Menu

Rrëfimi i mbrëmjes - Përparim Demi

User Rating:  / 0
PoorBest 

Rrëfimi i mbrëmjes

Këtë mbrëmje vonë,Përparim Demi
Ora ndaloi,
Ndoshta jo, për mua po,
Minutat u zgjatën.

Fika dritën të dëgjoj...heshtjen,
Të kundroj hënën si ndriçon,
Të mendoj,
Të kujtoj.

Kam vrapuar, kam luajtur,
Kam studiuar, kam punuar,
Kam nxituar, kam ecur,
Kam kërkuar, kam ëndëruar.

Ka ardhur koha të mendoj,
Të kujtoj, të shoh përtej
Atë që se kam parë
Ndonëse pranë i kam kaluar.

Të mendoj çfarë kam bërë mirë
Dhe çfarë jo,
Çfarë kam arritur,
Ndoshta s'është ndonjë gjë e madhe.

Pra kjo qënka jeta,
Fillon dhe një ditë mbaron,
Si një film apo teatër,
Një skenë, ca personazhe, ca aktorë...

Ëndrat e fëminisë kishin shumë frikë në to,
Ato të rinisë fluturonin, çdo gjë roz,
Tani gati s'po i shoh më,
Më shpesh janë kujtime që rikthehen netëve të vona.

Vallë a ka ringjallje?
Kur jetoja virtual besoja në çdo gjë,
Shpresoja se një ditë do...
Tani e kam haruar çfarë.

Tani, ja ku mbrita tek rutina,
E përditëshmja, e mërzitëshmja,
Monotone...s'ka kurfarë llogjike,
Janë ditët e inercisë.

Kam refuzuar mjaft gjëra,
Që shumë i lakmonin,
Ndoqa kohën, të papriturat,
Intuitën, një shkëndijë që rishfaqej.

Kështu fitova lirinë time të vogël,
Ndoshta të parëndësishme,
Nuk munda ti nënshtrohem,
Fatit tim të projektuar.

Jo përherë thitha ajër të freskët,
Dikur u helmua,
Më zuri fytin dhe mushkritë,
Sa shpesh dhe drita më dukej errësirë.

Një ditë u zgjova me një ide,
Të cilën s'pata guximin ta vija më parë në jetë,
Tani jetoj dhe hesht,
Thjesht jetoj, pa ëndra dhe pa shpresa.

Kujtoj gjithshka dhe asgjë,
Nëse kam arsye të buzqesh,
Qoftë dhe hidhur,
Unë duhet të jem motivi.

Përparim Demi - Bukuresht, 18.07.2017

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm