamëria,
Janë dy motra bërë një nënë.

Cikël poetik nga Albert HABAZAJ

 

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm